• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Sunday, June 1, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Intervista

“Tim atë e helmuan në spitalin e Vlorës, pasi në Konferencën e Tiranës, në ’56-ën, ai kritikoi privilegjet e udhëheqjes në ‘Bllok’, ku për Nexhmije Hoxhën, tha…”/ Misteri i vdekjes së gazetarit nga Çamëria

Vehip Demi
Vdekja misterioze e Vehip Demit, gazetarit nga Çamëria që në Konferencën e Tiranës i tha Nexhmijes…
Memorie.al Ismail Ahmeti
Memorie.al liri gjoliku
Memorie.al kuvendi popullor 1952

Nga Ani Jaupaj

“Tim atë e helmuan në spitalin e Vlorës, pasi në Konferencën e Tiranës, në ’56-ën, ai kritikoi privilegjet e udhëheqjes në ‘Bllok’, ku për Nexhmije Hoxhën, tha…”/ Misteri i vdekjes së gazetarit nga Çamëria

Memorie.al / Tefta Demi, ka më pak se një vit që është kthyer nga Shtetet e Bashkuara, ku jetoi për më shumë se 15 vite. Situatën rreth figurës së babait të saj, e gjeti ashtu siç e la. Asnjë interesim nga kurrkush, qoftë për të gjetur eshtrat e për të pasur një varr, ku të shkojë t’i çojë një tufë lule. Imazhet që ruan prej tij, Tefta i ka të pikturuara fort në mendje, sado që ishte vetëm 5 vjeç, kur e pa për herë të fundit. Kujton qartë edhe ditën, kur tek e priste në dritare, sheh “Xhip”-in e zi, që e mori të atin, për të mos e kthyer më. Por kujton edhe më dhimbshëm tatëpjetën, që do të merrte fati i familjes së saj paskëtaj. Nuk vlejti asnjë grim kontributi, që kishte dhënë i ati gjithë jetën e tij, as postet që mbante, e as përpjekjet për një jetë më të mirë. Deklarata e tij kundër Partisë, ishte më e fortë se të tëra.

“Shokët nga lart janë burokratizuar për së tepërmi dhe, kur vjen çështja e kontakteve në punë, do t’ju sjell rastin tonë: në Radio Tirana, është një institucion me rëndësi për propagandën. Me makinë, ajo është vetëm gjashtë minuta larg, nga zyrat e Komitetit Qendror. Por në këta 6-7 vjet, shoqja Nexhmije, drejtore e Agjitacion–Propagandës, ka ardhur në të, vetëm 2-3 herë. Shoqja Liri Belishova, që kur është bërë sekretare e Agjit-propit, nuk ka ardhur asnjëherë në Radio.

Gjithashtu mund të lexoni

“Në ’62-in, filluam të trasmetonim direkt një ndeshje futbolli në ‘Qemal Stafa, por na mori flakë kamera dhe e ndërpremë, aty ishte dhe Ramiz Alia, i cili…”/ Dëshmia e rrallë e operatorit të parë të RTSH-së

“Londra ushtroi ndikim kryesor në Tiranën zyrtare e asaj kohe, mbështeti qeveritë e Ahmet Zogut, duke marrë edhe disa kontrata për nxjerrjen e hidrokarbureve, por anglezët…”/ Refleksionet e studiueses nga SHBA-ja

Si mund të drejtosh nga zyra sektorin vartës, vetëm duke thirrur drejtorin, pa marrë kontakt me punonjësit ose, të paktën me Kolegjiumin. Një vërejte tjetër: kur dërgohen delegacione jashtë shtetit, ka disa emra, që i kap kalemi shumë shpesh: Liri Tashko, Vito Kapo, Eleni Terezi, Pilo Peristeri, Fadil Paçrami, e disa të tjerë, si drejtori ynë i privilegjuar, shoku Petro Kita, që tani ndodhet në Berlin”.

Kështu u shpreh në mes të tjerash, në mbyllje të diskutimit të tij në Konferencën e Komitetit të Partisë të Tiranës, në vitin 1956, shefi i redaksisë së Kulturës në Radio Tirana dhe ish-partizani i vjetër i batalionit “Çamëria”, Vehip Demi, i cili në fjalët e tij plot kritika të ashpra për vijën e gabuar politike që po ndiqte PPSH-ja dhe privilegjet e udhëheqjes së saj, ndezi debate në mes të delegatëve dhe Presidiumit të asaj konference.

Si rezultat i atij qëndrimi, disa ditë më vonë, Vehip Demi u shkarkua nga të gjitha funksionet që mbante dhe u shpall person antiparti, duke figuruar i nënti në listën e 21 personave që ishte miratuar nga Enver Hoxha. Pas kësaj, atë fillimisht e internuan në rrethin e Skraparit dhe më pas në Vlorë, ku vdiq në rrethana misterioze, në vitin 1960, pak kohë pasi kishin filluar arrestimet ndaj të ashtuquajturit “Grupi çam i Teme Sejkos”.

Rrethanat e vdekjes së Vehipit, ishin të dyshimta, por të afërm të tij, që qëndruan në internim deri në 1991-shin, dëshmojnë se ai u helmua nga Sigurimi i Shtetit, që u kujdes edhe për të fshehur gjurmët e vdekjes së tij.

Znj. Tefta, ç’moshë kishit ju kur babait po i bëhej ky gjyq i heshtur?

Kam qenë fare e vogël, 2-3 vjeç. Nga kjo faze, nuk mund të ruash kujtime. Për mua kujtimet nisin në fazën tjetër, kur ne ishim transferuar nga Tirana, dhe ishim internuar në Çorovodë.

Familjarisht, përfshirë edhe babain?

Po, të gjashtë, nëna, babai dhe katër fëmijët. Së pari u bë një përpjekje, që nëna të ndahej prej tij, por kjo gjë nuk u bë, kështu që shkuam të gjithë pas tij. Aty jetonim në një dhomë, askush nuk na fliste, nuk na afronte, por nëna dhe babai nisën të punonin dhe nuk vuanim edhe nga uria, apo mangësi të tjera themelore.

Do të shfaqeshin këto mangësi më vonë?

Për ne jo, sepse ashtu rrodhën ngjarjet. Jetuam kështu derisa erdhi sulmi i radhës. E kujtoj mirë atë ditë. Me tim vëlla, po prisnim te parvazi i dritares, që të dukej nëna me babain. Bënim kështu çdo ditë, i prisnim aty. Atë ditë, babai nuk mundi të hynte në shtëpi. Një automjet “Xhip”, i preu rrugën dhe e mori me vete. Nënës i thanë se do ta kthenin përsëri, por nuk ndodhi kështu.

Si ndodhi?

Të nesërmen e kësaj dite, erdhën sërish njerëz në dhomën ku jetonim, për të marrë batanije, dyshek. Ajo që thane, ishte vetëm: “E kemi izoluar në Zvërnec të Vlorës”. Pas disa kohësh, nënës i thanë se mund të shkonte ta shihte në spitalin e Vlorës. Në atë vizitë, nëna na mori me vete edhe mua, bashkë me vëllain. Kujtoj që ishte shtrirë në shtrat, me një peshqir në kokë, dy policë anash krevatit, e përpiqej të luante me një portokall me tim vëlla, që ish më i vogël se unë.

Babai i bëri me shenjë nënës, si për t’i thënë; “Po mbaroj”. Pas kësaj here, nëna nuk më mori më me vete, merrte vetëm vëllain, sepse s’kishte kush e mbante. Në kthimin e njërës nga këto vizita, nëna na tha se; babai nuk do të vinte më. Komshinjtë që kishin dalë të pyesnin për trupin, nëna u tha se nuk do t’ua jepnin. Në udhëtimin e fundit, nuk e kishte takuar, i kishin thënë se; kish vdekur në burg.

Ç’u bë me ju pas kësaj?

Nënën e hoqën nga libraria ku shiste dhe e nxorën të punonte me kazmë. Ishim përfundimisht, fëmijët e “armikut të popullit”. Nëna përpiqej të na sillte te i ati, te gjyshi, që jetonte në Tiranë, por nuk na linin, na kthenin nga rruga, derisa ishte po ai, që mendoi një zgjidhje tjetër.

