Nga Eugen Shehu
Memorie.al / E lënë diku, në periferinë e përgjumur të memories, mbyllur diku, në sirtarët e errët të historiografisë komuniste gjysmëshekullore, figura e Aqif Pashë Elbasanit, nuk mund të humbte shkëlqimin e vet si një ndër më të shquarit e krejt historisë së kombit tonë. Në shtjellat me zbatica e batica të historisë, në çastet vendimtare të vetë ekzistencës, populli ynë e thirri këtë figurë, e dëgjoi zemrën e tij, ndjeu fuqinë e atdhetarisë së tij, i vajti pas jo duke e brohoritur, por duke bashkuar pushkët me pushkën e mendimit të vet atdhetar.
Tani që “ëndrra” komuniste u kthye në një zhgënjim të paparë për krejt kombin tonë, tani që kemi në duar fakte të pakundërshtueshme historike dhe jetësore, tani që më tepër se kurrë po i vëmë pa ndrojtje së vërtetës, e kemi shumë të lehtë të kuptojmë pse u la në harresë Aqif Pashë Elbasani, ky trim i fjalës dhe i veprimit atdhetar, ky pionier deri në fund të jetës i bashkimit të trojeve arbërore shqiptare, nën një administrim të vetëm.
Pa hyrë në hollësitë e edukimit të ndjenjave të tij kombëtare, mund të them se ka qenë në fillim të shekullit ndër atdhetarët e Elbasanit që u përpoqën aq shumë lidhur me zgjidhjen e halleve të bashkëqytetarëve të tyre. Ndikimeve të ashpra greke e sllave, synimeve dhelparak të tyre, Aqifi u është përgjigjur kurdoherë me maturi dhe trimëri, duke dëshmuar përpos trimërisë edhe erudicionin në shtruarjen dhe interpretimin e fakteve historike me fqinjët tanë lakmitarë.
Është tepër e kuptueshme për të gjithë se titullin Pasha, Sulltani nuk mund t’ia jepte kujtdo. Por Turqia ka parë në karakterin e Aqif Elbasanit të gjitha virtytet dhe cilësitë dhe për më tepër ndershmërinë e tij. Sidoqoftë, ajo çka është e dukshme në krejt veprën e atdhetarit elbasanas, dashuria për atdheun, nuk mund të komprometohej për asnjë çast prej nderesh që mund t’i bënte Porta e Lartë.
Në prag të shpalljes së pavarësisë, në nëntorin e turbulluar të vitit 1912, Aqif Pashë Elbasani, duke gëzuar një reputacion të kënaqshëm, jo vetëm në qytet, por edhe në krejt rrethinat prej Librazhdit e deri në Peqin, kryente detyrën e prefektit. Së bashku me prefektin e Beratit, Azis Vrionin, ky do të organizojë reparte vullnetare speciale të përgatitura si për t’u bërë ballë invazioneve serbe, ashtu edhe për të përkrahur udhëheqësit e lëvizjes kombëtare për pavarësi.
Janë të njohura tashmë letërkëmbimet e Aqif Pashë Elbasanit me Ismail Qemalin, i cili një herë pat deklaruar se: “pa ndihmën e Aqifit, nuk mund të kuptohej siguria ime në Vlorë”. Në krye të atdhetarëve që firmosën pavarësinë dhe i dërguan telegram popullit të Elbasanit, Beratit, Janinës, Delvinës, Gjirokastrës, Korçës, Vlorës e Përmetit, ishte nënshkrimi i Aqif Pashës.
Ndërmjet të tjerave, në telegram thuhet: “Ju japim lajmin e gëzuar se me mirësinë e lartë hyjnore, tani e shpallëm pavarësinë në emër të kombësisë sonë të shenjtë e në emër të të gjithë Shqipërisë…! Nesër do të kryhen ceremonitë e nevojshme”. (Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 71. Dosja nr. 1, dokumenti nr. 1330, origjinal, përkthyer prej turqishtes.)
Vitet e vështira që erdhën për Shqipërinë tonë, të futur krejt padashur në rrjedhat e luftërave ballkanike, do të kërkonin domosdo, përpos të tjerave, edhe burra atdhetarë me shpirtin që u rrihte vetëm për kombin. E nëse ka një plejadë të shkëlqyer burrash të tillë, Aqif Pashë Elbasani padyshim është njëri prej tyre, madje do të thosha, në radhët e para.
Duke e parë lëvizjen e Hoxhë Qamilit si një akt pa precedent të tyre që donin ta kthenin prapa rrotën e historisë, si një dhurim të aspiratës mbarëpopullore për të kthyer sytë dhe shpirtin drejt Perëndimit, Aqif Pashë Elbasani në mënyrë publike u drejtohet bashkëqytetarëve të tij, duke bërë thirrje që të mos harrojnë se gjaku shqiptar i derdhur thërret për pavarësi, për një rrojtje të ndershme, për qeverisje demokratike dhe ideale të mëdha të bashkimit etnik.
Ai gjithashtu, njëherë demaskon rebelët me në krye Haxhi Qamilin si atentatorë të verbër të aspiratave shqiptare. “Për trazirat tona, – u kishte thënë elbasanasve ai, – nuk është e nevojshme me ja lanë dikujt në derë me na i zgjidhë, sepse pas çdo zgjidhjeje, qoftë edhe prej Turqie, dalin avazë edhe më të mëdha. Vlen me digju me respekt shoqin dhe me i zgjidhë hallet tona në zemër të madhe se jemi shqiptarë”. (Letër e Aqif Pashës. burrave të Shqipërisë, Programi i Kombëtares).
Roli i Aqif Pashë Elbasanit në mbajtjen e Kongresit të Lushnjës, tanimë ka filluar të ndriçohet. Ky rol vlen të shihet jo vetëm në aspektin atdhetar të tij, por edhe në vizionin që paraqiste Aqif Pasha lidhur me ecurinë e mëtejshme të ngjarjeve në Shqipëri. Gjithmonë me vështrimin në Perëndim të Evropës, Aqifi do të këmbëngulte në këtë Kongres Historik për ndërkombëtarizimin e çështjes sonë kombëtare, si edhe për qitje të modeleve sa më bashkëkohore të drejtimit të shtetit.
Fjala e tij u dëgjua me respekt të veçantë, madje u përkrah në pjesën më të madhe nga përfaqësuesit e trevave të tjera shqiptare në këtë kuvend me rëndësi historike. Aqif Pashë Elbasani u zgjodh nga delegatët e Lushnjës, njëzëri në Regjencë, duke përfaqësuar përpos të tjerave, në aspektin religjioz, komunitetin e madh të bektashinjve në Shqipëri. Ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së vet një ushtar i denjë i këtij besimi kaq atdhetar ndër krejt motet. Por unë mendoj të ndalem më gjatë në një vlerë tjetër madhore të veprës së tij.
Në atë vlerë që, edhe pse vitet e mbyllin diku për ta humbur, ajo nuk rresht së klithuri si ato pulëbardhat në detin me stuhi që fluturojnë pa u trembur shkumës së valëve. Pikërisht në dëshirën e tij të lume për ta parë Shqipërinë krejt të bashkuar, ku toskë e gegë të jetojnë në harmoni, ku qeveria të mendojë vetëm për popullin e të ardhmen e tij, ku ligji të dojë të mbrojë njeriun e ndershëm.
Tepër bukur kjo ëndërr për shqiptarët, tepër e thjeshtë për t’u kumtuar në ndonjë mbrëmje elbasanase në kafenetë e Namazgjasë. Por Aqif Pashë Elbasani do t’i vihej punës për të realizuar diçka, në mos të tërë këtë fakt që priste atdheu i tij i robëruar aq keq prej mendimit dhe mentalitetit oriental. Kanë qenë rrethanat politike (trazirat e pambarim të forcave shqiptare) ato që e detyruan Aqif Pashën të emigrojë përkohësisht nga atdheu i vet e, për më tepër nga qyteti i tij i zemrës, Elbasani i dijes dhe kulturës, i përparimit dhe atdhetarisë.
