• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, October 28, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Foto Bala tregonte se Enveri, shkonte në sallën ‘Le Jardin de l’esplanade’ ku jepte konferenca Partia Komuniste franceze, më kish thënë edhe mua, por unë…”/ Biografia e panjohur e Enver Hoxhës e vitit 1969

“Kur Qazim Mulleti i tha Omarit; thuaj atij kunatit tënd, Enverit, të rri mirë, se ka dalë urdhri nga Jakomoni dhe do ta arrestojnë, ai iu përgjigj…”/ Dëshmia e rrallë, e ish-zv/ministrit të Brendshëm
“Foto Bala tregonte se Enveri, shkonte në sallën ‘Le Jardin de l’esplanade’ ku jepte konferenca Partia Komuniste franceze, më kish thënë edhe mua, por unë…”/ Biografia e panjohur e Enver Hoxhës e vitit 1969
“Enver Hoxha e mashtroi vajzën bukuroshe italiane, Aurelia Terruzi, bashkëshorti i së cilës, Renato, vdiq në burgun e Burrelit, pasi…”/ Historia tragjike e familjes Pozelli
“Foto Bala tregonte se Enveri, shkonte në sallën ‘Le Jardin de l’esplanade’ ku jepte konferenca Partia Komuniste franceze, më kish thënë edhe mua, por unë…”/ Biografia e panjohur e Enver Hoxhës e vitit 1969
E arrestuan se kur vdiq Enveri u lye me buzëkuq dhe bënte xhiro…./ Historia e rrallë e Nora Prosit, që i tha Sigurimit: Zinë le t’ja mbaj Nexhmija…
“Foto Bala tregonte se Enveri, shkonte në sallën ‘Le Jardin de l’esplanade’ ku jepte konferenca Partia Komuniste franceze, më kish thënë edhe mua, por unë…”/ Biografia e panjohur e Enver Hoxhës e vitit 1969
Si urdhëroi Enveri ekzekutimin e shokut të ngushtë, profesor, Fahredin Angoni…?!
“Foto Bala tregonte se Enveri, shkonte në sallën ‘Le Jardin de l’esplanade’ ku jepte konferenca Partia Komuniste franceze, më kish thënë edhe mua, por unë…”/ Biografia e panjohur e Enver Hoxhës e vitit 1969
Memorie.al Enver Hixha
“Foto Bala tregonte se Enveri, shkonte në sallën ‘Le Jardin de l’esplanade’ ku jepte konferenca Partia Komuniste franceze, më kish thënë edhe mua, por unë…”/ Biografia e panjohur e Enver Hoxhës e vitit 1969
“Në mëngjesin e asaj nate që fjeta bashkë me Enverin në një dhomë, ai shikonte një vajzë tej dritares e më tha; është e kolme, është nxënësja ime dhe…”/ Dëshmia e profesorit dhe përkthyesit të famshëm
“Foto Bala tregonte se Enveri, shkonte në sallën ‘Le Jardin de l’esplanade’ ku jepte konferenca Partia Komuniste franceze, më kish thënë edhe mua, por unë…”/ Biografia e panjohur e Enver Hoxhës e vitit 1969
“Foto Bala tregonte se Enveri, shkonte në sallën ‘Le Jardin de l’esplanade’ ku jepte konferenca Partia Komuniste franceze, më kish thënë edhe mua, por unë…”/ Biografia e panjohur e Enver Hoxhës e vitit 1969

Nga DASHNOR KALOÇI

Pjesa e shtatë

Memorie.al /Edhe pse ishte udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste për 40 vite me radhë, duke e qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij nga 1945-sa, deri kur vdiq në 11 prillin e ’85-ës, por edhe pas vdekjes së tij e, deri në shembjen e regjimit komunist në fillimin e vitit 1991, nuk u botua kurrë një biografi zyrtare e plotë për Enver Hoxhën, ndonëse vetë ai la të shkruar një seri veprash me rreth 80 vëllime. Madje as pas viteve ’90-të e deri më sot, nuk është botuar ende një biografi për ish-diktatorin komunist Enver Hoxha, e cila të jetë e bazuar mbi dokumente arkivore që të hedhin dritë mbi origjinën e hershme të familjes, me pemën gjenealogjike të saj, si dhe një jetëshkrim të tij, nga dita që lindi e, deri kur vdiq…! Kjo me sa duket, edhe për faktin se gjatë gjithë jetës së tij, ka pasur shumë dritë hije, madje shumë njolla të errtë, të cilat bënë që ai vetë të mos jepte kurrë miratimin për botimin e një biografie të tij në një libër të veçantë, edhe pse ato biografi kanë ekzistuar në të vërtetë. Madje tre të tilla dhe me autorë të ndryshëm, të cilat gjenden edhe sot në fondin personal të Enver Hoxhës, në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.

