• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Thursday, July 17, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime 21 Vjet burg komunist

“Në qelinë e Rajonit Nr. 2, gjeta dy persona, më i riu, Mihallaq Havaleja, nga Tirana, tjetri Qemali, nga Vlora dhe prej gjesteve të tyre, kuptova se ata ishin…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik

“Dom Lekë Sirdanin dhe Dom Pjetër Çunin, pasi i torturuan çnjerëzisht në seksionin e Koplikut, i hodhën të gjallë në një pus ujrash të zeza dhe…”/ Krimi makabër më 31 korrik 1948
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“Pjetër Arbnori bën pjesë në treshen e shkëlqyeshme të letërsisë së zhvilluar në burgje: krahas Trebeshinës së zjarreve të skëterrës dhe Zhitit të yjeve të qiellit, të cilët…”/ Refleksionet e publicistit të njohur
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“Dr. Kalivopulli, i diplomuar në Athinë, 50 vjet në shërbim banorëve të Gjirokastrës, vdiq në burgun e Burrelit në shkurt 1964, pasi bëri grevë urie dhe…”/ Historia e panjohur e mjekut të famshëm
“Ja si na i vranë katër shokët tanë të burgosur në kampin e Laçit që tentuan arratisjen dhe fjalimi i komisarit para viktimave…”/ Si e shpërthyen burgun e Fushë-Krujës

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e shtatë

                                                     Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të sterhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Thoma D., ish shoku i klasës, një dallkauk i ndyrë që bridhte gjithë kohën pas femrave, edhe në Budapest ku u diplomua, tashmë si kryeinxhinier i ‘21 Dhjetorit, erdhi te kamp-burgu jonë e, kur më pa…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

“Kur i dënuari Aqif Selimja, ish-oficer, shkoi te qelia dhe e pyeti Bedri Spahiun, se kush ishte më kriminel, Mehmet Shehu apo Enver Hoxha, Bedriu i tha…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës, që vuajti 22 vite burg

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të pumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                               Vijon nga numri i kaluar

Biruca nr.6, biruca ime e parë

Nuk kam qenë kurrë bestyt, por ky numër u tregua fort i mbrapshtë për mua. Se veç birucës së parë, edhe salla e gjyqit ku u dënova me vdekje, po këtë numër kishte. Në këtë rast m’u kujtua edhe novela e famshme e Çehovit, me titullin “Salla nr.6”, novelë me të cilën, jo vetëm unë isha prekur fort, por deri edhe Lenini, para se të bëhej vetë pushtetar, si thonë biografitë e tij, kur e kishte lexuar, ishte tronditur shumë. Por më pas, në pushtet, ai sajoi qindra e mijëra “salla” të tilla “nr. 6”, që tashmë, nuk e tronditnin fare shokun Lenin, por tmerronin dhe u merrnin jetën egërsisht, miliona viktimave. Pra, ky numri gjashtë u bë për mua atëherë diçka si simbol i së keqes. Por le të vazhdojmë historinë.

Pas tregimit të telegramit, kryetari u çua dhe urdhëroi të më hiqnin. Prapë Besim Selita, vetë i tretë, më kapën nga krahët dhe më futën në një “Gaz 59” e u nisëm, poshtë “Rrugës së Dibrës”, në sheshin “Skënderbej” dhe nëpër Bulevardin “Marsel Kashen”, si quhej atëherë bulevardi i sotëm “Zhanë d’Ark”, ku unë kisha banesën time. Një çast më gënjeu mendja, se po tregoheshin fort të njerëzishëm dhe po më kthenin në shtëpi, me makinë. Dhe kjo më shumë se gënjim i mendjes, ishte dëshirë e zjarrtë e shpirtit. Eh, sa rriten dëshirat e njeriut në fatkeqësitë e mëdha!

Por makina vazhdoi më tutje. Vura re dritaret e apartamentit tim. Ato ishin te errëta. Dhe më theri në shpirt, kur mendoja sa të shqetësuara do të ishin nëna dhe motra, se ime shoqe nuk ndodhej atëherë në Tiranë. Dhe unë s’e kisha patur kurrë zakon, të vonohesha aq shumë, pa i lajmëruar ato që më parë. “Gaz”-i u kthye djathtas dhe u fut në oborrin e Rajonit Nr.2, si quhej atëherë, aty ku sot ka selinë Komisariati i Policisë, për gjithë Tiranën, por që populli vazhdon ta quajë Degë e Brendshme.

