Pjesa e njëzetë
Memorie.al / Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin dhënë urdhër të prerë në vitin 1950, që Tito të mos kishte asnjë ndikim në Shqipëri. Në një dokument të de klasifikuar, tregohen detaje nga një prej planeve të CIA-s, për të rrëzuar regjimin komunist. I gjithë qëllimi ishte që të ndalohej dalja e sovjetikëve në Ballkan dhe për këtë arsye nisën tentativat për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Mirëpo në një dokument tregohet se si CIA, po kërkonte që të bënte gati qeverinë, e cila do vendosje menjëherë sapo të binte ajo aktuale. Sipas tyre, qëndrimi i një periudhe pa qeveri, përbënte rrezik dhe për këtë arsye kërkohej që të ishte gati qeveria zëvendësuese, nga ana tjetër tregohen dhe rolet që do kishte Britania e Madhe dhe Franca.
Operacionet e CIA-s, viti 1950
Politika aktuale e SHBA-ës në lidhje me Shqipërinë, ka si objektiv rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë me anë të përmbysjes së regjimit aktual dhe zëvendësimin e tij me një qeveri të pranueshme nga populli i Shqipërisë. Kjo qeveri do të gëzonte mbështetjen e shteteve të Bashkuara, për sa kohë mbetej miqësore me Shtetet e Bashkuara dhe objektivat e saj, dhe armiqësore ndaj Bashkimit Sovjetik dhe objektivave të tij. Qeveria e SHBA-ës shikon pozitivisht nisjen e hapave për realizimin e politikës së saj në Shqipëri.
Mbështetja ekonomike që SHBA-ës do t’i jepte një Shqipërie jo-komuniste, do të ishte e vogël po të marrim parasysh detyrimet e SHBA-ës në vende të tjera. Në ndjekje të kësaj politike, SHBA-ës duhet të veprojë në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe dy vendet, duhet të marrin përgjegjësi të plotë dhe të mos delegojnë përgjegjësinë te kombe të tjera, sado miqësore të jenë ato me SHBA-ës. Por gjithsesi përdorimi i mjeteve dhe marrja e asistencës nga vende të tjera si Franca e Italia është e mundshme.
Marrja e masave
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët duhet të marrin masa paraprake për ndalimin e ndërhyrjes së Titos në Shqipëri; ky rrezik mund të reduktohet nëse merren masa kundër krijimit të vakuumit të pushtetit në Shqipëri, domethënë të mos ketë interval mes zhdukjes së Hoxhës dhe ardhjes së pushtetit të shqiptarëve të orientuar nga Perëndimi. Përpara paraqitjes së planit në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, duhen bërë konsultime me stabilimentin ushtarak dhe gjeneralin Van Fleet.
Operacionet
Kontakte të fshehta duhet të krijohen me grupet e ndryshme të emigracionit me pikësynim organizimin e një fronti të bashkuar të gjithë anti-komunistëve shqiptarë, pa dallime politike. Grupi i Ballit Kombëtar me në krye Mit’hat Frasherin, duket si më i kualifikuari për të marrë drejtimin e frontit të bashkuar. Grupe të tjera duhet të ftohen për bashkëpunim dhe të pranojnë lidershipin e Frashërit, në përpjekjen për çlirimin e Shqipërisë nga dominimi i komunistëve.
Selia e Komitetit Kombëtar duhet të krijohet në qytetin e duhur, mundësisht Trieste, dhe degë të tjera të krijohen në New York, Paris, Cairo e mundësisht Athinë. Në kohën e duhur, të informohen qeveritë e Athinës dhe Romës për qëllimet tona dashamirëse në drejtim të komitetit të bashkuar shqiptar, me qëllim për të ndaluar ndërhyrjet e tyre në aktivitetet e komitetit. Qeveria britanike duhet të informohet, fillimisht in formalisht, për t’u siguruar mbi mendësinë për Shqipërinë dhe programin e përgjithshëm të politikave.
Duhet të merret besimi për bashkëpunim më të ngushte në vazhdim të veprimeve. Qeveria franceze duhet të informohet, fillimisht in formalisht, për t’u siguruar mbi mendësinë për Shqipërinë dhe për ta informuar mbi krijimin e Komitetit Kombëtar Shqiptar. Duhet të përcaktohet masa e përfshirjes së qeverisë franceze, kryesisht në operacionet e fshehta, nëse lind nevoja.