Por a është vallë e rastësishme që ky personalitet i nacionalizmit shqiptar zgjodhi Austrinë si vend për të vazhduar përpjekjet e tij në dobi të çështjes kombëtare? Mendoj se po. Trazirat e brendshme të Shqipërisë, në vitet 1913-1917, kishin përcaktuar (ndonëse jo vija të qarta) se cilët mund të pranoheshin si aleatë të shqiptarëve në luftën e tyre ndaj rrezikut të copëtimit prej fqinjëve ballkanikë.
Disa nga rrethet e përparuara të diplomacisë austriake kishin përkrahur në mënyrë krejt të hapur çështjen shqiptare, duke treguar madje Evropës se me një ndihmesë të ndershme, problemet e këtij kombi mund të fashiteshin. Kryesuesi i Kongresit të Lushnjës, i kishte njohur nga afër përpjekjet e rretheve diplomatike të përparuara austriake dhe mendoi se mund të zinte një shpresë prej atij vendi, prej atyre njerëzve që së paku e ngrinin zërin ndaj padrejtësive që i bëheshin atdheut të vet.
Në shkurtin e vitit 1922 shkon në Austri dhe, falë kulturës diplomatike, miqësohet menjëherë me intelektualët përparimtarë aty. Miqtë që e kanë njohur më parë shkonin ta takojnë, bashkë-atdhetarë që i kanë dëgjuar vetëm emrin e mirë që u ka falur vepra, i mblidhen rreth në biseda të gjata. Pak nga pak, rrethi i miqve shtohet dhe Aqif Pashë Elbasani mendon se është tamam në çastin e duhur. Në krye të një grupi të gjerë atdhetarësh shqiptarë të mërguar, ai krijon Partinë Kombëtare.
A duhej të ishte rastësi ky emër i këtij grupimi atdhetarësh? Kurrësesi jo! Aso kohe në Shqipëri kishin filluar të organizohen grupime e parti me vizione natyrisht të qarta, por merita e Aqif Pashës qëndron pikërisht se, duke njohur së brendshmi partitë dhe programet e tyre, ai ndjen nevojën të thërrasë për një bashkim të shqiptarëve nën një flamur të trojeve etnike stërgjyshore.
Padrejtësitë historike në dëm të trojeve tona do të përbënin këtej e tutje jo vetëm një fatkeqësi kombëtare, ato do të shërbenin si apel për të gjithë atdhetarët, nacionalistët dhe krejt klasën politike shqiptare që në qendër të përpjekjeve të tyre të ishte Shqipëria Etnike. Aqif Pashë Elbasani e ndjen më tepër se një detyrim moral atë që çdo shqiptar duhet jo vetëm të ndiejë diçka për Shqipërinë dhe fatkeqësitë e saj, por edhe të luftojë për të ndrequr sa të mundë, të punojë për të ardhmen e vendit të vet. Në faqet e para të programit dhe rregullores së Partisë Kombëtare, Aqif Pasha, publikisht u bën një thirrje kurajoze krejt shqiptarëve:
“Sot dhe unë, plaku i vjetër, po dal përpara teje me programin tim. Ky program, ta dini mirë, se nuk është pemë e një mendimi teorik, por janë konviksione të një plaku i cili gjithë jetën e tij e ka kaluar ndërmjet jush, si në ditë të mira, ashtu edhe në të keqen, s’të ka lënë vetëm as në qamën, as në qeshmen, t’i njeh të mirat dhe të metat, t’i çmon bukur virtytet dhe nevojat, shkurtazi janë frutat e një jete politike të gjatë, plot me mësime dhe me prova…”. (Programi dhe rregullorja e Partisë Kombëtare; Arkivi i Bibliotekës Kombëtare – Tiranë).
