Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokumenti arkivor me siglën “Tepër sekret” i hartuar nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, më datën 19 janar 1950, ku bëhet një analizë e hollësishme e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë e marshallit Tito, duke evidentuar të gjitha krimet dhe gjenocidin që regjimi titist me anë të Rankoviçit kishte bërë ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme.
Dokumenti i Sigurimit të Shtetit
Drejtoria e Sigurimit të Shtetit.
Dega e Parë. V.F L.P
Tiranë 19. I. 1950
Relacion mbi terrorin dhe persekutimet në Kosovë
Fill mbas çlirimit të Jugosllavisë, populli i minoritetit shqiptar të Kosovës, filloi t’i nënshtrohet terrorit dhe persekutimeve të klikës fashiste të Beogradit. Qysh në këtë kohë, filluan të arrestohen kosovarët dhe të vuajnë tmerrësisht, nga torturat nëpër burgjet e Kosovës. Në këtë kohë filluan ndjekjet dhe persekutimet në masë. Kosovarët për t’u shpëtuar ndjekjeve të UDB-së, detyroheshin që të vinin në Shqipëri. Këtu ndiqeshin prej njerëzve të UDB-së ose shoqëroheshin për në Jugosllavi (Kosovë). Ka pasur raste që gjatë rrugës, me pretekstin se gjoja tentonin t’u iknin, pushkatoheshin pa gjyq (rrugës). Politika fashiste, shoviniste e klikës së Beogradit, karshi minoritetit shqiptar të Kosovës, u bë edhe më e egër, d.m.th. u shumëfishua qysh nga koha që u shpall rezolucioni i Byrosë Informative, mbi gjendjen në PKJ. Qysh mbas shpalljes së rezolucionit e këndej, për titistët është bërë më e lehtë problemi i persekutimit të masës së popullit kosovar, mbasi shumë lehtë, çdo njeriu që e dinë kundërshtar të regjimit titist, i vënë vulën e Informbyroisti dhe menjëherë e burgosin. Atje ku UDB-ja, ka edhe dyshimin më të vogël, bën arrestime. Kështu ka arritur që të burgosen fshatarë të thjeshtë, punëtorë, “A.P.K.J” funksionarë të pushtetit titist. Kështu ka arritur që sot në burgjet e Kosovës, të ketë 2000 e më tepër të burgosur. Në muajin mars 1950, u bënë zgjedhjet e pushtetit titist. Këto u zhvilluan nën një terror dhe nën frikësime të anëtarëve të Partisë. U thuhej që të votojnë të tërë për frontin, se përndryshe, ai që voton në kutinë bosh e pret burgu. Dhe P.K.J. kështu kanë folur në popull. Një anëtar i K.Q.P.K.J. për Serbinë, në një konferencë me popullin e Kosovës për kundra frontit, ka votuar për Shqipninë.
Populli në Kosovë rron gjithnjë nën frikën e arrestimit, survejimit, kërcënimit etj.,d.m.th. edhe më keq nga çka jetuar në kohën e okupatorëve Italo-Gjermanë.
- Një formë e punës së UDB-së, për të mbajtur popullin nën kontrollin e saj, është mos lejimi i çdo qytetari që të shkojë nga pjesë të konsiderueshme të këtyre materialeve, duke shkelur në këtë mënyrë, protokollin e lartpërmendur, si dhe parimet më elementare të së drejtës ndërkombëtare. Qeveria Jugosllave mban gjithashtu arbitrarisht edhe materiale të tjera, që i takojnë R.P. të Shqipërisë, si p.sh. vapori “Borova” prej 3500 ton, biga e madhe lundronjëse, me një fuqi të madhe peshash prej 80 ton, si dhe shumë materiale të tjera, që janë ndodhur në Jugosllavi, kur Qeveria Shqiptare denoncoi marrëveshjet ekonomike në korrik 1948. Qeveria Jugosllave është duke sabotuar zgjidhjen e proceseve të debi-kredive, që rrjedhin nga marrëveshjet ekonomike në të kaluarën, mbasi ka frikë se një analizë e vërtetë dhe e drejtë e këtyre llogarive të prapambetura do të nxjerrë në shesh, të vërtetën mbi të ashtuquajturën “ndihmë ekonomike” të Jugosllavisë kundër Shqipërisë, shfrytëzimin kapitalist të popullit shqiptar nga ana e Qeverisë Jugosllave, si dhe detyrimet që i takojnë kësaj kundrejt Qeverisë Shqiptare. E frymëzuar nga ndjenjat nacionaliste e shoviniste, Qeveria Jugosllave, ka terrorizuar dhe terrorizon me mënyra barbare, pakicat nacionaliste dhe veçanërisht popullsinë shqiptare të Kosovës dhe Metohisë, e përbërë prej rreth 1.000.000 shqiptarësh. Me mijëra kosovarë të pafajshëm, janë pushkatuar ilegalisht në masë, nga organet e UDB-së gjatë luftës ashtu edhe mbas luftës. Në këto masakra ka marrë pjesë edhe agjenti i qeverisë jugosllave, në gjirin e Qeverisë Shqiptare, tradhtari Koçi Xoxe, i cili në cilësinë e Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, në fillim të vitit 1945 autorizoi oficerët e UDB-së, që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm. Duke qenë se Qeveria jugosllave, ka shumë frikë nga patriotizmi dhe shpirti luftarak i popullit shqiptar të Kosovës, ajo ka urdhëruar dhe ka marrë masa për largimin nga Kosova, të meshkujve që janë të aftë për të luftuar”.
Pse u manipulua relacioni i Sigurimit të Shtetit?
Lidhur me atë relacion të përpiluar nga Drejtoria e Sigurimit e Ministrisë së Punëve të Brendshme në 19 janarin e vitit 1950, mund të thuhet se ka vetëm një pjesë të së vërtetës dhe pjesa tjetër është e trilluar. Ajo çka është e pasqyruar me vërtetësi në atë dokument, është pjesa e parë e relacionit të Sigurimit të Shtetit, ku flitet për masakrat dhe gjenocidin e egër, që ushtronte regjimi titist i Beogradit ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës pas vitit 1945, gjë që arriti kulmin me Masakrën e Tivarit, e ndodhur në marsin e vitit 1945, kur UDB-ja jugosllave, sipas udhëzimeve të qeverisë së saj në Beograd, ekzekutoi rreth 4000 kosovarë të pafajshëm. (Në relacionin e Sigurimit shifra e kosovarëve të ekzekutuar jepet 1000, por nga shumë dëshmi e burime të bëra publike pas viteve ’90-të, flitet për rreth 4500 të tjerë të ekzekutuar). Masakra e Tivarit, tashmë është një ngjarje e njohur, ku në marsin e vitit 1945, autoritetet e UDB-së jugosllave, me lejen e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, kaluan nëpërmjet territorit shqiptar (nga Qafa e Morinës në Kukës, për në Han të Hotit në Shkodër) një kolonë të gjatë me kosovarë, kryesisht nacionalistë, të cilët i ekzekutuan më pas, në rrethinat e qytetit të Tivarit në Mal të Zi. Kjo është më se e vërtetë dhe fakt i njohur, pasi kolona e gjatë e kosovarëve, që kaloi nëpërmjet territorit shqiptar e shoqëruar nga forcat e UDB-së, u pa nga sytë e qindra fshatarëve të atyre krahinave të Veriut dhe qytetarëve të Shkodrës. Një pjesë e atyre janë ende gjallë dhe kanë dëshmuar se si vriteshin gjatë rrugë, para syve të tyre kosovarët e pafajshëm, që ishin të sëmurë, apo ata që nuk mund të ecnin dot me hapin e shokëve të kolonës. Ndërsa pjesa që nuk qëndron në relacionin e përpiluar nga Sigurimi i Shtetit dhe që është e trilluar krejtësisht, është ajo ku thuhet se ekzekutimi i 1000 kosovarëve nga ana e UDB-së, u bë në bashkëpunim me agjentin e qeverisë jugosllave në gjirin e qeverisë shqiptare, ministrin e Brendshëm Koci Xoxe. Kjo gjë nuk qëndron, pasi në atë kohë kur ka ndodhur ajo ngjarje, pra në marsin e vitit 1945, nuk ka qenë Koci Xoxe, në postin e ministrit të Brendshëm, por Haxhi Lleshi.
Enveri ia faturoi krimet Xoxes
Funksionin e ministrit të Brendshëm, Koci Xoxe e mori pas mbarimit të Gjyqit Special në mesin e muajit prill 1945, të cilin ai e drejtoi si kryetar. Po a mund të quhet një pasaktësi ajo që thuhet në relacionin e Sigurimit të Shtetit në lidhje me atë se cili ka qenë ministër i Brendshëm në atë kohë? Po të shohim me vëmendje rrjedhën e ngjarjeve të asaj kohe, dalim në konkluzionin se ajo nuk ka qenë thjesht një pasaktësi, por është e kundërta: emri i Koci Xoxes është vënë aty qëllimisht dhe i gjithë dokumenti është përpiluar nga ana e Drejtorisë së Sigurimit vetëm për atë gjë. Personat që e kanë përpiluar atë dokument, nuk është se nuk e kanë ditur se cili ka qenë ministër i Brendshëm në marsin e vitit 1945, por ata e kanë bërë atë me qëllim për të implikuar Xoxen në atë ngjarje. Për ta shtjelluar më konkretisht këtë gjë, kujtojmë se dokumenti në fjalë mban datën 19 shtator 1950, pikërisht vetëm disa muaj pas dënimit me vdekje të Koci Xoxes. Pas eliminimit që Enver Hoxha i bëri Xoxes, të cilin e shikonte si rivalin e tij për pushtet, ai dhe njerëzit e tij u kujdesën që të ngrinin një aureolë të zezë për ish-ministrin e Brendshëm, duke ia ngarkuar atij të gjitha krimet që ishin bërë në Shqipëri, që nga përfundimi i Luftës e deri në fundin e vitit 1948, kur Xoxe u shkarkua nga të gjitha funksionet e tij shtetërore dhe partiake. Në këtë kontekst, është dhe relacioni i Sigurimit të Shtetit, i cili është hartuar qëllimisht dhe korrespondon tamam me kohën kur ka qenë edhe kulmi i fushatës për denigrimin e figurës së Koci Xoxes, për t’ia faturuar atij edhe Masakrën e Tivarit. Po të ishte i vërtetë implikimi dhe bashkëpunimi i Koci Xoxes me UDB-në për pushkatimin e mijëra kosovarëve të pafajshëm, ajo gjë do t’i ishte thënë Kocit që në Kongresin e Parë, kur ndaj tij u bënë sulme dhe akuza nga më të ndryshmet, dhe nuk kishte pse të lihej ajo gjë kur ai ishte pushkatuar. Por, ashtu si shumë krime të tjera ku Enveri ishte i implikuar direkt, edhe Masakrën e Tivarit ai u kujdes t’ia faturonte Koci Xoxes./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016