• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Thursday, July 17, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime 21 Vjet burg komunist

“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla

“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
Memorie.al
“Kur unë i dorëzova Feçorit raportin për nusen e djalit të Mehmet Shehut, për sjelljet e saj në Durrës dhe takimin në det, me një francez me varkë, ai…”/ Dëshmia në hetuesi, e ish-zv/drejtorit të Sigurimit
Relacioni sekret: “Gjovalin Papleka me sëpatë dhe Sokol Drrasati me dinamit, rrëzuan bustin e Enver Hoxhës dhe…”/ Letra për Xhelil Gjonin, në 13 dhjetor ’90-të, për “huliganët” e Shkodrës
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“Ja si na i vranë katër shokët tanë të burgosur në kampin e Laçit që tentuan arratisjen dhe fjalimi i komisarit para viktimave…”/ Si e shpërthyen burgun e Fushë-Krujës

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e gjashtë

                                                          Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të sterhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Thoma D., ish shoku i klasës, një dallkauk i ndyrë që bridhte gjithë kohën pas femrave, edhe në Budapest ku u diplomua, tashmë si kryeinxhinier i ‘21 Dhjetorit, erdhi te kamp-burgu jonë e, kur më pa…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

“Kur i dënuari Aqif Selimja, ish-oficer, shkoi te qelia dhe e pyeti Bedri Spahiun, se kush ishte më kriminel, Mehmet Shehu apo Enver Hoxha, Bedriu i tha…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës, që vuajti 22 vite burg

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të pumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                            Vijon nga numri i kaluar

Hetuesia e parë

Së pari më futën te zyra e oficerit të rojës, një dhomëz në hyrje të Degës. Tanushin e dy të tjerët, nuk i pashë më me sy. Oficeri, një burrë i ri, pasi me kontrolloi kudo, më mori portofolin me 2.800 lekë të asaj kohe (e vetmja pasuri e imja atëherë), orën e dorës, stilografin, paketën e cigareve, bashkë me çakmakun, rripin e pantallonave, kravatën, lidhëset e këpucëve, krehrin e vogël të xhepit, shaminë e hundës.

Dhe të gjitha këto i regjistroi në një lloj fletoreje, pastaj i mbështolli të gjitha në shaminë time dhe i futi në një si raft të vogël prapa tij. Pastaj hartoi një lloj proces-vrebali, ma lexoi dhe më tha të nënshkruaja, se sendet e sekuestruara ishin të plota. Gjer këtu puna shkoi mbarë. Po a do ta vazhdonte më tutje po kështu, qetë-qetë, pa sharje, pa fyerje e sidomos pa rrahje e tortura? Kjo ishte çështja…!

Si u krye kjo punë, dy policë më kapën nga krahët dhe më futën nëpër një korridor të errët, që m’u duk si bodrumet e Koloseut të Romës së lashtë (që i kisha parë në gravura), dhe drejt e në një si dhomë të madhe, gjithashtu të errët, me dritare të zëna dhe me një dritë elektrike qorre.

Në mes të asaj dhome më ulën në një karrige metalike, të fiksuar në dyshemenë prej çimentoje, para një vargu tavolinash, gjithashtu të fiksuara edhe ato në çimento. Madje vura re se edhe taketuket e cigareve, ishin të fiksuara në ato tavolina. Atëherë, sido që nuk kisha asnjë përvojë vetjake për kësi punësh, nisa të kuptoj se ngulitja e këtyre orendive, donte të thoshte që të pandehurit t’i hiqej çdo mundësi për t’i përdorur karriget, tavolinat dhe tavllat e duhanit, si armë mbrojtjeje, apo sulmi.

Dhe m’u duk, pa shiko, një mase e logjikshme! Pavarësisht se mua, si person flas, as nuk do të më kishte shkuar mendja për një kundërveprim të tillë. Pas atyre tavolinave e përballë meje, ishin një varg agjentësh të Degës, ndonjë me uniformë oficeri, të tjerët kryesisht me tesha civile. Dhe në krye të tyre, në një tavolinë të posaçme, që formonte kreun e një T-je, rrinte një burrë i bëshëm, ndaj të cilit vartësit e tij, rrinin gatitu. Ishte e qartë që ai duhej të ishte kryetari i Degës.

Minutat e para kaluan në heshtje. Unë shikoja ata e ata mua. Ishe si një lloj shqyrtimi i ndërsjellë, i heshtur, si për të njohur paraprakisht njëri- tjetrin, si për të matur forcat, para se të fillonte ndeshja. A thua se ishim në një ring boksi a, karateje: unë i vetëm ndaj një ekipi të tërë mundësish a, boksierësh. E unë, i hollë e i dobët, ata, të paktën disa prej tyre, si dema të ndërkryer. Pastaj shpejt nisi së pari “dialogu”, sigurisht aspak i barabartë, por me një inferioritet fort të dukshëm në disfavorin tim. Por e thua pas këtij dialogu apo gjatë tij do të hynte në mes, me tërbim, edhe ndeshja fizike?

A nisa të ndiej frikë? Sigurisht. Kjo është më se njerëzore. A nuk e kanë atë edhe bishat e pyllit, kur e shohin se i kërcënon rreziku i menjëhershëm? Kam parë nëpër filma dokumentarë, se edhe luani a tigri i xhunglës, fjala vjen në Indi, kur dëgjojnë në strofkën e tyre tam-tamet e gjahtarëve dhe ua zë syri turmën e madhe të tyre me armë në dorë, mrrulet, ul kokën e tij krenare dhe, i shqetësuar, braktis strofkën dhe tërhiqet zvarrë të largohet së andejmi për t’u fshehur në thellësinë sa më të largët të xhunglës. Po unë, që s’isha as luan, as tigër, por shumë-shumë një lloj shqarthi, i hajthëm dhe i vetëm mes gjithë asaj lukunie?

Nuk di nëse trimëria është një armë gjithnjë e gatshme në dorë të njeriut, të paktën tek ai njeri që as e ndjen veten për burracak dhe as e njohin të tillë. Por di, ama, një gjë me siguri, se te njeriu me dinjitet, kjo veti e tij, e sprovuar në çdo rast e rrethanë, nuk e braktis kurrë. Kështu, mos vallë dinjiteti është baza e trimërisë apo, një sinonim i saj?

Se unë, që të flas sinqerisht, nuk e dija aspak, nëse isha trim apo jo, por ama dinjiteti ka qenë një ndjenjë gjithmonë fort e dashur për mua, pothuaj gati mbi çdo ndjenjë tjetër njerëzore. Dhe jam munduar ta ruaj në shpirt gjithë jetën, pavarësisht nga mosha, koha e rrethanat, sado të vështira që të kenë qenë ato. Dhe dua të them haptazi se, në ka gjë për të cilën ia lejoj vetes të jem krenar, është pikërisht mos-braktisja asnjëherë e kësaj ndjenje.

Dhe debati filloi. I pari që e çeli gojën, ishte një nga kalecat që kisha bash përballë. Duket atij i ishte ngarkuar ta niste fjalën i pari:

– “Si të quajnë”?

– “Filani…”.

– “Na thuaj, i pandehur, çfarë ke bërë sot, nga mëngjesi e deri në çastin e arrestimit”?

– “Gjithë paraditen kam qenë në shkollë. Pasdite, deri në orën gjashtë, kam qenë në shtëpi. Pas asaj ore, kam qenë në shëtitje me shokët”.

– “Kush janë ata”?

– “Nuk di pse më pyesni për këtë, se ju e dini tashmë. Janë pikërisht ata me të cilët me keni arrestuar”.

– “Hm, pse vetëm ata ke shokë ti”?

– “Sigurisht që jo, shokë kam boll, shokë pune, të tjetër e të rinj”.

– “Kë prisje sot në orën dy në shtëpinë tënde”? – kërceu papritmas, duke hyrë drejt e në temë, ai që duhej të ishte kryetari i Degës.

– “Asnjeri. Pas dreke erdhi si shumë herë të tjera shoku im, Tanushi, me të cilin na sollët njëherësh këtu”.

– “Po tjetër”?

– “Askënd tjetër”!

Ndërhyrja e kryetarit më dogji fort. Ai e dinte se dikush duhej të vinte në orën dy tek unë. Domethënë se dikush ka folur. Kush të ishte ai? Ata të dy të Durrësit? Pse, t’i kenë arrestuar vërtetë? Apo ndonjë nga grupi ynë, që dinte gjithçka? Luhatja mes hipotezave, për të zbuluar me sa mundesh të vërtetën, është një torturë e vërtetë. Ajo të trondit e të lodh shumë.

Madje ajo është hapi i parë, që ndan qëndresën me zbathjen e brekëve, që ta them troç. Të mohosh një fakt, që s’të prish aspak punë, ky është një budallallëk me brirë, por ama të pranosh edhe një fakt të thjeshtë, por që lidhet me problemin kryesor, thelbësor, është të nisësh t’i hapësh varrin vetes, me duart e tua.

Kur je i vetëm në një punë dhe s’ke bashkëpunëtorë, qoftë edhe një të vetëm, para hetuesisë e ke shumë më të kollajshme të mbrohesh, sigurisht kur ajo nuk ka fakte. Por kur je me shokë bashkë, është tepër e vështirë, sepse nuk di se ç’kanë thënë shokët e tu, sa të zotë janë ata, t’u qëndrojnë pyetjeve të shumta, ngulmuese, falë presioneve të shumëllojshme, deri te rrahjet shtazore e torturat vdekjeprurëse?! Dhe nuk ka fatkeqësi më të madhe, sidomos kur ti mundohesh të mbrohesh, me sa mundesh, me dhëmbë e me thonj, dhe tjetri të ka shitur, bashkë me veten e tij, si mishi i pjekur në tavë, gati për t’u ngrënë!

Kështu belaja është, se ti nuk di si kanë qëndruar shokët e tu, që të mund të modelosh qëndrimin tënd. Nuk ka torturë më të madhe për mendjen dhe shpirtin, se sa të mos dish qëndrimin e shokëve të tu, në hetuesi. E unë nuk e kam fjalën këtu aspak për hetuesira si këto të sotmet, ku, më duket se diçka respektohet tek i pandehuri, nuk di sa e si. E kam fjalën për hetuesinë komuniste, sigurimse, ku njeriu nuk vlente në sytë e saj, asnjë grosh! Ata të vrisnin e s’të paguanin, si thotë një shprehje e njohur e shqipes.

Që në çastet e para, në atë dhomë gjysmë të errët, më godiste si çekan pyetja: a do të dilja i gjallë dot, nga ajo dhomë kobzezë? Ndjeva ca si të dridhura në kurriz. Sistemi nervor periferik, ai para-simpatik, sikur nisi të reagojë. Mos ishte vallë përgatitja e vetë organizmit, për t’i bërë ballë çfarë do të vinte më pas? Kisha dëgjuar edhe unë për namin fort të keq të asaj paradhome, sidomos në “kohën e Koçit”, për tmerret e dy njerëzve të Sigurimit, fort të njohur të asaj kohe, që i kishin futur tmerrin Tiranës, për Skënder Kosovën dhe Skënder Konicën, këta dy Skënder që kafshonin njerëz, si dy kërbëre, qen roje të ferrit mitologjik.

Këta “skënderë-kërbëre”, zotër të plotfuqishëm të jetës dhe vdekjes së qytetarëve të atëhershëm të Tiranës. Tregonin se muret e asaj dhome, ishin të spërkatura me gjak dhe tru njerëzish. Tregonin se torturat bëheshin, duke e vënë radion në maksimum, që të mos dëgjoheshin jashtë ndërtesës ogurzezë, ankimet dhe ulërimat e viktimave.

Tregonin e çfarë nuk tregonin njerëzit në atë kohë, sa atyre që dëgjonin, jo vetëm u zbehej fytyra si meit, u dridheshin leqet e këmbëve, por u mbetej dhe fryma. Ishte gati njësoj sikur të të dilte natën, papritmas, qoftë largu, ndërsa ti po ecje i vetëm anës së varreve të qytetit. Fati i shumë prej këtyre “skënderë-kërberëve” dihet dhe ka të bëjë me vetë kohëzgjatjen e regjimeve diktatoriale.

Si nga një ligj i fshehtë i historisë, shpesh vetë diktatori, i zhduk nga faqja e dheut xhelatët më besnikë e më mizorë, në shërbim të tij. Siç duket, në rrjedhën e viteve, nën shtytjen e koniunkturave të reja, vetë diktatori, ky djall i zi si ferri, e sheh të nevojshme a, gati të domosdoshme, si të dojë të miellzojë veten, për t’u dukur i bardhë, t’i zhdukë ca nga pararoja e kriminelëve të vet.

Këndej ka dalë edhe shprehja e famshme (e stërholluar tashmë), se; “revolucioni, me kohë, nis të hajë këlyshët e vet”! Në fakt, a nuk ndodhi kështu në Revolucionin Francez, më 1789-1793? A nuk ka ndodhur, po kështu, me Revolucionin Bolshevik e, sidomos, me sundimin e Stalinit? A nuk ka ndodhur, po kështu, në kohën e sundimit të Enver Hoxhës? Vetëm emrat e mëposhtëm (sigurisht nuk janë të gjithë), besoj se do të ishte një provë shumë kuptimplote: Koçi Xoxe, toger Baba, Nevzat Haznedari, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu, Kopi Niko, Mihallaq Ziçishti, e plot e plot shokë të tyre.

Por le të vazhdojmë me hetuesinë time paraprake. Tashmë, i ngujuar në karrigen metalike, vija re me vëmendje vargun e surretërve të hetuesve të mi të parë. Prej tyre, njihja që më parë, vetëm major Besim Selitën, i cili më arrestoi. Kolegu i tij (duket më i afërti), një surrat me një trup të bëshëm, me një palë mustaqe si ato të xhandarëve të Carit (siç i kisha parë në filmat sovjetikë), m’u turr me arrogancë, duke më fyer e duke më thënë, se unë kisha qenë armik, që në vitin 1945, kur s’isha veçse gjimnazist, në moshën 16-vjeçare. Dhe, në këtë akuzë, për besë, kishte plotësisht të drejtë!

Në atë galeri surretërish, megjithëse isha në hall të madh, vura re se ata sikur nuk kishin një ngjyrë të zakonshme njerëzore. Ngjyra e fytyrave të tyre, të sillte ndërmend atë të bakrit, kur ndryshket: një ngjyrë mes së verdhës dhe jeshiles, si kufomat e të vdekurve, kur nis procesi i kalbjes. Diçka tepër ngjethëse, makabre. Ishte e qartë, se ata sikur ishin qenie të ardhura nga gropat e varreve, emisarë të zgjedhur te vdekjes, për t’i çuar asaj viktima të reja në zgrofin e stërmadh, kurrë të ngopur! Dhe ndjeva për ta sa urrejtje, aq edhe neveri, sa më vinte gati të nxirrja zorrët.

Dhe hetuesia vazhdonte. Duket se ekipi i Sigurimit, donte të më habiste me pyetjet e pareshtura, herë njëri e herë tjetri. Por unë nuk e humba aspak toruan. Goja më punonte si bilbil dhe isha, si i thonë, hazër xhevap. Kështu që nuk më zunë dot kurrë në kundërshtim me vetveten: vendosa të ndjek një linjë, pa asnjë lëkundje, pa asnjë shmangie. Dhe, ç’është e vërteta, m’u duk, si për çudi, sikur po triumfoja mbi inkuizitorët e mi.

Ndërkohë, kryetari i Degës nuk foli pothuaj fare. Duket se ai kishte menduar t’i lëshonte “zagarët” e vet të lehnin e të skërmitnin dhëmbët, sa të mundnin (ndërkohë që ai të rrinte, si gjahtari profesionist), që t’ia shpinin gjahun në shteg dhe, vetëm atëherë, ai ta shkrepte armën e vet.

Me bishtin e syrit ia vura re, njërit nga hetuesit e improvizuar, orën e dorës. Ajo po i afrohej njëmbëdhjetës. Pra, duhej të kisha katër orë të mira nën atë torturë, në atë mundim mendjeje, shpirti, të foluri. Më ishte tharë goja, por nuk ndieja as uri, as etje. Madje, as për cigare nuk po më shkonte fare mendja. Kur, në atë e sipër, dera u hap me vrull dhe brenda hyri, gjithë kapadaillëk, një biçim i shkurtër: fytyrë bullafiq, si simite bajate, por me sy të egër, si prej sfinksi.

Të gjithë agjentët që ishin aty, përfshi edhe kryetarin, u ngritën në këmbë me vrull dhe qëndruan gatitu. Kush të ishte ky surrat i ri? Nuk e njihja fare. Në punë të njerëzve të Sigurimit, isha injorant. Por dukej sheshit, nga pritja që i bënë, ai subjekt duhej të ishte ndonjë kapo i madh i tyre, nga ata të Ministrisë.

Jo Kadri Hazbiu, të cilin e njihja nga fotografitë e byroistave, por ndoshta ndihmësi i tij i parë, Mihallaq Ziçishti. Dhe vërtet i kisha rënë pikës, si mora vesh pas pak, kur kryetari ia përmendi emrin. Se kur hyri, iu drejtua kryetarit me pyetjen:

– “Ky është, more”?

– “Si urdhëron, shoku Mihallaq”!

– “Mirë, vazhdoni, se dua të dëgjoj ç’thotë ky qen”.

Dhe debati filloi aty ku e kishim lënë. Ndërkohë “Llaqka”, që kishte zënë vend më afër meje, në një karrige që ia prunë me ngut nga jashtë, në një çast u ngrit nga vendi, më shau nga nëna dhe ma ngjeshi me grusht në nofull, sa më theu një dhëmballë dhe goja me rrodhi gjak. Ndjeva se shpirti më mori zjarr. Nuk qe aq dhembja, sa indinjata, inati që më dha zemër. Indinjata që më shau nga nëna. Dhe unë iu ktheva i revoltuar: – “Turp të kesh, goxha gjeneral! Nëna ime është shtatëdhjetë vjeçe. Dhe është nënë shqiptare. Unë kurrë nuk do të të shaja me një shprehje të tillë! As këta, kolegët e tu, megjithëse janë vartësit e tu, deri tashti nuk më shanë nga nëna”!

Për revoltën time, prisja të ndodhte kiameti. Prisja, për shembull, që qentë e atyshëm, më fort edhe se nga inati, për të treguar zellin ndaj eprorit të tyre të madh, do të më hidheshin njëherësh përsipër, të më shqyenin. Por për çudinë time, asnjëri nuk lëvizi nga vendi. Madje vetë “Llaqka”, u ngrit në këmbë, e tërhoqi karrigen e vet afër tavolinës, mënjanoi pak kokën dhe më shikonte, nuk them i penduar për gjestin e fjalët e thëna sigurisht, por disi më i zbutur, më i vëmendshëm ndaj debatit që vazhdoi pas asaj pauze, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Dhe pas ndonjë gjysme ore u ngrit e këputi qafën, ashtu siç kishte ardhur. Dhe atë çast mua më lindi një mendim në formë pyetjeje: mos vallë këta, qentë e vegjël, paskëshin qenë më pak mizorë, se sa tigrat e udhëheqjes së tyre? Dhe debati vazhdoi. Tashmë ora po i afrohej njëshit pas mesnate. Anëtarët e asaj tavoline, nisën të largoheshin njëri pas tjetrit. E në fund mbeti vetëm kryetari, që, si më parë, foli shumë pak, por s’mi ndante sytë, gati për asnjë çast. Duket i kishte vënë vetes si detyrë, të më zhbironte me sy, si një lloj vrojtimi vetëm psikologjik. Por psikologjinë unë e njihja shumë më mirë se sa ai, në të vërtetë.

Dikur, duket edhe ai u lodh, dhe atëherë m’u drejtua me këto fjalë:

– “Pse, kot të kemi arrestuar ne ty”?

Tha kështu dhe mori nga tavolina e tij një si fije letre e ma tregoi nga largësia, them e një metri, e vazhdoi:

– “Ja telegrami që i ka ardhur gjeneralit nga Durrësi, me emrat tuaj”!

Picërrova sytë dhe vërtetë arrita të shoh fare qartë në telegram dy emra: Uran Kalakulla dhe Tanush Kaso.

“Ah”, – thashë me vete, – “Zeqir Koçi, qen bir qeni”!

Tashmë u vërtetua se denoncimi kishte ardhur nga ai pleh, sepse vetëm ai nuk ma thoshte dot emrin tamam, por u-në e bënte gjithmonë “O”. /Memorie.al

                                                        Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Duke parë rrezikshmërinë shoqërore të të dënuarit, jemi të mendimit, të mos i akordohet falja e kërkuar...”! Zbulohet letra e Manol Konomit, për pushkatimin e Koci Xoxes, 11 qershor 1949

Next Post

“U improvizua një dhomë mbi banjot, ku të gjithë të burgosurit e rinj, kalonin fillimisht në atë ambient, ku tre herë në ditë, rriheshin nga policët, nën drejtimin e shefit...”/ Kujtimet e ish-të dënuarit të Qafë-Barit

Artikuj të ngjashëm

“Prof. Selman Riza më tha në burg, se ai aprovonte plotësisht ideologjinë e veprimtarinë e komunistëve…”/ Dëshmia e rrallë, e Ejëll Çobës
21 Vjet burg komunist

“Thoma D., ish shoku i klasës, një dallkauk i ndyrë që bridhte gjithë kohën pas femrave, edhe në Budapest ku u diplomua, tashmë si kryeinxhinier i ‘21 Dhjetorit, erdhi te kamp-burgu jonë e, kur më pa…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 7, 2025
“Kur i dënuari Aqif Selimja, ish-oficer, shkoi te qelia dhe e pyeti Bedri Spahiun, se kush ishte më kriminel, Mehmet Shehu apo Enver Hoxha, Bedriu i tha…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës, që vuajti 22 vite burg
21 Vjet burg komunist

“Kur i dënuari Aqif Selimja, ish-oficer, shkoi te qelia dhe e pyeti Bedri Spahiun, se kush ishte më kriminel, Mehmet Shehu apo Enver Hoxha, Bedriu i tha…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës, që vuajti 22 vite burg

July 7, 2025
“Kur më erdhi në qeli prokurori Asaf Kondi, unë e pyeta; Si jurist i regjur që duhet të jeni, desha të di prej jush se, a dënohet mendimi, i cilitdo qoftë, ai më tha…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
21 Vjet burg komunist

“Kur më erdhi në qeli prokurori Asaf Kondi, unë e pyeta; Si jurist i regjur që duhet të jeni, desha të di prej jush se, a dënohet mendimi, i cilitdo qoftë, ai më tha…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla

July 7, 2025
Memorie.al
21 Vjet burg komunist

“Ndërkohë që kapter Rustemi hyri në qelinë time dhe më komunikoi se më ishte falur jeta, dëgjoja trokitjet e Pjetër Arbnorit nga qelia ngjitur, por unë…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës  

July 7, 2025
“Tiranasi që i kërkoi komandantit të rrinte më shumë në qeli, pasi…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, për historitë e çuditshme në burgjet e Enver Hoxhës
21 Vjet burg komunist

“Gjatë atyre 64 ditëve, që unë me Pjetër Arbnorin, prisnim të na merrnin nga qelia, për të na ekzekutuar, Pjetri ishte shumë i sigurtë, që neve do të na falej jeta, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

July 7, 2025
“I dënuemi me burgim të përjetëshëm, që ban një delikt tjetër, ndëshkohet me një mbyllje vazhduese të re në qelië, për një kohë nga gjashtë muej, deri në…”/  Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?
21 Vjet burg komunist

“Kur kryetari i trupit gjykues, Llazi Polena, na komunikoi vendimin, ku unë dhe Pjetër Arbnori, ishim dënuar me vdekje, me pushkatim, menjëherë ndjeva se…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

July 7, 2025
Next Post
“U improvizua një dhomë mbi banjot, ku të gjithë të burgosurit e rinj, kalonin fillimisht në atë ambient, ku tre herë në ditë, rriheshin nga policët, nën drejtimin e shefit…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit të Qafë-Barit

“U improvizua një dhomë mbi banjot, ku të gjithë të burgosurit e rinj, kalonin fillimisht në atë ambient, ku tre herë në ditë, rriheshin nga policët, nën drejtimin e shefit...”/ Kujtimet e ish-të dënuarit të Qafë-Barit

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme