Nga Kastriot Dervishi
Memorie.al / Lufta e egër që Partia e Punës Shqipërisë me në krye diktatorin komunist Enver Hoxha, e cila i shpalli kafshëve të buta të oborrit kooperativist, nuk u ndal vetëm te kafshët të cilëve iu merrej mishi e nënproduktet, por edhe te kafshët që përdoreshin për punë. Në pjesën e fundit të diskutimeve të datës 4.11.1980, “shokët” e Byrosë Politike të Komitetit Qendror, vendosën fatin e derrit në fshat, si dhe u dhanë duart kafshëve të punës. Po ndërsa derri do tufëzohej “qyl”, partia mendonte se për kafshët e punës mund të jepte ndonjë kacidhe me këste (gjë e cila nuk ka funksionuar, sepse ose janë shitur shumë lire, ose janë “falur”).
Më parë të njëjtin fat kishin pësuar edhe qetë (kafshë pune për punimin e tokës me parmendë). Me këto vendime, përfundimisht, Partia e Punës e sovjetizoi tërësisht fshatarin. Pjesa e përzgjedhur më poshtë është diskutimi midis sekretarit të parë të Komitetit Qendror, Enver Hoxha dhe kryeministrit të vendit, Mehmet Shehu.
Siç shihet dhe nga dokumenti në fjalë me proces-verbalin e mbledhjes, diktatori komunist shprehet i penduar se si i ka lënë deri në atë kohë fshatarësinë kooperativiste, të mbijetonin me të ardhurat që i sillte oborri i shtëpisë.
Ekstrakt nga diskutimet në mbledhjen e Byrosë Politike, 4 nëntor 1980
SHOKU ENVER HOXHA: Një tjetër çështje që duhet të kemi parasysh është që oborri kooperativist të mos mbajë më derr.
SHOKU MEHMET SHEHU: Dakord, të mos mbajë as derr.
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk ka mundësi ta mbajë derrin në oborrin e vet familja kooperativiste, se ky ka nevojë për koncentrat që ajo nuk ka t’ia japë. Në qoftë se duhen mbajtur derra, kjo t’u vihet detyrë kooperativave t’i mbajnë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Janë fshatarët me popullsi të besimit ish- katolik, që kërkojnë të mbajnë sot nga një derr.
SHOKU ENVER HOXHA: Le të kërkojnë, s’ka katolikë më te ne (të qeshura). Mishin e derrit e ha sot edhe ish myslimani që ç’ke me të (të qeshura). Pra, derr nuk duhet të lejohet të mbajë oborri.
Edhe kafshët e ngarkesës kalë, mushkë ose gomar, në asnjë mënyrë nuk duhet t’ia lejojmë të mbajë oborri kooperativist, për arsye se këto kanë nevojë për tërshërë, për bar, për kashtë misri.
Interesant si e kemi lejuar një gjë të tillë? Po ja që e kemi lejuar dhe natyrisht kemi bërë gabim, por në atë kohë ato edhe na duheshin. Ç’të bëjmë tani me këto kafshë të oborreve? Ato nuk mund t’ua marrim pronarëve të tyre, por e vetmja rrugë është të bëjmë kolektivizimin e tyre në kooperativë. Tani të vendosim se si do ta bëjmë këtë kolektivizim, si t’ua marrim atyre që i kanë?
SHOKU MEHMET SHEHU: Të veprojmë si me qetë shoku Enver. Edhe këta ne ua kemi marrë oborreve dhe vlerën e tyre ua kemi paguar, po me këste.
SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë t’ua kolektivizojmë dhe t’ua paguajmë vleftën me këste.
SHOKU MEHMET SHEHU: Dëme në këto kafshë mendoj nuk do kemi, se kur filluam të kolektivizojmë bagëtitë për mish e qumësht, shumë familje i therën një pjesë të tyre, kurse gomarin ose mushkën nuk e ther dot, se nuk e hanë. Edhe kalin po kështu, kurse lopën që e ka mund ta therë.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo, as lopën nuk do ta therë, mendoj unë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Megjithatë, ne nuk mendojmë të kalojmë në kolektivizim të lopëve, po në tufëzim të tyre, ndërsa në gomarë, mushka e kuaj duhet të kalojmë në kolektivizim.
Të bëjë thirrje partia, të kalojmë në kolektivizimin e kafshëve të ngarkesës dhe të marrë fund kjo punë.
Të kemi parasysh se kolektivizimi (i gomerëve, kuajve, mushkave etj-shënim), do të bëhet me pagesë, jo përnjëherë, po me këste, ashtu siç kemi kolektivizuar qetë./ Memorie.al