Propaganda
“Zëri i Amerikës” duhet të nisë programe të përditshme për Shqipërinë. Komiteti shqiptar, duhet të caktojë një zyrtar lidhjeje për informacione mbi përgatitjen e programeve për Shqipërinë. Lajmet në fjalë duhet të ndjekin këto linja: Sa shumë është zhgënjyer Shqipëria nga ata që u zgjodhën në pushtet në vitin 1945; Referenca favorizuese ndaj aktiviteteve të Komitetit Kombëtar shqiptar; Raporte me fakte mbi aktivitetet e rezistencës shqiptare në Shqipëri, por të shtyra mjaftueshëm në kohë për të evituar vënien në rrezik të këtyre njerëzve;
Masa e madhe e gjithë-sllavizmit që ekziston jashtë Shqipërisë; Prova aktuale e të shkuara të miqësisë së SHBA-ës për popullin shqiptar; referenca për përkufizimin e saktë të “demokracisë”, për t’u siguruar që audiencat në Shqipëri të mos ngatërrohen pasi fjala mund të tingëllojë e re, dhe pas propagandës së gjerë për “demokracinë e re” të regjimit; çështje të tjera që mund të dalin gjatë ngjarjeve, të cilat mund të përdoren për të mbajtur programet dinamike dhe për të inkurajuar rezistencën ndaj komunistëve.
Detyrat e Komitetit Kombëtar
Pas formimit të komitetit kombëtar, ai duhet të kryejë këto aktivitete: Komiteti të ngrejë dhe të operojë një gazetë të përditshme, me fonde të dhëna fshehtësisht nga ne; Të organizohet shpërndarja e fshehtë e gazetës në Tiranë dhe në qytetet kryesore, si Durrës, Vlorë e Shkodër. Nuk duhet bërë përpjekje të veçanta për forma të tjera propagande, pasi masa e analfabetizmit në vend është e lartë dhe rreziqet janë të mëdha;
Të hartohen plane për ndihmë ndaj komitetit për krijimin e një stacioni radioje në Itali që mund të hyjë në valët e radio Tiranës e mundësisht edhe Radio-Beogradit, ky transmetues të veprojë fshehtësisht dhe duhet të jetë i lëvizshëm, qeveria italiane të informohet për ekzistencën e tij dhe të ftohet për të mos ndërhyrë; Komiteti do të nisë lidhje me elementë në Shqipëri, duke përdorur personin e tij shqiptar, me qëllim vlerësimin e situatës aktuale të forcave klandestine, mjetet në dispozicion dhe aktivitetet anti-komuniste.
Objektivi i komitetit duhet të jetë zhvillimi i një rrjeti të fshehtë elementësh të rezistencës, bazuar në shpirtin e kundërshtisë kombëtare ndaj komunistëve. Nëse elementët aktualë nuk mund të organizohen mbi baza të tilla, të ndërmerren hapa për organizim mbi baza të tjera. Komiteti duhet të na mbajë vazhdimisht të informuar mbi situatën dhe aktivitetin e grupeve të rezistencës; Komiteti duhet të punojë për neutralizimin e aktiviteteve guerile pro-Tito, duke marrë në konsideratë shërbimet e Said Kryeziu në Romë dhe Muharrem Bajraktari në Greqi, dy vëllezër në grupin gueril shqiptar në krah të Titos.
Koordinimi i aleatëve
Operacionet klandestine të inteligjencës nga agjencitë britanike e amerikane, duhet të vazhdojnë në Shqipëri, dhe të mbahen të veçuara nga operacionet e tjera, në mënyrë që të kontrollojmë informacionet e marra nga komiteti dhe agjencitë e tij. Në kohën e duhur, të përcaktuar nga ne dhe aleatët britanikë e francezë, Komiteti duhet të nisë përgatitjet për veprim me qëllim përmbysjen e regjimit në Shqipëri. Masa dhe natyra e forcave të armatosura që do të nevojiten do të varen nga situata në kohën e organizimit të operacionit.
Në kohën e duhur dhe me aprovimin tonë, Komiteti duhet të hartojë planet për marrjen në dorë të administratës qeveritare në Shqipëri, të hartojë plane për përfshirjen e grupeve të rezistencës dhe të drejtuesve guerrilë, për eliminimin e komunistëve nga administrata dhe krijimin e një force efektive policie police etj. Mbështetja të jepet e kushtëzuar me plotësimin e detyrimeve të Komitetit ndaj nesh; pra sapo të arrijë në Shqipëri dhe në konsultim me ne, të shpallin veten qeveri të përkohshme, për të kryer zgjedhjet e reja të parlamentit dhe të shkruajnë Kushtetutën.
