Memorie.al publikon fjalën e Enver Hoxhës në mitingun e madh të Peshkopisë të mbajtur më 16 dhjetor të vitit 1967 vetëm pak ditë pas tërmetit të fortë që shkaktoi 12 viktima dhe 171 të plagosur si dhe mijra shtëpi të rrëzuara në rrethet e Dibrës dhe Librazhdit ku dëmet ishin edhe më të mëdha. Si i propagandonte udhëheqësi komunist Heronjtë e Punës Socialiste, si: Shkurte Pal Vata, Adem Reka, Fuat Çela, Pjetër Lleshi, Muhamet Shehu, Myrteza Kepi, etj, për të mobilizuar masat e popullit në punën për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara brenda muajit dhjetor të vitit 1967 dhe planin e rendimentin në kulturën e misrit dhe çfarë thoshte ai për ngjarjet që ndodhin në shtete të ndryshme të botësi, si: SHBA, Bashkimi Sovjetik, Jugosllavi, Marok, Vietnam etj., dhe udhëheqsit e këtyre vëndeve si: Xhonos, Brezhniev, Josfif Broz Tito, etj.
vijon nga numri i kaluar
NE PUNE E NE LUFTË NE DUHET TE MESOHEMI TA ORGANIZOJMË PUNËN GJITHNJË E MË MIRE NË MENYRE KRIJUESE.
Fjala e mbajtur në Peshkopi, në mbledhjen e përbashkët të kuadrove të Partisë, të pushtetit dhe të organizatave shoqërore të rretheve të Dibrës dhe të Librazhdit
16 dhjetor 1967
Deri tani në industri, në bujqësi e gjetkë ne kemi përvojën e punës me brigada, me brigadierë, me skuadra. Kjo përvojë pune te ne ka marrë një rrugë të Mirë, por, pas krijimit të shtabeve për drejtimin e punimeve për kalimin e pasojave të tërmetit, ju i vutë përpara përgjegjësisë komandantët dhe anëtarët e shtabeve dhe morët zotime përpara Partisë e Qeverisë për t’i realizuar para afatit detyrat që ju janë ngarkuar, sepse ato kanë një rëndësi të madhe politike, ideologjike, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Atëherë e gjithë kjo forcë, kjo përvojë e fituar do të shfrytëzohet edhe në drejtim të forcimit të mëtejshëm të punës së skuadrave e brigadave të prodhimit në bujqësi, në industri etj. Kjo frymë revolucionare do të futet, e duhet sa më parë të futet, edhe në shkollat tona. Mësuesit e shkollave tona të mbajnë kurdoherë parasysh direktivat e Komitetit Qendror të Partisë për lidhjen sa më ngushtë të mësimit me jetën dhe të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për t’i pastruar programet dhe tekstet shkollore nga uji i tepërt që ato kanë akoma. Programet e shkollave tona të jenë të tilla, që njerëzit të dalin të mësuar prej tyre, që mësuesit të mos ua mbushin mendjen nxënësve me gjëra të kota, që nuk do t’u hyjnë kurrë në punë. Prandaj mësuesit të hedhin poshtë çdo gjë që s’vlen, me qëllim që nxënësit të fitojnë kohë të çmueshme për të marrë atë kulturë të nevojshme të përgjithshme, që do t’i ndihmojë të bëhen të zotë për jetën. Qysh kur janë në shkollë ata duhet të mësohen të bëhen të zotë për bujqësinë, për të ndërtuar mure, të dinë të presin xhame, të mbulojnë çati etj. Mësuesit tanë të reflektojnë pak më thellë mbi këto çështje. I riu vullnetar nga Vlora që diskutoi në këtë mbledhje, na tregoi këtu (dhe ju këtë e dini vetë) se të rinjtë e të rejat shkollarë që kanë ardhur këtu përkohësisht, tani po bëjnë mure, mbërthejnë dritare, hipin e rregullojnë çati dhe bëjnë sa e sa punë të tjera. Ja, pra, si po realizohet në praktikë vija e Partisë. Çdonjëri te ne duhet të mësojë dy-tri zanate. Kështu edhe nxënësit në shkollë, krahas mësimeve, të përpiqen e të mësojnë të bëhen muratorë, stukaxhinj, marangozë, apo të marrin çdo profesion tjetër për të cilët ka aq nevojë vendi ynë. Këto zanate nuk mësohen të gjitha në shkollë, por në jetë. Organizimi i rrufeshëm për zhdukjen e pasojave të tërmetit në rrethet e Dibrës dhe të Librazhdit do të na japë neve mësime kolosale në këto drejtime. Por çfarë do të rezultojë nga përvetësimi i kësaj përvoje të madhe nga masat tona punonjëse në gjithë sektorët? Kjo punë do të na sjellë përfitime të mëdha. Komiteti Qendror i Partisë, për shembull, kur shqyrtoi planin e vitit 1968, vendosi të tejkalohen rendimentet e parashikuara të bimëve të ndryshme në bujqësi. U morën me këtë rast disa vendime, të guximshme revolucionare, të cilat vetëm të fjeturit nuk mund t’i pranojnë, kurse revolucionarët do të thonë se këto janë akoma pak. Prandaj edhe ju në Dibër në këto kushte me siguri do të mendoni: «Edhe për ne e ka fjalën Komiteti Qendror që në një të katërtën e sipërfaqes së misrit të marrim 40 kuintalë misër për hektar». Unë kam bindjen se ju do të jeni nga të parët që do të premtoni që jo në një të katërtën, po në gjysmën e sipërfaqes së misrit të merrni jo 40 kuintalë, por 50 kuintalë misër për hektar. Këtë e them pasi ju keni një popull heroik e patriot, si i gjithë populli ynë, pastaj ju keni një përvojë të madhe në kultivimin dhe ujitjen e misrit dhe se Partia, si kudo te ne, ju ka dhënë tani të gjitha mundësitë, në radhë të parë për ngritjen politike dhe ideologjike, ju ka dhënë edhe mundësi të tjera dhe do t’ju japë akoma më shumë në të ardhmen, si farëra të zgjedhura, plehra, etj., etj. Prandaj, vendimin që mori Komiteti Qendror i Partisë ju jo vetëm do ta realizoni, por kam bindjen se do ta tejkaloni dhe do të bëheni kështu flamur për gjithë Shqipërinë në rendimentet e misrit. Këtë e them me bindje, pasi prova është e freskët: ja si u ndërtuan mijëra shtëpi