Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes Popullore, deputetit të Kuvendit Popullor, anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe zv/kryeministrit të parë të qeverisë së drejtuar prej Mehmet Shehut, i cili u pushkatua në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës pranë fshatit Linzë më 5 nëntor të vitit 1975, pasi ishte dënuar me vdekje nga ana Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, i akuzuar si “kreu i grupit puçist në ushtri”. Dëshmia e rrallë e Çlirim Ballukut, djalit të madh të familjes Balluku, që nga origjina e familjes, periudha e Monarkisë së Zogut, aktiviteti i tij gjatë Luftës Antifashiste, shkollimi, funksionet dhe detyrat pas vitit 1945, raportet e relatat me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Gogo Nushin, etj., nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, si dhe përse filluan kritikat e goditja ndaj tij në vitin 1974, kush ishin ata që e sulmuan më shumë në mbledhjet e para, çfarë u tha ai fëmijve të tij kur u kthye në shtëpi pasi ishte sulmuar si “armik i popullit”, internimi i tij dhe familjes, ekzekutimi bashkë me dy vartësit e tij, Petrit Dumen dhe Hito Çakon në një nga tunelet e fshehta të Linzës në periferi të Tiranës, si e mësoi familja atë gjë kur ishte në internim, e deri tek peripecitë e shumta pas viteve ’90-të për të gjetur eshtrat e tij në fshatin Vranisht të Vlorës, ku ishin groposur me urdhër dhe nën kujdesjen e Kadri Hazbiut.
“Goditja ndaj babait tonë, Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974 me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, e cila u mbajt në Vilën e Zogut të qytetit të Durrësit. Goditja ndaj tij ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të “piramidës” së lartë të PPSH-së, me njerëz të veçantë brenda rradhëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo gjë vërtetohet edhe nga fakti se akuzat ndaj tij filluan në një kohë që materiali me tezat që duheshin të paraqiteshin për diskutim në Këshillin e Mbrojtjes, nuk ishin bërë ende publike dhe ndodheshin të mbyllura në kasafortën e zyrës në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas asaj ai u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si tradhëtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, babai u analizua edhe në Pleniumin e Pestë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga dikush më shumë dhe nga dikush me pak. Në fund të atij Pleniumi ai u përjashtua dhe u shkarëkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Pas asaj mbledhje, babai nuk u arrestua si shumë nga ish-personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste që ishin goditur vite më parë, por u la i lirë që të vinte në shtëpi. Më kujtohet si tani kur erdhi babai në shtëpi pas asaj mbledhje dhe na tregoi gjithëshka që kishte ngjarë në atë Plenium, si dhe vendimet që ishin marrë aty në adresë të personit të tij. Në thelb të atyre fjalëve që na tha babai atë pasdreke në shtëpinë tonë, ku ishim mbledhur të gjithë ne pjestarët e familjes, ishte ajo që ai nuk ishte tradhëtar dhe nuk e kishte tradhëtuar asnjëherë Partinë dhe Enver Hoxhën. Pas asaj dite babai qëndroi edhe rreth dhjetë ditë të tjera pa dalë fare nga shtëpia, pasi edhe ata që e goditën nuk kishin vendosur ende se në çfarë vëndi do e dërgonin. Gjatë atyre dhjetë ditëve që babai nuk doli fare nga shtëpia, në afërsi të vilës sonë aty në Bllok, u përforcuan masat e sigurisë gjë e cila dukej qartë edhe nga shtimi i ushtarëve të Gardës. Gjatë asaj kohe, në bisedat që bënte me ne, për për herë të parë Beqiri u shpreh hapur kundra udhëheqjes së lartë të Partisë, duke na thënë se ajo po e godiste kot dhe gjithshka thuhej në adresë të tij ishte e manipuluar”.
Dëshmon për Memorie.al, Çlirim Balluku, djali i madh i ish-Ministrit të Mbrojtjes, anëtarit të Byrosë Politike dhe zë/kryeministërit të parë në qeverinë komuniste të kryesuar prej Mehmet Shehut, i cili rrëfen të gjithë historinë e panjohur të babait të tij, Beqir Ballukut, i konsideruar si një prej udhëheqësve më popullorë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili u pushkatua në 5 nëntorin e vitit 1975 në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës afër fshatit Linzë, së bashku me dy vartësit e tij, Shefin e Shtatmadhorisë, Petrit Dumen, e Drejtorin Politik të Ushtrisë, Hito Çakon.
