Nga Lutfi ALIA
Pjesa e parë
Memorie.al / Më 3 shtator 1943, kryeministri i Italisë, mareshali Badoglio, firmosi armëpushimin me forcat aleate anglo-amerikane, të cilët i dhanë urdhër, t’ia komunikonte menjëherë popullit italian, këtë vendim. Badoglio hezitoi e nuk po e shpallte armëpushimin, por anglo-amerikanët i bënë presion duke bombarduar Romën dhe Napolin. Më 8 shtator 1943, në orën 18. 30, gjenerali Dwight Eisenhower, në Radio – Algjeri, proklamoi kapitullimin e Italisë Fashiste. Një orë më vonë dhe kryeministri Badoglio u detyrua ta njoftojë popullin italian, për kapitullimin dhe firmosjen e armëpushimit.
Gjenerali Maitland Wilson, komandanti i Forcave Aleate në Mesdhe, urdhëroi trupat italiane t’i dorëzonin armët partizanëve dhe të luftonin kundër gjermanëve, ndërsa gjenerali Dalmazzo, komandanti i ushtrisë italiane, bëri të kundërtën, mori një vendim fatal.
Ndërsa një përfaqësueses i tij, në takimin me kapitenin britanik Seymour (agjenti i SOE në Shqipëri), diskutonte mundësitë e bashkëpunimit të italianëve me aleatët, vetë gjenerali Dalmazzo më 12 shtator, firmosi marrëveshjen me Komandën gjermane në Shqipëri, për transportimin e ushtareve italianë në Manastir, nga ku do të merrnin trenin për në Beograd. Thuhej se do te riatdhesoheshin.
Shpallja e armëpushimit krijoi konfuzion në ushtrinë italiane, pasi shumica e konsideruan si fundin e luftës. Në mungesë të urdhrave të sakta, komandat dhe ushtarët italianë, u ndjenë të braktisur dhe të çoroditur.
Shumica e ushtrisë u kapën nga gjermanët, që i dërguan në kampet e shfarosjes në Gjermani; oficerët e Divizionit “Peruxhia”, që kundërshtuan t’i dorëzojnë armët, u pushkatuan nga gjermanët; ushtarët e Divizionit “Brennero”, i hodhën armët dhe me anijet nga Durrësi u kthyen në Trieste; ndërsa një pjesë, si rasti i Divizionit “Firence”, u lidhën me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe së bashku luftuan kundër pushtuesve gjermanë.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, sapo u informua për kapitullimin e Italisë, menjëherë i drejtoi thirrje forcave partizane dhe popullit, të vazhdonin luftën kundër pushtuesit të ri: “Sot më tepër se kurrë, duhet t’i tregojmë armikut tjetër, invazorit gjerman, fuqinë dhe vendosjen tonë, për luftën e shenjtë çlirimtare”.
Në urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm, drejtuar komandave të formacioneve partizane, theksohej të godisnin pushtuesit gjermanë dhe të merrnin në mbrojtje ushtarë italianë, që ishin çoroditur nga situata e armëpushimit, pasi rrezikoheshin të ndëshkoheshin nga gjermanët, ose të dërgoheshin në kampet e shfarosjes në masë në Gjermani.
Pikërisht ato ditë, komanda e Batalionit të Martaneshit, mori urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm, që së bashku me Batalionet e Çermenikës, të Berzeshtës dhe me Çetën e Shëngjergjit, të sulmonin kolonën gjermane, që shoqëronte mbi 1000 karabinierë, financier, roje me kuaj e, 450 këmishëzinjtë italianë, të komanduar nga kolonel Gamuçi, komandant i Legjionit të Karabinierëve të Tiranës.
Largimi i forcave italiane, u urdhërua nga gjeneral Lorenzo Dalmazzo, Komandanti i Armatës IX-të, pas akordit me komandën e përgjithshme gjermane. Kolona u nis nga Tirana për në Manastir, ku do të merrnin trenin për në Beograd, nga ku shpresonin të riatdhesoheshin. Një pjesë e ushtarëve marshonin në këmbë, të tjerët në kamionë. Autokolona paraprihej nga Batalioni 26° i këmishëzinjve, që udhëtonte një kilometër para kësaj kolone masive, e skortuar nga forcat gjermane.
Forcat e bashkuara partizane, organizuan pritë te Kroi i Pishkashit, 3 km. mbi Qukës. Në një pjesë të ngushtë të rrugës, para një kthese, partizanët e bllokuan kalimin me gurë, që i rrokullisen nga shkëmbi përballë. Të gjithë partizanët u pozicionuan në anën lindore për gjatë shpatit të malit, duke vënë nën kontroll tërë gjatësinë e kolonës, ndërsa në anën perëndimore ndodhej lumi i Shkumbinit dhe shpati i pjerrët e i pakalueshëm.
Pritën te Kroi i Pishkashit, e përshkruan në ditar nëntogeri Franko Galiardi (Regjimenti 49° i Artilerisë, i Divizionit Parma: “Pas një ndalimi të shkurtër në Librazhd, rifilluam marshimin…! Në Qukës, autokolona e jonë, i la pas karabinierët e Legjionit të Tiranës. Rrugës shohim ushtarë që ecin në këmbë, të lodhur, të djersitur e të revoltuar. Në orën 12.30, një masë ushtarësh u kthyen me nxitim prapa duke thirrur: “Rebelët! Rebelët!”
Në largësi 50 m. para meje, rruga ishte bllokuar me gurë. Batalioni 26° i këmishëzinjve, e shtyu prapa masën e ushtarëve dhe të mushkave që ktheheshin me rrëmujë. Autoblindat gjermane përpiqeshin të dilnin në krye, por ishte e pa mundur. Partizanët janë shumë afër, të pozicionuar në bregoren e kodrës, me armët drejt nesh, por nuk qëllonin.
Një zë i fortë na ftonte të shkonim në mal së bashku me ata, për të luftuar pushtuesit gjermanë. Partizanëve nuk u interesonim ne, por karabinierët dhe këmishëzinjtë, që ishin të armatosur…” (Ditari i nëntogerit Franco Galiardi) Thirrja e partizanëve, që të dorëzoheshin e të luftonin së bashku kundër gjermanëve, u përsërit disa herë.
Të parët u dorëzuan ushtarët dhe karabinierët, që kishin marshuar në këmbë, më pas oficerët. Autoblindat gjermane hapën zjarr kundër pozicioneve të partizanëve. Në qendër të luftimeve, ishin partizanët e Batalionit të Martaneshit, aty ku ishte përqendrimi më i madh i ushtarëve gjermanë.
Hysen Koxherri me breshëritë e mitralozit dhe zjarri i dendur i armëve të partizanëve, e bllokuan mësymjen e forcave gjermane.
Shkëmbimi i zjarrit vazhdoi disa orë. Sulmi i gjermanëve në krye të rrugës vazhdoi me përleshje trup më trup, ku u vranë disa ushtarë gjermanë, ndërsa në radhët e partizanëve mbetën të vrarë Shaban Kenga dhe Emin Balla.
Dy kompanitë e ushtarëve gjermanë e braktisën kolonën me ushtarë, dhe pasi morën një pjesë të ushtarëve dhe milicëve italianë, vazhduan rrugën në drejtim të Prrenjasit, kaluan Qafë Thanën dhe arritën në Strugë.
Për luftimet te Kroi i Pishkashit, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë, me shkresën Nr. 28/1 – Rezervat, dt. 29.9.1943, informonte Ministrinë e Punëve të Brendshme: “…. Më 29 shtator 1943, në vendin e quajtur Kroi i Pishkashit, 3 km. larg Qukësit, asht atakue një çetë partizane me një autokolonë me ushtarë italianë, që udhëtojshin prej Librazhdit për në Strugë, një pjesë me makinë e, pjesa tjetër në këmbë…”!
Për aksionin te Kroi i Pishkashit, në veprën “Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar: prill 1939 – nëntor 1944, Tiranë 1984”, lidhur me këtë ngjarje, është shkruar: “Forcat partizane hapën zjarr të befasishëm dhe një autoblindë e dy makina u përfshinë në flakë. U ndezën luftime të ashpra. Armiku kundërsulmoi disa herë, por kur e pa se po pësonte humbje të ndjeshme në forca e në mjete, u detyrua të tërhiqej drejt Qafës së Thanës.
Në këtë aksion u vranë 20 ushtarë gjermanë dhe u kapën rreth 1000 ushtarë, karabinierë, nënoficerë e oficere italianë, 700 pushkë, 39 mitrolozë të lehtë e të rëndë, 14 mortaja, 51 kuaj e mushka dhe 16 makina të ngarkuara me municione, me ushqime e veshmbathje. Gjatë luftimeve mbetën të vrarë dy partizanë, Shaban Kenga nga Martaneshi dhe Emin Balla nga Shëngjergji”.
Trupi i partizanit Shaban Kenga nuk u gjet. Rreth vrasjes së tij, u krijuan shumë hamendësime. Thanë se u plagos dhe e morën gjermanët në një kamion, të cilët e çuan në një kamp përqendrimi në Gjermani, por kjo nuk ishte e vërtetë. Ngjarja u sqarua në vitin 1970, kur një fshatar nga Prrenjasi, tregoi, se pasi ishin larguar partizanët, e kishte gjetur trupin e Shaban Kengës dhe e kish varrosur në varrezat e fshatit.
Pas përfundimit të luftimeve, forcat partizane dhe kolona e ushtarëve italianë që u dorëzuan, nisi marshimin në drejtim të Çermenikës, të shoqëruar nga partizanët e Batalionit të Martaneshit, të Çermenikës dhe të Çetës së Shëngjergjit. Armët, municionet dhe materialet e tjera u ngarkuan në disa kamionë, ndërsa ushtarët e të gjitha njësive që u dorëzuan, vazhduan udhëtimin në këmbë. Këtu fillon historia dhe fati tragjik i kolonës Gamuçi.
Ndonëse kjo histori nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me Martaneshin, por përderisa në disa rrethana e në disa ngjarje, janë të pranishëm dhe partizanët e Batalionit të Martaneshit, po prezantoj një panoramë të shkurtër, si e trajtojnë autorë te shumte, me synim për të hedhur dritë mbi disa aspekte ende të errëta dhe të pa sqaruara rreth kësaj historie.
Intermexo
12 shtator 1943, gjenerali Dalmazzo firmosi marrëveshjen me Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë gjermane në Shqipëri, për evakuimin e trupave italiane. 15 shtator 1943, forcat ushtarake të Tiranës filluan përgatitjet për marshimin e gjatë. 25 shtator 1943: Kolona Gamuçi la Tiranën e pas udhëtimit me shume peripeci për në Elbasan, vazhdoi rrugën për në Librazhd, Strugë, me destinacion Manastirin.
Në Qafë Kërrabë (km. 17), kolona u sulmua nga partizanët. Mbi 500 ushtarë italiane iu dorëzuan forcave partizane. Pjesa tjetër e kolonës vazhdoi marshimin drejt Elbasanit. Pas një pushimi të shkurtër në Elbasan, kolona vazhdoi rrugën për në Librazhd.
29 shtator 1943: Prita e partizanëve te Kroi i Pishkashit, dorëzimi masiv i ushtarëve dhe i oficerëve italianë.
29 – 30 shtator 1943: Marshimi nga Kroi i Pishkashit, në itinerarin Qukës, Skroskë, Përroi Bushtricës, Guri Stafës, Vlash, Qarrishtë, Fushë Studen, Lunik, Orenjë, Fushë Gurrë.
1 tetor 1943: Kolona Gamuçi arrin në Lunik. 2 tetor 1943: Kolona arrin në Orenjë. Karabinierët me disa oficerë i dërguan dhe i sistemuan në Fushë-Gurrë, ku ishin nën kontrollin e rreptë të rojeve partizane të Batalionit të Çermenikës.
Rrugëtimi i kolonës Gamuçi, nga Tirana deri te Kroi i Pishkashit (vija me ngjyrë blu) dhe udhëtimi deri në Orenjë (vija ngjyrë të zezë). (T. Mereu, L. Mereu. La Colonna Gamucci. Alla ricerca della Verità. Alcione, Trento 2014). 2 tetor 1943: Partizanët e Batalionit të Martaneshit, pasi morën një sasi armësh, dy mitroloza “Bredda”, municione dhe ushqime, u kthyen në Ballejë. Gjithashtu morën një togë me ushtarë italianë, disa prej të cilëve i mbajtën në Ballejë, ndërsa të tjerët i shpërndanë në shtëpitë e fshatarëve.
3 tetor 1943. Forcat partizane të Batalionit të Çermenikës, i çarmatosen të gjithë karabinierët dhe ushtarët e tjerë, ndërsa oficerëve iu lanë vetëm pistoletat. 8 tetor 1943: Kolonel Gamuçi dhe grupin e oficerëve i izoluan në ndërtesën e komunës së Zdrajshës, ku ishin nën kontrollin e rojeve partizane të Batalionit të Çermenikës.
10 tetor 1943: Oficerët e misionit anglez Smiley e McLean kryen një vizitë të shkurtër në bazën e robërve italianë te Guri i Muzhaqit dhe pas një bisede me Kadri Hoxhën, u larguan për në Fushë Bizë, ku pritej të zbarkonte gjeneral brigade ‘Trotsky’ Davies.
15 tetor 1943: Në orën 14:00, nëntoger Galiardi dhe kapiten Karboni, u takuan dhe biseduan me komandantin Kadri Hoxha, i cili pyetjes së tyre: “Çfarë do të bënin me oficerët italianë”, iu tha: “Per quanto riguarda gli ufficiali, una soluzione definitiva è in via di attuazione – (për sa i përket oficerëve, është në rrugë zgjidhja përfundimtare)”.
(Intervista televizive e Kadri Hoxhës më 1996) 16 tetor 1943: Në Fushë Gurrë arrin Xhelal Staravecka me Batalionin II-të të Brigadës I-rë Sulmuese, me detyrë: “Zbatimin e urdhrit të Dushan Mugoshës dhe të Mehmet Shehut: Pushkatimi i karabinierëve dhe i oficerëve”. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