brenda një muaji. Askujt nuk ia merrte mendja ca kohë më parë një gjë të tillë. Shembulli pozitiv luan një rol të madh edukativ dhe frymëzues në shoqërinë tonë socialiste. U përlesh me dallgët e detit Adem Reka për mbrojtjen e pasurisë socialiste. Ra në krye të detyrës fillrojtësi i patrembur nga Kukësi, Pjetër Lleshi, u hodhën në flakë e në zjarr shokët Muhamet Shehu dhe Myrteza Kepi. Shembujt e tyre të heroizmit frymëzojnë sot gjithë punonjësit dhe rininë tonë për të zbatuar pa u përkulur detyrat që u ngarkohen. Por në vendin tonë kemi ende shumë shembuj të tjerë heroizmi. Ne duhet të shfrytëzojmë gjithçka pozitive që lind, kudo që masat tona punonjëse krijojnë dhe bëjnë gjithçka pa u ndier, pa bujë, për realizimin dhe sidomos për tejkalimin e detyrave të planeve tona. Punën dhe përvojën e tyre t’i bëjmë probleme politiike, ashtu siç bëmë shembullin e heroinës komuniste Shkurte Pal Vata, siç kemi bërë heronjtë e rënë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe në luftën për ndërtimin e socializmit. Fjalën e kam që ne të përfitojrnë deri te shembulli i mirë i një kooperativisti brendapërbrenda çdo koope-rative, brigade apo skuadre. Edhe ju në rrethet tuaja keni brigada të mrekullueshme, që marrin jo 40, po edhe 80 e 90 kuintalë misër për hektar. Këta njerëz që arrijnë të tilla rekorde ju duhet t’i bëni flamur, që të mësojnë të gjithë nga përvoja dhe puna e tyre. Figurat kombëtare duhet të na nxitin, të na mësojnë dhe të na frymëzojnë për hedhur përpara, por ne nuk duhet të harrojmë se ai kooperativist ose ajo skuadër që merr 90 ose 100 kuintalë misër për hektar, duhet të bëhet një flamur jo vetëm për kooperativën, por edhe për rrethin, bile për gjithë Shqipërinë dhe të tërë të luftojnë t’ia arrijnë kësaj. Atëherë, shokë, nuk do të jetë aspak e vështirë që ne të marrim zotim që kudo, siç thashë më parë, të arrihet të merren nga 50 e 60 kuintalë misër për hektar. Kështu mund të themi edhe për grurin, panxharin e sheqerit dhe për prodhimet e tjera bujqësore. Pra, shoqe dhe shokë, vëllezër dhe motra, planin ekonomik që kemi vendosur duhet ta realizojmë me një guxim të tillë të madh. Në emër të Komitetit Qendror, ju rekomandoj që, duke i parë qartë këto probleme, me këtë sy, me këtë zemër, me plot energji dhe heroizëm revolucionar, t’u futemi atyre më thellë, t’i rishikoni edhe një herë planet dhe të merrni zotime të tjera, të reja. Organizoni për këtë qëllim më mirë punën politike, organizative, frymëzoni njerëzit që t’i realizojnë dhe t’i tejkalojnë planet që janë vendosur. Por në rast se ne do të ecim (dhe për këtë s’ka dyshim se do të ecim) me vrullin që shpjegova tani, në mbarim të vitit 1968 do të na jepen mundësi që gjatë vitit 1969 të krijojmë të mira materiale në atë masë që pikërisht as tani nuk na shkon ndër mend. As Byrosë Politike, as Qeverisë nuk u shkonte ndër mend vitin e kaluar që do të merrnim sivjet një vendim kaq të guximshëm dhe me rëndësi historike, siç është ai i elektrifikimit brenda një periudhe të shkurtër prej më pak se katër vjetësh, i të gjitha fshatrave të Shqipërisë. Të gjithë e dini se ne kishim një vendim për këtë çështje, realizimi i të cilit parashikohej për vitin 1985, domethënë pas 17-18 vjetësh. Po kur Byroja Politike dhe Qeveria u gjendën përpara këtij hovi të madh të paimagjinueshëm e të papërshkrueshëm të Partisë dhe të gjithë popullit, përpara kësaj krijimtarie nga e cila lindën vendimet e Komitetit Qendror, atëherë na u desh që këtë çështje ta ristudionim dhe, pasi bëmë llogaritë, në përfundim vendosëm që kjo detyrë të kryhet brenda një periudhe prej katër vjetësh. Ky është një vendim i bazuar dhe që nuk do të prekë asnjë nga zërat e tjerë të planeve tona. Prandaj ju thashë që, në shembullin e Byrosë Politike dhe të Qeverisë, edhe ju t’i rishikoni planet. Ato me të vërtetë janë të ngjeshura, por, duke i parë edhe një herë me këtë sy, me këtë frymë politAce, me besim dhe vendosmëri, caktoni shifrat e reja dhe njoftoni Komitetin Qendror se, për shembull, ka gabuar duke ju caktuar 40 kuintalë misër për hektar, kurse ju jeni të bindur që do të realizoni 50-60 kuintalë e më tepër për hektar dhe ne do të pranojmë që kemi gabuar dhe do t’ju heqim kapelën. Por le të mos largohemi nga çështja e elektrifikimit. Vendimin e Plenumit të 4-t të Komitetit Qendror, që është me të vërtetë një aksion i madh historik, ne duhet medoemos ta realizojmë me rastin e 30-vjetorit të lavdishëm tëthemelimit të Partisë, Realizimi i tij do të jetë vepra e Partisë, vepra e popullit tonë të mrekullueshëm, të edukuar nga Partia. Ka vende të tjera në botë që kanë shumë më tepër nga ne energji elektrike, por popullin e kanë lënë në errësirë dhe as që interesohen për këtë. Ne akoma kemi shumë nevojë për energji elektrike. Lenini ka thënë se «Komunizmi është pushteti sovjetik plus elektrifikimi i të gjithë vendit»i. Por duke u dhënë dritë elektrike të gjitha fshatrave të Shqipërisë pas katër vjetësh, nuk do të thotë se me këtë shkuam në komunizëm. Por mbi planin që kanë Partia dhe shteti ynë për elektrifikimin e vendit, domethënë për zhvillimin e të gjitha degëve të industrisë, për elektrifikimin e bujqësisë etj., Byroja Politike, Qeveria dhe Plenumi