Pjesa e njëzetenjë
Memorie.al / CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të de klasifikuara tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti. Po kështu një vend të veçantë në dokumentet që CIA ka de-klasifikuar, janë edhe ato ku flitet për emigrantët politikë shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë të inkuadruar në Komitetin e Prizrenit e kryesuar fillimisht prej Apostol Tanefit dhe nën presionet e UDB-së, që i rekruton me masa shtrënguese., siç është kthimi në Shqipëri, etj.
Korrik 1977
Mbështetja për Tiranën
Moska duket se kërkon të shfrytëzojë polemikat me Shqipërisë dhe Kinës për avantazhin e saj, teksa është duke u përpjekur të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me Pekinin. Në një lëvizje të paprecedentë të shtunën, e përditshme sovjetike “Pravda” shkruante në favor të argumenteve të “Zërit të Popullit”, duke e quajtur si reaksionare dhe anti-marksiste teorinë kineze të “tre botëve”. Radio-Moska mbështeti komentin e “Pravdës” me një koment. Me qëllim avancimin e propagandës së vjetër të Moskës për vetë-izolimin e Pekinit, “Pravda” sinjalizonte gjithashtu se më në fund Shqipëria kishte vendosur të mos ndiqte më Pekinin.
Sulmi i “Zërit të Popullit” u prit mirë nga udhëheqja sovjetike pasi shumica e argumenteve shqiptare kundër teorisë së “tre botëve”, përshtaten me atë që sovjetikët kanë thënë prej kohësh për parimet kryesore të politikës së jashtme të Kinës. Ambasadori amerikan në Moskë beson se sovjetikët po kryejnë tashmë lëvizjet e tyre private me anë të kanaleve diplomatike, për të parë nëse Shqipëria është e hapur ndaj një ribashkimi me Moskën. Por duke parë qëndrimin e papërkulshëm ideologjik të shqiptarëve, nuk ka shumë gjasa që Tirana të pranojë qasje të tilla, të paktën për momentin.
Nik Sokoli dhe Cafo Bej Ulqini
Nik Sokoli vjen nga Merturi në rajonin e Dukagjinit. Ai është një njeri i guximshëm, me reputacion të mirë, dhe anëtar i klanit të Mark Tunxhit, që sipas raportimeve drejton një grup rezistence anti-komuniste në veriun malor të Shqipërisë. Sokoli besohet se është një ndërmjetës mes Tunxhit dhe autoriteteve jugosllave. Sipas raportimeve Sokoli është përkrahës i komunizmit titist, por lajmet nuk duhet të konsiderohen të sigurta. Cafo Bej Ulqini ka lindur në Ulqin dhe është lider i njohur mysliman në rajonet e Ulqinit dhe Tivarit.
Ai ka influencë në të gjithë Kosovën dhe drejton disa shoqata fetare myslimane. Nga viti 1941 deri në 1944, Ulqini ka qenë deputet në parlamentin shqiptar ndërsa gjatë kohës së pushtimit gjerman ka shërbyer si anëtar i Këshillit Mbretëror. Pas largimit të ushtrisë gjermane, Cafo beg Ulqini ndiqej nga komunistët dhe u largua drejt Malit të Zi në 1944, ku u strehua nga mbështetësit besnikë, deri në prishjen e Titos me vendet sovjetike. Ai konsiderohet si një shqiptar besnik dhe rrjedhimisht është antagonist me Gani Bej Kryeziun. Nuk ka sinjalizime që tregojnë se komitetet e drejtuara nga Sokoli dhe Ulqini, të kenë lidhje Bllokun Kombëtar Indipendet.
Organizimi i Postave, Telegraf-Telefonit
Çdo qendër rajonale në Shqipëri ka zyrën e saj të postave PTT-ve, e cila varet nga zyra qendrore e PTT-së në Tiranë. Në Tiranë ka tre pika postare për secilën nga zonat e saj administrative, që zakonisht përbëhen nga seksioni i letrave ordinere, i letrave rekomande, i letrave jashtë shtetit, seksioni i kolive dhe i pagesave me dërgesë marrjeje. Zyrat kanë gjithashtu seksionet e telegrameve dhe të kabinave të telefonit. Shpërndarja e brendshme e postës së shkruar bëhet me anë të postierëve, të cilët mbajnë uniforma gri, të stilit ushtarak.
Postieri i mban letrat në një çantë krahu dhe nganjëherë përdor biçikletë sovjetike. Në lokalitet e vogla posta shpërndahet dhe nga policët e zonës. Në Tiranë dhe qendrat e tjera të mëdha posta shpërndahet çdo ditë, kurse në lokalitete një herë në javë. Meqenëse ka vetëm një hekurudhë, edhe posta dërgohet me tren nga Tirana në Durrës, Elbasan. Nganjëherë postierët përdorin dhe kuaj, siç ndodh në fshatra ku mungojnë rrugët e shtruara. Vonesat në dërgesat e postës shkaktohen nga adresat e gabuara dhe kushtet e motit.
