• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, May 21, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Kur e pyeta Osmanin, nëse ajo grykë galerie, të nxirrte jashtë rrethimit, ai më tha; ‘Or voc, mos ta dha truri m’u arratis?! Hiqe nga mëndja atë, sepse…”! / Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit

“Kur komandanti kampit, Çelo Arëza, e urdhëroi të lidhte një plak, kapter Mark ‘gjigandi’, iu kthye me fjalët që rrallë ndonjë xhelat i ka nxjerrë nga goja…”/ Historia e rrallë në burgun e Repsit
“Kryehetuesi sadist Llambi Gegeni, xhahili Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, në Degën e Shkodrës, më çanë kokën, më qorruan njërin sy dhe…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të dënuarit politik
“Kosta R., nga Bistrica, që pretendonte se po bënte një studim shkencor për krimbat, i bëri letër Kryesisë së Kuvendit Popullor, që t’i shtynin datën e lirimit edhe ca vite…”/ Historia e pabesueshme në kampin e Repsit
“Me uniformën e burgut, me vija bardhë e blu, më gjeti gjyshja kur më erdhi në Spaç më 1979-ën, e cila bashkë me nënën dhe vëllanë që dridheshin nga të ftohët, klithi…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik
“Në ’82-in në Spaç, më kërkuan të shkoja te zyra Operativit dhe u befasova, se bashkë me të, ishte dhe shoku im i fëmijërisë, Kujtimi nga Durrësi, i cili…”/ Dëshmia e rrallë, e ish-oficerit të Marinës

Nga Shkëlqim Abazi

Pjesa e dyzetetetë

                                                             S P A Ç I

                                                    Varri i të gjallëve

Gjithashtu mund të lexoni

“Ferit M., e kishte kthy shtëpinë në zyrë hetuesie, ku në nji orë të caktueme, do të ishin të detyruara t’i vinin disa prej vajzave të gjimnazit të Shkodrës, që duke u dridhë…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Te ‘Burgu i Ri’, do mësojsha dinamikën e vrasjes së Bardhosh Danit, Brahim Dërgutit e Mark Cacës, të cilët duke dasht me u arratis, ishin tradhëtue e spiunue prej…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

  Tiranë, 2018

                                      (Kujtime të miat dhe të të tjerëve)

Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

                                                           Vijon nga numri i kaluar

Sidoqoftë, java që kaloi në birucë, ia vlejti sepse na dha atë leksion juridiko-sociologjik, në atë grykë galerie nga ku vrojtonim perëndimin e diellit, që përskuqte bashkën bardhoshe dhe fshihte një tjetër kamp pune, pas kodrave të Repsit, ku gjakohej liria.

Varri i “Titanëve”

Në “vrimat e Polifemit”, s’na u ndanë shembjet. “Biri i Poseidonit”, orvatej të shumonte hijet në “Mbretërinë e Hadit” dhe na vërtiti mijëra tonë gurë e rërë abrazive, mbi krye, derdhi dhjetëra e dhjetëra përrenj acid sulfurik; pothuaj në çdo turn, do ndodhte një shembje, ditë të veçanta nga dy e më tepër, por jo përherë përfundonin me viktima, apo me të gjymtuar përfund. Mbi këtë cep të harruar rruzulli, “pëlhura e Penelopës” merrte kuptimin e njëmendët, sepse ekzistenca nuk shtjellohej si kudo gjetkë, po zvarritej, zvarritej e zvarritej pa mbërritur askund.

Dukej atë grimë globi e kish braktisur edhe Zoti, aq sa sipas legjendës, as emisari i posaçëm s’e kish vënë re kur kish kaluar aty pari dhe e kish emërtuar: S-P-A-Ç! S’PAÇ! S’PASHË!; ndoshta edhe tani që e shihte, bënte gjoja s’e kish parë. Mbase desh të kompletonte profecinë e kahershme, të cilën e kisha dëgjuar nga mirditori plak: “Q’ashtu, prej kaheri këtu a thirr ‘S’paç’ dhe njitash vonë, kanë ndry ‘Titanët’”!

“Shkretinën e Titanëve”, Zoti e kish lënë në mëshirën e agjentëve atmosferikë, me bimësi distrofike, gati-gati cullake, të ekspozuar ndaj dimrave të gjatë, shirave të rrëmbyer, borës së dendur, beharëve të thatë, diellit përvëlues, që në rrjedhën e shekujve kishin vepruar mbi të e nën të, sa korja ish përskuqur e shkërmoqur dhe si pasojë e erozionit, ishin shtuar çarjet që shpesh depërtonin në thellësi, teksa dora njerëzore shtoi trandjen e minave tri herë në njëzet e katër orë, shumëzoji me numrin e galerave dhe tërësinë e fronteve, imagjinohet si ishin shpërbërë formacionet shtufo-ranore.

Nga ana tjetër projektet e shfrytëzimit, s’ishin më të përsosurit. Nisur thjesht dhe vetëm nga qëllime utilitare, stafet inxhinier-teknikë, s’e kishin vrarë mendjen të ndërmerrnin masa preventive, për mbrojtjen e jetëve, po kishin skicuar do vrima rrokopujë e, shkel e shko, sa për t’i rrëmbyer nëntokës pasurinë. Ato avanconin kuturu nën sipërfaqe, drejt xhepave ku shpresonin të hasnin shtresat e pasura. Të nxitur nga të mëdhenjtë e Tiranës, që nën trysninë e kërcënimit të mosrealizimeve, vinin primar “pllanin”, askush s’qederosej për aksidentet.

“Pllanin shokë, pllanin”! ulërinin të mëdhenjtë në Tiranë dhe larot vringëllinin hekurat e kërbaçin dhe e përkthenin: “S’paskeni dek të tanë, veç pllani t’plotësohet”! Stafi drejtues, si përgjegjës për zbatimin e atyre palo-rregullave të sigurimit teknik, që kishin miratuar vetë, rendnin të zbatonin direktivat e Partisë dhe shqyen çdo galeri horizontale, pa përmasa optimale, shkalafitën tunele që spërdridheshin nën koren e tokës të pa-armuar apo…të armuar me trupa ahu, që nën efektin e avujve të acidit sulfurik, më parë kalbeshin se zinin vend nën tavanet e shprishur.

Të terrorizuar nga mosrealizimet permanente, të tmerruar nga hija e të mëdhenjve që iu rrinin mbi krye si shpata e Demokleut dhe iu reklamonin ekspozenë e “sabotatorëve” të Maliqit, me qafat e këputura në litar dhe me dhjetëra kafka të bëra shoshë nga plumbat e togave të ekzekutimit, qyqarët iu bashkëngjitën të metave të mësipërme edhe cene shtesë; simulonin “shembje” të qëllimta, sa herë t’iu rrezikohej “pllani”, për të arritur synimin, sajonin ndonjë plasje, gjoja “aksidentale”, ndër xhepat e pasur, duke lenë pas rezervate të gatshëm për shfrytëzim. Me kalimin e kohës, nga zbarkimet e njëpasnjëshme këto “poligone” zbrazeshin e shfryheshin, teksa xhepat nëntokësorë, zgjeroheshin e krijonin kaverna drangull, si lëkura e zdralur e skeletit rakitik.

Gërryerjet vertikale të kallnin datën! Nën efektin e ujërave nëntokësore, që rridhnin pa pra, shembjet avanconin në lartësi, duke formuar hone konikë me trajta llahtari, shumë syresh mbërrinin koren dhe jo rrallë e shprishnin dhe përfundonin mbi sipërfaqe. Kur shihje krateret me gryka të ngushta dhe funde të pamatshëm, ta thoshte mendja, se mbi krye të vareshin piramidat egjiptiane. Veçse ato lartohen dhe gërryejnë qiejt, të këtushmet zhyteshin nën taban, duke e kapërcyer ku e ku, rrezikun e nëmëtirave të shkretëtirës.

Por ekzistonte edhe një dallim esencial, egjiptianët e lashtë ngujonin mbetjet e faraonëve në tunelet grandioze, për t’i përjetësuar në mijëvjeçarët që do pasonin, sigurisht, mbasi t’i kishin larë hesapet me botën e të gjallëve, në piramidat spaçiane rrasnin të gjallët, për t’i bashkuar me të vdekurit, që të harroheshin përjetë. Honet përthithës, vepër kriminale e dorës dhe intelektit human, i tejkaluan krematoriumet. Sa jetë do të humbnin nën to! Sa fatkeq u gjymtuan fizikisht! Sa të tjerë e të tjerë, gjallojnë të traumatizuar!

Projektuesit i shfrytëzuan grykat vampire, që në ndonjë rast përfunduan jashtë rrethimit me tela, për shkak të cektësisë, edhe për qëllime makabër: sa herë donin të zhduknin apo ri dënonin ndokënd, e caktonin në ato piramida nëntokësore, ku edhe nëse i shpëtonte inatit të “Polifemit” që vërtiste pareshtur shkëmbinj e rërë abrazive, s’mund t’iu shmangeshe kthetrave të Sigurimit të Shtetit, që e përdorën vrimën si akuzë. Në një ndër këto hone hata, “emëruan” miqtë e mi gjirokastritë, Ahmet Hoxhën dhe Sali Çakon, të cilët tentuan të preknin lirinë, nëpërmjet kraterit të paarritshëm. Paçka se vetëm për pesë ditë, në gjyq ua servirën provë materiale dhe i ridënuan për arratisje nga vendi i vuajtjes së dënimit, të parin me vdekje dhe kolegun me njëzet vjet burgim.

Sofra e djallit

Nën një hon të tillë, rastisi të shtyja një fragment të rinisë. Kalova nën të mbi gjashtë muaj, nga katërmbëdhjetë herë në ditë. Kur e pashë së pari u shastisa dhe mbeta si ai që s’di not dhe pllaquritet mes pellgut. M’u bë se më përpiu gremina! Drita e kandilit, s’arrinte të puthte paretet e abisin. Hodha vështrimin rreth e qark, terr! Ngrita kryet sipër, sërish terr! Po diku në thellësi, si ndo nja njëqind metër lart, dritë! Po, dritë autentike, rreze dielli! Gypi nga hynin ato, vinte tejet i ngushtë, si fundi i një mirazhi fë pakapshëm.

“Vizion në perspektive”! më kujtoi termin e harruar, qysh nga shpjegimet e profesorit të Vizatimit Teknik, Dashamir Bibaja.

“Eja, pse ndale”? – më fshiku veshin zëri i Osmanit, që kish avancuar disa metër.

“Si the”?!

“Të pyeta, pse u hutove”? – përsëriti.

“Ah, ah”!

Pozicioni ku stopova më ngjethi mishtë.

“Ç’dreq honi qenka ky? Apo ndonjë oxhak ajrimi”?

“Ç’oxhak, o derëzi, kavernë e shembur”!

“Shembje”? – më shpëtoi pa vetëdije.

“Nga ato që kërkojnë kokë! Hidhi këmbët pa ngrënë ndonjë shkëmb”! – dhe shtyu vagonin më tej.

U largova dhe e mbylla me aq. Meqë kalonim të detyruar nën këtë hon, çdo vajtje-ardhje, m’u ngjall kurioziteti i eksploratorit. Sa herë e përshkoja çoja kryet dhe përqendrohesha qoftë edhe pak sekonda te muret e lagët, mandej shikimi shkiste sipër dhe ngrinte te lëfyti, gjersa më hiqte vagoni rrëshqanthi. Me kohën kërshëria u rrit, një herë u ngula mes boshllëkut.

“Prapë ti”? – m’u shkreh Osmani, sikur rasti i shkuar të mos kish ndodhur ditë më herët.

“Plasa sa ta shoh”!

“S’të kuptoj përse rrezikon, xhanëm? Ç’ka për të parë aty”?

“Thjesht kuriozitet”!

“Largoju sofrës së djallit, vëlla! Ul kryet, lut Zotin të të ruajë dhe shty vagonin e kapërceje, pa mbetur spurth nën shkëmb”!

E ndoqa pa fjalë. Një mes turni, na ngeci vagoni bash midis “sofrës së djallit”, ku kisha tentuar të qëndroja dy herë. Tashmë ish ndalesë e detyruar, një grumbull gurësh kish bllokuar shinat dhe rrotat s’bënim më tej:

“Ç’na gjeti hataja, ta marrë djalli! Shpejt se na piu e zeza në këtë dreq kurthi”! – Osmani vërtiti shkëmbinjtë, sa në një krah në tjetrin. Pas pak minutash, ia dolëm të kaptonim pikën e rrezikut. Kur u gjendëm nën kapelat e armaturës, ndali duke dihatur, u lëshua mbi hundën e dalë të vagonin dhe m’u kthye:

“Ulu mblidh veten, se na doli shpirti”!

Zura vend bri tij dhe ndeza një cigare.

“Do një”? – i zgjata paqetën. E mori si kurrë më parë.

“S’e pi, po s’di ç’mu shkrep”!

Mbase u ndje keq që po më çonte dëm një cigare, që ishte goxha harxh, për kushtet e burgut.

“Ndize, s’u bë kiameti, një cigare është”!

E ndezi dhe e thithi nja dy herë, po e mbyti kola; “kum-kum”. –

“Dreq, do macja uthull”!

“S’jam i prerë për këtë sport, or mik”! – m’u ankua dhe me dy gishtat njëri mbi tjetrin, e flaku cigaren e sapo nisur.

Mbas një flurudhe xixa ra dhe vazhdoi të digjej, ndërsa zjarri, feksi si xixëllonja natën, gjersa u tret me terrin që zotëronte shpellën.

“Shumë e madhe kjo guva”! – gjeta rastin të hapja muhabetin.

“S’është natyrale, e hapën para nja një viti”.

“Si? Kush”? – e ndërpreva i çuditur.

“Inxhinierët, bre”!

“Besoj do t’iu jetë dashur për ajrim”! – dhe zgjata qafën të ajgëtoja fundin e hinkës, por s’munda të këqyrja sepse ishim pozicionuar larg.

“Për ç’ajrim flet, mo”?!

“Iu është dashur për aspirim dhe shpuan këtë tip furneli”?

“S’merakoset kush për shëndetin tonë, or mik”! – bëri një pauzë, sepse e ngau kolla.

“Për ç’farë atëherë”? – m’u shtua kureshtja.

“Për të realizuar ‘pllanin’, o xhan”!

“Pllanin”? – shkërbeva si ai, të madhin e komunistëve.

“Ky pellg kishte mineral goxha të pasur, në frontet më tej s’po nxirrnin një kokërr, t’i futën ca mina dhe hodhën në erë gjysmën e malit”! – më shpjegoi.

“E hodhën në erë”?! – bëra mosbesuesin.

“Pse habitesh? S’e mos është e para, këtë punë kanë vit për vit këta”!

“Po më çudit”?! – vërtet s’doja t’iu besoja veshëve.

“Mos u çudit, do t’i shohësh”!

S’po më mbante vendi, u ngrita dhe eca drejt territ.

“Ku vete”?

“Të shoh”!

“Çdo shohësh”?

“Guvën”!

“Kë, ore”?

“Kraterin”! – specifikova.

“S’shihet gjë aty, o derdimen, është më i lartë nga piramida e Keopsit”! – vërejti ai.

U ktheva. Me kandilin mbi krye, vrojtova muret e shpellës, për të krijuar një përfytyrim të përqasët, mbi abisin që përshkoja prej ditësh. Nën dritën e vagëlluar, m’u shfaq një rrethore me përmasat e një fushe volejbolli, nga paretet e lëmuara rridhnin rrëke të errëta, që kishin formuar pellgje të çrregullt, anë e qark. Muret vertikalë me të dala dhe të hyra shkëmbi, lartoheshin frikshëm drejt kores së tokës, ndërsa forma qerthullore sa vinte mblidhej, duke përfunduar me një birë ku shquhej qartë drita e diellit.

Rrezja që binte nga zeniti më mori mendtë, u riktheva te vagoni gati i verbuar dhe u ula mbi hundën e dale, me mendime më të zeza nga zezona që hapej mbi krye. Kolegu s’bëzani, për herë të parë, më lejonte të eksploroja shpellën, pa më qortuar. Pas ndo nja dy minutash, që m’u dukën orë, pyeti:

“Ëh, u ngope me ‘Polifemin’”?

“Gjithë këtë apokalips, ta kenë shkaktuar vetë”?! – s’di në iu drejtova atij apo abisit.