Njohës i thellë i realiteteve historike që përjetonte dhimbshëm Shqipëria e asaj kohe, në programin e kësaj partie, Aqif Pashë Elbasani u përpoq të zgjojë vetëdijen e fjetur të bashkëkombësve të vet, se duhej sa më parë të funksiononte shteti dhe ligji, institucionet juridike dhe kulturore. Por njëherazi, plaku i mençur u hapte udhë reformave demokratike dhe liberale, ku vendin e duhur e zinin respektimi dhe liria e të drejtave njerëzore të njeriut.
Ideja që Shqipëria duhej të kthente vështrimin përfundimisht nga Perëndimi, nga demokracitë e sapolindura aty, ishte sipas Aqif Pashës, e vetmja rrugë e sigurtë për të ardhmen e Shqipërisë. Duke patur në krah të tij atdhetarë që parashihnin dhe e kuptonin të ardhmen e vendit të tyre vetëm në Evropën e qytetëruar, plaku i mençur elbasanas, përcaktonte qartë në një thirrje të asaj kohe se: “Ne, pasuesit e kulturës perëndimore, kërkojmë që patriotizmi dhe oksidentalizmi, që janë dy pikat kryesore të ekzistencës sonë politike, të jenë të konfirmuara sheshazi, jo me fjalë e përralla, por me vepra të gjalla, të qarta e të padyshueshme”.
Dhe padyshim, ajo që do të vendosë në jetë të jetëve figurën e Aqif Pashë Elbasanit në panteonin e lavdisë së popullit tonë, është pikërisht ideja e hedhur qartë në programin e Partisë Kombëtare se independenca e plotë e shtetit, është një bazë e shenjtë. Duke institucionalizuar këtë të drejtë legjitime të shqiptarëve, plaku i mençur elbasanas u kujtonte kancelarive perëndimore, se shqiptarët mund dhe duhet të udhëhiqen vetëm prej shtetit të tyre, duke mos pasur as më të voglën dëshirë për protektoratin e një shteti tjetër.
Njëherazi, duke qenë se në Partinë Kombëtare ishin afruar intelektualë, atdhetarë e diplomatë, thirrja ishte tepër e qartë. Kushdo prej tyre duhej të ndihmonte me ç’të mundte për të larguar prej Evropës atë vizion të shtrembër se shqiptarët nuk mund të qeverisin vetë. Lufta dhe përpjekjet e Aqif Pashë Elbasanit për bashkimin e trojeve etnike shqiptare, duket se do të përmblidheshin në një frazë të vetme të programit të partisë së krijuar prej tij. Është tepër e kuptueshme se këto përpjekje të Aqif Pashës ishin të shtrira si ai përroi i malit, në shtratin e gjerë të lumit të aspiratave shqiptare për bashkimin e gjakut të shprishur, për ngadhënjimin e një të drejte legjitime.
“Kufijtë e Shqipërisë i ka caktuar Perëndia, ata s’mund të ndryshohen në favor të kurrkujt…”. Këto fjalë, të gdhendura si me daltë në kujtesën e shekujve, do t’u kujtojnë fqinjëve tanë tokësorë se ata janë e do të mbeten kurdoherë përgjegjës jo vetëm përpara historisë, por për më tepër përpara Perëndisë.
Jetët, të gjitha shuhen. Veprat, natyrisht që mbeten. Por nëse çdo minutë e jetës ka shkuar në dobi të atdheut, nëse çdo rrahje zemre ka patur brenda drithërimën e lirisë amtare, atëherë jeta dhe vepra rrojnë e ecin përjetësisht me njëra-tjetrën. Aqif Pashë Elbasanasit, përpara se t’i ngrihej një statujë në qytetin e tij të lindjes në Elbasan, populli i ka ngritur me mijëra e mijëra të tilla në zemrat dhe këngët e tij./ Memorie.al
Bern – Zvicër*













