Nga Idriz Lamaj
Pjesa e dhjetë
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Memorie.al / Marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri e Kosovë
Enigma Deva, mos dukja e tij në publik, vinte në dyshim edhe kosovarë tjerë, të cilët nuk ishin të informuar se çfarë zhvillonte ai në prapaskenën e përgatitjeve luftarake. Natyra e tij e rezervuar për ndërmarrje të tilla, kishte shkaktuar njëfarë reagimit edhe në shtypin e ‘Grupit Kosovar’, në Siri, të drejtuar nga Xhelal Mitrovica. Deva edhe në korrespondencë gjatë atyre viteve, me përjashtim ndaj Dr. Krasniqit, është i rezervuar.
Atij i shkruante shpesh dhe i lente për të kuptuar se diçka kishte vënë nëpër fije në fushën luftarake, por vazhdimisht i thonte se: “këto mbaj për vete”, “shihemi së shpejti”, “do të bisedojmë gojarisht”, etj. ‘Grupi Kosovar’ me Devën në krye, gjatë viteve të para të përpjekjeve të veta për t’i ardhur në ndihëm çështjes së Kosovës, pësoi një përvojë të hidhur me partitë politike të Shqipërisë së 1913-ës. Qysh në fillim të vitit 1949 dhe me krijimin e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” (gusht 1949), me përjashtim të partisë së ‘Bllokut Kombëtar Indipendent’, partitë e tjera dhe Komiteti nuk dëshironin në asnjë mënyrë, që ‘Grupi Kosovar’ t’i bashkëngjitej veprimtarisë kombëtare, si lëvizje e veçantë politike.
Ata bënin përpjekje të ndryshme për të rekrutuar kosovarët si individë brenda partive të veta dhe pohonin se çështjen e Kosovës, do ta mbronin më mirë, mbasi rrethanat politike të kohës nuk preferonin një bashkëveprim me lëvizje të veçanta irredentiste dhe se Kosova në qarqet Perëndimore, shikohej si problem i brendshëm i Jugosllavisë, me të cilën kishin marrëdhënie normale. Deva dhe ‘Grupi Kosovar’ e kundërshtonin këtë ide kategorikisht. Si person i padëshiruar në qarqet e politikës angleze, Deva kishte pranuar të tërhiqej vet nga skena politike, por kërkonte me këmbëngulje që: ‘Grupi Kosovar’ ose çështja e Kosovës, të përfaqësohej në Komitet si subjekt i veçantë politik.
Fërkimet e forta politike, sidomos me ‘Ballin Kombëtar’, kishin sjellur si rezultat edhe reagimin me anë të një letre të Dr. Rexhep Krasniqit, drejtuar Mit’hat Frashërit, i cili si mbas ‘Grupit Kosovar’ kishte deklaruar se ai e përfaqësonte personalisht Kosovën:
Z. Mit’hat Bej Frashëri.
I ndershmi Zotni, Për herë të parë në jetën t’ime marr lejen me Ju drejtue nji letër. Mjerisht, me pak përjashtime të shkurta, nuk kam pas nderin me qenë personalisht në kontakt ma të afërm me Ju, për të formue nji ide të qartë të mendimit t’uej mbi shumë pika të jetës s’onë kombëtare me rëndësi për secilin shqiptar, asht e ditur edhe për mue.
Aq ma tepër më asht e njohun vepra e juaj e naltë në fushën patriotike, intelektuale, politike dhe sidomos kontributi i juaj i çmuem në letërsinë politike, për sa i përket idesë së nji Shqipnie etnike, në nji kohë kur zani i popullit shqiptar, për mungesë fuqish intelektuale ndigjohej rrallë. Asht e ditur se respekti, nderimi, po edhe mirënjohja ndaj nji njeriut me të kalueme kaq të meritueme, kanë qenë përherë dhe qëndrojnë edhe sot për mue në shkallen ma të naltë. Nuk u drejtohem me këtë letër si nji njeri i karrierës politike. Çështjet e partive politike në formën dhe rrjedhjet si janë në përdorim në vendin tonë, sado të nevojshme dhe të rëndësishme të jenë, nuk më kanë tërhjekë dhe prandaj nuk e kam ndije as dëshirën me u përzje në to.
Rrethi i punës s’ime ka qenë i lidhun ngushtë me profesionin tim dhe përqendrohej në shërbimin e veçantë, në lëmin e edukatës shkollore. Pra secili në mënyrën, në rrugën, e në fuqitë e veta, t’ue pas për bazë të ndershme naltsimin dhe të mirën e atdheut. Në këtë kuptim, me vështrue, askush nuk mund të thotë se puna dhe vepra e tij, asht ma e nevojshme se e tjetrit. Nevojat dhe rrethanat e kohës e sollën që edhe unë të la punën t’eme të zakonshme dhe të hidhem në nji farë fushe veprimi aktiv në lidhje me Kosovën, dyfish të robnueme, nga sllavët dhe nga komunistët.
