Nga Namik Mehmeti
Memorie.al / Në Shkodër në një nga lagjet më të vjetra të qytetit verior, “Banja Vogël”, shtëpia e Çobajve edhe sot tërheq vëmendjen e kalimtarëve, pasi ka ruajtur të pa prekur arkitekturën e saj karakteristike shekullore, duke filluar nga dera e drurit me dy kapakë të stërmëdhenj, me reze e shula, deri tek bahçja me pemët frutore. E kanë trashëguar pasionin për sportin e gjuetisë, brez pas brezi deri tek Esati që e ka varur çiften si relike. Por një nga familja Çoba, Teufik Çoba, ka luajt futboll me “Spartakun” e Shkodrës, në vitet ’50-të.
E nga kjo familje, traditën e sportit të gjuetisë e braktisi Zyhdiu, i cili në bankat e gjimnazit “28 Nëntori” preferoi sportin e basketbollit, duke bërë një karrierë të suksesshme. Zyhdiu u lidhë aq ngushtë me sportin e skuadrën e tij të dashur “Vllaznia”, e kjo ndoshta fal profesionit të tij si mjek.
Sot Dr. Çoba, i njohur jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë, ka kapërcyer të 80-at dhe mbetet i federuar tek “Vllaznia” si një emblemë frymëzuese jo vetëm për kolegët e tij të dalë në pension, por për të gjithë brezat e sportistëve shkodranë. Është një rast unikal ky, që një njeri nga 80 vitet e jetës, 60-të t’ia ketë falur sportit.
Dhe ditën e nis me “Vllazninë” dhe mbrëmjen e ngrys po me “Vllazninë”. Ka përjetuar momente nga më të ndryshme me “Vllazninë”, si basketbollist e si mjek, me shumë çaste gëzimi e triumfi, por dhe zhgënjime deri në persekutime, njësoj si sportistët e dënuar nga diktatura komuniste, ndonëse biografinë e kishte pa njolla. Në këtë kapërcim vitesh, pra tek inkuadrimi në moshën e tretë, u takuam në Shkodër dhe zhvilluam me Dr. Zyhdi Çobën këtë intervistë.
Doktor Çoba, diku në një intervistë në prag të festimit të 80 vjetorit tuaj, kur jeni pyetur se si keni ardhur në këtë moshë, keni dhënë një përgjigje epike; “as unë nuk e di”. Çfarë ke dash të kuptosh me këtë përgjigje?
Asgjë më shumë se sporti, më bëri të harroj dhe vitet, ndonëse ato rëndonin mbi shpatulla.
E hodhët hapin e parë drejt sportit në bankat e gjimnazit, pse zgjodhët basketbollin, kur shumë bashkëmoshatar me ju, kishin preferuar atletikën, futbollin, volejbollin, gjimnastikën, etj.
Kujtoj se përpara godinës së gjimnazit, ishte një kompleks sportiv me fushë basketbolli, volejbolli, madje edhe pistë atletike e, ndërsa mbrapa ndërtesës gjimnazit, ishte këndi sportiv “Spartak”. Mbas orëve të mësimit ndalonim e ndiqnim stërvitjen e ekipit të “Vllaznisë”, ku profesori i ynë i edukimit fizik, Esat Haxhi, ishte dhe trajneri i “Vllaznisë”.
Një grup shokësh u afruam me ekipin e të rinjve dhe morëm pjesë në kampionatin që u zhvillua në Elbasan, në vitin 1959, duke bërë një prezantim dinjitoz së bashku me Valter Kalanë, Halit Shpuzën etj., duke zënë vendin e dytë. Dhe pas një viti, unë e Valteri, u rreshtuam me ekipin e parë të “Vllaznisë”.
Dhe karriera sportive në basketboll më parë me “Vllazninë”, një herë kampion kombëtar (viti 1976) e dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë( vitet 1956 dhe 1957) si dhe pesë vite me ekipin e “Studenti”, (1961-1966) i parapriu rrugëtimit tuaj prej gjashtë dekadave në sport, më parë se t’iu përkushtoheshit mjekësisë sportive?