Biografia e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u bë publike në vitin 1946, në kuadrin e “popullarizimit” të figurës së tij, si “udhëheqësi kryesor dhe sekretar i parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare me gradën gjeneral-kolonel, kryetar i kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryeministër i qeverisë shqiptare, ministër i Mbrojtjes Popullore dhe ministër i Punëve të Jashtme”. Siç shihet dhe në faksimilet përkatëse bashkangjitur këtij shkrimi, kjo biografi e cila është një libërth i vogël me 58 faqe, botuar në Shtypshkronjën “Rinia” (ish-shtypshkronja “Gutenberg”) në fletën e parë (pas kopertinës ngjyrë vishnje të errët dhe fotos së Enver Hoxhës me uniformën ushtarake të gjeneralit e medaljet në gjoks), ka të shkruar me gërma kapitale: “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”. Ajo biografi e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u përgatit për botim nga punonjësit sektorit të Agjit-Propit (Agjitacion e Propagandës) pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, por në të vërtetë hartuesi dhe autori i saj, ishte kapiteni i parë, Ndreçi Plasari, emri i të cilit nuk figuron në librin në fjalë, por gjendet i shkruar me shkrimin e tij në fletën e parë të materialit të daktilografuar që u dërgua për shtyp.

Gjithashtu mund të lexoni

“Sipas informacioneve tona, në mes të vitit 1948, raportohet se kundërshtimi i heshtur ndaj regjimit të Enver Hoxhës, mbizotëron në rreth 80% të popullatës, pasi…”/ Zbulohen dokumentet sekrete të CIA-s

“Drama ku Enveri luante rolin e Zylyftar Podës, u dha në sallën e liceut në korrik 1928 dhe të ardhurat nga biletat shkuan për statujën e Çerçiz Topullit…”/ Biografia e panjohur e Enver Hoxhës e 1969

Libri, apo më saktë broshura “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”, fillon me një përshkrim të qytetit të Gjirokastrës ku lindi Enveri më 16 tetor 1908 dhe vazhdon me disa paragrafë mbi historinë e familjes Hoxha, (gjë e cila zë vetëm dy faqet e para), ndërsa e gjithë pjesa tjetër i kushtohet rolit të tij (Enverit) gjatë periudhës së “Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare” me disa nga ngjarjet kryesore të saj, (themelimi i PKSH-së, Konferenca e Pezës, Mbledhja e Labinotit dhe krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare më 10 korrik 1943, Marrëveshja e Mukjes, Kongresi i Përmetit etj.), duke përfunduar me 11 janar 1946, me ngjarjen e shpalljes së Republikës. As sot nuk dihet me saktësi, se përse ajo broshurë me biografinë e parë zyrtare të Enver Hoxhës (ku mungon pothuajse fare një jetëshkrim i tij për periudhën e Monarkisë së Zogut), e cila e gloriofikon figurën dhe rolin e tij, (apo familjes Hoxha), që nga periudha e fëmijërisë, e deri në atë kohë që u botua, u hoq menjëherë nga qarkullimi, (thuhet pas dy-tre muajsh) dhe nuk u përdor kurrë më as për referenca, në libra, albume, apo dhe vepra të tjera kushtuar figurës së tij.

Sepse që nga ajo kohë e më pas, Enver Hoxha filloi eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, (anëtarë të Byrosë Politike, ministra, deputetë, etj.), duke i burgosur, internuar apo ekzekutuar dhe libri në fjalë më biografinë e tij, nuk mund të qarkullonte më me emrat e “armiqve të popullit”. Biografia e dytë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1950 (15.VI.1950) dhe ajo ka për autor Misto Treskën, njeri i afërt dhe shumë i besuar i Enver Hoxhës, që nga periudha e Liceut francez të Korçës dhe Grupit Komunist të atij qyteti ku ai ishte anëtar, i cili gjatë periudhës së Luftës ishte komisar politik i Batalionit partizan “Reshit Çollaku” dhe pas vitit 1944, u gradua major, duke u caktuar si prokuror dhe anëtar i trupit gjykues në Gjyqin Special të vitit 1945, i cili dënoi me vdekje ish-kryeministrin Maliq Bushati dhe anëtarët e Regjencës, Lef Nosi e Patër Anton Harapi..

