Nga Uvil Zajmi
-Ky shkrim publikohet në shenjë homazhi pas ndarjes nga jeta para disa ditëve të ish-portierit të ekipit të Tiranës, Mihal Konomi –
Memorie.al / Të gjithë e kanë njohur me emrin Llaqi, por në të vërtetë e ka Mihal. Mihal Konomi ose Llaq Konomi dhe menjëherë të vjen në mëndje portieri shtatlartë i “17 Nëntorit” të viteve 70’. Nuk ka ndryshuar, është po ajo staturë fizike, flet pak shumë i thjeshtë e mjaft modest. Shumë pak është folur e treguar për të, ndonëse historia e tij është e veçantë…!
Në Delvinë, atje fillon karriera
Një karrierë e filluar në vitet 60’të me të rinjtë e Tiranës. Një konstrukt i veçantë dhe modern për kohën, shumë shpejt kalon me ekipin e parë, stërvitet në krah të Ilir Elinit, por pa luajtur takime zyrtare. Për ndeshjen me “Kilmarnokun” (Skoci), për Kupën e Kampioneve, në vitin 1964, grumbullohet por nuk udhëton, pasi është shumë i ri, 16-17 vjeç, nuk ka eksperiencë e “17 Nëntori” merr si përforcim Mikel Jankun e “Partizanit”. Ndërsa mbyllet cikli i të rinjve, ku respekti dhe konsiderata është shumë e veçantë për punën e Xhavit Demnerit, Konomi që sapo ka mbaruar Teknikumin e Fizkulturës në Tiranë, merr emërimin në Delvinë, si mësues i Edukimit Fizik në shkollën e mesme “10 Korriku”.
Luan një vit me ekipin “Bistrica” në kategorinë e dytë. Pastaj një tjetër transferim, tashmë në skajin e largët, në Kukës, por për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak dy vjeçar. Vitin e parë luan me “Përparimin”, ndërsa në të dytin aktivizohet në Tropojë me “Valbonën”, ku edhe përfundon ushtrinë. Kthehet në Tiranë dhe është në vëmendje të “Dinamos” e “Partizanit”, por një sugjerim i ish-trajnerit tek të rinjtë, Xike Bulku, për Lym Allën, bën që të fillojë menjëherë stërvitjen me “17 Nëntorin”.
Dokumentet, ndërhyrja e Hykës
Janar të vitit 1970. Llaqi është gati për të luajtur por dokumentet e arsimit kanë mbetur në Delvinë dhe është problem, pasi pa to e i pa punë nuk bëhet federimi, një rregull ky i vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ndërkohë që klubi i bën një punësim provizor: E regjistron në bordero si punonjës fushe dhe bashkë me veteranin Sevdulla, kujdesen për fushën e “Qytetit të nxënësve”. Me këtë mënyrë gjetjeje Llaqi mund të aktivizohej në kampionat, po që kjo kjo nuk zgjati shumë. Vazhdon të stërvitet pa zhurmë dhe bashkë me Bujar Tafajn nën kujdesin e Met Metanit, ish-portierin e Tiranës. Ndeshja e parë e Llaq Konomit më “17 Nëntorin”, është ajo në Durrës ndaj “Lokomotivës”, me të ndjerin Kujtim Kika në portë.
Pastaj vijojnë ndeshjet e tjera, për të ardhur tek takimi në Vlorë në sfidën e radhës ndaj “Flamurtarit”. “Roburi”, autobusi tradicional i klubit me shofer Safetin, po i ngjitej qafës së Koshovicës sapo kalon Fierin, Skënder Hyka, të (cilit nuk ja harron kurrë), i afrohet Llaqit e i thotë: “Kemi shans të mirë për të zgjidhur problemin e dokumenteve, pasi në autobus me ekipin është edhe Manol Muçka, shefi i seksionit të arsimit në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, që shoqëron skuadrën. Pa hezituar, Hyka i afrohet dhe i flet Muçkës për problemin e Konomit. Dhe pa zgjatur, të martën që vijon, Llaqi merr emërimin në shkollën tetëvjeçare “Naim Frashëri” në Tiranë.
