• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Saturday, June 7, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Ne mezi e kemi pritur këtë ditë që të vinim këtu, në këtë vend ku njerëzit janë të lirë dhe…”/ Dosja sekrete e Sigurimit të Shtetit për Aleksandër Kondon

Aleksander Kondo/Memorie.al
Aleksander Kondo & Xhelal Sukniqi /Memorie.al
Aleksander Kondo/Memorie.al
Aleksander Kondo/Memorie.al
“Aleksandër Kondo shprehet: Hë mo, a do bëjë gjë ai Sekretari i I-rë i Partisë, apo jo, a do t’i rrisë rrogat, apo….”?! / Raporti i Sigurimi të Shtetit
“Aleksandër Kondo rrihet me njerëzit dhe me policët, ndjek modën e huaj, inçizon e dëgjon magnetofonin me zë të lartë, me muzikë xhazi…”/ Dosja sekrete
“Aleksandër Kondo rrihet me njerëzit dhe me policët, ndjek modën e huaj, inçizon e dëgjon magnetofonin me zë të lartë, me muzikë xhazi…”/ Dosja sekrete
Aleksander Kondo/Memorie.al
“Aleksandër Kondo rrihet me njerëzit dhe me policët, ndjek modën e huaj, inçizon e dëgjon magnetofonin me zë të lartë, me muzikë xhazi…”/ Dosja sekrete
“Bashkëpunëtori ‘Studenti’ u takua me Aleksandër Kondon afër shkollës ‘Petro Nini Luarasi’ pas kthimit nga Rumania…”/ Dosja voluminoze e Sigurimit për sportistin e famshëm

Dashnor Kaloçi

Pjesa e shtatë

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes  shqiptare që humbi jetën në moshën 27 vjeçare, në rrethana tragjike dhe ende të pa zbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Quens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes, që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni.  Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit, në ngarkim të Aleksandër Kondos, e de-klasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.

Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës dhe në krah qafë hedhur çantën e sportit, e në supin tjetër një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit, kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare. Ai ishte Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar, që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.

Gjithashtu mund të lexoni

“Me nënqeshje, marrshalli i zonës na tha; na e mori të keqen një komunist nga të mëdhenjtë, forcat tona rrethuan banesën në shoqëri tri femrash të dorës së butë…”! / Dëshmia e rrallë e shoqes së Qemal Stafës

“Kryeministri, s’lë vend pa shkelur, por s’gjeti një herë kohë, të shkojë në atë djep të kulturës dhe historisë shqiptare, në shtëpinë muze të Vëllezërve Frashëri…”?! / Refleksionet e publicistit të njohur

Emri i Aleksandër Kondos si sportist filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijra sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij. Që nga ajo kohë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.

Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Evropian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.

Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.

Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqësuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.

Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri  në vitin 2003.

Në këtë dosje hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra.

                                                     Vijon nga numri i kaluar

Artikulli i gazetës “Zëri i Popullit”, lidhur me zhdukjen e dy sportistëve shqiptarë në Jugosllavi

5 qershor 1985

VETËM NJË ÇËSHTJE E ERRËT KËRKON FSHEHJEN E GJËRAVE

Kaloi një javë që kur në Titograd të Jugosllavisë duke u kthyer për në Shqipëri, u zhdukën në mënyrë të papritur dy sportistët tanë peshëngritës. Heshtja e gjatë që mbajti pala jugosllave siç është e natyrshme, ngjalli një shqetësim të madh në opinionin tonë publik, tek sportdashësit, dhe tek familjet përkatëse për fatin dhe jetën e dy qytetarëve shqiptarë. Më në fund pas kërkesave këmbëngulëse të Ministrisë sonë të Jashtme, në rrugë diplomatike, Sekretariati për Punët e Jashtme të Jugosllavisë, vetëm gojarisht njoftoi ambasadën shqiptare në Beograd, se dy sportistët shqiptarë, i janë paraqitur komisarit të Këshillit të Refugjatëve të Jugosllavisë dhe kanë kërkuar mbrojtjen e tij.

