Dashnor Kaloçi
pjesa e parë
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerr nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që mban siglën “sekret” dhe i përket vitit 1987, ku ndodhet një raport-informacion i ambasadorit shqiptar Idriz Bardhi që asokohe shërbente në Vjenë, i cili informon eprorët e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me incidentin që i kishte ndodhur diplomatit të ambasadës shqiptare në Pragë, Vullnet Thanasi, që ishte arrestuar nga ana e autoriteteve policore austriake, pasi ishte kapur në një nga doganat e kufirit Austrinë, me 3.000 paketa cigaresh të markës “Marlboro” që po përpiqej t’i kalonte kontrabandë. Historia e panjohur e nipit të Hysni Kapos, i cili në fundin e viteve ’70-të, kur shërbente si oficer i Sigurimit të Shtetit, me anë të një letre dërguar Enver Hoxhës, e akuzonte eprorin e tij, zv/ministrin e Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, që ishte njëkohësisht edhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit, si agjent i UDB-së…!? Shkarkimi i tij nga detyra, pas asaj letre dhe dërgimi si punonjës i thjeshtë në burgun e Bulqizës, ku punoi deri në vitin 1982 që u arrestua Feçor Shehu dhe dërgimi i tij në ambasadën shqiptare në Pragë, ku dhe u arrestua për “kontrabandë cigaresh”, e pasi tre sampistët e ‘Repartit 326’ e sollën në Tiranë, përfundoi përsëri në burg, por kësaj radhe me pranga në duar, si i dënuar politik…!?
Raport-informacioni i ambasadorit Idriz Bardhi në Vjenë, për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë
AMBASADA E REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE
TE SHQIPERISE
NE AUSTRI
Nr. 183 Prot. Vjenë më 26.8.1987
MINISTRISË SE PUNËVE TE JASHTME
T i r a n ë
Bashkëngjitur po ju dërgojmë informacionin në lidhje me incidentin që ndodhi me Vullnet Thanasin, si dhe kopjen e gazetës “Kurier” të datës 24 gusht 1987 për këtë ngjarje.
A M B A S A D O R I
(Idriz Bardhi)
I N F O R M A C I O N
Më datën 21.81987 rreth orës 16.00, dezhurni i ambasadës Arben Iliriani, u njoftua nga Dogana qendrore e Vjenës se në pikën kufitare midis Çekosllovakisë dhe Austrisë, pranë qytetit austriak Hallabrun, ishte kapur për kontrabandë cigaresh, diplomati shqiptar i Ambasadës së Pragës, Vullnet Thanasi, i cili ishte arrestuar nga autoritetet doganore dhe do të sillej në Vjenë për të bërë hetime të mëtejshme. Nëpunësi i doganës i tha dezhurnit emrin e mbiemrin e personit, numrin e pasaportës dhe targën e makinës me të cilën ai udhëtonte. Ai gjithashtu kërkoi që një përfaqësues i ambasadës sonë në Vjenë të ishte i pranishëm gjatë procesit hetimor.
Menjëherë dezhurni njoftoi Petrit Bushatin, i cili mori në telefon Doganën qendrore për të pyetur se si qëndronte puna. Nëpunësi i Doganës konfirmoi edhe njëherë ato që kishte thënë në dezhurnit dhe tha se ende nuk kishin një informacion të plotë rreth ngjarjes, duke kërkuar përsëri që kur Vullnet Thanasi të mbërrinte në Vjenë, një përfaqësues i ambasadës të ndodhej në doganë për të sqaruar më tej çështjen. Nga ne, i’u tha nëpunësit të doganës, se kjo nuk ishte e mundur dhe se do të ishte bërë ndonjë gabim ose do të kishte ndonjë keqkuptim.
Para se të shkonim në zyrat e doganës, për të verifikuar çështjen, duke menduar se mos ishte ndonjë keqkuptim apo provokacion, morëm në telefon ambasadën tonë në Pragë, shokun I. Dhrami, i cili na tha se Vullnet Thanasi duhej të ishte në Pragë, sepse paradite ishte larguar nga ambasada për të kryer disa punë dhe se pasaportën e tij diplomatike e kishte në Ambasadë.
Rreth orës 18.00 në zyrat e doganës shkuan shokët P. Bushati, I. Çepani dhe K. Brati, ku u takuan me nëpunësin e doganës, me të cilin biseduan në telefon. Ai u tha se nëpunësit doganierë akoma nuk e kishin sjellë Vullnet Thanasin në Vjenë dhe pritej që ai të vinte pas një ore. Ai u bëri të qartë shokëve se i lartë përmenduri ndodhej nën arrest dhe se për lirimin e tij të përkohshëm me kusht duhej paguar një kaucion (garanci) prej 70.000 shilingash. Ndërkohë shokët u kthyen në Ambasadë ku u konsultuan edhe me shokun Idriz Bardhi, i cili sapo kishte mbërritur nga Tirana. U vendos që çështja të trajtohej me urtësi e gjakftohtësi dhe të bëhej përpjekje që Vullnet Thanasi të lirohej nga arresti, duke argumentuar se ka imunitet diplomatik dhe në bazë të konventës përkatëse, nuk mund të mbahej i arrestuar dhe se ambasada merrte përsipër për të sqaruar më mirë çështjen pasi të lirohej Vullnet Thanasi.
Rreth orës 20, të tre shokët e ambasadës sonë shkuan përsëri në zyrat e doganës, ku pas dhjetë minutash tre nëpunës të doganës, njeri prej tyre i armatosur, sollën Vullnet Thanasin, të cilin e kishin vënë në mes.
Inspektori i Seksionit të trafikut të paligjshëm të duhanit, Zips, i ftoi shokët tanë që të shkonin në zyrën e tij për të sqaruar më tej çështjen. Ai, atje u tha se në praninë tonë dhe të Vullnet Thanasit, do të hartohej një proces-verbal, në të cilin do të shkruheshin rrethanat e ngjarjes dhe thëniet e të kapurit në faj. Ai na sqaroi gjithashtu se, sipas udhëzimeve që kishte dogana, në raste të tilla thirreshin për të qenë të pranishëm vetëm përfaqësues të disa ambasadave të caktuara, në të cilat përfshihej edhe Shqipëria dhe kjo bëhej për të krijuar rrethana lehtësuese e për të gjetur rrugëzgjidhje të përshtatshme. Pastaj ai lexoi një proces që ishte mbajtur në kufi ku thuhej:
Në orën 15.30 të datës 21.8.1987, në pikën kufitare midis Hallabrunit, qytet austriak, dhe Znajmit, qytet çekosllovak, u ndalua makina e tipit “Lada” me targë diplomatike të Pragës. Doganieri austriak i kërkoi Vullnet Thanasit nëse kishte ndonjë gjë për të deklaruar në doganë dhe ai u përgjigj se nuk kishte ndonjë gjë. Doganieri e pyeti përsëri nëse kishte cigare dhe Vullnet Thanasi i tha se kishte vetëm një stekë (10 paketa) cigare “Marlboro”, të cilën e kishte në ndenjësen e parë të makinës. Doganieri e pyeti nëse mos kishte të tjera dhe Vullnet Thanasi i tha se nuk kishte të tjera, duke i ofruar doganierit dy paketa cigare nga steka që kishte në ndenjësen e parë. Atëhere doganieri i kërkoi atij të bënte kontrollin e imët të makinës, por i lartë përmenduri e kundërshtoi, duke i thënë se gëzon status diplomatik. Atëhere Vullnet Thanasi i tha se nuk kuptonte gjermanisht dhe biseda u zhvillua në anglisht, të cilën ai e fliste dhe e kuptonte mirë. Pasi doganieri insistoi që të hapej bagazhi i pasmë i makinës, në të u konstatua se në një çantë të madhe të zezë ndodheshin 300 steka (3.000 paketa) cigare të markës “Marlboro”. Kur u pyet nga Dogana se për kë i kishte këto cigare dhe se ku donte t’i çonte, Vullnet Thanasi tha se i kishte për disa shoferë shqiptarë në Vjenë. Pastaj në proces thuhej se në bazë të ligjeve austriake trafiku i paligjshëm i duhanit që është monopol shtetëror ishte i ndaluar, prandaj arrestohej Vullnet Thanasi.
Pasi lexoi këtë proces-verbal, inspektori Zips, pyeti nëse ne pranonim që të ishim si ndërmjetës dhe përkthyes për të sqaruar çështjen.
Sh. Petrit Bushati i tha se para se të fillonte hartimi i një proces-verbali të dytë, si përfaqësues të Ambasadës shqiptare në Austri, kërkojmë që të lirohet nga arresti Vullnet Thanasi dhe më pas jemi të gatshëm që të sqarojmë më tej rrethanat e ngjarjes. Ju tha se nuk mund të mbani nën arrest një diplomat, pavarësisht se përse akuzohet ai. Dhe se në bazë të të konventës për imunitetin diplomatik, ai duhej të lirohej ose të shpallej person i padëshirueshëm në Austri dhe të urdhërohej të largohej sa më parë.
Inspektori Zips, pas kësaj ndërhyrje e lexoi ligjin austriak, në bazë të të cilit gëzojnë imunitet diplomatik vetëm diplomatët e akredituar në Austri dhe ata diplomatë që janë caktuar në një vend tjetër dhe gjatë shkuarjes në detyrë, kalojnë transit nëpër Austri. Atëhere shoku Petrit Bushati, pyeti nëse ky ligj është zbatuar ndonjë herë tjetër në ndonjë rast të ngjashëm dhe nëpunësit e doganës, i thanë se këto janë raste të rëndomta dhe se shumë diplomatë të vendeve të tjera që janë kapur në raste futjesh mallrash të paligjshëm në Austri, janë arrestuar dhe janë liruar vetëm pasi është paguar gjoba ose garancia në të holla. Petriti tha se çështja nuk është e qartë nëse këtu kemi të bëjmë vërtetë me një rast kontrabande, sepse Vullnet Thanasi thotë se nuk është marrë vesh me doganierët në kufi.
Vjenë, 25.8.1987 A M B A S A D O R I
(Idriz Bardhi)
Vullnet Thanasi, ish-oficeri i Sigurimit që i shkroi një letër Enver Hoxhës, ku akuzonte eprorin e tij, Feçorr Shehu, si agjent të UDB-së
Jo vetëm ngjarja e largët e vitit 1987 e cila ka qenë ë mbuluar me mister për vite me radhë, por dhe vetë biografia e Vullnet Thanasit, pothuajse është krejtësisht e panjohur! Sipas disa dëshmive të ish-kolegëve të tij, rezulton se Vullnet Thanasi është nipi i Hysni Kapos (djali i motrës) dhe ai ka lindur në fshatin Tragjas të Vlorës, prej nga ishte dhe origjina e babait te tij. Ai pasi studioi dhe u diplomua në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, (Sauk), në mesin e viteve ’60-të (dega Sigurim), për disa vjet me shërbeu si oficer i Sigurimit të Shtetit dhe në vitin 1969-’70, kreu dhe një kurs kualifikimi për “oficer zbulues” po në Sauk. Karriera e tij në ato organe vazhdoi deri nga fundi i viteve ’70-të, kohë në të cilën thuhet se ai pati një përplasje, apo më saktë një konflikt me eprorin e tij, Feçorr Shehu, dhe si rezultat, ai u detyrua që t’i bënte një letër në adresë të Enver Hoxhës, ku në mes të tjerash thuhet se e akuzonte Feçorr Shehun, (asokohe Drejtori i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), edhe si agjent të UDB-së…! Gjë e cila si duket solli dhe shkarkimin e tij nga detyra e Oficerit të Sigurimit, dhe dërgimin e tij si punonjës kartoteke në disa kampe burgje (Institucione të Riedukimit të Veprave Penale), si Bulqizë etj. Kjo “masë e lehtë” ndaj tij, thuhet se u ndërmor, edhe për faktin se ai ishte, nipi i Hysni Kapos?! Në atë pozicion pune, Thanasi e ushtroi detyrën e tij deri nga viti 1982, kohë në të cilën u arrestua Feçorr Shehu me akuzën si “armik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut”. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016