Shoqëruesit më dorëzuan tek oficeri i rojës dhe ai urdhëroi dy police, të më shpinin në birucë. Zbritëm ca shkallë nëntokësore, arritëm në një korridor tërë lagështi dhe erë myku e polici hapi derën e birucës. Duhej të ishte tre pas mesit të natës. Biruca ime e parë, e pashë mirë, kishte numrin 6! Në dritën e zbehtë të një llambe elektrike të mekët, shquajta siluetat e dy qenieve njerëzore, që kishin qenë shtrirë dhe u ngritën menjëherë të tromaksur. Ma mori mendja që do të ishin dy fatkeq, si puna ime. Ishte hera e parë që takoja aq afër të burgosur.

Kur dera u mbyll prapë me rrapëllimë pas krahëve të mi, dy hijet e gjalla m’u afruan dhe më “uruan” mirëseardhjen, me njerëzi. E bukur mirëseardhje! Ata kishin qenë shtrirë në ca batanije të holla, të ndyra, mizerabël. Dhe më ftuan edhe mua të ulesha pranë tyre. Hodha sytë përreth. Biruca nuk ishte më e madhe se tri metra, me tri, një bojë njeriu a diçka më tepër nën tokë, shtruar me dërrasa, që jo vetëm ishin të ndyra, por edhe që binin erë myk. Dukej që lagështia e kishte aty strofkën e zgjedhur të saj. Muret gjithashtu të ndyrë, megjithëse kishin qenë lyer dikur me gëlqere. E po ashtu edhe tavani.

Ndjeva sikur diçka më shtrëngonte në grykë. Ishte ankthi, neveria për atë vend. Dhe kur më shkoi ndërmend, se në atë farë dhome, do të kaloja kushedi sa kohë, një zymtim i madh ma pushtoi shpirtin. I dërmuar shpirtërisht siç isha, ndieja një lodhje të madhe fizike, a thua se kisha bërë një punë krahu fort të rëndë e të gjatë. Dhe kur “kolegët” e mi tashmë më ftuan për së dyti të ulesha pranë tyre, atëherë bëra si më thanë, por duke mos m’u ndarë ndjenja e neverisë, për atë ndyrësi të mjedisit.

Ata të dy ishin të veshur me zhele, kurse unë isha me kostumin tim elegant dhe të ri. Ata ishin të qethur, kurse unë me flokë. Ata të parruar prej ditësh, unë i sapo rruar. Ata ishin të palarë, sa binin erë, kurse unë bija ende erë sapun. Me një fjalë, ata të dy ishin mimetizuar me botën e errësirës, kurse unë sapo isha ndarë me dhunë, nga drita e diellit.

Ç’është e vërteta, ata të dy më pritën mirë, madje me shumë respekt. Ndoshta pamja ime, veshja, qëndrimi u dha të kuptojnë, se nuk isha nga ata xhepistët e rrugëve apo, nga ata horrat që bëjnë sherr nëpër mejhane. Se, ku ta dija unë se çfarë malukati, ishte mbyllur në ato gjashtë birucat e atij bodrumi? Pastaj, gjithë jetën kam pasur përherë një përbuzje ndaj elementit ordiner, që arrinte deri në neveri, si për përmbajtjen e tyre morale e, si për pamjen e jashtme. Një neveri deri në rrëqethje.

Unë e dija që prej kohësh se të burgosurit politikë, nuk i përzienin me ordinerët, por në atë rajon policie, ç’donte një politik si unë? Aty ndryheshin zakonisht ordinerë. Apo për mungesë vendi, me kishin përzierë edhe mua me ta? Dhe nisën të më pyesnin. U thashë se më kishin arrestuar në mbrëmje dhe nuk dija fare përse. Dhe se nuk kisha bërë asgjë të kundërligjshme. Kurse njëri nga të dy, një djalë i ri, tha se e kishin arrestuar për arratisje. Pra edhe ai ishte politik. Po kështu edhe tjetri. Dhe të dy kishin në atë birucë 15 ditë.

