Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Avdul Hakan Banushit me origjinë nga fshati Golem i Gjirokastrës. Gjatë periudhës së pushtimit të vendit (1939-1944), ndryshe nga e gjithë familja e tij, që u rreshtuan në radhët e forcave partizane, ai u angazhua në radhët e organizatës nacionaliste të rinisë së “Ballit Kombëtar” në qytetin e Durrësit, ku u arrestua nga forcat gjermane. Në tetorin e vitit 1943, së bashku me 73 persona të tjerë, u dërguan fillimisht në Kampin gjerman të Prishtinës, e më pas në kampet e shfarosjes në masë, në Landsberger e Daku, nga ku ai mundi të lirohej vetëm në vitin 1945, pas ndërhyrjes së forcave anglo-amerikane. Kthimi i Banushit në Shqipëri në vitin 1945, pasi qëndroi disa kohë në kampin e Rexhio-Emilias në Itali, (ku asokohe ishin edhe disa nga krerët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit me në krye Mit’hat Frashërin dhe Abaz Kupin) dhe arrestimi i tij. Pak ditë pas mbërritjes në atdhe, në aerodromin e Laprakës, rojet partizane i gjetën një letër që i’a kishte dhënë ish-Prefekti i Gjirokastrës, Rasim Babameto, gjatë kohës që ishin në Rexhio-Emilia. Dënimi i Banushit me 18 vite burg, duke u akuzuar si “agjent i anglo-amerikanëve” dhe lirimi i tij në vitin 1961. Ai nuk qëndroi shumë kohë pranë familjes, në fshatin Golem, pasi u arrestua përsëri, teksa ishte i internuar në qytetin e Fierit, ai mundi që të arratisej nga burgu që natën e parë dhe iku në drejtim të Gjirokastrës, kaloi kufirin shtetëror dhe doli në Greqi, pas pak kohësh fitoi azilin politik për në SHBA. Angazhimi i Banushit në radhët e mërgatës politike shqiptare në Perëndim, si anëtar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”. Në vitin 1973, pasi ishte stërvitur nga CIA, erdhi disa herë me misione sekrete në Shqipëri, me qëllim që t’i bënin atentat Enver Hoxhës, në paradën e madhe të 29 nëntorit 1974, me rastin e 30 vjetorit të çlirimit. Arrestimi i tij në vitin 1975, në afërsi të kufirit të Hanit të Hotit. Pas një gracke që i kishte ngritur vetë ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, nga ku më pas ai do të izolohej për dy vite në qelitë e ‘Repartit 313’, në Burgun e Tiranës dhe më pas në Burrel, nga ku mundi të lirohej vetëm në fillimin e vitit 1991.
Zoti Banushi, si erdhët në Tiranë dhe ku u strehuat?
Nga Durrësi në Tiranë erdhëm me tren dhe shkuam menjëherë tek baza jonë më e sigurt e cila ndodhej në një bodrum tek pallatet “Shallavre” në familjen Bineri, e cila ishte me origjinë nga Gjirokastra. Ne vinim aty me një rekomandim që kishim pasur kohë më parë nga kapiten Rrapo Bineri, ish-oficer i Monarkisë dhe eksponent kryesor në Shtabin e Legalitetit gjatë Luftës, i cili ishte arratisur nga Shqipëria që në vitin 1944 dhe jetonte si emigrant politik në Romë.
Kush banonte në atë shtëpi?
Aty në dy hyrje bodrumi banonin familjet e vëllezërve Sami dhe Selim Bineri. Samiu kishte qenë komandant i një batalioni partizan gjatë luftës, por më pas e kishin çmobilizuar dhe e kishin dënuar disa herë me burg politik. Ndërsa Selimi, në mos gaboj punonte si shofer. Në atë kohë kur jemi strehuar ne aty, me sa mbaj mënd Samiun e kishin arrestuar dhe e kishin ekzekutuar, gjoja për një deficit. Lidhjet ne i kishim me plakën e tij, Safon, e cila na strehonte brenda si “miq nga fshati i saj”.
Sa kohë qëndruat në atë shtëpi dhe çfarë bëtë aty?
