Nga Harrison E. Salisbury – “NEW YORK TIMES” –
Pjesa e dytë
Memorie.al / Një lyrje këpucësh me shkëlqim kushton 1 dollarë në Tiranë, por kjo është gjëja e fundit që shqetëson shqiptarët. Mjaft prej tyre nuk i lyejnë fare këpucët. Në të vërtetë, pjesa më e madhe ecin zbathur dhe një pjesë tjetër veshin nallane prej druri. Industrializimi i shekullit të XX-të vetëm sa e ka cekur këtë vend të rrethuar me male, që dikur ishte Mbretëria e Ilirisë dhe tani mban emrin krenar Republika Popullore e Shqipërisë – Vendi i Shqiponjave. Se sa pak e ka prekur industrializimi vendin e kupton menjëherë, kur shoferi i makinës “Varshava” (një model polak i versionit sovjetik “Pobeda”), pasi kemi bërë 8 orë ngjitje – zbritje nëpër male, e ndalon makinën me shpejtësi buzë një humnere. Udhëtimi me ulje-ngjitje në rrugët e malit, ka nxjerrë jashtë përdorimit sistemin hidraulik të frenave. “Do të përdor ujë derisa të gjej pak verë”,- thotë shoferi, duke vënë një maskë filozofi
Vetëm më vonë na shpjeguan se ushtarët ishin shqiptarë e oficerët po ashtu, por vendi prej vitesh kishte përshtatur stilin e uniformave sovjetike. Në bllokun e shënimeve shkrova: “Gra që punojnë në rrugë dhe ushtarë gjithandej. Madje as në Bashkimin Sovjetik, nuk kam parë kaq shumë ushtarë. Hoteli një ndërtim shumë i bukur italian, ishte i mbajtur mirë në një bllok ndërtesash përballë një bulevardi të gjerë, të pagëzuar me emrin e Stalinit.
Dy blloqe më tutje ndodhet Komiteti Qendror i Partisë, i ruajtur nga dy gardistë të armatosur me automatikë, gati për të qëlluar. Bëmë një shëtitje të vogël. Disa ndërtesa interesante, një stadium i ri e i mirë, makina llogaritëse në dyqanet e ushqimit. Ushtarë, ushtarë. Një hotel plot me Rusë. Kamerierë që flasin rusisht.
PËRSHTYPJE TË TJERA
Kjo përshtypje, e një preokupimi të madh ushtarak dhe një ndikimi të Bashkimit Sovjetik në gjithçka, nuk na u fshi gjatë gjithë javës që qëndruam, e cila përfshinte udhëtime në qytetet kryesore dhe qëndrimin në vendet e pushimit. Sidoqoftë gjatë qëndrimit formuam edhe përshtypje të tjera.
Shqipëria vuajti 500 vjet nën pushtimin dhe dhunën turke, përpara se ajo t‘i rrëzonte ata dhe të shpallte pavarësinë më 1912. Përveç 25 viteve të rezistencës në shekullin e XV-të, të udhëhequra nga Heroi i tyre Kombëtar Skënderbeu, Shqipëria ka njohur vetëm varfëri, shtypje dhe përdhunë.
Sundimi i Mbretit Zog që u vendos para luftës, mund të quhej rilindës, por ai u pasua nga pushtimi italian dhe pastaj ai gjerman dhe në fund ka udhëheqja prej komandës së luftëtarëve guerilas. Regjimi komunist i pas luftës u vendos vetëm pasi u katapultua nga BRSS-ja dhe u ngrit më këmbë gjatë grindjes mes BRSS-së dhe Jugosllavisë.
Grindja e dy fuqive i ndau komunistët shqiptarë. Ajo solli masakrimin e liderëve pro-jugosllavë dhe për rreth 10 vjet, vendi ishte në gjendje alarmi, herë nga frika e ndonjë sulmi nga jashtë, herë nga ajo e rebelimit të brendshëm.
Për këtë nuk duhet të habitesh shumë, që vendi duket si një kamp ushtarak dhe që ka bërë shumë pak për të kuruar plagët e tij sociale e ekonomike. Kreu i Partisë Komuniste Shqiptare, sekretari Enver Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu, janë të vetëdijshëm se ishte vetëm ndihma sovjetike, ajo që mbajti gjallë regjimin gjatë 9 viteve mjaft të vështira.
ADHURIMI PËR STALININ
Për shumë shqiptarë Bashkim Sovjetik do të thotë vetëm Stalin. Këtu Stalini është njeriu më i nderuar, fjalët e tij janë shkruar në hidrocentralin afër Tiranës, në letra të kuqe në hollin e Muzeut kombëtar.
Emri i tij i është vënë veprës më të madhe industriale, një kombinati tekstilesh, ndërsa statuja e tij mbizotëron sheshin kryesorë të Tiranës dhe bulevardin e qytetit. Në malet me fshatarë, në zyrat e administratorëve të fermave dhe në qytete buzë Adriatikut, portretit dhe bustit të Stalinit i është dhënë një vend nderi.