Që ishte?

Që nëna të martohej sërish dhe ne të konsideroheshim si të braktisur. Kështu do të mund të jetonim me të, njëherë e mirë.

Ç’moshë kishte nëna?

Ishte vetëm 27 vjeç dhe ashtu bëri. U martua me një tjetër, ndërsa ne jetuam me gjyshin.

Vinte ju shihte?

Vinte, po fshehtas, sepse nuk e lejonin.

Pra, ju u ndatë nga të dy prindërit?

Po, megjithatë, u rritëm me dashurinë e gjyshit, sado që nuk mund të kishim një jetesë si të tjerët. Qoftë sa i përket shkollimit, qoftë marrëdhënieve me njerëzit. Njerëzit e babait ishin të trembur, për të na mbajtur afër. Përpiqeshim të studionim fort në shkollë, por e drejta për studime të larta, afërmendsh që nuk na u dha kurrë. Pra, përveçse jetonim në qytet, nga të tjerat, ishim krejt të privuar.

Dëgjonit më të flitej për atë që i ndodhi babait?

Dëgjonim vazhdimisht, sepse Enver Hoxha, kujdesej ta përmendte e ta përdhoste figurën e tij, thuajse në çdo artikull a botim që nxirrte. Terrorizoheshim, sa herë dëgjonim që do të dilte prej tij, ndonjë vepër e re.

Nëna vazhdoi të jetonte e internuar edhe pas martesës së dytë?

Po, po, burri tjetër ishte po aty, kështu që jetoi në internim.

I rivendosët marrëdhëniet?

Pas daljes, ajo u largua në Amerikë, por ne ishim vazhdimisht të lidhur me të. Aq sa ajo bëri të mundur, që edhe unë të emigroja atje për shumë vite. Jam kthyer vetëm një vit më parë.

Nëna jeton?

Po, vazhdon të jetojë në Amerikë, me djalin që pati nga martesa e dytë. Edhe njëri prej vëllezërve të mi, jeton po atje.

Nga vdekja e babait, ju arritët të merrni vetëm lajmin. A u interesuat pas ’90-ës për të gjetur trupin apo, ndonjë të dhënë rreth vrasjes së tij?

Pa dyshim që po. Sapo patëm mundësi, kërkuam dokumente në Arkivin e Shtetit, por babai dilte i padënuar. Kërkuam gjithashtu në Ministrinë e Brendshme, por nuk gjenim gjë, pra kishte qenë i dënuar, me ligje të pashkruara. Këto ishin metodat që përdorte Enver Hoxha, për njerëzit që i dilnin kundër. Siç po ju thosha, pasi nuk gjetëm asnjë dokument, në ’94-ën shkuam në spitalin e Vlorës dhe kërkuam dosjen. Gjetëm pas shumë peripecish kartelën, në të cilën shkruhej se shkaku i vdekjes, ishte refuzimi për të ngrënë e, për të pirë, gjoja kështu kishte vdekur.

Një variant i mundshëm ka qenë helmimi, apo jo?

S’ka si të ketë vdekur ndryshe, ata vetë e çuan në vdekje, për fare pak kohë. Siç pata dëgjuar gjyshin atëherë, një nga arsyet e vrasjes së tij, ka qenë se ishte çam, përveç kundërshtimeve të hapura që bëri në Konferencën e Tiranës. Nuk mund ta linte të kalonte ai, kur e dinte që babai, kishte çuar deri në OKB, kërkesat për njohjen e të drejtave çame.

As sot e kësaj dite, nuk keni gjetur asnjë informacion rreth tij?

Jo, dhe kjo është ajo që më vret më shumë. Kanë kaluar 20 vite dhe askush nuk është kujtuar të verë në vend figurën e tij. Nuk kam shumë pretendime, përveçse të kem një varr, ku të mund t’i çoj një tufë lule. Tek e fundit, jam e bija e një demokrati, që vdiq për të jetuar në demokraci e që sot, nuk i përmendet njëherë emri. Figura e tij ende nuk është njohur dhe unë do të luftoj sa mundem, për ta arritur këtë gjë.

Diskutimi i Vehip Demit, në Konferencën e Tiranës: “Ja privilegjet e ‘Bllokut’ të udhëheqjes, Nexhmija na ka harruar”!

“Ne bashkohemi me mendimin e shprehur, se duhet të forcohen kontaktet dhe lidhjet e udhëheqësve me masat. Ndodh që shokë të ngushtë të luftës ose të punës, në ilegalitet, të jenë larguar nga njëri-tjetri, pa ndonjë arsye: njëri është ministër e, tjetri punonjës. Ministrin s’e sheh gjëkundi, me makinë del nga shtëpia, me makinë kthehet, me makinë del të dielave me familjen.

Gjatë luftës, a e mendonim se do t’ia lejonim vetes një shkëputje të tillë? Kurrë! Radio-Tirana, është një institucion me rëndësi për propagandën. Me makinë ajo është vetëm gjashtë minuta larg nga zyrat e Komitetit Qendror. Por në këta 6-7 vjet, shoqja Nexhmije, drejtore e Agjitacion–Propagandës, ka ardhur në të vetëm 2-3 herë.

Ne si gazetarë i kemi konstatuar nga afër vështirësitë ekonomike te punonjësit që kanë ardhur nga një tok masash, si heqja e pjesshme e triskave, kategorizimi i ri, vendosja e normave të reja, ligji i sigurimeve shoqërore. Ne i konsiderojmë të drejta këto masa dhe të diktuara nga kushtet tona reale. Por, në të njëjtën kohë, mendojmë se këto duhet të ishin marrë të gjitha menjëherë. Në po këtë kohë u shtuan rrogat e nëpunësve të mesëm e të lartë.

Në radio ne kemi një fenomen të tillë: ata që merrnin nga 5.200 lek e lartë, kanë të gjithë shtesë rroge. Korrierët, pastrueset, portierët, nuk kanë asnjë shtesë. Kjo do të thotë se te, ne është shtuar disniveli midis atyre që marrin rroga të larta e, të ulëta. Shoku Beqir nguli këmbë, se çështja e furnizimit me bllok, është vendosur nga Komiteti Qendror. Ne mendojmë se në këtë çështje, shkelet parimi “secili sipas punës”.

Në qoftë se ministri i jep më shumë shoqërisë dhe shoqëria ia shpërblen atij me të drejtë, me se mund të justifikohet privilegji që i bëhet gruas së ministrit, duke i dhënë ushqim në “Bllok”? Shoku Shuaip Panariti studion jashtë dhe gruaja e tij, që nuk punon fare, merr ushqime me bllok. Pra, të mos i japësh shoqërisë asgjë dhe të marrësh shumë prej saj!

Ne kemi në organizatën tonë, shoqen Violeta Papuli, komuniste e partizane. I shoqi, Çoti, ka qenë kryeredaktor i “Bashkimit” e, studion në Moskë. Violetës tani i erdhi blloku. Ajo thotë: “Më vjen turp nga gratë e kooperativës, të marr ushqime me bllok, sepse e ndiej që më bëhet një favor”. E shoqja e Medar Shtyllës, një ditë po merrte mish qengji. Pjesa e mishit, kishte edhe pak mëlçi.

Ajo i thotë shitësit: “Mos më jep mëlçi, se nuk e hamë e nuk kam mace që t’ia hedh”. Ne s’kemi mëlçi të furnizojmë popullin, ajo ankohet që s’ka mace. Ne duam të pyesim ministrin e Tregtisë, Kiço Ngjela dhe ministrin e Financave, Abdy Këllezi, nga dalin fondet që duhen për të mbuluar shpenzimet e “Bllokut”. Ne nuk mund ta fshehim këtë gjë, sepse nuk e shohim të drejtë ekzistencën e Bllokut. Edhe një gjë: Ne mendojmë se çmimet e mallrave industrial, janë tepër të larta”. Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari Historik 23 Tetor 2024

Next Post

“Kur e pyeta Osmanin, nëse ajo grykë galerie, të nxirrte jashtë rrethimit, ai më tha; ‘Or voc, mos ta dha truri m'u arratis?! Hiqe nga mëndja atë, sepse...”! / Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit

Artikuj të ngjashëm

“Në ’62-in, filluam të trasmetonim direkt një ndeshje futbolli në ‘Qemal Stafa, por na mori flakë kamera dhe e ndërpremë, aty ishte dhe Ramiz Alia, i cili…”/ Dëshmia e rrallë e operatorit të parë të RTSH-së
Intervista

“Në ’62-in, filluam të trasmetonim direkt një ndeshje futbolli në ‘Qemal Stafa, por na mori flakë kamera dhe e ndërpremë, aty ishte dhe Ramiz Alia, i cili…”/ Dëshmia e rrallë e operatorit të parë të RTSH-së

May 28, 2025
“Gjyshi im, Haxhi Isufi – Banka, ministër i Financave me Vidin, deputet me Nolin, u vlerësua nga Zogu, por komunistët, na vranë dhe burgosën”/ Historia e panjohur e themeluesit të financave
Intervista

“Londra ushtroi ndikim kryesor në Tiranën zyrtare e asaj kohe, mbështeti qeveritë e Ahmet Zogut, duke marrë edhe disa kontrata për nxjerrjen e hidrokarbureve, por anglezët…”/ Refleksionet e studiueses nga SHBA-ja

May 17, 2025
“Takimin me Nënë Terezën, Mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Leka, e organizova unë me…”/ Dëshmia e rrallë e Lume Juka, e bija e ish-ministrit më besnik të Mbretit Zog, i larguar nga Shqipëria në prillin e ’39-ës
Intervista

“Takimin me Nënë Terezën, Mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Leka, e organizova unë me…”/ Dëshmia e rrallë e Lume Juka, e bija e ish-ministrit më besnik të Mbretit Zog, i larguar nga Shqipëria në prillin e ’39-ës

April 30, 2025
“Kur avioni i ynë rrëzua në Belsh, 30 pjesëtarë të stafit mjekësor amerikan, të nisur nga Bari Italisë, u gjendëm në një territor armik…”/ Intervistë e rrallë me të fundit të mbijetuarit, Dr. Harold Hayes.”
Intervista

“Kur avioni i ynë rrëzua në Belsh, 30 pjesëtarë të stafit mjekësor amerikan, të nisur nga Bari Italisë, u gjendëm në një territor armik…”/ Intervistë e rrallë me të fundit të mbijetuarit, Dr. Harold Hayes.”

April 28, 2025
“Si mbijetova për 8 vjet në galeritë e tmerrshme të Spaçit dhe jeta ime në emigracion, pa u kthyer kurrë në Shqipëri, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e 95 vjeçarit Agron Kallejxhi nga Firence
Intervista

“Si mbijetova për 8 vjet në galeritë e tmerrshme të Spaçit dhe jeta ime në emigracion, pa u kthyer kurrë në Shqipëri, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e 95 vjeçarit Agron Kallejxhi nga Firence

April 24, 2025
“Vrasja pas shpine me tradhti e Mustafa Gjinishit nga Enver Hoxha, ishte prologu i fytyrës së vërtetë të komunizmit, që po vinte në Shqipëri, pasi…”/ Refleksionet e shkrimtarit
Intervista

“Kur e njoftuan me radio Bab Myslymin, se ishte vrarë Mustafa, ai tha; do e bëj  gjakun deri në gju të kalit, por s’bëri asgjë, sepse, Gogo Nushi i tregoi kush e vrau…”/ Dëshmia e rrallë e motrës së Gjinishit

March 29, 2025
Next Post
“Mësuesit e mi në Reps, ishin intelektualë dhe antikomunistë të spikatur, si; Marko Popoviç, Hamdi Haska, Hodo Sokoli, Agim Musta dhe Vangjel Kule, të cilët…”/ Dëshmia e rrallë, e ish-të dënuarit politik

“Kur e pyeta Osmanin, nëse ajo grykë galerie, të nxirrte jashtë rrethimit, ai më tha; ‘Or voc, mos ta dha truri m'u arratis?! Hiqe nga mëndja atë, sepse...”! / Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!