Natyrisht se në vitet e studimeve, krahas basketbollit iu përkushtova mjekësisë, ku ëndërroja se një ditë do të isha mjek sportiv, pra nuk do të ndahesha aq lehtë nga sporti.
Në Shkodër, në këndin sportiv “Spartak”, kur rreshtohej pesëshja e parë e “Vllaznisë” me Mjeshtrit e Merituar”, si; Luan Shatku, Renato Radoja, Vehbi Ademi, Skënder Osmani, më i riu në mes tyre emrave, Zyhdi Çoba ishte zgjedhur kapiten skuadre. Preferencë kjo e trajnerit Esat Haxhi, apo dhe një dakordsi në mes ekipit?
Me thënë të vërtetën, kur trajneri Haxhi, më besoj këtë rol, u zura ngushtë, pasi të gjithë ato emra që përmendët, ishin jo vetëm frymëzuesit e mi, por edhe trajner në ekipin e të rinjve, ku fillova basketbollin. Prof. Esati, për të mos krijuar pakënaqësi, nëse do të veçonte një nga këto emra, më thirri e më tha se; ekipin mund ta mbajmë të bashkuar, duke qenë ju kapiten skuadre, pasi ke marrëdhënie shumë të mira me të gjithë, pavarësisht nga mosha. Me të vërtetë, ajo që ndikoi në mbarëvajtjen e ekipit, ishte dhe harmonia që kishim, ku humori ishte pjesë e pandarë në komunikimin e përditshëm.
Historia e një ‘Medalje Ari’, kur basketbollisti Çoba, nuk ishte më shumë se 20 vjeç?
Ishte Festivali Botëror i Rinisë, që u zhvillua në Helsinki të Finlandës. Shqipëria u përfaqësua me një ekip basketbolli. Ishin përzgjedhur emra të njohur të basketbollit shqiptar, si Renato Radoja, Vaso Shaka, Bujar Shehu, Muhamet Përmeti, Kostandin Papa, F. Qirici, Aagim Lahi, etj. Unë isha më i riu në këtë ekip, ku kundërshtarët ishin skuadra të disa shteteve të njohura në sportin e basketbollit. Në mes shumë relikeve tjera, këtë medalje e ruaj edhe sot, e kam të veçantë.
Çfarë përfaqësojnë këto relike, ku gjithnjë i bëni prezent në intervistat e tuaja?
Më është dhënë rasti të shkojë në aktivitete ndërkombëtare, jo vetëm si basketbollist, por edhe me detyrën e mjekut sportiv, duke shoqëruar jo vetëm “Vllazninë” por edhe ekipin kombëtar, ekipin kombëtar të Shpresave, etj. Flamujt që shkëmbenin kapitenët e skuadrave, pra ato të ekipeve kundërshtare, unë i kam seleksionuar dhe ekspozuar në kabinetin e mjekësisë, i vendosur në kohët e fundit në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”. Pa dyshim dhe me dhjetëra foto, ku e veçanta është ajo e bërë në Turqi, ku luajti kombëtarja jonë në vitin 1970, në prezencën e trajnerit gjerman Helmut Sheen, Loro Boriçit dhe trajnerit turk.
Emri i juaj kujtoj në artikujt që janë botuar në gazetën “Sporti Popullor” e “Sporti Shqiptar”, është lakuar edhe për punën aq pasionante që keni bë në klubin “Vllaznia”, krahas si sportist, edhe me ngritjen e të parit kabinet mjekësor sportiv, në Shqipëri?
Kur fillova detyrën si mjek në qytetin tim, ishte një vlerësim për mua të isha në pozicionin e inspektorit dhe më vonë, në atë të zv/shefit të Shëndetësisë pranë ish-Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Por ëndrra ime ishte të kontribuoja për mjekësinë sportive, ç’ka mu dha mundësia të specializohesha për traumatologji. Për 10 vjet punova falas, bëra skedimin e 1460 sportistëve, të të gjitha moshave, në 110 ekipet “Vllaznisë”, të aktivizuar në 20 lloje sporti.
