Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e katërmbëdhjetë
Memorie.al / Kur nuk kishte kaluar as një javë nga data 2 korrik e vitit 1990, ku me mijëra shtetas shqiptarë kapërcyen kangjellat e muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe u futën brenda ambienteve të tyre me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye sekretarin e Përgjithshëm Ramiz Alia, mbajti plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, i cili zhvilloi punimet në datat 6 dhe 7 korrik. Edhe pse rendi i ditës ishte paracaktuar në tre pika kryesore, ku predominonte ajo për zhvillimin e arsimit në Shqipëri, pothuaj gjatë gjithë punimeve të atij plenumi (sidomos te pika 4, “Të ndryshme”), u diskutua dhe u debatua ngjarja e atyre ditëve, e njohur ndryshe si “2 korriku i ambasadave”. Në atë plenum ku merrnin pjesë të gjithë anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretarët e parë të komiteteve të partisë të rretheve, ministra, kuadro kryesorë të sektorit të arsimit, kulturës, shkencës, ekonomisë, drejtues të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së, Radio-Televizioni, ATSH-ja etj., mungonin Nimet Cani, Ali Vukatana, Reiz Malile, Shpëtim Çaushi, Zylyftar Ramizi, Qemal Lame, Zef Loka, Pirro Kondi dhe Hekuran Isai, të cilët prej disa ditësh ishin “në terren”, duke “menaxhuar”, ngjarjen e ambasadave.
Pas hapjes së mbledhjes nga Ramiz Alia, fjala iu dha ministrit të Arsimit, Skënder Gjinushit, i cili mbajti dhe raportin përkatës, (“Për përsosjen e sistemit arsimor dhe forcimin e mëtejshëm cilësor të shkollës”), kryefjala e atij plenumi ishte “ngjarja e ambasadave”, duke diskutuar dhe analizuar me detaje se si dhe pse ndodhi ajo, (“roli i agjenturave të huaja”), e deri tek detyrat që dilnin për menaxhimin e asaj situate në ato ditë të nxehta korriku, ku mbi pesë mijë shtetas shqiptarë nga të gjithë rrethet e vendit, ndodheshin në ambientet e brendshme të disa prej ambasadave kryesore në Tiranë, në pritje të largimit nga Shqipëria.
Përveç kësaj, gjatë gjithë asaj mbledhje, por kryesisht në pikën nr. 4 të rendit të ditës, (që u diskutua në seancën e fundit), u morën në analizë edhe disa prej ngjarjeve kryesore që kishin ndodhur në rrethe të ndryshme të vendit gjatë atij viti, si; protestat në Shkodër në muajin janar për heqjen e bustit të Stalinit; ngjarjet në qytetin e Kavajës ku populli i atij qyteti u përlesh me forcat e policisë; arratisjet masive nga kufijtë shtetërorë me Jugosllavinë e Greqinë, grumbullimet masive në vende të shenjta fetare, si Kisha e Shën-Ndout në Laç të Kurbinit; lejimi me ligj i besimeve fetare dhe hapja e objekteve të kultit; apo probleme të tjera që shtroheshin për zgjidhje, si; bisedimet e faktorin ndërkombëtar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-ës, Bashkimin Sovjetik, (bisedimet e zhvilluar me zv. ministrin e Jashtëm sovjetik në Sofie nga Sofokli Lazri); problemi i Kosovës; presioni ndërkombëtar për hapjen e Shqipërisë me botën dhe aderimi i saj në disa konventa ndërkombëtare; privilegjet e udhëheqjes së lartë të PPSH-së e familjeve të tyre që jetonin kryesisht në “Bllok”; fjalët që qarkullonin në popull për familjen e Enver Hoxhës dhe raportet e Ramizit me Nexhmijen; ndryshimi i legjislacionit dhe kodit penal; lirimi i të burgosurve politikë; pisja me pasaporta e shtetasve që kërkonin të dilnin si vizitorë tek të afërmit e tyre jashtë vendit; mekanizmi i ri ekonomik; strehimi dhe zënia me punë e shumë shtesave në të gjitha rrethet e vendit; dhënia e tokës dhe bagëtive fshatarësisë kooperativiste; e deri të furnizimi i popullsisë së qyteteve me produktet bazike ushqimore e mallrave të ndryshme industriale.
