Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e tretë
Memorie.al / Plot 36 vite më parë, në javën e fundit të shtatorit 1990, kreu i Shqipërisë komuniste të asaj kohe, Ramiz Alia, i cili mbante funksionet e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së e gjithashtu të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në krye të një delegacioni të madh, u nis për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Pjesëmarrja e Ramiz Alisë në sesionin e 45 të OKB-së, pati një jehonë të madhe asokohe, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare, pasi ishte hera e parë që një nga udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, merrte pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së, gjë e cila nuk kishte ndodhur që nga viti 1961, kur Tirana zyrtare u përfaqësua në atë forum të lartë të politikës dhe diplomacisë botërore, me kryeministrin e asaj kohe Mehmet Shehu.
Edhe pse kanë kaluar 36 vite nga ajo kohe, ende dhe sot vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, pasi me përjashtim të ndonjë dëshmie të pjesëtarëve të atij delegacioni (kujtimet e Reiz Mailes, apo Lisen Bashkurtit), si dhe fare pak dokumenteve arkivore të publikuara në shtyp, asgjë tjetër nuk dihet rreth vizitës së kreut të shtetit shqiptar të asaj kohe, Ramiz Alia, në sesionin e 45 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, i cili i zhvilloi punimet për rreth tre javë rresht, deri në mesin e muajit tetor 1990.
Si p.sh.; Kur filloi përgatitja dhe përpilimi i protokollit përkatës për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar në atë forum të lartë të politikë botërore, kush ishin pjesëtarët e tjerë të delegacionit që shoqëruan Ramiz Alinë në atë udhëtim të gjatë përtej Atlantikut dhe çfarë funksionesh mbanin ata; prej sa personash përbëhej stafi ndihmës që shoqëroi delegacionin shqiptar dhe cilët ishin ata?! Kur filloi përgatitja dhe çfarë përmbante programi i vizitave dhe takimeve të Ramiz Alisë gjatë gjithë periudhës që ata do të qëndronin në SHBA-ës? A u realizua i gjithë ai program sipas protokollit përkatës dhe cilët ishin krerët e delegacioneve të huaja që takoi Ramiz Alia gjatë gjithë ditëve të qëndrimit në SHBA-ës e, çfarë bisedoi ai me ta? Kush ishin shqiptarët e “mërgatës së vjetër”, me të cilët u takua kreu i Shqipërisë komuniste gjatë asaj vizite, çfarë u bisedua në ato takime dhe a pati incidente me “mërgatën reaksionare shqiptare”, të arratisur nga Shqipëria pas vitit 1945? Kush e organizoi pritjen që dha Ramiz Alia për bashkatdhetarët në Boston, cilët ishin disa nga eksponentët e mërgatës shqiptare që asistuan aty dhe si shkoi ai takim?
Cili ishte itinerari i udhëtimit të delegacionit shqiptar nga Tirana drejt SHBA-ës, përse u ndanë ata në disa grupe dhe arsyet e qëndrimit një natë në Zvicër? Përse ishte pjesë e delegacionit shqiptar, edhe Arben Alia, i biri i kreut të shtetit, Ramiz Alia dhe si u “justifikua” pjesëmarrja e tij në përbërje të delegacionit në fjalë? Sa dhe cilat ishin dhuratat që mori me vete delegacioni shqiptar me në krye Ramiz Alinë dhe kujt iu dhuruan ato në Zvicër e SHBA-ës? Përse u caktua Hotel “Plaza” (hoteli në pronësi të presidentit të sotëm të SHBA-ës, Donald Trump), për akomodimin e Ramiz Alisë dhe disa pjesëtarëve të tjerë të atij delegacioni? Sa kushtoi nga ana financiare e gjithë ajo vizitë, përse u shtuan fonde të tjera gjatë periudhës që delegacioni ndodhej në SHBA-ës dhe si u justifikuan ato shpenzime?
