Pjesa e tridhjetedy
Memorie.al / CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të de klasifikuara tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti. Po kështu një vend të veçantë në dokumentet që CIA ka de-klasifikuar, janë edhe ato ku flitet për emigrantët politikë shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë të inkuadruar në Komitetin e Prizrenit e kryesuar fillimisht prej Apostol Tanefit dhe nën presionet e UDB-së, që i rekruton me masa shtrënguese., siç është kthimi në Shqipëri, etj.
Në shumë raste gjykatësit takohen me Sekretarin e Partisë para se të japin vendimin në çështjet e rëndësishme. Përveç vrasjeve dhe krimeve kundër shtetit, ka dhe krime të tjera që dënohen me vdekje si për shembull shpërndarja e fletushkave, dëmi i rëndë ndaj pronës së shteti, kabotazhi, grabitja apo keqpërdorimi i pronës së shtetit nga 80 deri në 100 mijë lekë. Gjykatat ushtarake formohen nga zyrtarë të forcave të armatosura dhe gjykojnë çështjet si tradhtia, kabotazhi dhe krime kundër shtetit.
Këto gjykata ngrihen vetëm në qytetet e mëdha. Krerët e gjykatave ushtarake janë Mustafa Iliazi në Tiranë, Perlat Caga në Gjirokastër, Islam Blushi në Krujë dhe Miço Gramatikos në Sarandë. Pas vendosjes së regjimit komunist të gjithë ligjet e vjetra janë zëvendësuar. Kodi i ri Penal bazohet në modelin sovjetik dhe administrohet sipas urdhrave dhe dekreteve të partisë. Ligjet nganjëherë modifikohen sipas ndryshimeve në kodin sovjetik dhe studentët e juridikut dërgohen rregullisht në BRSS për të mësuar metodat sovjetike.
Mars 1952
“Zëri i Popullit”: Puna e propagandës në Lushnje
Organizata e partisë në Lushnje mbajti një takim për të analizuar punën e propagandës dhe metodat për përmirësimin e saj. Në të u theksua se zyrtarët nuk kishin arritur të merrnin masat e nevojshme për suksesin e punës së propagandës. Në fjalën e tij shoku Apostol Vezuli, sekretari i dytë i partisë, tha se jo vetëm ai por dhe sekretari i parë nuk kishin arritur t’i jepnin rëndësinë e duhur çështjes së propagandës dhe punës ideologjike. Dobësitë kryesore të sistemit arsimor dhe në organet e partisë së Lushnje ka qenë prej kohësh mungesa e disiplinës.
Sekretari i partisë Mihal Bisha, pranoi në fjalën e tij se disiplina kishte qenë e dobët dhe pjesëmarrja në kurset e instruktimit ka qenë e ulët. Ai tha se anëtarët e partisë nuk kishin marrë pjesë rregullisht në kurse në zonat e Golemit dhe Imeshtës, dhe se gjithashtu zyrtarët nuk kishin organizuar si duhet kurset e studimit. Mangësitë disiplinore ishin raportuar si në shkollat politike dhe në kurset edukative të partisë, pra dhe nga ana e studentëve dhe e propagandistëve. Në mbledhje u kritikuan propagandistët Raqi Daka dhe Hysen Shefkiu, si dhe të tjerë.
Qemal Staka, sekretari partisë së fshatit Çerme tha: “Raqi Daka ka mbetur në shkollën edukative katër herë rresht, prandaj ai nuk meriton të quhet propagandist. Ai ka frikë nga kritika dhe gjithmonë përpiqet të ndryshojë temë kur dikush tenton ta kritikojë”. Në mbledhje u theksua se propagandisti duhet të jetë një figurë qendrore në sistemin edukativ të partisë. Detyra e tij është të indoktrinojë radhët e partisë me idealet e marksizëm-leninizmit. Por ai nuk mund ta bëjë këtë nëse partia e ngarkon dhe me disa detyra të tjera shtesë.