Në atë shtëpi në orët e vona të natës ne bëmë një mbledhje me disa nga njerëzit tanë të cilët u lajmëruan nga njëri prej djemve të shtëpisë dhe erdhën aty një nga një. Gjatë mbledhjes, njëri nga të ardhurit (I. Begeja) që ishte kryetar i një baze tjetër na foli ashpër duke na thënë: “Keni 30 vjet që po heshtni. Ju ju kanë harruar dhe familjet tuaja dhe jo më populli. Jeni dhënë pas parasë dhe jeni përçarë në disa parti, si duket nga që e keni mendjen për të zënë kolltuqet. Kështu si po veproni ju me grupe pesëshe, nuk rrëzohet Enver Hoxha, por vetëm sa po rrezikoni familjet tuaja dhe veten. Mblidhni mendjen e lëvizni se ne këtu nuk kemi se çfarë të bëjmë pa ju. Ne dashje pa dashje i jemi nënshtruar diktaturës sepse duam të ushqejmë fëmijët”.
Çfarë përgjigje i dhatë Begejës?
Pasi e dëgjova deri në fund, unë i thashë: “Ne kemi lënë Amerikën dhe kemi ardhur këtu në gojë të ujkut. Le të jetë kjo fillimi për të krijuar hallkat e një zinxhiri të gjatë antikomunist. Mos harroni se ne jashtë po punojmë politikisht, moralisht dhe ekonomikisht”. Më pas diskutuam gjatë dhe që atë natë vendosëm të krijonim një kryesi të organizatës “Fronti i Rezistencës” me qendër më Tiranë, e cila do të kryente të gjitha detyrat që do të merrte nga jashtë. Para se të iknim që andej, lamë aty 2000 USD, 7 kg dinamit DT, materiale propagandistike, një radio-transmetuese që kishim me vete, kodet e dhënie-marrjes si dhe një letër-proteste, që u drejtohej ambasadave të huaja në Tiranë, ku iu bëhej thirrje për prerjen e marrëdhënieve diplomatike më Shqipërinë. Ajo letër ishte përgatitur në shumë kopje dhe do të hidhej natën në oborret e ambasadave kryesore në Tiranë.
Nga aty, ku shkuat më pas?
Me qëllim që të mos e komprometonim atë bazë të sigurt të familjes Bineri, u larguam që të nesërmen dhe vajtëm tek një bazë tjetër tek familja I. Begeja, që ishte e një kushëriri të Halim Begejës, ku qëndruam tre ditë. Më pas shkuam tek familja K. Gaba dhe pastaj nga Tirana me tren udhëtuam për në Lushnje e më pas Vlorë, ku pasi pimë një kafe në Hotel “Sazani”, u strehuam tek familja e Kudret Kokoshit. Nga Vlora shkuam në Dukat tek familja M. Koshena, i cili kishte qenë në burg me mua në kampin e Tërbufit. Në Dukat u takuam me të plotfuqishmin e zonës dhe pimë me të një kafe në klubin e fshatit. Më pas u larguam nga Dukati dhe shkuam në Ksamil, ku me anë të radios, hymë në lidhje me qendrën e cila na dërgoi mjetin nënujor dhe u kthyem të gjithë në bazë.
Ky mision i juaji, u konsiderua i suksesshëm?
Pa diskutim që ishte një nga misionet më të arrira që ishin bërë ndonjëherë në Shqipëri.
Kush e dha këtë vlerësim?
Kuptohet, kryesia e “Frontit të Rezistencës Antikomuniste”.
Pas këtij misioni, cili ishte më pas aktiviteti juaj?
Nga fillimi i majit 1974, në kuadrin e aksioneve që kishim ndërmarrë ne të organizatës “Fronti i Rezistencës”, unë vendosa që të shkoja në Itali dhe Francë, e të hidhja bomba në ambasadat shqiptare që ishin të akredituara atje.
Cili ishte qëllimi i këtij aksioni që mund të quhet terrorizëm?
Jo qëllimi i aksionit që kisha marrë përsipër të kryeja unë, me hedhjen e bombave në ambasadat shqiptare të Romës e Parisit, nuk kishte karakter terrorizmi. Kurrsesi unë nuk kisha si qëllim që të dëmtoja jetë njerëzish aty. I vetmi qëllimi i atij aksioni ishte që ne të bënim zhurmë dhe t`u tregonim familjeve antikomuniste që ishin në Shqipëri dhe atyre që ishin të pakënaqura nga regjimi i Enver Hoxhës, se jashtë kishte njerëz që po vepronin kundër udhëheqjes komuniste të Tiranës. Pra me një fjalë, të ngjallnim shpresat tek kontingjenti i familjeve të goditura politikisht, ku shpresonim të kishim bazën tonë kryesore, ku do të mbështeteshim në rast të një ndërhyrje dhe zbarkimi në Shqipëri.
Kur e kryet aksionin e hedhjes së bombës në ambasadën shqiptare në Romë?
Më 20 maj të vitit 1974, unë së bashku me katër shokët e mi, udhëtuam me avion nga SHBA-ja dhe erdhëm në Romë. Aty ne na priti Sabaudin Haznedari, emigrant politik i cili ishte arratisur nga Shqipëria, vite më parë dhe ishte vendosur në Romë, ku ishte martuar me një italiane dhe merrej me tregti lavatriçesh. Shtëpia e Sabaudinit ishte baza e jona, sepse ai ishte anëtar i organizatës “Fronti i Rezistencës”.
Sabaudin Haznedari, a është ai që erdhi në Shqipëri me grupin e Xhevdet Mustafës në 26 shtator të 1982-it?
Po, ai është që u vra në Lushnje, në mos gaboj në 26 shtator 1982, kur u vra dhe Xhevdet Mustafa.
Çfarë i kërkuat Sabaudin Haznedarit?
Sabaudinit i thamë që të nesërmen të na dërgonte tek ambasada shqiptare me qëllim që të studionim vendin për të parë mundësinë, se si mund të futeshim brenda murit rrethues të saj, nga ku do të hidhnim bombën. Ai u tregua shumë i gatshëm dhe të nesërmen na çoi atje, ku pamë vetëm një karabinier italian, që bënte roje në hyrjen kryesore të saj. Sabaudini na tregoi se ai kishte qenë disa herë në ambientet e brendshme të ambasadës, për probleme dokumentesh dhe se familjet e personelit të ambasadës, banonin nga pjesa e prapme e saj. Kjo informatë na duhej me qëllim që ne të mos godisnim, aty ku banonin familjet e personelit të ambasadës. Ngjitur me ambasadën tonë ishte dhe ambasada e Tunizisë, e cila nuk ruhej nga rojet e policisë. Pasi e studiuam mirë të gjithë vendin rreth e rreth saj, ne u kthyem përsëri në shtëpinë e Sabaudinit.
Kur shkuat përsëri për të kryer aksionin?
Që atë natë rreth orës 12.00, bashkë me Haznedarin dolëm nga shtëpia dhe shkuam përsëri tek ambasada jonë. Shokët e grupit i lamë jashtë të bënin roje, ndërsa unë e Haznedari u futëm në oborrin e ambasadës së Tunizisë dhe nëpërmjet oborrit të saj, hymë brenda oborrit të ambasadës shqiptare, ku pamë të parkuara dy fugon dhe dy auto-vetura. Duke qenë se nuk futeshim dot brenda në ambasadë, se na zbulonte roja, unë u afrova tek muri ballor i ambasadës, ku vendosa një pako me 3 kg. dinamit amerikan TD, i cili përdorej për mbushje raketash me kapsula të mekanizuara. Ajo kishte një mekanizëm plasës, që vepronte me anë të temperaturës, që krijohej nga rrjedhja e një lëngu. Pasi e vendosëm aty pakon me dinamit, dolëm menjëherë jashtë, pa u kuptuar dhe me dy taksi u kthyem tek shtëpia e Haznedarit.
Kur shpërtheu dinamiti dhe ç’ndodhi më pas?
Dinamiti shpërtheu rreth orës tre të natës, ashtu siç e kishim kurdisur mekanizmin dhe zhurmën e madhe e dëgjuam edhe ne. Njoftimin për plasjen e bombës në ambasadën shqiptare, e dhanë të gjitha televizionet që në mëngjes. Aty ishte rrëzuar muri ballor i ambasadës dhe ishte bërë bujë e madhe. Në mëngjes ne dolëm nga shtëpia dhe shkuam vetë në vendin e ngjarjes ku ishte një gjullurdi e vërtetë. Pas plasjes së dinamitit, aty kishin shkuar menjëherë katër autoambulanca, e disa makina zjarrfikëse. Aty pamë dhe ambasadorin shqiptar që kishte dalë jashtë, vetëm me kanatiere, i cili i binte kokës me grusht dhe shante në italisht. Në ato momente erdhi komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, i cili i shkeli këmbën karabinierit roje, duke i bërtitur se pse nuk e kishte parandaluar atë gjë.