Asnjë fjalë kundër Stalinit nuk është thënë në Shqipëri. Ata janë krenarë që i pikturojnë si “Stalinistë”. Po t’u thuash se figura e tij po rrëzohet, ata të përgjigjen vetëm me sy të zemëruar dhe një ngritje supesh. Zyrtarët i kryejnë punët e tyre me të njëjtin sistem burokratik, policët punojnë me të njëjtat metoda dhe dyshimi e ksenofobia, janë ato të ditëve të këqija të diktatorit sovjetik.
Data e vdekjes së Stalinit më 5 mars 1953, duket se nuk është shënuar në kalendarin shqiptar. Shqipëria duket si një koloni e Perandorisë Romake, e cila ende nuk e ka kuptuar se barbarët e kanë shkatërruar Romën. Të shkëputur prej kohësh nga Perëndimi dhe të mbajtur larg prej këtij të fundit nga taktikat e “luftës së ftohtë”, të pa njohur me konceptet perëndimore dhe mendimet perëndimore, shqiptarët kanë sy dhe veshë vetëm për Moskën.
Çdo shqiptarë beson se vendi i tij është i rrethuar nga armiq, të cilët Perëndimi i furnizon me armë dhe që janë gati ta sulmojnë dhe mbrojtja e vetme është ajo e një ushtrie të fortë dhe e përkrahjes nga BRSS-së.
Me të njëjtin dyshim shihen dhe mundësitë për armiq të brendshëm. Vetëm në kohë lufte në rrugët normale të një qyteti mund të shohësh kaq shumë ushtarë dhe dukshëm frika e një revolte të brendshme është arsye se pse ata shpeshtohen sa herë nata zgjatet.
SHQIPTARËT FAJËSOJNË SHBA
Shumë prej mallkimeve për shqetësimet e vogla të ditës të një shqiptari të thjeshtë, shkojnë drejt SHBA-së. Shqiptari jeton në një botë që i duket e mbipopulluar nga armiq, dhe më i madhi i këtyre janë Shtetet e Bashkuara. Tani zyrtarët e lartë e kanë drejtuar propagandën dhe urrejtja kryesore i shkon Jugosllavisë, e cila fajësohet për të gjitha luftërat guerile në Veri të vendit, në kufirin midis dy shteteve.
Po ashtu Greqia dhe Italia, në propagandën shqiptare prej vitesh njihen vetëm si aleate të Jugosllavisë, në përpjekjen për të rrëzuar regjimin në Shqipëri. Me shumë mundësi në këtë vend, 6 nga 7 burra të aftë, janë të veshur më uniformë. Dhe kjo e ka penguar vendin të zhvillohet ekonomikisht dhe të kurojë plagët e trashëguara që prej kohës së Mbretit Zog.
Standardi i jetës është rritur, por regjimi është detyruar të vihet në varësi të plotë të Bashkimit Sovjetik, për të mbijetuar. Nëse udhëheqja sovjetike e ka ndihmuar Shqipërinë, kjo është diçka për tu diskutuar. Kur komunistët morë në dorë vendin, ai ishte 99 për qind agrar. Lindjet ishin të larta, por po ashtu ishin edhe vdekjet gjatë lindjes, ndërsa vdekja nga uria ishte e zakontë…!
Kishte vetëm pak miniera të dhëna me koncesion. Mbreti Zog ishte pronari më i madh i tokave dhe eksportuesi kryesorë i të mirave. Nëse sovjetikët e shtynë vendin drejt industrializimit dhe kooperativizmit, një ekonomi e pavarur fshatare do ta kishte ndihmuar më shumë Shqipërinë të zhvillohej ekonomikisht dhe shqiptarët do të jetonin më mirë.
Por që kushtet ekstreme kanë ndryshuar, kjo mund të demonstrohet nga dyfishimi i numrit të popullsisë, që kryesisht ka ardhur nga ulja e numrit të vdekjeve…! Ndërsa në vend po bëhen fushata të mëdha mjekësore për të luftuar sëmundjet ngjitëse, shpërndahen postera, përdoren ilaçe të forta dhe edukohen njerëzit për pastërtinë…!
Urrejtjen më të madhe shqiptarët ia kanë rezervuar “tradhtarëve” të brendshëm. Ata akuzojnë “borgjezët” e vendit që ndryshe nga borgjezia në vendet e tjera, nuk e ndihmoi revolucionin duke ndihmuar industrializimin…! “Borgjezët në vendet e tjera”, thotë një ish- luftëtar partizan, tani drejtues në Muzeun Kombëtar, “ndërtuan industri dhe ndihmuan revolucionin. Borgjezët shqiptarë, nuk bënë asgjë të tillë”!
Muzeu i shtetit është ndërtuar mbi godinën që dikur shërbente si zyrë për xhandarmërinë italiane. Në këtë vend shumë komunistë janë torturuar deri në vdekje. Instrumente dhe fotografi të ruajtura mirë tregojnë deri në detaje dhunën. Kur flet drejtori për dështimin e borgjezisë për të siguruar industri, sytë i shkojnë në vendet ku janë ekspozuar instrumentet e torturës. Në këtë moment nuk është e vështirë të lexosh mendimet e tij. Memorie.al













