Nga Hajredin Bej Cakrani
Pjesa e tretë
Memorie.al / Në Durrës takoj Abdi Benë (Toptanin) dhe më thotë javash, se nga fillimi i vjeshtërave nga ana e serbëve, kish ardhur një inglis dhe këta bajraktarë që e ruanin, ranë në pusi e u vranë, po dhe ky shpëtoi në qime e u plagos. Kjo gjë rrëfen se ky është ndonjë që rëndon e që j’u shkeli më kallo, si do që janë tok fitonjës e mund të gjezdisin nëpër njëri-jatrin. Po kur më erdhi më çiflig, më llafosi se Qeveria e Durrësit ka kërkuar në Conférencë de Paix mandatnë e Italisë, këjo është hataja më e madhe! Duajn ta ndajnë copa-copa qysh e kanë bërë në mënd dhe inglistë j’a kanë dhënë vetë llafnë për të marrë Vlornë si kaza të tyrej më atë kartë, që e thoshën hiderland. Pa syrin e kishin më të gjithë Shqipërinë.
Shkodëra ishte hall mbi hall dhe mund’ të binte, ndaj nuk e bënë të gjatë dhe të mërkurnë më njëzët e një allafrënga para dite, e hapnë Kongresin. Po pas adetit që bëri Sheh Karbunara e hapi Ferid Be Vokopolasi, që kish firmosur dhe më Vlorë. Si zot i vëndë që përfaqëson prefektyrat Berat, Lushnje e Skrapar bashkë me të tjertë, ishin bërë copë për organizimin e Kongresit, i uroi të deleguarit për ardhjen dhe Kongresit punë të mbarë. Aqif Pasha vazhdoi llafnë me patriotizmën dhe atças u hoqnë të fillojnë punë. Ferid Benë e vunë hë për hë segretar dhe zgjodhnë një komision për të parë mandatet, me katër a pesë vetë. Dhe me që e shuma nukë kishin ardhur, e shtynë për si ndonjë javë, sa të vijnë të tërë.
Gjithë atë javë ishim më ethe se nuk i dihej, nga Vlora mund të vij’ sahat e minutë ushtërija italiane, ata të Durrësit nuk e bënë fare dy dhe vranë Abdul Benë, kështu që këjo ishte punë me kokë, që ka dhe atë të mirën e sajë. Se nashti s’do bëjin më gërr-vërr me njëri-jatrin si herët e tjera, pa këtë herë halli rrij’ sipër si rè! Për një javë erdh’ thuaj të tërë, vetëm nga Shkodra e Veri jo dhe në mbëledhjen e parë në më të shumën e të deleguarëvë, u thanë përsi po ato llafe atyre që s’qenë dhe u vendos që kryetar i Kongresit të virej Aqif Pasha. U folnë nga të deleguarit për Abdul Benë që e kish nisur këtë punë, nga të partë e që e kishin vrarë ata të Qeverisë së Durrësit, të vijin frikën të mos vijë njeri këtu më Lushnje.
Po nga një herë më shumë bën dëm se fiton me këto gjëra, pa të vërtetën atyre u ikën më të shumët e që prapë të vërtetën, ishin më të saktët! Në fund bënë një telegram të ngushëllojin familjen e tij si Kongres. Më prapa u tha që Lushnja me këtë që bëri të përfaqësohej drejt e më Senat, si do që Sheh Karbunara tha që e kish për detyrë! Ndaj u la të shkruhej një kartë e të falenderohej tërë Lushnja për këtë vepërë. Më mbëledhje të tretë filloi vërtet Kongresi se u ndes dhe të gjithë llafnë e kishin më këta biçim fitonjës, që s’paskan punë tjatër dhe ça e nda këtë copë vend, duke na tundurë atë copë kartë, sikur e kishim shkruar ne e, jo ata vetë qëkurë!
U zgjodhnë urgjent përfaqësonjësit për në Conference de Paix, që dihet Mehmet Benë, Imzot Bumçë dhe Doktor Turtullë. Më mbëledhjen tjatër, u zgjodh ai, Këshilli i Lartë që n’a i kish molloisur im vëlla Bektashi. Me représentants religieux e që do bënte punën e sovranit, që duhej të qe ç’pikja më e madhe e allasoj më dynja, po dhe më e sakëta asokohe! Gjë që e rrëfente fare ç’koqur se ne shqipëtartë nukë kemi sy për Qabè për këtë punë, jo njëqind vitra, po mijë vjet! Thanë e ç’nukë thanë dhe për Qeverinë e Durrësit që kishte dalë nga udha që i kish vënë Kongresi i Durrësit, demek nevej, që më dhjetor të ‘918.
