Nga Kreshnik Kuçaj
-Historiku i bixhozit në Shqipëri, nga 1927 deri në votimin nga Parlamenti, më 25 tetor 2018-
Memorie.al / Tentativat e hershme që në vitin 1914, për ndalimin e bixhozit në vendin tonë dhe përpjekjet për monopolizimin e tij. Ndalimi i vitit 1927. Frika e deputetëve shqiptarë për fenomenin amerikan të “prohibicionizmit” dhe qëndrimet e diskutimet e mbajtura në seancat plenare të kohës. Bixhozi është konsideruar ndër vite një plagë sociale për shoqërinë shqiptare. Pas shpalljes së Pavarësisë, më 1912-n, rezulton se kafenetë kanë qenë kryesisht vendet ku zhvillohej më shumë kjo veprimtari, por nuk kanë munguar rastet kur personazhe të pushtetshëm të asaj periudhe, i kishin kthyer shtëpitë në “kazino”, shumë të frekuentuara. Kjo problematikë është evidentuar shpesh në shtypin e kohës e, madje Lumo Skëndo në shkrimet e tij, i konsideronte kafenetë si; “fole demoralizimi”.
E në këtë kontekst, nuk kanë munguar as përpjekjet e vazhdueshme për frenimin e këtij fenomeni në Shqipëri. Përpjekjet e atyre viteve kanë qenë në dy drejtime; nga njëra anë ka pasur tentativa për ndalimin e bixhozit e, nga ana tjetër, për vendosjen e tij nën kontroll.
Ndalimi i parë i bixhozit, në 1914-ën
Ndër përpjekjet e para për të ndaluar bixhozin në Shqipëri, është ajo e vitit 1914, nga forcat ushtarake holandeze që ishin në territorin shqiptar, për ruajtjen e rendit publik dhe riorganizimin e xhandarmërisë shqiptare, në kuadër të marrëveshjes ndërkombëtare që solli Princ Vidin në drejtimin e vendit. Referuar raportimeve gazetareske të kohës, bixhozi në këtë periudhë, ishte kthyer në një problematikë serioze dhe nëpër kafene luhej aq shumë bixhoz, sa gdhihej gjithë natën.
Gjatë kësaj periudhe, rezulton, se ligjërisht u ndalua plotësisht bixhozi në vendet publike e, për këtë, ndëshkimi ishte burgosja. Megjithëse urdhëresa e gjeneralit holandez, De Veer, që drejtonte misionet ushtarake në terren, parashikonte ndalimin e bixhozit në vende publike e kafene, sërish nuk mungojnë raportime gazetareske, për shkeljen e këtij urdhri. E një rast i tillë raportohet në Vlorë, më 31 janar të vitit 1914, kur banakieri i një lokali të njohur në qytetin e Vlorës, u kap së bashku me 4 persona të tjerë, duke luajtur bixhoz. Personat dolën para gjyqit ushtarak dhe u dënuan me një javë burg.
Tentativa për ndalim, në vitin 1927
Pavarësisht përpjekjeve të mëparshme e ndalimit me ligj, bixhozi vijoi të ushtrohej në vitet e mëvonshme, por më shumë sesa për ta ndalur atë, ajo që u diskutua në vitet e mëvonshme, do të ishte vendosja nën kontroll e shitblerjes së letrave të bixhozit. Në vitin 1922, do të miratohej vendosja e monopolit shtetëror për letrat e shkrepëset, duke përfshirë në këtë ligj edhe letrat e lojës apo të bixhozit. Me kalimin e viteve bixhozi dhe tendenca për të luajtur lojëra të ndryshme nëpër kafene e ambiente të tjera publike, do të kthehej sërish në një problematikë serioze, aq sa në parlament do të shkonte një propozim konkret, për ndalimin e të gjitha lojërave, të paktën në orarin e punës.