Para çdo sezoni sportiv, bëheshin analizat e gjakut dhe diagnostikimi i zemrës. Më vonë me vendimin Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Komitetit Shtetëror të Sporteve, u krijuan kabinetet e para sportive, në shtatë klubet sportive kryesore të vendit. Me shumë respekt kujtoj ndihmën e dhënë nga Minella Kapo, si specialist kryesor i mjekësisë sportive, në vendin tonë.
Në gjashtë dekada jetë e pandarë me sportin, krahas atyre relikeve që ke arshivuar, pa tjetër diku në blloqet tuaja, ka dhe shifra e statistika?
E përmenda më parë, nuk është për t’u harruar ai regjistër me 1460 emra sportistësh, një armatë e tërë talentesh që përfaqësuan “Vllazninë” e Shqipërinë, në Kampionate Botërore, në Olimpiada Botërore, kampionate Evropiane e Ballkanike, kampion e rekordmen në shumë sporte dhe jo rastësisht, janë me dhjetëra e dhjetëra “Mjeshtra Sporti” e “Mjeshtra të Merituar Sporti”, që kanë dalë nga gjiri i 110 ekipeve sportive. Të marrësh përsipër, për të përmendur emrat e kësaj elite sportive, që ka lënë gjurmë e vazhdojnë të lejnë gjurmë, duhen disa faqe gazete, pa harruar edhe përgjegjësinë se është e ndonjë emër, që mund të harrohet.
Sigurisht që nuk do të leni pa përmendur edhe bashkëpunimin dhe marrëdhëniet shumë korrekte me trajnerët?
Pa diskutim. Jam ulur në bankinën e “Vllaznisë”, me 170 trajner e zv/trajner, jo vetëm shkodranë, por edhe të ardhur nga kryeqyteti e rrethet e Shqipërisë, madje edhe nga Mali i zi e Gjermania. Janë të paharrueshme marrëdhëniet me to, si Xhevdet Shaqiri, Rifat Rusi, Xhelal Juka, Ramazan Rragami, Din Zhega, Astrit Hafizi, Sabah Bizi, Astrit Bushati, Ser Dedja, Esat Rakiqi, Ferid Borshi, Edi Martini, Skënder Jareci, Vasil Bici, etj., duke mos harruar dhe trajnerët e huaj, si; Dervish Haxhiosmanoviç nga Mali i Zi, apo gjermano-kroatin, Brardiç. Në se do të më kërkohej se cilin mund të preferoja më shumë, do bëjë gabim, pasi me të gjithë kam krijuar marrëdhënie pune të sinqerta dhe pas fitoreve dhe humbjeve nuk kanë munguar edhe batutat humoristike.
Dr. Çoba, puna juaj është shtrirë në dy periudha, secila 30 vjeçare, si ajo në vitet e diktaturës komuniste dhe ajo në vitet demokracisë. E vështirë të përcaktoni se, ku u ndie ma mirë “Vllaznia”, e vetë puna e juaj e përditshme?
Nuk mund të hedh mbas shpine gjithë atë sakrificë, mund e djersë që sportistët shkodranë e pa dyshim, siç theksova sukseset, por kur mendon e kujton persekutimin, që i është bërë klubit më të vjetër sportiv në Shqipëri, “Vllaznisë”, dhe sportistëve të saj të talentuar, ndjejë edhe sot një dhimbje, kur lexoheshin emrat e sportistëve, të cilët do përfaqësonin “Vllazninë”, në Kupat e Europës, apo ndeshje miqësore dhe Paulin Ndoja, Frederik Çapaliku, Hajrullah Lekaj, Faslli Fakaj, Marin Shestani, Sokol Kalaj, Nikolin Pali, etj., mbeteshin jashtë listës. Apo ato momente trishtimi, kur pezulloheshin dy emrat më të respektuar të ekipit të basketbollit, Filip Guraziu dhe Luan Shatku, për arsye të biografisë. Si sot e kujtoj, sesi i dridhej buza prof. Esat Haxhi, trajnerit të “Vllaznisë”, tek komunikonte vendimet e komitetit të partisë, për largimin nga sporti të tyre.