Ajo kishte bërë ç’mos të pengojë Senatin më Durrës dhe si qeveri duke bërë ç’tu dojë qejfi, jo i tyre po i italianëvet. Kështu e kishin bërë vëndin ashi-neshi dhe kishin acaruar të gjithë, sidomos me këtë që duajn’ të ndalojnë Kongresin se s’bën! Si do që s’thanë as gjysmat, se unë jo i kisha dëgjuar po hequr më kurriz të tëra. Më pas bënë vëndimnë që muartën të tërë pa mëdyshje fare, të mos e njihnin më atë soj Qeverie të Durrësit dhe ç’do gjë të saj më dynja e këtë që unë e prit’ që ditën e parë të bëhej, nashti më bëri nja pesëmbëdhjet e, jo njëzet vjetë të ri!
Nashti Bektash Beu s’lij më njeri të flit’ dhe më ëmër të përfaqësonjësit të Mallakastrës këndoi qeverinë e re me emëra e me detyra, që nga Sulejman Beu e Amet Beu, Mehmet Beu e gjer te zoti Kosturë, si ç’na i kishte ç’pjeguar që më parë dhe me të votuar hapur! Po të mos i kishin bërë me karta hapurë dhe të qe me të mbëshyher, aha edhe sot do ngjacej se nukë u mbushet mëndja shqiptarëve! Ilias Beu vetëm nukë do portofole se ashtu e ka punën, si ç’e ka ai, po atças e zëvëndësuanë më Hoxhë Kadri Benë, që ish kryetar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Më të ish, se kish mbaruarë drejtësi më Daralfunun të Tyrqisë.
Aqif Pasha tërë lloi nashti po jepte e po merrte, se s’po i jepte udhë punësë së qeverisë, se t’a lijin aty më Lushnje s’e mbushje sahatnë, se mbinin italiantë atças! – Ja sahati Aqif Pashë të erdhi, me Qeverinë e Vlorës bëtë njërën me gjithë plakun, për t’a çuarë guvernën më Elbasan dhe të bëhej qëndër e të gjithë Kazave! Ne i thamë Ismail Beut të ngrinte flamurnë e t’a bënte Shqipërinë më Cakran, se j’a hiqnim nevej të tëra e më rehatë nuk do kish, po ai vajti te foleja e arrëzavet, tek të vetët, kështu që si e mbolli e korri ama, nuk e linte rehat Bektash Beu.
– Bektash Bej kur s’ka, s’ka as Perëndia, ç’të të them nashti që nuk gjej dot konak për këtë punë, më keq se këtu, se është dhe turp! – Po ahere ku do e shpije guvernën që përngreve plakun, apo boll t’a hiqje nga Vlora dhe vetëm të dëgjohej Elbasani yt Pasha! – Nashti or Bej zgjidhmë e, leri ato që iknë. Kështu që e lanë që pa bërë shamatá, të venë më Tiranë të çojnë qeverinë, se rrezik kishte pakë nga që njeriu më dynja nukë i shkonte nëpër mënd atje! Durrësi kishte mijë vjetë që e bënte këtë punë e kush zinte Durrësin, i kish të tëra më dorë, zot e shkop!
Më fund u zgjodh Senati dhe me ta im vëlla Bektashi aty vëndosnë që të mos iknin të deleguarit, sa të mirr qeveria këmbët! Po ku aty më atë baltovinë dhe në mes rrezikut, gjë që n’a rrëfeu se si do që mbëledhja e Kongresit mbaroi e s’bëhet më mirë, puna t’onë s’kish filluar akoma! Si ç’e dijim më para qeveria do vejë më Tiranë, se Durrësi të harrohej nashti, pa më shumë kish pasur të këqia të themi të vërtetën, se të mira! Që asokohe njerst e Esat Pashsë e ç’mbeti nga ata të Durrësit, plasnë e ç’nuk bënë me miqtë e tyre italianë dhe që hoqnë dorë më vonë. Këtë e bënë nga marazi, jo se dojin!
Më dit’ të fundit të jenarit, Amet Beu u dërgoi telegram të gjithë prefektyrave, ku u ç’pjegon pse u mbajt Kongresi dhe ç’kish vëndosur ai për fatin e Shqipërisë, duke bërë të mejtoheshin mirë nashti të tërë. Bektashi u fjalos me të nashti me përgjegjësi, si do që ai tha se do të linte këtu, batalionë shëtitës, po nuk ikje dotë as një sahat, se s’dije ç’të prit! Kështu dhe delegatët nuk luajtën nga vëndi, nashti që u muarr vesh sagllam se ja nga t’anët, ja nga italiantë, dihej ç’të prit’!
Ama këtu Amet Beu bëri çudinë, se që i kish habiturë të gjithë me vakt s’donte mënd, po këjo që bëri i la pa gojë të tërë! Pa u tha troç se ç’u vëndos këtu, do të zbatohej se s’bën dhe këjo nuk do llafe, do guxim! Ndaj unë ika i pari për Tiranë, ju rrini mirë jeni këtu dhe pa nga Bektash Beu e të tjerë, po të deleguarit nuk e prishën qedernë fare, mbaso me hak! Se ato që ngjanë n’a thanë më prapa, se rreziku ish aq i madh, sa s’dëftohej!