i Komitetit Qendror morën vendimin që, pa e arritur akoma realizimin e kësaj detyre të madhe në perspektivë, brenda kësaj periudhe të shkurtër katërvjeçare, të bëjmë çdo sakrificë ekonomike për t’ia plotësuar popullit tonë këtë nevojë, sepse heroizmi i tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe sot për ndërtimin e socializmit nuk mund të shpërblehet me asnjë sakrificë. Populli dhe fshatarësia jonë patriote e meritojnë plotësisht këtë që po bëjmë për ta, prandaj t’ia çojmë dritën, kudo që të ndodhen, deri edhe në zonat më të largëta. Drita elektrike në fshatra do ta ngrejë edhe më kulturën e masave tona kooperativiste. Çuarja e saj kudo do të na kushtojë disa qindra milionë lekë të rinj, por ne do t’i shpenzojmë këto fonde, me qëllim që dritën t’ua sigurojmë të gjitha fshatrave të vendit tonë, pa i sjellë asnjë pengesë planit në të gjithë zërat. Vetëm ta kemi të qartë se për të realizuar këtë detyrë kërkohet një mobilizim i plotë nga të gjithë. Prandaj themi që çdo ditë duhet të përfitojmë sa më shumë nga përvoja e arritur gjer tani, të cilën ta zbatojmë kudo, në mënyrë që t’i shumëfishojmë të ardhurat tona dhe të krijojmë kështu sa më shumë rezerva për të përballuar çdo nevojë që mund të na paraqitet. Të krijosh rezerva nuk do të thotë të sigurosh vetëm nevojat ushtarake në kohë rreziku, por edhe për të përballuar fatkeqësi të tilla si kjo që ndodhi në rrethet tuaja. Të gjithë ju e kuptoni vetë tani ç’vlerë të madhe kanë ekonomizimet që rekomandon vazhdimisht Partia, tejkalimi i planeve, ruajtja dhe shfrytëzimi i mirë i materialeve, lufta klasore kundër armiqve e vjedhësve etj. Shteti ynë i diktaturës së proletariatit krijon rezerva të atilla për të përballuar e për të realizuar plane kurdoherë e më të mëdha dhe momente më të vështira. Prandaj ne, gjatë punës për realizimin e planeve, të mendojmë njëkohësisht edhe për detyrat që do të na vihen për t’i dhënë dritën elektrike të gjitha fshatrave. Për këtë qëllim duhet që edhe vetë fshatrat të marrin pjesë fuqimisht në realizimin e kësaj detyre. Ato të ndihmojnë në prerjen dhe në transportimin e shtyllave, në shtrirjen e telit, në hapjen e gropave dhe në vendosjen e shtyllave, në lidhjen e telave përjashta dhe brenda shtëpive etj. Por si do të bëhen të gjitha këto punë? Do t’i bëjmë në mënyrë të organizuar. Të mos na duket tani sikur kemi arritur në një nivel organizimi të përsosur. Jo, vetë këto vendime të mëdha revolucionare gjatë zbatimit të tyre do të na detyrojnë dhe do të na mësojnë si ta organizojmë sa më mirë punën tonë. Tani mjaft nga kooperativat tona bujqësore janë të kënaqura që kanë nga një kovaç, berber, rrobaqepës etj., por nesër atyre do t’u duhet edhe elektricisti, që të ketë dijeni të vërë në lëvizje turbinat, që të dijë të shfrytëzojë energjinë elektrike për t’i bërë pompat që të ngrenë ujin për ujitjen e bimëve, për të vënë në lëvizje makinat për grirjen e silazhit etj. E tillë është perspektiva e zhvillimit të kooperativave tona dhe kjo kohë do të vijë medoemos. Prandaj jo vetëm prerja dhe sigurimi i shtyllave, por edhe përgatitja e kuadrove është një tjetër detyrë me rëndësi që na vihet përpara tani, për zbatimin e këtij vendimi. Detyra që thashë që çdo njeri të mësojë shumë zanate, është me rëndësi të madhe për kushtet tona. Por vetëm në shkolla nuk mësohen zanatet, ato mësohen më mirë e më shumë në punë e sipër dhe në aksione masive. Partia po na hap perspektiva të mëdha, vetë me zotësinë dhe iniciativat e tij, na frymëzon të bëjmë gjithçka për zbatimin në kohën e caktuar, bile edhe më përpara të vendimit për elektrifikimin. Të bëjmë çdo përpjekje që gjithçka lidhet me këtë vendim ta realizojmë në kohë, duke përfshirë edhe përgatitjen dhe edukimin e kuadrove. Të gjithë, sidomos në qytete, po e ndiejnë tani nevojën që kemi për shtëpi banimi. Më parë ne ndërtonim më shumë banesa dhe kjo ishte e natyrshme, pasi për të ndërtuar më shumë fabrika, uzina, kombinate, hidrocentrale etj., s’kishim mundësi, ose këto mundësi i kishim akoma të pakta. Mirëpo tani kemi ecur përpara, filluam të ndërtojmë vetë fabrika, hidrocentrale, të hapim miniera të reja etj. Aftësitë tona ndërtuese po vijnë duke u rritur. Megjithatë, ne nuk e kemi lënë pas ndërtimin e shtëpive të banimit nëpër qytete. Ndërtimi i mëtejshëm i socializmit është një domosdoshmëri për rritjen gjithnjë e më shumë të mirëqenies materiale e kulturore të gjithanshme të popuIlit tonë, pasi mund të kesh shtëpi, por s’ka asnjë kuptim po të mos kesh bukë, rroba etj., etj. Prandaj ne duhet të ndërtojmë gjithnjë më shumë vepra për rritjen e forcave prodhuese, pa lënë, sigurisht, mënjanë edhe ndërtimin e shtëpive të banimit. Mirëpo në rrugën e zakonshme nuk kemi mundësi të bëjmë më shumë në krahasim me popullsinë që po rritet. Vajza ose djali që dy pesëvjeçarë më përpara ishin 10-15 vjeç, tani janë bërë 20-25, janë martuar; ata, pra, kanë nevojat e tyre edhe për strehim. Si Republikë tani ne po arrijmë në gati dy milionë banorë. Në fshat problemi i shtëpive paraqitet më mirë se në qytet. Edhe për qytetet ne kemi parashikuar në plan të ndërtojmë shtëpi banimi, por sa kalon koha aq më shumë ndihet nevoja më e madhe e investimeve për banesa. A mund ta pranojmë një gjë të tillë? Këtë e pranojmë nga zori, pasi të gjithë duam t’u ndërtojmë shtëpi punonjësve, të cilët lodhen, bëjnë heroizma në punë dhe kur e do puna janë gati të punojnë nga 13 ose 14 orë në ditë, por ka prej tyre që janë shumë ngushtë me strehim. Prandaj Partia dhe shteti ynë, si në fushat e tjera, duhet të çajnë edhe në këtë drejtim, ta zgjidhin këtë problem të madh. Po në ç’mënyrë? Në rrugën revolucionare të masave. Vetë vrulli i punonjësve, vetë masat po e mësojnë Partinë çfarë duhet të bëjë edhe për zgjidhjen e këtij problemi shumë të madh. Strehimin ta bëjmë problem të të gjitha masave; njëkohësisht, të marrim masa të forta organizative, të kontrollojmë mirë e të shikojmë ç’pyje kemi, pasi ka shumë vite që është bërë një studim mbi pyjet, i cili mund të mos jetë i azhurnuar si duhet. Prandaj çdo rreth, nën drejtimin e seksionit të bujqësisë, të përcaktojë skuadrat që do të merren me punën për t’i kontrolluar pyjet, ku janë e ku nuk janë, sa lëndë kemi prerë në to gjer tani dhe sa na lejohet të presim, duke llogaritur që kapaciteti i tyre të rritet vazhdimisht. Me një fjalë, Partia të ketë kështu një pasqyrë të qartë dhe të jetë e ndërgjegjshme ç’sakrifica duhet të bëjmë akoma për të prerë lëndë për ndërtimin e shtëpive për popullin. Në rast se llogaritë na dalin që ka mundësi, atëherë të presim lëndë në pyjet tona për të ndërtuar shtëpi komode një ose dykatëshe në qytete. Dhe këto shtëpi do t’i ndërtojë vetë populli, duke u mobilizuar i madh e i vogël, burra e gra nga dy orë çdo ditë pas punës, ashtu si u punua në katundin tuaj, Burim, te shtëpia e rrënuar e Halim Pikut, të cilit iu vra i nipi nga tërmeti etj. Duke kontribuar vetë masat në këtë çështje, s’ka dyshim që këto shtëpi do t’i ndërtojmë edhe me kosto shumë të ulët. Kjo punë nuk do të na pengojë në asnjë mënyrë për ngritjen e pallateve të larta anës rrugëve kryesore nëpër qytete, por në lagje nevoja na detyron përkohësisht të ngremë në masë edhe shtëpi të vogla me dy ose tri dhoma e një kuzhinë, ku të futen njerëzit. Vetëm kështu ne do të mund të ndihmojmë zgjidhjen e këtij problemi të madh dhe të ngutshëm që na del përpara, siç është strehimi i popullsisë. Dhe gjatë kryerjes së këtij aksioni të madh, njerëzit tanë do të mësojnë jo nga një, por nga dy dhe tri zanate. Kështu që, kur të fillojmë të ndërtojmë Hidrocentralin e madh të Fierzës dhe vepra të tjera të pesëvjeçarit të ardhshëm, të mos mendojmë atëherë ku do t’i gjejmë karpentierët, muratorët, elektricistët etj., etj., këta ne do t’i kemi përgatitur dhe duhet t’i përgatitim me kohë dhe për këtë qëllim. Dhe kjo kohë do të vijë shpejt, prandaj gjer atëherë të punojmë që me këtë vrull të madh revolucionar që ka shpërthyer në vendin tonë të përgatitim me dhjetëra mijë specialistë që do të na duhen, me shkollë të lartë, të mesme, të ulët ose pa shkollë profesionale. Për të gjitha punimet e mëdha në perspektivë, sigurisht, neve do të na duhet më shumë çimento, më shumë hekur etj. Po ku do t’i gjejmë këto? Për t’i siguruar ato do të na duhet në të ardhmen ta dy dhe trefishojmë kapacitetin e fabrikave ekzistuese të çimentos, ta trefishojmë bile edhe ta pesëfishojmë planin e shkrirjes së hekurit, në mënyrë që të arrijmë të shkrijmë deri në 500 mijë, bile në perspektivë deri edhe në një milion ton hekur në vit, pasi dihet që hekuri për industrinë është i nevojshëm si buka. Vetëm po të kemi hekur dhe çimento më shumë, atëherë edhe pallatet do të jemi në gjendje t’i ngremë me shpejtësi, pasi me sasitë që kemi tani dhe me ato që parashikohet të blejmë, do të na duhet të ndërtojmë fabrikat që kemi në plan, pa të cilat nuk mund të zhvillohet ekonomia jonë popullore. Populli ynë i kupton këto plane të Partisë, ai është i bindur se ato kanë për qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të jetës së tij, prandaj bën edhe sakrifica, ai e kupton që vija e Partisë është e drejtë dhe është i gatshëm të punojë që të ecim gjithnjë përpara, të realizojmë rendimentet dhe të gjitha zërat e planeve tona në çdo drejtim. Ne ndërtuam kohët e fundit disa uzina për prodhimin e plehrave kimike, por nevojat për to janë gjithnjë në rritje. Prandaj Komiteti Qendror i Partisë dhe Qeveria kanë menduar ta dy dhe trefishojnë kapacitetin e tyre dhe për këtë do të duhet të bëhen shpenzime më të vogla. Kështu, plehra fosfatike do të arrijmë të marrim gati trefish, do të përpiqemi të dyfishojmë, gjithashtu, kapacitetin e Uzinës së Plehrave Azotike, do të dhjetëfishojmë kapacitetin e metalurgjisë dhe përpunimin në vend të ferro-kromit. Në këtë mënyrë ekonomia jonë popullore do të ketë përfitime të mëdha. E kështu me radhë, vëllezër e motra, do të ndërtohen një sërë veprash të tjera të mëdha. Partia dhe populli ynë kanë fituar tani një përvojë të madhe, ata nuk përgatiten më vetëm në një vit për tjetrin, por mendojnë edhe perspektivën e largët, për t’u përgatitur në çdo drejtim për të ardhmen. Kështu mendon Partia edhe për përgatitjen e kuadrit, jo vetëm me disa shkolla, por në masë; kështu mendon ajo për të krijuar rezerva, jo vetëm sa për të kaluar një dimër, po për të fuqizuar më shumë gjithë ekonominë e vendit tonë, që po ecën me hapa të mëdhenj