Ashtu si dhe biografia e shkruar nga Ndreçi Plasari në vitin 1946, edhe ajo e Misto Treskës, e cila ka 238 faqe me shkrim dore dhe të njëjtin titull (“Enver Hoxha, një biografi e shkurtër”), e glorifikon jashtë mase figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, në të gjitha periudhat kohore që trajtohen aty. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ajo biografi e shkruar prej Misto Treskës për Enver Hoxhën, jo vetëm që nuk u botua kurrë, por as nuk u daktilografua me makinë shkrimi, si biografia e vitit 1946 e Ndreç Plasarit, apo dhe tjetra që u shkrua më pas. Po kështu, nuk dihet me saktësi nëse ky “shërbim” që i bëri Misto Treska udhëheqësit kryesor të Shqipërisë, Enver Hoxhës (me të cilin kishte njohje edhe nga periudha e studimeve në Francë), ndikoi në karrierën e tij të mëvonshme, ku ai shërbeu si jurist, përkthyes, autor librash, diplomat, ambasador i Shqipërisë në Francë, Belgjikë etj., si dhe kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, ku dhe doli në pension në vitin 1981.

Po kështu e njëjta gjë edhe për profesor Ndreçi Plasarin, historian dhe studiues i cili gjatë regjimit komunist mbajti poste të rëndësishme akademike e politike, duke qenë për një kohë të gjatë edhe nëndrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, i drejtuar nga Nexhmije Hoxha. Në ato detyra, profesor Plasari shërbeu deri në vitin 1982, kur u godit nga Partia, i akuzuar si “njeri i Mehmet Shehut, që ishte dërguar prej tij deri në arkivat britanike për të fryrë kultin e tij (Mehmetit) dhe kishte fshehur dokumentet që vërtetonin se Mehmet Shehu kishte qenë agjent i Inteligjent Servisit”!  Biografia e tretë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1969 dhe ajo ka për autor Aqif Selfon, shok i ngushtë i fëmijërisë dhe rinisë me Enverin dhe fqinj i tij në qytetin e Gjirokastrës e, më pas në Liceun francez të Korçës, ku studiuan së bashku dhe Selfo shërbeu për disa kohë edhe si kujdestar konvikti pranë atij liceu. Në faqen e parë të asaj biografie, shkruhet; “Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj dhe një jetëshkrim i shokut Enver Hoxha, për periudhën 1908-1930 dhe 1931-1939, 6.1.1969, nga Aqif Selfo”.

Ajo biografi, apo më saktë një jetëshkrim, siç e ka titulluar vetë autori i saj, (ka 124 faqe me shkrim dore, ndërsa të daktilografuara 82 faqe), ashtu si dhe ato të Ndreçi Plasarit dhe Misto Treskës, nga fillimi në fund, e glorifikon figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, madje me shtrembërime dhe falsifikime të ngjarjeve dhe fakteve historike. (Si p.sh., në fq. 46 të kujtimeve të tij, Aqif Selfo midis të tjerash shkruan se: “Enveri u nis për në Belgjikë, u vendos në Bruksel dhe filloi detyrën e sekretarit të Konsullatës. Ai qëndroi këtu pjesërisht në vitin 1934, tërë vitin 1935 dhe pjesërisht në vitin 1936. Krahas detyrës së sekretarit të Konsullatës shqiptare në Bruksel, Enveri vazhdoi edhe studimet në fakultetin juridik dhe dha provimet e vitit të dytë”. Ndërsa në një dokument tjetër arkivor që ndodhet po në fondin e personal të Enver Hoxhës, diplomati shqiptar Nos Qosja që shërbente në ambasadën tonë në Paris, midis të tjerash shkruan: “Gjatë vizitës time në Belgjikë me shokun Harrilla Kola, ne shkuam në Universitetin e Brukselit (Fakulteti i Drejtësisë) dhe pyetëm e konstatuam: Shoku Enver është regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë për vitin akademik 1934-1935. Në arkivin e atij fakulteti, ekziston kartela me këto të dhëna;

HOXHA Enver

Viti akademik 1934-1935

Datëlindja; 3 tetor 1908 (Gjirokastër)

Numri i regjistrit; 2821

Adresa e tij; “Legation d’Albania 155 Rue de la Loi, Bruksel”.

Kartela është e bardhë, nuk figuron që të ketë dhënë ndonjë provim”.