Kush ishte Beqir Balluku, cila ishte origjina dhe e kaluara e tij e ku u shkollua ai? Si u lidh Beqiri për herë të parë me grupet komuniste, kush ishin shokët e tij më të ngushtë gjatë Luftës dhe si u njoh ai për herë të parë me Enver Hoxhën në vitin 1943? Cilat ishin akuzat që ju bënë Beqir Ballukut nga Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike dhe Pleniumin e pestë që u mbajt në 25 korrikun e vitit 1974 dhe çfarë iu tha Beqiri familjes së tij pas asaj mbledhje ku e përjashtuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore? Çfarë ndodhi me Beqirin ato dhjetë ditë që ai qëndroi i izoluar në vilën e tij të Bllokut, kush ishte njeriu i vetëm që mundi të hynte në shtëpinë e tij dhe çfarë porosish iu dha ai fëmijëve të tij? Çfarë i kërkoi sekretari i partisë i Radio-Televizionit Shqiptar, Çlirimit, djalit të madh të Beqirit, kur e thirri atë në zyrën e tij dhe cila ishte përgjigjia që mori prej tij? Si e hoqën Beqirin nga vila e tij e Bllokut për ta internuar në Roskovec të Fierit dhe si u arrestu ai në shtatë dhjetorin e vitit 1974 kur ishte i internuar në Selenicë të Vlorës? Si e mësoi familja Balluku ekzekutimin e Beqirit dhe si u trajtuan që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991 kur qëndruan të internuar në Selenicë të Vlorës?
Çlirim Balluku, është djali i madh nga gjashtë fëmijët e Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes, deputetit, anëtarit të Byrosë Politike dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë komuniste të Mehmet Shehut, i cili qëndroi në ato funksione të larta deri në vitin 1974, kur u akuzua dhe u godit nga Enver Hoxha, duke u quajtur sabotator, armik dhe kreu i “Puçit Ushtarak” që kishte për qëllim rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri. Si më i madh i familjes Balluku, Çlirimi i mban mënd mjaft mirë dhe i ka përjetuar vetë shumë nga ngjarjet e asaj kohe të largët kur babai i tij ishte në majat më të larta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe më pas kur ai u sulmua nga Enveri me akuza nga më të rëndat, të cilat tashmë janë bërë publike për lexuesin e gjerë nga botimet e shumta në shtypin e përditshëm të pas viteve ‘90-të. Nisur nga ky fakt dhe për t’u njohur akoma dhe më shumë me anën e panjohur të figurës së Beqir Ballukut dhe familjes së tij, në vazhdën e dhjetra shkrimeve të kësaj natyre që kanë gjetur vënd në faqet e Memorie.al, ne ju drejtuam për një intervistë të gjatë zotit Çlirim Balluku, të cilën po e publikojmë duke filluar nga ky numër.
Zoti Çlirim, atëhere kur ju ishit bashkë në shtepi, a u bisedua përse nuk u bë arrestimi i Beqirit ne Plenum?
Natyrisht që po. Arrestimi nuk u krye për arsye të personalitetit të tij dhe simpatisë që gëzonte babai në popull. Në këtë rast Enveri mendoi që veprimet t’i bënte hap pas hapi dhe i dha rëndësi elementit kohë. Për të gjitha këto dhe se çfarë fati e priste pas tre muajsh, babai e dinte mirë.
Pas Roskovecit ku e dërguan babanë tuaj me familjen?
Pas afro një muaj e gjysëm qëndrimi në Roskovec, babanë me nënën, Lulen e Agimin i hoqën që aty dhe i internuan përsëri në Selenicë të Vlorës, duke i vendosur me banim në katin e parë të një pallati të vjetër.
Sa kohë qëndroi Beqiri aty dhe kur u bë arrestimi i tij?
Aty në atë banesë të atij pallati të vjetër të Selenicës, babai qëndroi i izoluar pa dalë fare jashtë për asnjë minutë, deri në datën 17 dhjetor të vitit 1974, kur ndodhi arrestimi i tij.
Kush ndodhej në shtëpi atë ditë që u arrestua babai, a e priste ai që të arrestohej dhe nga cilat forca u realizua arrestimi i tij?
Atë ditë të 17 të dhjetorit të vitit 1974 që ndodhi arrestimi i babait në Selenicë të Vlorës, në shtëpi ishte vetëm nëna, Taibeja. Po atë ditë që ndodhi arrestimi i tij, në Tiranë zhvillohej Plenumi i VI-të i Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe menjeherë pas mbarimit të asaj mbledhje, u arrestuan pa dalë nga salla, Petrit Dumja, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Hito Çako, Drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë dhe Rrahman Parllaku, një nga oficerët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Me sa di unë, arrrestimi i tyre u bë pasi në atë Plenum ata u akuzuan si “bashkëpunëtorët më të ngushtë të Beqir Ballukut”. Për arrestimin e babait aty në Selinicë, ishin mobilizuar forca speciale të Sigurimit të Shtetit nga Tirana dhe nga Dega e Punëve të Brendëshme të Vlorës. Siç më ka treguar nëna, ata ishin një grup shumë i madh dhe pas arrestimit të babait, ata nisën një kontroll shumë të imët duke bastisur të gjithë shtëpinë, Gjatë atij kontrolli ata sekuestruan dhe morën me vete të gjitha dokumentat e fotografitë e shumta që gjetën aty. Pas largimit të tyre, për disa orë nëna jonë mbeti krejt e vetme në shtëpi.
Pas arrestimit të babait, çfarë ndodhi me ju pjestarët e tjerë të familjes që ishit në Tiranë?
Po atë ditë që u arrestua babai, forca të tjera speciale të Sigurimit të Shtetit, shkuan tek shtëpia e tezes sonë, Zybejde Kafazi që banonte në Tiranë dhe e morën atë së bashku me Agronin e Lulen dhe po atë ditë i sollën të internuar në Selenicë të Vlorës.
