Nga Hysen Likdisha
Memorie.al/ In memoriam: Në dy vjetorin e ndarjes nga jeta, para kohe, në moshën 55 vjeçare, të gazetarit të mirënjohur, Fatos Baxhaku, në përkujtim të tij, do t’u njoh për lidhjet e ngushta të tij, me Bulqizën dhe bulqizakët. Njihet mirëfilli nga të gjithë, se në rrugëtimin e tij gazetaresk, në çdo skaj të vendit, Tos Baxhaku, la shokë e miq të shumtë, që i deshi dhe e deshën shumë.
Grimca kujtimesh me Baxhakun, për tu treguar lidhjet e tij, të ngushta, me Bulqizën dhe bulqizakët
Në përkujtim të dy vjetorit të vdekjes së parakohshme, të shokut dhe mikut të paharruar, Tos Baxhaku, në këto pak radhë, desha t’iu tregoj për lidhjet e tij të ngushta e tepër miqësore me Bulqizën (qytetin e minatorëve) dhe bulqizakët, ku ai pati shokë e miq të shumtë. Padyshim që lidhjet e Baxhakut me qytetin e minatorëve ishin dhe mbeten; -të shumta e të fuqishme. Ndër më kryesoret nga këto lidhje ishin; – ata me minatorët, fëmijët, dhe banorët e lagjes Gjeologu, konvertuar, sipas banorëve, në shkrimet e tij, si lagja e “Llamarinave”, e cila ndodhet poshtë stogut të kromit, gati për tu zaptuar prej tij. Unë pata fatin, ta shoqëroj mikun e vëllain tim të shtrenjtë e të paharruar, në ardhjet e shpeshta që bënte në Bulqizë dhe Dibër.
Një ditë para se të vinte, më merrte në telefon, ku më drejtohej me dialektin dibrançe, që aq mirë e njihte, ku më thoshte; -“Or Hysen, a je mejr. –Mejr or Baxhak, po ju? – Ceni, nesër do vij në Bulqizë, ti e di se ku do të takohemi, tek “klubi i minatorit” (emërtuar kështu prej tij, ngaqë kishte para bustin simbol të minatorit), në orën 11.00-11.30 minuta. Kujtoj në një nga këto ardhje të para dhjetë viteve, së bashku me mikun e tij Engjëll Serjani, teksa i afrohen qendrës së qytetit, gjejnë në rrugë minatorët duke protestuar, për rritje pagash e kushte më të mira të sigurisë në punë.
Minatorët protestues, sapo shohin Baxhakun, me çantën e shpinës në krah dhe aparatin fotografik professional në qafë, brohorasin me të madhe: “-Ba-xha-ku, Ba-xha-ku”, sikur tu kishte ardhur shpëtimtari për plotësimin e kërkesave, për të cilat ata protestonin. Aq shumë e donin dhe i donte minatorët Baxhaku, sa ata e njihnin të gjithë dhe ai mjaft syresh i njihte edhe me emra, duke u bërë kështu, shumë i njohur dhe i dashur për ta.………
Një tjetër mik i ngushtë i Baxhakut në Bulqizë, ishte edhe inxhinieri i talentuar dhe i mirënjohur si ‘arkitekti’ i hapjes së galerive të kromit në minierën e Bulqizës, Jorgo Kola, një personalitet i spikatur në punën e tij, në minierë dhe me horizont e kulturë të gjerë, me të cilin në çdo ardhje në Bulqizë, takohej e pinin kafe me të. Në një nga këto biseda Jorgo i tregon për varrezën e ish të burgosurve në Kampin e Minierës së Bulqizës, të cilët humbën jetën gjatë punës në minierë, si pasojë e aksidenteve të ndodhura dhe kjo varrezë ka mbetur e harruar dhe gati po mbulohet nga hedhurinat e mineralit steril.