Na hoqi mënjanë për të n’a porositur, po im vëlla Bektashi j’a preu e i tha: – N’a zuri ne do rrimë me këta, po ti mos do ndonjë fuqi tjatër, se jeni pak e më ç’do vënd ke italiantë a më keq akoma ata të tyt’ ungji! Që më fillim po, do i binte brruzi, pa po nashti s’kish qeder, se duket e kishte ndarë mëndjen. -Për ç’do gjë njerinë ti e di, po Amet Beu tundi kokën dhe tha: -Tani Bej nuk ka më prapa, nuk të vjen më në dorë ky sahat, po do mirremi vesh!
Ty të zuri vërtet, o rri, o po e pe se mund të vish, ler këta me delegatë, po amanet dëgjove? – Ore të zgjodha unë, a më vure ti që më tregon arat, vështro dhe bëj ç’mos me të gjitha t’ja dalësh, se s’ta kam friknë! Vetëm më Tiranë të dua t’a mbaç frymnë, pa atje piqemi po qe e shkruar, dëgjove! Ai qeshi dhe s’tha dot, peqe Bej, si do që njëqind vjet e mejtoi, pa nashti s’ja linte detyra.
Ai para e qeveria prapa dhe ne me mëndje të ngritur u këthyem tek njerst. Bektash Beu më delegatë për ndonjë punë, unë më njers e të tërë që pyesnin me gjak të ngrirë: – O po mbaroi apo jo Kongresi?! Po unë ç’tu thosha e kështu bëmë-ç’bëmë, i çuam të tërë delegatë e i strehuam sikur ishin muhaxhirë, në më të afërmit çifligje, më Çermë.
Këtej Amet Beu me të tjertë hyjnë më Kavajë e si gjithënjë aty pengesë. Këtë radhë j’u kish dalë kumandanti i garnizonit italian, për t’u thënë ndal, po Amet Beu ishte më të tijën! I tha se njih’ vetëm qeverinë e Lushnjes, pa po të ishin përpjekur as një sahat luftë nukë bëhej, se vetëm topa e mitrolozë italiantë kishin pa hesap! Puna vajti gjer aty sa ai do jepte urdhër për të qëlluar, po Amet Beu nuk e luajti qerpiknë dhe tha: – Nashti në vënd’ të plasë batareja e u bë hazër, kur të tërë kishin ngrirë!
Gjithë-gjithë me aqë ushtëri, topa, mitrolozë që kishin italiantë, pa bërë hesap vëndë që kishin bërë istikam e të shih si në pëllëmbë të dorës, ku që andej të fshinin atças, mund të bëhej a jo, kiameti dy sahat luftë. Nuk kishte Perëndi, jo Amet Bej që t’a kapëtonte dotë këtë pengesë. Ndaj ky i dha karar duket dhe kërkoi që të llafoseshin pa ndezur dyfek në mes të një urë e vogël prej druje aty, andej italiani, këtej Amet Beu, po vetëm këta! Si i la dyfek e kobure ky dhe italiani i pa të tëra, a të mos të turpërohej, a u ngroh nga mitrolostë prapa tijë, nisi udhënë dhe ai mbi urë, vetëm që të piqejë kështu me Amet Benë.
S’tokën duartë mirë, kur fap Amet Beu e mbërtheu oficernë për fyti atças! Se nga nxjerr një kamë, që sa hap e mbyll sytë j’a vë më grykë italianit që e kish këthyer nashti nga të tijtë. Matjantë ishnin hazer, po ky as i kish thënë njeriu gjë, se i erdhi atças në mënd duket dhe këta mund t’i kishin vrarë të dy. Nga ana tjatër ulërima e oficerit, jo nga Amet Beu, duket po nga të tijtë që desh hapnë zjarr atças, bërrit ata e bërrit ai, bëri që pas një copë here, se ky nuk e çonte, të dilnin nga istikami.
Ai ishte bërë meit dhe Amet Beu e sqaroi se s’kish punë me ushtërinë italiane që mbante anën e atyre të Durrësit, ndaj si ushtëri të rrijë atjë ku e kanë vëndë, kështu ai u bind. Me terezi matjantë erdhë aty se mos plaste dyfeku nga që ishin aqë afër, po nuk ngjau gjë! Oficeri italian hapi udhë dhe Amet Beu ndënji ca ditë për të ujdisur administratën më Kavajë nashti, po haberi u vajti atyre çingive të Durrësit e, i zunë të prerat./ Memorie.al