Po pas goditjes dhe internimit që ju bë babait tuaj, Beqir Ballukut, çfarë masash u morën ndaj jush dhe vëllezërve e motrave të tjerë. E kam fjalën, a ju lëvizën menjëherë nga vëndet e punës ku ishit deri në atë kohë dhe a ju ndaluan të vazhdonit shkollat?
Pas goditjes së babait, menjëherë filluan që të merreshin masa edhe ndaj nesh, fëmijëve të tij. Kështu mua më hoqën nga Radio-Televizioni Shqiptar ku kisha punar si inxhinjer elektronik që nga viti 1970, vëllanë e dytë, Ladin, e hoqën nga Instituti i Studimeve Ushtarake ku punonte si inxhinjer dhe gjithashtu edhe nga skuadra e futbollit “Partizani”. Dritën dhe Zanën gjithashtu i hoqën nga Arsimi ku punonin si mësuese dhe përveç këtyre masave që u morën ndaj nesh që ishim në marrëdhënie pune, sulmet nuk munguan edhe ndaj Lules dhe Agimit që vazhdonin Universitetin e Tiranës, te cilet u përjashtuan me motivacionin “bijët e armikut të popullit”.
A e lajmëruan familjen tuaj për të asistuar në gjyqin e babait që u zhvillua në Tiranë?
Që nga dita e arrestimit më shtatë dhjetor të vitit 1974, familja jonë nuk dinte asgjë rreth fatit të babait tonë. Kështu që as për zhvillimin e atij gjyqi ne nuk kishim asnjë lloj dijenie, sepse të gjithëve ne të familjes që ishim në internim, nuk na lanë që të vinim asnjëherë në Tiranë.
Kur u ekzekutua Beqir Balluku dhe kur e mësuat ju atë gjë?
Edhe për ekzekutimin e babait, ne nuk kishim asnjë lloj dijenie dhe atë gjë unë e kam mësuar gjatë kohës që isha i internuar në Memaliaj së bashku me vëllanë e dytë, Ladin.
Kush ua komunikoi atë gjë?
Aty nga fundi i vitit 1975 apo fillimi i vitit 1976, kur unë së bashku me Ladin ndodheshim ende të internuar në Memaliaj, na lajmëruan për të shkuar në një mbledhje ku do të merrte pjesë i gjithë populli. Aty në atë mbledhje që me sa mbaj mënd drejtohej nga Fronti Demokratik, u komunikua ekzekutimi i Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, të cilëve “Partia u kishte dhënë dënimin e merituar, duke i pushkatuar si armiq të popullit”.
Pas asaj çfarë ndodhi me familjen tuaj dhe ku e vuajtët internimin?
Në janar të vitit 1977, mua me Ladin na hoqën nga Tepelena dhe na dërguan në Selenicë të Vlorës, duke na bashkuar me pjesën tjetër të familjes, nënën, Lulen, Agimin dhe Agronin. Ndërsa motra, Drita me Gjergjin ndodheshin të internuar në qytetin e Rrëshenit.
Ku u sistemuan me punë në Selenicë dhe si ju trajtuan gjatë gjithë periudhës që qëndruat atje?
Nënën e kemi mbajtur në shtëpi, unë me Ladin, Gimin dhe Gonin kemi punuar në minierë, ndërsa motra, Lulja në bujqësi. Trajtimi që na u bë aty, kuptohet dhe nuk ka nevojë për përgjigjie.
Por ndërsa shteti mendonte si të na shtypte më shumë, aty kishte dhe shumë njerëz të mirë që mundoheshin të na ndihmonin. Hakmarrja e kupolës së regjimit komunist ndaj familjes sonë, nuk mbaroi me internimin që na u bë në Selenicë, sepse pak kohë më vonë, në vitin 1979, vëllanë tonë, Ladin, e dënuan tetë vjet burg, duke e akuzuar për agjitacion e propagandë. Kur nuk kishte bërë më shumë se nëntë muaj burg, Ladin e ridënuan edhe me dhjetë vjet të tjera dhe ai u lirua në marsin e vitit 1991, me të fundit të burgosur politik. Në atë kohë u liruam edhe ne nga internimi dhe u kthyem në Tiranë.
Gjatë kohës që ishit në Selenicë, a kishit miqësi me ndonjë nga familjet që ishin të internuara aty?
Aty në Selenicë të Vlorës ku ndodheshim ne, kishte disa familje të tjera të internuar dhe numri i personave arrinte në 37 vetë. Por ne kishim njohje dhe miqësi familjare vetëm me familjet Ngjela dhe Mamaqi. Për Kiço Ngjelën kemi folur më lart në këtë intervistë, që njohja e tij me babanë tonë ka qenë që nga koha e Luftës në Brigadën e Dytë. Po kështu edhe me Dashnor Mamaqin im atë kishte miqësi familjare. Vetëm me këto dy familje kemi pasur miqësi gjatë kohës që ndodheshim të internuar në Selenicë./Memorie.al
Vijon nesër