përpara në ndërtimin e socializmit. Të gjitha këto që mendon Partia janë plotësisht të realizueshme. Partia dhe populli do t’i realizojnë ato patjetër, sepse vija jonë është e drejtë, se forca Partisë dhe e popullit tonë është kolosale. Por ne nuk do të bëjmë vetëm ndërtime, ne do të bëjmë gjithashtu përpjekje të mëdha për të përmirësuar çdo vit e më mirë edhe jetën e popullit, duke e furnizuar atë çdo vit e më shumë me prodhime bujqësore blegtorale dhe me gjithfarë mallrash të tjera të konsumit të gjerë. Por si do ta bëjmë këtë? Për furnizimin e popullit me artikujt e nevojshëm bujqësorë e blegtoralë përvoja jonë tanimë është e madhe, prandaj çdo vit e më mirë do të shtohet prodhimi, që populli të ketë në radhë të parë të hajë më shumë, të vishet dhe të rrojë më mirë, të jetë sidomos i shëndetshëm, pasi të gjitha këto punë të mëdha që na presin kërkojnë energji dhe shëndet. Problemin e shëndetit të popullit ta kemi kurdoherë të gjithë parasysh, shoqe dhe shokë. Në asnjë mënyrë të mos e nënvleftësojmë këtë çështje, pasi në qoftë se duam të hidhemi të gjithë në punë me frymë vrull revolucionar për ngritjen e rendimenteve në industri, në bujqësi e në çdo sektor tjetër, të gjitha këto i bëjmë me një qëllim të vetëm: të përmirësojmë pandërprerë jetën e njerëzve tanë. Prandaj Partia t’i kushtojë njeriut kujdesin më të madh. Ky kujdes nuk qëndron vetëm në përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve materiale, si të ushqimit, të veshmbathjes, të banesave etj., por ka edhe një sërë çështjesh të tjera. Ky është një kompleks i tërë, që fillon qysh nga puna për ngritjen politike dhe ideologjike, nga puna praktike revolucionare, deri te pastërtia, veshja, kultura, revolucionarizimi i ndërgjegjes të njerëzve, te lufta për emancipimin e gruas dhe lufta e klasave etj., etj. Prandaj të gjitha këto të mos merren të shkëputura, por në një kompleks të tërë, që shpjegohet nga politika dhe ideologjia e Partisë sonë. Për realizimin e tyre duhet të ecim frontalisht. Ajo që ka rëndësi të madhe është fakti se ne kemi krijuar tani në vendin tonë një klasë punëtore të lavdishme, që ka fituar një përvojë të tillë saqë është zor të arrihet në një periudhë kaq të shkurtër në vendet tjera. Kjo ndodh për arsyen e vetme se punëtorët tanë janë të mbrujtur me ideologjinë marksiste-leniniste, prandaj janë të aftë dhe të zotë për të krijuar gjëra të mrekullueshme. Organet shtetërore në qendër në rreth gjenden tani përpara propozimeve të panumërta për të krijuar linja të reja në ndërmarrjet ekzistuese, bile deri ndërmarrje të tëra. Tani të gjithë njerëzit tanë kanë një preokupacion të madh, të krijojnë sende të nevojës së parë për popullin, pasi ne kemi akoma nevoja të mëdha. Në qoftë se në shumë raste populli në të kaluarën hante në një çanak, këtë bënte jo vetëm nga mentaliteti dhe zakonet prapanike, por edhe nga që ishte i varfër, kishte pak gjëra për të ngrënë, dhe jo vetëm kjo, por as pjata nuk kishte në të kaluarën, bile edhe sot akoma nuk ka sa duhet. Prandaj të punojmë që fshatit t’i japim edhe më tepër dhe nga çdo gjë. Qeveria, nën drejtimin e Partisë, do të marrë masa, do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që kemi dhe do të kujdeset që të shtohen gjithnjë e më shumë sendet e nevojës së përditshme të popullit. Kjo është një çështje me rëndësi të madhe. Prandaj, shoqe dhe shokë, në gjithë këtë kuadër që shkurtimisht ju thashë, sa detyra të mëdha, heroike, u vihen përpara Partisë, pushtetit, njerëzve tanë! Por këto janë të realizueshme, sepse populli ynë ka një forcë, zotësi, zgjuarsi e vendosmëri të madhe, ai ka udhëheqjen e Partisë, prandaj këto detyra do t’i plotësojë me nder. Duke e parë në këtë prizëm, tërmeti që ra, na bëri keq, por na bëri edhe mirë, harxhuam me këtë rast shumë, por këto harxhe nuk janë asgjë përpara fitimeve të mëdha që arritëm, në radhë të parë kënaqësinë që ndien populli, i cili u fut dhe do të futet menjëherë brenda në shtëpitë e reja, dhe e dyta, përvoja e madhe që fituam gjatë këtij aksioni kaq të rëndësishëm. Të dashura shoqe dhe shokë, Në emër të Komitetit Qendror të Partisë, të shokëve të tjerë që janë këtu, dhe timin, edhe një herë ju falënderoj me gjithë zemër për besnikërinë e madhe që ushqeni ndaj Partisë dhe pushtetit tonë popullor. Kjo është garancia e fitoreve, garancia e ruajtjes së lirisë dhe pavarësisë së atdheut tonë socialist nga armiqtë e shumtë që na rrethojnë dhe na kanë halë në sy. Por armiqtë nuk kanë ç’na bëjnë, pasi Partia jonë, me vijën e saj të drejtë dhe me qëndrimet parimore internacionaliste, çdo ditë e më shumë ka ngritur prestigjin dhe autoritetin e Shqipërisë në botë. Kudo jashtë flitet me respekt për Republikën Popullore të Shqipërisë, jo vetëm nga miqtë, por edhe nga armiqtë, bile deri armiqtë më të vendosur e barbarë e kanë të zorshme ta errësojnë atë që kanë bërë dhe po bëjnë Partia dhe populli ynë në politikë, në ekonomi, në arsim e kulturë, në të gjitha fushat. Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, siç na njofton përfaqësuesi ynë atje, miqtë e shumtë të Shqipërisë, përfaqësuesit e vendeve të Azisë, të Afrikës dhe të Amerikës Latine janë mahnitur me këto që po bëhen në Shqipëri. «Ju lutemi, kërkojnë ata, na jepni vendimin e Qeverisë suaj për çështjen e tërmetit”, sepse kjo që po bëjmë ne është diçka e pakonceptueshme për ta. Në vendet kapitaliste kanë ndodhur e ndodhin katastrofa, por të dëmtuarit kurdoherë kanë mbetur pa asnjë ndihmë, në katër rrugët. U dëmtua Kazablanka ca më shumë se dy rrethet tona, po kush t’i vinte në ndihmë popullit maroken? Prandaj habiten të gjithë nga kjo që po bëhet te ne, prandaj përfaqësuesit e shumë vendeve flasin me simpati për vendin tonë, dhe jo vetëm me këtë rast, por sepse vazhdimisht shohin politikën e drejtë, konsekuente të Republikës sonë Popullore në Kombet e Bashkuara në mbrojtje të popujve, ndjekin me simpati qëndrimet tona të vendosura kundër imperializmit amerikan, revizionistëve sovjetikë dhe tradhtarëve të tjerë të marksizëm-leninizmit. Përfaqësuesit e këtyre vendeve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara thonë se Shqipëria është i vetmi shtet anëtar i kësaj organizate që mban qëndrim të drejtë dhe lufton me guxim e heroizëm për mbrojtjen e të drejtave të popujve. Këto nuk janë lëvdata, pasi ata që flasin kështu shohin që politika e drejtë marksiste-leniniste e Partisë dhe e shtetit tonë mbron kurdoherë të drejtën dhe demaskon pa mëshirë padrejtësitë e poshtërsitë që u bëhen popujve të botës nga imperialistët amerikanë dhe të tjerë, si dhe nga revizionistët sovjetikë. Për këtë arsye Partia jonë gëzon një simpati të madhe në të gjitha vendet e Azisë, të Afrikës dhe të Amerikës Latine. Kudo në këto vende flitet me ngrohtësi për sa ngjet në Shqipëri, forcat përparimtare kërkojnë të dinë sa më shumë për punët që bëhen në vendin tonë, shprehin dëshirën të dërgojnë njerëz të marrin përvojën tonë dhe ne u japim mundësi shumë elementëve revolucionarë të vizitojnë Shqipërinë. Fitoret tona i inkurajojnë ata, u ngjallin dhe u forcojnë besimin e shpresën këtyre njerëzve, të cilët largohen të ngrohtë nga Shqipëria. Të gjitha këto, motra dhe vëllezër, duhet të shihen në tërë kuadrin që thashë; Partia dhe shteti ynë i diktaturës së proletariatit me këto që bëjnë, kryejnë njëkohësisht edhe një detyrë të lartë internacionaliste ndaj shokëve e vëllezërve në vendet e tjera, që luftojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira të terrorit dhe të shtypjes kapitaliste dhe revizioniste. Në Bashkimin Sovjetik, ku sundojnë tradhtarët revizionistë hrushovianë, ka shpërthyer një terror madh dhe si atje, ashtu edhe në vendet e tjera revizioniste burgjet janë mbushur plot. Shokët revolucionarë po i burgosin, po i vrasin për të vetmen arsye se ata rezistojnë kundër tradhtisë revizioniste hrushoviane. Por revizionistët nuk do ta thyejnë dot kurrë rezistencën e marksistë-leninistëve dhe sado që përpiqen t’i fshehin masat shtypëse që ushtrojnë kundër tyre, ato përsëri merren vesh, dalin në shesh. Në Bashkimin Sovjetik elementët revolucionarë i arrestojnë dhe i gjykojnë gjoja si terroristë, se gjoja u gjejnë armë, bomba, i akuzojnë se janë të lidhur me organizata revolucionare. Lëvizja revolucionare e popujve dhe e komunistëve në botë është në ngritje të pandërprerë, prandaj imperialistët janë në një krizë të madhe politike, ekonomike dhe ushtarake. Revizionistët, gjithashtu, janë në një krizë të madhe në të gjitha drejtimet. Do të flas vetëm pak dhe shkurtimisht mbi çështjet ndërkombëtare. Kohët e fundit, sterlina angleze u zhvleftësua dhe me siguri ky zhvleftësim do të vazhdojë më tej. Ky fenomen ka futur në një krizë të rëndë edhe dollarin, që imperialistët amerikanë po bëjnë gjithfarë përpjekjesh për ta mbajtur gjallë, duke rritur taksat në kurriz të popullit, duke shtuar shtypjen dhe shfrytëzimin mbi masat e gjera etj. Kjo, pa dyshim, do të krijojë pakënaqësi të reja akoma më të mëdha te punonjësit e vendeve kapitaliste. Zhvleftësimi i sterlinës dhe kriza e dollarit në të ardhmen do ta tërheqin në humnerë dhe në kriza akoma më të rënda ekonominë e të gjitha vendeve të tjera kapitaliste. Kjo krizë ekonomike në kampin e imperialistëve po shkakton turbullira të mëdha edhe në fushën politike. NATO-ja ka pësuar e vazhdon të pësojë të çara shumë të thella. Imperialistët amerikanë përpiqen t’i futin partnerët e tyre në rrugën e shtypjes së lëvizjeve nacionalçlirimtare të popujve me luftë të armatosur, siç bëjnë ata vetë në Vietnam. Por këto përpjekje kanë gjetur kudo rezistencë. Franca, siç dihet, praktikisht doli nga NATO-ja. Kjo tregon dobësinë e madhe të kësaj organizate. Vendet e tjera anëtare duan t’i shpëtojnë diktatit amerikan, që përpiqet t’i mbajë përreth. Kjo do të thotë se një krizë e madhe politike, ushtarake dhe ekonomike është duke u rritur dhe e bren përbrenda këtë organizatë. Pra, ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht në gjirin e NATO-s ka krizë, ka të çara të mëdha, që sa vijnë e po shtohen, për arsye të hovit të madh revolucionar në ngjitje të popujve. Dobësimi i përgjithshëm i shteteve kapitaliste e imperialiste vjen, pra, për shkak të ngritjes së vazhdueshme revolucionare të popujve, të zgjerimit të luftërave nacionalçlirimtare, të luftës heroike të popullit vietnamez etj. Imperializmi amerikan ka shumë vjet që është futur në moçalin e luftës vietnameze