Nga maja e piramidës te thembra e Akilit
Kështu e përcakton Llaq Konomi atë periudhë. “Përballja ndaj ‘Ajaksit’ ka qenë ndeshja e jetës sime”, tregon ai. Skuadra ishte e grumbulluar në hotel “Butrinti” në Plazh, për të bërë fazën e parë të përgatitjes, një 15-ditësh që zakonisht kalohej në bregdet, pastaj 15 –të ditë në mal të Dajtit. Ndërsa askush nuk mund të pinte edhe një gotë birrë, pasi nuk lejohej nga trajnerët, pikërisht ditën e hedhjes së shortit, Llaqi merr rrugën në këmbë, nga hoteli për tek “Plepat”, për të pirë fshehurazi dhe i vetëm një gotë birrë, por më shumë për të dëgjuar e marrë informacion, mbi hedhjen e shortit të Kupës së Kampionëve.
Informacioni merrej vetëm nga radio, pasi TV nuk kishte. Ishte ora e lajmeve të mbrëmjes dhe pas tyre flitej për sport. Kur spikeri thotë se pas shortit të hedhur në Zyrih, kundërshtari i “17 Nëntorit” do të jetë “Ajaksi” i Amsterdamit, pa e pirë krikllën e birrës, Llaqi ka nisur vrapin për në hotel, për t’i dhënë lajmin shokëve. Një vrap nga Plepat tek “Butriniti” si Leonida i Termopileve. Të parin takon Kazanxhiun e pastaj të tjerët. Për “Ajaksin” askush nuk dinte më shumë se humbjes dramatike 4-1 që i kishte shkaktuar “Milani” një vit më parë. Ishte një ekip në formim, më një filozofi që frytet do t’i jepte më vonë.
Prag sfida, grumbullimi te “Donika”
Historia e ndeshjes kundër “Ajaksit” është shumë e veçantë. Skuadra u grumbullua në hotel “Donika” në Tiranë qëndroi për më shumë se 1 muaj. Zhvilloheshin tre stërvitje në ditë: gjimnastika e mëngjesit te Liqeni, pastaj 90-të minuta stërvitje në “Qytet të nxënësve” dhe si zakonisht stërvitja në mesditë. Dy javët e fundit stërvitja e mesditës, u zhvillua në stadiumin “Dinamo”, për arsye se ishte fushë më bar dhe jo si ajo e “Qytetit të nxënësve” ku bëhej në tokë të thatë. Disa ditë para ndeshjes u organizuan tre analiza. Në të parën mori pjesë edhe një drejtues partie, në të dytën ishte i pranishëm Manush Myftiu (kujton se biseda e tij ishte normale, pa vënë kushte partie që ishin aktuale për kohën), ndërsa në stërvitjen e ditës së hënë, në stadiumin “Dinamo” vjen Beqir Balluku, Ministër i Mbrojtjes.
Takon skuadrën dhe i thotë: “Kam besim tek ju, do të nxirrni një ndeshje të mirë e me rezultat pozitiv”. Ndërsa ditën e ndeshjes Lym Alla nuk bëri analizë të veçantë. Duke mos patur shumë informacion për “Ajaksin”, ai e ndërtoi skemën taktike duke u bazuar tek forca e ekipit, aftësitë individuale të lojtarëve, loja kolektive, tradita, sakrifica, etj. Për “Ajaksin” askush nuk dinte më shumë se humbjes dramatike 4-1 që i kishte shkaktuar “Milani” një vit më pare, një takim i ndjekur në ato pak televizorë të kohës. “Shkuam në “Qemal Stafa”, për të ndjekur stërvitjen e tyre, një ditë para takimit.
Djem më të pashëm, me flokë të gjata, nuk kisha parë. Kur iu afrova Holshfit, më duk si një re e madhe që më mbuloi”- kujton Konomi. “Ishte një ekip në formim, më një filozofi të veçantë që frytet do t’i jepte më vonë. Flitej për një të ri me emrin Johan Krujf. Atë e pamë vetëm në stërvitjen, duke kapur topat pas portës. Atë natë – vazhdon Konomi – të grumbulluar te dhoma e Niko Xhaçkës, të gjithë kishim emocion të madh. Kemi ndenjur pa gjumë deri në dy pas mesnate, duke dëgjuar nga një magnetofon me shirit këngët e Beatles e Rollingstone, nuk na zinte gjumi. Unë kam pirë katër luminal, por ishte e pamundur të flija”.
Të ardhurit për përforcim
Për takimin ndaj “Ajaksit”, tek “17 Nëntori” kishin ardhur për përforcim tre futbollistë nga “Dinamo”, Çeço, Zhega dhe Xhafa. Për natyrën, karakterin dhe filozofinë e Allës, të gjithë e dinin se nuk ishte për të marrë lojtarë nga ekipet e tjera. Nëse Lym Alla do të zgjidhte, ai kishte vlerësim për dy futbollistë: Panon dhe Ilir Përnaskën. “Me këto dy lojtarë – thoshte – fitoj edhe Kupën e Kampionëve”. Sidoqoftë, Alla nuk e refuzoi ndërhyrjen e FShF-së për ti marrë, pasi të tre ishin lojtarë të njohur, në kulmin e formës dhe titullarë tek klubi i tyre por edhe në kombëtare. Edhe në këtë takim ata ishin deçizivë.
