Nga Skënder Thaçi
Memorie.al /Ishte fillim i vitit 1993, Shqipëria sapo kishte filluar të ndjejë erën e demokracisë, frika kishte filluar t’i lërë vend besimit të brishtë.
Lëvizjet brenda vendit ishin lehtësuar, kushëriri im nga fshati Sakat i Pukës, Mani, më takon dhe më thotë se kishte qenë në Shkodër. Takimi me njerëzit që kishin vuajtur nën diktaturë, ishte gjëja e parë që dëshmonte ikjen e frikës mes nesh.
Ai kishte takuar priftin e famshëm, Dom Nikollë Mazrrekun, ish – i burgosur politik dhe i internuar për vite me rradhë, i cili i kishte rrëfyer, se ka qenë mik me Imer Imerin. Për Dom Nikollën kisha dëgjuar shumë nga familja ime.
Me një frymë u nisa për Shkodër, takova një nga punëtorët aty pranë Katedrales së Madhe dhe i kërkova që të më adresonte për tek Dom Nikolla, fillimisht ai hezitoi, por unë këmbëngula, duke i thënë: “Thuaji Dom Nikollës, se jam djali i Imer Thaçit (Imerit)”.
Kështu ai nuk do hezitonte të më takonte. Dhe ashtu ndodhi. Teksa shihja nga larg një burrë që na vështronte ngultazi nga koka tek këmbët, mua dhe mikun që më shoqëronte, ai e pyeti punëtorin, duke i thën se: cili ishte djali i Imerit?!
Unë u nisa drejt tij. Ai briti, duke më kërkuar që të ndalja hapin. Dhe më drejtohet me këto fjalë: “Qenke djalë i pashëm, por nuk i paske ngja Imerit. Ai ka qenë edhe dy pëllëmbë më i madh se ti dhe belë ngushtë, që i’a mbërtheje me dy duart”!
Hapi krahët për të më dëshmuar se sa i madh ka qenë ai si fizik, duke përshkruar një kreshnik bjeshkësh. Pastaj më përqafoi me sa fuqi kishte dhe më futi brenda.
Ai më tha: “Fol…”. Donte të dinte gjithçka që i kishte kaluar rreth jetës së mikut të tij, Imerit. Takimin e fundit me Imerin, i kishte pas kur u arrestuan me 11 maj të vitit 1946 të dy së bashku dhe u dënuan me të njëjtën akt-akuzë. Imeri ishte dënuar me 7 vite burg ndërsa Dom Nikolla, me 5 vite.
Rrugët e tyre u ndanë. Imeri u arratis pak më vonë nga Shqipëria në drejtim të Jugosllavisë, ndërsa Dom Nikolla provoi të gjithë kalvarin e vuajtjeve nëpër burgje e internime, në kampe të ndryshme.
I tregova për likuidimin e babës dhe zhdukjen fizike të tij nga UDB-ja, dhe për mos gjetjen ende të eshtrave të tij, ndonëse i kishim kërkuar shumë!
Ndërsa ai nuk hezitoi të më rrëfente, diçka që nuk kishte guxuar t’a thoshte përgjatë viteve të diktaturës!
Përpara se të vazhdojmë me rrëfimin e Dom Nikollë Mazrekut dhe historinë që ai më tregoi, gjë e cila më shtyu të shkruaja këto pak radhë si shenjë homazhi dhe nderimi ndaj tij, po ndalem pak, për të përshkuar shkurtimisht se kush ishte Dom Nikolla?
Kush ishte Dom Nikoll Mazrreku?
Ai lindi në Mazrek me 28 dhjetor të vitit 1912, ishte studiues, shkrimtar, përkthyes, polemist, analist, kritik etj. Mësimet e para i kreu në Kolegjin Saverian në qytetin e Shkodrës dhe në vitin 1924, si seminarist, kreu gjimnazin në Liceun Klasik, duke u profilizuar në Filozofi. Në vitin 1932, ai dërgohet në Romë, në ‘Propaganda Fide’, për të studiuar Teologji.
Më 10 shkurt të vitit 1939, ai shugurohet meshtar prej Kardinal F. Biondi dhe pas kësaj, kthehet në Shqipni, duke u emëruar në rrethin e Shkodrës, ku shërbeu në kurjen e ipeshkvnore të Sapës si kancelar. Në vitin 1939, caktohet sekretar i delegacionit Apostolik në Shkodër, ndërsa në vitin 1940, emërohet si zëvendës famullitar në qytetin e Tiranës, ku zhvillon një veprimtari të gjallë, në Kishën e Famullisë dhe në Institutin Jezuit. Si fillestar, ai organizon nji rreth me të rinj të Shoqërisë “Veprimi Katolik”, duke zhvilluar shumë aktivitete me karakter laik.
Gjatë asaj kohe që ishte në Tiranë, Dom Nikoll Mazrreku botoi një revistë për mbrojtjen e të drejtave të kombit, si reagim, ndaj okupacionit Italian në Shqipëri. Si kundërvënie ndaj kësaj, me ndërhyrjen e autoriteteve të larta pushtuese italiane, në prillin e vitit 1942, atë e transferojnë në dioqezin e Sapës, si famullitar në Kryezi të Pukës. Pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëve në pushtet, ai arrestua prej tyre në majin e vitit 1946 dhe u dënua me burgim, së bashku me tre miq të tij, si: Imer Imerin, Rexhep Zhulin dhe Qazim Bajramin.
Dënimin e kreu në Burgun e Madh të Shkodrës, si edhe ndër kampet e Bedenit e Maliqit, ku punohej për hapje kanalesh kulluese dhe tharjen e kënetës së Maliqit. Mbasi u lirua prej burgut të parë, ai u dërgua ndër kampet e internimit, si në Kurvelesh, Tepelenë e Berat, etj., prej ku mundi të lirohet në vitin 1956. Pas lirimit nga internimi, e emërojnë famullitar në fshatin Laç të Vau-Dejës ku ai shërbeu me devotshmëri e përkushtim të rrallë deri në vitin 1956, kur e internojnë edhe 7 vjet të tjera, në fshatrat e Lushnjes.
Pasi kreu dhjetë vite në internim, lirohet në vitin 1966 dhe kthehet në rrethin e Shkodrës ku sistemohet në një punë shumë të rëndë, si punëtor krahu, në Fabrikën e Tullave në Rrenc të Shkodrës. Aty nuk mundi që të punonte më shumë se një vit, pasi në 1967-ën, kur regjimi komunist I Enver hoxhës filloi sulmin brutal ndaj fesë dhe nisi shembjen e objekteve të kultit, si kisha, xhamia, manastire, tyrbe etj., ai arrestohet përsëri pasi i’u kundërvu hapur veprimeve që po ndërmerrte ai regjim dhe dënohet me 20 vjet burg, të cilat i vuajti në Skrofotinë të Vlorës, në Reps të Mirditës, në Burrel, në Ballsh, përsëri në Burrel, e në fund në Zejmen të Lezhës, nga ku mundi të lirohet më 17 mars të vitit 1987.
Rrëfimi i dhimbshëm i Dom Nikoll Mazrrekut!
Po vazhdoj rrëfimin e Dom Mazrrekut, i cili më tregonte: “Mbas lirimit nga burgu, (nuk përcaktohet koha) kthehem në shtëpi dhe së bashku me nanën, filluam kërkimet për të gjetur eshtrat e vëllait Rrokut”. (Ai ishte pushkatuar me datë 25.12.1950 ditën e Krishtlindjeve në Kryezi të Pukës, me akuzë të rreme se gjoja kishte tentu me nxjerrun nga duart e Sigurimit të shtetit, një të dënuar me vdekje, i quajtur Fran Miraka!)
“Kërkimet tona rezultuan të suksesshme pas disa tentativash, pasi një grua plakë, na ndihmoi, duke na orientuar, se ku duhet të kërkonim. Kërkimet I vazhduam në një perimetër të caktuar, duke goditur me gur vendin kur kërkonim, deri sa të kuptonim se gjurma akustike, haste në diçka dhe jo në tokë boshe. Hapëm varrin ku ishin eshtrat. Na u duk sikur e pamë vëllanë, Rrokun, në këmbë të veta.
Por s’kishim çfarë të shihnim! Ca eshtra të shtrënguar me tela më gjemba, sikur donin të pengonin procesin e kalbjes. I morëm eshtrat, i liruam nga hekurat, i futëm në një thes për t’i marrë me vete dhe i rivarrosëm në oborrin e shtëpisë. Unë e nëna, aq sa u çliruam nga ajo brengë, për ta varrosur me dinjitet, aq dhe ishim trishtuar për mënyrën sesi i gjetëm ato eshtra të prangosur”!
Pas asaj historie të shkurtër, Dom Nikolla, më kërkoi dhe mua të bëja të njëjtën gjë për babën tim, Imerin. Por historia ime ndryshonte nga ajo e Rrokut, Imeri ishte zhdukur nga UDB-ja Jugosllave në tokat e Malit të Zi, por pa adresë dhe sikur unë të doja të hulumtoja, do ndeshesha me përçmimet dhe urrejtjen e banorëve jomiqësor, në atë zonë me përkatësi sllave.
Bisedat tona vazhduan përmallshëm atë ditë, deri në ndarjen mes nesh. Pak vite më vonë, në gjirin familjar të së motrës, Marije Mazrreku Gjoka, në shtëpinë e saj, me datë 2 maj 1996, Dom Nikolla mbylli sytë përgjithmonë.
Në fund të këtyre radhëve, desha të kujtoj, se Dom Nikolla, është ndër ma të vuajturit e klerikëve shqiptarë të të gjitha besimeve, pasi ai bëri 25 vjet burg dhe 12 vjet internim. Përveçse një klerik i përkushtuar dhe tepër i devotshëm ndaj besimit që përfaqësonte dhe atyre që u shërbente, ai ishte një nacionalist i thekur i çështjes kombëtare shqiptare, një intelektual i klasit të lartë, njeri i penës, autor i disa librave, si “Kangë për Gjergj Kastriotin”, “Me flamujt e Kastriotve”, dhe “Tek lisi i thamë”, si dhe i disa librave të tjerë, të cilat i ka pas botuar me pseudonimin ‘Nik Barcolla’. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016