Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, që për vite me radhë kanë mbajtur siglën “Tepër sekret” ku bëhet fjalë mbi një korrespodencë të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Mirditës, Jovan Bardhi me Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me revoltën e zhvilluar në burgun e Spaçit më 22 maj të vitit 1973, ku një pjesë e madhe e të burgosurve që vuanin dënimet në atë kamp me kushte tejet të vështira pune dhe jetese, u ngritën në një revoltë, pas keqtrajtimit që i’u bëri policia dy bashkëvuajtëseve të tyre, vëllezërve Pal dhe Gjok Zefi, nga fshati Rrushkull i rrethit të Durrësit. Si e përshkruante sekretari i parë i atij rrethi në raportet që i dërgonte sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo, duke analizuar me detaje të gjithë kronologjinë e ngjarjes, nga veprimet e të dënuarve, ndërhyrjen e efektivave të forcave policore, e deri te konkluzionet e komandës së Kampit dhe Komitetit të Partisë së Mirditës, për atë ngjarje të jashtëzakonshme dhe masat që u morrën pas shtypjes së asaj revolte.
I ndërtuar në mesin e vitet 60-të, kampi i Spaçit i vendosur në një nga zonat më të vështira dhe të izoluara të rrethit të Mirditës, do të shërbente për plot 25 vite si një nga institucionet e “Riedukimit” më të tmerrshme lidhur me trajtimin e të dënuarve politikë, duke filluar nga kushtet e punës dhe jetesës, e deri tek ndëshkimet e tyre. Sipas shumë e shumë dëshmive të dënuarve që kanë vuajtur vite të tëra në atë kamp, por edhe të mjaft dokumenteve arkivore që janë publikuar këto vitet e fundit, tregohet qartë mbi shkaqet e vërteta të shpërthimit të revoltës së të burgosurve në kampin e Spaçit e ndodhur në datat 21-23 maj të viti 1973. Revolta e të dënuarve politikë të kampit të Spaçit, ku u ngrit për herë të parë flamuri pa yllin e kuq, do të trondiste dhe vinte në alarm, jo vetëm administratën e kampit dhe Ministrinë e Brendshme, e cila do të niste urgjent me helikopter zv/ministrin, Feçor Shehu në Mirditë, por edhe udhëheqjen e lartë komuniste me në krye Enver Hoxhën. Por kjo kryengritje e të dënuarve politikë të këtij kampi, do të shtypej brenda 72 orëve me egërsinë më të madhe nga efektivat policore të ruajtjes së kampit, si dhe nga disa njësi të mëdha ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe asaj të Punëve të Brendshme që u dërguan atje për shtypjen e asaj revolte. Ku për pasojë, katër të dënuar, Dervish Bejko, Hajri Pashai, Pal Zefi, dhe Skënder Daja, të cilët do të akuzoheshin nga gjyqi i improvizuar ushtarak në ambientet e burgut, si “iniciatorët kryesorë të nisjes së kësaj revolte”, do të dënoheshin me vdekje, dhe do të pushkatoheshin. Ndërsa këto gjëra tashmë janë të njohura, ato që njihen më pak janë dokumentet arkivore, siç janë relacionet në fjalë, ku sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Mirditës, Jovan Bardhi, i’a dërgon sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapos, (që mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit), ku informon me detaje dhe hollësira gjithçka kishte ndodhur në atë kamp me revoltën e të burgosurve politik. Për më shumë na njohin dokumentet arkivore që Memorie.al po i publikon.
Informacioni i parë për Revoltën nga Jovan Bardhi
PARTIA E PUNËS SHQIPERISE Rrëshen me 24. V. 1973
KOMITETI I PARTISË RRETHIT
MIRDITE
Lënda: Informacion paraprak mbi shtypjen e revoltës kundërrevolucionare të të dënuarve në Kampin e Spaçit
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
(Sh. Qemal Myrseli)
Tiranë
Siç jeni në dijeni, më datën 21 Maj 1973 nga të dënuarit politik të kampit të riedukimit të Spaçit u zhvilluan një revoltë kundërrevolucionare e cila u shtyp më datën 23. V. 1973 dhe më datën 24 gjendja u normalizua, të dënuarit filluan punën në prodhim. Komiteti i Partisë me anën e shokëve Jovan Bardhi Sekretar i Parë dhe Preng Pepa kryetar i Komitetit Ekzekutiv, ndoqën në vend gjatë gjithë kohës punën dhe mori masa s’ë bashku me kuadrot e ngarkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të kryesuar nga shoku Feçor Shehu, zv/ministër i Punëve të Brendshme për shtypjen e revoltës.