Fanellat e mykura
Ndërkohë edhe sot Llaq Konomi nuk e di pse skuadra vendosi të luajë me fanellën blu, e jo me vizat vertikale bardhe-blu. Ndoshta drejtuesit nostalgjikë të klubit orientuan ngjyrën blu, si atë tradicionale ndër vite. “Tjetër arsye nuk ka – kujton Konomi. Ishin fanella që u nxorën nga magazinat e që vinin erë myk nga vjetërsia dhe mos përdorimi”. Para ndeshjes, vapë e madhe, vetëm pak fjalë në dhomat e zhveshjes, ndërsa me Llaqin, Lymi u tregua shumë indiferent. Asnjë koment, asnjë bisedë, por pa harruar momentin e daljes në fushë.
I afrohet e i thotë: “Dëgjo Konom, edhe sikur 20 gola të pësosh mos e çaj kokën’. Lymi deshi të më ruante nga ana psikologjike prandaj veproi në atë mënyrë. Pastaj vjen kontrolli i këpucëve, ku si Kazanxhiu që nuk e lanë të luante i kishim thuajse të gjithë (pak futbollistë kishin këpucët me taka plastike, të tjerët me taka sholle)”. Llaqi mundi t’i shpëtojë kontrollit, duke u përfshirë me spektatorët që ishin në pistë.
Ndeshja, golat, zëvendësimi
Ndeshja pati pati dy pamje. Fillimi kur të gjithë ishin të mpirë dhe për 5-6 minuta pa mundur të kapin topin qarkulluar nga “Ajaksi”. Pastaj vjen goli i parë i tyre. “Kujtoj pasimet Hulshof-Neskens dhe Surbier, që pas 50 metra vrapim e shoh pak diagonal në të majtën time. Gjuajtën e tij e kam enda në kujtesë. E kam prekur topin me gishtin e dorës, por pa mundur ta devijoj”. Në pushim trajneri Alla jep kurajo, e thotë se janë përmbysur rezultate e “17 Nëntori”, duhet të luftojë deri në fund. Pjesa e dytë ka tjetër paraqitje, ndonëse Surbier godet sërish duke shënuar, pas asaj gjuajte të kalibruar nga larg. Dhe trajneri Alla e ka zëvendësuar Konomin me Durim Hatibin.
Ndërkohë, në lojë është fituar Kazanxhi, që vetëm pak minuta pas golit të holandezëve ka realizuar me kokë golin e parë për të ardhur te golin historik i barazimit 2-2: Ishte një kombinim tipik holandez Kasmi – Mema – Hyka (topi i pa prekur nga holandezët) dhe Zhega që finalizon. Pas ndeshjes të tërbuar, në dhomat e zhveshjes së “Ajaksit” dëgjohej ulërima e trajnerit Rinus Mishels, ndaj lojtarëve të tij. Ndërsa autobusi “Robur” me futbollistët tiranas i është dashur një orë për tu rikthyer te hotel “Donika”, pasi rruga ishte e mbushur dhe nga entuziazmi njerëzit kishin bllokuar bulevardin qendror.
Dhuratat dhe interesimi I fotografëve
Nga takimi me “Ajaksin” nuk i ka mbetur asnjë kujtim. “Dy tre foto, pasi fotografët holandezë më fotografonin në vazhdimësi se i bënte përshtypje konstrukti im i gjatë. Por edhe një flamur i klubit dhe një mini-top futbolli i vogël, që u dhuruan para ndeshje nga futbollistët holandezë, por ende pa filluar loja u dha urdhër të ktheheshin mbrapsht, pasi ato ishin prodhuar në një vend kapitalist si Hong- Kongu (disa nuk i dorëzuan)”. I vetmi kujtim që i ka mbetur Llaqit është flamuri i vogël i “Ajaksit”, të cilin e ruan me shumë nostalgji.
Dorezat që habitën Stui-n
“Një detaj para takimit, ishin edhe dorezat e mia. Kujtoj se ato i kisha porositur në peliçeri, pastaj mora dy raketa pingpongu ja hoqa llastikun poroz dhe ja ngjita dorezave, por që nuk i përdora në ndeshje. Nuk i përdora pasi kur po i jepja dorën para takimit portierit Stui, ai me një bluzë gjithë sfungjer e me doreza moderne, kur më pa, pa folur por me një vështrim pyetës mu drejtua: ‘Po dorezat’ ku i ke’? Pas kësaj, nga turpi nuk i përdora ato që kisha përgatitur në peliceri”.
Ndeshja e kthimit pa Konomin
Në takimin e kthimit, pas dy javësh, Llaq Konomi nuk udhëtoi, por në vend të tij luajti Koço Dinella. “E ndjeva që nuk do të udhëtoja, pasi nuk më morën pasaportën. Dhe shkak u bënë tre letra anonime që erdhën në Komitetin e Partisë, në klub dhe një në hotel “Donika”. Edhe sot nuk e di se çfarë shkruhej për mua në to. Isha i sigurtë se ishin motive biografie. Por edhe trajneri dytë Enver Shehu, si dhe masazhatori Osman Metani, për të njëjtat arsye nuk udhëtuan për në Amstërdam”.
Fundi i karrierës
Llaqi luajti edhe dy sezone të tjerat me “17 Nëntorin, por i vrarë dhe i rënë psikologjikisht. Ndërkohë plejada e famshme e “17 Nëntorit”, tashmë është larguar dhe zëvendësuar me brezin e Tit Dibrës etj. Bashkë me to edhe Llaqi e ka lënë skuadrën, por për të veshur për tre vjet fanellën e klubit të “Dajtit”, që militon në kategorinë e dytë, e që drejtohet nga trajneri njohur Robert Jashari.
Sapo është shpallur kampion, Jashari ka porositur në Itali edhe fanellat me ngjyrat bardhezi si të “Juventusit”, me te cilat skuadra do të luante tashmë në kategorinë e parë. Por, vjen urdhri se “Dajti” nuk do të marrë pjesë në këtë kategori, pasi janë shumë skuadra nga kryeqyteti, si “Dinamo”, “Partizani”, “17 Nëntori” e “Shkëndia” që marrin pjesë në këtë kategori. Ky ishte motivi që “Dajtin” e lanë përsëri në të dytën.
Ku jeton sot, çfarë bën Llaq Konomi?
Prej 1992 jeton në Greqi, në Pire. I martuar dhe me dy fëmijë, djalë e vajzë tashmë të rritur por asnjëri prej tyre në gjurmët e babait e të lidhur më futbollin. Një pjesë të vitit e kalon në shtetin fqinj, ndërsa për muaj të tjerë vjen në Tiranë. Edhe pse një portier gjigant për kohën, asnjëherë nuk u grumbullua me skuadrën kombëtare. Ka kujtime dhe nuk harron një takim derby: “Me ‘Partizanin’, luheshin minutat e fundit dhe rezultati ishte 1-0 me gol të shënuar nga vlonjati Shemsi Zilja. Por, Ben Çela i ndodhur në kufijtë e 16-të metrave sheh Muhedinin që kishte dalë nga porta dhe me një parabolë barazon rezultatin”.
Por, pasioni dhe hobi i vjetër i tij por edhe i familjes mbetet çiklizmi. Garon çdo ditë, në Greqi e Shqipëri. Si idhull ka rusin Eugjeni Berzin, ndërsa ka garuar edhe me italianin Kiapuci, spanjollin Olana, me të cilët e lidh një miqësi e hershme. Në Tiranë, ruan miqësitë me ish-futbollistët e skuadrës, por më shumë është i lidhur me ish-çiklistët e njohur me të cilët udhëton në rrugët e Shqipërisë. Sapo ka përshkruar Tiranë -Elbasan-Tiranë, por këtë herë nga tuneli i sapo përuruar.
Lidhur me futbollin e sotëm, ai shprehet: “Sot ka shumë demokraci në futboll dhe lojtari është i lirë në shpirt e nuk ka ankthin e dikurshëm. Skuadra kombëtare luan në sulm dhe jo si dukur kur luanim në mbrojtje e shumë inferior”. E për ta mbyllur kujton: “Nga ai takim më ka mbetur një kujtim i dyfishtë: Ndaj Ajaksit për mua ka qenë dhe mbetet e vetmja ndeshje ndërkombëtare në karrierë, pra e para dhe e fundit. Dhe se dyti, ishte ajo ndeshje që më bëri tifoz me Holandën e futbollin holandez, ku baza e kombëtares ishin pikërisht lojtarët e Ajaksit”. / Memorie.al