dhe, sado që ka dërguar atje rreth 500 mijë ushtarë, nuk po del dot nga gjendja e vështirë që i ka krijuar lufta heroike popullore e vietnamezëve, prandaj po pëson humbje kolosale, ushtarake dhe politike. Politika e Xhonsonit po tronditet në të gjitha drejtimet; ajo ka shkaktuar turbullira financiare dhe ekonomike dhe një lëkundje të madhe në masat e gjera të popullit amerikan, nga radhët e të cilave janë me qindra mijë ata që shprehen kundër luftës së imperialistëve amerikanë në Vietnam, bile ka shumë nga ata që guxojnë të demonstrojnë deri para Shtëpisë së Bardhë. Kjo situatë ka bërë që edhe brenda radhëve të manjatëve kapitalistë amerikanë, deri në senat, të ketë kundërshtime të rrepta për shumë çështje politike. Vetëm populli Vietnamez, me luftën e tij heroike kundër imperializmit amerikan, po i shkakton këtij kolosi me këmbë prej argjili, siç ka thënë Lenini për imperializmin në përgjithësi, një krizë kolosale të pandreqshme. Në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet ku janë në fuqi klikat revizioniste po vihet re një degjenerim i madh moral, politik dhe ekonomik. Me hapa të mëdhenj po shkohet drejt degjenerimit, sidomos të rinisë. Format e ndryshme të organizimit e të administrimit të ekonomisë, sipas formave kapitaliste, kanë krijuar në Bashkimin Sovjetik një situatë pikërisht si në Jugosllavinë e Titos. Nga ana tjetër, në fushën politike, duke ndjekur rrugën tradhtare revizioniste, Bashkimi Sovjetik nuk e ka më atë hegjemoni sundimi mbi vendet e tjera ku janë në fuqi revizionistët në Evropë dhe në Azi. Këto shtete gjithnjë e më shumë po lidhen drejtpërsëdrejti me imperialistët amerikanë, anglezë, francezë etj. Çfarë po ndodh në Bashkimin Sovjetik pas rrëzimit të Hrushovit? Udhëheqja revizioniste, pas tij, po përpiqet të bëjë një mbledhje të përbashkët gjoja të lëvizjes komuniste ndërkombëtare për të dënuar Kinën dhe Shqipërinë. Por midis vetë udhëheqësve revizionistë të vendeve të ndryshme nuk ka unitet për këtë çështje, jo se na duan ne, por se nuk duan të hyjnë në orbitën e hegjemonisë sovjetike. Prandaj lëkunden. Ata janë për një mbledhje sa për të thënë ndonjë fjalë, por me këtë mënyrë nuk do të arrijnë veçse një zero me bisht. Josip Broz Titoja nuk dëgjon të shkojë në këtë rabledhje. Imperialistëve amerikanë nuk u intereson aspak mbledhja e gjithë revizionistëve, megjithëse ajo drejtohet kundër Kinës, kundër Shqipërisë, kundër marksizëm-leninizmit. Revizionistët titistë, që janë futur me kohë gjer në grykë në luftë kundër marksizëm-leninizmit, nuk duan të vihen nën frerin e Bashkimit Sovjetik, qëllimi i të cilit është t’i ketë të tërë revizionistët modernë në drejtimin e vet. Kjo gjë edhe imperialistëve amerikanë nuk u intereson. Këta duan që çdo vend revizionist t’i ketë duart të lira nga lidhjet me sovjetikët, që të mund t’i gllabërojnë më lehtë, duke e dobësuar kështu edhe vetë Bashkimin Sovjetik, për ta detyruar këtë që të ecë akoma më shpejt dhe më hapur në rrugën që duan imperialistët amerikanë. Prandaj revizionisti Tito, si agjent i vjetër i amerikanëve, ka refuzuar të vejë në këtë mbledhje dhe ka shfaqur mendimin se ajo nuk duhet bërë, ndërsa revizionistët sovjetikë i bëjnë presion që të vejë. Shikoni çfarë situate kanë krijuar banditët tradhtarë revizionistë. Ata nuk kanë parime. Politika e tyre antisocialiste ka ngjallur pakënaqësi të mëdha në popujt e vendeve të tyre. Ky është një proces dialektik në zhvillim e sipër. Këto pakënaqësi, pak nga pak, do të grumbullohen vazhdimisht, do të fryhen e do të fryhen dhe një ditë, më së fundi, do të pëlcasë. Prandaj partitë dhe grupet e reja marksiste-leniniste, që janë krijuar e po krijohen, duhet të kaliten dhe ta fuqizojnë luftën e tyre kundër tradhtarëve revizionistë, që shkatërrimi i tyre të vijë sa më parë. Ne kemi për detyrë të madhe që t’i ndihmojmë popujt vëllezër që vuajnë nga shtypja revizioniste, të punojmë pa u lodhur për ta forcuar pareshtur Partinë, shtetin, ekonominë, ushtrinë tonë, t’i kemi të gatshme dhe më këmbë, t’i bëjmë akoma më të forta, më të çelikta e më të kalitura, që armiqtë të na e kenë frikën. Fatkeqësia natyrore që u ndodhi vëllezërve tanë të Dibrës matanë kufirit, i ka vënë titistët në pozita jashtëzakonisht të vështira, sepse ndërsa këtej kufirit, në vendin tonë, ku po ndërtohet me sukses socializmi, po ngrihen 5.000 e ca shtëpi të shkatërruara e të dëmtuara brenda 20 ditëve, nga ajo anë njerëzit vuajnë jo vetëm nga dimri që ka filluar, por do të vuajnë për vite të tëra. Dje u dha urdhër nga titistët që të largohen edhe ata 200-300 specialistë që ishin dërguar, duke thënë se tani në dimër gjoja ka borë, ka ngrica, nuk mund të ndërtohet etj. Disa nga shokët e fshatrave tona kufitare që diskutuan, thanë se kanë parë vetë çfarë po ndodh matanë kufirit: asgjë nuk po bëhet për shërimin e plagëve të tërmetit, vetëm se titistët shovinistë serbë, malazezë etj, përpiqen të përfitojnë nga fatkeqësia e tërmetit për të dobësuar qëndresën e popullsisë shqiptare dhe prandaj bëjnë përpjekje të mëdha e të vazhdueshme për t’i shpërngulur dibranët në të katër anët e JugosIlavisë, me qëllim që t’i shkombëtarizojnë këto vise shqiptare. Por ata nuk do t’ia arrijnë kurrë këtij