Ngjarja nisi në ora 5 të mëngjesit të datës 21 Maj 1973. Si pretekst u shfrytëzua thyerja e rregullave të Kampit nga një i dënuar, (Pal Gjergj Zefi) i cili u largua nga biruca pa kryer dënimin dhe pa urdhër të komandës. Gjatë tentativës për ta kthyer në birucë, shpërtheu veprimi i 16 të dënuarve të tjerë në mbrojtje të të dënuarit Pal Zefi dhe kundër oficerit dhe nën-oficerëve të tjerë të shërbimit deri në goditje. Historikun nga ana kronologjike nuk po e zhvillojmë pasi jeni të informuar. Ngjarjet që u zhvilluan tregonin se kishim të bënim me një revoltë kundërrevolucionare me karakter thellësisht politik dhe jo për çështje të thjeshtë të rregullit të punës e të jetesës.
Ata filluan të veprojnë në masë të gjithë, duke përdoruar parulla reaksionare “Ja vdekje ja liri”, “Ju jeni katilë, keni lyer duart me gjakun tonë”, “Rroftë Evropa e lirë”, “Poshtë komunistët”, “Do t’ju djegim si Stalinin”, “Populli është me ne dhe është kundër jush”, U bënë thirrje ushtarëve të dorëzonin armët. Ngritën një flamur të përgatitur dhe të vizatuar prej tyre. Zhvilluan mbledhjet e përfaqësuesve sipas krahinave. Përpunuan platformën për të koordinuar veprimet në vazhdim të revoltës. Nxorën kërkesa për lëshime, të lirohen nga burgu si të pafajshëm, të mos punojnë asnjëherë nën tokë. Grisën dhe dogjën këndin e emulacionit, shkruan parulla me përmbajtje kundërrevolucionare.
Pra kishim të bënim me revoltë thellësisht kundërrevolucionare. Kjo situatë vazhdoi deri në mëngjes të datës 23 Maj 1973, kohë në të cilën masat tona që u morën gjatë ditëve 21 dhe 22 Maj 1973, u vunë plotësisht në veprim dhe shpartalluan e likuiduan plotësisht revoltën. Gjatë veprimeve gjendja morale dhe mobilizimi i efektivit i ngarkuar për sigurimin e Kampit si dhe të efektivave të tjera që erdhën me urdhër nga lart qe mjaft i mirë, vepruan energjikisht, përballuan lodhjen e pagjumësinë etj, dhe kryen me sukses detyrën. Pas shtypjes së revoltës, Byroja e Komitetit të Partisë të rrethit veç informimit gjatë zhvillimit të ngjarjeve, më datën 24 Maj 1973, u mblodh posaçërisht dhe u informua në mënyrë më të plotë dhe po ndjek analizat në Organizatat e Partisë dhe në Organet e Punëve të Brendshme, në Degë dhe në repartin 303 për të nxjerrë shkaqet që lejuan të zhvillohet kjo revoltë, përgjegjësinë kolektive dhe personale për gjendjen e krijuar si dhe mësimet që do të nxirren nga kjo gjendje e rëndë dhe për përmirësimin e saj.
Pas këtyre analizave, Byroja e Komitetit të Partisë do të mblidhet në mënyrë të veçantë për të kërkuar llogari shkaktarëve, për të përcaktuar përgjegjësit e Organizatave Bazë të Partisë të Degës së Punëve të Brendshme, e repartit 303 si dhe përgjegjësinë e sekretariatit dhe të vetë Byrosë. Për këto do t’i raportojmë hollësisht Komitetit Qendror të PPSH-së. Gjatë këtyre ditëve do t’ju mbajmë vazhdimisht në dijeni mbi gjendjen atje dhe mbi masat e mëtejshme për forcimin e saj. Ngjarja është marrë vesh edhe në zonat e tjera të rrethit pasi aty ka pasur punëtorë të cilët u larguan nga miniera, rrugëtarë që kanë kaluar dhe e kanë parë etj.
Me të dhënat që kemi, jehona është e mirë. Njerëzit janë shprehur me urrejtje, ndaj armiqve dhe kanë shfaqur mendimin se armiqtë duan plumbin. Ne do të shfrytëzojmë rastet jo të posaçme që në mbledhjet dhe në takimet e ndryshme nëpër zona të sqarojmë gjendjen dhe masat tona si veprim të diktaturës së proletariatit kundër armiqve të klasës duke i lidhur me temat e dhëna nga shoku Enver në fjalën e 15 Marsit 1973. Shënojmë se masat e forta që u morën për shtypjen e revoltës, vendimi i gjykatës speciale ndaj 12 të gjykuarve, dhe ekzekutimi i këtij vendimi brenda datës 24 Maj 1973, ka bërë efektin që armiqtë të nënshtrohen dhe të futen në punë.
