Pjesa e dytë
Memorie.al / Të vjetrit e kanë njohur mirë Hafiz Musa Dërgutin, atë hoxhë të nderuar prej të gjithëve, i shquar për devotshmërinë e tij të thellë, atë hoxhë që gjithnjë ishte pranë nevojtarit, pranë halleve dhe shqetësimeve të njerëzve. Kudo që kishte një hall, kudo në familjet e Shkodrës e të katundeve për rreth, që kishte një mosmarrëveshje, do të gjendej Hafiz Musaja, me fjalën e tij, me dashamirësinë e me autoritetin e tij, për të qetësuar zemrat e plagosura, për të shuar gjakrat e ndezur, për të pajtuar e afruar vëllain me vëllanë, burrin me gruan, familjen me familje, fisin me fis. E të gjitha këto i bënte për hir të Zotit, duke sakrifikuar kohën e çmuar, pa marrë parasysh lodhjen e mundimet, e jo rrallë, duke përballuar shpenzime shpeshherë edhe të rënda.
Lidhur me qëndrimin në hetuesi flitet edhe në një artikull të gazetës “Balli i Kombit”. Pas shumë muaj torturash e nisën për ta gjykuar në gjyqin e popullit. “Shumë muaj pas, të pafuqishëm, me lot në sytë i pamë të kalonin në mes të një turme që bërtiste me zemrim, të lidhur me pranga dy e nga dy. Ishin 39 vetë e ndërmjet tyre ishin françeskani Pater Gjon Shllaku, seminaristët Mark Çuni e Gjon Shllaku, profesori Gjelosh Luli dhe Hafiz Dërguti, një drejtues mysliman”.
Mbas një gjyqi të inskenuar dhe me akuze false, Gjykata Ushtarake e Qarkut të Shkodrës e deklaroi fajtor për “Krimin si armik i popullit, neni 2 dhe 3, ligji 372. Sipas regjistrit të Gjendjes Gjyqësore të Ministrisë së Drejtësisë, në numrin e Protokollit 7596 theksohet se; “Për të quajturin Musa Dërguti, i biri i Et’hemit dhe i Meleqes, lindur në Shkodër, me vendimin Nr. 463, dt. 27.11.1947, nga Gjykata Ushtarake Shkodër, është deklaruar fajtor për krimin si armik i popullit, neni 2 dhe 3 të ligjit 372, dënuar me 10 (dhjetë) vjet privim lirie dhe heqjen e së drejtës Civile.”
Gjithashtu, në një shkresë tjetër, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik, Drejtoria e Administratës së Burgjeve theksohet se; “Z. Musa Et’hem Dërguti, i vitlindjes 1888, në bazë të regjistrit themeltar Nr.1, me numër rendor 5264, është arrestuar më 11.09.1946 dhe liruar më 8.11.1956”.
Nga këto dy dokumente theksojmë se, me gjithë përpjekjet tona për t’u njohur me dosjen gjyqësore dhe dosjen hetimore të Hafiz Musa Dërgutit, nuk qe e mundur, sepse Gjykata e Rrethit të Shkodrës nuk pranoi të na i vinte në dispozicion. “Kuptojmë se Hafiz Musa Dërguti, është arrestuar më datën 11.9.1946, të nesërmen e Kryengritjes së Postribës, është gjykuar më datën 27.11.1947, është mbajtur në hetuesi për një vit, dy muaj e 16 ditë.
Pra, që nga 11 shtatori 1946 e deri më 27 nëntor 1947, ky hoxhë i nderuar, krejtësisht i pafajshëm është torturuar në birucat e Sigurimit të Shtetit, për të arritur që të shpallet armik i popullit e, të dënohet me 15 vjet, nga pretenca e Prokurorit e të merret vendimi nga trupi gjykues, i drejtuar nga Aranit Çela me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës civile.
Është për t’u theksuar se Hafiz Dërguti, nuk përfitoi nga asnjë lloj amnistie dhe i ka vuajtur plotësisht të gjitha vitet e dënimit, madje ka bërë edhe dy muaj burg më shumë, se dhjetë vitet e dënimit. E të gjitha këta, në burgun famëkeq të Burrelit. Ai, me sa duket, ka qenë një armik shumë i rrezikshëm i popullit (kupto i regjimit komunist).