-Sa?!!! – gati klitha unë tepër i habitur. Se nuk mund të kuptoja sesi, mund të duronte njeriu në atë farë mjedisi, për gjithë ato ditë. Mungesa e përvojës vetjake të deriatëhershme, pavarësisht se ç’kisha dëgjuar për burgjet, nuk arrinte që të besoja se aq ditë në birucë, s’janë veçse një majuc e atij ajsbergu, që pluskon në oqeanin e ngrirë të vuajtjeve të stërmëdha e, tepër të thekshme të burgut komunist. Dhe kështu, tek e rishikoj sot me mendje habinë time të atëhershme, jo vetëm që tallem me veten, por më vjen edhe inat.

Ata të dy, fizikisht, ishin krejt të ndryshëm. Dhe, siç vura re në vazhdim, ishin edhe akoma më të ndryshëm shpirtërisht. I riu ishte gjatalosh, ai më i pjekuri, ishte disi i shkurtër dhe çalaman. I riu dukej si një fëmijë shtatgjatë, si skërfyell, me një fytyrë tërë prenka, me një hundë qipe dhe dy sy që e tregonin hapur naivitetin e tij. Tjetri kishte një fytyrë disi të shtrembër, si trupin, ca dhëmbë të florinjtë përpara, me një nënqeshje e sy dinakë, një ball të ngushtë, brenda të cilit nuk rrinte dot inteligjenca, por vetëm dinakëria. Të riun e quanin Mihallaq Havaleja. Tjetrin Qemal. Mbiemrin ia kam harruar. I pari banues i Tiranës, i dyti nga Vlora.

Kohë më vonë mora vesh se në atë kohë, Llaqi dukej i mirë, naiv siç ishte. Kurse tjetri ishte i poshtër, sepse ishte aty për të zbërthyer të riun, si mi profesionist biruce. Dhe prapë më vonë mora vesh, se ai miu qelbanik, pasi e kishte pickuar mirë e mirë rioshin, ia kishte injektuar edhe atij helmin e gjakut të vet dhe kështu Llaqka, ishte katandisur në spiun kampi, në mos edhe në një shkallë më të specializuar, atë të miut të birucave.

Më pyetën nëse kisha ngrënë. Dhe kur u thashë që jo, deshën të më japin diçka, por unë nuk pranova. Jo vetëm që nuk më hahej, por duart e tyre, trastat, mjedisi, dhe mbi të gjitha halli që kisha, bënin që të mos ndieja fare uri. Pranova prej tyre vetëm një cigare që, kur e ndeza, m’u duk se nisa të qetësohem, diçka nisa të mësohem, me atë farë vendi.

Ora me siguri kishte kaluar treshin, mbas mesnate. Gjer atëherë, nuk më vinte gjumë. Por dalëngadalë edhe ai nisi të më afrohet. Desha s’desha, pranova ftesën e tyre që të shtrihesha dhe unë aty. Këpucët, domosdo, i kisha lënë jashtë birucës, dhe aty isha me çorape. U shtriva. Xhaketën e mbështolla dhe e bëra një lloj jastëku, duke më therur në shpirt për kostumin e ri, që e kisha aq me merak. Ishte e para herë që flija i veshur. Dhe më zuri gjumi.

Nuk di sa fjeta, një orë a dy, sepse më zgjoi një goditje e fortë në derë. U çova i përhumbur, i trembur. Ishin çuar edhe dy të tjerët, ish bërë zgjimi. Ora duhej të ishte pesë e mëngjesit. Dy bashkëbirucësit, më thanë se si ishte puna. Ata u çuan më shpejt dhe u bënë gati. Do të dilnin në WC, për nevojë dhe për të larë faqet. Dëgjova që hapeshin dyert e birucave, zëra policësh që nxisnin të bëjë gjithçka shpejt, rrjedhë uji e kështu me radhë.

Më në fund erdhi edhe radha jonë. Në cepin e korridorit, ishe ajo që quhej banjë, prej dy shoqëruesve të mi. Pse banjë? Ajo e kishte emrin vetëm hale: një vrimë në çimento, dhe një çezmë në faqe të murit, aq sa uji të bënte qull nëpër këmbë. Unë vetëm urinova, shpëlava duart e u hodha nja dy grushte ujë faqeve, u ktheva me të tjerët, po në birucë, nën shoqërimin e policit. Nuk e kisha as shaminë që të fshija duart e faqet, pa le krehrin për të krehur flokët.

