Nga Dashnor Kaloçi
Memorie.al / Atë paradite të vërejtur dhe me shi të 29 nëntorit të largët të vitit 1974, qindra e qindra ushtarëve, oficerëve, kadetëve të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, “skënderbegasve”, e pjesëmarrësve të tjerë apo të ftuarve në paradën e madhe që u zhvillua atë ditë për nder të 30 vjetorit të çlirimit, si dhe të gjithë shqiptarëve që e ndoqën atë nga ekrani i televizorit, nuk do u kishte shkuar kurrë ndër mënd, se tribuna e vendosur përpara godinës së kryeministrisë, ku ndodhej Enver Hoxha me anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, e të ftuarve të tjerë, ishte e ndërtuar prej betoni!
Madje edhe sot kur ka kaluar më se gjysëm shekulli nga ajo ditë dhe 35 vite nga shembja e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, nuk është publikuar asnjë dokument arkivor që të bëjë të ditur këtë fakt dhe askush nuk ka dëshmuar një gjë të tillë! Të paktën publikisht! Por duket se kjo gjë, pra ndërtimi i një tribune me hekur e beton përpara godinës së kryeministrisë, e cila zor të ketë ndodhur edhe në vendet më diktatoriale të para viteve ’90-të, si Koreja e Veriut, etj., ka ndodhur në Shqipërinë komuniste!
Kjo gjë bëhet e ditur nga një dokument arkivor i vitit 1982, i nxjerrë nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku një nga ish-ushtarakët e lartë madhorë të asaj periudhe, i arrestuar në vitin 1982 me akuzën; “pjesëtar i grupit armiqësor të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut”, ka dëshmuar para hetuesve në qelitë e burgut të Tiranës (Reparti 313), ku zhvillohej procesi hetimor ndaj të tij.
Po të kemi parasysh kohën kur ka ndodhur kjo ngjarje, pra paradën e madhe për nder të 30 vjetorit të çlirimit, (20 nëntor 1974), e cila zhvillohej në atë kohë kur kishte filluar goditja ndaj ministrit të Mbrojtjes Popullore Beqir Ballukut e vartësve kryesorë të tij në Shtabin e Përgjithshëm dhe Drejtorinë Politike të Ushtrisë, si Petrit Dume, Hito Çako, Rrahman Parllaku, etj., (Balluku u arrestua më 16 dhjetor 1974), dëshmia e ish-ushtarakut madhor, duke se është më se e vërtetë.
Kjo pasi, përveçse ai tregon edhe disa nga emrat e tjerë të kolegëve të tij oficerë, që ishin prezent në atë ngjare, të cilët fare lehtë mund të thirreshin nga hetuesit dhe të merreshin në pyetje, ajo që e bën plotësisht të besueshme dëshminë e tij, është dhe paranoja e diktatorit komunist Enver Hoxha (sidomos pas ngjarjes në Kinë, me ministrin e Mbrojtjes, Lin Biao, që në tentativë arratisje, e qëlluan dhe ia dogjën avionin në ajër afër kufirit me Mongolinë), si dhe besnikëria e Mehmet Shehut ndaj tij.
Dokumenti në fjalë, është bërë pjesë e dosjes voluminoze që u administrua asokohe nga “Grupi Operativ Special”, (që u krijua në vitin 1982, vetëm pak ditë pas arrestimit të Kadri Hazbiut), i cili kryesohej nga zv. ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, i cili njëkohësisht mbante dhe funksionin ne Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, ku ish-ushtarakut të lartë, i kërkohej të dëshmonte “për veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut, dhe Kadri Hazbiut”!
Siç ishte edhe “heqja e municioneve nga tanket” që parakaluan në paradën e madhe të 30 vjetorit të çlirimit në 29 nëntor të vitit 1974, si dhe ndërtimi i tribunës së udhëheqjes, me hekur e beton. Por për më shumë rreth kësaj etj., na njeh dokumenti arkivor që publikohet për herë të parë nga Memorie.al. të cilin po e botojmë bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.
DOKUMENTI ARKIVOR I VITIT 1982, ME DËSHMINË NË HETUESI TË ISH-OFICERIT MADHOR, PËR NDËRTIMIN E TRIBUNËS SË UDHËHEQJES ME BETON, PAS URDHRIT TË MEHMET SHEHUT
Proces-verbal mbi pyetjen e të pandehurit (………..)
Tiranë, më 16.11.1982
Unë, (B…..I…..), hetues në ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin (………..).
Pyetje: Vazhdoni i pandehur, na shpjegoni mbi veprimtarinë tuaj armiqësore, kundër pushtetit popullor?
