Nga Lutfi ALIA
Pjesa e dytë
Memorie.al / Më 3 shtator 1943, kryeministri i Italisë, mareshali Badoglio, firmosi armëpushimin me forcat aleate anglo-amerikane, të cilët i dhanë urdhër, t’ia komunikonte menjëherë popullit italian, këtë vendim. Badoglio hezitoi e nuk po e shpallte armëpushimin, por anglo-amerikanët i bënë presion duke bombarduar Romën dhe Napolin. Më 8 shtator 1943, në orën 18. 30, gjenerali Dwight Eisenhower, në Radio – Algjeri, proklamoi kapitullimin e Italisë Fashiste. Një orë më vonë dhe kryeministri Badoglio u detyrua ta njoftojë popullin italian, për kapitullimin dhe firmosjen e armëpushimit.
Xhelal Staravecka qëndroi në Fushë-Gurrë 48 orë. 16 tetor 1943: Komanda e Batalionit të Çermenikës, urdhëroi kolonel Gamucin dhe kapiten Ramiddin, që ende ndodheshin ne Zdrajsh, të paraqiten në Fushë-Gurrë, për t’u nisur me kolonën e karabinierëve për në Burrel. Sipas ditarit te nëntoger Galiardi, kolonel Gamucci dhe kapiten Ramiddi, u larguan nga Zdrajsha në orën 16.00, të datës 16 tetor.
17 tetor 1943: Me një letër, me firmë apokrifa të Kolonel Gamucci, ftohej grupi i oficerëve të tjerë, të izoluar në Zdrajsh, të shkonin në Fushë-Gurrë, për t’u nisur dhe ato për në Burrel. Në mëngjesin e 18 tetorit, ky urdhër u anulua përkohësisht, me motivin se udhëtimi për në Burrel nuk ishte i sigurtë.
17 tetor 1943: Atë ditë, u ekzekutuan 111 karabinierët dhe 10 oficerët italianë, siç ka dëshmuar Xhelal Staravecka, komandanti i Batalionit II-të të Brigadës I-rë Sulmuese: “Më zgjuan në mesnatë e më thanë të paraqitem në shtab. Kur hyra brenda më priste Dushan Mugosha, me sytë që i ndrisnin. Ai më tha: ‘Në Orenjë të Çermenikës janë 111 karabinierë italianë, merr batalionin tënd dhe shko e pushkatoi, sepse kemi nevojë për uniformat, që të veshim partizanët.
Mos fol me asnjë se është sekret e në rast se e zbulojnë të tjerët, do të protestojnë kundër nesh, sidomos tani që janë miq të aleatëve. Më keq do të jetë, nëse e zbulojnë ata të ‘Ballit Kombëtar’, do ta kenë një armë më shumë kundër nesh’. Gjithçka që tha Mugosha ishte urdhër, nuk diskutohej. Shkova në Orenjë, në qendrën e Batalionit të Çermenikës … ku të gjithë ishin në dijeni.
Të nesërmen, mora 111 karabinierët së bashku me kolonel Gamucci, komandantin e tyre dhe rreth 10 oficerë. Iu thashë se do të shkojmë në Burrel. Pas dy orë udhëtimi, ndaluam, i lidhëm karabinierët dhe pasi i ndava në pesë grupe, i zhveshëm e më pas i pushkatuam…! Për pushkatimin e karabinierëve dhe oficerëve të tyre, u angazhua Kadri Hoxha, duke përdorur batalionin tim, ndërsa 17 prej tyre i kam pushkatuar unë, me dorën time…”!
Praninë e Kadri Hoxhës në pushkatimin e kolonel Gamucit, të oficerëve dhe të karabinierëve, e dëshmon dhe ushtari italian Mario Eriko, i vetmi që shpëtoi nga pushkatimi. Mario Eriko, nuk ishte karabinier, andaj Kadri Hoxha e largoi dhe ia shpëtoi jetën. Pas dy ditësh e caktoi magazinierin e uniformave, armatimeve, pajisjeve dhe objekteve personale, të sekuestruara karabinierëve.
Kjo masakër, nuk mund të jetë vepër vetëm e një apo dy personave. Sigurisht në dy javët e para të tetorit, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Dushan Mugosha, Tahir Kadare dhe Ramadan Çitaku etj., së bashku e kishin vendosur pushkatimin e karabinierëve dhe të oficerëve, çka konfirmohet me letrën, që Mehmet Shehu i dërgoi komandës të Batalionit II-të, më 29 tetor 1943, ku theksonte: “Komandanti ishte kolonel Gamucci, zv-komandanti i Gjykatës Supreme të Karabinierëve (Gjykata Ushtarake)…”!
Nuk është rastësi, që kjo masakër iu ngarkua Xhelal Staraveckës, i njohur për agresivitetin, për akte violence dhe pushkatimet në grupe të robërve italianë, sidomos të karabinierëve. Pas këtyre qëndrimeve dhe masakrës në Fushë-Gurrë, Xhelal Staravecka e tradhtoi luftën Nacionalçlirimtare dhe shkoi në Xhandarmërinë e regjimit fashist, të cilët e shpërblyen duke i dhënë gradën kapiten i parë, me detyrë në komandën e Xhandarmërisë të Tiranës.
Pas luftës u arratis në Itali, por emri i tij ishte i njohur për aktet kriminale, andaj e arrestuan, e gjykuan dhe e dënuan me burgim. Jetën e tij si partizan, pushkatimin karabinierëve dhe të oficerëve italianë, si dhe aktivitetin si oficer xhandarmërie, i ka treguar në librin, e botuar në Tiranë në vitin 2006, nga Shtëpia Botuese “Naimi”.
Kadri Hoxha, në kujtimet e tij për vitet e luftës dhe në intervistën televizive në vitin 1996, ka akuzuar Xhelal Staraveckën për pushkatimin e karabinierëve dhe oficerëve italianë. Xhelal Staravecka, pranon se ai e ka drejtuar pushkatimin dhe se i ka vrarë me dorën e tij 17 karabinierë, por thekson dhe praninë e Kadri Hoxhës në këtë masakër. Praninë e Kadri Hoxhës e dëshmon edhe ushtari Mario Erriko. Kush ka të drejtë në këto akuza reciproke?
Partizanët e Batalionit II-të të Brigadës I-rë, pjesëmarrës në ekzekutimin e karabinierëve italianë dhe partizanët e Batalionit të Çermenikës, që kishin dijeni për atë ndodhi të kryer ne territorin e tyre, për fat të keq heshtin, nuk prononcohen, duke e bërë edhe më enigmatike këtë ngjarje, madje, me këtë qëndrim ia kalojnë përgjegjësinë dy komandantëve të tyre, Xhelal Staraveckës dhe Kadri Hoxhës.
Edhe një enigmë tjetër. Kolonel Giulio Gamucci kishte studiuar në Akademinë Ushtarake të Napolit, bashkë me Mehmet Shehun dhe Kadri Hoxhën, pra njiheshim mes tyre. Atëherë përse e eliminuan “mikun e vjetër”? A justifikohet pushkatimi i kolonel Gmuccit, pa një proces gjyqësor dhe vetëm me akuzën, si nën-kryetar i Gjykatës Ushtarake? Po 111 karabinierët dhe 10 oficerët e tjerë, me çfarë akuze u pushkatuan?
23 tetor 1943: Dy oficerët e misionit ushtarak britanik, David Smiley dhe Billy McLean, shkuan në takim me Shtabin e Përgjithshëm në Labinot, ku takuan edhe gjeneralin Azzi, ish-komandanti i Divizionit “Firence”, që ishte përfaqësuesi i ushtrisë italiane pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë partizane Shqiptare, por asnjeri nuk jep informacione rreth ekzekutimit të kolonel Gamuccit dhe të karabinierëve.
Misioni ushtarak britanik, më 10 tetor e kishte vizituar kampin ku mbaheshin karabinierët, pra e njihte mirë situatën, sigurisht dhe Kadri Hoxha i kishte i informuar për këtë ngjarje, por për të mos u akuzuar ortakë në këtë masakër ata kanë heshtur./ Memorie.al
Bibliografia
- Dokumenta të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Tiranë. 1965 - Proclama del Generale Lorenzo Dalmazzo, comandante del IX Armata. Tirana, 12 settembre 1943.
- Tulio Mereu. Da Tirana a Fushe Gurra, la storia della colonna Gamucci. 2004
- Franco Galiardi, S. tenente, 49o art. Div. Parma, autore del diario sui movimenti della Colonna Gamucci. 1943.
- A.Q.Sh., PPSH, Fondi 41, Dosje 20, Nr 5, viti 1943
- Tullio Mereu, Laura Mereu. La Colonna Gamucci. Alla ricerca della Verità. Alcione, Trento, 2014.
- Alessandro Serra. Albania 8 Settembre ’43- 9 Marzo 1944. Longanesi, Milano, 1974.
- Xhelal Staravecka. “Përpara gjyqit të historisë – 1912-1966” Botimet “Naimi”. 2012
- Archivio Storico Dipl. Mininistero Esteri Itialiano. (Affari Politici 1946-1950 Albania -Busta n.15)
Dichiarazione autiere Mario Errico, datata 5 gennaio 1946. - Antonio Magnano. L’eccidio della Colonna Gamucci. Storia dei Carabinieri Reali comandati dal colonello, Giulio Gamucci. Roma, Herald Tribune, 2015, f. 30 – 120
- David Smiley. Albanian Assignment. Hogarth Press, London, 1984













