Pjesa e tridhjetëenjë
Memorie.al / CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të de klasifikuara tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti. Po kështu një vend të veçantë në dokumentet që CIA ka de-klasifikuar, janë edhe ato ku flitet për emigrantët politikë shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë të inkuadruar në Komitetin e Prizrenit e kryesuar fillimisht prej Apostol Tanefit dhe nën presionet e UDB-së, që i rekruton me masa shtrënguese., siç është kthimi në Shqipëri, etj.
18 tetor 1967
Philby dhe CIA; Dështimi në Shqipëri, vepër e një spiuni të kuq
Harold “Kim” Philby, spiuni sovjetik që depërtoi thellë në zemër të shërbimeve britanike të inteligjencës, u vendos në një detyrë të re në Uashington në tetor 1949, për të nisur fazën më destruktive të karrierës së tij si agjent i dyfishtë, që solli shkatërrimin e të gjitha përpjekjeve perëndimore për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri.
Philby shkoi në Shtetet e Bashkuara si oficer ndërlidhjeje mes inteligjencës britanike dhe CIA-s. Ai ishte vendosur në qendër të inteligjencës perëndimore, në një kohë kur marrëdhëniet mes Britanisë dhe SHBA-ës ishin më të forta se kurrë.
Philby konsiderohej atëherë si operativi më i shkëlqyer i Britanisë dhe më këtë status ai u bë organizatori i operacioneve anti-sovjetike të CIA-s. Është e pamundur të llogaritësh dëmin që ai shkaktoi gjatë dy viteve në Uashington, por e përjavshmja britanike “Sunday Times” ka mbledhur bashkë historinë e katastrofës më të madhe që iu akredituar Philby-t, që ishte përpjekja në Shqipëri.
Philby tradhtoi tentativën britanike e amerikane për përmbysjen e influencës sovjetike në pushtetin e Shqipërisë me anë të nxitjes së kryengritjeve të armatosura, në kohën e tensioneve më të mëdha të Luftës së Ftohtë. Kjo çështje mbeti për 17 vjet një nga sekretet më të mëdha të Luftës së Ftohtë, pasi diçka e tillë i leverdiste të dyja palëve.
Për Perëndimin çështja e Shqipërisë ishte një katastrofë që kushtoi jetën e më shumë se 150 agjentëve, ndërsa për Rusinë ishte një shije e asaj që mund të ndodhte edhe në pjesë të tjera të perandorisë së saj delikate. Deri në 1949, Ballkani ishte sektori më i dobët i perandorisë sovjetike. Komunistët në Greqi po mundeshin, ndërsa dhe Jugosllavia komuniste po prishej me Rusinë. Shqipëria ishte e paqëndrueshme. Ajo ishte drejtuar nga komunistët jugosllavë prej fundit të Luftës, por tashmë ftohja me Titon kishte detyruar Rusinë të sillte këtu teknikët dhe këshilltarët e saj.
Prandaj inteligjenca britanike dhe Departamenti i Shtetit patën idenë e përbashkët për shfrytëzimin e nacionalizmit në Shqipëri për të përmbysur influencën ruse, duke përfituar në të njëjtën kohë dhe nga gjendja e rëndë e popullit. Ernest Bevin, ministri britanik i Mbrojtjes e kundërshtoi idenë, por u bind për të lejuar një tentativë eksperimentale subversioni: Një operacion klandestin të përbashkët mes Britanisë dhe SHBA për infiltrimin e luftëtarëve guerilë për inkurajimin e kryengritjeve anti-sovjetike.
Njeriu që do të koordinonte veprimet mes Britanisë dhe SHBA, do të ishte natyrisht oficeri i ndërlidhjes në Uashington, Kim Philby. Eksperienca e tij si oficer drejtues i stacionit të Turqisë, që asokohe ishte më e madhja dhe më aktivja, e bënte edhe më të vlefshme konsulencën e tij. Operacioni ishte planifikuar më së miri.
Një nga hapat e para ishte formimi në 1949 në Itali i Komitetit për “Shqipërinë e Lirë”, si një front organizimi dhe rekrutimi i guerrilasve. Pas krijimit të grupeve guerile ato nisën të dërgoheshin në fillim në grupe të vogla pastaj më të mëdha, brenda territorit të Shqipërisë nga zonat malore kufitare. Por gjithçka rezultoi një katastrofë.