qëllimi, sepse shqiptarët, ashtu si i kanë ruajtur gjatë shekujve të pastra brez pas brezi ndjenjat e tyre kombëtare, gjuhën, traditat luftarake dhe dashurinë e pakufishme për atdheun, edhe tani këto ndjenja i kanë aq të forta, saqë titistët e kanë kot me ato që bëjnë kundër tyre. Vëllezërit tanë të përtejkufirit kurrë nuk do të mposhten. Ata janë të lidhur fort me tokën e trashëguar nga të parët, me fshatrat ku kanë lindur, prandaj, me rastin e këtyre fatkeqësive, vetëm fëmijët kanë larguar andej nëpër miq në vende pak më larg, kurse të rriturit, burra e gra, pleq dhe plaka, po qëndrojnë me këmbëngulje e pa asnjë ndihmë, duke përballuar borën dhe akullin. Megjithëse atje tërmeti shkaktoi shumë më pak dëme se te ne, revizionistët jugosllavë kanë bërë një propagandë të madhe për të zhvatur nga të katër anël: e botës ndihma gjoja për viktimat e tërmetit dhe kanë vënë në lëvizje për këtë qëllim ambasadorët e tyre. Kështu, në Jugosllavi, nga organizata të vendeve të ndryshme, po dërgohen të holla, veshmbathje etj., por popullit të Dibrës nuk i arrin as një e treta, sepse shumica futet në xhepat e burokracisë titiste. Sidomos në Shkup, me rastin e tërmetit atje, janë bërë vjedhje kolosale. Vetëm një «fitim» patën vëllezërit dibranë, të dëmtuar nga tërmeti në Jugosllavi, atë që autoritetet titiste kanë marrë me këtë rast deri në 300 vendime, të cilat synojnë vetëm si e si të rregullojnë sa më mirë vjedhjen e ndihmave që u dërgohen nga jashtë të dëmtuarve nga tërmeti dhe nuk synojnë aspak për të shpëtuar popullsinë që vuan nga kjo fatkeqësi. Populli shqiptar dhe e gjithë bota po i shikojnë këto monstruozitete që po bëhen në kurriz të popullsisë së dëmtuar. Shoqe dhe shokë të dashur, të më falni që ju mbajta gjatë, prandaj në emrin e shokëve të pranishëm të Byrosë Politike, si dhe në emrin tim, ju falënderoj nga zemra për vëmendjen që treguat dhe për këtë pritje kaq të nxehtë, vëllazërore, shoqërore, që i detyrohet vetëm Partisë sonë, jo neve si persona, pasi ne nuk jemi gjë tjetër veçse ushtarë të Partisë, ashtu sikurse jeni edhe ju. Partia, ju, na keni ngarkuar me detyra dhe me barrë të rënda, të cilat ne do të përpiqemi t’i kryejmë me nder, duke qëndruar kurdoherë në ballë të luftës për të merituar besimin e madh të Partisë, tuajin dhe të popullit dhe me këtë ne e kemi të qartë se nuk bëjmë veçse detyrën tonë si komunistë. Çdo gjë, shoqe dhe shokë, i detyrohet Partisë, vijës së saj të drejtë, i detyrohet popullit tonë heroik, të zgjuar dhe punëtor, i detyrohet unitetit të popuIlit me Partinë, dashurisë së madhe për njëri-tjetrin, unitetit, pra, të vetë popullit. Kur dje më fliste fshatari Halim Piku, që kishte humbur të nipin nga tërmeti, midis të tjerave më tha se e harroi dhimbjen e djalit që iu vra sa mori vesh vdekjen e ushtarit që ra në kufi. Ç’tregon kjo? Këto janë ndjenja nga më fisniket, këto shprehin atë frymë të madhe solidariteti dhe uniteti proletar brendapërbrenda vendit tonë. Ndjenjat kaq të larta të këtij fshatari të thjeshtë dibran shprehin ndjenjat e gjithë fshatarësisë sonë ndaj vijës së Partisë, ndaj klasës sonë punëtore, muratorëve, inxhiniereve, teknikëve e specialistëve që erdhën vullnetarisht menjëhere nga të katër anët e atdheut për të ndihmuar vëllezërit e tyre fshatarë të rretheve të Dibrës dhe të Librazhdit. Kjo tregon sa e fortë është te ne aleanca e klasës punëtore me fshatarësinë kooperativiste. Shihni ç’bëri klasa punëtore! Punëtorët u ngritën nga të katër anët dhe erdhën të ndihmojnë me të gjitha mjetet dhe zotësitë për ndërtimin e shtëpive të shokëve të tyre aleatë, fshatarë të dëmtuar, të Dibrës të Librazhdit. Shoferët tanë heroikë, në borë e në akull, por me zjarrin e Partisë në zemër, çajnë ditë natë rrugët, herë fjetur e herë pa fjetur, herë me bukë e herë pa bukë, drejtojnë makinat për të sjellë këtu lëndët e nevojshme të ndërtimit që ka caktuar Partia për të ndihmuar për ngritjen e shtëpive, pasi mendojnë për vëllezërit e dëmtuar, mendojnë që gratë fëmijët dibranë e librazhdas të futen sa më parë në banesat e reja e të ngrohta. Lavdi shoferëve tanë heroikë! Eshtë, gjithashtu, për t’u përmendur lidhja ngushtë e fshatarëve të këtyre dy rretheve me ushtrinë, me forcat e kufirit, me gjithë rininë e vendit tonë. Shikoni si është pleksur vija e Partisë sonë dhe me ç’nyje të forta është çelikosur uniteti i popuIlit në mes tij dhe me Partinë. Prandaj them që çdo gjë u detyrohet Partisë dhe popullit, kurse ne jemi vetëm ushtarë besnikë në vdekje të Partisë dhe të pushtetit tonë, të diktaturës së proletariatit. Edhe një herë ju lutem që, në ernrin e shokëve dhe timin, t’i transmetoni popullit të rretheve tuaja, kudo që do të shkoni, përshëndetjet më të nxehta të Partisë, të Qeverisë dhe tonat, i thoni atij se Partia është e popullit, siç ka qenë gjithmonë, dhe ajo do të jetë kurdoherë me të deri në fund. Çdo gjë që bën Partia, çdo vendim që merr, ka për qëllim vetëm të mirën e popullit, prandaj le të kalitim me luftë akoma më tej këtë unitet të çeliktë Parti-popull.
Rroftë Partia!
Rroftë populli i Dibrës!
Rroftë populli i Librazhdit!
Botohet me ndonjë shkurtim sipas librit: Enver Hoxha. -Raparte e fjalime 1967-1968% f. 264. Tiranë, 1969