Paris, 22 shkurt 1969             Nos Qosja

Nga sa thuhet edhe tek dokumenti arkivor në fjalë, (i cili kondicion me periudhën kur është shkruar dhe biografia e Enverit nga Aqif Selfo), rezulton se Enver Hoxha nuk ka dhënë asnjë provim në Fakultetin e Drejtësisë së Brukselit, gjë e cila hedh poshtë atë që shkruan Aqif Selfo, se “Enveri dha provimet e vitit të dytë”! Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore, që ato “Kujtime” nuk u botuan kurrë si libër, pasi në periudhën që u shkruan, jetonin ende shumë nga shokët dhe bashkëmoshatarët e Enverit dhe Selfos, (në burgjet politike apo të lire), si nga periudha e fëmijërisë së tyre në qytetin e Gjirokastrës, ajo e Liceut të Korçës, apo dhe studimeve në Francë. Por edhe pse ato “Kujtime” nuk e panë kurrë dritën e botimit, me shumë gjasa i shërbyen autorit të tyre Aqif Selfo, si një mburojë për një jetë të qetë (ai punoi si mësues në Tiranë në gjimnazin “Qemal Stafa”, deri sa doli në pension), ndryshe nga dy kushërinjtë e tij, Riza dhe Syrja Selfo, të cilët Enveri i arrestoi dhe i pushkatoi, edhe pse ata e gjithë familja Selfo, e kishin ndihmuar me të holla, gjatë periudhës së Luftës, 1939-1944.

Mbi bazën e këtyre tre biografive, në vitin 1978, u botua një libër apo më saktë një tip broshurë me titull: “Enver Hoxha, udhëheqës i dashur i popullit shqiptar”- (Material për biseda, me rastin e 70 vjetorit të lindjes), ku në faqen e parë pas kopertinës, shkruhet: “Përgatitur nga sektori i edukimit marksist-leninist, pranë K.Q. të PPSH. – Në ndihmë të agjitatorëve dhe të propagandistëve”. Libri në fjalë është botuar nga Shtëpia Botuese “8-Nëntori” në Shtypshkronjën “Mihal Duri” në Tiranë. Fakti që këto tre biografitë e Enver Hoxhës ndodhen në fondin e tij personal, madje dhe me ndërhyrje e korrigjime nga persona të tjerë, në mos janë bërë me porosinë e tij, me shumë gjasa janë shkruar me miratimin e Enverit. Gjithsesi këto mbeten në kuadrin e hipotezave ku ka vend për të investiguar më gjatë, por në këtë shkrim po publikojmë fillimisht biografinë e Enver Hoxhës, e cila është shkruar nga Aqif Selfo, e cila publikohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse në disa numra, nga Memorie.al.                                       

                                                            Vijon nga numri kaluar

DOKUMENTI ARKIVOR I NXJERRË NGA FONDI PERSONAL I ENVER HOXHËS QË NDODHET NË ARKIVIN QENDROR TË SHTETIT, ME KUJTIMET E SHKRUARA NGA AQIF SELFO, MBI ORIGJINËN E FAMILJES HOXHA DHE NJË JETËSHKRIM TË ENVER HOXHËS

Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj, dhe jetëshkrimi i shokut Enver Hoxha për periudhën 1908–1930 dhe 1931 – 1939

                         Nga Aqif Selfo

6.1.1969

Por edhe kjo u zgjidh: Gjendja ekonomike jo e mirë e tij nga njëra anë dhe kryerja me sukses e klasës së tretë (troisieme) nga ana tjetër bënë që Enveri mundi të përfitojë një bursë shteti, për të vazhduar mësimet në klasën e dytë të liceut të Korçës (dmth në klasën seconde ose deuxieme). Kështu me çeljen e vitit shkollor 1927-1928 Enveri u nis për në Korçë dhe si bursist u vendos në internatin e liceut. Gjatë kohës që qëndroi në Korçë, si nxënës, Enveri, me sjelljen dhe me guximin e tij, me njohjen e gjuhës frënge më mirë se bashkënxënësit e tij dhe me kujdesin që tregonte për jetën dhe përparimin e shokëve si dhe për zhdukjen e padrejtësive të ndryshme që bëheshin nga sipërmarrësit në kurrizin e internatistëve, fitoi simpatinë e të gjithë shokëve të tij, të shkollës dhe të internatit si dhe atë të profesorëve, shqiptarë e francezë.

Në internat Enveri dhe nxënësit e tjerë të rinj, të ardhur nga liceu i Gjirokastrës, gjetën një ambient të ngrohtë. Ata gjetën shumë nxënës nga vende të ndryshme të Shqipërisë, si dhe nga Gjirokastra që jetonin në të. Njohja e njeri tjetrit ishte për të mirën e të gjithë kolektivit, si për përmirësimin e jetesës në internat, ashtu edhe për përparimin në mësime dhe për zhvillimin e horizontit të tyre kultural. Por internati i liceut të Korçës, krahas këtyre anëve të mira, kishte edhe mjaft anë të dobëta: ai nuk ishte shumë në rregull për të kryer detyrën e caktuar ashtu si duhej. Sipërmarrësit, për të fituar sa më tepër, e furnizonin internatin shumë keq, si me ushqime ashtu edhe me zjarr dhe me sende të tjera të nevojshme. Kjo gjendje shkaktonte pakënaqësinë e internatistëve. Këta kundërshtonin sa herë që ushqimi ishte i keq, ose kur nuk plotësoheshin nevojat e ngrohjes në dimër.

Kundërshtimet u bënë më të shpeshta dhe më të fuqishme në kohën që ishte në internat edhe Enveri. Enveri ishte i pari dhe iniciator në raste të tilla, se ai nuk mund të duronte padrejtësitë dhe vjedhjet që bëheshin vazhdimisht nga ana e sipërmarrësve. Prandaj sa herë që gjellët gatuheshin me mish të prishur, ose me zarzavate të këqija, aq sa nuk mund të viheshin në gojë, të gjithë internatistët ngriheshin nga tryezat pa i prekur fare. Nxënësit internatistë, aty për aty, formonin komisionin për t’u ankuar në drejtori për padrejtësitë dhe abuzimet që bëheshin. Ky komision i përbërë prej përfaqësuesve të të gjithë internatistëve shkonte në drejtorinë e internatit dhe, në raste më të rënda, shkonte edhe në drejtorinë e liceut. Protestat e fuqishme të internatistëve bënin që sipërmarrësit ta ndryshonin disi ushqimin.

Por kishte edhe raste kur protestat nga drejtoria jo vetëm që nuk merreshin parasysh por ajo merrte edhe masa ndëshkimore. Drejtoria, në këto raste, protestat dhe ankimet e nxënësve – internatistë, i quante jo të drejta dhe shkelje të disiplinës, prandaj merte edhe masa kundër iniciatorëve. Për këtë arsye në një nga këto protesta jo vetëm që nuk pati asnjë lëshim nga ana e drejtorisë, por përkundrazi, ajo mori masa ndëshkimore kundër iniciatorit kryesor, në këtë rast kundër Enverit: Enveri u dënua me përjashtim nga internati me mbi dhjetë ditë (kjo ka ndodhur aty nga viti shkollor 1928-1929).

Internati i liceut të Korçës ishte edhe një qendër e mirë për zhvillimin e horizontit kultural sidomos të përhapjes së ideve përparimtare. Nga shumë nxënës internatistë porositeshin drejt për së drejti në Francë libra të ndryshme, jo vetëm romane të autorëve francezë e të huaj, por edhe broshura politike. Nga broshurat politike që qarkullonin dorë më dorë dhe që lexoheshin prej tyre me dëshirë të madhe, ishin edhe disa libra, me format të vogël, mbi jetën dhe veprimtarinë e Leninit. Librat me karakter politik i gjurmonte dhe i porosite një nga nxënësit e liceut, internatisti Selami Xhaxhiu. (Këto broshura, më vonë, pas formimit të Partisë dhe hovit që mori lëvizja nacional-çlirimtare, u shfrytëzuan nga shokët e partisë të Gjirokastrës).

Në internat qarkullonin edhe gazeta e revista në gjuhën frënge. Një nga revistat që lexohej prej shumë nxënësve të liceut ishte edhe revista “Monde” ose “De Monde” (emri i saktë i kësaj reviste nuk më kujtohet mirë). Kjo revistë ishte përparimtare, e majtë dhe kishte mjaft artikuj që trajtonin çështje të ndryshme, sidomos mbi manjatët e kapitalit botëror, si Fordi e shumë të tjerë. Nëpërmjet këtyre artikujve të rinjtë e liceut të Korçës formonin idenë se si këta manjatë – shumë me milionerë – pasuroheshin jo nga puna e tyre por nga shfrytëzimi i egër i punës të të tjerëve, të punëtorëve. Kjo literaturë jashtë shkollore si dhe tekstet mësimore, në radhë të parë ato të historisë dhe të letërsisë, frënge dhe të përbotshme, që përdoreshin në këtë periudhë, kanë ndikuar shumë te nxënësit e liceut të Korçës pra edhe tek Enveri, në ngjalljen e urrejtjes ndaj shtypësve dhe shfrytëzuesve.

Enveri u jepte një ndihmë të madhe edhe nxënësve, të klasës së tij ose të klasave më të ulëta dhe ngandonjëherë dhe të klasave më të larta, që ishin të dobët në gjuhën frënge. Ndihma e tij ishte në radhë të parë në plotësimin e boshllëqeve që kishin këta në gjuhën frënge dhe në këtë mënyrë ata arrinin në nivelin e shokëve të klasës dhe mund të merrnin nota të mira. Një ndihmë tjetër me rëndësi ishte edhe udhëzimet që u jepte Enveri shumë shokëve të tij, internatistëve ose të jashtme të liceut, mbi mënyrën si të bëheshin më mirë hartimet, komentet letrare e tjera. Enveri fitoi me sjelljen e tij dhe përparimin në gjuhë e në histori simpatinë e profesorëve dhe sidomos të K. Cipos, të Gorigut, të Brexhos etj.

Koha e provimeve, sidomos për nxënësit e dy viteve të fundit të liceut ishte periudha më e lodhshme. Në këtë kohë Enveri, si gjithë nxënësit e këtyre klasave, e shfrytëzonte këtë kohë në maksimum (pas mbarimit të mësimeve nxënësit e dy klasave të fundit kishin disa ditë pushim që shfrytëzoheshin për t’u pregatitur për provimet me shkrim dhe për ato me gojë – provimet me gojë, për ata që fitonin me shkrim, zhvilloheshin, në të gjitha lëndët brenda një dite), ai punonte me orë të tëra, që pa gdhirë mirë, deri në orët e vona të mbrëmjes, si në internat ashtu edhe jashtë internatit, në kodrat e qytetit të Korçës, në vende të qeta, larg zhurmës së qytetit.

Po ndodhte që, në kohën e provimeve, ndonjë nga shokët e ndjente veten jo të sigurtë për marrjen e provimeve me shkrim, më shumë nga ethet e provimeve, se sa nga pregatitja e dobët, Enveri, në këtë rast, bënte çmos që ky të hynte në provim dhe ashtu ndodhte. Nga ky interesim i Enverit, nxënësi që e ndjente veten jo të sigurtë hynte në provime me shkrim dhe i fitonte jo vetëm atë por edhe provimet me gojë: kështu ai fitonte klasën.

Në vitin shkollor 1929-1930 Enveri ishte në vitin e fundit të liceut (në degën filozofi). Në qershor 1930 ai dha provimet, si gjithë shokët, e klasës së filozofisë dhe kështu mbaroi mësimet e liceut, të shkollës së mesme, me sukses. Pra me mbarimin e liceut të Korçës, Enveri ishte një djalosh afër njëzet e dy vjeçar. Dëshira e tij e zjarrtë ishte vazhdimi i studimeve të larta jashtë shtetit, për të thelluar edhe më shumë dituritë dhe kulturën që kishte marrë deri ahere dhe për t’i vënë ato në shërbim të popullit dhe të atdheut të tij.

Enver Hoxha gjatë viteve 1930-1939

Vitet jashtë shtetit, 1930-1936

Mbarimi i liceut me sukses ishte për Enverin, si dhe për të gjithë të rinjtë që mbaronin një shkollë të mesme, jo vetëm një kënaqësi e madhe për kulturën e fituar, por edhe hapja e rrugës për ndjekjen e studimeve të larta, për zgjerimin e mëtejshëm të kësaj kulture. Por ndjekja e studimeve të larta, në atë kohë, në regjimin e injorancës, ishte një me privilegj i disave, i një pakice të vogël. Kurse bijtë e shtresave të tjera, të qytetarëve të mesme dhe të kategorive të tjera, duhej të kënaqeshin me atë kulturë të fituar me shumë sakrifica në shkollën e mesme dhe të emëroheshin diku si nëpunës të thjeshtë shteti.

Në këtë kategori hynte edhe familja e Enverit. Prandaj për të ndjekja e studimeve të larta kushtëzohej vetëm në akordimin e një burse shteti, meqënëse gjendja ekonomike e familjes së tij ishte tepër e vështirë; ajo nuk ishte në gjendje që të përballonte shpenzimet për mbajtjen e djalit të tyre, për disa vjet, jashtë shtetit. Por mbarimi i liceut me sukses dhe si bursist që ishte, në vjetët e fundit të shkollës së mesme, ne liceun e Korçës, Enverit iu akordua bursa e shtetit në fakultetin e shkencave të natyrës. Akordimi i kësaj burse ishte një gëzim i madh për të megjithëse dega që i qe caktuar nuk e kishte fort në zemër; ai dëshironte më shumë të ndiqte fakultetin e letrave ose të historisë.