Siç do të shohim dhe nga dokument arkivore që i përkasin plenumit të 11-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat theksojmë se publikohen për herë të parë, përveç udhëheqjes dhe disa prej funksionarëve të lartë të asaj kohe, në atë mbledhje kanë diskutuar apo janë përmendur edhe disa figura të tjera të larta që vazhduan karrierën e tyre politike edhe pas viteve ’90-të, si p.sh.; Skënder Gjinushi, Fatos Nano, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Gramoz Pashko, Spiro Dede, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Moikom Zeqo, Mehmet Elezi, Lisen Bashkurti, Koço Kokëdhima, Ylli Popa, Aleks Luarasi etj.
Po kështu në dosjen voluminoze të këtij plenumi, me mjaft interes janë edhe ato dokumente që i përkasin sekretarëve të Komiteteve të Partisë së rretheve apo “Grupit të informacionit” të cilët kanë shkuar në të gjitha rrethet e vendit dhe kanë evidentuar të gjitha problematikat kryesore që kanë dalë në mbledhjet e organizatave bazë të partisë, ku është diskutuar “Mbi letrën e Komitetit Qendror”, dokumente që përbëjnë dhe pjesën më të madhe dhe gjithashtu më të rëndësishme të dosjes në fjalë. Madje mund të thuhet nga më të rëndësishmet të gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, pasi ajo periudhë kohe me ngjarjet që u zhvilluan, shënoi dhe prologun e rënies së atij regjimi.
Po kështu me mjaft interes janë dhe dokumentet që i përkasin seancës së fundit të asaj mbledhje me pikën nr. 4 të rendit të ditës “Të ndryshme”, e cila përbën edhe pikën më të nxehtë të gjithë plenumit, ku u diskutua, madje me debate të ashpra, edhe lirimi nga detyrat dhe nxjerrën në pension të tre anëtarëve të Byrosë Politike (Rita Marko, Manush Myftiu dhe Prokop Murra), apo lirimi nga detyrat ministrore apo funksionet e tjera të larta që mbanin prej vitesh të disa “udhëheqësve” të tjerë, si Simon Stefani, Pali Miska, Muho Asllani, Lenka Çuko, Vito Kapo, Pirro Kondi, Jovan Bardhi, etj., dhe emërimin e “shokëve të rinj” në udhëheqjen e forumet e larta të Partisë dhe Shtetit, si; Xhelil Gjoni, Abdyl Backa, Niko Gjyzari, Kiço Mustaqi, etj. Lidhur me këto etj., na njohin dokumente në fjalë të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
PROCES-VERBALI I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 11 TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, I MBAJTUR NË DATAT 6 DHE 7 KORRIK 1990
- TË NDRYSHME
- Disa çështje të situatave të sotme dhe problemet politike që rrjedhin prej tyre.
SHOQJA THEMIJE THOMAI: E ndjejmë përgjegjësinë për vërejtjet dhe kritikën që bëni Ju, shoku Ramiz, jo vetëm si shokë të zgjedhur në Komitetin Qendror të Partisë, por dhe si drejtues të punës së Partisë në rrethet ku punojmë. Situata është e rëndë, por ne duhet ta zotërojmë atë, sidomos tani, që lidhet me fatet e kombit. Duhet të jemi të kujdesshëm e të mos mbetemi vetëm në problemet anësore, por të kapim ato kryesore dhe të mos ngatërrojmë atë që është e partishme me atë që nuk është e partishme. Kam përshtypjen se ndonjëherë disa mungesa e dobësi të drejtimit të disave, po i shohim si mungesa të demokracisë dhe si gabime në vijën e Partisë.
Populli, njerëzit që punojnë në ndërmarrje e kooperativa e duan Partinë, dhe janë plotësisht dakord me masat që po merr ajo për thellimin e demokracisë. Më duket se janë të tjerë ata që po e spostojnë vëmendjen nga kjo çështje thelbësore duke thënë se “punëtorët e fshatarët nuk i kanë kuptuar drejt masat që po merren për thellimin e demokracisë”. Janë të paaftët ata që u intereson ta bëjnë këtë për të fshehur të metat e tyre. Në këtë çështje nuk ka vend për spekulime, por duhet kërkuar më shumë llogari ndaj drejtuesve, që ata të punojnë me ndjenjë të lartë përgjegjësie. Ne të mendojmë më mirë se si t’i shtojmë takimet në mënyrë që kjo praktikë të jetë diçka e natyrshme se nuk zbatohet gjithmonë.
Edhe diçka tjetër. Po flitet shumë për mekanizmin e ri ekonomik dhe thuhet se po bëhen përpjekje që ai të gjejë zbatim, por më shumë ka fjalë se punë konkrete. Është e qartë se ka vështirësi të bazës materiale etj., por këto vështirësi nuk janë të pazgjidhshme. Veçse vështirësitë duhet t’i kalojnë më parë komunistët e kuadrot, të cilët duke mos qenë vetë në rregull, i ngatërrojnë punët. Janë të gjitha mundësitë që në Tiranë, në Lushnjë apo Fier, në Durrës, a në Shkodër, kudo ta kenë situatën në dorë Partia, komunistët. Desha të theksoj se kjo gjendje kaq shqetësuese e në përmasa të tilla është vetëm në Tiranë, ndërsa nëpër rrethe gjendja është ndryshe, është më e shëndoshë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë. Ka ndonjë shok tjetër për të diskutuar? Më interes do të ishte ndonjë çështje konkrete, jo fjalë të përgjithshme.
SHOKU HALIL LEJLI: Jam plotësisht dakord me çështjet që ngritët Ju, shoku Ramiz. Por mendoj që dhe organet e Punëve të Brendshme ta rrisin forcën zbuluese, se pas vendimeve të Plenumit të 10-të të Komitetit Qendror të Partisë, nga disa punonjës mendohet që veprimtaria armiqësore është pakësuar dhe lufta e klasave është zbutur, dhe kështu pakësohet puna. Nga një shkujdesje e tillë mund të krijohen situata të papritura, si kjo e tanishmja, prandaj duhen luftuar këto mendime.
SHOKU RAMIZ ALIA: Cili është konkluzioni yt?
SHOKU HALIL LEJLI: Mendoj se duhet mbajtur qëndrim për njerëzit që bëjnë gabime të tilla dhe në këtë plenum duhej bërë ndonjë shpjegim, pse organet e sigurimit e lejuan këtë gjendje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Këtë përgjigje ia kërkon shokut Simon?
SHOKU HALIL LEJLI: Përgjigjen e kërkoj nga shoku Simon dhe nga shokët e tjerë që Partia i ka caktuar të merren me këto punë dhe nuk kanë ditur të drejtojnë si duhet. Një çështje tjetër që desha të shtroj është ajo e largimit të të paaftëve nga detyra. Njerëzit me të drejtë flasin që “të hiqen të paaftët”, se ka kohë që Partia e ka ngritur këtë çështje. Përditë shkruajnë për të edhe gazetat. Që në Plenumin e 8-të të Komitetit Qendror të Partisë, u shtrua me forcë se duhet të dalin në pension të moshuarit, por më duket, se në dikastere dhe poshtë, kjo punë nuk po vazhdon. Për të vetmen flitet edhe shkruhet në gazetë.