Përse stafi i diplomatëve shqiptarë që shërbenin në Misionin e OKB-së, u kujdesën që t’i jepnin Ramiz Alisë dhe një planimetri të saktë të sallës ku do mbahej sesioni i 45 i OKB-së, duke i përcaktuar edhe vendin ku do ulej përfaqësuesi kryesor i delegacionit të Republikës Federative të Jugosllavisë?! Kush ishin dy truprojat (mjeku dhe shoferi) që shoqëruan Ramiz Alinë gjatë gjithë asaj vizite dhe si u bë e mundur që ata të udhëtonin në avion me armatim dhe municion me vete? Cilët ishin pjesëtarët e grupit të xhirimit të Radio-Televizionit Shqiptar që shoqëruan delegacionin dhe çfarë detyrash iu dhanë atyre? Lidhur me këto etj., na njohin dokumentet arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROGRAMIN E HARTUAR NGA ZYRA E PROTOKOLLIT TË QEVERISË SHQIPTARE, LIDHUR ME PËRGATITJET E VIZITËS SË DELEGACIONIT TË KRYESUAR NGA RAMIZ ALIA NË ASAMBLENË E KOMBEVE TË BASHKUARA, NJU JORK, SHTATOR 1990
PROGRAM-PUNE LIDHUR ME VIZITËN E SHOKUT RAMIZ ALIA NE OKB DHE ZVICËR
- Lista e delegacionit t’i dërgohet Misionit në Nju Jork, me porosinë që të njoftohet Sekretariati i OKB-së.
- Të përgatitet plotfuqia e delegacionit.
- Të nënshkruhet plotfuqia, pasi t’i jete vënë stema.
- Të vuloset plotfuqia.
- Të nxirren pasaportat e anëtarëve të delegacionit dhe shokëve të tjerë.
- Të mblidhen fotografitë dhe gjeneralitetet e shokëve të delegacionit.
- Të dërgohen pasaportat ne Beograd, për vizën amerikane dhe atë zvicerane.
- Të merren pasaportat në Beograd.
- Të njoftohet shoku Petrit Bushati, se do të jetë në delegacion dhe të udhëzohet për marrjen e vizës amerikane në Vjenë.
- T’i behet njoftim Misionit në Nju Jork, që të ndërhyjë për akordimin e vizës amerikane për delegacionin në Beograd dhe për shokun Petrit Bushati në Vjenë.
- Të njoftohet Misioni Nju Jork që me letër të njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, se delegacionin tonë e kryeson shoku Ramiz Alia.
- Të udhëzohet Misioni lidhur me banimin e shokut Ramiz Alia në Nju Jork.
- Të njoftohet Misioni Nju Jork, për banimin e shokëve të tjerë të delegacionit.
- Të udhëzohet Misioni për të rikonfirmuar datën 15 (dhe pozicionin), kur do të mbahet fjalimi nga shoku Ramiz Alia në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
- Misioni të udhëzohet që të njoftojë Misionin amerikan atje, për vajtjen e shokut Ramiz në OKB, me qëllim që të marrin masat e nevojshme për sigurimin e tij.
- Udhëzim Misionit Nju Jork, për lëvizjet e shokut Ramiz Alia, me makinën “Limuzinë” që do të vihen në dispozicion nga amerikanët.
- T’u bëhet njoftim gjithë përfaqësive tona se delegacionin tonë në OKB, do ta kryesojë shoku Ramiz Alia.
- Të udhëzohet Misioni Nju Jork për organizimin e takimeve të shokut Ramiz Alia, me Sekretarin e Përgjithshëm, me Kryetarin e Asamblesë së Përgjithshme, me presidentët e Turqisë, Egjiptit, Tanzanisë, Zimbabves, Meksikës, Brazilit, Argjentinës (në se vjen), si dhe me kryeministrin e Japonisë, ministrin e Jashtëm sovjetik Shevarnaxe dhe ministrin e Jashtëm të RFGJ-së, Gensher. Takimet të caktohen për datat 26-30 shtator paradite. Misioni të na njoftoje datat e takimeve dhe gjithë aktiviteteve të tjera.
- Udhëzim ambasadës Bon, që nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të RFGJ-së, të vejë në dijeni Gensherin, për vizitën e shokut Ramiz në OKB.
- Udhëzim Misionit Nju Jork, që të organizojë takimet me ministrat e Punëve të Jashtme, me përjashtim të vendeve që do të takohen presidentet.
- Udhëzim Misionit Nju Jork, lidhur me takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve ballkanike dhe drekën që do të bëhen më 3 tetor 1990, në Misionin tonë.
- Njoftim Misionit Nju Jork e Gjenevë, i itinerarit të udhëtimit të shokut Ramiz nga Tirana në Zyrih e, pastaj në Nju Jork.