Propozues i nismës do të ishte deputeti Hiqmet Delvina, i njohur ndryshe edhe me pseudonimin “Bilbili i Zogut”. Projektligji parashikonte dy ndëshkime; burgun dhe gjobën. “Luejtja e bixhozit për zbavitje ndër kafe ose, në çdo vend publik, asht e ndalueme prej lindje të diellit, deri në ora 17, përveç ditëve të pushimit zyrtar. Bixhozi për zbavitje, konsiderohet çdo lojë, si; rom, taull, domino, kolçine, triomfo, konsollit, preff, skambil e, të tjera qi nuk përmenden në këtë ligjë. Kundërvajtësit e patronët e lokaleve, ashtu edhe ata qi ndihmojnë tue dhanun çë farë do lloje mjetesh loje, dënohen me burgim prej 24 orëve, deri në nji muej, ose me 100, deri në 1000 franga ari gjobë. Në rast përsëritje, dënohen me të dyja dënimet bashkë”, shkruhej në projekt-ligjin e depozituar në parlament.
Qëndrimet e mbajtura në një seancë plenare, në vitin 1927
Propozuesi i nismës, Hiqmet Delvina, që më vonë do të bëhej ministër Drejtësie, argumenton nevojën e një nisme të tillë, si një nevojë emergjente, për t’i dhënë zgjidhje problematikës së braktisjes së vendit të punës, jo vetëm nga popullata por, edhe nga administrata publike.
“Projekti mund t’ajurnohet, po fjala e jeme jo. Nji fjalë shqiptare thotë: ‘atje ku dhëmb dhambi, atje shkon gjuha’ dhe edhe ata qi thonë se nuk e pranojnë, duket se i dhëmb dhambi. Unë këtë e baj në interesin e popullit, se due moralin t’ia naltësoj dhe atë kohë qi të shkojë tue lujtë, t’a shkojë në punimin n’arë, në tregti e bujqësi. Kjo asht qi më shtyen ta bëjë një proponim të tillë dhe në qoftë se kodi penal e përfshijnë këtë faj, atëhere fajin nuk e kanë ligjet, po ata qi nuk e zbatojnë.
Në të gjithë Shqipnin edhe në kryeqytet, të gjithë ditën, mblidhen ndër vende antihygjenike njerëz të çdo klasi e, tjetër s’bajnë, veç të losin gjithfarë lojnash. Bulku në vend qi të livrojnë arën shkon e lot rem dhe në çdo katund, në çdo vend këjo lojë asht ba nji smundje ma e keqe se malaria e sifilisi. Si e dini, populli duhet të mësohet me punue, se nji popull që nuk punon, ai popull nuk ka nji t’erdhme të mirë e, se pa punë, nji shtet nuk rron dot. Këto janë arsyet qi me shtrënguen të ju parashtroj këtë projektligj dhe në mos e pranoshi, unë për vehten t’ime lajë duart, se detyrën e bana”, u shpreh Hiqmet Delvina, ndërsa diskutohej nisma e propozuar prej tij.
Pas dhënies së argumentit të parë nga propozuesi, nuk do të mungonin qëndrimet alternative nga deputetët e tjerë, madje edhe nga vetë Ministri i Punëve të Brendshme i asaj kohe. Shqetësimi që shprehej nga ana e deputetëve është, se mos në Shqipëri mund të ndodhë, ajo që po ndodhte me ndalimin e alkoolit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deputeti Javer Hurshidi i Gjirokastrës, e mbështet propozimin, edhe pse evidenton se ai përmban disa të meta që mund të rregullohen, ndërsa nisma do të shqyrtohet konkretisht, në komisionet parlamentare. Ndërsa Bahri Begolli, deputeti i Kosovës, evidenton faktin se nevojitet që të përcaktohet një orar, se kur mund të lejohet të luhet, të paktën lojëra të zakonshme.
Vijimi i debatit parlamentar:
Delvina: “Zotnija e tij ka shëtitë Europën e, ka qenë edhe në Vjenë dhe duhet t’a dije se atje, ndër shumë kafehane, ka nji orë të caktueme për prehje. N’Amerikë, nuk ta japin nji karrige, kur asht kohë pune. Kur popujt e mdhaj e, ma të civilizuem, e bajnë këtë, pse mos t’a bajmë edhe neve…”?!
Dibra, Ministër i Punëve të Brendshme: “Bizhozi asht i ndaluem me ligje. Me këtë projekt, edhe lojnat qi janë për zbavitje ndalohen, do me thanë se liria personale kufizohet dhe si e dini, nji gja sa ma tepër kufizohet, aq ma tepër abuzohet. Në asht se pranohet, lutem qi të merret parasysh qi lojnat në kafehane, do të shkojnë nëpër shpija dhe në qoftë se ndër kafehane luhet me nji kafe, në shtëpija do të luhet me të holla. Prandaj, në asht se do të pranohet, i lutem komisionit të marrin para syshë këtë dhe ndalimin t’a bajnë, në nji gradë ma të lehtë”!
Delvina: “Zoti ministër i Punëve të Mrenshme thotë, se kufizohet lirija personale. Këtë nuk e prisnje nga Zotnija e tij si ministër, si ministri i moralit e i edukationit. Këtu lirija personale nuk kufizohet e, deri sa kjo liri të kufizohet në dam të vehtes së tij, mund të këtë të drejtë, po sot në Shtetet e civilizueme, asht ndalue edhe suicidio! Këtu s’ka të bajë me kufizimin e liris, se ata qi losin tër ditën bixhoz, janë kusar e, në vend qi të punojnë, vjedhin e grabisin të drejtën e shtetit e të fëmisë. Ndër ata shtete si Amerika, ku lirija personale asht ma e madhe se ndër ne, kanë ndalue alkoholin”
Kolë Mjeda: “Jam pikërisht dakord me zotin Hiqmet Delvinën dhe e pranoj me disa kondita, se drue se po të ndalojmë lojnat nëpër kafenet, mos të na bahen odat t’ona ku punojmë e, salla e deputetvet, dhoma lojnash e bixhozit. N’Amerikë, pija asht e ndalueme, po duhet me dijtë se atje kushton me miliona dhe me gjithë se asht e ndalueme, prap se prap shitet kontrabandë. Asht e vërtetë se lojnat binë dame të mdhaja në popull dhe kan ndodhë raste, qi shumë kanë lanë shpinë pa bukë me luejt, po unë kisha me kënë i mendimit, qi lojnave me i vuem taksa të randa dhe kështu, vetvetiu hiqen.
Në asht se votohet me konditë qi, lojnat ndalohen krejtësisht e, nuk ndodhë nesër të mblidhen deputet e funkcionar nëpër shpija me luejtë letrash, atëhere e pranoi, përndryshe nuk jam i mendimit t’i presim bukën atyne qi mbajnë kafe e, rrojnë me këtë mjeshtri. Kam kenë n’Europë dhe e dijë edhe unë se n’Amerikë, asht ndaluem pija, po atje veshen njerzit me lastiku plot me raki dhe japing e, shesin raki sikuer i jepet fëmivet cicë. Pra jam i mendimit, t’ajurnohet”
Rusi: “S’kam aspak dyshim qi kolegu këtë proponim, e ban me qëllim të mirë, qi në popull të shtohet zelli i punës, po duhet t’a dijë se ky project, nuk i përmbushë dëshirat e tija, se nji popull nuk punon, tue i ndaluem zbavitjet e tija, po kuer ka dëshirë të punojë. Po të ndalohen lojnat nëpër kafe, ai qi lot do të mbyllet me shokët e tij për shpija, e do të jetë edhe ma keq. Prandej i lutem ta tërheqin këtë proponim, edhe në qoftë se nuk refuzohet prej Dhomës, të shkojë në komision e, të mbesin atje. Sikuer Zotnija e tij, të kishte paraqit nji proponim për ndalimin e alkoholit, atë do t’a pranoshe me gëzim, po ky projekt nuk e përmbushë qëllimin”!