Unë do të thosha se shoku Marash Hajati është i paaftë të drejtojë gazetën “Zëri i popullit”. Edhe kur ishte drejtor i përgjithshëm i Radio-Televizionit ka patur vërejtje për të, se ka krijuar ndonjë situatë të papëlqyeshme. Ai ka ndikuar me shijet e tij, deri edhe sikur të ishte regjisor i disa emisioneve që populli nuk i ka pëlqyer dhe për këto ka folur hapur. Megjithatë, edhe tani që shkoi kryeredaktor, ai ka ndikuar që në shtypin e Partisë të krijohen të tilla probleme, megjithëse shtypi udhëhiqet nga Partia. Por populli dhe njerëz të bazës flasin se nuk është vetëm Marashi, si kryeredaktor që i krijon këto shqetësime. Shkrimet që kanë të bëjnë me vijën e Partisë miratohen nga lart, nga shokët e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë…
SHOKU RAMIZ ALIA: Mos thonë se janë miratuar dhe nga shoku Ramiz?!
SHOKU HALIL LEJLI: Të them të drejtën, disa edhe kështu mendojnë, ndryshe ndonjë nga këto shkrime nuk duhej lejuar…! Megjithatë sot përgjithësisht njerëzit kanë nivel ideologjik e kulturor dhe dinë t’i dallojnë gabimet që mund t’i bëjnë kryeredaktori apo të tjerët nga qëndrimi i vërtetë i Partisë për probleme të caktuara. Pra, e theksoj edhe njëherë se për shokun Marash duhet të mbahet qëndrim.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë.
SHOKU SIMON STEFANI: Këtu u ngritën mjaft probleme edhe për Organet e Sigurimit, të cilat kanë përgjegjësinë e tyre për tërë këto ngjarje. Por nuk është e vërtetë që Organet e Sigurimit nuk kanë siguruar të dhëna. Ato kanë informuar për këto të dhëna Organet e Partisë e të pushtetit, që nga baza deri lart, prandaj nuk mund t’u bjerë tërë përgjegjësia Organeve të Sigurimit të Shtetit. Edhe në përshtatje me ligjet që u miratuan kohët e fundit, ne i kemi diskutuar e ndryshuar të gjitha urdhrat. Por ata persona, të cilët ligji nuk i ka objekt të sigurimit nuk mund t’i marrim të tillë.
Ka pasur në punonjësit tanë edhe ndonjë mendim se “tani puna jonë u lehtësua”. Këto mendime i kemi kritikuar, kemi raportuar për to dhe në Byronë Politike dhe, me të drejtë, shoku Ramiz e ka kritikuar këtë koncept, për të cilin i kemi sqaruar edhe punonjësit tanë. Mund të ketë ende individë që kanë të tilla mendime, por puna e Organeve të Sigurimit tani është shumë më e vështirë, nga sa ka qenë përpara ndryshimeve të disa ligjeve që u bënë kohët e fundit. Më parë ishte më e lehtë se mjaftonte të thoshte një fjalë kundër vijës politike dhe e gjykonin organet e drejtësisë për agjitacion e propagandë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në këtë situatë nuk është vështirësuar vetëm puna e Organeve të Sigurimit, Simon.
SHOKU SIMON STEFANI: Është vështirësuar edhe gjithë puna e Partisë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Prandaj edhe Sigurimi, pavarësisht nga vështirësitë, duhet të bëjë detyrën e vet, për të cilën përgjigjet. Në momentet që po kalojmë puna e organeve të sigurimit duhet të jetë më e shkathët dhe më e kualifikuar.
SHOKU SIMON STEFANI: Shoku Adil, thashë se është e vështirë, në raport me mendimin që ekziston në disa punëtorë të sigurimit se puna tani është lehtësuar…!
SHOKU HALIL LEJLI: Në datën 2 korrik ndodhën ngjarje të jashtëzakonshme dhe Sigurimi nuk dinte gjë, megjithëse para ca kohësh huliganët ishin përgatitur të kryenin në Tiranë akte të shëmtuara. Këto ngjarje i mënjanoi Partia, e cila mori masa, porsa e diktoi situatën. Kështu huliganët dhe elementët armiq nuk guxuan të vepronin. Kurse tani kam mendimin se Sigurimi jo vetëm nuk ka të dhëna për situatën, por njerëz të veçantë mund të jenë bërë edhe sehirxhinj.