SEKRETARI I PARE I KOMITETIT TE PARTISË
JOVAN BARDHI
Informacioni për masat e marra pas shtypjes së revoltës
Qemal Myrselit për shokun Hysni
1.6.1973
PARTIA E PUNËS SHQIPERISE Rrëshen më 30 . V. 1973
KOMITETI I PARTISË SE RRETHIT
MIRDITE
Nr. 335 Prot.
Lënda: Informacion mi gjendjen në kampin e riedukimit Spaç për periudhën 24 – 29 Maj 1973
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
(SH. QEMAL MYRSELI) TIRANE
Përveç problemeve për të cilat ju kemi informuar, sipas informacioneve që kemi nga Dega e Punëve të Brendshme tani në kampin e riedukimit të Spaçit paraqitet kjo gjendje: Së pari. Si rezultat i masave që u morën tani gjendja është stabilizuar, të dënuarit dalin rregullisht në punë, nuk ka thyerje të disiplinës dhe në përgjithësi e realizojnë dhe tejkalojnë normën. Kështu p.sh. më datën 28 Maj, dy turnet, ndonëse me mungesë të fuqisë punëtore dhe të ajrit të komprimuar për mungesë të energjisë elektrike, plani u realizua në pirit 83 përqind dhe në bakër 77 përqind, kështu në qoftë se nuk do të kishte mungesë ajri, plani ditor do të realizohej. Së dyti. Qëndrimet në radhët e të dënuarve paraqiten në këtë mënyrë:
Pjesa më e madhe e tyre tani i dënojnë shkaktarët që nxitën dhe morën pjesë në revoltë. Shumë prej tyre u janë kundërvënë elementëve që ishin pjesëmarrës dhe nxitës në revoltë, bile kërkojnë të merren masa edhe ndaj tyre. Një pjesë e konsiderueshme mbajnë qëndrim indiferent, këta dalin rregullisht në punë, zbatojnë rregullat e disiplinës por në çështjet e tjera qëndrojnë indiferent. Pjesa tjetër që përbëjnë pakicën, në mënyrë të maskuar vazhdojnë të përhapin parulla armiqësore. Kështu p.sh. disa shprehen: “Neve do të qëndrojmë të papërkulur ashtu siç kemi qëndruar”. Ndërsa i dënuari Xhemal Bali nga Konispoli, i dënuar dy herë për krime ndaj shtetit thotë: “Neve nuk na duhet më gjë jeta që jetojmë”.
Ndërsa dy të tjerë shprehin urrejtjen ndaj masave që u morën nga organet tona për arrestimin dhe dënimin e shkaktarëve të revoltës. Nëpërmjet këtyre ka edhe nuanca për hakmarrje sidomos kundër disa të dënuarave që dolën dëshmitarë dhe denoncuan organizatorët kryesorë të revoltës dhe në forma shumë të maskuara urrejtja më e madhe shprehet kundër kuadrove që morën pjesë në stabilizimin e gjendjes. Me qëllim që të bëhet spastrimi dhe stabilizim i mirë i gjendjes nga Organet e Brendshme dhe të Drejtësisë, janë arrestuar edhe 5 vetë më datën 27 Maj pjesëmarrës së revoltës dhe vazhdues të veprimtarisë armiqësore. Organet e Degës së Punëve të Brendshme vazhdojnë përsëri punën e tyre në drejtim të zbulimit, të demaskimit dhe të punës edukative me qëllim që të thellohet më tej diferencimi Brenda rrathëve të tyre.
SEKRETARI I PARE I KOMITETIT TE PARTISË
(JOVAN BARDHI)
Konkluzionet e Komitetit të Partisë së Mirditës për ngjarjen në kampin e Spaçit
Sipas porosisë së shokut Hysni u bisedua me shokët e M.P.B. dhe çështjet u shtruan në mbledhjet e kolegjiumit. Nga kjo mbledhje dolën dhe të metat e punës dhe u morën masat e nevojshme.
23. VI.1973 Qemal Myrseli
PARTIA E PUNËS SHQIPERISE Rrëshen, më 8.VI.1973
KOMITETI I PARTISË RRETHIT
MIRDITE
Nr. 358. Prot.
Lënda: Dërgojmë konkluzionet e Byrosë së Komitetit të Partisë së rrethit mbi ngjarjet në kampin e Spaçit
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
(Shokut Qemal Myrseli) TIRANE
Bashkangjitur ju dërgojmë: materialin me konkluzionet e Byrosë së Komiteti tv të Partisë së rrethit lidhur me ngjarjen në kampin e Spaçit.
SEKRETARI I PARE I KOMITETIT TE PARTISË SE RRETHIT
JOVAN BARDHI
Sh. Qemal
I bisedoni këto probleme që i takojnë MPB-së të merren masa./Memorie.al
Hysni Kapo
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016