Brenda një muaji rreth 150 guerilë, rreth gjysma e të gjithë forcës së ngritur, u vranë ose u kapën nga forcat e sigurisë, së bashku me një numër banorësh lokalë që u treguan aq të paditur sa t’i mirëprisnin dhe t’i ndihmonin. Rreth 150 të mbijetuar mezi arritën të kalonin në Greqi, duke turpëruar qeverinë greke, derisa inteligjenca britanike arriti të bindë ministrinë të pranonte shqiptarët e kthyer.
Me ardhjen e tyre në Londër u organizua dhe një festë e çuditshme mirëseardhjeje. Nuk është e qartë nëse ministria britanike e dinte të vërtetën e refugjatëve, ndërsa luftëtarët ishin prezantuar si “miq tanë të mirë në Greqi”. Pasojat e disfatës u ndjenë për vite me radhë. Rreth një vit pas operacionit amerikanët ishin të bindur se kishte tradhti ndërsa inteligjenca britanike duket se nuk pranonte provat e dekonspirimit. Operacioni solli diskreditim të përpjekjeve për “ndërhyrje pozitive” në vendet komuniste të Evropës, si në sytë e britanikëve dhe amerikanëve.
Qymyret dhe karburantet e tjera në Shqipëri
Prill 1955
Para Luftës së Dytë Botërore ekonomia e Shqipërisë ishte kryesisht bujqësore dhe nuk kishte aktivitet industrial apo shfrytëzim të burimeve natyrore. Deri në fund të 1947 nuk kishte hekurudha. Prodhimi i energjisë elektrike ishte i vogël dhe shpërndarja e kufizuar. Shqiptarët ndriçoheshin me vajgur ndërsa për t’u ngrohur ata përdornin dru nga pyjet.
Që prej çlirimit të Shqipërisë nga BRSS-ja, ndryshime të mëdha kanë ndodhur në ekonominë e saj, me qëllim forcimin e bazës ekonomike të vendit dhe rritjen e prodhimit industrial e bujqësor. Në nëntor 1947 u hap hekurudha e parë publike me gjatë si 30 km. nga Durrësi deri në Peqin. Në vitin 1949 kjo u shtri deri në kryeqytetin Tirana, duke arritur në 60 km. Më pas një hekurudhë industriale u ndërtua nga porti i Vlorës deri në Selenicë, për transportimin e asfaltit në bregdet.
Plani i parë pesë-vjeçar 1951-1955 kërkonte shtimin e prodhimit të qymyrit, shtimin e hekurudhave, ndërtimin e disa termocentraleve të vogla dhe të disa hidrocentraleve, duke përfshirë dhe atë me kapacitet 20.000 kilovat mbi lumi Mat. Gjithashtu do të rritej nxjerrja e naftës dhe prodhimi i kromit e i bakrit. Në 1954 prodhimi i qymyr-drurit përbënte 17.5 për qind të burimeve të energjisë së prodhuar në Shqipëri.
Nafta ishte burimi kryesor me 42.7 për qind të energjisë dhe pas saj vinte druri i djegur me 39 për qind të energjisë së vendit. Për prodhimin e qymyrit kryesisht njihen depozitat e minierës së Memaliaj në zonën e Tepelenës, ku katër damarë kanë qymyr të cilësisë superiore, ose qymyr ngjyrë kafe të cilësisë së mirë.
Para Luftës së Dytë Botërore prodhimi i qymyrit ishte shumë i vogël dhe nuk i kalonte 4000 ton në vit. Por së fundmi prodhimi ka arritur në mbi 300 000 ton në vitin 1954 dhe planifikohet që në 1955 të arrijë në 400 000 ton. Minierat e qymyrgurit janë të gjitha në prodhim aktiv të vendosura pranë qendrave të konsumit.
Para Luftës II-të Botërore minierat nuk kishin ndriçim elektrik, por nën kujdesin e “çliruesve” të saj Shqipëria ka rritur prodhimin e energjisë elektrike dhe shpërndarjen e saj si dhe ka futur pajisjet moderne sovjetike në miniera. Përmirësimi i teknika dhe prodhimit pritet të vazhdojë dhe ka sjellë edhe rritjen e numrit të punëtorëve në miniera.
Shumica e qymyr-drurit në Shqipëri është i cilësisë së ulët, me përjashtim të minierës së Memaliaj që ka pak sulfur dhe hi, dhe vlerë të lartë kalorifike. Ai i ngjan qymyrit bituminoz dhe është i barabartë në cilësi me qymyret më të mira të prodhuara në vendet e bllokut sovjetik. Shqipëria nuk eksporton qymyr. Ajo nisi të importonte qymyr pas luftës së Dytë Botërore, duke e këmbyer me naftë e minerale të tjera me Poloninë.
Marrëveshja e vitit 1949 nuk besohet se i kalonte 3000 tonët. Shqipëria e konsumon vetë qymyrin e saj, kryesisht në rafineritë e mineraleve, centralet termike apo lokomotivat e hekurudhave. Shumica e qymyrit të importuar besohet se konsumohet në portet e Durrësit dhe Vlorës nga anijet, dhe pikat e tyre të afërta të hekurudhave.
Lokomotivat dhe fabrikat e vogla konsumojnë pjesën tjetër. Disa centrale termike në Shqipëri. Rritja e kërkesës së Shqipërisë për energji dhe karburante pritet të plotësohen nga qymyri dhe druri i brendshëm, i plotësuar nga disa importe qymyri. Prodhimi pritet të rritet, siç është parashtruar dhe në planin pesë-vjeçar. Por me gjithë modernizimin e sjellë nga sovjetikët, Shqipëria mbetet e varur prej tyre dhe e gjithë industria e qymyrgurit është e dobët ndaj influencave të huaja.
CIA u ka kushtuar një hapësirë proceseve gjyqësore që zhvilloheshin gjatë regjimit komunist. Sipas një dokumenti të de-klasifikuar, çdo gjykatës konsultohej me sekretarin e partisë përpara se të jepte vendimin. Nga ana tjetër, roli i avokatit ishte minimal.
Shtator 1953
Kushtet e shërbimit në Brigadën e Sigurimit
Të rekrutuarit dhe oficerët e Brigadës së Sigurimit nënshkruajnë për tre vjet shërbim. Regjistrimet vullnetare janë të pakta dhe shumë pak ushtarë mbeten në brigadë pas plotësimit të periudhës së shërbimit. Anëtarët e trupave marrin njëzet ditë pushimi në vit, ndërsa oficerët e përhershëm marrin një muaj leje nga komanda e batalionit, e cila kërkon aprovim nga komanda e Brigadës.
Paga e një oficeri është 4.500 lekë në muaj, komandanti i kompanisë merr 5.000 lekë në muaj, ndërsa komandanti i batalionit 6.200 lekë. Ushqimi i trupave është i përshtatshëm dhe thuajse i njëjtë për të gjithë. Kur nuk ka çaj për mëngjes, ai zëvendësohet me djathtë ose marmelatë. Çdo anëtar i Brigadës merr 25 kuponë veshjesh në çdo tre muaj, si për oficerët dhe ushtarakët e thjeshtë. Deri pak kohë më parë Brigada përdorte uniforma britanike në dimër dhe sovjetike në verë.
Kur moti është i thatë brigada përdor këpucë të lehta gome, të cilat ndërroheshin me të reja sa herë që konsumoheshin. Çdo ushtar merr një dyshek kashte dhe tre batanije, pa çarçafë. Oficerët kishin dhoma fjetjeje të ndara nga ushtarët. Programi i përditshëm: Zgjimi në ora 05.00, larja dhe rregullimi i krevateve deri në 05.30, informacioni politik dhe kritikat ndaj ushtarëve 05.30-05.45, mëngjesi 05.45-06.00.
Në ora 06.00 niste stërvitja, e cila bëhej ose në terren ose sipas programit të mëposhtëm: 2 orë qëllim në shënjestër, 2 orë stërvitje taktike, 2 orë taktika lufte guerile, 2 orë manovra sulmi malore. Pjesa tjetër e kohës ndryshonte sipas rasteve ose një nga lëndët zgjatej deri në 4 orë. Dreka dhe pushimi zgjasin nga ora 12.00 deri në 14.00. Mësimi politik 14.00 deri në 16.00, pas kësaj kishte 20 minuta kohë për pastrimin e armëve. Të gjitha stërvitjet bëheshin sipas mënyrave sovjetike.
Zakonisht nga ora 16.00 deri në 18.00 oficerët flisnin në lidhje me stërvitjen e ditës dhe merrnin mësime nga komandanti. Njësitë e brigadës inspektoheshin çdo javë nga komandanti i batalionit, ndërsa komanda e Brigadës inspektonte një herë në muaj. Kompania ka gjashtëdhjetë ushtarë e oficerë të regjistruar, të armatosur me automatikë gjermanë e sovjetikë. Çdo ushtar ka dy granata dore sovjetike. Rezervat e armëve dhe municioneve në depo janë të ulëta.