Si duket nji namë e rëndë qëndron mbi ne shqiptarët e ri; populli me sakrifica na jep mundësitë e edukimit për profesione të dobishme të jetës së shoqërisë shqiptare, dhe ne mbas nji rruge të shkurtë, dezertojmë dhe hidhemi, në fillim pandjejmë edhe vet për të mirën e përbashkët, në dallgët e jetës së pamësueme politike, t’ue derdh fuqitë tona shpesh herë për gjana që nuk kanë të bëjnë aspak me qëllimet e bukura idealiste në pikënisjen e tyre.
Të vijmë te çështja për të cilën u detyrova të shkruaj ketë letër. Nga anë të ndryshme, por të pavërtetueshme zyrtarisht, kemi marrë lajmin se Zotnia e juej dhe persona të rrethit tuej, paskan shfaq mendimin me perjashtue ‘Grupin Kosovar’ nga radhët e një bashkëpunimi eventual të grupeve e partive shqiptare në mërgim dhe se, në nji rast të tillë, ‘Balli Kombëtar’ nën drejtimin tuej’ e paska të drejtën me përfaqësues edhe Kosovën.
Përsa i përket pikës së parë, ajo çështje mund të bisedohet dhe mvaret nga vullneti, shkalla e kuptimit të randsisë së problemit të Kosovës për të ardhmen e Shqipnisë, sinqeriteti i programeve dhe parimeve të shpallura deri me sot dhe dashuria e vërtet e ktyne grupeve dhe e personaliteteve politike shqiptare në mërgim për Kosovën.
Pra, në qoftë se këto rryma politike, t’ue u nisë nga pikëpamje të ngushta t’interesave të tyre, nuk e shohin të nevojshme me u mbështet në vullnetin unanim të shqiptarëve të Kosovës dhe me demonstrue para opinionit të jashtëm bashkimin simbolik të të gjithë shqiptarëve, me përfaqësi të tyre legale në nji njësi kompakte, por mundohen me u shmangë kësaj zgjidhje me mënyra të ndryshme anti natyrore dhe të dëmshme, ajo asht së fundi puna e tyre.
Kosova do të mundohet si gjithmonë me gjetë rrugën e shpëtimit, e të bashkimit me Shqipërinë e 1913-ës, jo vetëm në luftën me armë, por edhe në fushën e veprimtarisë politike, me fuqitë dhe njerëzit e saj të përgatitun nga koha. Kryekëput e pavend dhe në shumë pikëpamje e dëmshme, për mos me thanë e rrezikshme, asht thanja e dytë. Para të gjithave na lejoni nji pyetje: në çka e mbështet ‘Balli Kombëtar’ i udhëhequr prej jush ketë shprehje? Në ndonjë trashëgim historik, në ndonjë meritë lufte të bame në tokën e Kosovës, në nji mandat legal të popullit të Kosovës ose, në sa persona Kosovar në mërgim, emrat e të cilëve e fyejnë Kosovën, ose të tjerëve të mbledhur aty-këtu me mënyra që nuk po e sqarojmë këtu ma gjatë, të cilët edhe vet nuk e dinë se kush janë dhe çka dëshirojnë?
Do të ishte nji nënçmim i pakuptueshëm dhe njëkohësisht nji fyerje e rëndë për nji milion Kosovar dhe organizatën e tyre politike me nji trashëgimi të shkëlqyeshme historike të luftës për liri dhe të gjakut të derdhun tash gati nji shekull, të përfaqësohej nga parti politike ose persona jo të dalun nga rrethi, brumi dhe lufta e tyre, sado të meritueshme të jenë këto fuqi për çështjen e përgjithshme shqiptare. Ky rrjedhim, asht i qartë dhe objektiv dhe paraqet për secilin kosovar që mendon drejtë dhe historikisht nji parim themeltar. Por edhe për nji arsye tjetër, shumë me rëndësi, nuk mund të lejohet përfaqësimi i Kosovës, nga ndonjë organizatë politike e Shqipnisë së 1913-ës.
Në qoftë se ‘Balli Kombëtar’ i udhëhequr prej jush mendon se ka të drejtë për të përfaqësue Kosovën, të njëjtën gjë mund ta thonë edhe partitë tjera politike shqiptare. E përfundimi do të ishte nji dëm i madh për çështjen e Kosovës, se në këtë mënyrë, fuqitë kosovare do të shpërndaheshin dhe, në vend që të veprojshin të gjithë së bashku për nji qëllim të shenjtë, të shpëtimit të vendit të tyre, do të bëheshin mollë e grindjeve të pafund të politikës partizaneske të Shqipërisë së 1913-ës. Këtë deduktim logjik, e nxjerrim nga historia e 30 vjetëve të fundit. Të partë t’onë, të ikun nga Kosova e robnueme menduan me krijue në Shqipni nji platformë ideale për shpëtimin e Kosovës, dhe kështu, padasht, u zhytën në ngatërresat politike të kësaj Shqipnie dhe njani mbas tjetrit, tue fillue nga Bajram Curri e përfundue tek Hasan Prishtina, u banë viktimë e tyre, kurse çështja e Kosovës, për rrjedhim të natyrshëm u shty në prapaskenë.
Na kosovarët e ri, kemi mësue mjaftë nga kjo histori e idhtë dhe nuk dëshirojmë të përsërisim gabimet e bame njëherë. Në këtë kuptim, t’ue u mbështet në dëshirën e shumë kosovarëve në mërgim, të shfaqura me anë letrash, organizata politike e Kosovës, pra ‘Grupi Kosovar’, i dalun me vullnetin e mbarë popullit të Kosovës, nga Kryesia e Komitetit Qendror të ‘Lidhjes së Dytë të Prizrenit’, u asht drejtue para nji viti me nji thirrje të gjitha rrymave dhe personaliteteve politike shqiptare në mërgim, natyrisht edhe juve, në të cilën nënvizohej qëndrimi asnjanës, lojal dhe miqësor i tij kundrejt të gjitha fuqive politike të Shqipnisë së 1913-ës dhe dëshira për nji bashkëpunim të sinqertë.
Si do mund të ketë ndodhë dhe nga çfarëdo rrethane e natyrës politike thanja e përfaqësimit të Kosovës nga Balli Kombëtar udhëhequr prej jush, ne dëshirojmë në të mirën e përbashkët të çështjes shqiptare, që ky mendim i shpejtuar të rimerret në shqyrtim dhe të zgjidhet në mënyrë të dëshirueshme, t’ue zhduk nji herë e përgjithmonë hijet e zeza, të cilat kërcënojnë dhe turbullojnë marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe të ‘Ballit’ të udhëhequr prej jush.
Me nderime të shqueme, Rexhep Krasniqi, Damask, 29 qershor, 1949.
Mbas këtij reagimi, Mit’hat Frashëri i shkruan një letër të shkurtë z. Krasniqit, në të cilën i kërkon bashkëpunim si individ dhe i lutet atij për mirëkuptim të gjendjes politike ndërkombëtare. Siç duket në këtë midis, kishte ndërhyrë Rexhep Mitrovica, i cili mbante anën e ‘Ballit’ dhe të Mit’hat Frashërit. Ndërkohë, Xhafer Deva kishte bë një marrëveshje me z. Sait Kryeziu, i cili ishte anëtar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, i zgjedhur nga anglezët. Në disa letra, z. Kryeziu e siguron Devën, se në Komitet do të vepronte si kosovar dhe do t’a mbronte çështjen e Kosovës, në çfarëdo rrethane politike.
“Xhafer Deva në lëvizje”. 22 vjet më pare, përdora në një shkrim timin këtë titull në veprën që botuam me Dr. Rexhep Krasniqin, ing. Ago Agajn dhe Prof. Zef Nekajn, për Xhafer Devën. Titulli i punimit tim, nisej nga pikëpamja se asnjë politikan tjetër i emigracionit shqiptar, nuk është sulmuar si Deva nga shtypi i Tiranës dhe Beogradit.
Shtypi në fjalë, në tri periudha të ndryshme: 1949 – 1953, 1956 dhe 1962, e ka filluar fushatën kundër Xhafer Devës, me të njëjtin titull: “Xhafer Deva në lëvizje”. Gjithmonë shtrohej pyetja: “Pse të sulmohej ky njeri në një mënyrë të tillë”? Në këtë libër, lexuesi do të shohë vet se pse trazoheshin aq tepër regjimet e Beogradit dhe të Tiranës, kur vihej Xhafer Deva në lëvizje. Të koordinuar apo jo, nuk ka rëndësi, të dy regjimet e sulmonin Devën me të njëjtat akuza dhe të njëjtën gjuhë.
Ata e dinin mirë se kush ishte Xhafer Deva dhe çka mund të bënte ai kur vihej në lëvizje. I dinin gjithashtu të gjitha aftësitë e tij, dhe ishin të bindur se Xhafer Deva nuk kursente asgjë kundër tyre dhe nuk bënte shumë dallim midis dy palëve. Ishin të vetëdijshëm se Deva, si rrallë kush tjetër, mund të depërtonte në qarqet më serioze Perëndimore, për dëmtimin e interesave të tyre pushtetmbajtëse. Propaganda e komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë kundër Devës, bëhej në një mënyrë të rafinuar. Xhafer Deva paraqitej si: kriminel, nazist, tradhtar, gjakpirës dhe lexuesi i thjeshtë krijonte përshtypjen se ky ishte një njeri injorant, katil dhe pa një përgatitje shkollore, etj.
Ata ruheshin që në asnjë mënyrë të mos reflektonin në propagandën e tyre aftësitë e Devës si njeri i jashtëzakontë i organizimit dhe veprimit. Ata kishin përparësi në propagandë. Për brezin ose personat që e njihnin Devën, nuk kishin pse frikësohen, ata e kishin gojën e mbyllur, kurse për brezat e rinj, paraqitja e Devës si gogol, vetëm përforconte urrejtjen kundër tij dhe mbyllte daljen në shesh të çështjes së Kosovës si çështje për bashkim kombëtar, etj. Si në Beograd, ashtu edhe në Tiranë mbillej urrejtje kundër Kosovës dhe kosovarëve. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016