Për shembull një letër nga Tirana në Kukës duhet të shkojë normalisht për gjashtë-shtatë ditë, ndërsa një letër nga Tirana në fshatin Letaj të Kukësit, gjatë sezonit dimëror të dëborës, mund të kërkojë tre muaj. Në kryeqytet dhe qytetet kryesore ka kuti poste ku qytetarët hedhin letrat që kanë për të dërguar, nga të cilat posta mblidhet çdo 24 orë. Pullat e postës për letrat shiten në zyrat postare dhe kushtojnë 2.50 lekë. Ka gjithashtu shërbime të dërgimit të kolive dhe urdhrash postarë për dërgime pagesash. Për dërgimin e letrave nuk kërkohen formalitete të shumta përveç emrit të dërguesit dhe marrësit në zarf.
Por postën jashtë shtetit letra ose kolia duhet të dorëzohen drejtpërdrejt te punonjësi i postës, por dërguesi nuk ka nevojë të identifikohet. Sipas informacioneve tona nuk besohet se ka censurë të posaçme për korrespondencën, pasi populli i ka të qartë se çdo gjë e dyshimtë mund të komprometojë dhe t’i sjellë telashe me autoritetet. Sigurimi i Shtetit mund të kontrollojë letrat e dyshueshme dhe mund t’i censurojë ato duke mos i dërguar në adresë. Telegramet e dërguara brenda Shqipërisë kalohen te i adresuari brenda 24 orëve, ndërsa telegramet e konsideruara të rëndësishme dërgohen pa vonesa në çdo orë të ditës ose të natës.
Mars 1949
Fjalimi i Tuk Jakovës në kongres
Në Kongresin e parë të Partisë Komuniste të mbajtur në Tiranë në nëntor 1949, drejtori i aktiviteteve të organizimit dhe rekrutimit Tuk Jakova, foli për Byronë Politike. Një pjesë e fjalës së tij ishte një vlerësim i sinqertë i progresit të punës së partisë në Shqipëri: “Gjatë Luftës Nacional-çlirimtare në partinë tonë u dalluan disa degëzime por pas çlirimit partia i hapi dyert e saj për të zgjeruar anëtarësinë. Por kjo politikë lejoi që në parti të hynin jo vetëm persona të bindur dhe besnikë, por dhe elementë karrieristë e të pashëndetshëm siç mund të jenë ish-anëtarë të Ballit Kombëtar apo kolaboracionistë, që e kanë maskuar vetën duke u infiltruar mes radhëve të ushtrisë çlirimtare.
Siç kemi thënë më sipër, në nëntor 1944 partia jonë kishte 2.800 anëtarë, plus një numër të madh simpatizantësh. Prej nëntorit 1944 deri në nëntor 1945, partia rekrutoi edhe 7.758 anëtarë të tjerë. Gjatë vitit 1946, 2031 anëtarë u rekrutuan dhe 3760 kandidatë. Ndërsa në vitin 1947 rreth 9000 anëtarë të tjerë. Këto shifra tregojnë qartë sesi pas çlirimit dyert e partisë u hapën krejtësisht. Gjatë viteve 1947 e 1948, numri total i anëtarëve pësoi rënie, por me gjithë arritjen e objektivave numerikë duhet theksuar se numri i grave të rekrutuara është i vogël, pak më shumë se 900.
Mungesa e politikave të qarta, e një kushtetute të partisë, si dhe mungesa e kontrollit ndaj organizatave vartëse, ka bërë që rekrutimi të mos arrijë standardet e kërkuara. Theksi është vënë më shumë mbi sasinë sesa në cilësinë e rekrutimeve, prandaj në disa raste rekrutimi ka qenë i mangët. Në rrethin e Tiranës gjatë kësaj periudhe rreth 20 për qind e të rekrutuarve rezultuan që ishin fanatikë fetarë dhe supersticiozë që agjëronin gjatë ramazanit. Elementë fanatikë ka pasur gjithashtu në komitetet e rretheve, si për shembull në Shkodër, Shijak dhe Himarë, ku janë pranuar në parti persona me ide diametralisht të kundërta me ato të partisë dhe rrjedhimisht të linjë të afërt me forcat reaksionare.
Ka pasur gjithashtu raste anëtarësimi me detyrim apo pa dijeninë e personave, si dhe të personave që nuk kanë marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e partisë, para apo pas anëtarësimit. Por shtimi i numrit të anëtarëve gjatë viteve të fundit ka ndihmuar gjithsesi në rritjen e autoritetit të organizatave të partisë, si në zonat qendrore të punës e prodhimit dhe në rajonet. Nga fundi i vitit 1945, ne kishim organizata lokale në të gjitha komunat jugore të Gjirokastrës e Korçës, ndërsa në Shqipërinë qendrore dhe veriore, partia ishte ende e dobët.
Në vitin 1945 u krijuan pesë qendra lokale partie në rajonin prodhues të Kuçovës, si dhe nga një në fabrikat e Elbasanit, Korçës, Shkodrës. Si rezultat i rekrutimeve të këtyre viteve është i dallueshëm përmirësimi në përbërjen shoqërore të partisë. Rreth 22 për qind e anëtarëve janë punëtorë, 54 për qind janë fshatarë të varfër, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga studentë, artizanë etj. sot partia ka 29.137 anëtarë dhe 16.254 kandidatë për anëtarësim, që në total janë 45.382 vetë pra rreth 4 për qind e gjithë popullsisë së Shqipërisë”.