Enveri shkoi në Francë në vitin 1930, në qytetin më universitar, Montpellier. Këtu ai u regjistrua në fakultetin e caktuar nga shteti, në fakultetin e Shkencave të Natyrës. Në Montpellier Enveri krahas ndjekjes së kurseve në fakultetin e Shkencave të Natyrës, pati rastin të lexonte, për zgjerimin e horizontit të tij kultural e politik dhe shumë vepra nga letërsia frënge të autoreve të njohur përparimtare, si Henri Barbys, Roman Roland etj; historia e revolucionit frëng të vitit 1789, si dhe literaturën me marksiste-leniniste dhe gazeta e revista të së majtës, përparimtare.

Krahas shtypit përparimtar frëng në qytet dhe qendrat industrial, ku kishte studentë dhe punëtorë shqiptarë, shkonte edhe gazeta “Liria Kombëtare”. (“La Liberte Nationale”) që botohej në Gjenevë (Zvicër) nga të arratisurit politik të vitit 1924. Kjo gazetë dilte nën drejtimin e Omer Nishanit. “Liria Kombëtare” shkonte edhe në Montpellier. Ajo shkonte dorë më dorë dhe lexohej nga shumica e studentëve d.m.th. nga studentët që njiheshin për idetë e tyre përparimtare dhe që ishin kundër regjimit të Zogut.

Një bashkënxënës i Enverit që kishte mbaruar liceun po në vitin 1930 dhe kishte shkuar për të ndjekur studimet e larta, në Montpellier, thotë: “Enveri lexonte me fort gazetat dhe revistat përparimtare, të së majtës. Ai shkonte edhe në konferenca të ndryshme sidomos në sallën e konferencave popullore – ‘Le Jardin de l’esplanade’ – Në këtë sallë mbaheshin shpesh herë konferenca të rrymave të ndryshme si dhe të Partisë Komuniste franceze. Disa herë më kish thënë edhe mua që të shkonim bashkë, por unë nuk kisha shkuar ndonjëherë”. (Foto Bala)

Kurse një ish nxënës i liceut të Korçës, që studionte në Montpellier dhe që mbaroi studimet e larta në vitin 1931, thotë: “Për mua Enveri ka qenë i dashur, i sjellur dhe dorë-liruar d.m.th., kur kish nevojë ndonjë, ai bënte çmos për ta ndihmuar” – dhe shton: “Enveri ishte nga ata që po të kishte 5, të jepte 3”. (Niko Stralla). Një bashkënxënës tjetër i Enverit që kish mbaruar liceun e Korçës dhe ndiqte studimet në Montpellier, tregon qëndrimin e studentëve shqiptarë ndaj një shoqërie të formuar nga studentët grekë dhe jugosllavë.

Ai thotë: “Një grup studentësh grekë dhe jugosllavë, që ndiqnin studimet e tyre në Francë, kishin marrë iniciativën për formimin e një shoqërie, me qëllim që të përfshinte në të gjithë studentët e vendeve të Ballkanit që studionin në Francë. Grupi iniciator aty nga viti 1932 ose 1933 dërgoi të deleguarit e tij edhe në Montpellier për të biseduar me studentët e vendeve të Ballkanit që gjendeshin aty, me studentët shqiptarë, bullgarë etj. Për këtë qëllim u organizua një mbledhje. Në këtë mbledhje muarën pjesë studentët e vendeve të Ballkanit si dhe shqiptarët. Nga studentët shqiptarë ishin, ndërmjet të tjerëve, Enver Hoxha, Shefqet Shkupi, Abas Xhomo.

Në mbledhje të deleguarit e këtij grupi folën mbi formimin e shoqërisë dhe për qëllimet e saj. Shoqëria kishte për qëllim të përfshinte, në gjirin e saj, gjithë studentët e këtyre vendeve. Ata tërthorazi treguan në mbledhje qëllimet e vërteta të formimit të kësaj shoqërie; shoqëria ishte formuar që t’i udhëhiqte studentët e këtyre vendeve në favor të Greqisë dhe të Jugosllavisë.

Në mbledhje të deleguarve të këtij grupi iu bënë shumë pyetje dhe në radhë të parë: çfarë të drejta do të kishin studentët shqiptarë të Kosovës dhe studentët bullgarë të Maqedonisë në shtetin jugosllav? A do të ishte në gjendje kjo organizatë që t’i ndihmonte për këtë qëllim dhe t’i mbronte që jo vetëm të ktheheshin në shtëpitë e tyre, por edhe të kishin të gjitha të drejtat e qytetarëve jugosllavë. Të deleguarit iu përgjigjen këtyre pyetjeve me shumë fjalë boshe. Ahere studentët shqiptarë, që ishin në mbledhje, duke parë qëllimin e vërtetë të kësaj shoqërie, vendosën, aty për aty, për ta hedhur poshtë propozimin e tyre dhe duallën jashtë. Po këtë qëndrim mbajtën edhe studentët bullgarë dhe disa studentë të vendeve të tjera të Ballkanit.

Enveri në Montpellier vazhdoi, për një kohë, fakultetin e Shkencave të Natyrës, por më vonë ai e ndërroi degën dhe filloi të ndiqte Shkencat Juridike. Në këtë kohë, po në Montpellier, ai dha provimet e vitit të parë dhe pjesërisht provimet e vitit të dytë. Ndërkohë Ministria e Arsimit, në fillim të vitit 1934, i preu bursën. Enveri pasi qëndroi edhe disa dit në Montpellier, u nis për në Paris me shpresë që të gjente pune dhe të vazhdonte studimet./ Memorie.al

                                                          Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Sipas informacioneve tona, në mes të vitit 1948, raportohet se kundërshtimi i heshtur ndaj regjimit të Enver Hoxhës, mbizotëron në rreth 80% të popullatës, pasi...”/ Zbulohen dokumentet sekrete të CIA-s

Artikuj të ngjashëm

“Pak para se të arratisej, ai ishte shumë i shqetësuar, dyshonte për vdekjen e vëllait dhe…”/ Dëshmia e rrallë e gruas së Panajot Plakut, ish-ministrit dhe gjeneralit që u arratis në Jugosllavi
Dossier

“Sipas informacioneve tona, në mes të vitit 1948, raportohet se kundërshtimi i heshtur ndaj regjimit të Enver Hoxhës, mbizotëron në rreth 80% të popullatës, pasi…”/ Zbulohen dokumentet sekrete të CIA-s

October 28, 2026
“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!
Dossier

“Drama ku Enveri luante rolin e Zylyftar Podës, u dha në sallën e liceut në korrik 1928 dhe të ardhurat nga biletat shkuan për statujën e Çerçiz Topullit…”/ Biografia e panjohur e Enver Hoxhës e 1969

October 27, 2026
Si na stërvitnin amerikanët në kampet e Gjermanisë për të desantuar në Shqipëri kundër Enver Hoxhës…/Deponimi i diversantit (fotot e papublikuara)
Dossier

“I gjithë projekti për përmbysjen e regjimit të Hoxhës duhet të ri hartohet, në mos të braktiset krejtësisht, nëse sovjetikët me një grusht shteti në Jugosllavi, do të…”/ Zbulohen dokumentet sekrete të CIA-s

October 28, 2026
E arrestuan se kur vdiq Enveri u lye me buzëkuq dhe bënte xhiro…./ Historia e rrallë e Nora Prosit, që i tha Sigurimit: Zinë le t’ja mbaj Nexhmija…
Dossier

“Në dhjetor 1924, nxënësit e liceut të Gjirokastrës, me djaloshin 16 vjeçar Enver Hoxha në krye, kërkonin armë për të luftuar kundër kthimit të Zogut…”/ Biografia e vitit 1969, nga fondi personal i Enverit

October 27, 2026
“Më 27 shkurt 1950, ministri i Brendshëm Mehmet Shehu, u largua urgjent nga një mbledhje, dhe kur u kthye pas një ore, tha se ministri i Transporteve, kishte vrarë veten…”/ Dokumentet e deklasifikuara të CIA-s
Dossier

“Një rivalitet mes Enver Hoxhës dhe ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu, duket se është i parëndësishëm, pasi të dy kontrollohen nga Kremlini dhe…”/ Zbulohen dokumentet sekrete të CIA-s

October 27, 2026
“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!
Dossier

“Në 1920-ën, në përcjelljen e vullnetarëve gjirokastritë për në luftën e Vlorës dhe në hedhjen në det të italianëve, ishte edhe djaloshi 12 vjeçar Enver Hoxha…”/ Zbulohet biografia e panjohur e vitit 1969

October 26, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme