Nga Kastriot Dervishi
-Plani mësimor i “Punëtorëve të Partisë” të Sigurimit të Shtetit-
Memorie.al / Enver Hoxha, i kishte quajtur oficerët e Sigurimit të Shtetit, “Punëtorë partie”. Në vitin 1992, shumica e tyre, rreth 98% u nxorën në lirim. Në vitin 1995, me ligjin për kontrollin e figurave, atyre iu ndalua në tërësi punësimi në administratën shtetërore. Por pas vitit 1997, e gjitha trupa e oficerëve në fjalë, u rikthye në administratën shtetërore. Në vitin 2008, u miratua një tjetër ligj për kontrollin e figurës, por ky u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Këto veprime, duhej të ishin shoqëruar edhe me mosnjohjen e shkollës së lartë, profili Sigurimi, si e pavlefshme për rendin e ri, në të cilin hyri Shqipëria, njësoj siç ishte rasti i mosnjohjes së Shkollës së lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin”. Për t’u diplomuar si Punëtor Operativ, (dega Sigurim), duheshin bërë 3.664 orë mësimi (1.656 mësim teorik dhe 1.234 në seminare), prej të cilave, plot 516 orë, ishin ‘Histori e PPSH-së’ apo lëndëve të tjera, që lidheshin me marksizëm-leninizmin.
Në Sauk, fshatin më të afërt të Tiranës, ka qenë dikur Shkolla e Bashkuar e Ministrisë së Punëve të Brendshme që përgatiste kuadrot e lartë, të cilët më pas, shërbenin në të gjitha degët, drejtoritë apo repartet e kësaj ministrie. Pasi përzgjidhej numri i caktuar i nxënësve që do studionin në këtë shkollë, ata ndaheshin në 3 profile kryesore: Polici, Sigurim dhe Kufi. Kjo evidentohej edhe në diplomën e studentit, në zërin “profil”.
Kuadrot që dilnin nga profili Polici, punonin në Drejtorinë e Policisë Popullore.
Kuadrot që dilnin nga profili Sigurim, punonin në të tria drejtoritë e Sigurimit të Shtetit. Kuadrot që dilnin nga profili Kufi, punonin në Komandën e Kufirit, në qendër (Ministri) dhe në batalionet e kufirit, përgjatë gjithë vijës kufitare, qoftë kjo tokësore, lumore, liqenore dhe detare. Në vitin e katërt, para se të “dilnin në jetë”, përgatitja profesionale e punëtorëve të ardhshëm të Sigurimit të Shtetit, shihej me shumë kujdes, duke pasur një lloj përparësie, në krahasim me dy profilet e tjera.
Nëse në shkollat e tjera bëhej praktika në uzinë, fabrikë, shkollë etj., praktika e nxënësve të vitit të katërt, zhvillohej pranë Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe, si dhe në vendin e një ngjarje, që mund të ndodhte. Përgatitja profesionale e drejtuar nga një Punëtor Operativ i degës përkatëse, përfshinte së pari edukimin ideopolitik, duke kaluar më pas në njohjen dhe përdorimin e evidencës operative.
Në radhë të parë, rëndësi u jepej studimi i dosjeve formuluare (kontroll operativ apo përpunim aktiv), të ‘objekteve’ (personave) që ndiqeshin për “spiunazh”, “agjitacion e propagandë”, tendencë për arratisje jashtë shtetit; sabotazh dhe antiparti. Në këtë mënyrë, përcaktohej fare mirë “puna” e ardhshme që përligjte veprimet e “armës së dashur të partisë dhe popullit”.
Por jo vetëm kaq. Studenti parashikohej të merrte pjesë në një operacion, që mund të ishte; arrestim ose internim. Kjo rriste brumosjen dhe “forconte zemrën” e kuadrit të ardhshëm të Sigurimit të Shtetit. Punëtori Operativ, ishte personi që përgatiste dosjen formulare të objektit për arrestim, elementë të së cilës, mund të përdoreshin për nisjen e dosjes hetimore, që ndërmerrte hetuesia. Duke marrë pjesë në një arrestim, kuadri i ri, shihte lidhjen e hallkave të diktaturës, sesi bëheshin funksionale.
Por edhe internimi, nuk ishte i paktë në pjesëmarrjen e Punëtorit Operativ. Ky i fundit, kishte zonë të caktuar në lagje të qytetit apo fshatit. Mbi bazën e propozimit të Operativit, komisioni vendor që kryesohej nga sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit, i propozonte Komisionit të Internim – Dëbimeve pranë Kryeministrisë, marrjen e vendimit për internimin e personit apo familjes, për një kohë prej 5 vjetësh.
Edukimi i kuadrit, vlerësohej i rëndësishëm, ndërsa për këtë çështje, dikur Enver Hoxha kishte thënë: “Çështja e edukimit, duhet të bëhet si çështje e bukës që ha, në drekë e në darkë. Në rast se rrini pa bukë, mund të rrini dhe pa kulturë, pa marksizëm-leninizmin. Prandaj të ndiqni shkollat dhe kurset”.
***
Program i praktikës mësimore për studentët e vitit IV-të, dega Sigurim
Në bazë të planit e programit mësimor të Shkollës së Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, studentet e vitit të katërt, dega Sigurim, do të zhvillojnë një muaj praktikën mësimore, pranë Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe. Gjatë kësaj periudhe, studentet do të realizojnë këto detyra:
Të marrin pjesë në punën për edukimin ideopolitik, profesional e ushtarak të sektorit të Sigurimit sipas planove të Degës së Punëve të Brendshme.
Të njihen me evidencën operative të Punëtorëve Operative (përjashto pjesën e rrjetit sekret informativ dhe atë të përpunimeve), me situatën operative të zonës, me veprimet që kryen Punëtori Operativ, në marrëdhënie me sektorin e evidencës operative, me Punëtorët Operativë në Degë dhe me Degët e tjera të Punëve të Brendshme.
Të njihen me dosjet formulare të një objekti që ndiqet për spiunazh; të një objekti që ndiqet për agjitacion e propagandë armiqësore; të një objekti që ndiqet për arratisje jashtë shtetit; të një objekti që ndiqet për sabotim dhe të një elementi antiparti.
Të punojnë për hartime të planeve të masave operative, plane kombinacionesh për objektet e përpunimit që kanë njohur.
Të marrin pjesë në një operacion (arrestim ose internim).
Të njihen me dosjet personale dhe të punës të një agjenti, një informatori dhe një rezidenti.
Të marrin pjesë në takimet që organizon Punëtori Operativ me këta bashkëpunëtorë.
Të bëjnë përpunimin e raportove të marra nga bashkëpunëtoret që takojnë.
Të njihen me një dosje të ORV. (Objektet e Rëndësisë së Veçantë)
Të njihen me plan-masash, për sigurimin e udhëheqjes së Partisë e të shtetit, kur vijnë në rreth, apo në stërvitje ushtarake.
Të njihen me një dosje dha fashikull kërkimi.
Të njihen me masat që merren për kontrollin e të huajve që vijnë nëpërmjet kanaleve legale në atë rreth dhe me fashikullin e një të huaji.
Të njihen me procedurën e masave që merr Punëtori Operativ i zones, me shefin e Sigurimit të njësisë, për mbajtjen në gatishmëri e ndjekje në dinamikë të evidencës së kohës së luftës.
Të marrin pjesë në grupet operativo-hetimore, për këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Të shkojnë 3 ditë në zonë me Punëtorët Operativë me qëllim që të mësojnë, se si e organizojnë dhe realizojnë punën ata me rrjetin sekret, me përpunimet, kontingjentet, bashkëpunimin e punës me Punëtorët Operativë të tjerë (Sigurim, Ndjekjen e Krimeve, si dhe atë të Sigurimit të Ushtrisë), marrëdhëniet e Punëtorit Operativ me organet e Partisë e të pushtetit në zonë, si dhe lidhjet me masat etj.
Të marrin pjesë në analizat e punës në seksion apo degës, për probleme të Sigurimit.
Të punojnë dhe të ndihmohen për gjetjen e materialeve të nevojshme për temën e punës se pavarur, ta përfundojnë atë dhe të dërgohet në shkollë deri me datën 4.6.1987.
Të qëndrojnë një ditë pranë oficerit të rojës në degë dhe të ndjekin nga afër veprimet dhe detyrat që kryen ai gjatë shërbimit 24 orësh.
Për hartimin e planeve individuale për çdo student, si dhe për kontrollin e praktikës mësimore, Katedra e Sigurimit do të dërgojë pedagogët e saj në Degët e Punëve të Brendshme përkatëse.
(Programi në fjalë ishte miratuar edhe nga ministri)
Programi i shkollës së lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme
Shkollimi në profilin Sigurim, ishte 4 vjet. Provime formimi jepeshin në lëndët marksizëm-leninizmi dhe specialitet. Lëndët që zhvilloheshin ishin këto:
Histori e PPSH-së
Ekonomi politike (kapitalizmi)
Ekonomi politike (socializmi)
Materializmi dialektik
Materializmi historik
Gjuhë e huaj
Kontabilitet
Logjikë
Psikologji
Teoria e shtetit dhe e së drejtës
E drejtë kushtuese
E drejtë e punës dhe familjes
E drejta civile (pjesa e përgjithshme)
E drejta penale (pjesa e përgjithshme)
E drejta administrative
E drejta e detyrimeve
E drejta kushtetuese (pjesë e posaçme)
E drejta kooperativiste
Procedura penale
Mjekësi ligjore
Psikiatri gjuhësore
Kriminalistikë
E drejta ndërkombëtare publike
Kriminologji
Informatikë
Historia e armës së Sigurimit të Shtetit
Specialitet
Njohuri për zbulimet e huaja
Mjetet teknike dhe metodat
Përgatitje taktike
Historia e Artit Ushtarak Popullor
Përgatitje zjarri
Përgatitje fizike
Topografi.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016