Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Mark Sadikut, i cili në periudhën e Monarkisë së Zogut u zgjodh nga një kuvend i burrave të Malësisë si “Kryetar i Djelmnisë së Shalës” në prillin e vitit 1939, pasi nuk pranoi që të shkonte në Romë, me delegacionin që i çoi Kurorën e Skënderbeut, Mbretit, Viktor Emanueli i Tretë, u arrestua dhe u internua në ishujt e Italisë, ku vuajti deri në vitin 1943, që kapitulloi Italia fashiste e Musolinit. Thirrja e kushtrimi i Mark Sadikut në kuvend të burrave të Malësisë, që e organizoi nënprefekti i Plavës dhe i Gucisë, në vitin 1944, ndaj të gjithë burrave që ishin mbledhur aty, duke u kërkuar të faleshin gjaqet dhe hasmëritë e të bashkoheshin të gjithë, për të luftuar kundra forcave serbo-malazeze që bënin masakra ndaj popullsisë shqiptare të asaj krahine. Arrestimi i Mark Sadikut dhe dy djemve të tij, Sadikut dhe Gjetos, ata u dorëzuan vetë pas amnistisë që kishte dhënë regjimi komunist dhe vrasja e Markut nga hasmi, teksa ai po shkonte në një mbledhje, që e kishin organizuar komunistët. Arratisja e dy djemve të tij dhe vajzës, në male dhe më pas në Jugosllavi, pasi vuajtën disa vite nëpër burgje si nipa të Mehmet Shpendit, përfituan azilin politik dhe u vendosën në Francë familjarisht.
Kush ishte Mark Sadiku?
Mark Sadiku, u lind në vitin 1889 në fshatin Pecaj të Shoshit, prej nga ishte dhe origjina e asaj familje, dhe babai i tij, Sadik Mark Shpendi, ishte i vëllai i Mehmet Shpendit, heroit të famshëm dhe prijësit të malësorëve të Veriut, i cili u vra duke luftuar me armë në dorë, kundër forcave serbo-malazeze. Që kur ishte gjallë Mehmet Shpendi, shtëpia e tij në Pecaj të Shalës, formoi për herë të parë “Djelmninë e Shalës”, e cila kishte për qëllim, që të ruante zakonet e maleve, të ndante pleqnitë në kuvendet e burrave dhe të udhëhiqte malësorët në luftërat kundër të gjithë armiqve. Formimi i “Djelmnisë së Shalës”, iu kërkua, Shpend Sadrisë, (babait të Mehmet Shpendit), prej 90 malësorëve të asaj krahine, kur ai ishte në moshën 84 vjeçare. Pasi u konsultua me djalin e tij, Mehmet Shpendin, Shpend Sadria doli të nesërmen në kuvendin e burrave, ku në prani të Dom Pjetër Dedës, u lidh besa mes gjithë atyre burrave që ishin mbledhur në atë kuvend. Që nga ajo ditë që u krijua “Djelmnia e Shalës”, ajo u kryesua prej shtëpisë së Mehmet Shpendit dhe pas vrasjes së tij, kryesinë e saj e trashëgoi i nipi, Mark Sadiku i Shalës. Marku ishte një njohës i thellë i kanunit të maleve dhe ai thirrej e dërgohej shpesh, ndër kuvendet e burrave, fiseve dhe pleqnive të bajrakëve, për pajtime gjaqesh, ndarje kufijsh e ngatërresash etj. Kështu që nga ajo kohë që Mark Sadiku u vu në krye të “Djelmnisë së Shalës”, e gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, ai ishte një nga burrat më të respektuar të asaj treve. Marku u martua me Mire Mushakën nga fisi Gjonpepaj i Nikajve, e cila ishte një grua burrneshë, që rridhte nga dera e Hajdar Mehmetit, e njohur në të gjithë atë krahinë për shtëpi bujare dhe urti. Nga ajo martesë, atyre u lindën katër fëmijë: Sadiku, Gjeta, Syka dhe Prena.
Internimi i Markut në Itali
Ashtu si shumë nacionalistë të tjerë edhe Mark Sadiku e kundërshtoi hapur pushtimin fashist të Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të arrestohej e të internohej në ishujt e Italisë. Lidhur me këtë, e bija e tij, Syka Sadiku (Vojvoda) na tregonte: “Në prillin e vitit 1939, pak ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, babën tonë Mark Sadikun, që njihej e respektohej si “Kryetar i Djelmnisë së Shalës”, e lajmëruan që të shkonte në Tiranë, ku autoritetet e larta qeveritare do të bënin një mbledhje, me parinë dhe bajraktarët e Veriut. Siç u tha atëhere, qëllimi i organizimit të asaj mbledhje nga ana e autoriteteve shtetërore të Tiranës, do të bëhej për të zgjedhur disa burra, nga paria e bajraktarët e Veriut, për të shkuar në Romë, ku do t’i çohej Kurora e Skënderbeut, Mbretit Viktor Emanueli.