Koha e gjatë që i’u desh autoriteteve jugosllave për të dhënë një shpjegim të tillë, nuk mund të jetë rezultat i zvarritjeve burokratike dhe as pasojë e një neglizhence të thjeshtë. Heshtja e zgjatur, siç është theksuar nga zëdhënësi i MPJ-së të RPS të Shqipërisë, flet se diçka e kurdisur ka ndodhur me sportistët tanë. Autorëve jugosllavë të këtij veprimi tipik mafioz, mesa duket u është dashur mjaft kohë për të gjetur këtë version. Nga çdo anë që ta shqyrtosh, heshtja e zgjatur rreth fatit të sportistëve shqiptarë, flet për implikimin e dikujt në Jugosllavi për këtë çështje. Ka një qëndrim politik të përcaktuar në gjithë këtë turbullirë, që synon të mos hedhë dritë mbi të vërtetën, që të mbajë në padijeni si opinionin shqiptar të interesuar, ashtu dhe opinionin e huaj dhe vetë atë jugosllav.

Vetëm një çështje e errët kërkon mbulimin e së vërtetës dhe fshehjen e gjërave. Mënyra misterioze me të cilën u trajtua zhdukja e dy sportistëve shqiptarë, nuk mund të mos krijojë ndjenja shqetësimi të qytetarëve shqiptarë që kalojnë në Jugosllavi. Qëndrimi i mësipërm ndaj sportistëve dhe ndaj vendit tonë, mbahet në një kohë kur zyrtarë jugosllavë mbajnë deklarata për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Por zhdukja e dy sportistëve tanë në Titograd dhe qëndrimi që u mbajt për këtë problem, nuk përputhet me këto deklarata. Pretekste, shkaqe, e probleme, për t’i shtuar acarimet, mund të gjenden e të krijohen plot. Qëndrimi i autoriteteve jugosllave rreth zhdukjes së dy sportistëve tanë në Titograd, nuk i shërben zhvillimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

                      S.Gj.

Komenti i radios “Zëri Amerikës”, për protestën e qeverisë shqiptare drejtuar autoriteteve jugosllave, për dy sportistët, Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi

                                                            Radio “Zëri i Amerikës”

PROTESTE E QEVERISE SHQIPTARE PRANË QEVERISE JUGOSLLAVE

Qeveria shqiptare protestoi pranë qeverisë jugosllave lidhur me dy peshëngritës shqiptarë, që u zhdukën papritur në territorin e Jugosllavisë. Agjencia Telegrafike Shqiptare thotë se dy sportistë, Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, po ktheheshin në vendin e tyre pasi kishin marrë pjesë në kampionatin e ngritjes së peshave që u zhvillua në Poloni. Ata u zhdukën të martën në qytetin Titograd të Jugosllavisë, pranë kufirit me Shqipërinë.

Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Jugosllavia nuk u është përgjigjur kërkesave të Shqipërisë për kthimin e dy sportistëve. Agjencia Telegrafike Shqiptare e quan këtë gjë një akt të rëndë politik.

                                    Joçi / N.Vasi

                           AGJENCIA TELEGRAFIKE SHQIPTARE

Agjensia e lajmeve TANJUG, lidhur me njoftimet dhe komentet e shtypi të huaj, për dy sportistët shqiptarë që kërkuan strehim politik në Jugosllavi  

                           8 qershor 1985

                   LAJME PËR SHQIPËRINË

SPORTISTËT SHQIPTARË KËRKOJNË STREHIM POLITIK

BEOGRAD, 7 qershor/ TANJUG/. – Dy sportistët shqiptarë, Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, që ndodhen në Jugosllavi, që nga 28 maji, këmbëngulin në kërkesën e tyre që atyre t’u jepet strehim politik. Kondo dhe Sukniqi janë anëtarë të ekipit kombëtar peshëngritës të Shqipërisë. Zhdukja e tyre i’u njoftua autoriteteve jugosllave më 28 maj, në kohën kur ekipi kombëtar shqiptar, ndërsa po kthehej nga Kampionati Evropian i Peshëngritjes në Poloni, po kalonte përmes qytetit të Titogradit, Republika e Malit të Zi, Jugosllavia Jugperëndimore.

Pas kësaj, Kondo, 25 vjeç dhe Sukniqi, 24 vjeç, i’u paraqitën autoriteteve jugosllave dhe kërkuan strehim politik. Në përputhje me konventën dhe protokollin për refugjatët (Jugosllavia i ka nënshkruar ato), u bë e mundur që ata të hynin në kontakt me një përfaqësues të Komisionerit të Lartë për Refugjatët të OKB-së në Beograd.

Sekretariati Federativ Jugosllav për Punët e Jashtme informoi ambasadën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Beograd për këtë ngjarje. Me kërkesë të ambasadës, Komisionari i Lartë i OKB-së për Zyrën e Refugjatëve, bëri të mundur që më 6 qershor dy përfaqësues të ambasadës, të takoheshin me sportistët e arratisur.

 AGJENCIA TELEGRAFIKE SHQIPTARE                                        8 qershor 1985

(Lajme për Shqipërinë)

Me këtë rast, Kondo dhe Sukniqi hodhën poshtë kërkesën e bërë nga përfaqësuesit e ambasadës për t’u kthyer në Shqipëri, duke deklaruar se ata i përmbahen vendimit të tyre të marrë. me vullnet të lirë për të kërkuar strehim politik. – Gek (ATSH)

AGJENCIA TELEGRAFIKE SHQIPTARE                                        9 qershor 1985

(Buletini i radiove të huaja në gjuhën shqipe)

   Nr.114

Tiranë, më 8 qershor 1985

Radio “Zëri i Amerikës”

MBI ARRATISJEN E DY SPORTISTËVE SHQIPTAR NË JUGOSLLAVI

Dy sportistët shqiptarë, të cilët para një jave ishin zhdukur në mënyrë të papritur nga shokët e tyre, bëhet e ditur se kanë kërkuar strehim politik në Jugosllavi. Ata u zhdukën më 28 maj dhe më vonë u kanë kërkuar autoriteteve jugosllave mbrojtjen e tyre.

Përfaqësuesit e ambasadës shqiptare në Beograd u takuan me dy sportistët në fjalë, të cilët edhe para tyre refuzuan të kthehen në vendin e vet.

Agjencia shqiptare e lajmeve -ATSH- ka kërkuar disa ditë më parë kthimin e tyre sa më shpejt, duke e quajtur zhdukjen e këtyre dy sportistëve, si një akt të rëndë politik.

Të dy të rinjtë shqiptar u zhdukën kur po ktheheshin nga Polonia, ku kishin marrë pjesë në kampionatin e peshëngritësve.

Radio “BEOGRADI”

 FAKTE RRETH DY SPORTISTËVE SHQIPTARË

Me rastin e shkrimit të gazetës “Zëri i Popullit” të Shqipërisë, për zhdukjen e dy sportistëve të RPS të Shqipërisë në Jugosllavi, Agjencia e Lajmeve TANJUG, sjell këto fakte:

 AGJENCIA TELEGRAFIKE SHQIPTARE                                  9 qershor 1985

(Buletini i radio)

Duke u kthyer nga Kampionati Europian në ngritjen e peshave në Poloni, reprezentacioni shtetëror shqiptar, kaloi nëpër Titograd, më 28 maj të këtij viti dhe me këtë rast paraqiti zhdukjen e dy sportistëve të vet.

Pas një kohe anëtarët e reprezentacionit në peshëngritje, A. Kondo lindur më 1960 dhe Xh. Sukniqi lindur më 1961, ju paraqitën në Titograd organeve kompetente jugosllave dhe kërkuan azilin politik. Këtyre sportistëve me kërkesë të tyre, ju bë e mundur që të kontraktojnë me Komisariatin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, në përputhje me konventën dhe protokollin mbi refugjatët, anëtarët e së cilës është dhe Jugosllavia.

Sekretariati Federativ për Punët e Jashtme, informoi për këtë Ambasadën e RPS të Shqipërisë në Beograd.

Me kërkesën e ambasadës shqiptare, përfaqësuesi i Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuar në Beograd, mundësoi takimin e dy përfaqësuesve të ambasadës me sportistët shqiptarë. Me këtë rast, A. Kondo dhe Xh. Sukniqi refuzuan të kthehen në Shqipëri, duke deklaruar se mbeten në vendimin e tyre për të kërkuar azilin politik.

Shënim: Këtë lajm e dhanë edhe Radio e Prishtinës, Radio e Titogradit si dhe ajo e Shkupit.

                            AGJENSIA TELEGRAFIKE SHQIPTARE

                                    BULETINI I POSAÇËM

                                       12 qershor 1985

                                           Shtypi grek

Gazeta “Akropolis” e datës 8 qershor 1985, boton njoftimin me burim nga Beogradi me titull: “Sportistët shqiptarë kërkuan strehim politik në Jugosllavi”. Në të thuhet: “Beograd 9 (shërbim i posaçëm). Dy sportistët shqiptarë kërkuan strehim politik në Jugosllavi dhe nuk pranuan ti binden kërkesës së ambasadës së tyre për tu riatdhesuar. Është fjala për peshëngritësit Aleksandër Kondo 25 vjeç dhe Xhelal Sukniqi 24 vjeç, që morën pjesë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që u zhvillua në Poloni. Gjatë rrugës së kthimit për në Shqipëri nëpërmjet Jugosllavisë dy peshëngritësit, vendosën që të kërkojnë strehim politik. Në Beograd zyra e OKB-së për Refugjatët, ndërmjetësoi një takim të dy sportistëve me zyrtarë të ambasadës shqiptare, por ata nuk u bindën që të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Shqipëria protestoi për shkak se autoritetet jugosllave i informuan me vonesë për këtë rast”.

Shtypi italian

Gazeta “La Stampa” e Torinos e datës 8 qershor 1985, botoi njoftimin me titull “Dy sportistët shqiptarë kërkojnë strehim politik në Beograd”. Në të thuhet: “Beograd. Autoritetet jugosllave kanë bërë të ditur se dy sportistë shqiptarë Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, zhdukja e të cilëve në 28 maj në Titograd, u bë e ditur nga burime shqiptare, kishte shkaktuar protesta nga ambasada shqiptare, kanë kërkuar strehim politik”.

Shtypi çekosllovak

Në buletinin e CETEKA-s për përdorim të brendshëm të datës 7 qershor 1985 me titullin “Dy sportistë shqiptarë kërkojnë azil politik në RSF të Jugosllavisë” botohet si lajm nga korrespondenti i kësaj agjensie në Beograd në të cilën thuhet: “Beograd 7 qershor TANJUG përgënjeshtron sot thënien e gazetës shqiptare “Zëri i Popullit” sipas të cilës javën e kaluar në Jugosllavi u zhdukën dy sportistë shqiptarë të cilët po ktheheshin nga gara europiane e peshëngritjes së këtij viti. Lidhur me këtë TANJUG thekson se është fjala për Aleksandër Kondon dhe Xhelal Sukniqin të cilët në 28 maj u ndanë nga ekipi kombëtar dhe u kërkuan organeve jugosllave strehim politik”.

Shtypi francez

Gazetat “Le Monde” dhe “Liberation” përkatësisht të datave 4 dhe 6 qershor 1985 botojnë njoftimin e AFP-së me titull “Dy sportist shqiptarë zhduken në Jugosllavi”. Në të thuhet: “Dy peshëngritësit shqiptarë që ishin zhdukur në 28 maj në Titograd të Jugosllavisë, iu kanë kërkuar mbrojtjen autoriteteve jugosllave njoftoi dje e përditshmja “Zëri i Popullit”. Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, u zhdukën në kohën që delegacioni po kthehej nga Kampionati Europian në Katovicë, duke kaluar në Jugosllavi”.

Relacioni i Kryetarit të Degës së Sigurimit për marrjen e vendimit të ndjekjes dhe survejimin e Aleksandër Kondos jashtë Shqipërisë

              MIRATOHET                                                      SEKRET

ZV/DREJTORI I DREJTORISË SË III                       Ekzemplarë i vetëm

                                                                              Tiranë. Më 20.6.1985

                                                      VENDIM

  PËR TE MARRË NË PËRPUNIM 2/A TË QUAJTURIN ALEKSANDËR KONDO

Unë, F.H. punëtor operativ në Drejtorinë e III, pasi studiova materialet në ngarkim të Aleksandër Kondos

                      GJETA se:

Aleksandër Kondo, i biri i Vangjelit, i datëlindjes 1960, lindur e banues në qytetin e Tiranës, me arsim 8 vjeçar, polic, sportist – peshëngritës në Klubin Sportive “Dinamo”, i fejuar, me kombësi e shtetësi shqiptare.

Aleksandëri rrjedh nga një familje me përbërje e qëndrim të mirë politik. Babai i tij, Vangjeli është nga fshati Pish-Poro i rrethit të Fierit, ish oficer në Gardën e RPSSH (ish me detyrën e shefit të shtabit). Xhaxhai i tij është shef policie në rrethin e Gjirokastrës. Vetë Aleksandri, pasi ka mbaruar shkollën 8 vjeçare, është marrë me sportin e peshëngritjes.

Kohët e fundit është veshur polic në organet e policisë e me shërbim në qytetin e Tiranës. Ishte i fejuar me një vajzë nga familje me përbërje e qëndrim të mirë politik. Aleksandri ka dalë disa herë jashtë shtetit me ekipin kombëtar të peshëngritjes, dhe herën e fundit, duke qenë pjesëtar i këtij ekipi, morri pjesë në Kampionatin Europian të Peshëngritësve që u zhvillua në Katovicë të Polonisë, në muajin Maj 1985.

Gjatë kthimit për në Shqipëri, me datën 28 maj, kur ishin duke kaluar transit nëpër Jugosllavi, zhduken dy sportistët Aleksandër Kondo e Xhelal Sukniqi, në qytetin e Titogradit. Nga verifikimet e bëra rezulton se ata ndodhen në Jugosllavi dhe janë paraqitur në Zyrën e Komisariatit të OKB-së për Refugjatët e kanë kërkuar strehim politik.

Nga kontaktet e marra nga shokët e ambasadës sonë në Beograd me Aleksandër Kondon e Xhelal Sukniqin, del se që të dy këta kanë këmbëngulur në kërkesën e tyre për strehim politik e marrjen në mbrojtjen nga organet e vendit, kanë refuzuar thirrjen e kërkesën e bërë për t’u kthyer në Shqipëri, si dhe kanë mbajtur qëndrim të keq e armiqësor, ku midis të tjerave Aleksandër Kondo është shprehur: “Neve kemi ikur vetë dhe nuk na ka rrëmbyer njeri, siç doni ta paraqisni ju”, “ne mezi e kemi pritur këtë ditë që të vinim këtu, në këtë vend ku njerëzit janë të lirë etj.”, “Unë e realizova qëllimin tim, do të iki në fund të botës dhe do të jem kundërshtar deri në fund i atij vendi (Shqipërisë)”, “Këto që po ju them juve, unë i them edhe publikisht, bile edhe në televizion, dhe do t’i them”, “Edhe sikur me flori t’ma shtroni nuk kthehem. Unë do të kthehem një ditë, por kur të përmbyset regjimi, sepse do të përmbyset”.

Po kështu Rez. Nju Jorkut me tel Nr.935 datë 8.6.1985 njofton se: “………………………..ka biseduar në telefon me Zyrën e Emigracionit në Beograd dhe ka mësuar se të dy sportistët shqiptar kanë kërkuar strehim politik në Jugosllavi dhe se nga fundi i qershorit ose fillimi i korrikut, do të emigrojnë në SHBA”.

Për sa më sipër, me qëllim që të zbulojmë, dokumentojmë e parandalojmë veprimtarinë armiqësore që mund të zhvillojë Aleksandër Kondo, kundër vendit tonë si dhe për të sqaruar më mirë rrethanat e ngjarjes së 28 Majit në Titograd.

VENDOSA

  1. Aleksandër Kondo të merret në përpunim 2/A si i arratisur (ka qëndruar në Jugosllavi pas kthimit nga aktiviteti ndërkombëtar i peshëngritësve dhe ka refuzuar kërkesën për t’u kthyer në Shqipëri) që aktualisht ka mbajtur qëndrim armiqësor e që në të ardhmen mund të veprojë aktivisht kundër vendit tonë.
  2. Të bëhen veprimet përkatëse në kartotekën e Drejtorisë së Tretë. Memorie.al

                 PUNËTORI OPERATIV                 KRYETARI I DEGËS

                              F.H.                                           K.M.

                                              Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari Historik 19 Qershor

Next Post

Kalendari Historik 20 Qershor

Artikuj të ngjashëm

“Me nënqeshje, marrshalli i zonës na tha; na e mori të keqen një komunist nga të mëdhenjtë, forcat tona rrethuan banesën në shoqëri tri femrash të dorës së butë…”! / Dëshmia e rrallë e shoqes së Qemal Stafës
Personazh

“Me nënqeshje, marrshalli i zonës na tha; na e mori të keqen një komunist nga të mëdhenjtë, forcat tona rrethuan banesën në shoqëri tri femrash të dorës së butë…”! / Dëshmia e rrallë e shoqes së Qemal Stafës

June 5, 2025
“Kryeministri, s’lë vend pa shkelur, por s’gjeti një herë kohë, të shkojë në atë djep të kulturës dhe historisë shqiptare, në shtëpinë muze të Vëllezërve Frashëri…”?! / Refleksionet e publicistit të njohur
Personazh

“Kryeministri, s’lë vend pa shkelur, por s’gjeti një herë kohë, të shkojë në atë djep të kulturës dhe historisë shqiptare, në shtëpinë muze të Vëllezërve Frashëri…”?! / Refleksionet e publicistit të njohur

June 4, 2025
“Musolini, Hitleri dhe Stalini, ua kaluan edhe sulltanëve, për gratë me të cilat shkuan; apo me bashkëshortet e shokëve të tyre, si…”/ Refleksione për librin e Spiro Mëhillit, “diktatorë dhe aventurierë”!
Personazh

“Musolini, Hitleri dhe Stalini, ua kaluan edhe sulltanëve, për gratë me të cilat shkuan; apo me bashkëshortet e shokëve të tyre, si…”/ Refleksione për librin e Spiro Mëhillit, “diktatorë dhe aventurierë”!

May 27, 2025
“Sapo merrnin vesh që kishim njerëz në burg, banorët e Burrelit, mbyllnin portat e as një pikë ujë nuk të jepnin për fëmijët, kurse në të vetmin hotel që ishte aty…”/ Kujtimet e Sofika Prifti Cara   
Personazh

Nikoll Preng Tuci nga Oroshi i Mirditës dhe me banim në Bruksel, që vuajti 25 vite në burgjet komuniste, nderohet në 90-vjetorin e lindjes, nga Bashkia e Rrëshenit dhe Shoqata e ish-të Dënuarve Antikomunistë

May 27, 2025
“Kur Mehmet Shehu i tha; ti Prekë, po të ishe me ne komunistët, do ta kishe mbyll jeten me ‘kapak ari’, Prekë Cali, ju përgjigj…”/ Historia e panjohur e “piramidës së gjallë” të kufijve të Shqipërisë
Personazh

“Kur Mehmet Shehu i tha; ti Prekë, po të ishe me ne komunistët, do ta kishe mbyll jeten me ‘kapak ari’, Prekë Cali, ju përgjigj…”/ Historia e panjohur e “piramidës së gjallë” të kufijve të Shqipërisë

May 21, 2025
“Në vitin 1943, Enver Hoxha shkruante me entuziazëm në buletinet e luftës; Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush s’mund të nënshtrojë Shqipërinë, me heronj të tillë…”/ Dëshmia e rrallë e Fatbardh Kupit
Personazh

“Në vitin 1943, Enver Hoxha shkruante me entuziazëm në buletinet e luftës; Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush s’mund të nënshtrojë Shqipërinë, me heronj të tillë…”/ Dëshmia e rrallë e Fatbardh Kupit

May 20, 2025
Next Post
Qershor

Kalendari Historik 20 Qershor

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!