Një referendum të mbahet për çështjet institucionale. Pas shpalljes së qeverisë së përkohshme Shqipëria do të njohë marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të 7 prillit 1939; të njohë kufijtë e Shqipërisë që mbeten si ato që ishin më 7 prill 1939. Projekte të detajuara të zhvillohen dhe të koordinohem me stabilimentin ushtarak, në mënyrë që ambientet të përdoren për pritjen e armëve dhe municioneve. Nuk do të dërgohet haptazi personel ushtarak amerikan apo britanik në Shqipëri, deri në formimin e qeverisë së përkohshme nga Komiteti.
Pak përpara, ose në të njëjtën kohë me veprimet në paragrafin e mësipërm, të merren hapa me anë të kanaleve diplomatike amerikane dhe britanike, për premtimin që Greqia të mos ngrejë pretendimet e saj territoriale për jugun e Shqipërisë dhe të mos ndërhyjë në asnjë lloj forme gjatë krizës që mund të ndodhë. Departamenti i Shteti duhet të nisë planet për mbështetje të plotë ndaj Komitetit pas ardhjes në Shqipëri, ndërsa gjatë kësaj kohe nuk duhet të ketë marrëdhënie të hapura të Departamentit me Komitetin. Në plane duhet të përfshihet dhe krijimi i stafit kompetent i Misionit Amerikan në Tiranë, si dhe masa për anëtarësimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe agjenci të tjera ndërkombëtare.
Rezistenca ndaj regjimit aktual
Pakënaqësia mes popullit shqiptar vazhdon të jetë e gjerë dhe në vitet e fundit ka pasur disa raste të rezistencës së hapur ndaj regjimit. Edhe vetë regjimi ka pranuar ekzistencën e elementëve “diversantë” dhe sulmeve ndaj ushtrisë dhe karvanëve civile të furnizimeve. Incidenti më i rëndë i rezistencës ishte bomba në ambasadën sovjetike në shkurt 1951, por vrasjet lokale dhe sabotimet kanë qenë gjithashtu një sfidë për autoritetet komuniste. Deri tani regjimi i Hoxhës ka ditur të përballet me lëvizjet kundërshtare, duke zbatuar masa të shumta represive.
Për shembull, ministri Shehu ka krijuar disa batalione të veçanta ndjekjeje, që operojnë në zonat malore kundër grupeve individuale të rezistencës. Refugjatët anti-komunistë kanë raportuar për ekzistencën e disa grupeve të rezistencës me emra si; “Lidhja Kombëtare e Maleve”, “Liria”, “Skënderbeu”, “Thirrja”, por nuk ka informacion specifik mbi to. Nuk duket se ka bashkëpunim mes grupeve të disidentëve me gjithë dëshirën e tyre të përbashkët për largimin e regjimit të Hoxhës.
Mes grupeve shqiptare në emigracion, më i rëndësishmi duket se është Komiteti Kombëtar për “Shqipërinë e Lirë”, me selinë evropiane në Romë, i cili përbëhet nga tre grupe: 1) Partia Demokratike Agrare/Balli Kombëtar, të cilët kanë më shumë ndjekës në Jug të Shqipërisë, 2) Partia e Legalitetit (pro-Mbretit Zog) e cila është më e fortë në qendër të Shqipërisë, dhe 3) Lidhja e fshatarëve e katundarëve që mbështetet në veri të vendit dhe në provincat jugosllave ku jetojnë shqiptarë.
Të gjitha grupet kanë si qëllim krijimin e Shqipërisë së lirë e të pavarur, por kanë dallime mes njëri-tjetrit për llojin e qeverisë së re. Aktivitetet e Komitetit brenda Shqipërisë, kanë qenë vetëm shpërndarje propagande dhe disa përpjekje subversive nga agjentët e tij. Operacioni i tyre më efektiv ka qenë lëshimi i fletëve të propagandës, që ka shkaktuar mjaft entuziazëm brenda vendit, dhe ka nxitur nota proteste ndaj zyrtarëve italianë apo dhe largim të njerëzve nga Shqipëria.
Rebelimet
Shumica e komunistëve duket se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me çdo organizatë që ka në plan përmbysjen e regjimit, për arsye të zhgënjimit me qeverinë, besimit se BRSS-ja nuk do të rrezikojë të futet në luftë për shkakun e Shqipërisë, apo sepse besojnë se pushteti i Hoxhës do të bjerë së shpejti dhe presin t’i japin llogari qeverisë tjetër që do të vijë më pas. Qeveria nuk i beson më as policisë dhe raportohet se më shumë se një e katërta e policisë, janë në favor të revolucionit.
Raportohet se nëntëdhjetë për qind e njerëzve janë gati të veprojnë kundër qeverisë, por kërkojnë siguri se nuk do të ketë lëshime territoriale ndaj Greqisë, Jugosllavisë e Italisë. Popullata është konfuze prej sponsorizimeve të ndryshme që kanë grupet e huaja që hyjnë në vend fshehtësish, prandaj besojnë se nëse këto grupe nuk bashkohen, vendit mund t’i shkaktohet më shumë dëm sesa favor. Qeveria ka bërë shumë propagandë gjatë kësaj kohe, duke akuzuar se Komiteti për “Shqipërinë e Lirë” punon për Greqinë dhe ka ndërmend t’i kthejë asaj Epirin e Veriut.
Gjithashtu, ajo propagandon se grupet italiane do të kthejnë në vend influencën italiane dhe ato jugosllave do t’i japin rajonin e Kosovës Jugosllavisë. Meqenëse anëtarët e arrestuar të grupeve të mëparshme të agjentëve, kanë treguar te hetuesit për ata që i kanë ndihmuar brenda vendit, qytetarët kanë frikë të ndihmojnë grupet e ndryshme të agjentëve dhe i kanë raportuar ato te autoritetet. Grupet jugosllave nuk kanë influencën e pretenduar në zonat veriore dhe as ato të dërguara nga grekët nuk konsiderohen të favorizuar.
Përçarjet mes komunistëve
Partia Komuniste shqiptare si rezultat i debateve është e përçarë. Grupe të vogla partizanësh prej 15-20 vetash janë vendosur në male. Ka terror dhe uri, asnjë nuk është i sigurt për jetën e tij. Ushtria e vendit përbëhet nga 25 mijë njerëz por qeveria nuk ka shumë besim te trupat e saj, prandaj gjatë zhvendosjeve nga një vendndodhje në tjetrën ushtarët nuk i kanë armët e mbushura.
Numri i specialistëve rusë në vend ka arritur në 1000. Siç shihet nga më sipër, Shqipëria drejtohet nga një klikë e vogël komunistësh, që nuk ka lidhje me popullin e saj. Ky grup ka gjithashtu debate mes vetes. Pakënaqësia e popullit rritet dita-ditës. Sapo sinjali i revoltës të jepet, populli shqiptar do t’i japë fund komunistëve brenda disa ditëve. Tito nuk do të lëvizë sepse Shqipëria e Enver Hoxhës përfaqëson për të armikun kryesor. Duhet të supozojmë që Tito do të ndihmojë fshehtësisht largimin e regjimit të Hoxhës dhe kompanisë së tij.
Por kushtet e mëposhtme janë absolutisht të nevojshme: Greqia, nëse është e mundur, duhet të deklarojë solemnisht që njeh kufijtë e Shqipërisë së vitit 1913, domethënë ato përpara pushtimit italian të vitit 1939, duke hequr dorë nga pretendimet e saj për Epirin e Veriut (provincat pjellore të Korçës e Gjirokastrës), dhe të nisë një politikë të re miqësie me Shqipërinë e re demokratike.
Një deklaratë e tillë ka shumë rëndësi pasi populli shqiptar preferon më mirë të vuajë nën thundrën komuniste, nga frika e pushtimit grek të jugut të vendit. Deklarata të njoftohet me radio dhe nga shtypi, duke inkurajuar popullin shqiptar të krijojë kushtet e nevojshme për revolucionin. Kjo iniciativë duhet të kryhet nga forcat shqiptare jashtë vendit (në Itali, Greqi, Turqi, Egjipt e Siri), numri i të cilave të jetë 1500 deri në 2000 njerëz.
Kontakti direkt duhet të vendoset me liderët e kualifikuar të rezistencës, brenda dhe jashtë vendit. Në çdo rajon të Shqipërisë ka njerëz që zotërojnë autoritetet absolut mbi provincat e tyre. Armatimet, municionet dhe furnizimet e tjera do të sigurohen nga Aleatët. Pasojat e një grushti shteti të suksesshëm është: Goditje e rëndë ndaj imperializmit rus dhe një shembull i shkëlqyer për vende të tjera që vuajnë nën thundrën sovjetike; Fundi i luftës civile në Greqi; Kapja e bazës së rëndësishme në ishullin e Sazanit./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













