Nga Veli Haklaj
-Veprimet e Batalionit të Vullnetarëve çamë në luftën italo–greke, nga Shqipëria në Greqi-
Memorie.al / Objekt i këtij shkrimi që po publikojmë, është agresioni i Italisë fashiste kundër Greqisë dhe veprimet e formacioneve me ushtarë e civilë shqiptarë, në territoret greke të pushtuara. Lufta me Greqinë, i solli dëme të mëdha Shqipërisë. Ajo do të çonte në humbje jetë njerëzish, nga radhët e ushtarakëve e të civilëve shqiptarë, si dhe shkatërrimin e një pjesë të mirë të territorit të Shqipërisë së Jugut. Pjesë e shkrimit, do të jetë dhe një letër e kuestorit, major Skënder Çami, drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Zef Kadarja, ku shpalosen të dhëna me interes, për veprimet e batalionit të dytë të vullnetarëve çamë, në agresionin kundër Greqisë.
Majori i Kuesturës së Korçës, efektiv i Ministrisë së Brendshme, Skënder Çami, 41 vjeç, nga Konispoli, me detyrë kuestor në Korçë, u vra me pesë plumba, më 4 mars 1942, në orën 19.30. Në informacionin e prefektit të Korçës, Hysni Peja, për autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, theksohet se kuestori Skënder Çami, u vra nga njerëz të panjohur, 50 metra larg shtëpisë. Vrasja rezultonte për arsye politike.
Skënder Çami kishte qenë Qark-Komandant në shumë prefektura dhe mbahej si një ndër njerëzit më të aftë të armës së Xhandarmërisë. Sipas historianit Kastriot Dervishi, “shpjegimi i kësaj vrasjeje, ishte i qartë: për t’i mbyllur gojën. Skënder Çami, ishte një person që kishte shërbyer edhe në Korçë e Gjirokastër, duke qenë për pasojë njohës i mirë i problemeve dhe të dhënave të imta, të banorëve të kësaj zone”. Për vrasjen e tij, u përfol emri i Ramiz Aranitasit, nga Ballshi, i cili, duke qenë pjesëtar i forcave komuniste, që drejtoheshin nga Xhelal Staravecka, u vra më 22 qershor 1943, për gjakmarrje nga xhandari Ali Kajmaku, që ishte pjesëtar i asaj çete.
Agresioni i Italisë fashiste ndaj Greqisë
Me gjithë deklaratat e Musolinit, se Italia nuk kishte ndërmend të sulmonte Greqinë dhe Jugosllavinë, qeveria italiane, fill pas pushtimit të Shqipërisë, intensifikoi përgatitjet ushtarake, shoqëruar me një rritje në mënyrë të dukshme, të numrit të ushtarëve italianë në Shqipëri. Agresionit kundër Greqisë, i parapriu një propagandë e shfrenuar demagogjike, duke hedhur në qarkullim dhe tezën, se me këtë rast; do të realizohej bashkimi i Çamërisë me Shqipërinë, si një hap drejt krijimit të Shqipërisë etnike.
Nënshkrimi i “Paktit të çeliktë” (22 maj 1939), nuk shënoi, ashtu siç pritej, fillimin e një periudhe mirëkuptimi dhe mirëbesimi të ndërsjellë, ndërmjet dy regjimeve totalitare, Rajhut III-të të Hitlerit dhe Italisë fashiste të Musolinit. Sipas historianit Roberto Batalia, vendosja e lidhjeve më të drejtpërdrejta në fushën politiko-ushtarake, e bënte të pashmangshme përplasjen e interesave themelore të imperializmit gjerman e italian, ashpërsonte luftën midis dy sistemeve autarkike, ngaqë secili prej tyre, kërkonte për vete lirinë e plotë të veprimit.
Nga fillimi i gushtit 1940, Konti Çiano, vendosi të bënte luftën e vet, të sulmonte Greqinë. Por më 17 gusht, Ribentropi, në emër të Hitlerit, i kërkoi Çianos dhe Musolinit, që të hiqnin dorë nga çdo aksion në Gadishullin Ballkanik, pasi “Hitleri synonte të vepronte në këtë zone, vetëm në mënyrë paqësore”. Të njëjtin paralajmërim, i përsëriti Hitleri Musolinit, në takimin që patën në Brenero, më 4 tetor 1940. Çështja e Greqisë, doli përsëri në skenë, më 12 tetor 1940, kur Duçja mori vesh lajmin, se Hitleri kishte pushuar puset naftë-nxjerrëse të Rumanisë. Në prani të Çianos, ai u shpreh me këto fjalë: “Hitleri gjithmonë më vë përpara faktit të kryer.
Kësaj radhe, do t’ia shpërblej me të njëjtën monedhë. Ka për ta mësuar nga gazetat, që kam pushtuar Greqinë, kështu do të rivendoset ekuilibri i vërtetë”. Ndërsa Çiano mendonte se ky operacion ishte i nevojshëm dhe i lehtë, gjenerali Armelini, duke bërë bilancin ushtarak të forcave, shpresonte se Duçja, që e kishte ndërruar mendjen disa herë, do ta ndryshonte përsëri. Shpresa e tij, nuk u realizua dhe Duçja, në vend që të tërhiqej nga plani, thirri më 15 tetor më pallatin “Venecia”, shkëlqesitë Çiano, Badolja, Sodu, Jakomoni dhe Viskonti Praska. Në takim, nuk morën pjesë shefat e Shtabeve të Përgjithshme, të të tri armëve, për të parandaluar çfarëdolloj kundërshtimi të tyre.
Ndërhyrja e Çianos në këtë mbledhje, kishte vetëm një qëllim: t’i sigurojë pjesëmarrësit, se “Greqia nuk do të kundërshtojë” dhe se “ajo do të shembet, që me goditjen e parë”. Idetë e Çianos, përforcoheshin nga Jakomoni, i besuar i tij. Kurse gjenerali Viskonti Praska, përgjegjësi i drejtpërdrejtë i operacionit, edhe ato pak divizione që zotëroheshin në Shqipëri, i konsideronte të tepërta. Historiani Roberto Batalia, nënvizon se; “me sa duket, ai (gjenerali Praska), i trembej shtimit të numrit të divizioneve, ngaqë kështu komanda e operacionit, mund t’i ikte nga duart dhe do t’i kalonte ndonjë gjenerali tjetër, në shkallë më të lartë”.
Më 28 tetor 1940, pas një ultimatumi që qeveria italiane i drejtoi Athinës, Italia nisi sulmin kundër Greqisë. Tri divizione: “Ferrara”, “Çentaura” dhe “Siena” marshuan përgjatë bregdetit, me synim për t’u zgjatur drejt pllajës së Janinës, duke kapërcyer Kalamasin. Divizioni “Xhulia”, në të majtë të tyre, drejtohej për nga qafa e Mexovos, me synimin për t’i prerë rrugët e furnizimit armikut, ndërmjet sektorit epiriot dhe atij maqedonas. Akoma më në veri, divizionet “Parma” dhe “Piemonte” qëndronin në mbrojtje të pllajës së Korçës.
Pas disa sukseseve të para, ushtria italiane u detyrua të tërhiqej nga pozicionet, duke lëshuar më 22 nëntor Korçën dhe në fillim të dhjetorit, edhe Gjirokastrën. Historiani Batalia, do theksonte se; “Kjo s’ishte luftë, por një masakër e frikshme, në të cilën njerëzit vdisnin më shumë nga furtunat e dëborës, sesa nga zjarri i armikut”. Ndërkohë në Romë, më 24 dhjetor 1940, i dëshpëruar për disfatat në Greqi, por dhe për goditjet po aq të rënda që kishte marrë në Taranto, pas shkatërrimit pothuajse të plotë të flotës dhe nga sulmi anglez në Libi, në prani të Çianos, Duçja do komentonte: “Kjo borë dhe ky i ftohtë, bëjnë shumë mirë.
Kështu do të vdesin të gjithë bark tharët e gjysmakët dhe do të përmirësohet disi kjo racë mediokre italiane”.
Veprimet e batalionit të vullnetarëve çamë, në luftën italo–greke. Grupi i autorëve të ‘Historia e Popullit Shqiptar’, IV, thekson se; “Ndryshe nga qeveria e Shefqet Vërlacit, e cila, duke mos qenë në gjendje, t’i bënte ballë trysnisë së Romës zyrtare, e mbështeti dhe iu bashku agresionit të fashistëve italianë, populli shqiptar dhe forcat përparimtare në vend, u pozicionuan prerazi kundër tij dhe pro luftës së drejtë, të popullit grek”.Përpjekjet e pushtuesit fashist italian për të bërë një mobilizim ushtarak, apo “mobilizim civil”, dështuan.
Ndërkohë ushtarët shqiptarë të batalioneve; “Tomori” dhe “Taraboshi”, që u çuan me forcë në frontin grek, nuk pranuan të luftonin dhe dezertuan nga fronti. Një pjesë e tyre, u bashkuan me forcat greke dhe luftoi së bashku me ta, kundër agresorëve fashistë italianë. Kurse pjesën tjetër, italianët e çarmatosën, e arrestuan dhe e mbyllën në kampin e përqendrimit, në Shijak, ku shumica arriti të dezertojë. Batalionin e dytë të vullnetarëve çamë, që veproi në zonën e operacionit në Çamëri, e drejtonte major Skënder Çami. I akuzuar nga një person civil, se nuk kishte luftuar mirë, me batalionin çam në Çamëri, nga Shkodra, më 29 gusht 1941, Skënder Çami i drejtoi një raport sqarues, Drejtorisë Qendrore të Policisë, në Tiranë.
Në letrën shoqëruese, për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, zotin Zef Kadarja, ai do theksonte se; “Informatës nuk i jap rëndësi, pse kompetentët nuk do ta kenë besuar, mbasi veprat e mia gjatë atyne dy muajve dihen publikisht e, nëse ndokush ose disa, do të donin me fsheh realitetin, të tjerët kishin me tregue të vërtetën”. Nisur nga të dhënat autentike që paraqiten, në vijim po japim raportin të plotë. Përgjithësisht, kemi ruajtur gjuhën e dokumentit.
Rezervat personal
Mbi veprimet e kuestor Skënder Çamit, gjatë kohës si komandant i Batalionit II-të të Vullnetarëve çamë, e mbi një informatë fals dhënë kundër tij.
Drejtorisë Qendrore të Policisë në Tiranë
Disa ditë më parë, kam marrë vesh se një njeri civil, emnin e të cilit akoma nuk e di mirë, ka dhënë një informatë, ndofta në Lugotenenza, se gjoja unë nuk kam luftuar mire, gjatë kohës time si komandant i Batalionit II-të të Vullnetarëve çamë, në Çamëri. Për të zbuluar të vërtetën mbi këtë informatë, plotësisht gënjeshtër, e për me vue në dijeni eprorët e mi, mbi gjithë veprimet e bâmuna me Batalionin e Dytë të Vullnetarëve çamë, marr lejen me u parashtrue se: Më datë 23 tetor (1940), me urdhër verbal dhënë nga Insp. Generale të Lugotenencës, Comm. Melloni, jam nisur për Delvinë, si komandant i Batalionit të Dytë të Vullnetarëve çamë.
Kur kam mbërritur në Delvinë, kam gjetur të përgatitur ushtarakisht, nja 100 njerëz e, brenda 2–3 ditë të qëndrimit tim në Delvinë, numri arriti deri në 130 vullnetarë, të gjithë çamër e banues si emigrantë në rrethet Delvinë, Porto Edda (Sarandë) e Konispol. Me këta njerëz, kam filluar veprimet e ngarkueme, sipas urdhrave të dhanuna nga komanda e Regjimentit të Tretë të Granatierave dhe, vetëm kur u thyen stacionet greke dhe kaluam në katundet shqiptare të Çamërisë, kemi vazhduar regjistrimet, tue shtue forcën e Batalionit të Dytë, deri në 300 vetë. Me këtë fuqi, janë kryer këto veprime:
Ky Batalion i Dytë, tue qenë avanguarda, ishte fuqia e parë që bëri atak kundër grekëve, i cili theu qëndresat armike, në Qafën e Likojanit, Sajada e Lopes dhe ka arritur rregullisht objektivin e caktuar në Smartë të Filatit, afër lumit Kalama. Nga katundi Lopes, u lajmërue komanda e regjimentit, mbi mbërritjen në këtë objektiv dhe mbas-andej filloj veprimi i Regjimentit të Granatjerëve dhe i Kavalerisë. Mbas disa ditë qëndrimi në Smartë, batalioni i dytë, tue qenë gjithnjë avanguardë, ishte i pari që kapërceu lumin e Kalamajt dhe mbërriti plotësisht objektivin e dytë, në katundin Shules Kastri, tue thye plotësisht, të gjithë kundërshtimet armike e tue e shtrëngue nga ky veprim, me lirue fuqitë kundërshtare pozicionet e tyne të tjera, në Varfani, ku aherë filluan dhe forcat tona të krahut të majtë, me kalue lumin Kalama në Vorselë.
Të nesërmen morëm urdhër, me përparue gjithnjë avanguarda dhe okupuam qytetin Gumenicë e Grikohor, me rregull, disiplinë e pa prekur asgjë në qytet, e po atë natë, mbërrijtëm objektivin e tretë, në katundin Nista, tue ecur kështu pa pushuar afro 60 km. Nga Nista, si mbas urdhënit të marrun, tue përshkrue katundet Skopioni e Kuç, mbërritëm tjetrin objektiv, në katundin Arpica. Kudo që shkonim, pritjet ishin me të vërtetë entuziaste. Gjithë populli, vinte me u takuetue u salutue, në mënyrë romake, tue thirrun e tue brohoritë për Mbretin, Duçen, Shqipnin e Italinë Fashiste. Në shumë katunde, valonin flamurët italianë e shqiptarë, që prej kohe i kishin përgatitur e mbajtur fshehtazi. Nga Arpica, dërguam një plotone në katundin Agji, e një plotone në Margëlliç, njerëz të kërkuar nga këto katunde, për me u mbrojt nga çdo eventualitet, të komitave greke e, për me bâ patrullime, përpara linjës së pozicionimeve tona. Këto plotone, kanë qenë pritur kudo me entuziazëm, nga gjithë popullata. Nga çdo anë na vinin ftesa, për me dërgue fuqina për me okupue e me sigurue katundet, e veçanërisht qytetarët e Pargës, që kishin përgatitur flamurët, për me na pritë me demonstracione e me simpathi.
Deri këtu çdo gjâ shkoj mirë, megjithëse kishim konstatue se shumë vullnetarë e, sidomos midis atyne të Delvinës, Porta Edda e Konsipolit, që ishin njerëz vetëm për numër, e jo për me luftue, pse shumë prej këtyne nuk dinin me përdorë armët, të tjerë trembeshin me avancue, të tjerë zbraznin armët pa dobi, mbrapa krahëve të shokëve të tyne, tue vënë në rrezik jetën e këtyne, të tjerë largoheshin nga pozicioni i caktuar, etj., ku kemi patur shumë preokupime të këtilla, për mos me ngjamun aksidente midis vullnetarëve. Në kohë që në Arpicë, pritnim urdhën me avancue, mbërriti urdhëri i ritrates (tërheqjes), tue u tërheqë prapë në Grikohor. Pas një nate qëndrimi në Grikohor, të nesërmen mbërritëm në katundin Finiq, afër qytetit të Filatit, me qëllim për me shkue në pozicionet e Mikros, afro 60 km. nga Filati.
Në Finiq, fillon bashkimi me neve edhe i Batalionit të Parë të Vullnetarëve çamë, i komanduem nga major Aziz Çami, i cili deri atëherë, ka qenë mbështetje e Regjimentit të Kavalerisë, në tjetër sektor, e jo me neve. Simbas nevojës së shfaqur, urdhëni për me shkue në Mikro, u anullua dhe u dha urdhër për me u kthye prapë në Grikohor, në pozicionet e mëparshme, përkrah Regjimentit të Granatjerëve, që ishte pengue në luftë. Për këtë arsye, tue u nisur afër orës 14.00, mbërritëm të dy batalionet në Gumenicë, por, mbasi Batalioni i Dytë i Granatjerave, ndodhej i kërcënuem nga fuqitë kundërshtare, u pa nevoja të vazhdohet marshimi dhe prandaj, po atë natë mbërritëm në vijën e parë të luftimit, tue bâ kështu një marshim të shpejtë, afro 65 km.
Atë natë qëndruam të gjithë në pozicione mbi kodrinat e këtyne maleve, sadoqë shumica e njerëzve të Batalionit të Dytë Vullnetarë, kanë qenë të lodhur nga marshime të shpeshta e të gjata, të sëmurë, pa batanie, pa çadra, pa matare ujë, bile dhe pa bukë. Në këto kondicione të vështira, mbetëm gjithë ditën në zjarr, t’ue pengue çdo përparim të kundërshtarëve, t’ue shpëtue forcat gati të rrethueme e, t’ue mos lânë shteg armikut’ me okupue pozicione me rëndësi ushtarake. Por, për fat të keq, në këtë kohë që vullnetarët shfaqën dëshirë me sulmue kundërshtarin, mbërriti prapë urdhëri, për tërheqje.
Atëherë me keqardhje, si për situatën e krijuar, ashtu edhe për gjendjen e mjerueme të familjeve shqiptare, të shpërndarë nëpër katunde pa asnjë mbrojtje e, në tmerr të komitave greke, vullnetarët filluen me u shkurajue, por me fjalë të mira bindëse, u bâ e mundur me vazhdue në shërbim e, simbas urdhërave të marru, na tue funksionue prapë shpinroje, jemi tërheqë t’ue bâ të mundur, që kjo tërheqje të bëhet në rregull, sado që kjo ishte një shërbim, për me u krye nga ushtarakë të stërvitur mire, për këtë detyrë delikate dhe nevojiteshin mjete të tjera.
Në mbrâmje të kësaj dite, u dha urdhër që të kapërcehej Kalamaj, gjithë po në tërheqje, e vullnetarët të zinin vend, në katundet Smarte e Lopës. Pak mâ vonë ky urdhër u anullua dhe vullnetarëve u qe ngarkue përsëri, detyra e shpinrojes (retroguardia), ku t’ue mbetur gjithë natën në buzë të lumit Kalamaj, të lodhur e të demoralizuem ,nga gjendja e familjeve të tyre, kemi sigurue kalimin e regjimenteve dhe të transportit plotësisht. Në mëngjes, në vend që të shkonim në Lopës e Smarte, na qe komanduar me marrë prapë pozicione, t’ue sigurue me patrulla buzën e lumit Kalama, në drejtim të katundit Skupica e, të detit.
Por, mbasi kondicionet e vullnetarëve, nuk lejonin për me krye këtë shërbim, pse ishin të lodhur, të zhveshur e sëmurë, si edhe vendi në atë pjesë, ka qenë kënetë e, nuk munda me u sigurue ndryshe, përveç forcave ushtarake të stërvitura mire, e të armatosura me armë automatike e të rënda, zotni gjenerali komandant i Divizionit “Siena”, pranoj propozimin dhe urdhëroj që vullnetarët të mbeteshin në Lopës, me detyrë që, në rast të ndonjë goditje kundërshtare në Kalama, të merrnin pjesë menjëherë në luftë.
Me tërheqjen e parë nga Nista në Finiq, morali i vullnetarëve dhe mendimi për familjet e tyne, nuk ishte kaq i rëndë, pse mendohej se kundërshtari, nuk do të mundej me përparue me shkel vendet e tyne dhe ishte akoma e mundur, me i mbajtë në grusht këta njerëz, por, me tërheqjen tjetër të përsëritur nga Salica në Lopës, e kur filloj përsëri në Çamëri avancimi grek, këta kanë qenë demoralizuar krejt dhe kërkojnë me u lirue nga shërbimi, për me qenë në ndihmën e familjeve të tyne, në kohën e tërheqjes e, për me qendrue pranë tyre, bile disa qenë largue pa autorizim, për me sigurue e transportue familjet e tyre, në të tjera vise.
Simbas autorizimit të marrun nga Komanda e Divizionit, i nënshkruari bashkë me komandantin e Batalionit të Parë të Vullnetarëve çamë, u prezantuam në komandën eprore në Gjirokastër, për me shpjegue gjendjen mbi të cilën ndodheshin vullnetarët, ku morëm dispozicione që, nëse do të kishte vullnetarë, që për arsye familjare, nën armikun, ose të tjera arsye të rënda, do të donin me lënë shërbimin, mundeshin me u lirue dhe atyre që do të mbeteshin, me u shtue moralin e tyne.
Me kthimin nga komanda eprore, kur mbërritëm në katundin Vagalat, takuam disa vullnetarë të dy batalioneve, që me oficerët e Salmerit vinin gjatë rrugës, mbasi kishin abondonuar vendin e qëndrimit në Lopës.
Simbas shpjegimeve të oficerave, këta kishin marrë urdhën nga oficeri Kolegamontit, major Peskosolido, me u ritrue (tërheqë) mbas lumit Pavlo, e mbi linjën ku do të kishin zënë pozicion granatjerët. Pjesa tjetër që mungonte, na njoftuan se kanë qenë autorizue prej majorit në fjalë, me shkue në katundet e tyre, për me sigurue familjet, e shumë të tjerë, kishin marrë direksione të ndryshme, me qëllim për me shkue në shtëpitë e veta; por megjithë këtë, kemi mundur me gjetë mënyrë me i rregullue e, me i bindë, që të mbeteshin me neve e, të mos demoralizohen. Në apelin e mëngjesit, nga Batalioni i Dytë, pamë që mungonin afro 100 vetë, por gjatë asaj dite, me kërkesat e bâmuna me anën e patrullave tona, u kthye një pjesë e tyne (dhe) e riorganizuam batalionin.
Njëkohësisht mbi këtë situatë të vullnetarëve, kemi paraqitur një raport të gjatë e të shpjegushëm, komandës së grupit të vullnetarëve të formueme atëherë. Këtu, e lumin Pavlo, kemi qëndruar 4–5 ditë dhe fuqia vazhdonte në shërbim kundër infiltracioneve kundërshtare, si në Smineci, Murri, Ftele, Sorone, etj., e pastaj, t’ue qenë prapë shpinroje, kaluam, lumin e Bistricës dhe mbërritëm në Delvinë. Prej këndej, morëm udhën me shkue në luftime të Muzinës, por mbas një dite qëndrimi atje, simbas urdhërit të dhanun, filluam prapë shërbimin e shpinrojes, deri në katundin Tatzat.
Kur mbërritëm në zonën e pasme të operacionit në Kreshpan, batalionet në fjalë, më datën 25 të muajit dhjetor, janë suprimue dhe unë jam lënë i lire, për me rimarrë aktivitetin tim normal. Pra, detyra ime, që kam kryer gjatë këtyre muajve, është kjo që u parashtroj shkurtazi dhe besoj se nuk kam lënë gjë mangut, për me u akuzue ndokush, me gjithë vështirësitë që takoja nga vullnetarët e pastërvitur në jetën ushtarake, të padisiplinuar e pa asnjë oficer e nënoficer, efektiv. Gjithashtu, kur më është ngarkuar detyra e komandantit të vullnetarëve çamë, kam marrë parasysh çdo sakrificë dhe kundrejt plumbave të armikut, drejtova sinqerisht kraharorin tim e më kurajo, e nuk jam fshehur nëpër ferra, pse jam oficer prej 19 vjetësh dhe kuptoja mirë të luftoja, për me lirue atdheun tim, Çamërinë, dhe nuk jam njeri me shumë faqe. Bashkëpunimi ynë me oficerët e trupave italiane, ka qenë vëllazëror dhe kjo provohet edhe me një elogio të komandës eprore, komunikuar nga komandanti i hag gruppamentit, zotni kolonel z. Andreini, n. 00126/3, datë 11 nëntor 1940, XIX, i cili jam i sigurtë, se nuk do të mungojë me shfaq akoma dhe sot të vërtetën, mbi veprimet e Batalionit të Dytë të Vullnetarëve çamë.
Nuk e di se cili është personi, që don me lujtë me fatin tim, por supozoj mbi një njeri i cili, e di se e ka për zakon që punët e mira që bëjnë të tjerët, me thënë se i ka bërë vetë. Me thënë se gjoja ai, i mblodhi vullnetarët dhe ai i ka çamërit në dorë, kurse në realitet, kish përmbledhur nja 25–30 vetë, me reklamue në fletore “Koriere delle Sera”, datë 21, që ai ka qenë komandant i bandave, megjithëse e vërteta qe e kundërt, pse nuk ka komandue, as bandë, e as batalione, por vetëm figuron si kapo i Kompanisë së Tretë, për emër e jo për punë, mbasi asnjëherë nuk ka qëndrue në krye të kompanisë.
Gjithashtu, në kohë luftimesh, si për shembull në Shules Kastri, ka lânë kompaninë vetëm, është fshehur 30 minuta larg pozicionit, mbrapa lumit dhe në Muzinë, u bë gjoja i sëmurë, pa qenë i sëmurë. Në Arpica, kur pa që batalioni ishte deri diku në rrezik, iku një ditë më parë nga Arpica, por kur batalioni ndodhej në fushime, ose në ndonjë katund ,atëherë vinte atje dhe reklamonte trimërinë falso. Me këtë parashtresë, nuk kam për qëllim me bâ hakmarrje, por desha me parashtrue atë që âsht e vërtetë, pse kam qenë korrekt në detyrën time, e besnik. Informatori ka gabuar, tue bâ akuzë fallso dhe për ato u lutem, nëse do të jetë e mundur, me u bërë hetimet e duhura dhe atëherë, do të shihet e vërteta dhe vlefta e informatorit. Memorie.al
Me nderime,
Kuestor Skënder Çami
(firma)
8.1941 –XIX
Marrë nga Gazeta Mapo