Nga DASHNOR KALOÇI
Memorie.al/ Plot 63 vite më parë, më 22 nëntor 1963, rreth orës 12:30 të mesditës, teksa po udhëtonte në një makinë të hapur (“limuzinë kabriolet”) përmes sheshit “Dealey Plaza” në qendër të Dallasit, së bashku me bashkëshorten e tij Jacqueline Kennedy, Guvernatorin e Teksasit John Connally dhe bashkëshorten e tij, humbi jetën tragjikisht nga një atentat presidenti në detyrë i SHBA-së, John F. Kennedy. Teksa makina kalonte pranë ndërtesës së magazinës së librave shkollorë (Texas School Book Depository), u dëgjuan tre të shtëna me armë zjarri. Kennedy u godit në qafë dhe në kokë. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin “Parkland Memorial”, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij rreth 30 minuta më vonë, në orën 13:00. Guvernatori Connally gjithashtu u plagos rëndë, por mbijetoi. Policia arrestoi po atë pasdite Lee Harvey Oswald, një ish-marins amerikan që punonte në ndërtesën nga ku u qëllua. Oswald mohoi akuzat, duke thënë se ishte thjesht një “kokë turku”. Dy ditë më vonë, më 24 nëntor, ndërsa po transferohej në burg dhe po transmetohej drejtpërdrejt në televizion, Oswald u qëllua për vdekje nga Jack Ruby, pronari i një klubi nate në Dallas.
Lidhur me këtë ngjarje tragjike, e cila tronditi jo vetëm SHBA-në, por mbarë botën, është folur shumë dhe vazhdon të flitet edhe sot pas më shumë se gjashtë dekadash, ku një vend kryesor zënë edhe teoritë konspirative për vrasjen e tij. Ashtu siç dihet tashmë, Tirana zyrtare asokohe nuk kishte marrëdhënie zyrtare me SHBA-së dhe, nisur nga ky fakt, jo vetëm që nuk dërgoi telegram ngushëllimi qeverisë së SHBA-së, por përkundrazi mbajti një qëndrim të ftohtë, armiqësor dhe propagandistik, duke e trajtuar ngjarjen “si pasojë e kontradiktave të brendshme të imperializmit amerikan”.
Lajmin mbi vrasjen e presidentit të SHBA-së shqiptarët kryesisht e mësuan nga Radio Tirana dhe gazeta “Zëri i Popullit”, të cilat e dhanë lajmin si një kronikë të thjeshtë te lajmet nga bota, pa shprehur asnjë ton keqardhjeje, ndryshe nga shumë vende të tjera, madje edhe nga Bashkimi Sovjetik i Nikita Hrushovit, i cili i shprehu ngushëllime zyrtare qeverisë së SHBA-së. Tirana zyrtare e paraqiti ngjarjen si “tregues të dhunës, krimit, kaosit dhe luftës së grupeve rivale brenda vetë kapitalizmit dhe monopoleve amerikane”.
Ndërsa udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në shënimet dhe ditarët e tij politikë të asaj periudhe, e konsideronte Kennedyn si udhëheqësin kryesor të “imperializmit amerikan” dhe “armik të Kubës socialiste”. Nisur nga ky fakt, ndryshe nga udhëheqës të tjerë botërorë që shprehën tronditje, Tirana zyrtare madje nuk e fshehu kënaqësinë politike për largimin e tij nga skena, duke e cilësuar politikën e tij si agresive.
Ndërsa këto aspekte të qëndrimit zyrtar janë tashmë të njohura, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhen dy telegrame ngushëllimi të Fan Nolit, dërguar znj. Jacqueline Kennedy, bashkëshortes së presidentit amerikan që humbi jetën në mënyrë tragjike, dhe të atit të tij, Joseph Kennedy, ish-ambasador i SHBA-së në Mbretërinë e Bashkuar, të cilin Noli e kishte pasur shok klase, kur studionte në universitetin e Harvardit.
Po kështu, bashkë me dy telegramet e Nolit, po publikojmë edhe një raport-informacion të ambasadorit shqiptar në Pragë, Gjylani Shehu, i cili njofton Ministrinë e Jashtme në Tiranë dhe eprorin e tij, ministrin Behar Shtylla, lidhur me disa takime që ka zhvilluar me diplomatë të huaj në vendin ku shërbente, ku midis të tjerash u diskutua edhe vrasja e presidentit amerikan John F. Kennedy. Për më shumë rreth kësaj na njohin dokumentet në fjalë, të cilat publikohen për herë të parë me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME TELEGRAMIN E FAN S NOLI, DËRGUAR AMBASADORIT JOZEF KENEDY, ME NGUSHËLLIMET PËR VDEKJEN TRAGJIKE TË DJALIT TË TIJ, EDUART KENEDY, PRESIDENT I SHBA
TELEGRAME
24 Nëntor 1963
HU 2-2100
Ambasadorit Joseph Kennedy
Hyannisport
Massachusetts
Në emër të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe si shok klase i Harvardit të vitit 1912, ju shpreh ngushëllimet e mia të thella për humbjen tragjike të djalit tuaj, një prej Presidentëve të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara.
I lutem Zotit të Plotfuqishëm t’ju ndihmojë ta përballoni këtë goditje të tmerrshme.
Mitropoliti Fan S. Noli
26 Blagden Street
Boston 16, Mass.
DOKUMENTI ARKIVOR ME TELEGRAMIN E FAN S NOLI, DËRGUAR ZHAKLIN KENEDY, ME NGUSHËLLIMET PËR VDEKJEN TRAGJIKE TË BASHKËSHORTIT TË SAJ, EDUART KENEDY, PRESIDENT I SHBA
TELEGRAME
Znj. Jacqueline Kennedy
Hyannisport
Massachusetts
Në emër të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, ju shprehim ngushëllimet tona të thella për humbjen tragjike të bashkëshortit tuaj, një prej Presidentëve të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara. I lutem Zotit të Plotfuqishëm t’ju ndihmojë juve dhe fëmijët tuaj, ta përballoni këtë goditje të tmerrshme.
Mitropoliti Fan S. Noli
26 Blagden Street
Boston 16, Mass.
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORT-INFORMACIONIN E MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME, BEHAR SHTYLLA, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH, MBI DISA TAKIME TË AMBASADORËVE SHQIPTARË ME DIPLOMATË TË HUAJ, NË SHTETET KU SHËRBEJNË
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISË “SEKRET”
MINISTRIA E P. TË JASHTME
DEGA E PARË
Nr. 39 Tiranë, me 24.I.1964
Lënda: Dërgohen disa informacione takimesh
KOMITETIT QENDROR TË P.P.SH.
Drejtoris Jashtme
TIRANË
Bashkëngjitur ju dërgojme informacionet e poshtëshënuara të ardhura nga Ambasada e jonë, Praga:
1) Mbi një bisedë që ka bërë sh. Gjylani Shehu me Shefin e përfaqësisë të Frontit të Çlirimit të Vietnamit të Jugut, datë 5.XII.1963,
2) Mbi një bisedë të bërë nga sh. Gjylani Shehu me të ngarkurin me punë të Vietnamit dhe Ambasadorin e Kubës, datë 5.XII.1963,
3) Mbi një bisedë të bërë nga shoku Gjylani Shehu me të ngarkuarin me punë të Vietnamit datë 8.XII.1963 dhe
4) Mbi një bisedë të bërë nga shoku Dhimitër Brumbulli, me drejtorin e uzinës së kamionave “Skoda”, Sokup Boluslav, datë 19.XI.1963.
MINISTRI
Behar Shtylla
Shënim: Materiali i plotë u ridërgua në dosjen përkatëse
Shtypi Rr. Hoxha
DOKUMENTI ARKIVOR, ME RAPORT-INFORMACIONIN E AMBASADORIT SHQIPTAR NË PRAGË, GJYLANI SHEHU, DËRGUAR MINISTRISË SË JASHTME NË TIRANË, PËR TAKIMET E TIJ ME DIPLOMATË TË HUAJ
INFORMACION
Mbi disa biseda të bëra me të ngarkuarin me Punë të Vietnamit dhe Ambasadorin e Kubës:
Më 25 nëndor i ngarkuari me punë i Vietnamit dha një pritje për nder të përfaqësuesit të përhershëm të Frontit të Vietnamit të Jugut. Ra në sy se në këtë pritje merrnin pjesë vetëm përfaqësues të dorës dytë të organizatave shoqërore, ndërsa nga organet zyrtare, ishte vetëm kryetar dege dhe dy referenta të Ministrisë Jashtme.
I ngarkuari me punë i Vietnamit më tha se kish ftuar mjaft funksionar nga Ministria e Jashtme, e Kulturës etj., por – vazhdoi ai – nuk erdhën. Qendrimi i Çekëve kundrejt perfaqësuesit të Frontit nuk është aspak miqësor – tha i ngarkuari me punë dhe siç duket, ata janë penduar për hapjen e misionit në Pragë, por tani është vonë dhe nuk guxojnë të marrin ndonjë masë deri sa të demaskohen.
Misioni nuk ka mbushur muajin që është hapur, por organet zyrtare çeke gjatë kësaj periudhe të shkurtër kanë kryer akte miqësore. Në fillim shefi i protokollit të Ministrisë Jashtme protestoi se unë, i ngarkuari me punë, informova perfaqësit e vendove mike mbi mbrritjen e perfaqësuesit të misionit, nga ana tjetër nën pretekstin se muaj nëndor është i ngarkuar shumë me pritje protokollare, shtynë disa herë pritjen, bile arritën deri atje sa të më kërkojnë listat, se kë kamë ndermënd të ftoj.
Nga ana tjetër në formë këshille më sugjeruan që të mos ftoja nga trupi diplomatik etj. Të gjitha këto dhe mjaft qendra të tjera kundrejt misionit, ishte pangesa në drejtim të kontakteve, të sistemimit etj., tregojne se udhëheqësi çekosllovak janë të shqetësuar për hapjen e këtij misioni në Pragë.
Në këtë pritje pata edhe një bisedë me Ambasadorin e Kubës, i cili midis të tjerave, dukë folur rreth atenatit të Kenedit, tha: Përshtypja ime është se këta në Çekosllovaki po bëjnë shumë homazhe për të mderuar kujtimin e Kenedit dhe nuk kuptoj përse është nevjoja dhe çfarë i shtynë të bejnë kaq mderime. Disa vende kanë shkruar edhe më tej dhe siç duket këtu, nuk kemi të bëjmë aspak me nisiativa, por është vij.
Bile kamë përshtypjen se ka edhe shqetësime se ç’do bëhet pas vdekjes së Kenedit, siç duket shpresat ishin varur të gjitha te “Kenedi”. Edhe Fideli foli per Kendin, por ai nuk bëri egzaltime, ai e paraqiti Kendin ashtu siç ishte dhe ne u detyruam të bëjmë këtë dhe kjo ishte një taktik, mbase imperialistët kërkojnë ta komplikojnë çështjen duke çfrytëzuar atentatin për të sulmuar Kubën. Manevrat e imperialistëve neve i kuptuam dhe prandaj i duallëm përpara për t’i demaskuar në kohë.
Mbas kësaj biseda kaloi mbi dëmet që i ka shkaktuar Kubës urgani dhe masat që ka marrë qeveria kubane për kaperximin e këtyre vështiresive. Ambasadori falenderoi për ndihmat e vendit tonë, duke thënë se; jamë në dijeni për bujarin dhe gjestin internacionalist të popullit shqiptar dhe vazhdoi: Në fund edhe qeveria Çekosllovake e zgjidhi qesen – këtë e tha me ironi – dhe akordoi një ndihmë prej 10 milion korona, në tekstile, konserva dhe medikamente.
Përshtypja ime ishtë se në qeverinë çeke kishte tendenca për të mos ardhur në ndihmë, por u detyruan nga presioni i math i punëtorëve të cilët kanë një simpathi të madhe për revolucionin kubanez. Shumë delegacione puntorësh kanë ardhur në ambasadë dhe kanë shprehur solidaritetin dhe gatishmërinë për të ndihmuar. Mjaftë raste kemi që punëtor me nisiativen e tyre, kanë organizuar fushata në uzinat e tyre për të ndihmuar dhe disa na i kanë dorëzuar në ambasadë./ Memorie.al
Pragë, më 5 dhjetor 1963
Gjylani Shehu
