SHOKU SIMON STEFANI: Jo, edhe tani Sigurimi i dinte këto probleme. Në Shkodër ka pasur prirje më shumë që të organizohej ndonjë rrëmujë. Po kështu edhe në Kavajë dihej që do të organizohej diçka e tillë, shoku Halil. Por këto ngjarje nuk mund t’i përballojnë vetëm organet e policisë dhe të Sigurimit, ato duhet t’i përballojmë të gjithë. Megjithatë nuk mund të themi që Organet e Sigurimit nuk kanë përgjegjësi për këtë gjendje.
SHOKU RAMIZ ALIA: A e pranoni që në këtë situatë organet e Sigurimit janë zënë në befasi?
SHOKU SIMON STEFANI: Plotësisht nuk mund ta pranojmë, shoku Ramiz, se kemi pasur disa të dhëna që njerëz të veçantë do të futeshin nëpër ambasada.
SHOKU RAMIZ ALIA: Këtu jemi në mbledhjen e Komitetit Qendror dhe kritika duhet pranuar, të mos e mënjanojmë pjesërisht. A mendonin organet e Sigurimit që do të kishte një dyndje të tillë njerëzish nëpër ambasada?
SHOKU SIMON STEFANI: Në qoftë se vijmë te çështja e dyndjes nëpër ambasada, le ta diskutojmë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Me që u hap ky diskutim, duhet çuar deri në fund. Në qoftë se 6 punëtorë të minierës së Valiasit shkojnë e futen me kamion në ambasadën italiane, ata duhet të jenë mbledhur, të paktën disa herë, që të merreshin vesh me njëri-tjetrin, që të studionin vendin e të binin dakord. A i sheh Sigurimi i shtetit këto veprime?! Në qoftë se nuk i sheh, çfarë bën, tund zinxhirin?! Po kështu në ambasadën gjermane shkojnë e futen me kamion 30 veta njëherësh duke marrë me vete edhe kalamajtë. Çfarë bëjnë organet e Sigurimit, kur nuk i shohin e nuk informojnë përpara për përgatitjet e tyre?! Ndërsa ne na thuhet se dihet edhe çfarë bën në shtëpi iksi apo ipsiloni.
SHOKU SIMON STEFANI: Nuk e kemi thënë atë…!
SHOKU RAMIZ ALIA: E keni thënë më parë, por tani te njerëzit është krijuar mendimi se “organet e sigurimit flenë”. A e keni këtë mendim ju, shokët që jeni këtu? (Shokët miratojnë dhe pohojnë se ashtu është). Secili duhet të mbajë përgjegjësitë e veta. Ka tre muaj që ju kam mbledhur ty, shokun Hekuran, shokun Prokop, shokun Adil dhe shokun Kiço dhe ju kam thënë se duhet të përgatiteni për luftëra të reja. Çështja nuk duhej parë thjesht, vetëm në mënjanimin e një demonstrate që përgatitej në Shkodër.
Do të ketë edhe veprimtari të tjera, prandaj duhet studiuar mirë gjendja dhe duhet hartuar një program i tërë, ku të parashikohet ç’do të bëjë organi i policisë, ç’do të bëjë sigurimi i shtetit dhe ç’do të bëjë Ministria e Mbrojtjes. Atje duhet parashikuar gjithashtu se në ç’rast duhet të futen në veprim forcat e policisë, në ç’rast duhet të futen forcat e sigurimit, në ç’rast duhet të futet ushtria. Ju kam thënë, në mënyrë kategorike, se në asnjë rast nuk duhet përdorur arma, por duhen përdorur forcat e popullit, duke filluar që nga klasa punëtore, komunistët dhe tërë masat. Sigurimi i shtetit ka përgjegjësi që në këtë situatë u gjendëm të papërgatitur për të marrë masa të tilla.
SHOKU SIMON STEFANI: Natyrisht, ka përgjegjësi…!
SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht për këtë e ka fjalën edhe Halili, kur bën kritikë për ju. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm



















