Nga Ali Aliaj
Memorie.al / Sot, me një respekt e admirim të veçantë shkruaj për shokun tim, me një diferencë moshe pak më të madhe, për Mustaf Sali Bajraktarin, i vlerësuar e nderuar në vitin 1994 nga Presidenti i Shqipërisë me titullin “Martir i Demokracisë”, i sakrifikuar deri në vetëmohim në burgun e Burrelit në majin e vitit 1976. Me Mustaf Sali Bajraktarin jemi rritur në të njëtin mjedis, në Kasaj e Shipshan të Tropojës, si dhe na kanë lidhur shumë probleme të kohës. Asnjëherë nuk e kisha menduar se do të më bjerë rasti të shkruaj një “In memorian” për Mustafën, me të cilin u ndamë në atë natë të errët të gushtit 1967, kur ai u largua nga Shqipëria. Prej asaj kohe nuk u takuam më bashkë. Mustaf Sali Bajrakari ishte i veçantë, djalë i rritur me shumë halle dhe shqetësime të kohës, por me shumë inteligjencë, me shumë vlerësime në rrethin shoqëror, miqësor e familjar.
Kur bashkoheshim në shtëpinë tonë apo të tij diskutoheshin problemet e kohës dhe shqetësimet që ne kishin në atë kohë.
Mustaf Sali Bajraktari u rrit në një ambient familjar të mirë, me një prejardhje familjare shumë të mirë në breza. Ai kishte trashëguar anët pozitive të familjes së tij të bajrakut të Shipshanit dhe ishte trashëgimtar i denjë i kësaj familjeje të mirë atdhetare, patriotike, mbrojtëse të territorit kombëtar nga pushtuesit sllavë, otomanë, austro-hungarezë, etj.
Ata ishin prijës të mëdhenj në luftërat për liri e pavarësi kombëtare shqiptare deri në Moraçë, Plavë-Guci e Shkup. Ata kishin përgjegjësinë e madhe si Bajraktarë të Shipshanit, për t’i prirë e për të përfaqësuar fisin në bisedime diplomatike e ndërkrahinore, në kuvende e në luftëra të shpeshta, duke filluar nga më i pari i bajrakut, Din Bajram Bajraktari. Ata u përballën dhe në luftëra duke prirë me shembullin e vet në ballë të betejave si Bek Din Bajraktari që dha jetën në luftë me malazezët në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ata ishin dhe familje intelektuale. Baba i Mustafës, Sali Tahir Bajraktari, ishte një ndër të paktët e kohës që ka mbaruar shkollën amerikane të Harry Fultz në Tiranë. Mustaf Sali Bajraktari ishte studiues, shumë artë-dashes. Mbaj mend ato debatet e shumta që bënin me vëllanë tim Selimin (edhe ai sot nuk jeton) për romane, për letërsi apo për filozofinë e kohës, sistemin që na drejtonte, etj. Diskutimet mund të shkonin për 5-6 orë apo 8 orë në shtëpinë tonë, apo të tijën. Mbasi lodheshim shumë iu thoja se tani do të luajmë dy lojë “kapuça”, për të ndryshuar një fije ambientin e natyrën e bisedës.
Rrustem Aliaj, babai im, në atë kohë ishte në moshë të thyer, por Mustafën e takonte përherë dhe Mustafa përherë thoshte se mësova diçka të re nga Rrustemi. Po kështu dhe babai im kishte kënaqësi ta takonte këtë djalë të ri, plot energji, plot mendime të reja dhe plot respekt për më të rriturit. Sistemi i kohës ia ndaloj Mustafës të arsimohet, megjithëse ishte nxënësi më i mirë në arsimin e mesëm.
Për këtë djalë të ri, që sistemi i diktaturës ia këputi jetën në mes, mund të shkruhen artikuj të shumtë, romane, libra, etj., por unë e ndijë për detyrim për shokun tim, Mustaf Bajraktari, të shkruaj me shpirt dhe zemër këta rreshta të dalë nga thellësia e zemrës duke i kujtuar të freskëta si sot ato fjalët e tij: “U pafshim për hajr”. Këto ishin fjalët e tij atë ditë gushti 1967, kur ne u ndamë përfundimisht për të mos u takuar më. Këto fjalë po i them sot për herë të parë publikisht.
Gjatë gjithë kësaj kohe, në këto katër dekada e gjysmë, mua më kujtohen lojërat që bënim në fushë me top, notin që bënim në lumë, hedhjen nga lartësia për në pus të thellë , por këtu më duket se Tahiri, vëllai më i vogël së Musatafa, na e merrte garën gjithmonë në not dhe për hedhje nga lartësia. Për Mustafën, shokun tim, për këtë djalë të ri, të ndjeshëm, me plot ëndrra dhe dëshira për një jetë më të mirë, ai e kërkonte jetën dhe donte ta jetonte me çdo kusht jetën sepse ishte inteligjent, plot energji krijuese.
Për Mustafën mund të shkruaj shumë gjatë, me shkronja të mëdha e të argjendta, sepse Mustafa i meritonte të gjitha: respektin tim, të vëllezërve të mi, të familjes time, por edhe të fshatit tonë Kasaj, të fisit tonë Shipshan, të të gjithë atyre që e njohën nga afër dhe ia dëgjuan zërin për mirë. Me këtë rast më lejoni të falënderoj këshillin e mëparshëm të ish komunës të Tropojës që ia dha Mustaf Bajraktarit (pas vdekjes) titullin “Qytetar Nderi” dhe sheshit në qendër të saj emrin e tij.
Falënderoj dhe këshillin bashkiak dhe kryetarin e Bashkisë të Tropojës, zotin Besnik Dushaj, për interesimin e vlerësimin e figurës së lartë e të paharruar të Mustaf Bajraktarit në organizimin më 26 maj 2016 të ceremonisë zyrtare për dhënien e emrit të tij sheshit kryesor të ish-komunës Tropojë. Mustaf Sali Bajraktari, uroj që emri juaj të përjetësohet në vazhdimësi, pasi ishe nga njerëzit e rrallë të kësaj bote, po t’i dhe sot me emrin e shembullin tand po i jep shumë kësaj kohe. Qoftë i pavdekshëm kujtimi i Tij. / Memorie.al