Kështu Baxhaku në një ardhje enkas për këtë punë, shoqëruar nga ing. Jorgo, nis të bëjë eksplorimin e këtyre varrezave. Në këtë rrugëtim Baxhaku shoqërohet edhe nga Tv Bulqiza, i cili dha një kronikë televizive në një nga edicionet e lajmeve, për këto varreza të harruara. RTL (lidhja e televizioneve lokale) bëri që kjo kronikë të shihet edhe në Lushnjë, ku një banorë, duke ndjekur kronikën, kishte lexuar në një prej etiketave, të këtyre varreve, emrin e vëllait të tij. Pas pak ditësh ai vjen në Bulqizë, ku troket tek televizioni, për të mësuar ku ndodhet varri i vëllait të tij, të cilin e zhvarrosi për ta rivarrosur në vendin e tij, siç dhe i takonte.
Kujtimet me Baxhakun, janë të shumta, jashtë mundësive për t’i shprehur, në një shkrim të vetëm, por desha të rikujtoj për lexuesit edhe diçka, që plotëson bindjen se Baxhaku, ishte dhe mbetet ndër miqtë më të mirë e të përzemërt të Bulqizës e bulqizakve, që aq shumë i deshi dhe e deshën.
Bulqiza mbeti veçanërisht rrugëtimi i tij i here pas hershëm, sidomos në vitet 2007, 2010 dhe 2012, ku minatorët dhe veçanërisht fëmijët, mbetën në vëmendjen e tij, pasi sa herë vinte i gjente aty, tek stogjet e kromit, minatorët në protestë dhe fëmijët që linin shkollën, duke rrëmuar për krom. Shikoni në preambulën e librit të tij “Gur”, Baxhaku rrëfen se zakoni për të marrë me vete një ‘copë gur’, nga vendet ku shkonte, nisi me gurin xixëllues të kromit.
Ndër gurët e mbledhur natyrisht që kromi ka peshën specifike më të madhe, ndaj dhe emërtimi i librit të tij “Gur”, ndër të parët e tij, duket se e ka marrë emrin nga Bulqiza. Ndërkohë, në lagjen Gjeologu, e ashtuquajtur “Lagja e Llamarinave”, pasi banesat njëkatëshe ku jetonin familjet e minatorëve, Baxhaku ishte bërë si banori shtesë i çdo familjeje të saj. Njihej mirëfilli me emër, jo vetëm nga të rriturit, por edhe fëmijët e tyre. Në çdo njërën nga këta familje, kishte trokitur, për të biseduar për problemet dhe hallet e tyre. Dhe në çdo njërën nga këta vizita, ai nuk harronte t’i mbushte duart me dhurata e ushqime për ta, gjë që ai e kishte kthyer në zakon të tij. Shqetësohej së tepërmi se sa herë vinte, fëmijët e Bulqizës, i gjente jo në shkollë, por në stoqet e mineralit.
Duke mbledhur krom, në ndihmë të familjeve të tyre, të cilët u bënë ndër miqtë e tij më të mirë. Aq e vërtetë është kjo sa një prej tyre, është vendosur në kopertinën e librit “Gur” së bashku me autorin (Baxhakun). Personazhe të Baxhakut në lagjen e ashtuquajtur e “Llamarinave” si; Nexhmi Shira, Hamit Balliu, etj, të ardhur për të punuar në minierë, që në moshën 14 vjeç, për një jetë më të mire, por që u aksidentuan duke mbetën invalid nga puna në minierë, në kushte mjerane jetese. Vështirë të harrohen pasi lexon reportazhet e Baxhakut për ta, të shkruara me mjaft vërtetësi e ndjesi njerëzore prej tij.
Po hamendësoj t’iu tregoj, se edhe pjesa e fundit e librit ‘Gur’, “Haberet e Cenit”, pavarësisht se personazhi i ‘habereve’, është zhvendosur në rrugën e Kavajës, ta ketë origjinën, në pjesën më të madhe të rrëfimeve të tij, nga Bulqiza. Kjo mbetet për tu parë në vijimësi, në të ardhmen. Baxhaku jo vetëm nga shkrimet e tij, që janë të papërsëritshme, por edhe nga cilësimet brilante, kuptimplota për Bulqizën si; “Bulqiza, kryeqyteti” i mjerimit, “Nëntokë e pasur, mbi tokë e varfër” – “Jo familje të varfra, por të vjedhura” apo “Fëmijë që lënë shkollën, për të ndihmuar familjen”, etj, jam i sigurtë se do kujtohet gjatë, shumë gjatë, me shumë respect e dashuri nga Bulqiza dhe Bulqizakët. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016