Por për qëllimin e vërtetë të atij takimi, si babës ashtu dhe burrave të tjerë, të cilët ishin thirrur në atë mbledhje, nuk u kishin kallëzuar gjë, e të vërtetën rreth asaj ne e mësuam disa ditë më vonë. Pas marrjes së atij njoftimi, Marku u vesh me kostum kombëtar dhe zbriti në Shkodër, ku ishte lënë vend-takimi me burrat e tjerë të parisë dhe bajraqeve të Malësisë, që do të shkonin për në Tiranë. Por sapo baba shkoi në afërsi të Prefekturës, ai u arrestua nga italianët dhe pas pak ditësh, së bashku me shumë nacionalistë të tjerë, që kishin kundërshtuar pushtimin fashit të vendit, i nisën për në burgun e Tiranës dhe prej aty i internuan në ishullin e Ventotenës në Itali. Aty në atë burg ku ishin të internuem dhe shumë shqiptarë të tjerë, baba qëndroi deri në vitin 1943, kur ra Italia. Rrobat e kostumit kombëtar, që baba i veshi atë ditë që u bë gati me ra në Tiranë, ai nuk i hoqi gjatë gjithë kohës, që nejti i internuem, në ishujt e Italisë. Kur shokët e tij i thoshin: ‘Po pse more Mark nuk i heq këto tesha e të veshësh të tjera, kështu si na?!, baba i përgjigjej atyre duke u thanë: ‘Këto janë rroba dasme dhe i kam vesh që atë ditë që më pat çue fjalë Mreti i Italisë dhe nuk mundem me i heq, pa lejen e tij. Baba mundi me u lirue prej internimit, vetëm kur ra Italia, në fillimin e vjeshtës së vitit 1943 dhe në atë kohë ai erdhi në Shqipni ,së bashku me shokët e tij që kishte qenë i internue”.
Marku në Plavë
Pas lirimit nga internimi dhe ardhjes në Shqipëri, Mark Sadiku i Shalës, shkoi në vendlindjen e tij, në fshatin Pecaj të Dukagjinit, ku e pritën me mjaft përzemërsi, jo vetëm familja e të afërmit e tij, por edhe gjithë burrat e asaj krahine dhe paria e Shalës. Lidhur me këtë, e bija e tij Sykja, na tregon: “Atë kohë që erdhi baba në shtëpi, nënprefekti i Plavës e i Gucisë, Shem Seferi, u qiti kushtrim të gjithë burrave e fiseve të Malsisë së Madhe, Dukagjinit e Malsisë së Gjakovës, që të mblidheshin në një kuvend të madh e për të rrokur armët, në mbrojtje të tokave shqiptare. Nga ai za që u qiti nënprefekti, ranë në Plavë e Guci ma se katërdhet e dy bajraktarë, me ma shumë se 10 mijë burra të armatosun. Në atë kuvend që u mbajt në Plavë, e morën fjalën përfaqësuesit më në zë të bajrakëve të parë të Veriut, siç ishin: Dedë Shabani për Malësinë e Madhe, Shem Seferi për Plavën e Gucinë, Dem Ali Pozhari për Malësinë e Gjakovës e rrethet e Pejës, dhe Mark Sadiku për Dukagjinin.
Gjatë atij kuvendi, Marku, bani propozimin që u quajt ma me vend, duke thënë se prej asaj dite duhej dhanë besa e burrit, prej të gjithë atyre personave dhe fiseve të cilët kishin ngatërresa të vjetra, ankime apo gjaqe pa marrë, në mënyrë që t’i ndërprisnin ato. Sepse prej asaj dite, Malësisë dhe gjithë Shqipnisë, i kërcënohej një armik i madh e i përbashkët, që ishin serbo-malazezët, të cilët nën maskën e komunizmit kërkonin të siguronin rishtazi tokat shqiptare të shkelura padrejtësisht gjatë Luftës së Parë Botërore. Baba tha aty në atë kuvend, se; kufijtë etnikë nuk ishin të një fisi apo të një bajraku, por ato ishin të gjithë popullit mbarë, pa dallim feje ideje dhe krahine. Pas kësaj, Mark Sadiku u kërkoi të gjithë atyre burrave, që ishin mbledh në atë kuvend, që të jepej besa aty në shesh të burrave, që në rast nevoje kur të paraqitej rreziku, të gjithë ata t’i përgjigjeshin kushtrimit të dhënë, duke nxjerrë vullnetarë të armatosur, për të shkuar në atë pjesë të kufirit që rrezikohej prej armikut. Pas këtyre fjalëve të thana prej babës, aty u lidh besa e burrave, prej të gjithë bajraqeve dhe që nga ajo ditë u vunë roje të armatosura në pikat ma delikate të kufirit dhe ata u porositën, që kurdoherë që të hetojshin lëvizjet e brigadave komuniste, serbo-malazeze të lajmërojshin menjëherë kryetarët e asaj besëlidhje.
Dhe ajo që ishte parashikua prej babës dhe prej të gjithë atyre burrave, që morën pjesë në atë kuvend, nuk vonoi me u ba realitet. Kështu vetëm pas pak kohe, në nëntor të vjetit 1944, brigadat komuniste serbo-malazeze mësynë kah toka jonë, duke kalue kufinin etnik. Pas kësaj u dha kushtrimi prej Guciet dhe Mark Sadiku, jo vetëm si Kryetar i “Djelmnisë së Shalës”, por edhe si kryetar i forcave nacionaliste të Dukagjinit, mblodhi të gjithë pushkatarët e asaj krahine dhe menjëherë kaloi Qafën e Pejës, e u bashku me forcat e Prek Calit të Kelmendit, e me ato të Xhem Sadrisë që erdhën nga Malsia e Gjakovës. Atë kohë pati ba dimën shumë i fortë dhe malet e Cecunit dhe të Nakutit, ishin të mbulueme me borë, lëshuan orteqe të mëdhenj, të cilat zunë nën vete dhe i lanë të vorruem shumë luftëtarë të malësisë. Luftimet që u zhvilluan në Qafë të Previsës dhe në Vasoviq, përfunduan me fitoren e luftëtarëve shqiptarë. Pas kësaj Mark Sadiku, me gjithë luftëtarët që kishte me veti, u kthyen në vendin e vet”.
Vrasja e Markut
Mbarimi i Luftës dhe ardhja e komunistëve në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, e gjeti Mark Sadikun dhe dy djemtë e tij, Sadikun e Gjeton, të arratisur ndër male, së bashku me shumë burra të tjerë të Shalës e të Shoshit. Lidhur me këtë dhe vrasjen e Mark Sadikut, e bija e tij, Sykja tregon: “Menjëherë sapo mbaroi Lufta dhe brigadat komuniste të partizanëve hynë edhe në Shkodër, Marku së bashku me dy djemtë, (vëllezërit e mi) Sadikun e Gjeton, dolën nëpër male me qëllim që të ruheshin prej komunistëve, të cilët po vritshin dhe po burgosshin shumë njerëz të pafaj. Baba e dinte se komunistët nuk do t’ia falnin atij dhe vëllait tim, Sadikut, të cilët patën luftue me forcat e nacionaliste të Ballit Kombëtar, kundër brigadave komuniste serbo-malazeze. Ishte kjo arsyeja kryesore që ata qëndruan nëpër male, deri në atë kohë që qeveria komuniste e Tiranës, shpalli faljen e parë për të gjithë të arratisurit politik, që nuk kishin ba krime. Duke heq keq në jetën e malit dhe duke mos pas rrugë tjetër kalimi, pasi kufiri me Jugosllavinë ishte i myllun dhe ai jugor me Greqinë, ishte nën kontrollin e komunistëve grekë të gjeneralit Markos, baba me dy vëllaznit e mi, Sadikun e Gjeton, vendosën me u dorzue. Mirpo pas dorëzimit të tyre në Kodër të Shëngjergjit, komunistët nuk e majtën fjalën dhe i prenë ata në besë, duke i burgosun në burgun e Shkodrës, ku ata i patën torturua rëndë.
Ajo gjë fatmirësisht vazhdoi jo shumë kohë, për arsye se qeveria komuniste e Tiranës, nxori një falje tjetër dhe i liroi nga burgu babën dhe dy vëllezërit e mi, pasi ata sipas tyre nuk i kishin lye duart me gjak. Mirëpo edhe pas lirimit, baba me gjithë Sadikun e Gjeton, ishin vazhdimisht nën ndjekjen e forcave të Sigurimit të Shtetit dhe të gjithë ata që e njihshin babën, thoshin se Mark Sadiku kishte për me ra përsëri në burg, pasi ai nuk rrinte pa fol, kundër komunizmit. Aty kah vjeti 1945, në malësitë e Shalës e Shoshit, u patën ba do mbledhje të shpeshta, ku thirrej i gjithë populli me detyrim dhe u bëhej propagandë komuniste. Një nga këto mbledhje u bë edhe në Bregun e Lumit në Shalë, e në atë ditë baba kishte shkue për mik te Balë Mark Milani. Megjithëse Bala iu lut Markut, që të mos shkonte në atë mbledhje se diçka i kishte ndje zemra, prej sedrës, baba, nuk nejti dot pa shku. Atë ditë teksa ishte duke fillua mbledhja, hasmi i babës qiti tre herë në pushkë dhe e la atë të vdekun. Ndërsa Marku akoma nuk kishte dhanë shpirt, Balë Mark Milani që mbeti i premun në besë, qiti në pushkë dhe e la të vdekun në vend vrasësin e babës”, kujton, Syke Sadiku,
Arratisja e familjes në Francë
“Pas vrasjes së babës, nga fillimi i vitit 1946, motra jeme, Prena, dy vllaznit, Sadiku me Gjeton, nipi i tyre, Kol Ndou, së bashku dhe me kushëririn, Pjetër Mehmetin, (i biri i Mehmet Shpendit), dolën në arrati, pasi u kërkojshin për t’u arrestu, prej Sigurimit të Shtetit. Gjatë kohës që ata të gjithë nejën nëpër male, Pjetri u vra në përpjekje me forcat partizane të Ndjekjes, pasi u pat pre në besë nga një njeri prej Curraj të Epërm. Pas kësaj Sadiku me Gjeton e Kolën, u dorzuen pas faljes së dhanë nga komunistët dhe u burgosën të tre. Pas asaj dite të gjitha gratë e familjes, duke filluar nga gruaja e Markut, Mirija, (nana jonë) e bija, Prena dhe nuset, Drage e Age, u internuan në kampet e Beratit, Tepelenës dhe Elbasanit. Por duke përfitua nga një falje tjetër e komunistëve, Gjeto, me Sadikun e Kolën, dolën prej burgut dhe pas pak kohe, ata ikën përsëri në arrati ndër male, pasi kërkoheshin për t’u arrestue prej Sigurimit. Kjo gjë pat ndodhë, kur u arrestua, bashkëshorti im, Lekë Vojvoda, me gjithë bajraktarin e Shoshit.
Bashkë me Sadikun, Gjetën dhe Kolën, ishin në mal dhe motra jeme, Prena, me gjithë nusen e Gjetos, Agen. Në vitin 1948, kur Shqipëria u prish me Jugosllavinë, ata mujtën për me e kalue kufinin dhe dolën në Mal të Zi. Në këtë kohë në shtëpi pati metë vetëm nana jonë, Mirja, me nusen e Sadikut, Drangen, e cila kishte dy vajza të vogla dhe ishte përsëri shtatzënë. Kur ata dolën në Jugosllavi, dhe serbët e kuptuan se ishin nipat e Mehmet Shpendit, i cili pat ken vra me shkja, i mbyllën nëpër burgje e kampe përqendrimit, duke i lëviz herë pas here, sa në Guci, Pejë, Kotorr, Zetë, Hercegnovi, Vuçitern e deri në Beograd. Aty nga vjeti 1956, kur ata e humbën shpresën për një ndryshim të situatës në Shqipni, kërkuan prej Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit për me dal në Perëndim.
Pas kësaj atyre iu dha e drejta dhe të gjithë shkuan në Francë ku jetuan të lirë për vite me radhë, e përfundonte rrëfimin e saj Syke Sadiku, e bija e Mark Sadikut të Shalës, lidhur me historinë e dhimbshme të familjes së saj, ku një pjesë jetoi në Francë dhe pjesa tjetër që mbeti në Shqipëri, u persekutua në mënyrën më barbare, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Dy vëllezërit e Sykes, Gjeta me Markun, që jetuan në Francë, vdiqën atje në dhe të huaj, duke i lënë një amanet motrës, Prenës, që eshtrat e tyne t’i sillte një ditë për t’u prehur në vendlindjen e tyre. Atë amanet, Prena Sadiku, e mbajti si gjënë më të shtrenjtë dhe e bëri realitet vetëm në 25 korrik të vitit 1999. Atë ditë të nxehtë vere, kur më shumë se 1500 burra të ardhur nga 11 bajrakët e Veriut, ishin mbledhur në fshatin Pecaj, një helikopter civil u ul në një livadh me dy arkivol të vegjël, ku ndodheshin eshtrat e Sadikut dhe Gjetos, dy djemve të Mark Sadikut të famshëm të Shalës, të cilëve në përkujtim të babait të tyre, mbarë Malësia, atë ditë iu rezervoi një varrim madhështor./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016