Dëshirojmë të theksojmë se, kur u arrestua Hafiz Musa Dërguti, ishte në moshën 56 vjeçare dhe doli nga burgu mbi 66 vjeç, plak i lodhur. Hafiz Musa Dërguti, dënohet në bazë të ligjeve komuniste dhe cilësohet armik i popullit, ndërsa e gjithë veprimtaria e tij, gjatë gjithë jetës, provon fare qartë se ka qenë një mik i të gjithëve, një propagandues i paqes, i mirësisë, i mëshirës, i devotshmërisë, njeri i aftë për t’iu gjetur pranë njerëzve në hallet e shqetësimet familjare, në brengat e mosmarrëveshjet, që ka çdo ditë jeta.
Ai gjithnjë me fjalën e urtë, me autoritetin e devotshmërinë e tij ishte mik i ngushtë, i çdo familjeje, i çdo nevojtari, ishte mik i popullit, ishte një atdhetar i shquar. Po ku pyeste gjyqi ushtarak komunist, për këto? Ai, me shpatën e luftës së klasave, nuk bënte dallime, donte terror e këtë nuk e kursente kundër askujt, pa marrë parasysh asnjëri, asnjë fakt, sado kuptimplotë që të ishte. Kështu Hafiz Dërguti çohet në fillim në Burgun e Madh e pastaj në burgun e Burrelit.
Lidhur me jetën e tij të mjerë në këto burgje, me vuajtjet që kaloi dhjetë vjet në ato biruca të llahtarshme, dëshmitarët flasin vetëm në një drejtim, theksojnë vetëm një fakt: “Hafiz Musa Dërguti, nuk u ankua asnjëherë, nuk e humbi aspak besimin në ditën e bardhë të lirisë, ishte optimist e me këtë optimizëm i frymëzonte të gjithë”.
- Ruzhdi Çoba i përfundon kujtimet e veta, me këto fjalë: “Ky qe Hafiz Musa Dërguti, që kam njoftë vetë. I durueshëm. Kur mori vesht se i kishin internue familjen, gjë që i shkaktoi shumë dhimbje, i lutei Zotit ditë e natë. Në fakt ndej shumë vite në burg, por kurrë nuk u mërzit, gjithnjë jepte kurajo e shpresë, sidomos të rinjve. Gjithmonë optimist, optimist, optimist, megjithëse ishte në moshë të pleqnisë”.Për të treguar besimin e thellë e optimizmin e Hafiz Dërgutit, po citojmë një fragment nga artikulli i Z. Beqir Ajazit: “Njëherë më doli gjumi shumë herët. Sipas ndërrimit të rojeve, kuptova se ishte ora 3 pas mesnate. U mërzita mjaft, se e dija që, me t’u zgjuar njëherë, gjumi arratisej përfundimisht prej meje dhe ua linte vendin brengave e dhembjeve, që s’kish melhem që t’i zbuste. Në këtë kohë vura re, se Hafizi i kish hapur sytë. I shkrirë i tëri në hallet e mija, unë e harrova për një çast respektin që i detyrohesha dhe kështu guxova dhe i thashë:Efendi, a thua vallë se nuk pati Zot fare dhe ne e humbëm jetën ashtu kot së koti, duke i dhënë rast komunizmit, të na hajë për mish pëllumbi?! Me këtë pyetje, unë nuk prisja nga ai ndonjë leksion teologjik, por doja vetëm njëfarë ngushëllimi, sa për të qetësuar pak shpirtin tim të sfilitur. E pashë që ai u nevrikos me mua, ngriti kokën nga jastëku dhe me ata sy që i shndrisnin fort, duke e ngritur gishtin tregues në formë kërcënimi, filloi të më fliste me zemërim:
– A e di ti sa vjeç jam?! Sa vjet burg kam bërë dhe sa më kanë mbetur për të bërë? Po, a ta merr mendja ty se me të vërtetë Hafiz Musai i plotëson edhe të gjitha këto vjet dhe del e shkon në shtëpi i gjallë?
– Jo, në të vërtetë jo.
– E pra shiko këtu, vërja veshin mirë këtyre fjalëve, se nuk ke për t’i dëgjuar kurrë prej gojës sime. Në qoftë se Hafiz Musa Dërguti, vdes në burg, atëherë rri i qetë e, pa kurrfarë frike, se Zot nuk ka fare, por ama, nëse Musai del prej burgut e, shkon e vdes në shtëpi të vet, atëherë të jesh i sigurt, se ka një Zot që e rregullon në harmoni të plotë, të gjithë rruzullin. Kjo vuajtje që po heqim ne, nuk është tjetër, veçse një shkallë ngritjeje shpirtërore, që na çoi Zoti për të na nisur drejt përsosmërisë.
Me të mbaruar këto fjalë, ai e vuri rishtazi kryet në jastëk dhe hyri në atë faze, ku shiheshin vetëm buzët që lëviznin dhe vetëm një Zot e dinte, nëse ai po flinte apo i lutej Atij. Nuk kishin kaluar akoma mirë as dy vjet, nga lirimi im prej burgut të Burrelit, kur një ditë dikush trokiti në portën e shtëpisë time. Ishte postieri që më dorëzoi një telegram. E hapa atë me një farë habie, sepse s’kisha marrë kurrë letër, as telegram, prej askujt, qysh se kisha dalë nga burgu.
-Hafiz Musai sosi në shtëpi dhe ju pret. Familja.
Nuk mund t’u besoja syve të mi. Më dukej fare e pamundur. Madje, për t’u siguruar se nuk isha në kllapinë e një ëndrre, ia dhashë dikujt që të ma lexonte…! Vetëm atëherë më ranë në mend fjalët që më kish thënë Musa Dërguti, atë natë…! Kuptimi i këtij telegram, donte të thoshte: A e shikon pra dhe a e kupton provën që të kam dhënë dikur, se KA NJË ZOT QË ËSHTË I VETËM E I PASHOQ”?!
Optimizmin e Hafiz Dërgutit, besimin në jetën, besimin për vazhdimësinë e saj, mund ta shohim fare qartë edhe në këtë bisedë që po shënojmë më poshtë, dhënë nga At Zef Pllumi, në Burgun e Madh të Shkodrës. Hafizi, duke parë tek seminaristi një djalë të ri edhe në rrethanat e errëta të burgjeve komuniste e ka mendjen te jeta, te vazhdimi i saj, tek rrjedha e saj e natyrshme, tek fejesa e martesa e prandaj, në konfidencë e me dashamirësinë që e karakterizonte, i thotë: “A din Zef, se gjithë këtyre netëve, në këtë zallahi që ka dhoma jonë, po na kalon nata pa fjet dhe kam mendue për ty…?!
Shif, me çka di unë, ti nuk je prift, si këta tjerët. Prandaj tue mendue me vedi, gjithë natën pa gjumë, kam thanë: Asht një vajzë tamam perri. E njof unë. E bukur…ajo ma! I ka flokët e verdhë valë-valë, që i bien mbrapa deri poshtë brezit. Aman o Perëndi, tamam një perri. Asht shpijes së mirë. Për hise i takojnë dy shpija. Shif, kur të më vijë në takim, unë po u çoj fjalë për ty.
Mos më thuej jo. Jam unë dorëzanë për gjithçka. Kurrgja ma të bukur e ma të mirë, nuk ka krijue Perendija se martesën. Asht e mirë dhe ëmbël mjalta? E pra nuk i rin kurrkund afër, gruas së mirë! Me të qitë Zoti nji grue të mirë, të bukur, të pastër, të bahet jeta xhenet. Ajo vajza që mendoj unë asht me të vërtetë një perri…”!
Cilësitë e larta morale dhe burrëria e Hafiz Dërgutit dalin qartë në pah në kushtet e rënda të jetës së burgut. Të gjithë ata që kanë pasur fatin e keq të kalojnë vitet në këto burgje së bashku me të, theksojnë se ai ishte zemërmirë, gjithnjë pranë nevojtarëve, shembull i lartë qëndrueshmërie. Ai ia hiqte vetes kafshatën e gojës për ta ndarë me të tjerët.
Tom Lec Marku, e quan “Dai (dorëdhënës) për gjithkënd, i jepte kujtdo çka kishte”, ndërsa Beqir Ajazi, shkruan: “Kalova pranë tij dhe i bëra shërbim 40 muaj dhe po aq herë u kam shpërndarë të mjeruarve të kaushit, kushedi sa sheqer, vaj, oriz, djathë, etj., pa marrë parasysh gjellët e gatuara, të cilat me aq mundim e sakrifica, bliheshin me të shtrenjtë e transportoheshin nga Shkodra në Burrel”.
Prej ushqimeve që i dërgonte familja, mbante për vete vetëm ullinjtë, me të cilët ushqehej, e të gjitha të tjerat ua shpërndante nevojtarëve, të cilët nuk kishin ndihma nga familjarët. Hafiz Dërguti, ishte një hoxhë i ditur, që për problemet e fesë islame dhe të sheriatit, nuk bënte lëshime, por me gjithë këtë, ishte tolerant, predikonte paqe e mirëkuptim mes njerëzve, mes besimtarëve të feve të ndryshme.
At Zef Pllumi, mes tjerave shkruan: “… Hoxha jo vetëm ishte shumë tolerant, por edhe shumë mirëdashës…”! “… ai na respektonte (është fjala kur të gjithë klerikët katolikë të dhomës së burgut, ku jetonte edhe Hafiz Dërguti. Shënimi ynë), e për këtë kishte stimën e dashurinë e ne të gjithëve. Ishte një plak i hijshëm e shumë i sinqertë; na thoshte se gjithë jetën, kishte treguar simpati për Klerin Katolik…”!
E më poshtë At Zefi shkruan: “Hafiz Dërguti, ishte shumë i devotshëm, por jo fanatik…”! Duke kujtuar jetën e burgut, At Zefi thekson një episod shumë interesant: “Nuk shkuen shumë ditë e pa pritë e pa kujtue, u hap dera e birucës sonë. Hini brenda një oficer madhor…! Na pyeti për emën secilin.
– Të gjithë prifta?
– Po të gjithë.
– A shifni çka dort me thanë revolucion? Deri tash ligjet e borgjezisë, priftin e konsiderojshin të paprekshëm, ndërsa na tashti edhe Zotin e biem këtu, të shoqnuem me dy polic. Kjo asht forca e Partisë. Po ti Hoxhë Efendi – i’u suell Hafiz Dërgutit – çka ban ti këtu?
– Edhe unë si klerikët e tjerë.
– Jo Hoxhë Efendi, ti deri tash na ke mësue se asht sevap me mytë kaurrin, e tash si e kalon ti bashkë me priftën?!
– Unë e kaloj shumë mirë me këta – iu përgjigj hoxha. – Na jemi robtë e Zotit. Sa për ato mësime që po thue, asht një dëshmi e rreme: unë kur nuk kam mësue në mejtep, si thue ti!
– Ne mos paç kenë ti vetë personalisht – i tha oficeri – ka kenë një hoxhë tjetër, krejt si ti: me këtë mjekër të bardhë e të bukur.
– Këtu ndërron loja – iu përgjigj Hafizi – unë jam unë e, ai tjetri asht nji tjetër. Në pastë kenë ndonjë hoxhë, që të ka mësue ty me vra kaurrat, po ta them troç, se ai paska kenë nji hoxhë xhahil e, jo nji hoxhë halim”!
Hafiz Dërguti ishte një besimtar i devotshëm. Edhe në kushtet e vështira të burgut, ai i kryente të gjitha ritet fetare. Jo vetëm falte të pesë vaktet, por edhe agjëronte ramazanin. Me shembullin e tij, por edhe si rezultat i punës së Hafiz Dërgutit, mund të them me bindje të plotë, se ato tri vjet që kam qenë unë atj e, nuk ka mbetur mysliman pa e agjëruar ramazanin…”!
Lidhur me vullnetin e bindjen e tij ndaj ibadeteve fetare islame, po sjellim edhe një shembull kuptimplotë, që na e sjell në kujtimet e veta, Z. Ruzhdi Çoba. “Hafizi u sëmur nga adenidet. Jo vetëm ai, por edhe të burgosurit e tjerë u shqetësuan dhe kërkuan nga familja e tij, të siguroheshin streptomicina, për të shëruar sëmundjen.
Ilaçet erdhën, kur për besimtarët myslimanë kishte filluar ramazani. Edhe pse në Kur’an, lejohet besimtari islam, të mos agjërojë për arsye sëmundjeje, Hafizi nuk pranoi të mjekohet, por vazhdoi i bindur thellësisht, të mos e prishte ramazanin.
Mbas 30 ditësh, për çudinë e të gjithëve, Hafiz Dërguti nuk kishte më nevojë të mjekohej, ai ishte shëruar plotësisht nga sëmundja. Këtë Zotni Ruzhdiu, e shpjegon si mrekulli të të Plotfuqishmit. Por ne do të shtonim edhe një faktor tjetër psikologjik, që na duket me shumë rëndësi. Ilaçet, kanë rolin e vet në mjekimin e sëmundjeve, por bindja e njeriut ndaj detyrës, përkushtimi i tij, gjendja e tij shpirtërore në shumë raste, janë shumë më të fuqishme se çdo medikament.
E Hafiz Dërguti, e përballoi sëmundjen me vullnetin e tii, me durimin e tij, me përkushtimin e bindjen e thellë ndaj të madhit Zot, me devocionin e tij ndaj detyrës islame. Ky është një ilaç më i fuqishëm se çdo medikament. Ai kishte besim në jetën, ai nuk iu përkul asnjëherë mjerimeve të burgut, nuk i humbi kurrë shpresat. Ai i ishte mbështetur Zotit të madh e, mëshirëplotë.
E kush tjetër mund të arrinte që t’i shpëtonte aq e aq të burgosur, që kaluan në torturat çnjerëzore, që jetuan në qelitë e errëta e plot lagështirë, në të ftohtin acar, që u zhytën në baltën e zezë të kënetave, mes shushunjave gjakpirëse, në punët sfilitëse, pa ushqim, pa e ngopur njëherë barkun me bukë e, pa gjumë në sy, veç besimit në jetën, veç mbështetjes në mëshirën e të madhit Zot?
Hafiz Dërguti ka qenë sa i dashur dhe i dhembshur, aq edhe krenar, trim e burrëror. Me punën e tij, me sjelljen, me fjalën e tij, e ka provuar gjithnjë këtë, jo vetëm duke rrokur armët për t’i dalë zot vendit në çaste të vështira, por në çdo moment, ai ka ditur të sillet e të veprojë, për të ruajtur dinjitetin e vet, të familjes apo të shokëve me të cilët e kishte lidhur jeta.
Nga jeta e burgut tregojnë një rast kuptimplotë, kur Hafiz Dërguti, duke e ndjerë veten të fyer nga sjellja e një polici, pa iu tutur syri fare për pasojat, kapi paguren e ujit dhe i ra kokës, me sa fuqi pat.
Këtë ngjarje, rapsodi popullor Dedë Shyti, e përshkruan kështu në vargjet e mëposhtme:
“Policët me pengue banë përpjekje,
Të mos i shërbente Hafizi fesë…
Ia prishen t’falunit qentë e pabesë
Policin e qëlloi, tenxhere kresë”!
Jeta në burgjet komuniste, për çdo të dënuar politik, është shoqëruar edhe me vuajtje të thellë shpirtërore, për fatet e familjes, e cila pësonte përndjekje e keqtrajtime të shumëfishta. Arrestimi i solli jo vetëm Hafizit, një jetë plot vuajtje e tortura, por edhe për familjen e tij, filloi një kalvar i vërtetë.
Me 5 prill të vitit 1949, arrestohet e gjithë familja e tij dhe vendoset në burgun e Shkodrës. Nuk mbahet gjatë në Shkodër dhe internohet në Berat, më vonë dërgohet në Tepelenë, në Lozhan të Korçës dhe pastaj izolohen në Kalanë e Porto-Palermos. Më vonë dërgohen në Tepelenë, Skrapar, Lushnje.