Pse gjithnjë në shënjestër “Vllaznia”, kur edhe një mjek si puna e juaj, përfshihej në këtë luftë klasore?
Dënimet e “Vllaznisë”, vinin në shumë drejtime ku nga njëherë digjej edhe “i njomi për të thatë”, siç thotë një fjalë e popullit. Kalohej madje në reprezalje, siç ishte ngjarja me arratisjen e dy futbollistëve, Arvit Hoxha e Lul Bershemi, në vitin 1986, kur “Vllaznia”, po kthehej nga Finlanda, e do kalonte një natë në Athinë. Për këtë e ngjarje, është shkruar edhe nga ju. Masat që u morën ishin drastike. Mbledhje pas mbledhjesh, dhënie llogarie dhe së bashku me trajnerët, Hafizi e Rakiqi dhe Ferit Rragamin, u dënova edhe unë me gjashtë muaj, duke marrë rrugët e Dukagjinit në Pult.
Por edhe drejtuesit e delegacionit, si Bahri Axhemi, një drejtues shembullor i sportit në Shkodër, shoqëruesi i Degës së Brendshme etj., u pezulluan nga puna. A po më tragjikja, ishte ngjarja e Kosovës në vitin 1971, kur mbas turneut të ekipit të volejbollit të “Vllaznisë”, për disa dhurata që ato kishin marrë nga njerëz të afërt e të njohur, u dënuan jo vetëm ekipi i volejbollit, por të gjithë ekipet e “Vllaznisë”, ku më e dhimbshme ishte mos pjesëmarrja në Kupat e Evropës e “Vllaznisë”, për dy vite, dhe po kështu gjithë ekipet e Klubit shumë sportesh.
Dhe si rrodhën ngjarjet për ju si mjek, pas kthimit nga Filanda?
Në Pult, do të merresha me problemet shëndetësore. Ishin kushte të një skamje në çdo drejtim në jetën e dukagjinasve. E fillova gjithçka nga e para. Duhej ngritur Qendra Shëndetësore. U angazhuan edhe kryetari i kooperativës bujqësore, këshillit popullor. Më ndihmuan kolegët në Shkodër e, deri në Ministri të Shëndetësisë. Dhe një minifarmaci, që fshatarët nuk kishin nevojë të merrnin rrugën drejt Shkodrës, për një paketë aspirina. Inaugurimi i saj, la të befasuar organet e pushtetit lokal e ato të Ministrisë, tek shihnin një investim model, pa shumë shpenzime.
Kështu rikthimi tek “Vllaznia” nuk kishte më ndonjë barrikadë?
Ishte përmbushur edhe afati i kohës së dënimit. Do të vazhdoja punën time, në përsosjen më tej të kabinetit sportiv që, edhe ai u bë një shembull model, në shkallë Republike. Por “syni i keq”, që thotë populli nxirrte ndonjë sajesë e leckë në biografi. Në vitin 1988, Vllaznia do të luante për Kupën Ballkanike në Rumani. Për habinë e të gjithëve pra të ekipit, më refuzohet viza. Ndërhyrja Tefta Camit, Ministre e Arsimit e cila mbulonte edhe sportin, jo vetëm që nuk diskutoj marrjen e vizës, por mësova dhe shkakun e refuzimit të vizës, pak qesharake, se një vajzë axhe, kishte për burrë një ulqinak.
Dr. Çoba në një shkrim brilant, për nga ana historike dhe statistikore, nga kolegu ynë, gazetari i mirënjohur Besnik Dizdari, citohet fakti se “Vllaznia”, është dënuar 9 herë nga shteti diktatorial i Enver Hoxhës dhe UEFA, për mos pjesëmarrje në Kupat e Evropës. Cila nga këto dënime të ka mbetur si peng?