- Udhëzim Misionit Nju Jork, për udhëtimin e shokut Ramiz nga Nju Jorku në Boston, më 1 tetor 1990.
- Njoftim Misionit në Nju Jork, i listës së shokëve që do të udhëtojnë me shokun Ramiz, me avion, nga Nju Jorku në Boston.
- Njoftim Misionit Nju Jork, i listës së shokëve që do të udhëtojnë me shokun Ramiz, në kthim nga Bostoni në Zyrih, me… tetor.
- Njoftim i itinerarit të grupit që do të udhëtojë për Nju Jork, me 19 shtator 1990.
- Njoftim i itinerarit të grupit që do të udhëtojë për Nju Jork me 21 shtator 1990.
- Udhëzim Misionit Nju Jork, për pritjen që shoku Ramiz do të bëjë në Boston, me persona nga emigracioni i vjetër dhe ai kosovar. Të bisedohet me A. Athanasin. Shpenzimet do të jenë tonat.
- Të udhëzohet Misioni Nju Jork, që ditën që do të flasë në Asamble shoku Ramiz, në sallë të ketë edhe elementë patriotë shqiptarë, të ftuar nga Misioni ynë.
- Udhëzim Misionit Nju Jork, se në aeroport, shoku Ramiz mund të pritet edhe nga veprimtarë e drejtues të organizatës “Shqipëria e Lirë” e degës “Naim Frashëri”, si A. Athanas, Th. Laska e tjerë.
- Udhëzim Misionit për anën protokollare. Shoku Ramiz do të presë urime pas fjalimit në Asamble, ashtu siç veprohet edhe me presidentët e tjerë.
- T’i kërkohet Misionit Nju Jork, Kurrikulum – Vitae e kryetarit të ardhshëm të Asamblesë, ministrit të Punëve të Jashtme të Maltës.
- Të plotësohen formularët për Samitin e Fëmijëve dhe t’i dërgohen Misionit Nju Jork, me porosinë që t’ia përcjellë OKB-së.
– Me shokun Mikel t’i dërgohen Misionit formularët si dhe 4-5 fotografi të gjithë shokëve
- Të porositen 5 dosje në ambasadën tonë në Itali.
- Të merren dosjet e porositura.
- Të bëhet konfirmimi i biletave të udhëtimit sipas grupeve nga përfaqësitë tona në vendet ku do të kalohet tranzit.
- Të përgatiten dhuratat, pijet dhe cigaret që do të merren nga Presidiumi (në arka te mira).
Dhuratat për ne Zvicer.
- Të përgatiten dhuratat dhe pijet që do të merren nga MPJ.
- Të merret valuta për shpenzimet, në çeqe me vlere nga MPJ ose me transferim fondesh, nëpërmjet Bankës.
- Të merret valuta për shpenzimet, në çeqe me vlerë nga Presidiumi, ose me transferim fondesh nëpërmjet Bankës.
– Të merren fonde rezervë nga MPJ dhe nga Presidiumi.
– Delegacioni, në hotel, do të hajë me fatura.
– Delegacioni të pajiset me pare xhepi, që këtu.
- Të përgatitet dosja me materialet e Samitit për Fëmijët.
– Të përkthehen dokumentet kryesore
- Të përgatitet një projekt fjalim për fëmijët.
- Të përgatitet dosja për takimet e shokut Ramiz Alia – në SHBA – në Zvicër.
- Të përgatitet dosja për takimet e shokut Reis Malile me ministrat e Punëve të Jashtme.
- Të përgatitet dosja për takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të KSBE-së.
- Të përgatitet dosja e fjalimeve për në Asamble e në Komisione.
- Të përgatitet një projekt-rezolutë për Bashkëpunimin Balkanik që mund të paraqitet nga ne.
- Të përgatiten dosjet për probleme të veçanta, si për Kosovë, të drejtat e njeriut etj.
- Të përgatitet posta që do të merret për në Mision.
- Të formulohet dëshmia e mbajtjes së armëve e fishekëve nga shoqëruesit e shokut Ramiz, të firmoset e vuloset.
- Misionit Gjenevë t’i jepen udhëzime për pritjen e delegacionit gjatë kalimit tranzit për në Nju Jork.
– Per hotelet, sigurimin, etj., (apartament për shokun Ramiz).
- Misionit Gjenevë t’i jepen udhëzime për pritjen e delegacionit në kthim dhe qëndrimin në Zvicër, si dhe takimet e mundshme.
- Të përgatitet biografia e shokut Ramiz Alia, që mund t’u jepet OKB-së e gazetarëve.
- Të përgatiten fotografi zyrtare të shokut Ramiz, që mund të shpërndahen.
– Te përgatiten kartvizitat e shokut Ramiz (anglisht-frëngjisht).
- Të përgatitet një artikull për gazetën “Zëri i popullit”, lidhur me veprimtarinë e OKB-së që nga sesioni i kaluar dhe problemet që do të trajtohen në këtë sesion.
- Të njoftohet Misioni Nju Jork, që shoku Dasho të vihet në dispozicion në hotel, për delegacionin.
- Të njoftohet Misioni në Gjenevë, që për shokun Ramiz të rezervohet një apartament me dy dhoma për datën 24 shtator. Në qoftë se Swissair nuk e siguron apartamentin me shpenzimet e veta, diferenca të paguhet nga pala jonë.
- Të njoftohet Misioni ynë në Nju Jork që fjalimi i shokut Ramiz në OKB në 28 shtator, të regjistrohet, të përgatitet në videokasetë dhe të bëhen fotografi.
- Shoku Alfons, Gazmir e Mikel, të bëjnë fotografi të delegacionit gjatë qëndrimit në SHBA dhe Zvicër.
- Të përgatiten njoftimet për shtyp për:
– Nisjen e delegacionit
– Takimet e shokut Ramiz
– Fjalimin e shokut Ramiz në OKB, me 28 shtator 1990
– Fjalimin e shokut Ramiz në Samitin e Fëmijëve
– Pritjen me shqiptarët në Boston
– Vizitën dhe takimet në Zvicër
– Takimet e shokut Reis
– Fjalimet e tjerë në OKB e në Komisione
– Kronika për TV
- Njoftime te shkurtra për lëvizjet e delegacionit.
DOKUMENTI ARKIVOR I ZYRËS SË PROTOKOLLIT TË OKB, ME PROGRAMIN E VIZITËS SË KRYETARIT TË SHTETIT SHQIPTAR, RAMIZ ALIA, NË SELINË E KOMBEVE TË BASHKUARA NË NJU JORK
Zyra e Protokollit dhe e Ndërlidhjes e OKB-së
PROGRAMI I VIZITËS SË SHKËLQESISË SË TIJ, ZOTIT RAMIZ ALIA,
KRYETAR I PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË NË SELINË E KOMBEVE TË BASHKUARA
E Premte, 28 shtator 1990
Ora 9.50 – Shkëlqesia e tij, z. Ramiz Alia, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPS të Shqipërisë, mbërrin së bashku me anëtarët e grupit të tij tek hyrja e Delegatës, ku pritet nga Sekretari i Përgjithshëm.
Vizita filmohet nga media.
Shkëlqesia e Tij, presidenti, shoqërohet nga Sekretari i Përgjithshëm dhe shefi i Protokollit për në katin e dytë, duke përdorur një ashensor të posaçëm dhe prej aty përmes ASP-200, vazhdon për tek zyra e Sekretarit të Përgjithshëm.
Vizita do të filmohet nga mjetet e informacionit.
Shkëlqesia e Tij, presidenti, bisedon me Sekretarin e Përgjithshëm në Zyrën e tij.
Shkëlqesia e Tij, presidenti, do t’i bëjë një vizitë kortezie presidentit të Asamblesë së Përgjithshëm në zyrën e tij në AP-200.
Me ftesë të presidentit të Asamblesë, Shkëlqesia e Tij, presidenti, i shoqëruar nga shefi i Protokollit, futet në sallën e Asamblesë së Përgjithshme dhe ulet në karrigen e kryetarëve te shteteve.
Shkëlqesia e Tij, presidenti, mban fjalën në Asamblenë e Përgjithshme.
Pas fjalimit, Shkëlqesia e Tij, presidenti, i shoqëruar nga presidenti i Asamblesë së Përgjithshme dhe Sekretari i Përgjithshëm, si dhe nga shefi i Protokollit, shkojnë në AP-200.
Në këtë pikë, presidenti i Asamblesë së Përgjithshme dhe Sekretari i Përgjithshëm i kërkojnë leje Shkelqesisë së Tij, presidentit.
Shkëlqesia e Tij, Presidenti, i shoqëruar nga shefi i Protokollit, vazhdon për në Sallën Perëndimore, ku do të përshëndetet nga kryetarët e delegacioneve dhe përfaqësuesit e përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara.
Shkëlqesia e Tij, presidenti, i shoqëruar nga shefi i Protokollit, zbret në katin e parë me anë të një ashensori të posaçëm dhe largohet nga Selia e Kombeve të Bashkuara, tek porta e Delegatëve.
Ora 20.15 – Shkëlqesia e Tij, presidenti, arrin së bashku me anëtarët e grupit të tij tek porta e Delegatës, ku pritet nga shefi i Protokollit.
Shkëlqesia e Tij, presidenti, i shoqëruar nga shefi i Protokollit, ngjiten në katin e dytë me anë të një ashensori të posaçëm dhe shkojnë drejt sallës Perëndimore, për t’u bashkuar me kryetaret e tjerë të shteteve dhe qeverive, të cilët do të marrin pjesë në darkën që jepet për nder të tyre nga Sekretari i Përgjithshëm.
Shkëlqesia e Tij, presidenti, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe shefi i Protokollit, kalojnë për në sallën Veriore.
Ora 20.30 – Shërbehet darka.
Ora 21.50 – Përfundon darka.
Shkëlqesia e tij, presidenti, i shoqëruar nga Protokolli, zbret në katin e parë me anën e një ashensori të posaçëm dhe largohet nga Selia e Kombeve të Bashkuara, tek porta e Delegatës.
PROGRAMI TENTATIVË I VIZITAVE TE LIRA TE PRESIDENTIT NE QYTETIN E NJU JORKUT
26.9.1990
Vizitë në Muzeun Metropolitan = Ora 10.00 deri me 12.00 pm
Vizitë në Rockfeler Center = Ora 5.00 deri me 6.30 PM
28.9.1990
Vizitë Lincoln Center = Ora 5.00 PM deri me 6.00 PM
- 29.9.1990
Vizitë në Qendrën Tregtare Botërore dhe në Parkun Bateri = 11.45-13.00 PM
Vizitë e përgjithshme turistike nëpër qytet = Do të bëhet gjatë kohës së lirë, midis seancave të takimeve dhe atyre të Sumitit të Fëmijëve.
P R O G R A M I
I TAKIMEVE DHE I VIZITAVE TE SHOKUT RAMIZ ALIA
E Mërkurë, 26 shtator 1990
Ora 10.00 – Takim me afaristin e njohur amerikan, Armand Hammer.
Ora 11.00 – Vizitë në Muzeun Metropolitan.
Ora – Vizitë nëpër qytet.
E Enjte, 27 shtator 1990.
Ora – Vizita nëpër qytet.
Ora 15.30 – Takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik në Hotel “Plaza”.
Ora 18.00 – Takim me presidentin e Turqisë në Hotel “Peninsula”.
E premte, 28 shtator 1990
Ora 9.50 – Mbërritja ne OKB
Ora 9.55 – Takim me Kryetarin e Asamblesë se Përgjithshme te OKB-se.
Pas fjalimit, takim me Sekretarin e Përgjithshëm te OKB-se De Kuelar.
Ora 16.00 – Takim me presidentin e Rumanisë në Hotel “Plaza”.
Ora 20.15 – Mbërritja në OKB për darkën që jep Sekretari i Përgjithshëm.
Ora 20.30 – Darka
Ora 21.50 – Përfundon Darka
E shtunë, 29 shtator 1990
Ora 10.00 – Takim me kryeministrin e Finlandës në Hotel “Plaza”.
Ora 11.30 – Takim me presidentin e Tanzianian në Hotelin “Intercontinental”.
- Shënim: Për programin e takimit të nivelit të lartë për Fëmijët, është fletë e veçantë. (Datë 29 shtator – 1 tetor 1990).
- Shënim: Presim konfirmime për takimet me:
Presidentin e Zimbabvesë
Presidentin e Argjentinës
Presidentin e Brazilit
Kryeministrin e Japonisë
Kryeministrin e Italisë
Ministrin e Punëve të Jashtme të Kinës
Presidentin e Bullgarisë
III. Shënim: Programi për në Boston, është në fletë të veçantë. (1 tetor 1990)/ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm






