Dhe mbas katër vjetësh, më në fund lirohet e shoqja, ndërsa djali i vogël i Hafiz Dërgutit, Sabriu, lirohet pas tetë vjetësh. Dy djemtë e mëdhenj të Hafizit, Fejziu dhe Hamiti, arratisen që në ditët e para, ndërsa djali i tretë, Eqeremi, mbahet në burg edhe katër vjet.
Burgu, arratisja, papunësia, diskriminimi politik dhe ekonomik, mohimi i shkollës për fëmijët, demaskimet e herëpashershme në lagje publikisht, si “armiq të rrezikshëm”, qenë pranga që e lidhen gjithnjë e më fort gjatë sundimit komunist, familjen e Hafiz Musa Dërgutit, vetë atë, gruan e tij, fëmijët, nipërit dhe mbesat.
E, mendoni plakun e gjorë, kë të qante më parë, hallet e tij në tortura e në mjerimet e burgjeve apo, gruan e fëmijët e shpërndarë nëpër të gjitha skajet më të humbura të vendit, ngrënë e pa ngrënë, strehë e pa strehë, pa u nxënë këmba dhe, nga njëri burg në tjetrin, nga njëri kamp, në tjetrin.
E megjithëkëtë, Hafiz Musa Dërguti dhe familja e tij, mbijetoi. Nderi, dinjiteti, krenaria, nuk u mposhtën. Ata i qëndruan këtij persekùcioni të shumëfishtë me dinjitet, me besimin e thellë në Zotin e madhërueshëm, me punë të palodhur, duke fituar kështu respektin e të gjithë qytetit.
Ata mund të kenë vuajtur edhe për bukën e gojës, mund të kenë bërë punë nga më të rëndat, mund të kenë humbur të drejtën e studimeve, si shumë moshatarë të tjerë, por nderin e dinjitetin e ruajtën thellë, ata s’e humbën kurrë besimin në Zotin, pra, kështu mbijetuan.
Lirimi nga burgu me 8.11.1956, qe një ngjarje e gëzueshme për vetë Hafiz Musain, tashmë i plakur dhe i lodhur nga vuajtjet e gjata, për tërë familjen, farefisin e, gjithë miqtë e dashamirët. Shtëpia e tij nuk pushoi, duke pritur e përcjellur miq, që vinin për urim, me gjithë kujdesin e frikën e përhershme që ndjellte persekutimi komunist.
Hafiz Dërguti, vdiq me 15 mars 1961. Përcjellja e xhenazes qe një sfidë për diktaturën komuniste. Qytetarët shkodranë, klerikët e të dy besimeve, fshatarët nga zonat për rreth e, shumë miq e shokë të burgjeve, e shoqëruan me lot në sy. Ata kështu shprehnin dhembjen e thellë dhe respektin e veçantë, për këtë bir të denjë të Shqipërisë, për këtë Hoxhë të nderuar.
Hafiz Musa Dërguti, ka mbetur në kujtimin tonë si një personalitet i shquar i kulturës islame, si një hoxhë i devotshëm, si atdhetar, demokrat dhe antikomunist î vendosur, si qytetar i nderuar, si shëmbëlltyrën e paqes, mirëkuptimit, tolerancës mes njerëzve.
Edhe sot ruhen në kujtesën popullore shumë shprehje e mendime të tij, si: “Ban mirë në këtë jetë”, “Atë që mund të bejsh, mos e le pa ba”, “Përpiqu me i ndihmue të tjerët, jo vetëm kur janë të varfn, por edhe kur bijnë në fatkeqësi e, kanë hallet e jetës”. Këto mësime morale të jetës së përditshme, nga të cilat ai udhëhiqej, e bënë Hafiz Musa Dërgutin, një “Gjykatës popullor”! Memorie.al
Marrë nga libri; “Në kujtim të brezave”, i autorëve; Fak LULI, (Dr. Honoris Causa) “Mësues i Popullit”, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati