Nga Xhevdet Shehu
Pjesa e parë
Memorie.al / Përkthyesi i mirënjohur Myfit Mushi së bashku me dy të tjerë, ka qenë përkthyesi zyrtar i delegacionit të PPSH-së të kryesuar nga Enver Hoxha në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë në vitin 1960. Dhe nga ajo mbledhje aq e rëndësishme për kohën, ai mund të tregojë pambarimisht. Por, ndonëse në moshë të thyer, ai kujton me një kthjelltësi të admirueshme gjithçka rreth një takimi tjetër në Kinë…! Në gusht të vitit 1967, pikërisht në kulmin e Revolucionit Kulturor kinez, dy përkthyesit shqiptarë ftohen papritur në një takim të fshehtë me kryetarin e Partisë Komuniste të Kinës, Mao Ce Dun, në një rajon të fshehtë të Kinës Jugore, pranë Shangait, ku ai jetonte larg zhurmës së Pekinit.
Në kohën e miqësisë sa të zjarrtë, aq dhe absurde midis Kinës dhe Shqipërisë në vitet 1960-70 të shekullit të kaluar, janë të shumtë shqiptarët që kanë vizituar Republikën popullore të Kinës, por të paktë janë ata që kanë mundur të takohen me Kryetarin e Kinës, Mao Ce Dun. Një nga këta është dhe Myfit Mushi.
Në këtë intervistë, Mufit Mushi rrëfen detajet e këtij takimi të papritur dhe të paparashikuar me kreun e Kinës komuniste. Ai dhe kolegu i tij dëgjuan të habitur dhe të shokuar idenë e Mao Ce Dunit se citatet e tij, të cilat ata po i përkthenin prej muajsh, “nuk i hynin fare në punë popullit shqiptar”.
Një qëndrim që shkonte në kundërshtim të plotë me pozicionin e Shqipërisë komuniste dhe të vetë Enver Hoxhës, i cili kishte urdhëruar përkthimin dhe botimin urgjent të citateve të Mao Ce Dunit.
– Zoti Myfit, ju kini qenë disa herë në Kinë gjatë miqësisë së famshme shqiptaro-kineze. Mund të na tregoni diçka rreth këtyre vizitave dhe cila shënoi kulmin e tyre?
– Është e vërtetë se kam qenë disa herë në Kinë dhe kam shumë kujtime nga ato vizita. Kam qenë në vendin e madh aziatik, me të cilët u gjendëm papritmas të lidhur më një miqësi shumë të fortë, në cilësinë e përkthyesit të gjuhës ruse dhe gjatë qëndrimit atje në periudha të ndryshme kohe, 1956, 1960, 1963-1964 dhe 1967, kam mundur të krijoj një farë ideje për këtë vend me hapësirë shumë të gjerë dhe këtë popull shumë të madh.
Për herë të parë u njoha me Kinën në vitin 1956, si përkthyes i delegacionit të Partisë së Punës, të kryesuar nga Enver Hoxha, që mori pjesë në punimet e Kongresit VIII-të të Partisë Komuniste të Kinës.
Në 1960-n, më qëlloi të shoqëroj po me cilësinë e përkthyesit, delegacionin parlamentar të vendit tonë, të kryesuar nga kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi, që bëri një vizitë në Kinë, në Republikën Demokratike të Vietnamit, Republikën Demokratike Popullore të Koresë dhe në Mongoli.
Udhëtimin tim të tretë në Republikën Popullore të Kinës e bëra nga mesi i vitit 1963 dhe ai zgjati deri në mars 1964. Detyra ime këtë radhë ishte botimi në gjuhën shqipe në një nga shtypshkronjat e Pekinit, i veprave të Mao Ce Dunit në 5 vëllime.
Kurse vizitën e katërt e kam kryer në vitin 1967, kur unë dhe kolegu im, Vangjel Moisiu, morëm nga aparati i KQ të Partisë detyrën të botojmë atje citatet nga veprat e Mao Ce Dunit…! Kjo e fundit mendoj se ka shënuar kulmin e vizitave të mia në Kinë…!
– Sepse gjatë kësaj vizite ju takuat Kryetarin Mao, apo jo? Mund të na tregoni shkurtimisht si ndodhi ai takim?
