Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e shtatë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret i Sigurimit të Shtetit me udhëzimet për ndjekjen e survejimin e të gjithë personave që përmenden në letrën e Aishe Sh… dërguar shtetasit turk, Rexhap Ayn Lajçi, i cili dyshohet për agjent i Zbulimit Jugosllav që vepron kundër Shqipërisë
Sekret
Tiranë, 6.10.1983
Shënim lidhur me letrën e Aishe Sh…
Është letër me shumë interes, pasi dalin në dritë lidhje dhe (persona) me veprimtari armiqësore në formë spiunazhi, si: Myrteza Bajraktari, Agim Gjakova, Osman Rustemi (të tre lidhje të njëri tjetrit). Osman Rustemi, lidhje e Estref Kelmendit, objekt i Shkodrës me 2/A për spiunazh. Prandaj të bëhen detyrat më poshtë.
- Të verifikohet Aishe Sh…, (unë e di që është femër…….. dhe shoqe personash të dyshimtë, të dënuar ose të infiltruar, e njeh B.p., “Arbëri” të cilin e njoh unë).
- Të shihet nëse ka materiale për Rexhep Ayn (Lajçi), kur ka ardhur në vendin tonë, si ka ardhur, etj., nga Turqia. Ky duhet të jetë agjent jugosllav që vepron nga Turqia kundër vendit tonë (në mos është agjent i shumë zbulimeve). Të nxirren të gjitha lidhjet e tij të diferencuara se kush mund të pyetet, kush mund të tërhiqet, kush mund të përpunohet etj.
- Të shikohet se kush është Selimi që përmendet në letër (fq. 5) dhe kush është Havaja. Selimi duhet të jetë nga punonjësit e Akademisë së Shkencave, që duhet të ketë qenë në Turqi me Sterjo Spasen, për figurën e Rexhep Lajçit e lidhjet e tij me Aishen, Mairoshtin….Maria (fq.1, paragrafi 5), si dhe Xhiren, këto pavarësisht nëse do të bisedosh me shokun Sterjo, të verifikohen për karakterin dhe pjekurinë e tyre si dhe për rrethanat e njohjes e marrëdhënieve me Rexhepin.
- Të shihet kush është Ibrahimi, është i Konsullatës sonë, apo i Turqisë këtu.
- Të gjendet korrespodenca tjetër e Rukie Jerinës (që mundet të jetë përdorur me inicialin Rr., që përmend Aishja në letër. Të shihet se çfarë njofton ajo konkretisht Aishja për Rexhep Ayn. Ç’është Rukie Jerina, cila është figura e saj, është shqiptare këtu me banim, apo në Turqi. Kjo ka rëndësinë e vet.
- Të verifikohet shpejt Osman Rustemi dhe (prandaj) të merret në përpunim. Del nga letra që Osman Rustemi dhe Agim Gjakova kanë qenë bashkë në konvaleshencë në plazh. Osmani paska marrëdhënie edhe me kushëririn e Aishe Sh… (shif fq. 2 të letrës, paragrafi 3).
- Të verifikohet shoferi i zyrës së Aishes, të cilit i ka premtuar letra, ta shohim për tërheqje (fq. 2, paragrafi i parafundit).
- Aishja ka një shoqe të ngushtë që quhet Aliqi (fillimi i faqes 3 të letrës). Të verifikohet dhe studiohet.
- Emineja, (Minja), është shoqe e punës së Aishes, të verifikohet e studiohet (faqja e fundit, paragrafi i dytë).
- Shyrete Kabashi ka shkuar vizitore në Turqi dhe ka marrë porosi nga Aishja. Shyretja paska qenë në plazh me Agim Gjakovën e ka ndenjur tek ai.
- Bardha dhe Agimi, lidhje të Aishes, që njihen edhe nga Rexhepi, të verifikohen (fundi i letrës).
- Letra të riprodhohet për secilin objekt: Ahmet Sadiku, në 2/B, Agim Gjakovës në 2/A, Myrteza Bajraktarit në 2/A, një për problemin e centralizuar, një për Rexhep Ayn në fashikull, 1 për Osman Rustemin.
Kureshtja të mbahet për Aishe Sh… dhe të bëhet biografia e plotë e të vendosim. Ajo ka hyrë në marrëdhënie sensuale me Rexhp Ayn, ta shohim a ka marrëdhënie spiunazhi. Letrën ta shohim prapë edhe me shokun Nasho dhe me një pjesë të detyrave të merret edhe Punëtori Operativ i Drejtimit.
6.10.1983 (firma e shefit të Sigurimit)
Dokumenti sekret i Sigurimit të Shtetit me ekzemplarin e raportit të survejimit ndaj Myrteza Bajraktarit, gjatë lëvizjeve të tij në qytetin e Tiranës, i përpiluar nga shefi i Bazës së Survejimit, Andrea Karapanço
Sekret
Ekzemplar
Tiranë 1983
RAPORT SURVEJIMI, datë 14.10.1983
Mbi survejimin e objektit Myrteza Bajraktari, që mban pseudonimin “Furnitori”.
Në ora 10.15, filloi survejimi i objektit në pritje të daljes nga drejtimi i punës.
Në ora 10.35, objekti së bashku me dy persona të punës së tij, që njihen nga sektori operativ, del nga puna e tij e kalon Rr. “M. Keta” e “A. Moisiu”, e në ora 10.40, futen në kafe ku u panë se hëngrën pasta. Në orën 10.50, dalin që të tre dhe pasi përshkojnë të njëjtin drejtim për nga erdhën, u futën përsëri në shkollë.
Në ora 15.15, objekti me biçikletë del nga puna e tij dhe e në ora 15.35, futen për në shtëpi. Deri në ora 21.30, që vijoi survejimi, objekti nuk u pa të dilte jashtë shtëpisë.
15.10.1983
Në ora 6.00, filloi survejimi në pritje të ardhjes së objektit nga drejtimi i shtëpisë, në drejtimin e Rr. “Labinoti”.
Në orën 7.15, objekti u pa të vijë nga drejtimi i shtëpisë në Rr. B.SH. e re, e në orën 7.30, në kryqëzimin e “Barrikadave” me Rr. “B. Curri”, takoi një person që quhet Ardian dhe punon në Laboratorin Qendror të Riparimit të Televizorëve, tek Kinemaja e Re. Të dy më pas, në orën 7.40, futen tek Hotel “Arbëria” ku u panë të pinë kafe.
Në ora 8.20, dalin që të dy e para Hotel “Arbërisë”, Ardiani ndahet e kalon në drejtim tjetër, ndërsa objekti, takohet me shoferin e makinës me targa T.R. 05-10, e që të dy futen tek Hotel “Arbëria” ku u panë të pinë raki. Në orën 9.35, dalin nga hoteli
Në orën 9.35 dalin nga Hotel Arbëria, hipin në makinën me targa TR 05-10 e kalojnë B Stalin mbrapa Muzeut Kombëtar dhe në ora 9.37 ndalojnë tek Lidhja e Shkrimtarëve nga ku zbret objekti dhe futet në një banjo.
Pasi del, i hipën makinës dhe pasi kalon rrugën M.Shyri në ora 9.45 makina i shkëputet survejimin tek Ministria e Mbrojtjes Popullore për arsye automjeti.
Në ora 10.15 rifillon survejimi në pritje të hyrjes e të daljes së objektit nga puna. Deri në orën 13.45 objekti, nuk u pa të vijë në drejtim të rrugës B.Curri po në këtë orë survejimi u ndërpre.
17.10.1983
Në ora 14.30, filloi survejimi ndaj objektit. Në orën 16.00 survejimi u ndërpre për të rifilluar më pas tek shtëpia e tij tek BSH e re dhe M. Kashen, dhe deri në orën 21.00 objekti nuk është parë që të hyjë e të dalë nga të dyja drejtimet. Pas kësaj ore survejimi u ndërpre.
18.10.1983
Në ora 6.00 rifillon survejimi ndaj objektit në pritje të daljes nga shtëpia e tij. Në ora 7.00 objekti u pa tek byrektorja dhe në ora 7.30 tek reklamat e Kinema 17 Nëntori. I hipën zukut dhe pasi kalon nga stacioni i trenit i shkëputet survejimit për arsye automjeti.
Në ora 8.00 rifillon survejimi tek puna e tij në pritje të daljes së objektit. Në orën 11.40 objekti del nga puna dhe në ora 11.45 i hipën makinës tek stacioni rruga-ura dhe në ora 11.55 makina ndalon tek rruga Barrikadave.
Në orën 12.10 ai futet në postbllokun e Ministrisë së Punëve të Brendshme pranë klubit të kësaj ministrie. Në orën 12.20 objekti del nga andej dhe tek farmacia nr. 2 takohet me një person me pseudonimin “Kostumi”.
Pasi bisedojnë, ata ndahen për në drejtime të ndryshme. Objekti në orën 12.45 futet në drejtim të shtëpisë së tij. Deri në orën 13.45 objekti nuk doli nga shtëpia, dhe pas kësaj survejimi u ndërpre.
19.10.1983
Në orën 15.16 rifilloi survejimi në pritje të mbërritjes së objektit në shtëpi. Në orën 15.55 objekti u pa duke ardhur në rrugën M. Grameno dhe në ora 16.00 kalon në shtëpinë e tij. Deri në orën 21.00 objekti nuk është parë të dali nga shtëpia, më pas survejimi u ndërpre.
20.10.1983
Në orën 6.00 rifilloi survejimi në pritje të daljes së objektit në rrugën M. Grameno. Në orën 7.40 objekti u pa duke ardhur nga kjo rrugë me karrocë në dorë, me një fëmijë të vogël. Në orën 7.55 futet në kopshtin e rrugës Brigada e IV dhe më pas del vetëm.
Në orën 8.10 i hipën makinës me targa TR 05-10 dhe lëviz në drejtime të ndryshme duke i humbur survejimit për arsye automjeti. Në orën 8.45 zbret në rrugën B. Curri. Në orën 10.15 objekti u pa duke dalë nga puna e tij me dy persona.
Njëri kishte karakteristika, rreth moshës 35 vjeç, afro 1.75 cm i gjatë, zeshkan, me xhaketë blu e pantallona gri. Në orën 10.20 futen në uzinën elektro-mjekësore. Në orën 10.30 dalin të tre nga uzina dhe ikin në rrugën B. Curri dhe në orën 10.40 futen në shkollën komunale.
Më pas objekti doli vetëm dhe i hipën makinës së antibiotikut dhe në ora 14.15 takohet me një person me pseudonimin “Xhuxhi”.
Të dy në orën 14.45 futen në restorantin që ndodhet brenda tek sahati dhe u panë duke ngrënë meze e duke pirë raki. Në orën 16.20 të dy, dalin nga restoranti dhe në orën 16.25 ndahet me objektin “Xhuxhi” për të kaluar në drejtime të ndryshme.
Në orën 17.45 objekti futet në çerdhen pranë kryeministrisë dhe në orën 17.50 del që andej me një fëmijë të vogël dhe futet në shtëpinë e tij ku, nuk u pa të dilte. Më vonë survejimi u ndërpre.
21.10.1983
Në orën 6.00 rifilloi survejimi në drejtim të objektit nga rruga e shtëpisë së tij tek ambulanca nr.1. Në orën 9.30 survejimi u ndërpre dhe rifilloi në 9.42 tek puna e tij. Në orën 15.20 objekti del nga puna dhe i hipën autobusit në ora 15.35 tek Papavrami. Ai atje, takoi objektin e survejimit “Fiku” me një person tjetër rreth moshës 45 vjeç, afro 1.70 cm i gjatë, i veshur me këmishë jeshile e pantallona kafe. Pasi bisedojnë ata, ndahen dhe ikin në drejtime të ndryshme.
Objekti në orën 15.50 futen në drejtim të shtëpisë së tij. Në orën 19.30 objekti u pa duke ardhur nga shtëpia e tij në drejtim të rrugës M. Grameno i shoqëruar me një person me pseudonimin “Kafja”.
Në orën 19.35 shkuan tek banesa nr. 8 dhe i ranë ziles. Më pas ata ikën në drejtim të lulishtes Drini dhe këtë rrugë e përshkuan në këmbë duke biseduar.
Në orën 20.20 u futën të dy në kafe. Dhe në orën 20.45 dalin nga kafja dhe të dy ndahen për në drejtime të ndryshme. Objekti në orën 21.20 futet në shtëpinë e tij nga ku nuk doli më. Pas kësaj ore suvejimi u ndërpre. Memorie.al
Shefi i Bazës
Andrea Karapanço
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016