“Dyshon? Po e përsëris, ky perimetër kishte mineral të pasur, e hodhën në erë dhe plotësuan ‘pllanin’. U binde tani”?

“Kjo duket si…”! – diç do shtoja tjetër, por Osmani më ndërpreu.

“E shfrytëzuan dhe e shfrytëzuan pafund…”!

“Dhe u krijua gjithë kjo shpellë”? – e plotësova.

“Gërmih sot e, gërmih nesër, ca pas një jave, ca pas një muaji, kur doli në krye të malit”! – heshti dhe frymoi si atleti në përfundim të sprintit.

Heshtja u rrethua prej heshtjes dhe mëtoi memecërinë, vuvërinë, vdekjen, varrin, dhe ndjesinë e shtrydhjes mbytëse.

“Jashtë rrethimit, të nxjerr ajo grykë”? – pyeta papritmas.

“Cila”? – duket u kap gafil, sepse me ç’pashë, hoqi kapelën dhe po kruante kokën.

“Ajo që ngjet si lëfyt pusi”? – precizova.

“Aa-a, hëm! Jo, është nja njëqind metër, brenda telave”.

Heshti, nguli mjekrën mbi dorën e majtë, ndërsa të djathtën e lëvizi në hava.

“Or voc, mos ta dha truri m’u arratis”? – m’u kthye papandehur.

“Pse jo? Do ishte mrekulli ta realizonim”! – i pohova dëshirën, që duket e pikasi mes territ.

“Hiqe mendsh! Askund s’mund të realizohet ky synim, madje edhe kur vrimat, përfundojnë jashtë rrethimit”.

“Përse”? – e ngava sa për të zgjatur muhabetin.

“Nuk mund të arrihet, sepse s’mund të kacavirresh në atë pjerrësi edhe në qofsh alpinist, që mund të kesh ngjitur Everestin. Vërtet Everesti është i vështirë dhe me akull të përjetshëm, ama është në hapësirë dhe me pak mjeshtëri, mund t’i kapësh majën, ndërsa honet spaçiane, janë të paarritshëm sepse kanë mure gjithë myshk e, të rrëshqitshëm, me të dala e të future, që mund të të shemben në çast. Por edhe në i dalsh në krye, të pret automatiku dhe dhëmbët e qenit. Të këshilloj, largoji ato mendime në i paç ala në tru”!

Nxora paqetën, kur ndeza cigaren e dytë, Osmani futi kokën ndër duar dhe s’kuptohej në mendohej apo kotej.

“Kushedi sa do kenë humbur nën këto piramida”? – theva heshtjen.

“Oh-u-ah, janë vrarë, janë sakatuar, kanë shkalluar dhe kanë shkuar për dhjamë qeni! Eh-ee”! – nxori një ofshamë të zgjatur nga thellësia e fytit.

“Dhe vazhdojnë të na fusin në këtë xhehenem”?

“Kush pyet për jetët tona? Fundja ‘një anmik nia pak’, komanda plotëson ‘pllanin’, shtojnë numrin e dekoratave dhe fletët e lavdërimit, po edhe Partia, heq qafe kundërshtarët politikë dhe tmerron popullin”! – e mbylli dhe i vuri shpatullat vagonit.

Në nëntokën e shpartalluar, lipsej t’i bëje sytë katër, të ruaje veten, të shtoje kujdesin edhe për tjetrin. Rreziku permanent, kish induktuar një solidaritet të pashpjegueshëm, për kë s’i njeh minierat. I pari që vërente shenja shembje, ndjente të kriste armatura apo, diktonte ndonjë guralec që shkëputej nga tavanet e shkalafitur, largohej menjëherë dhe paralajmëronte shokun, për rrezikun që e kanoste.

“Të njoftova sot, që ta bësh ti nesërl”, sikur thoshte gjesti i lajmëtarit dhe tjetri përsëriste refrenin. Duke zbatuar këtë detyrim të vuvët, atyre që iu ra shorti të punonin në atë zone, siguruan mbijetesën, ruajtën veten dhe kolegët.

Ditët e para vëreja përkujdesje të tepruar karshi meje, por e mora obligim miqsh, që rrekeshin të më familjarizonin me enigmat e këtyre vrimave, ngaqë më mungonte eksperienca në zonën e piritit. Me kalimin e ditëve, do pikasja se kështu veprohej me të gjithë, pra kjo praktikë ishte rutinë minatorësh, e trashëguar kaherë, që ish forcuar në rrjedhën e viteve, duke u shndërruar në solidaritet, kësisoj ishin minimizuar traumat dhe ishin kursyer jetët.

Jo një herë, më rastisi të hasja të huaj që më paralajmëruan për rrezikun e pritshëm. Sa shkelja në vendin e përshkruar, do gjeja metra galerie të shembur, grumbuj gurësh e rëre, sa të punonte brigada gjithë ditën dhe mos t’i zbarkonte dot. Individë që shiheshin në pozita antipatie, apo në opozitë me shoqi-shoqin, në frontin e punës i injoronin mëritë dhe sapo njëri perceptonte rrezikun, të parin njoftonte “opozitarin”.

Ky solidaritet i zakontë, në këtë zonë ishte kthyer në obligim, duke përmbushur këtë detyrim të pa sanksionuar në asnjë rregullore, secili ruante veten dhe mbronte tjetrin.

Rob në “vrimën e Polifemit”!

Kalova mbi gjashtë muaj në “vrimën e Polifemit”. S’dihet edhe sa do kisha shtyrë sikur mos të ndodhte hataja. Në të gdhirë të një nate shtyja vagonin vetëm, sepse kolegët shpejtonin të kapnin ciklin t’i shpëtonin kapter Prengës, që priste të na kryqëzonte pas shtyllave me tel bari. Në kthim, hodha ca trupa mbi vagon dhe po zvarritesha i përtymur drejt frontit. Për dreq atë mëngjes të marte, çdo gjë më shkoi së prapthi!

Pas njëqind metrash, vagoni përfundoi jashtë pjatinës, m’u desh t’i vija supet, për ta çuar në vend; sapo dola në grykë, rrotat stopuan mbi një pirg gurësh, që qenë shkëputur nga skarpata dhe kishin bllokuar trasenë; “T’u nxiftë dita o ‘Polifem’, më zi se të është nxirë drita”, mallkova dhe i rrokullisa ca me duar e, ca me lopatë në rrëpirë. Në trimozhë mezi ktheva kazanin, minerali qe ngjitur pas llamarinës nga uji i tepërt dhe s’shqitej. I rashë përfund me një barominë të shtrembër, por oshtima e hekurit mbi hekur, kumboi gjer në përrua, gryka e Spaçit e shumëfishoi jehonën dhe nata e riktheu ku zuri fill.

“S’rrihet kazani nj’ashtu, or tëj, apo don me damtue pasuninë socialiste”? kërcënoi Preng Rrapi, pas shpinës.

Bëra si bëra me një lopatë bishtprerë dhe s’i ktheva xhevap. Te trupat s’gjeta ndihmë, i sistemova me zor, duke fiksuar njërin skaj mbi buzët e kazanit dhe tjetrin e shtyva nga pas. Rrugës për në front, s’u këmbeva me asnjë:

“Drej, ç’ditë (më saktë natë) terse, s’paska mbetur këmbë robi! T’u ketë rënë flama të gjithëve”?! Renda pas rrotave, por mund të pohoj pa e tepruar, se më shumë më tërhiqte vagoni, se shtyja unë. Nga gjysma e rrugës, kërcëllinë kapelat.

“Kërcënon ‘Polifemi’, si çdo ditë”!

S’i dhashë rëndësi, as kur minjtë rendnin në të dy krahët e shinave. Isha ambientuar me tekat e tyre dhe s’ua vura veshin miqve klithës, që paralajmëronin diçka të pazakontë. Që në zanafillë minjtë, kanë qenë aleatë historikë të minatorëve, madje i shumojnë artificialisht, sepse bashkë-lindin me instinktin e parandjenjës për tronditjet sizmike, kapin sinjalin me antenat e mprehta dhe shpejtojnë t’i largohen perimetrit kanosës, duke u kthyer kësisoj në lajmëtarë të rrezikut.

E pashë lukuninë e këlthitësve që shpejtonin të alarmuar nën ndriçimin e dobët të kandilit. Sado përgjumësh, më çuditi frika e tyre, nga e panjohura që s’kishte ndodhur ende, sepse më shumë i trembeshin asaj, sesa rrotave të vagonit që mund t’i shtrydhnin. Kur krisjet u shpeshuan, reflektova, po ishte vonë, kisha avancuar goxha. Kur më shurdhuan kërcëllimat, ktheva vagonin dhe u vura pas afshëve, por pas dy-tri metrash, ia dha një krismë e fuqishme, që u pasua nga një uturimë që më fiku kandilin, ndërsa vagoni ngeci dhe meta në terr, pa ditur nga të merrja. Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Tim atë e helmuan në spitalin e Vlorës, pasi në Konferencën e Tiranës, në ’56-ën, ai kritikoi privilegjet e udhëheqjes në ‘Bllok’, ku për Nexhmije Hoxhën, tha...”/ Misteri i vdekjes së gazetarit nga Çamëria

Next Post

“Arrestimi do të kryhet në shtëpinë e tij, nga këta shokë..... dhe do të transportohet me makinën ‘Aro’, me shofer F. Zela...”/ Zbulohen dokumentet sekrete për arrestimin e Kadri Hazbiut, 15 tetor, ‘82

Artikuj të ngjashëm

“Premtimi i rrejshëm i Sigurimit: Ruzhdi Rroji dhe dënimi i pashmangshëm i tij…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosuri politik, për tradhtinë e Qamil Gavoçit e Lilo Zenelit dhe ndërhyrjen e Abaz Bekteshit!
Kujtime

“Ferit M., e kishte kthy shtëpinë në zyrë hetuesie, ku në nji orë të caktueme, do të ishin të detyruara t’i vinin disa prej vajzave të gjimnazit të Shkodrës, që duke u dridhë…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Te ‘Burgu i Ri’, do mësojsha dinamikën e vrasjes së Bardhosh Danit, Brahim Dërgutit e Mark Cacës, të cilët duke dasht me u arratis, ishin tradhëtue e spiunue prej…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Pas 34 vitesh, kur u hap varri i At Serafinit, nga infermierja Marie, një besimtare katolike, që kishte varrosur vetë, u gjet…”/ Historia e trishtë e fratit që vdiq nën torturat e Sigurimit, në 1947-ën
Kujtime

“I ligu Sirri Çarçani që ishte dërgu me mision nga Tirana pas prishjes me Jugosllavinë, hyni në qelinë time dhe më tha; e shikon atë qoshe, aty do të varim ty, sepse…”! / Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Aq shumë më kishte torturue hetuesi, Ali Xhunga, saqë s’lëvizja dot dhe më mbanin policët për krahësh e, kur ai më futi tytën e revoles në gojë, që unë të hapja sytë, luta zotin…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Aq shumë më kishte torturue hetuesi, Ali Xhunga, saqë s’lëvizja dot dhe më mbanin policët për krahësh e, kur ai më futi tytën e revoles në gojë, që unë të hapja sytë, luta zotin…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Kur dola në korridor me shku në W.C. dhe polici nuk e kishte mendjen, i djegur nga etja, futa kokën në kovë, por tetar Qaniu, pasi bërtiti; lëshoje, lëshoje, më qëlloi…”/ Dëshmitë e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Ali Xhunga, i përkiste atij lloji të pështirë hetuesish, si dikur Zhozef Fushe i Francës, që kishte kuptue në kohën e duhun, se për të ba karriere, duhej…”! / Dëshmia e ish-të burgosurit politik, Ahmet Bushati

May 19, 2025
Next Post
“Arrestimi do të kryhet në shtëpinë e tij, nga këta shokë….. dhe do të transportohet me makinën ‘Aro’, me shofer F. Zela…”/ Zbulohen dokumentet sekrete për arrestimin e Kadri Hazbiut, 15 tetor, ‘82

“Arrestimi do të kryhet në shtëpinë e tij, nga këta shokë..... dhe do të transportohet me makinën ‘Aro’, me shofer F. Zela...”/ Zbulohen dokumentet sekrete për arrestimin e Kadri Hazbiut, 15 tetor, ‘82

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!