Në diskutimin e tij Petro Çuli, sekretari i partisë i kooperativës së Këmishtaj, kritikoi Komitetin e Partisë që kishte ngarkuar propagandistin Sotir Koçi me disa funksione të tjera të parëndësishme. Si rezultat i kësaj shkolla politike e partisë kishte humbur efektivitetin. Puna propagandistike kërkon shumë përgatitje prandaj detyrat e tjera duhet të evitohen. Shoku Gori Naço, instruktor i agjitacion/propagandës, kritikoi Feim Demin, propagandist i shkollës politike të kooperativës së Savrës, i cili kishte qenë duke përgatitur mësimin në kohën që studentët e prisnin për të nisur mësimin.
Kritika u bënë gjithashtu ndaj organizatave të partisë në Karbunarë, Stan-Karbunarë dhe Qerret i Ri, për mangësitë në interesin për shkollën politike të partisë. Edukimi partiak kishte dështuar në fokusimin e vëmendjes te lufta ndaj kulakëve. Kjo mangësi i reflektua në fjalën e sekretarit Pirre i cili tha “Në fshatin tonë nuk ka kulakë”. Por një pohim i tillë tregon sesa infektive ka qenë puna e partisë për propagandën në rrethin e Lushnjes.
CIA ka deklaruar se Enver Hoxha në 10 vitet e para të pushtetit futi në burg më shumë se 10 për qind të popullsisë. Në dy dokumente të de-klasifikuar bëhet një panoramë e situatës politike, teksa tregohet se si mbahej me forcë pushteti. Ndërkohë thuhet se më 1974 regjimi u mbërthyer nga paranojat e BRSS-së dhe shumë njerëz po gjenin strehim në bunkerë.
Prill 1955
Potenciali i rezistencës antikomuniste
Disidenca popullore në Shqipëri e ka origjinën në shkaqe politike, shoqërore, kulturore, fetare dhe ekonomike. Përpjekjet barbare të regjimit komunist për shuarjen e të drejtave individuale si motivin e familjes patriarkale, autonominë e fshatit dhe të besimit fetar, janë nga më të urryerat për masat. Për shumë shekuj, në Shqipëri ka qenë traditë kundërshtimi i autoriteteve qendrore. Patriotizmi lokal, krenaria dhe individualizimi i sëmurë janë kombinuar me njëri-tjetrin duke nxitur kundërshtimin ndaj të gjitha autoriteteve, si të huaja e të brendshme.
Ky tipar është më i theksuar në zonat veriore malore të banuara nga Gegët, të cilat deri në Luftën e Parë Botërore kishin pak kontakte me botën moderne. Ndërsa fiset jugore Toskët, kanë qenë më të hapura dhe më në kontakt me idetë dhe teknikat e reja. Gjithashtu intelektualët toskë ishin të parët që u interesuan te marksizmi. Nga ana tjetër regjimi aktual komunist identifikohet gjithashtu me jugosllavët e urryer. Shqiptarët i urrejnë sllavët që prej kohës kur ata i detyruan të largoheshin në zonat malore të Adriatikut.
Masakrat e shqiptarëve nga serbët gjatë luftërave ballkanike në vitin 1912 kanë përkeqësuar këtë ndjesi. Prandaj dhe komunizmi, kryesisht për Gegët ka dobësinë e lidhjes me sllavët, të cilët faktikisht ishin krijuesit e Partisë Komuniste shqiptare gjatë luftës në 1941, dhe u drejtua prej tyre deri në 1948 kur Tito dezertoi nga blloku sovjetik ndërsa udhëheqësi shqiptar Hoxha e radhiti vendit me Moskën. Një tjetër bazë e gjerë e disidencës në Shqipëri janë ndërhyrjet e komunizmit me trashëgiminë kulturore në vend. Pas pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, në vend u hapën disa shkolla franceze, angleze e italiane, dhe të rinjtë shqiptarë mund të shkonin në universitete perëndimore.
Ndërsa regjimi komunist po përpiqet të vendosë me forcë orientimin sovjetik kulturor dhe ekonomik, me gjithë kundërshtimet e intelektualëve shqiptarë. Regjimi duket i paaftë për të ndryshuar këtë situatë dhe shpesh i akuzon mësuesit për sjellje borgjeze dhe për nivel të ulët ideologjik. Kryqëzata komuniste kundër fesë gjithashtu ka nxitur pakënaqësinë popullore jo vetëm prej ndërhyrjes në çështjet e besimit, por dhe prej faktit se besimi fetar konsiderohet si pjesë e trashëgimisë kulturore.
Grupet fetare në Shqipëri (grupet myslimane, katolike dhe ortodokse) të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin kulturor, tashmë janë vënë nën kontrollin e shtetit. Standardet aktuale të jetesës janë një tjetër shkak i nxitjes së disidencës. Në përgjithësi ato kanë qenë gjithmonë të ulëta por ndryshimi mes periudhave para dhe pa-komuniste është aq i dukshëm sa për të provokuar zemërim, siç ndodh me normat e punës dhe huat e detyruara të fshatarëve.
Elementët kryesorë të disidencës
Disidenca ndaj regjimit dallohet në të gjitha klasat e popullsisë përveç burokracisë qeveritare, ushtarakëve dhe liderëve kombëtarë e rajonalë të Partisë Komuniste. Edhe brenda radhëve të partisë individët e kuptojnë që askush nuk ka përfitime serioze nga regjimi komunist. Shtypja e elementëve që konsiderohen si të pakorrigjueshëm dhe internimi i tyre në kampet e punës së detyruar, është përkeqësuar vitet e fundit dhe ka shtuar zemërimin ndaj qeverisë.
Pas 10 vjetësh qeverie komuniste, është të paktën 10 për qind e popullsisë në burgje e kampe përqendrimi e pune të detyruar. Disa amnisti të përvitshme ndaj të burgosurve nuk kanë reduktuar numrin e tyre, që do të thotë se “armiq të rinj të popullit” kanë zëvendësuar të liruarit. Fshatarësia përbën shumicën e popullsisë së vendit dhe gjithashtu elementin më aktiv antikomunist.
Arsyet kryesore të pakënaqësisë së fshatarësisë janë taksat shtypëse, kuotat e detyrueshme të dorëzimeve ushqimore, huat e detyrueshme shtetërore, presioni i kolektivizimit dhe terrori policor. Kryesisht prej kundërshtimit të fshatarësisë, vetëm 16 për qind e tokave të punueshme janë kolektivizuar deri tani. Fshatarët e varfër dhe pa tokë në zonat qendrore dhe jugore, fillimisht përfituan nga reforma agrare e viteve 1945-1946, por zhgënjimi ishte i shpejtë. Fshatarët individualistë dhe krenarë për të kaluarën e tyre, janë indiferentë ndaj ideologjisë komuniste.
Antagonizmi i tyre është një nga arsyet e besueshmërisë së ulët të forcave të armatosura dhe të forcës punëtore industriale, një pjesë e konsiderueshme të cilëve vijnë nga fshatarësia. Të rinjtë shqiptarë, si ata nga fshati dhe nga qyteti tradicionalisht i janë bashkuar lëvizjeve çlirimtare gjatë pushtimit gjerman e italian, ndërsa komunistët, duke e maskuar veten si çlirimtarë të vendit, kanë arritur të joshin një pjesë të të rinjve.
Por prej viteve 1950 propaganda komuniste ka humbur influencën e saj për arsye të pabarazisë ekonomike, punës vullnetare, gjendjes së keqe ekonomike dhe imponimit të ideologjisë së huaj sovjetike. Ushtria shqiptare nuk mund të konsiderohet e besueshme ndaj regjimit dhe njësitë e saj nuk janë përdorur kurrë për eliminimin e lëvizjeve guerile.
Për këto është përdorur vetëm policia fanatike e Sigurimit të Shtetit, e cila përbëhet nga ushtarë e oficerë që u ngritën në përgjegjësi gjatë kohës së luftë partizane. Këto grupe mbështeten nga një rrjet i gjerë informatorësh të vendosur në çdo fshat, të cilët janë një nga shtyllat e sigurisë së pushtetit shqiptar, dhe kanë parandaluar grupet anti-komuniste në rrëzimin me forcë të qeverisë së Tiranës.
Intelektualët dhe kleri përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të rezistencës ndaj regjimit shqiptar. Ata kanë qenë gjithashtu pjesë e luftës çlirimtare dhe ndihmuan në ardhjen e komunizmit në pushtet. Balli Kombëtar është grupi më fuqishëm anti-komunist dhe është krijuar gjatë kohës së Luftës nga elementë demokratikë.
Shumë nga intelektualët e tyre janë larguar nga vendi, janë burgosur ose ekzekutuar për ardhjes së komunistëve në pushtet. Ndërsa kleri, veçanërisht ai katolik ka refuzuar regjimin, përkundër liderëve myslimanë dhe ortodoksë të cilët janë nënshtruar nga regjimi dhe mbajnë linjën e tij.
Forca e rezistencës
Ka prova se shqiptarët nuk e kanë humbur shpresën e një çlirimi të mundshëm teksa raportohen disa akte të izoluara rezistence të hapur. Por shtimi i terrorit dhe brutalitetit të policisë e ka reduktuar rezistencën aktive gjatë viteve të fundit. Në përgjithësi Sigurimi ka qenë i suksesshëm në zbulimin dhe shkatërrimin e guerilasve, të cilët gjithsesi janë të shpërndarë dhe pakoordinuar, duke operuar kryesisht në zonat të largëta malore.
Arratisjet në Greqi e Jugosllavi dhe rezistenca pasive janë tashmë format e mbetura për opozicionin ndaj regjimit. Me gjithë mbikëqyrjen e policisë rezistenca pasive në bujqësi dhe industri shfaqet në formën e pengesës së punës së teknikëve sovjetikë, dëmtimet e makinerive, sabotimi i cilësisë së mallrave të prodhuara dhe mangësitë në normat e punës.
Situata në Shqipëri ndryshon nga ajo në vendet e tjera satelite sovjetike, pasi rezistenca kryesore kryhet nga grupet e emigracionit në Greqi, Jugosllavi dhe Itali. Katër janë grupet kryesore të emigrantëve në Perëndim; “Balli Kombëtar”, “Lëvizja e Legalitetit” e afërt me ish-Mbretin Zog, një grup individësh jopartiakë dhe “Blloku Kombëtar Indipendent” i përbërë me ish-kolaboracionistë të fashistëve.
Tre të parët janë lidhur me Komitetin Kombëtar të “Shqipërisë së Lirë” me qendër në SHBA-ës. Bashkimi i këtyre degëve i dha rezistencës më shumë fuqi dhe përfitimin e mbështetjes morale e financiare nga fuqitë perëndimore. Por në vitin 1953 kur “Blloku Kombëtar Indipendent” dhe disa individë të tjerë u bashkuan në Komitet, disa anëtarë të majtë të “Ballit Kombëtar” i larguan për të krijuar një parti të veçantë.
Ka pasur disa kontakte mes grupeve të rezistencës në Shqipëri dhe Komiteti të ekzilit dhe shumica e grupeve në jug të Shqipërisë, e kanë identifikuar veten me Komitetin. Me gjithë kontradiktat personale dhe politike mes anëtarëve të grupeve të emigracionit, ato duket se janë më të organizuar se në vende të tjera satelite sovjetike.
Ekziston gjithashtu Lidhja Jugosllave e Refugjatëve Shqiptarë, e cila ka avantazhin e të qenit më afër Shqipërisë se grupet e tjera të emigracionit. Kjo e fundit kontakton me elemente të rezistencës me kalime kufitare dhe ka ndoshta aktivitetin më të madh në Shqipëri ndër vendet Perëndimore. Por pas normalizimit të marrëdhënieve të Jugosllavisë me Bllokun sovjetik aktivitetet e grupit janë reduktuar në mënyrë drastike.
Potenciali i rezistencës
Grupet e izoluara të rezistencës vazhdojnë të marrin vëmendjen e forcave vendase të sigurimit si dhe të shkaktojnë dëme sporadike në fushat e komunikimeve apo transportit. Por masat e sigurisë së regjimit e bëjnë thuajse të pamundur organizimin e guerilasve në shkallë kombëtare apo qendrore. Këto grupe kanë gjithashtu mangësi në armatime e pajisje dhe llogaritet se gradualisht do të likuidohen prej regjimit. Gjithsesi në vend manifestohet një masë e gjerë rezistence pasive nga masat./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