Qershor 1952
Gazeta “Bashkimi”: Përvetësimet dhe neglizhenca e autoriteteve
Në një studim të krimeve në vitin 1951 në krahasim me 1950, tregohej se shifrat ishin në rënie në Tiranë, përveç krimeve ndaj pronës shtetërore të kryera fshehtësish apo haptazi, si dhe ato të mashtrimit, abuzimit të besimit, apo falsifikim të faturave. Një neglizhencë e konsiderueshme është vërejtur në ndërmarrjet e lidhura me Komitetin Ekzekutiv në Tiranë, të cilat prej thuajse një viti nuk kanë ushtruar mbikëqyrjen e nevojshme ndaj financave shtetërore.
Megjithëse janë bërë disa përmirësime, drejtorët e sektorëve lokalë dhe kombëtarë nuk tregojnë kujdesin e duhur ndaj pronës shtetërore. Ata mendojnë vetëm për plotësimin e planit dhe parandalimin e vjedhjeve e konsiderojnë çështje dytësore. Ka nevojë për shumë punë organizative dhe sensibilizim për ndjenjën e përgjegjësisë mes zyrtarëve.
Ka neglizhencë në peshimin e mallrave dhe kryerjen e inventarëve. Në dyqanin e NTUS në Pezë të Tiranës u vërejt një deficit prej 70.180 lekë në dy muaj, pasi shitësit nuk mbanin llogari dhe nuk kishin sens përgjegjësie. E njëjta gjë ka ndodhur në minierën e Kërrabës ku është paditur tashmë drejtuesi Ismail Dibra, për deficitin prej 22.000 lekë.
Kur u mor në pyetje ai tha se i kishte paguar financave 50.000 lekë që mungonin në llogaritë, por Sulejman Uruçi nuk kishte të dhëna për këtë shumë. Gjithashtu në shitjet e kombinatit tekstil Stalin, zyrtari i shitjeve Shefqet Picari ka vjedhur 156.000 lekë, që tregon për mungesën e përgjegjësisë por dhe të auditiveve nga Ministria e Tregtisë.
Shkurt 1954
Ministria e Drejtësisë
Ministri shqiptar i Drejtësisë është Bilbil Klosi, kreu i personelit është Irfan Delli, seksioni ligjor drejtohet nga Kozma Toçi, me inspektorë Londo Shori, Irkli Noçka dhe Laver Grapshi. Organi më i fuqishëm është Gjykata e Lartë e cila merr në shqyrtim vendimet e gjykatave të rretheve dhe përbëhet nga presidenti dhe dy anëtarë të emëruar nga qeveria. Gjykatat e rretheve kanë më shumë punë dhe personel, si sekretarë dhe thërritësa.
Ato gjykojnë rastet kriminale si vrasje vjedhje e grabitje, që sillen nga prokuroria, si dhe çështje civile si ndarje pronash, divorce apo padrejtësi ndaj personit. Kryetari dhe gjykatësit zgjidhen nga populli prej listës së ministrit të Drejtësisë. Gjykatësit dhe prokurorët nuk zgjidhen detyrimisht sipas kritereve, dhe shumë prej tyre kanë mbaruar vetëm shkollën fillore. Prokurorët e rretheve emërohen nga zyra e Tiranës, e cila gjithashtu ekzaminon vendimet e tyre.
Prokurorët ngrenë akuzat ndaj të akuzuarve dhe gjyqtarët zakonisht ndjekin kërkesat e prokurorisë, sidomos në rastet e akuzave politike të deviacioni, kabotazhit apo krime kundër shtetit. Zakonisht gjyqet janë publike përveç rasteve të rralla sipas vendimit të qeverisë. Në çështjet kriminale mbrojtja e të akuzuarit dhe dëshmitarët njoftohen se kur duhet të paraqiten.
Megjithëse avokati mbrojtës duhet të mbrojë të drejtat e të akuzuarit, kjo ndodh vetëm në çështjet e parëndësishme. Në raste serioze avokatëve u këshillohet se deri ku duhet të shkojnë me mbrojtjen e tyre. Faktorë të tjerë që ndikojnë janë klasa shoqërore e të akuzuarit, anëtarësia në parti, apo nëse ka kryer shërbimin ushtarak. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