– Po, e kam të pashlyer nga mendja atë takim. Nuk ishte kollaj, për të mos thënë se ishte fat të takoje një udhëheqës si Mao Ce Duni, i adhuruar si perëndi nga rreth një miliard njerëz. Shumë të paktë ishin dhe vetë kinezët që arrinin të takonin duart me të. Në fakt ne e kishim takuar Mao Ce Dunin edhe në ditën e 1 Majit të atij viti.
Maoja do të dilte në tribunë. Mirëpo u vonua për gati një gjysmë ore. Të gjithë filluan të shqetësoheshin. Ndërkohë shikonim disa autoambulanca që lëviznin me shpejtësi dhe me sirena. Ç’po ndodh?, i pyetëm shokët kinezë. Po vjen Kryetari Mao, na thanë. Njerëzve kur e shikojnë u bie të fikët nga gëzimi. Ky ishte dhe shkaku i vonesës së tij në tribunë.
Ai erdhi me vonesë dhe ne dy përkthyesit shqiptarë kemi dhe një fotografi me Mao Ce dunin nga ajo ditë. Ishte më shumë një përshëndetje, një shtrëngim duarsh që menjëherë u fiksua nga fotografët dhe zuri vend në të gjitha gazetat kineze të nesërmen. Por, në këtë episod që do të tregoj tani, i cili ndodhi në gusht 1967, ia vlen të ndalem dhe të tregoj për ju të gazetës ‘DITA’ të cilën e lexoj me kënaqësi të veçantë.
Kjo periudhë, pra gjysma e dytë e viteve 1960, ishte shumë e rëndësishme për Kinën komuniste dhe që njihej si kulmi i Revolucionit Kulturor. Gjatë kësaj kohe kam qenë dëshmitar i ngjarjeve të tilla që tronditën thellë gjithë Kinën, tërhoqën vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, gjatë të cilave njëra palë e forcave politike, e cila kishte në anën e saj edhe forcat e armatosura, lau hesapet me palën tjetër dhe përforcoi pushtetin e vet në të gjitha fushat e jetës.
Dhe pikërisht, në kulmin e këtij revolucioni, në gusht të vitit 1967, unë dhe kolegu im i punës së përbashkët në Pekin, Vangjel Moisiu, krejtësisht papritur u ndodhëm në vilën sekrete të Maos.
– Nuk ishit njoftuar më parë nga kinezët për këtë takim?
– Jo. Gjithçka ndodhi krejt papritmas dhe në mënyrë të rrufeshme. Ne kishim shkuar në Shangai për të kaluar disa ditë pushimesh, pas një pune rraskapitëse, që shpesh vazhdonte edhe pas mesit të natës. Papritmas vjen nga Pekini, Fani, përkthyesi i shqipes që punoi bashkë me ne, një djalë mjaft i shkathët, i cili pati mbaruar studimet në Universitetin shtetëror të Tiranës dhe që e njihte shqipen relativisht më mirë se të gjithë kinezët e tjerë që patën ndjekur studimet bashkë me të në Tiranë.
Në atë kohë ai punonte në Drejtorinë e Lidhjeve Ndërkombëtare të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës. Një ditë, ndërsa ne ishim duke ngrënë drekë, Fani na tha se kishte ardhur urgjentisht nga Pekini me një aeroplan gjuajtës, me një mision tepër të rëndësishëm që kishte lidhje edhe me ne, por, ama, se çfarë misioni ishte ky, këtë do ta mësonim më vonë.
Pasi hëngrëm drekë ai na tha se do të shkonim diku. “Atje do ta merrni vesh se për çfarë bëhet fjalë”, – na tha ai. Makina la mbrapa qytetin e madh e të zhurmshëm të Shangait dhe pas pak iu shmang magjistralit kryesor. Pastaj u futëm në një zonë pyjore, një xhungël e vërtetë pyjore. Ishte një rrugë e braktisur, e paasfaltuar, në të cilën ne ecëm për mbi një orë…
– Po ju a e nuhatët apo parandjetë se do të takoheshit me Maon?
– Fillimisht ishte e pamundur ta kuptonim. Por duke udhëtuar kilometra të tëra nëpër pyje, unë parandjeva diçka, ndërsa Vangjeli jo. “Do të takohemi me Maon”, – i them në vesh Vangjelit. Ai tundi kokën në shenjë mohuese si të më thoshtë: “Ç’po ia fut kot!” Unë i përsëris që me siguri do të takohemi me Maon, kurse ai në të tijën: “Në atë krah fli”.
Makina ndalet para një vile rrethuar me gjelbërim. Dikush del nga vila dhe na hap derën e makinës. Dalim nga vetura dhe ndjekim shoqëruesin. Në një sallon të thjeshtë qëndronte në këmbë Mao Ce Duni. Të habitur në kulm shtrënguam duart me të. Ai na ftoi të kalonim në një sallë tjetër që dukej si ambient pritjeje.
Zumë vend në kolltukë, Maoja, unë, Vangjeli dhe Jao Ven Juani (figura më e re në shtabin e Revolucionit Kulturor) dhe Fani, përkthyesi ynë, i cili shumë vjet më vonë do të përfaqësonte vendin e tij në Shqipëri, në cilësinë e ambasadorit.
– Përse u organizua ai takim dhe pikërisht me dy përkthyes shqiptarë?
– Në radhë të parë duhet të vendosemi në kohë. Ishte në stilin kinez të asaj kohe që të jepej ndonjë njoftim, ku të dëshmohej se kryetari Mao ishte shëndoshë e mirë, e në këtë mënyrë njëherësh përgënjeshtroheshin fjalët e shtypit botëror, lidhur me të që shprehnin dyshimin se Maoja kishte vdekur.
Shoqëruesit kinezë na patën thënë në mirëbesim se qenë bërë shumë përpjekje për të vrarë Maon, prandaj dhe ishin marrë masa të forta për mbrojtjen e tij. Bile ishte zbuluar, sipas fjalëve të tyre, një atentat për ta vrarë në tribunën e Tien An Menit, me një raketë. Qysh nga paraqitja e Maos në festimet e 1 Majit, nuk mbaj mend të ishte bërë ndonjë njoftim zyrtar për të. Mendoj që pikërisht për këtë arsye u organizua edhe takimi ynë surprizë.
Në këtë takim, i cili ndodhi më 16 gusht 1967, në orën 6 pasdite, e që zgjati plot 90 minuta, gjë jo e zakonshme për Maon, udhëheqësi kinez na foli me hollësi për qëllimet dhe detyrat e Revolucionit Kulturor që po zhvillohej në Kinë, për ecurinë e tij, por edhe të metat që ishin vënë re dhe për perspektivat e tij. Ai foli edhe për qëndrimet e ndryshme të forcave që vepronin brenda kësaj lëvizjeje dhe pozicionet e personaliteteve të ndryshme politike.
Në një çast ai e ndërpreu bisedën dhe iu drejtua përkthyesit tonë, Fanit: “Ti vjen nga Pekini. A mund të më tregosh se çfarë u bë në takimin ku duhej të bënte autokritikë Çen Ji?” (një ushtarak i lartë me gradën e mareshalit, ministër i Punëve të Jashtme dhe një nga udhëheqësit më të rëndësishëm të Partisë Komuniste Kineze). Fani shpjegoi se ditën e caktuar, në sallën e mbushur plot, Çeni doli në tribunë, u përkul para portretit të Maos dhe tha: “Maoxhusi, ju kërkoj falje”.
Pastaj u përkul para portretit të Lin Biaos dhe përsëriti të njëjtën gjë. U përkul edhe para portretit të Çu En Lait dhe kërkoi sërish falje. Së fundi u përkul para publikut dhe sërish i kërkoi falje një studenti që qe arrestuar me urdhrin e tij, sepse kishte vënë fletërrufe kundër Çu En Lait. Ky qe, në vija të përgjithshme, informacioni që Fani i dha Maos për Çen Jinë.
– Po Mao si reagoi?
– Duke marrë shkas nga ajo që dëgjoi, Mao na tha se Çen Jia ka bërë gabime të rënda gjatë Revolucionit Kulturor, porse ishte gjithashtu një njeri shumë i zoti, e hëpërhë nuk kishin me kë ta zëvendësonin. Prandaj, tha Maoja, ai do të vazhdojë të qëndrojë në postin e ministrit të Jashtëm.
Mendime analoge na shfaqi ai edhe për një sërë personalitetesh të tjerë, kryesisht ministra. Në vazhdim të bisedës me ne Maoja u ndal në perspektivën e Revolucionit, foli për katër fazat kryesore të tij, për objektivat më të afërta dhe ato më të largëta, për vështirësitë e mëdha që haseshin./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












