Nga Hyqmet Zane
Memorie.al / Portreti i papublikuar, por edhe shumëdimensional i njeriut që hyri në historinë e shtetit të parë shqiptar, Lef Nosi, është njëherazi edhe portretit i një njeriu që e njohu Elbasani dhe e gjithë Shqipëria, por edhe më shumë se kaq, që e vrau tradhtisht komunizmi. Atë e njohën edhe kancelaritë e huaja europiane, për vetë kontributet që kishte ky njeri si intelektual, si burrë shteti, si humanist, si filatelist, si një nacionalist i thekur, por që e përdhosi, e tjetërsoi dhe u mundua ta harronte diktatura enveriste. Shërbimet që Lef Nosi i ka bërë kombit, janë të gdhendura në kujtesën tonë historike dhe atë njerëzore, janë të skalitura në mendjet e elbasanasve dhe mbarë kombit, si dhe të anglezëve, gjermanëve dhe deri në Izrael, për shkak të shërbimeve atdhetare që ky njeri kreu gjatë gjithë jetës së tij, duke u “martuar” me idealet e shenjta të shqiptarizmit, por që shërbëtorët e sllavo-komunizmit antishqiptar, e vranë vetëm e vetëm se ishte një shqiptar i lartë.
Flet Adelina, mbesa e Lef Nosit
Me këto ndjesi u prezantova me zonjën Adelina, mbesën (vajzën e vëllait, Grigorit) e këtij njeriu të pavdekshëm jo se dua të quaj unë, por se vepra që la ai e bëri të tillë. Edhe pse në moshën 92 vjeçare, si motra e të nderuarit doktor Nosit, ajo të flet me dhembje për njeriun e shtrenjtë të kësaj familje të madhe dhe fisnike, aq sa bëhet keq, për ato që hoqi veçanërisht në fundin e jetës së tij diplomati, akademiku, shtet formuesi dhe euriditi i madh, Lef Nosi. Si një nga tre regjentët e Shqipërisë, bashkë me të mirënjohurit Patër Anton Arapi dhe Maliq Bushati, Lef Nosi hyri në historinë shqiptare, që në ditën e parë të shtetit të ri shqiptar, më 28 nëntor 1912, përkrah Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, si ministri i Post-Telekomunikacionit.
Me shumë takt dhe një delikatesë femërore, edhe pse në një moshë të thyer, Adelina Kosturi, tregon me hollësi dhe një kujtesë brilante ato momente, kur hynë në histori si “Çlirimi i Shqipërisë”, por që u bënë pushtimi i shqiptarëve nga murtaja komuniste e primitivëve. Ishin vitet e para të pasçlirimit, kur Lef Nosi gjendej atje ku nuk pritej, fshihej ku të mundte, se derën e kishte të hapur për shkak të emrit që kishte dhe reputacionit që gëzonte në opinionin mbarëshqiptar. Ishte në malësitë e Veriut të Shqipërisë, në ato kohët e fundit para se ta arrestonin dhe ta gjykonin mizorisht, njeriun e Pavarësisë së Shqipërisë. Adelina rrëfen me një brengë të madhe për Dajën, siç e quajnë elbasanasit, vëllanë e babait.
“Pikërisht një nga njerëzit e kësaj zone e ndihmoi ta strehonte në shtëpinë e tij, sapo e pa dhe e njohu. Një ditë erdhi në shtëpinë tonë një burrë që nuk e njihja, i ra derës dhe dola unë. Nuk e njihja, por ai më tha se pas disa orësh sonte, do të vijë Lefi në shtëpinë tuaj. Unë e di se ai ka ikur, i thashë. Kishte mbetur me Patër Antonin. Ai erdhi, por unë nuk e pyeta Lefin se ku ndejte. Xhemal Farka, një shok i Nosit në “Robert Kolegj”, përgatiti vajtjen e Lefit në misionin anglez.
Për këtë arsye, blemë disa punime druri si çibukë, tasa druri dhe gdhendje të tjera dhe të veshur si fshatar, pasi i blemë një shami të kuqe. I lidhëm me këtë shami të kuqe të gjitha sendet dhe i vumë dhe një qeleshe në kokë dhe me këto vajti tek misioni i anglezit. Ne u gëzuam se anglezët e pranuan. Atje ndejti 5-6 orë dhe natën erdhi përsëri. Ai kapërceu kangjellat e rrethimit të oborrit dhe trokiti në derën e brendshme të shtëpisë. Në atë kohë ne banonim në shtëpinë e arkitekt Butkës, që ndodhet edhe sot në rrugën ‘Sulejman Pasha’. Është vila ku banon arkitekt Emin Riza. Ato kangjella janë edhe sot e kësaj dite që flasim”.
Duke marrë frymë me zor, jo vetëm prej moshës, por edhe prej tensionit që ka kur flet për këtë ngjarje, kjo zonjë e nderuar dhe nga një familje me një emër të nderuar edhe sot e kësaj dite, shton me një ofshamë se: “Unë u çudita se si i kish kapërcyer kangjellat, se ishte në moshë të thyer. E vura re në sy se ishte shumë i mërzitur dhe më tha se kishte bërë shumë fjalë me anglezët. Lefi më tha se ata i kishin thënë se nuk mund të prisheshin me qeverinë shqiptare. Në atë kohë, ne kishim një shërbyese e cila banonte tek ne. Për këtë arsye e fsheha Dajën në një dhomë të vogël, ku mbaheshin shtresat, e cila komunikonte me dhomën tonë të gjumit. Në këto kushte, lajmërova vëllanë tim Vasil Nosin, që të vinte nga Elbasani. Vasili erdhi, takoi Lefin dhe të nesërmen u rikthye nga Elbasani, bashkë me një mikun besnik të familjes sonë, Adem Samurrin, nga Mengli i Elbasanit.
Së bashku me Ademin, udhëtoi në këmbë nga Tirana në Elbasan. Ndër të tjera, me sa di unë, ka fjetur një natë në shtëpinë e Ahmet Daklit, një natë tek familja Santos, të cilët i kishte nipër. Ka fjetur tek shtëpia e Thanas Floqit dhe në Labinot, tek Samurrët. Sa më ka thënë im vëlla, Steliano Nosi, është strehuar edhe në Godolesh dhe në ndonjë familje tjetër, që unë nuk e di. Në këtë kohë për Lefin kujdeseshin dy vëllezërit e mi, Vasili dhe Steliano, si dhe miq të tjerë të familjes, një pjesë e të cilëve, kanë mbetur anonimë. Lefin e strehuan edhe në Fabrikën e Alkoolit.
Madje, im vëlla doktori, tregonte se si në një mëngjes të atyre ditëve, kur ishte duke vizituar, i vjen një njeri i njohur si ata të Sigurimit të Shtetit, që i thotë Nosit, se duhet ta vizitonte shpejt se kishin një punë të rëndësishme se do të shkonin në një aksion, për të kapur një njeri andej nga Godoleshi. Nosi, e vizitoi dhe menjëherë merr biçikletën dhe shkon tek familja ku ishte Daja dhe e lajmëron të iki. Lefi dhe ata të tjerët, u ngjitën në një vend të lartë dhe pas një ore panë se erdhën, e rrethuan shtëpinë dhe nuk gjetën njeri. Kështu shpëtoi”.
Marko Menahemi, miku Izraelit i shtëpisë së Nosit
Duhet thënë se në shtëpinë e Nosëve në Elbasan, ishte i strehuar një hebre, Mark Menahemi quhej dhe që do të hynte në historinë e kësaj familjeje, si një njeri i nderuar dhe besnik. Në një letër që ky izraelit i dërgon familjes Nosi, (pas vitit 1994) fëmijëve të doktor Nosit, Grigorit, Rudit e Vasos, shkruan disa nga peripecitë që hoqën ai dhe të gjithë bashkë në ato ditët para se ta arrestonin komunistët Lef Nosin. Ndër të tjera në këtë letër, një kopje të së cilës e ruante djali i Adelinës, Skënder Kosturi, thuhet se:
“Në qershor të vitit 1944 gjermanët më ndiqnin meqë kishin marrë informata se unë isha izraelit. Unë ika nga Cërriku në Elbasan dhe u strehova, sipas rekomandimeve, në shtëpinë e familjes Nosi. Në fillim kam jetuar në shtëpinë e tyre, ku jetonin Vasil Nosi me gruan e tij, vëllai i tij doktor, Steliano Nosi, nëna e tyre Eleonora, që u bë edhe nëna ime, dhe kohë pas kohe vinte motra e tyre, Adelina Kosturi, e martuar në Tiranë dhe në të njëjtin oborr banonte Lef Nosi, i cili ka qenë njeri nga të tre Regjentët e Shqipërisë, në periudhën shtator 1943-nëntor 1944.
Më vonë, kur gjendja u bë e vështirë, kalova në Fabrikën e Alkoolit të familjes Nosi, jashtë Elbasanit, ku kisha një dhomë dhe çdo ditë dikush nga familja më sillte ushqime. Pasi u arrestova nga Gestapo-ja gjermane, familja Nosi hoqi shumë telashe, derisa më shpëtoi dhe më strehuan në spitalin e tyre në Llixhat e Elbasanit, ku kujdeseshin për mua. Pas 29 nëntorit 1944, kur komunistët morën pushtetin, unë qëndrova tek Nosët të cilët më donin shumë dhe më propozuan të qëndroj në Shqipëri e të punoj në fabrikë. (Mark Menahemi ishte një inxhinier specialist i disa fushave).
Më vonë filluan ngatërresat. Komunistët kërkonin të tre Regjentët që ishin në krye të shtetit gjatë okupacionit gjerman për t’i dënuar me vdekje. Vasili, m’u lut për të fshehur xhaxhanë e tij Lefin. Vasil Nosi, Steliano dhe unë vajtëm në shtëpinë e një mësueseje, Fahrie Averiqi, në Rrugën e “Kavajës” në Tiranë, me ndihmën e të mikut të tyre, Xhemal Farka. Qëllimi ishte që të ndërmjetësonim tek Nako Spiru, që Lefi të dorëzohej vullnetarisht, sepse, duke u dorëzuar vullnetarisht, nuk do ta dënonin me vdekje.
“Unë, – shkruan Marko, – nuk isha dakord dhe fatkeqësisht doli fjala ime. Mirëpo ato ditë Nakoja kishte ikur me shërbim në Moskë. Atëherë Lefi, kërkoi të dorëzohej nëpërmjet nipit të një mikut të vjetër të tij, figurë e shquar e historisë sonë kombëtare. Unë, – shkruan Mark Manahemi, – i thashë Vasilit se nuk kisha besim tek ky person, pasi përpara se të merrte grada në ushtrinë partizane, kishte një të kaluar të errët me forca të tjera ushtarake. Pavarësisht nga këto dyshime, rreth orës 9 të mbrëmjes, duhet t’ia dërgonin Lefin këtij kapiteni të ushtrisë partizane në shtëpi. E hipën në makinë dhe, me të kaluar urën që të çon tek Rruga e “Elbasanit”, dy burra të rinj, u lëshuan me vrap për të na ndaluar.
Duke dredhuar nga kryeministria, tek Rruga e “Durrësit”, e kthyem Lefin në shtëpinë e mësueses. Vasili shkoi vetë dhe e kontaktoi personin në fjalë i cili, i qetësoi dhe i tha t’ia sillte Lefin në shtëpi. “Unë po të pres në shtëpinë pa drita”. E nxorëm Lefin për së dyti. E përcolla unë Mkarko Menahemi. Personi në fjalë, duke kujtuar që unë mund të isha Vasili, më tha: ‘Mos u bëj merak tani Vasil’. Por, sikurse na tregoi Lefi në birucë, kur venim dhe e takonim, pas gjysmë ore i kish thënë: ‘Lefi, të kërkojnë tek porta’, ai sa hapi portën, e arrestuan.
Të njëjtën mbrëmje u arrestuan edhe Vasil e Steliano Nosi, Xhemal Farka, si dhe unë Marko Menahemi, që me pasaportë në xhep, të nesërmen në mëngjes, duhej të nisesha me një vapor për në Izrael. Qëndruam pa fjetur në vapor vetëm për të ngrënë një darkë me miqtë e dashur, Vasil, Steliano e Xhemal, para se të largohesha përfundimisht nga Shqipëria. Por ndodhi ajo që thashë më sipër”. (Realisht, Marko Menahemi, iku nga Shqipëria vetëm pas viteve ’90-të, pasi u burgos edhe ai si gjithë të tjerët).
Arrestimet e Nosëve dhe miqve të tyre
Duhet thënë se bashkë me këta, u arrestuan dhe Adem Samurri dhe Fahrije Averiqi. Në atë periudhë që u arrestua Lefi, mbesa Adelina, nuk ishte në Tiranë, se kishte shkuar në Korçë. Dihet se Anastas Koja, i martuar me një mbesë të Lefit, ka marrë dyshekun e shtëpisë, e ka ngarkuar në kurriz dhe ia ka çuar Lefit në burg.
Përsëri Adelina, që tashmë kishte ardhur nga Korça, në atë kohë që Lefi ishte futur në burg, pas 60 vjetësh kujton me një saktësi të madhe: “Lefi ishte i burgosur tek ‘Selvia’ në Rrugën e “Dibrë” (ku ka qenë Ambulanca e Lagjes nr. 3 në Tiranë), në një birucë nën shkallë. Deri në kthimin tim nga Korça, kujdesej familja e Anastas Kojës. Me kthimin tim, pas pak ditësh, u kujdesën duke dërguar ushqimet dhe të gjithë gjërat që nevojiteshin në burg, për të 7 të arrestuarit të cilët prisnin të dilnin në gjyq.
Në këtë kohë, së bashku me të afërm të tjerë të familjes, u përpoqëm të bënim përçapje pranë personave me influencë, pasi shqetësimi ishte shumë i madh, jo vetëm për jetën e Lefit, që ishte e paragjykuar, por edhe për jetën e dy vëllezërve të mi dhe të personave të tjerë, pasi ligjet dhe rregullat në fuqi në atë kohë, parashikonin një dënim që mund të ishte deri në vdekje. Më pas, prej andej i kanë çuar në Burgun e Vjetër të Tiranës, në rrugën “Mine Peza”.
Ditët e fundit të Lef Nosit
Duke dashur që të kujtojë çdo moment që ka lidhje me atë ngjarje që nisi serinë e dënimeve politike nga më monstruozet në historinë e këtij vendi, mbesa e Lef Nosit dhe motra e doktor Nosit, Adelina, në atë kohë 31 vjeçare, tregon me dhembjen e një motre për vëllanë: “Më 12 shkurt 1946, Gjyqi Ushtarak i Tiranës, dënoi me vdekje Lef Nosin dhe me dënime të ndryshme nga 6 në 4 vjet, për personat që ndihmuan që ai të fshihej. Vasil Nosi, Steliano Nosi, Marko Menahemi, Xhemal Farka, Fahrije Averiqi dhe Adem Samurri.
Kur e kemi takuar herën e fundit para pushkatimit, erdhi nga Elbasani edhe e motra Lefit, halla ime, Polikseni Dodbiba. Ne e kishim bërë me fjalë që të mos e jepnim veten e, të mos qanim para Lefit. Edhe Lefi e mbajti veten shumë mirë dhe na tha: ‘Një herë vdes njeriu. Unë iki me ndërgjegje të pastër se nuk kam kryer asnjë faj, kam punuar për Shqipërinë. Jam i qetë që edhe djemtë e miqtë e mi nuk u dënuan me dënimin kapital. Djemtë do bëjnë dënimin dhe do dalin’.
Më vonë mora vesh se, pasi ishte ndarë prej nesh, kishte qarë. Morëm vesh se drejtori i burgut Janaq Karapataqi, që ishte një person shumë human dhe u bë mik i familjes sonë, na tha se, Lefi kishte qarë, kur kishte mbetur vetëm. Kur doli në gjyq i kam çuar kostum e këmishë, ndërkohë që më tha me shaka: ‘Po ti dhëndër do më bësh’. Dua të dalësh i veshur, i thashë.
Dua të kujtoj edhe një episod që më ka lënë mbresa të mëdha në atë ditë të zezë, kur e pushkatuan Dajën. Lefi ka mbajtur në shtëpi një qen të quajtur ‘Capi’, i cili ishe qeni që i kishte lënë atij Fan Noli, kur iku nga Shqipëria. Ditën e pushkatimit, qeni kishte që në mëngjes që qante. Ai vetë hapi një gropë, duke e gërmuar me thonj dhe po atë ditë vdiq edhe ai”.
Tashmë është e ditur, por që ka nevojë të rikujtohet ajo kohë që mbolli vetëm zi, që shtroi rrugën e tragjedisë së një vendi që ishte perlë e natyrës, kishte nxjerrë burra trima dhe intelektualë të zotë, por që i vrau plumbi i pabesisë të ashtuquajtur komuniste, por që ishte dora e zezë e sllavo-komunizmit.
Këtë Lef Nosi, ia ka thënë në kofidencë, Hafuz Musait në Elbasan, kur ky i fundit e pyeti se përse merret me politikë dhe Lefi i është përgjigjur se: “Çunat janë të rinj e nuk e dinë se serbi ia ka me hile”. Kështu këto figura të ndritura që i bëjnë nder Kombit që i pati, si: Lef Nosi, Patër Anton Arapi dhe Maliq Bushati, tre Regjentët për 14 muaj, sipas marrëveshjes, një mysliman, një ortodoks dhe një katolik, u pushkatuan disa ditë më vonë, në kodrat pranë Tiranës. Realisht ka dy versione që ose i vranë në Kodrën e Priftit, por ka edhe një version për në Kodrën e Kryegjyshatës Bektashiane.
Përsëri për këtë kohë, Adelina, tashmë 92 vjeçare, kujton: “Fill pas pushkatimit, kunati im, Jorgaq Kosturi, që ka vdekur prej shumë vitesh, mori dy punëtorë, i mbuloi me dhé, se ishin varrosur shumë cekët dhe vendosi një kavanoz tek këmbët e Lefit, për ta identifikuar më vonë. Ky varr nuk është gjetur akoma. Është gjithashtu e vërtetë se personin që tradhtoi Lef Nosin, më pas e graduan nga kapiten në major dhe me sa di unë, vdiq në burg ose u pushkatua nga konjukturat e regjimit që shkoi”.
Dënimet e tjera
Vasil Nosi u dënua me 6 vjet dhe vdiq i burgosur në Fabrikën e Alkoolit në Elbasan. Dr. Steliano Nosi, u dënua me 4 vjet që i kreu duke shërbyer si mjek. Vdiq në vitin 1983. Marko Menahemi u dënua me 4 vjet. Kreu një vit e gjysmë burg. Më pas shërbeu si pedagog në Politeknikumin “7 Nëntori” ku dha një kontribut të shquar në shumë projekte madhore të shfrytëzimit të rezervave minerale natyrore të vendit tonë. Pas vitit 1990, iu plotësua ëndrra e tij për të shkuar në Izrael në atdheun e tij. Vdiq në vitin 2005.
Në vitin 1993 organizata “Jatt Vashem” në Izrael, në shenjë mirënjohjeje për shpëtimin e e jetës së Marko Menahemit, i akordoi dr. Steliano Nosit, Vasil Nosit dhe motrës së tyre Adelina Kosturi, titullin e lartë “Shpëtimtar i izraelitëve”. Emrat e tyre janë të gdhendur në një pllakë bronzi në Muzeun e Holokaustit në “Jatt Vashem” si dhe në Washington.
Xhemal Farka, u dënua me disa vjet burg, kurse më pas u ri dënua me pushkatim për shërbime në misionin ushtarak anglo-amerikan.
Farije Averiqi u dënua me 4 vjet burg, kreu tre dhe më pas, së bashku me të vëllanë, u arratisën nga Shqipëria dhe shkuan në një shtet Europian. Adem Samuurri u dënua me 6 vjet burg nga të cilat vuajti 4 prej tyre. Vdiq në shtëpinë e tij si një mik i familjes Nosi.
Epilog
Në një simpozium të organizuar në Elbasan para rreth 12 vjetësh, një nuse e re, rreth të dyzetave, që ishte e martuar në familjen e Samurrëve, ka thënë një fjalë që ka mbetur në kujtesë. Ndër të tjera ajo shprehu mendimin se: “E kam mallkuar këtë emrin Lef Nosi, që ju sot e kujtoni me respekt. E mallkoja se nuk ua rrëfej vuajtjet që ka hequr familja jonë, edhe unë si nuse, vetëm e vetëm se familja e burrit dhe e vjehrrit tim, kishin strehuar Lef Nosin që, as e njihja se kush ishte dhe s’guxoja të pyesja.
Veç më digjte fati im i zi në këtë familje, vetëm nga një emër, Lef Nosi. Nuk e dija se cili ishte. Por sot që mora vesh në këtë simpozium se, cili është ky njeri dhe sa të mira ka bërë dhe çfarë burri shteti ka qenë, ia kam bërë hallall vuajtjet dhe jam krenare që, jam nuse e një familjeje që ka merita në miqësinë me një personalitet të tillë kombëtar”.
Ndoshta Qemal Stafa, ky “Hero i Popullit” nuk do ta kishte menduar dhe nuk do ta kishte pranuar asnjëherë atë fund tragjik që pati Lef Nosi, ky njeri i madh i kombit shqiptar. Tre letërkëmbimet që Qemali pati me Lefin, flasin për vlerësimin e lartë që i bënte ky i ri njeriut që Qemali do të donte ta ndiqte si shembull apo, të bashkëpunonte me të, duke dashur të ishte pranë këtij burri shteti dhe ta furnizonte me libra kur Lefi ishte në internim në Itali dhe Qemali student, po në këtë vend. Vrasja e dyshimtë e Qemal Stafës, duket sikur i parapriu vrasjes së qëllimtë të Lef Nosit dhe personaliteteve si ai që janë historia e gjallë e kombit shqiptar. Memorie.al