Intervistoi: Marçel Hila
Pjesa e parë
Memorie.al/ I zhdukur: Riza Dani. Vuajtës: Familja e tij, nga të cilët vëllai, Dan Hasani dhe dy djemtë e tij, Xhevati dhe Xhelali, vuajtën dënime të gjata me burg e internime. Së bashku me vëllain, Dan Hasani, janë nismëtarë të ngritjes së flamurit në Shkodër, më 1913, tok me bashkëpatriotët dhe miqtë e shtëpisë, Luigj Gurakuqin, atë Gjergj Fishtën, Dom Ndre Mjedën, Maliq Bushatin etj. Më 1921, Rizai u zgjodh deputet në parlamentin e parë shqiptar; u rizgjodh më 1924 dhe qeveria e Nolit e emëroi prefekt në Durrës. Me ardhjen e Zogut në pushtet, si kundërshtar i platformës së tij, Rizai u largua drejt Italisë e më pas në Austri. Me patriotë e nacionalistë luftuan për çlirimin e vendit dhe pas Luftës II-të Botërore, më 2 dhjetor 1945, u zgjodh përsëri deputet. Më 31 dhjetor 1947, Riza Dani u dënua me pushkatim për komplot ndaj shtetit. Trupi nuk është gjendur ende, por sipas të afërmve të tij ai, mund të jetë groposur te vendi që njihet si Varri i Bamit. Por ka mundësi edhe në Linzë. E gjithë familja u persekutua, iu morën pasuritë dhe kaloi kalvarin e internimit.
Dëshmon Kujtim Dani, nip i Riza Danit
Biri i Shkodrës, deputet i tri legjislaturave, i groposur e pa varr.
Harresa. është vrasja e dytë e këtij populli!
I nderuar z.Kujtim, ju falënderojmë që keni ardhur për të na dhënë kujtimet tuaja, si i afërm i z. Riza Dani, një nga shumë martirët që kanë vdekur padrejtësisht, dënuar nga regjimi komunist. Çfarë mund të na thoni për jetën e tij dhe çfarë dini ju për shkaqet për të cilat ai është arrestuar dhe dënuar nga regjimi?
Unë mendoj se harresa është vrasja e dytë e këtij populli. Rizai ishte qytetar shkodran me përgatitje morale, atdhetare dhe intelektual i mirëfilltë qytetar. Rridhte nga një familje qytetare shkodrane në brezni. Unë kam nxjerrë historikun e gjakut tim dhe e di që Danajt janë në Shkodër qysh në shekullin XVI-të e pak më përpara. Si origjinë jemi prej Gojanit të epërm të Pukës dhe të ardhur në Nenshat në kohë të luftës, bile Danajt e Çobajt, katolikë janë prej një babe.
Kam disa dokumente të shkruara prej vetë Dan Hasanit dhe Riza Danit. Rizai shkoi në Stamboll në universitet dhe atje mbaroi për administratë. Gjatë kohës së universitetit, ra në kontakt me grupe patriotike dhe me shqiptarë që jetonin, punonin ose studionin në Turqi, në Stamboll. Kur u kthye në Shqipëri, në Shkodër, u angazhua me grupet patriotike, tok me të vëllain, Dan Hasanin.
Në vitet 1908-1912, Riza Dani ishte pjesëtar i klubit “Gjuha Shqiptare” në Shkodër, me miqtë e familjes: atë Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, dom Ndre Mjedën, Maliq Bushatin. Këta kanë qenë miq shtëpie, e miq buke. Më 1913-ën, bashkë me të vëllain, Dan Hasanin, ishin nismëtarë të ngritjes së flamurit në Shkodër, duke u kallëzuar malazezëve dhe serbëve që, Shkodra është pjesë shqiptare, është një me Vlorën, me ngritjen e flamurit të Vlorës.
Në vitin 1914, me personalitete, si Sotir Peci, Hoxhë Kadria e të tjerë, Rizai ishte nismëtar për ngritjen e “Komitetit të Fshehtë”, me synim luftën kundër rrezikut të copëtimit dhe zhdukjes së pavarësisë së Shqipërisë e, kryesisht për mbrojtjen e Shkodrës nga rreziku malazez dhe serb.
Së bashku me nacionalistë dhe atdhetarë të tjerë krijuan organizatën politike “Krahu Kombëtar”, që më vonë, në vitin 1921, u bë edhe parti parlamentare, kurse Riza Dani, u zgjodh deputet përfaqësues i Shkodrës.
Në Shkodër u krijua edhe Komiteti i Kosovës, nën drejtimin e patriotit fisnik, Hoxhë Kadria, me anëtarë: Hamit Gjylbegu, Riza Dani, Hysni Curri, Eqerem Begolli. Në vitin 1918, ky komitet u ndihmua shumë në veprimtarinë e tij kombëtare nga Kryqi i Kuq Amerikan. Në Kongresin e Durrësit, në komitet merrnin pjesë Hoxhë Kadria, Riza Dani, Qerim Begolli. Edhe më 1924-n u zgjodh përsëri deputet, bashkë me nacionalistët dhe bashkëpatriotë, si: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Maliq Bushati etj., kurse nga qeveria e Nolit u emërua prefekt i qarkut të Durrësit.
Me ardhjen e Zogut, Rizai nuk ishte dakord me platformën e tij dhe ishte në opozitë. Me gjithë mbështetjen e të vëllait, Dan Hasani, tregtar nga më të mëdhenjtë, bamirës i njohur në Shkodër dhe njeri me mbështetje popullore (edhe mulliri që ka qenë në krye të Shkodrës, tek ura e Bunës, quhej “Vllaznit Dani”), Rizai u detyrua të largohej nga atdheu. Ndenji disa kohë në Zarë e më pas kaloi në Grac të Austrisë. Gjatë kohës që në fuqi ishte Zogu, ai mbeti 15 vjet në emigracion.
Është një episod i bukur që mendoj se duhet të përmendet. Në një ditë të ftohtë dimri, shkurt i 1931-it, mbërrijnë në Grac, Sejfi Vllamasi e Xhevat Korça. Të dy ishin baxhanakë të Rizait, se të tre këta ishin martuar me tri motra. Xhevat Korça kishte vrarë Ceno Beg Kryeziun në Pragë, kunatin e Zogut, se ishte i martuar me motrën e Zogut. Këta i shkuan në shtëpi dhe Rizai u hapi derën. “Për çfarë keni ardhë në këtë kohë të ftohtë?” – i pyeti. “Dëgjo, – i thonë, – Ahmet Zogu ka ardhë të mjekohet në Vjenë dhe ne kemi vendosur t’i bëjmë atentat”. Rizai ua pret: “Atëherë, nuk ua hap derën të hyni në shtëpi. Po habitem, zoti Sejfi, për ju si nacionalist dhe patriot që jeni, si keni ardhur deri këtu tek unë, duke ditur bindjet e mia kundër atentatit, si krim i shëmtuar dhe jo burrëror, e sidomos në dhé të huaj?! Kështu bëjnë guerilasit çetnikë dhe bolshevikë: vrasin pas shpine, sidomos në dhé të huaj. Ne duhet të mblidhemi e të bëjmë një program më të mirë se të Zogut, për ndërtimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, e ta paraqesim në parlament. Po të fitojmë, me vota e rrëzojmë Zogun, e jo me vrasje të tilla të turpshme. Tek unë nuk keni vend”! Edhe ua mbylli derën e s’i pranoi në shtëpi.
Rizai për bindjet e veta kurrë s’ka qenë i lëkundur apo për kompromise. Për bindje atdhetare dhe për bindje burrnore, ai kurrë s’ka thënë: “Epo mirë, mund ta bëjmë kështu, mund ta bëjmë ashtu.” Ka qenë shumë strikt, i ndershëm dhe i drejtë.
Mbas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, në ’39-ën, Rizai u kthye përgjithmonë dhe u bashkua me patriotët e nacionalistët për çlirimin e vendit nga pushtuesi i huaj. Ai nuk e pranoi qeverinë e Shefqet Vërlacit e as atë të Mustafa Krujës. Në të dyja këto qeveri, Xhevat Korça ishte ministër dhe Sejfi Vllamasi nëpunës. Unë kam lexuar librin e këtij, ku deklaron: “Unë u futa aty, pasi më kërkoi Xhevati, se isha pa punë”.
Rizai me nacionalistët demokratë morën pjesë në Frontin Demokratik Nacionalçlirimtar për çlirimin e vendit nga okupatorët dhe për ndërtimin e tij. Mori pjesë në mbledhjen e Tapizës në ’43-in, ku formohet ‘Komiteti i Shpëtimit Kombëtar’ me program çlirimin e Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës dhe për të drejtën universale për vetëvendosje. Këto ishin shtyllat bazë të këtij komiteti. Këto janë faktet zyrtare të dokumentuara. Pastaj me të padrejtë historinë e bën gjithmonë ai që fiton. Por kjo nuk është e vërteta.
Riza Dani, në zgjedhjet e 2 dhjetorit të ’45-ës, zgjidhet për të tretën herë deputet i qytetit të Shkodrës. Për sa kam dijeni, jo se dua të lavdëroj njeriun e gjakut tim, por nuk kam parë ende që një person si Riza Dani, të zgjidhet tri herë deputet: më ’21, ’24, dhe ’45-ën. Kjo më jep një të drejtë morale të mendoj se ai ka pasur një bosht atdhetar në karakterin e tij, nuk ka qenë “po shkoj këndej, po shkoj andej, po shkoj këndej…”!
Edhe diçka që e kam dëgjuar 4 vjet më parë, kur në parlament dikush deklaroi: Riza Dani për Shkodrën merr 7.680 vota, ndërsa kundërshtari i tij, Tuk Jakova, anëtari i kryesisë së Partisë Komuniste, merr 7.078 vota. Ishte një dokument nga arkivi i shtetit.
Pas luftës kishte shumë probleme të mëdha në organizimin e vendit. Organet e shtetit të ri ishin pa eksperiencë. Shumë urdhra e veprime nuk i shërbenin ngritjes së shtetit normal, por kryheshin me iniciativa e në fshehtësi, në dukje ishin të pakuptueshme e kaotike.
Rizai me Gjergj Kokoshin, diskutojnë edhe për burgosjet e pushkatimet pa gjyq ose, vetëm me një urdhër në copë letre të plot njerëzve intelektualë, patriotë, klerikë, studentë, tregtarë, pronarë, ushtarakë, nëpunës, qytetarë e malësorë, fshatarë me autoritet shoqëror patriotik. Çdo përpjekje për demokraci, për pluralizëm patriotik e opozitë në Asamblenë Kushtetuese e jashtë saj nuk përkrahej. Nacionalistët dhe qytetarët intelektualë demokratë u angazhuan në Frontin Demokratik, duke shpresuar për vendosjen e një sistemi socialdemokrat. Ata nuk u përkrahën, u lanë në heshtje, madje u mënjanuan.
Riza Dani e kuptoi se pas sakrificave e gjakut të derdhur, Shqipëria ishte çliruar nga okupatori i huaj, por, mjerisht, po robërohej nga një sistem sllavo-komunist që po futej me aq dinakëri dhe egërsi. Grupi i deputetëve demokratë: Gjergj Kokoshi, Riza Dani, Nikoll Prela, Sheh Karbonara, etj., ranë në kontakt me grupe intelektuale e organizatat opozitare të krijuara nga mesi i vitit ’45, në Shkodër e qytete të tjera.
Uran Butka, në librin ‘Kryengritja e parë kundër komunizmit’, dëshmon: “Një mik i familjes kishte shkuar ta shihte Rizanë në shtëpi, se ishte i sëmurë dhe, në bisedë e sipër, e pyeti si shkonin punët në Tiranë”. Ai iu përgjigj: “Për faqe të zezë! Qeveria ka bërë ligje të reja që nuk i përshtaten popullit aspak. Unë i kundërshtova, por parlamenti i pranoi me shumicë. Do t’i shihni kur të dalin. Janë ligje që degedisin. “Degendis” është fjalë pak e vjetër, por është shprehje popullore shkodrane që domethënë “dëmton”. Dëmtojnë në moral, në fe e në pasuri. Do t’i shihni kur të dalin. Unë u thashë që këto ligje, janë për komunizmin rus e jo për popullin shqiptar.”
Dua të dal tek ajo pyetja në fillim, çka e solli Riza Danin në sulm. Ai e thotë: “janë ligje ruse për popullin shqiptar. Kjo është tamam qeveri komuniste”.
Në mbledhjen e 6 korrikut të 1946-s në Shkodër, fjalën kryesore e mbajti Riza Dani, deputeti i Shkodrës, që foli për gjendjen e vështirë të popullit që po vuante nga padrejtësia, po u merrej toka, tregtarët po eliminoheshin nga tatimet e mëdha, tregtarët e vegjël po zhdukeshin nga taksat e rënda. Industrialistëve po u merrej pasuria pa asnjë shpërblim e po pësonin fatin e tregtarëve të mëdhenj. “Dëshpërimi në popull ka arritur kulmin, në gjithë anët e Shqipërisë. Ne nuk e kemi pas kështu kur jemi mbledhur në Frontin Demokratik për çlirimin e vendit”. Pastaj foli për lirinë e ndaluar të fjalës e të shtypit: “Nuk lejohet të bësh as kritikën më të vogël, se arrestohesh si reaksionar.” Foli për nevojën e organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme.
Doktor Pjetër Pepa, deputet, e ka nxjerrë mbledhjen e Asamblesë fjalë për fjalë në librin e tij.
Më 10 janar 1946 hapet Asambleja Kushtetuese, ku në një sallë të përbashkët janë mbledhur përfaqësuesit e parë të popullit shqiptar, të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Ka përfaqësues të Frontit Demokratik, të Partisë Komuniste, ka dhe nacionalistë demokratë e patriotë të dalë si kandidatë të pavarur. Nga 82 përfaqësues, vetëm 48 kishin teserën e Partisë Komuniste Shqiptare. Pjesa tjetër ishin Fronti Demokratik, nacionalistë e të pavarur.
Më 12 janar 1946, mbledhja e kësaj Asambleje u drejtua nga Tuk Jakova. Si pikë e rendit të ditës ishte zgjedhja e presidiumit të Asamblesë. Riza Dani refuzoi listën e propozuar nga Kahreman Ylli. Mbas shumë debatesh, fitoi të drejtën për një listë të re, ku mungonte emri i Enverit e i të tjerëve. Ai vuri emrat e Sheh Karbunarës, Aleksandër Xhuvanit, Kolë Kuqalit e të tjerë nacionalistëve, patriotëve e jo komunistëve.
Kur u diskutua projekt-rregullorja e Asamblesë, deputeti Riza Dani, me guxim replikoi me Koçi Xoxen e Enverin dhe kërkoi që proces-verbalet e plota të botoheshin në gazetën zyrtare që populli të njihte çfarë flitej në Asamble. Më pas, më 6 mars 1946, kur diskutohej projekt-statuti, Riza Dani e kundërshtoi si jokombëtar dhe si i ngarkuar me frymë ideologjike komuniste.
“Do të flas sa më pak, se Asambleja nuk i ka qejf fjalët e shumta dhe fjalët nuk ndryshojnë asgjë kur fakti është i kryer”, – këto janë fjalët origjinale të Rizait që i ka nxjerrë Dr. Pjetër Pepa nga proces-verbalet që janë në Kuvendin Popullor. – “Statuti ynë ka dy anë të shëndosha, të shkëlqyera e plot heroizëm. Lufta çlirimtare, në njërën anë, Fronti Demokratik, në anën tjetër. Kjo bazë dyshe, pa dyshim ka diktuar projekt-statutin, por lufta çlirimtare e Frontit Demokratik, ka pasur e ka më tepër karakter kombëtar sesa karakter ideologjik. Populli pa ndryshim klase e ideje ka luftuar, pra ka bërë qëndresë në Frontin Demokratik. Fronti nuk është gjë tjetër, veçse bashkim njerëzish, partish e tendencash për luftën çlirimtare e për rindërtim. Çdo lloj ngjyre ideologjike që mund të marrë Fronti, do të ketë për pasojë zhdukjen e tij dhe transformimin në një parti të thjeshtë me ngjyrën e saj esenciale. Statuti, pa dyshim, është bërë me frymë ideologjike dhe politikisht. Po ashtu, edhe nga pikëpamja social-ekonomike. Unë vetë personalisht jam për një demokraci të lirë, por, natyrisht, do të dëshiroja që edhe statuti ynë të inspirohet nga ky parim”.
Me thënë të drejtën, nga leximet që kam bërë qysh nga 1992-shi, unë për vete ndiej krenari për guximin dhe gjakftohtësinë e Riza Danit, në ato debate parlamentare. Shumë njerëzor, shumë intelektual dhe me patriotizëm të mirëfilltë kombëtar.
Është një dëshmi e Mërgim Korçës, të cilën i’a ka thënë i vëllai, Genc Korça, që ka ikur herët në Amerikë: “Një ditë Rizai, që ishte burri i tezes, pret tim vëlla, Gencin, dhe i jep të lexonte fjalimin që do të mbante të nesërmen në parlament. Vëllai iu përgjigj: Zoti Riza, unë jam i ri e nuk kam përvojë politike, prandaj më mirë jepja një tjetri që të të japë mendim. Rizai e kundërshtoi dhe nguli këmbë që ai ta lexonte, e pastaj e pyeti nëse kishte vërejtje. Pasi e lexoi, Genci i’u përgjigj: Zoti Riza, është fjalim i bukur dhe i fortë, por duhet të kesh parasysh se po e lexove këtë fjalim në parlament, do të të pushkatojnë”! Janë fjalë për fjalë, fjalët e Mërgim Korçës, që ia ka thënë i vëllai. E Rizai, qetë-qetë i’u përgjigj: “E di! Jam plotësisht dakord me ty, por e di pse të thirra ta lexosh? Sepse dua një njeri të ri, që ta dijë se këtë fjalim e kam shkruar me gjakftohtësi dhe me kryet plotësisht të ndërgjegjshëm. Me një fjalë, dua të kem një dëshmitar që të dëshmojë në të ardhmen në parlament, se shprehjet që kam përdorur s’kanë qenë të rastit, apo se kam qenë i nevrikosur, por se jam i ndërgjegjshëm për atë që do të them, e për atë që do të ngjasë”.
Ai mbështetej te parimi që deputeti duhet të japë llogari përpara nderit dhe ndërgjegjes së vet, e jo si komunistët, që japin llogari përpara partisë në parlament.
Normalisht, të gjitha këto ishin në kundërshtim me vijën dhe direktivat e komunizmit jugosllav, që me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare më 1941 dhe me planet e tyre për të na bërë republikë të shtatë. Ata nuk i donin nacionalistët që mendonin një Shqipëri të pavarur. Riza Dani dhe intelektualët e Shkodrës, në bashkëpunim me deputetin Gjergj Kokoshi e të tjerë, në marrëveshje me krerët e zonave të veriut, organizuan në Shqipërinë e veriut një kryengritje të përgjithshme, me plan të qartë për 16 shtatorin 1946.
Kryengritja e Postribës?
Po, por u bë më datë 9. Në kryengritje do të merrnin pjesë forcat nga zonat: Kallmet e Lezhë, Mirditë e Pukë, Zadrimë, Nenshat, Postribë e Ura e Shtrenjtë, Dukagjin e Shosh, Koplik e Zagorë, Malësi e Madhe dhe Kelmend. Përmasat e kryengritjes ishin shumë shpresëdhënëse. U bë një memorandum drejtuar aleatëve dhe i’u dorëzua misionarëve amerikanë dhe britanikë. Kjo përkonte me Konferencën e Paqes në Paris, më 8 shtator. Mbrëmjen e 8 shtatorit i vjen në darkë një mik nga Postriba e i thotë: “Riza efendi, Postriba ka vendosur nesër në agim të sulmojë Shkodrën.” Rizai i kthehet: “Në asnjë mënyrë! Ju nuk keni forca, nuk keni armë. Jeni pak! Ne e kemi organizuar për javën tjetër, më 16. Zona e Kallmetit dhe e Lezhës do të presin të gjitha linjat e telefonit, zona e Nën Shkodrës do të bllokojë forcat nga Lezha dhe forcat që do të vijnë nga ura e Bunës. Kopliku dhe Grizhja, do të bllokojnë forcat që vijnë nga batalioni i Koplikut. Kështu Shkodra do të mbetet vetëm me forcat e garnizonit të Shkodrës”.
Fatkeqësisht, në fakt, Postribës i kishte shkuar thika në kockë e sidomos ato ditë që kërkonin edhe djemtë ushtarë. Ky ishte shkaku që shpërtheu më datë 9. Por më ka habitur Uran Butka, që në librin e tij për këtë kryengritje, përmend edhe Jup Kazazin me të vëllain, Saitin. Sipas tij, djali i dajës së Jup Kazazit, ka deklaruar se: Jupi kishte shkuar në shtëpinë e tij, më 17 qershor 1945. Por kryengritja është bërë më 9 shtator 1946-s. Del që Jupi, për një vit e tre muaj, ka qenë i fshehur. Si ka pas mundësi ai ta organizonte kryengritjen e Postribës? A më kupton logjikisht?
Po, të kuptoj. Kam të dhëna për një letër që e ka pasë shkruar Kolë Biba, ku thekson edhe për Jup Kazazin “krejt organizim i pamenduem dhe i parakohshëm”. Kjo ka bërë të dështojë kryengritja e Postribës.
Dëgjo, zoti Marçel, e vërteta është e vërtetë. Është një shprehje: E vërteta ta thyen kurrizin, por duhet të dalë.
Unë kam lindur më 27 korrik të 1946-s, më 9 e gjysmë të darkës. Ishte dita e parë e Ramazanit. Riza efendia po kthehej nga xhamia dhe zonja Vaçe e Dan Hasanit, i del në sallon poshtë e i thotë:
“Riza efendi, nusja e Xhevatit lindi djalë”. Ai shprehet: “Nusja me shëndet të mirë, djali me jetë të gjatë, por më vjen keq se kan me hek keq!”
Në shtator ndodhi kryengritja e Postribës dhe nisi shkatërrimi ekonomik, dënimi dhe denigrimi moral nga pushtuesi komunist i Shqipërisë ndaj familjes Dani. E arrestuan në mes të shtatorit, më 23 dhjetor ’46 i hoqën imunitetin dhe nisën torturat më të egra sllavo-komuniste mesjetare.
Sami Repishti i nderuar, në librin e tij ‘Nën hijen e Rozafës’, flet për dy deputetët, Kolë Prela dhe Riza Dani.
Kolë Prela ka qenë deputet i Dukagjinit?
Po! Fatkeqësi është se më 31 dhjetor të ’47-ës, ndërsa e gjithë bota mundohet atë natë të gëzojë ikjen e vitit dhe hyrjen në një vit tjetër, në radhë të parë për të gëzuar shëndet e në radhë të dytë për të menduar për mirë e për të tëra, po atë natë, në mënyrën më vrastare u bë gjyqi i Riza Danit dhe i njëmbëdhjetë të tjerëve. Pa avokat, pa njerëz, veç në një dhomë, u lexuan çfarë kishte përgatitur hetuesia. E akuzuan për komplot kundër shtetit dhe ky u përgjigj: “Si mund ta mendoni një gjë të tillë, kur mua atë ditë më ka vdekur vajza 18 vjeçe, i vetmi fëmijë, dhe unë e paskam pasë mendjen për komplot kundër shtetit?!”
Riza Dani i mohoi të gjitha dhe proces-verbali i hetuesisë pohon: “Riza Dani, si armik i popullit, nuk ka pranuar të firmosë asgjë”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016