Çfarë bëtë më pas?
Nga aty ne u larguam në drejtim të aeroportit, ku pasi blemë gazetat që kishin të gjitha lajmin e ambasadës, hipëm në avionin e linjës “Alitalia” dhe mbërritëm në Athinë. Aty dëgjuam në radio protestën e kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu, i cili aktin e hedhjes së bombës, e konsideroi vepër të fashistëve. Pas kësaj, nga Athina ne u kthyem në SHBA.
Pas atij aksioni a kishit plane të tjera për hedhje bombash në ambasadat shqiptare?
Pas atij aksioni, ne vendosëm që të njëjtën gjë të bënim dhe me ambasadën shqiptare që ishte në Paris. Në shtatorin e atij viti, bashkë me grupin që kryesoja, erdhëm në Prevezë, për të marrë dinamitin që na duhej për kryerjen e aksionit. Aty bëmë një mbledhje ku saktësuam veprimet që do bënim për hedhjen e bombës, pasi kishim qenë më parë në Paris dhe kishim studiuar të gjithë vendin. Duke e ditur se ambasada shqiptare e Parisit, ishte e rrethuar me hekura të lartë dhe ishte e pamundur që të futeshe brenda për të vënë dinamitin, ne morëm një armë granatë-hedhëse (kundërtanke), të cilën e çmontuam dhe e futëm në një çantë turistike. Nga që atë nuk mund ta futnim dot në avion, nga Preveza shkuam në Athinë, ku morëm trenin e udhëtuam për në Paris. Aty u strehuam në hotelin “Viktor Hygo”, që ishte fare pranë ambasadës shqiptare.
Kush mori pjesë në atë aksion dhe si e realizuat?
Nga ora një e natës unë e P. Luma, morëm çantën ku kishim ambalazhuar granat-hedhësin që peshonte 5 kg. dhe dolëm nga hoteli e shkuam tek ambasada shqiptare, që nuk ishte më shumë se një km. Aty ishte vetëm roja tek dera kryesore, ndërsa ne dolëm nga prapa ambasadës, ku ishte një rrugicë e ngushtë dhe disa vila. Duke e parë se aty nuk na shihte dot roja, unë nxora granat-hedhësin nga çanta dhe i montova predhën në grykën e saj. Pasi e mbështeta në sup, mora shenjën në drejtim të dritares së katit të pare, ku e dinim se ishte zyrë dhe nuk banonte njeri. Pas kësaj, bëra shkrepjen dhe predha qëlloi në shenjë, duke bërë zhurmë të madhe. Pas kësaj dolëm nga ana tjetër e ambasadës dhe me rrugë të ndryshme, mbërritëm në hotel. Aty nga mëngjesi, të gjithë televizionet e dhanë ngjarjen e ambasadës, ku ishte bërë bujë e madhe dhe kishin shkuar makina zjarrfikëse e autoambulanca. Pasi dolëm nga hoteli, blemë tre gazeta “Lë Mond” që do t`i çonim në Komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe nuk shkuam në ambasadë, për të parë se kishim frikë mos zbuloheshim. Pas kësaj ne u kthyem në hotel, ku qëndruam edhe dy ditë të tjera.
Ratë në sy të policisë apo shërbimeve sekrete franceze, si autorë të asaj ngjarje?
Nuk patëm asnjë problem dhe nuk shkaktuam asnjë lloj dyshimi, tek policia franceze. Madje, edhe gjatë takimit që patëm në atë hotel me Prof. Seit Kryeziun (Kryetar i Partisë Agrare të Kosovës) dhe Sadik Premten, ata nuk dinin gjë dhe na pyetën se kush i bënte ato aksione! Ne i thamë se kishim ardhur si turistë në Francë dhe nuk dinim gjë, se kush ishin autorët e tyre. Më pas, nga Parisi shkuam në New York, ku të gjithë e kishin mësuar lajmin e hedhjes së bombës, në ambasadën shqiptare të Parisit.
Çfarë ju thanë në Kryesinë e “Frontit të Rezistencës?
“Pasi raportuam për kryerjen e aksionit, e gjithë Kryesia e Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe e “Frontit të Rezistencës” na përgëzuan dhe e quajtën atë aksion të suksesshëm”./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016