Gusht 1951
Kampe përqendrimi, Gazeta “Flamuri”, Romë
Gjatë pranverës së vitit 1948, kishte rreth 1.200 të burgosur në kampin e të internuarve në Vloçisht të Korçës. Shpeshherë vendi quhet “Kamp i vdekjes”. Thuajse të gjithë të burgosurit janë për arsye politike dhe duhet të punojnë në kushte çnjerëzore në hapjen e kanalit të liqenit të Dunaçev. Një numër i madh të burgosurish kanë vdekur, duke përfshirë dhe At Josif Pipa Mihali, kreun e Kishës Katolike të Korçës; avokatin Baba Qazimi, kolonelin Sulejman Vuçiterni dhe shumë intelektualë apo tregtarë të internuar.
Një ish-i burgosur i kampit të Vloçishtit thotë se në vitin 1948 aty kanë vdekur më shumë se 130 njerëz. Ai thotë: “Komandanti i kampit ishte Tasi Marko i cili ishte një mjeshtër i tillë brutaliteti, saqë më vonë u ngrit në detyrë duke u transferuar në kampin e Pojanit. Më vonë ai u bë lejtnant policie”. Ka kampe pune të detyruar gjithashtu në Beden të Kavajës, në Kamëz të Tiranës dhe në Tepelenë.
Gazeta “Atdheu”, Romë, “Puna skllavërore në kënetën e Maliqit”
Puna për bonifikimin e tokave të kënetës së Maliqit ka nisur që në vitin 1946 dhe ka vazhduar prej atëherë. Forca punëtore përbëhet nga një numër i vogël punonjësish që paguhen 70 lekë në ditë, disa punëtorë vullnetarë dhe një numër i madh skllevërish që janë të burgosur politikë, kryesisht të afërm të njerëzve që janë arratisur nga vendi. Për projektin e punës në Maliq janë ngritur kampe pune me të internuar në Maliq (1946-1947), Vloçisht (1948), Rembec (1948-1949), dhe kampi i Pojanit në 1950.
Shkurt 1953
Gazeta “Flamuri i Lirisë”
Kampi i përqendrimit të Kamzës në verilindje të Tiranës, është zhvendosur në rrethin e Elbasanit, pranë kooperativës së Cërrikut. Rreth 500 të burgosurit e këtij kampi, ashtu si dhe në fermën e Kamzës, mbahen në kamp pa kushtet minimale të jetesës si ushqim dhe veshje. Kampi gjendet në mes të një fushe dhe përbëhet nga dy kazerma të drunjta pa mbrojtje nga i ftohti dhe shiu. Uji futet nëpër çatitë e barakave, të cilat janë prej druri të vjetër e të kalbur. Të paktën 80 për qind e të burgosurve janë të prekur nga tuberkulozi dhe pneumonia. Vdekshmëria është më e lartë mes fëmijëve.
Ushqimi është shumë i keq. Punonjësit marrin rreth 600-700 gramë bukë në ditë, të përzier me drithëra të ndryshme si thekër, elb, etj. Dita e punës së të burgosurve është e lodhshme dhe ata detyrohen të punojnë edhe të dielën për të plotësuar normat. Normat ditore janë llogaritur të plotësohen për 8 orë, por të burgosurve shpeshherë u duhet të punojnë deri në 14 orë për të plotësuar detyrimet. Gratë duhet të punojnë njësoj si burrat, ndërsa dënime të ashpra jepen për mosplotësimin e normave. Nganjëherë grave u jepet detyra më e “lehtë”, ajo e mbledhjes së druve të zjarrit.
Por kjo është po aq e vështirë pasi ato duhet të udhëtojnë 3-4 kilometra larg dhe të kthehen me drutë në kurriz. Nëse dikush refuzon detyrën, drejtuesit e kampit i dënojnë me burgim të vetmuar dhe me ndalim të ushqimit e ujit për 12, 36, ose 42 orë. Një pjesë e drurit të mbledhur përdoret nga të burgosurit e kampit, por shumica e tij shkon për dhomat e oficerëve dhe policisë. Drejtori i kampit është lejtnant Zeman Saliaj nga Gjirokastra, i cili ndiqet nga lejtnant Ahmeti nga Tepelena, që punon në zyrën e informacionit, Marko Hoçishti dhe rreshteri analfabet, Dule Hyseni.
Më 30 gusht 1952 nga ky kamp u arratisën drejt Jugosllavisë personat e mëposhtëm, të cilët dhanë detajet përshkruese të kampit: 20 vjeçari Halit Mulla Qamili, nga Cangonja e Korçës; Sami Licolli 32 vjeç nga Kuçi i Zi, Korçë; Azem Berdo Laze, 19 vjeç nga Dukati i Vlorës; dhe Harry Beneli nga Gjermania Perëndimore, i burgosur lufte, i internuar prej vitit 1944 në kampin e Kamzës./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