Përgjigje: Unë (…….), kërkova nga hetimi një kohë prej dy apo dy tre ditë, të mendohesha për të dhënë shpjegime më të hollësishme rreth procesit tim hetimor, ku kam folur për Kadri Hazbiun.
Unë kam shpjeguar edhe në procesin e parë hetimor, se Kadri Hazbiu është në veprimtari të përbashkët armiqësore me Mehmet Shehun. Këtë shpjegim dua ta vazhdoj edhe sot, për sa m’u kujtuan, gjatë kohës që unë u mendova:
Në muajin nëntor 1974, kur po përgatisnim paradën, dhe ishte prova e parë apo e dytë, përpara kryeministrisë, një natë ishim aty, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe kuadro të tjerë të Ushtrisë, që do të shihnim provat e paradës.
Mbasi erdhi aty sekretari i Komitetit Qendror, shoku Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu më tha që t’i shpjegoj unë shokut Hysni, në lidhje me kuadratet, i shpjegova dhe në mbarim të provave të paradës unë qëndrova aty, kurse shoku Hysni u largua.
Aty ngeli Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, unë (…….) Sami Meçollari, Mendu Backa, e disa të tjerë që tani nuk më kujtohet se kush ishin.
Në këtë kohë Mehmet Shehu i dha udhëzime Mendu Backës, që të bënte me beton tribunën ku do të rrinin udhëheqësit, duke thënë se tribuna të bëhet me beton, që tanku po të vijë, të mos e rrëzoj dot.
Në këtë kohë ndërhyra unë duke i thënë se neve asnjëherë nuk e kemi bërë me beton dhe nuk ka si të ndodhë që tanku të dalë nga rreshti dhe të vij të qëlloj në tribunë!
Mehmeti më tha se; ti je miop, neve do të marrin çdo masë që të evitojmë çdo të papritur. Mehmeti vazhdoj të jepte udhëzime duke thënë që tankeve t’ju hiqet municioni i gatishmërisë, juve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të mbani përgjegjësi për këto punë.
Unë i thashë atëherë, kështu ne do t’u heqim edhe avionëve municionin! Mehmeti më tha se për këtë mban ti përgjegjësi me kokën tënde. Mbas kësaj neve u ndamë nga njeri tjetri, duke lënë që tribuna të bëhej me beton, tankeve t’u hiqej municioni, kurse avionëve jo.
Mehmet Shehu u largua në shtëpinë e tij, kurse unë dhe Kadri Hazbiu u larguam për tek makinat që na prisnin tek ura e Lanës. Iknin grup me grup, por unë ikja me Kadrinë, bashkë me njëri tjetrin.
Gjatë rrugës Kadri më tha se: “Ti (……..) duhet të reagosh mirë, ata e kam fjalën për rastin e sotëm, por për të gjitha duhet dëgjuar Mehmeti, di më shumë se neve, njeh gjendjen më mirë se neve, kjo është për të mirën tënde, se pastaj do të jetë vonë”.
Unë i thashë se do ta kem parasysh, dhe ai hipi në makinë dhe u largua për në shtëpi, kurse unë në shtëpinë time. Tribuna u bë me beton gjate netëve, tankeve të paradës iu hoq municioni, po se kush konkretisht e ka transmetuar urdhrin e Mehmet Shehut, këtë nuk e di, por prezent aty ishte Sami Meçollari, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Kurse unë municionet e avionëve nuk ia hoqa dhe as ja thashë njeriu. Mbas dy tre ditëve të këtij urdhri të Mehmet Shehut, një ditë kur do të shkonim të shikonim provat e paradës, hipa në një makinë me A. F., komandantin e tankeve pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. A…më tha: “Çfarë bëhet kështu, t’u hiqet municioni tankeve të gatishmërisë, kjo nuk është parë”?!
Unë i thashë se mos diskuto, është urdhër dhe ai nuk foli më gjatë. A… i vinte inat, sepse si komandant tankesh nuk e kishin njoftuar. Për mua parakalimi i tankeve me municion, nuk kishte asnjë rrezikshmëri, sepse shoferi ishte poshtë dhe komandanti i tankut ishte lart dhe nuk kishte se kush t’i vente në përdorim armët.
Dhe ishte gjë e pamundur të bëhej, me municion neve kemi parakaluar në çdo paradë, kurse po t’ju hiqja unë municionin avionëve, do të prishej gatishmëria e avionëve dhe do të duheshin disa orë që të viheshin përsëri në gatishmëri avionët!/ Memorie.al
I pandehuri Hetuesi
(……….) (B…..I…..)