Pas diskutimeve të mësipërme, seanca e nëntorit të vitit 1927 votoi me shumicë votash, që projektligji t’i kalonte për diskutim në komisionet kuvendore e, në fakt, duket se pas këtij hapi, nuk ka avancim të mëtejshëm të projektit. Hapat që ndërmerren, janë kryesisht për kufizime, si në rastin e ligjit të vitit 1931, që ndalonte kumarin dhe pijet alkoolike, për ata që ishin nën moshën 18 vjeç.
Tentativa për monopolizimin e bixhozit, në vitin 1933
Në një prej seancave të mbajtura, në nëntor të 1933-shit, do të diskutohej një project-marrëveshje, që ishte nënshkruar mes ministrit të Financave dhe një tregtari me banim në Durrës, për ngritjen e një hotel të rangut të parë, me kapacitet 100 dhoma fjetjeje, me të gjithë kushtet e nevojshme, brenda të cilit të kishte një kazino të madhe, salla dëfrimi për ballo, një bar, një teatër dhe kinema. Projekt koncesioni, ishte lidhur mes zotit Kristaq Zagoridhi (tregtar) dhe ministrit të Financave Abdurrahman Dibra. Projekti ishte ambicioz e parashikonte, ndërtimin e një resorti të ngjashëm me ato në MonteCarlo, apo SanRemo.
“Hoteli në fjalë do të ketë një kazino madhështore, me salla dëfrimi për ballo, bar, theatro, kinema dhe për lloje të ndryshme, siç janë në Sanremo, Montecarlo, ku ushtrohen lojrat roulette, trente, qarante, bacara, chemindefer, bulette e të tjera loje hazardi, të kësaj dore. Hoteli do të zbukurohet rreth e përqark me lulishte e pemishte, që do të kenë vende të posaçme për tenis e lojna të tjera të jashtme dhe për brinjë detit një banjo modern, me organizata të shëtitjeve me barka dhe të sporteve të tjera, që mund të tërheqin të huajt e, ta bëjnë plazhin e Durrësit një vend dëfrimi”!
Kështu shkruhej në project-koncesionin e nënshkruar, në tetor të vitit 1933 e, që një muaj më vonë, po diskutohej në sallën e parlamentit në parim. Marrëveshja parashikonte që; qeveria shqiptare të merrte përsipër, që t’i akordonte koncesionarit të drejtë ekskluzive, të ushtrimit të lojërave të fatit për një afat 33 vjeçar e, të mos jepte asnjë koncesion apo leje të tjera, për këtë qëllim. “Është e nënkuptuar se e drejta ekskluzive, i përket vetëm ushtrimit të lojnave të hazardit të ndryshëm”, shkruhej në projekt-koncesionin, që diskutohej në parlament. Marrëveshja ishte e detajuar e parashikonte ndër të tjera, edhe stafin që do të punësohej.
Kamerierët e krupierët e kazinosë, do të merreshin të huaj. Mbi të ardhurat bruto të përvitshme të kazinosë, koncesionari detyrohej të paguante 10 % të të ardhurave. Shërbimi i brendshëm në kazino dhe tarifa e lojërave, do të caktohej me anë të një rregulloreje të veçantë, e cila do të kishte dhe pëlqimin e qeverisë. Projekt-koncesioni, do të pranohej në parim në seancë plenare e, do t’i referohej komisioneve parlamentare, por nuk do të avancohej më shumë në këtë drejtim.
Ndalimi i vitit 1937 dhe moszbatimi i tij
Në vitin 1937, kryeministria do të vlerësonte nismën e Ministrisë së Brendshme, për ndalimin e plotë të bixhozit për popullatën dhe nëpunësit. E në këto kushte, kryeministria shqiptare, do t’u drejtonte një qarkore të gjitha ministrive dhe drejtorive të rëndësishme, deri edhe drejtorisë së Reformës Agrare, me të cilën kërkonte që t’i jepej urdhër i prerë, të gjithë nëpunësve që kishin në varësi, që të mos luanin më bixhoz, pasi po u kapën duke luajtur, do të hetoheshin, nxirreshin para gjyqit e, ndëshkoheshin sikurse parashikonte ligji. Kjo masë, edhe pse do të vlerësohej pozitivisht nga shtypi i kohës, do të konsiderohej si e pamjaftueshme.
Në numrin e prillit të vitit 1937, te “Përpjekja” e Branko Merxhanit, shprehet shqetësimi se nisma e ministrisë së Brendshme, për këtë qëllim; “humbi nëpër shtylla kronikash të fletoreve”! “Ministria e Brendshme ka ca kohë që merret edhe me probleme shoqërore të vendit dhe bile, me një mënyrë shumë të kujdesshme. Një nga këto probleme është edhe bixhozi, për të cilin ministria nxori një masë të rreptë ndalonjëse, për të vënë re. Por, për fat të keq, ky vendim i urtë, nuk na bie shumë në sy aq sa duhej. Mbeti po thua i pavërejtur dhe humbi nëpër shtylla kronikash të fletoreve. Qarkorja përkatëse e ministrisë, në realitet prek një sëmundje shoqërore me rëndësi, sëmundje e cila në këto kohët e fundit, kish filluar të shfaqte simptoma të rrezikshme.
Dhe na rrëfen njëkohësisht edhe mënyrën e shërimit që gjeti qeveria, për zhdukjen e kësaj plage. Nuk e dimë nëse diagnoza u bë mirë apo jo dhe nëse terapia që u caktua, është pikërisht ajo që meritohej. Mirëpo një gjë është pakundërshtueshme: Interesimi i qeverisë për mbytjen e mikrobit të kumarit, mikrob i cili filloi të rritej dhe të fëlliqë gjakun e shoqërisë sonë. Bixhozi katandisi të bëhet po thua, i vetmi mjet dëfrimi. U fut gjer në klasat e shkollave. Një arsimtar na rrëfente një ditë, me një dhembje të pikëllueshme, se si zuri dy nxënës të tij duke lozur bixhoz në bankat e fundit të klasës, mu në orët e mësimit”, shkruhet në artikullin e “Përpjekjes”, së Merxhanit.
Më tej në artikull evidentohet se efekti i masave administrative është i vogël dhe se disiplinat negative, nuk i shuajnë veset morale, po vetëm i mbulojnë, por nuk i zhdukin. “Edhe ndalimi i bixhozit kudo, nuk është një masë e arsyeshme. Në disa vende të caktuara dhe të kontrolluara mirë, bixhozi duhet të lihet i lirë, sidomos nëpër disa qendra publike. Ndalimi mund të sjellë mbylljen e këtyre qendrave, dobia e të cilave nuk është e vogël, por shërimi i plotë i kësaj sëmundje, duhet gjetur nëpër fushat morale më të gjëra. Të krijohen ideale, emocione, okupime që frymëzojnë shije të thellë, si dhe shkaqe dëfrimesh dhe gëzimesh më të lartë.
T’afrojmë burimeve të jetës së vërtetë njerëzore, që fitohet vetëm rreth tryezës së punës mendore dhe që frymëzohet nga pasione të kulluar që krijon arti”, përfundon artikulli. Gjatë periudhës së pushtimit kundra bixhozit, rezulton se nuk janë marrë masa ndëshkuese dhe se veprimtaria është ushtruar lirisht, madje edhe në qendër të kryeqytetit, në ambient të hapur e publik, sikurse tregohet në foton e mëposhtme të institutit LUCE të vitit 1943, të realizuar në qendër të Tiranës. Gjatë regjimit komunist, bixhozi ishte i ndaluar rreptësisht, por sërish nuk kanë munguar bastet ilegale apo lojëra të tjera, të cilat në rastet që janë evidentuar, kanë sjellë burgosje afatgjata me këtë akuzë. Memorie.al