Gjithë secili dënim, ka patuar të veçantën e tij, por shije të hidhur, kanë lënë ato që merrte Partia, pasi i ngjanin gjyqeve të diktaturës. Por, kur kujton dhe prezantimin dinjitoz të “Vllaznisë” në Kupën e Kampioneve me “Austrinë” e Vienës në vitin 1986, ku fituam 2-0 në Shkodër dhe humbëm kualifikimin për turin tjetër, vetëm për një gol diferencë, (pasi humbëm 1-4 në ndeshjen e kthimit), nuk është shkruar shumë për atë fitore, ku gjashtë futbollistë të “Austrisë”, vinin pas një përfaqësimi dinjitoz, në Botërorin e atij viti.
Kthehemi disa vite më pas, pra kur sportet në përgjithësi e futbolli në veçanti, u çliruan nga darna e diktaturës komuniste, pra Evropën, e kishim më afër dhe pa pasur më dënime e persekutime?
U gjetëm përballë një eksodi të pa frenuar, si në të gjithë sektorët e jetës. Në një përgjigje të ftesës së klubit francez “Ajacio” ku luante futbollisti i mirënjohur i “Vllaznisë” e Kombëtares, Hysen Zmijani, pas dy ndeshjeve miqësore, ekipi u kthye në Shkodër me 4-5 vetë, kështu trajnerit Rakiqi, iu desh të kompletonte skuadrën, me ekipin e të rinjve, për të vazhduar ndeshjet e kampionatit kombëtar. Të gjithë sportet e ndjenë këtë eksod, dhe për më tepër sportet do të përfshiheshin në ekonominë tregut, do të dilte në vete ekipi i futbollit, nga Klubi shumë sportesh “Vllaznia”.
Do të fillonte një garë për të zgjedhur presidentët e Klubit, pasi me financimet e shtetit, nuk përballohej as faza përgatitore. Mos me u zgjatë, “Vllaznia”, me Presidentin e asaj kohe, të ndjerin Myftar Çela, një biznesmen i fuqishëm, do të gjente rrugën drejtë konfirmimit të një futbolli profesionist, ku u afruan trajnerë e futbollistë nga Evropa, e Klubet e vendit tonë. Pas Myftarit, po me të njëjtin përkushtim, vazhduan të drejtonin Vllazninë biznesmenë të tjerë si Valter Fusha, Agron Çela, me bashkëpunimin në grup, me Xhevdet Amuli, Paulin Radovanin etj. Por krizën më të madhe “Vllaznia”, e kaloi në vitet kur atë e drejtonte një grup këshilltarësh nga Bashkia, gjë që solli dhe rënien nga kategoria superiore. U krijuan shumë probleme me zëvendësime trajnerësh e, mungese të futbollistëve cilësor.
Me privatizimin e klubit të futbollit nga Presidenti, Z. Alban Xhaferi, tregoi një përkushtim e vullnet që në ndërtimin e stafit teknik, ku ardhja e trajnerit, gjermano-kroatit Th. Brdariç dhe realizimi i një merkatoje efikase, sollën një transformim të shpejtë të atmosferës brenda gjirit të ekipit, u rrit besimi e përgjegjësia ndaj futbollistëve dhe u afrua edhe njëherë entuziazmi e sportdashësve. Vete fakti, i fitimit te dy Kupave te Shqipëruese, 1991 e 1992, nënkampione vetëm diferencë golavarazhi me “Teutën”, pjesëmarrja në Kupat e Evropës, tregoi se investimi i Presidentit z. Xhaferi, po hapte një horizont të ri për “Vllazninë” dhe kam besimin e palëkundur, se rruga që ka nisur, do të realizoj projektet afatgjatë.
Çoba, një ballafaqim i futbollit jo vetëm tek “Vllaznia”, por në të gjithë klubet e vendit, tri dekada me drejtues politik e, tri dekada me President, që investojnë për sportin shqiptar. Si i keni përjetuar ju këto ballafaqime tek “Vllaznia”?
Në vitet e diktaturës, sporti e në veçanti futbolli, kanë qenë i vetmi argëtim e kënaqësi për gjithë moshat. Pavarësisht, siç thash më sipër, dënimet e ekzagjeruara që i janë bë Klubit, “Vllaznia”, në të gjithë sportet, ka pas drejtues politik, si i ndjeri Shyqyri Rrjolli, i cili ka ndihmuar e zgjidhur shumë probleme të futbollistëve, si në vendosjen në punë, në regjistrimin në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në strehimin e tyre, etj. Po ashtu është e pa mohueshme, puna e drejtuesve të sportit në ato vite të luftës së klasave, si e Bahri Axhemit, Fahri Fanit, Rifat Uruçit etj., apo e sekretarëve të Klubit “Vllaznia” si A. Medja, Selami Dani, Taip Piraniqi, Ismet Hoxha, Mehdi Milla, Kujtim Shaba, etj.
Një vit më parë, ju ishit në fokusin e medieve të shkruara e ato radiotelevizive, pasi festuat 80 vjetorin e lindjes. A mendove për momentin, se duhej bërë një dorëzim të stafetës?
E kisha menduar një gjë të të tillë, por kur bisedova me Presidentin Xhaferi, ai më uroj ditëlindjen dhe më tha: “Shpërblimi që mund t’ju afrojë, është kontrata e përjetshme me Klubin “Vllaznia”. Dhe përveç falënderimit që i bëra, iu përgjigja me humor, pas kësaj mirënjohje e respekti, i thashë se; edhe po të më nxirrni për herë të dytë në pension, unë do të vija përsëri këtu tek shtëpia ime e dytë, “Vllaznia”.
Kam qenë prezent, si një pjesë e pa ndarë e stafit teknik, në mes gëzimit të skuadrës e sportdashësve, për të cilët kam shumë respekt, pasi kanë qenë lojtari i 12-të për “Vllazninë”, kur kemi seleksionuar shtatë tituj kampioni, e tetë Kupa të Shqipërisë, kuptohet nga viti 1972 e në vazhdim. Për këtë, falënderoj te gjithë tranierët, specialistët, zyrtarët e vetë futbollistët e të gjithë brezave, që i besuan dhe vlerësuan kontributin tim.
Dhe për këtë, nuk janë pak çmimet që u dhënë në këtë 80 vjetor?
Kam ndie shumë emocione në këtë rast, që nga vlerësimi “Mjeshtër i Madh”, nga ish-Presidenti Z. Ilir Meta, “Mirënjohje e qytetit” dhënë nga ish-kryebashkiaku qytetit tim, Z. Bardh Spahija, nga “Pllakati”, akorduar nga Presidenti FSHF-së, Z. Armand Duka dhe fanella simbolike e “Vllaznisë”, me nr 80.
Kështu siç rrëfeheni ju Dr. Çoba, i bie se jeni borxhli ndaj bashkëshortes tuaj, kolege në profesion Dr. Kudretit e, dy vajzave tuaja, kur edhe të dielave, kur zhvilloheshin ndeshjet e kampionatit kombëtar, ju ktheheshit me natë, nga Gjirokastra apo Korça?
Pa mbështetjen, mirëkuptimin dhe sakrificën e bashkëshortes time dhe të dy vajzave që po rrisin, mbesat e nipat e mi të dashur, as që do bëhej fjalë në rrugëtimin tim prej disa dekadash, në fushën e mjekësisë sportive, në kurorëzimin me sukses të karrierës time, si basketbollist dhe të gjithë atij kontributi, pranë ekipit të futbollit dhe të ekipeve të tjera të “Vllaznisë”, ku më shumë më kanë dhënë kujtime të pashlyeshme edhe pse sporti, kudo edhe në qytetin tim, ka pasur edhe zhgënjime, por me forcën dhe vllaznimin që kishim në mes njeri-tjetrit, kemi dalë me dinjitet e krenari, përballë qytetarëve shkodran. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016