Dy të tjerët u fshinë të dy me një lloj mesalle të vogël, të ndyrë si ata. Për krehër nuk kishte nevojë, se ishin të qethur si rekrutë. E po mbi këtë lloj mësalle, ata u shtruan të hanë mëngjesin: dy krodhe bukë, dy grima djathi dhe nga një qepë të vogël, të cilën e çanë në mes, me ata thonjtë e zinj e të gjatë. Ata prapë më ofruan të haja diçka. Por prapë refuzova, megjithëse, të them të drejtën, kisha nisur të ndiej uri. Por më mirë i uritur, se atë lloj të ngrëni. Kërkova vetëm një cigare dhe me kaq “mëngjesi” mbaroi.

Pas kësaj, si ndezën edhe dy të tjerët nga një cigare, nisën të më pyesin përsëri, se pse më kishin arrestuar. Dhe unë gjithë në timen, se nuk e kisha idenë, pse më kishin sjellë aty. Atëherë ai shtrembanik më tha se sigurisht, do të ishte bërë ndonjë gabim, se duhej të kisha besim te qeveria, që do ta ndreqte shpejt gabimin e bërë dhe se nuk ishte aspak çudi, që të më lëshonin që atë ditë. E dëgjoja i heshtur dhe çuditërisht sikur ma kishte qejfi edhe mua, sikur të ishte vërtetë ashtu.

Duke parë që unë s’isha fort i prirur për bisedë, Llaqka me Qemalin, nisën të merren me njëri-tjetrin. I riu u çua në këmbë, hodhi krahëve njërën nga ato dy batanijet e qelbura, si punë pelerine dhe një herë nisi të sorollatej nëpër dhomë, duke bërë si punë baleti, pastaj nisi të marrë poza teatrale, sikur donte të imitonte rolin e Hamletit, që e kishte parë në kinema.

Shokut të tij, Qemal çalamanit, i qeshnin sytë nga një lloj kënaqësie, a thua se shihte të dashurën e vet, tek pozonte për lezetin e tij. E duke parë këtë lloj gëzimi, që shkonte gati deri në adhurim, fill më shkoi mendja se mos mes atyre kishte pasur edhe ndonjë marrëdhënie homoseksuale. Pra, Llaqka si prostitutë a dylber, dhe çalamani në rolin e aktivit. Kështu ky çalaman, kryente aty dy funksione, atë të miut të birucës dhe të pederastit. Dhe më shkoi fill mendja, se prania ime aty u kishte prishur punë atyre të dyve. Dhe ndjeva një neveri të tillë, sa më vinte të nxjerr zorrët, edhe pse nuk kisha asgjë në stomak.

Një neveri edhe më e madhe se ajo që kisha ndjerë që në fillim, nga ndyrësia e atij mjedisi. Se, fundja, me ndyrësinë fizike, njeriu edhe mund të mësohet dikur, vërtetë me zor, por dalëngadalë e nga halli, por me ndyrësinë morale, e ndieja se nuk do të mund të mësohesha kurrë. Duhej të ishte mesi i paradites, kur dera e birucës u hap dhe polici më tha që të dilja e ta ndiqja pas. Dhe unë e ndoqa menjëherë, me një shpresë të marrë, se vërtet mos ishte bërë realitet, fjala e mëparshme e çalamanit. A nuk thuhet se ai që po mbytet, kapet pas fijes së kashtës, nga dëshira për të shpëtuar?

Polici më futi në një zyrë të vogël, ku më priste kryetari i Degës. Ai më tha të ulesha në një karrige para tavolinës ku kishte zënë vend dhe nisi kështu prapë hetuesia. Ai në pyetjet e veta dhe unë në refuzimet e mia kategorike. Por as më shau, as më goditi, as më kërcënoi. Përkundrazi, po sillej me shumë njerëzi, gati-gati si me një lloj keqardhjeje. A mund të ishte e vërtetë kjo e fundit? Bah! Ose ishte një lloj takti i tij, ose ai funksionar, nuk i pëlqente veprimet e dhunshme dhe kërkonte të arrinte aty ku donte, butë e butë, si pa u ndjerë, si gjarpri që nuk i ka dhëmbët e tigrit dhe të peshkaqenit, por vetëm dy, sa për të të injektuar helmin vdekjeprurës.

Kjo hetuesi e re nuk zgjati shumë dhe prapë polici më mori me vete dhe më çoi përsëri te biruca nr.6, ku ndenja nja tri-katër ditë dhe pastaj më hoqën, për të më çuar në Durrës. Por kjo është një histori më vete…!

Auto-burgu

Pas tri-katër ditësh nga arrestimi, më nxorën nga biruca nr.6 dhe më hipën në një makinë që, siç mësova më vonë, quhej auto-burg. Pra, burgut, apo më mirë birucës, i janë vënë rrota dhe të burgosurit i lejohet të udhëtojë vetëm me këtë mjet, sidomos kur je në hetuesi dhe nuk duhet të të shohë asnjë qytetar i pa burgosur ende. Me një fjalë: je si një qenie sekrete. Sigurisht, që auto-burgu ishte një makinë e mbyllur, si një lloj autoblinde, veçse pa armatim të vetin, se armët i kishin në dorë policët që të shoqëronin e, që rrinin me shoferin, në pjesën e përparme të makinës.

Auto-burgu kishte një hije të rëndë për qytetarët, që e dinin se përse shërbente. Edhe pse mund ta krahasoje më tepër me makinën e funeralit, ai kishte veçorinë e vet. Ai mund të shërbente, pse jo, në raste të caktuara, edhe si makinë që transportonte të vdekur, por gjithmonë kur këta të vdekur kishin qenë të burgosur, të mbaruar në burg, ose të ekzekutuar. Kështu, auto-burgu, është më shumë një arkivol i të gjallëve të burgosur, domethënë “i të vdekurve të gjallë”, siç i emërtoi Dostojevski në kohën e vet, emërtim që nën regjimin e Enver Hoxhës, domosdo edhe të Stalinit, i shkon fort për shtat realitetit të mjerë të asaj kohe, mu në mes të shekullit njëzet.

Në auto-burg, sigurisht, unë nuk isha vetëm. Unë isha në pjesën e parme, kurse Tanushi në të pasmen. Them kështu, sepse nuk mund ta shihnim njëri-tjetrin. Në fakt, Tanushi ishte i izoluar disi më keq nga unë. “Përse ky privilegj për mua”, bëja unë pyetjen. Dhe kjo pyetje më çoi prapë në vazhdën e mendimeve, që më torturonin vazhdimisht. Dhe këto mendime, pastaj, krijonin natyrshëm dhe logjikisht pyetje të tjera. Kjo punë i ngjante alternimit të përjetshëm, mes bimës dhe farës së saj, kur dihet që të dyja këto skaje të jetës bimore, janë të kushtëzuara dhe të komanduara nga realiteti a kodi gjenetik.

Dhe, pra, këto pyetje të reja ishin: A ka folur gjë Tanushi? I ka treguar Pjetrit, për ekzistencën e grupit të Tiranës? Po Agimi, si ka qëndruar? A ia kanë zënë Pjetrit, atë dreq projekt-programin e mallkuar? Nëse po, ai na hapte telashe fort të mëdha. Duke arsyetuar kështu, rrugëtimi i auto-burgut për në Durrës, sa munda të kuptoj, e kishte kuptimin se Sigurimi, duke kapur atë dreq projekt-program, kishte nxjerrë përfundimin, se “qendra” ishte në Durrës dhe jo në Tiranë. Kështu, duke e vlerësuar në drejtimin e përgjegjësive të secilit nga ne, të sapo arrestuarit, dilte tashmë e qartë, se kryesorët ishin Pjetri dhe Zeqiri.

Pas tyre, vinte Tanushi si ndërlidhësi dhe, në fund, unë, si viktimë e Pjetrit dhe Tanushit. Ishte logjike (e parë me syrin e interesit vetjak), se unë duhej të merrja dënimin më të vogël, por, kuptohet, nëse nuk dilte në shesh ekzistenca e grupit të Tiranës. Pra, qëndrimi i Tanushit dhe Agimit, si të arrestuarit e parë të grupit të Tiranës (domosdo bashkë me mua), kishte shumë rëndësi. Dhe, nëse zbulimi i Sigurimit do të mbetej deri në këtë stad, atëherë, edhe pa e shikuar punën nga ana e interesit vetjak, unë kisha bindjen, se dënimet do të ishin fort më të lehta për të katërt: Pjetrin, Zeqirin, Tanushin dhe për mua.

Por a do të mund të qëndronte ky variant, deri në fund? Kjo ishte çështje edhe më me spec, sesa një alternativë hamletjane. Së fundi, dilema e Hamletit, në zgjidhjen e saj, varej vetëm prej vendimit të vetë atij, kurse në dilemën tonë, zgjidhja varej shumë pak nga dëshira a vullneti ynë. Ajo varej nga ata që, tashmë, na kishin në dorë. Dhe, këta, nuk ishin qenie që prireshin nga e mira, përkundrazi, ishin dërgatë ogurzezë e Luciferrit.

Në birucën nr.6, të pasnesërmen e arrestimit, erdhi familja e më solli tesha të tjera: një kostum të vjetër, këpucë të dyta, ca ndërresa, sapun, peshqir, pak ushqim, ca paketa cigare e shkrepëse, një dyshek, një jorgan dhe një velenxë. Kështu, ato i kisha me vete. Ishte vërtet diçka ngushëlluese për mua se, në një farë mënyre, mund t’i shmangesha kontaktit të përhershëm dhe të drejtpërdrejtë, me ndyrësinë e birucës. Por, a më hynin mua fort në sy ato “të mira”, kur kisha përpara një dilemë aq të madhe, saqë po ma shkundullonte kokën? Pastaj, ku po na çonin? Çfarë na priste në Durrës? A do të mund ta shihja prapë me sy, së paku edhe një herë të vetme, gruan, djalin, nënën?

Oh, Zot! Në jetën time nuk kam bërë udhëtim me shqetësues e më të rëndë, se me atë të mallkuar auto-burg. Në auto-burg, në të dy krahët, kisha kapterë. Ata rrinin si mumje. Prania e tyre kaq afër më bezdiste. Nuk isha duarlidhur. Deri atëherë s’i kisha njohur prangat. Mos vallë, nuk konsiderohesha ende i burgosur, po i paraburgosur? Kush e kishte shpikur një emërtim kaq idiot? I paraburgosur! Mos vallë, kjo donte të thoshte, që unë ende nuk kisha të drejtë të “provoja shijen e burgut'”? Po biruca nr.6, çfarë ishte?! Vend dëfrimi?!

Po keptarët, mu në hundën time, çfarë ishin?! Roja personale apo, si po i thonë sot, kot së koti, “body guard”?! Në atë kohë, edhe para burgimit, gjithmonë kisha ndierë bezdi nga afërsia me ushtarakë, sidomos me policë, të çdo grade të ishin ata. Atëherë, rroba ushtarake për mua, donte të thoshte: shtyllë e pushtetit komunist, bazë e mbijetesës së diktaturës, mbrojtëse fanatike e saj dhe e fronit të tiranit. Dhe, më duket se, si unë, edhe gjithë të tjerët që s’ishin komunistë a, dallkaukë e servilë të pushtetit, ashtu e shihnin rrobën ushtarake. Nuk ishte rrobë që mbronte një sistem të drejtë shtetëror, apo një parti demokratike, por ishte mbrojtëse e sistemit të dhunës, madje vetë policia, ishte arma e drejtpërdrejtë e diktaturës a, siç thoshte vetë diktatori, “shpata e mprehte” e saj.

Dhe duke menduar kështu, tek i shikoja me bisht të syrit dy keptarët, që gati po me zinin frymën me praninë e tyre, ndieja, njehëresh urrejtje dhe neveri. Dhe thosha me vete se si dreqin u hahet buka këtyre lloj njerëzish, kur e dinë se ushqimi i tyre dhe i familjeve të tyre, sigurohet duke i torturuar të tjerët, duke u marrë, madje, jetën? Dhe këta të tjerët nuk ishin kriminelë, as vrasës, vjedhës, përdhunues a nuk di çfarë tjetër, por ishin njerëz që e kundërshtonin atë regjim, pikërisht pse ishte i mbrapshtë, i poshtër, shtypës, shfrytëzues, mizor, gjakësor. Pra, këta ishin rojat e së keqes, rojat e mbretërisë së djallit.

Ndërkohë, duket se auto-burgu kishte arritur në vendin për ku ishte nisur, sepse jo vetëm ndaloi, por edhe kur lëvizi prapë, ai eci mbrapsht dhe ndaloi fare, përderisa e mbështeti prapanicën te dera e burgut tonë të ri, tashmë, atij durrsak. Memorie.al 

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Kur Prokurori i tha, a kishte ndonjë porosi për të lënë, dënuari përgjigjet: S’kam gjë, të rrojë Partia, Republika dhe Stalini. Mua më gjykoi dhe më dënoi...”! / Fjalët e fundit të Koci Xoxes, para pushkatimit, 11 qershor ‘49

Next Post

“Kur Kosta Gjordeni i plagosur bërtiste; ‘më qëllun komunistat, kriminelat, të dënuarit H. Tabaku, L. Shkëmbi e N. Skrapari afrohen, por breshëria e armëve...”/ Kujtimet e ish-të burgosurve të Qafë-Barit

Artikuj të ngjashëm

“Prof. Selman Riza më tha në burg, se ai aprovonte plotësisht ideologjinë e veprimtarinë e komunistëve…”/ Dëshmia e rrallë, e Ejëll Çobës
21 Vjet burg komunist

“Thoma D., ish shoku i klasës, një dallkauk i ndyrë që bridhte gjithë kohën pas femrave, edhe në Budapest ku u diplomua, tashmë si kryeinxhinier i ‘21 Dhjetorit, erdhi te kamp-burgu jonë e, kur më pa…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 7, 2025
“Kur i dënuari Aqif Selimja, ish-oficer, shkoi te qelia dhe e pyeti Bedri Spahiun, se kush ishte më kriminel, Mehmet Shehu apo Enver Hoxha, Bedriu i tha…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës, që vuajti 22 vite burg
21 Vjet burg komunist

“Kur i dënuari Aqif Selimja, ish-oficer, shkoi te qelia dhe e pyeti Bedri Spahiun, se kush ishte më kriminel, Mehmet Shehu apo Enver Hoxha, Bedriu i tha…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës, që vuajti 22 vite burg

July 7, 2025
“Kur më erdhi në qeli prokurori Asaf Kondi, unë e pyeta; Si jurist i regjur që duhet të jeni, desha të di prej jush se, a dënohet mendimi, i cilitdo qoftë, ai më tha…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
21 Vjet burg komunist

“Kur më erdhi në qeli prokurori Asaf Kondi, unë e pyeta; Si jurist i regjur që duhet të jeni, desha të di prej jush se, a dënohet mendimi, i cilitdo qoftë, ai më tha…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla

July 7, 2025
Memorie.al
21 Vjet burg komunist

“Ndërkohë që kapter Rustemi hyri në qelinë time dhe më komunikoi se më ishte falur jeta, dëgjoja trokitjet e Pjetër Arbnorit nga qelia ngjitur, por unë…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës  

July 7, 2025
“Tiranasi që i kërkoi komandantit të rrinte më shumë në qeli, pasi…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, për historitë e çuditshme në burgjet e Enver Hoxhës
21 Vjet burg komunist

“Gjatë atyre 64 ditëve, që unë me Pjetër Arbnorin, prisnim të na merrnin nga qelia, për të na ekzekutuar, Pjetri ishte shumë i sigurtë, që neve do të na falej jeta, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

July 7, 2025
“I dënuemi me burgim të përjetëshëm, që ban një delikt tjetër, ndëshkohet me një mbyllje vazhduese të re në qelië, për një kohë nga gjashtë muej, deri në…”/  Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?
21 Vjet burg komunist

“Kur kryetari i trupit gjykues, Llazi Polena, na komunikoi vendimin, ku unë dhe Pjetër Arbnori, ishim dënuar me vdekje, me pushkatim, menjëherë ndjeva se…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

July 7, 2025
Next Post
“Kur Kosta Gjordeni i plagosur bërtiste; ‘më qëllun komunistat, kriminelat, të dënuarit H. Tabaku, L. Shkëmbi e N. Skrapari afrohen, por breshëria e armëve…”/ Kujtimet e ish-të burgosurve të Qafë-Barit

“Kur Kosta Gjordeni i plagosur bërtiste; ‘më qëllun komunistat, kriminelat, të dënuarit H. Tabaku, L. Shkëmbi e N. Skrapari afrohen, por breshëria e armëve...”/ Kujtimet e ish-të burgosurve të Qafë-Barit

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme