Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përket datës 8 maj të vitit 1981, ku ndodhet ditari politik i udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, me shënime për ngjarjet e Kosovës të cilat kishin filluar që në ditët e para të pranverës së atij viti, fillimisht me protestat dhe demonstratat e rinisë studentore dhe më pas edhe të popullit të Kosovës, të cilët u ngritën për të kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, ashtu si të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë. Ditari i plotë i Enver Hoxhës, nga porositë e dhëna Ramiz Alisë për t’i dërguar të gjitha faqet e gazetave të huaja nga e gjithë botë që kishin pasqyruar dhe komentuar ngjarjet e Kosovës, përgatitjen për një artikull në gazetën “Zëri i Popullit” lidhur me ato ngjarje në periudhën mars-prill 1981, përgjigjen për politikanin dhe ish-diplomatin serb, Milosh Miniç, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të JugosIlavisë, i cili kishte bërë një provokacion të rrezikshëm në adresë të vendit tonë”, duke deklaruar se: “Udhëheqja shqiptare, nëpërmjet veprimtarisë së organeve të saj të informacionit dhe të diplomacisë, duke përfshirë ambasadën e saj në Beograd, zbuloi vetangazhimin dhe ndërlikimin e saj të plotë në ngjarjet që u zhvilluan në Kosovë”, etj.
“Deklarata e bërë nga ana e zotit Miniç përbën një problem për ne, prandaj duhet diskutuar qëndrimi që duhet mbajtur. Gjatë bisedës Ramizi më tha se kjo deklaratë e Miniçit dhe deklaratat e bëra nga udhëheqës të tjerë jugosllavë kërkojnë reagim nga ana jonë. Drejt e tha ai, por unë nuk jam i mendimit të bëjmë as protestë publike zyrtare nga ana e Qeverisë sonë, as ndonjë deklaratë nga ana e ATSH-së. Kjo e dyta mund të ishte një variant për të shprehur publikisht pikëpamjen tonë. Megjithatë si mbrëmë, ashtu edhe sot, unë e kam menduar një çikë më thellë këtë çështje. Së pari, qëndrimi i mbajtur nga ana e udhëheqësve titistë të çdo niveli, nuk mund të mbetet pa një përgjigje nga ana jonë. Por, para se ta bëjmë këtë, përpara se të përgjigjemi, ne duhet të analizojmë përse veprojnë kështu udhëheqësit jugosllavë. Këtë veprim të tyre, që shoqërohet me gjithfarë akuzash kundër vendit tonë, unë e konsideroj një provokacion, të cilin ata e bëjnë që ne të biem në të dhe jo vetëm të largojmë ambasadorin tonë nga Jugosllavia, duke bërë këtë t’u japim atyre të drejtë për të gjitha ato që kanë deklaruar kundër nesh, por të shkojmë edhe më tej, të tërheqim ambasadën tonë nga Beogradi, sepse edhe Miniçi nuk tha ambasadori shqiptar, po ambasada shqiptare. Ky është një provokacion i madh, veç ata duan që pasojën që sjell ai, të mos e bëjnë vetë, por nxitin ta bëjmë ne. Kjo që bëjnë ata është e dënueshme. Bile ne e kemi dënuar, prandaj në këtë provokacion të tyre nuk biem”.
Kështu thuhet në mes të tjerash në ditarin politik të udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, që mban datën 8 maj të vitit 1981, ku ai ka mbajtur shënime lidhur me ngjarjet e Kosovës, të cilat kishin filluar që në ditët e para të marsit të atij viti, kur rinia studentore e Kosovës doli në protesta dhe demonstrata të cilave më pas i’u bashkua edhe populli i Kosovës, duke kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, ashtu si të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë. Për më shumë rreth kësaj dhe të gjithë qëndrimin që mbajti udhëhqja e Shqipërisë komuniste dhe personalisht Enver Hoxha ndaj udhëheqjes komuniste të Jugosllavisë, na njeh ky dokument arkivor që Memorie.al po e publikon të plotë në katër pjesë.
Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet në Kosovë, maj 1981
E ndiejmë për detyrë t’jua themi këto të vërteta si miq. Ju, po të doni, i hidhni poshtë, na ngjitni çfarëdo epiteti që t’ju vijë për dore. Ne duam vëllazërimin me popujt e Jugosllavisë. Bota e përparuar le të na gjykojë si ne, ashtu edhe ju. Zoti Stane Dolanci, në intervistën që u dha gazetarëve të huaj mbi ngjarjet në Kosovë, tha në mes të tjerave se “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk ka gisht në këto ngjarje”. Zoti Dolanci është një nga udhëheqësit më kryesorë, në mos kryesori, në Komitetin Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe atë që afirmoi e kishte të bazuar, të faktuar. Kush e fryu gënjeshtrën? Kush e shtrembëroi të vërtetën? Kujt i interesonte që të akuzohej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë se gjoja kishte gisht në trazirat e Kosovës? Këtë le ta zbulojë udhëheqja jugosllave, zoti Miniç dhe zoti Vidiç, por ajo që u kurdis ishte një vepër monstruoze, ishte një furtunë mërie që hapi një hendek të tillë, saqë çdo jugosllav i papjekur politikisht, emrin “shqiptar” do ta barazojë me “armik të popujve të Jugosllavisë”. Këta që shkaktuan këtë hendek janë përgjegjës përpara popujve të tyre, duke përfshirë këtu edhe popullin shqiptar që jeton në Jugosllavi. Ata janë përgjegjës përpara historisë.
I gjithë Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë pa të drejtë i dënoi njëzëri ngjarjet në Kosovë, dënoi kosovarët, dënoi shqiptarët e Jugosllavisë, dënoi Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë si nxitëse të këtyre turbullirave. Ky është një fakt që do të mbetet në ngjarjet jugosllave. Por ne dimë të bëjmë edhe dallime në mes të atyre që morën fjalën në forumin e lartë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Ne konstatuam se udhëheqësit kryesorë të Republikës Socialiste fqinje të Malit të Zi, të Maqedonisë, por edhe të Kroacisë e të Sllovenisë, megjithëse i dënuan ngjarjet, u treguan më gjakftohtë, më të përmbajtur, më tejpamës për situatat që do të zhvillohen më vonë në mes shqiptarëve dhe jugosllavëve, në mes Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Nuk mund të bëjmë të njëjtin vlerësim për udhëheqësit kryesorë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, siç janë zotërinjtë Miniç, Vidiç, Stamboliç. Fjalimet e tyre karakterizohen nga një egërsi e shfrenuar, nga një dell shovinist serbomadh i paparë ndonjëherë kundër popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi dhe kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Për sa u përket atyre “udhëheqësve shqiptarë” që morën fjalën në këtë forum të lartë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ose jashtë këtij forumi, fjalimet e tyre, gjithashtu, u karakterizuan nga një histeri aq e madhe, sa edhe servile e shërbyese, ndaj zotërinjve të tyre, Vidiç, Miniç, Stamboliç e të tjerë. Kuptohet se këta njerëz nuk mund ta qetësojnë Kosovën. Këta situatë aq të rëndë, saqë me eksperiencë zor të shërohet. A dëshironi ju, zotërinj udhëheqës jugosllavë, që kjo sëmundje të gangrenizohet? Ju mendojeni vetë, por ne nuk e duam një gjë të tillë. Kjo sëmundje duhet shëruar menjëherë, drejt dhe me kurajë. Popujt e Jugosllavisë dhe populli shqiptar duan miqësi me njëri-tjetrin, por miqësia duhet të vendoset në baza të shëndosha. Në të gjitha mbledhjet e forumeve të larta shtetërore dhe partie të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, u ngritën zëra që thoshin: “Duhet të rishikohen marrëdhëniet me Shqipërinë” etj., etj. Dy herë brenda tridhjetë vjetëve e keni thyer kupën me Shqipërinë socialiste. Mos mendoni ju të na frikësoni? Mos ju shkon ndër mend juve se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë merr frymë në sajën tuaj? Ju gaboheni! Juve ju janë errur sytë nga megalomania jugosllavomadhe. Ne e kemi mendjen të ftohtë dhe zemrën të zjarrtë. Ne bëjmë edhe me restriksionet në marrëdhëniet në mes dy vendeve tona, që ju mendoni të bëni.
Tymi do të ecë drejt në oxhakun tonë, edhe sikur ju t’i pritni fare këto marrëdhënie. Ne, nga ana jonë, nuk e duam në asnjë mënyrë një gjë të tillë, se s’jemi ne që i krijuam situatat e vështira në Kosovë dhe në tërë Jugosllavinë, të cilat i krijuat vetë. Ky është një pretekst që ju e ngrini artificialisht për të mbuluar ngjarjet e shëmtuara. Edhe një herë bëni kujdes! Jini gjakftohtë! Fajet tuaja mos i ktheni në konflikt me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, se ky është në interes të armiqve tanë. Serbi, Petër Stamboliç, foli si një serbomadh i pakorrigjueshëm. Ai diti t’i mbrojë interesat serbë në kurriz të shqiptarëve dhe ndër të tjera tha se “përpjekja për pastërtinë etnike objektivisht çon në nacionalizëm”. Këtë përpjekje ai e cilësoi fashiste. E pyesim zotin Stamboliç: Populli serb nuk është një etni? A nuk e konsideron ai popullin shqiptar një etni? Pa dyshim që këta dy popuj janë dy etni. Në qoftë se zoti Stamboliç nuk e konsideron popullin serb një “etni të pastër”, pse tok me të rrojnë edhe shqiptarë, malazez, boshnjakë, turq, po ashtu edhe populli shqiptar nuk është një “etni e pastër”, pse në Kosovë, ku shumica dërrmuese është e kombësisë shqiptare, rron tok me të edhe një minoritet serb, malazez e turk. Në këto rrethana të njëllojta zoti Stamboliç po bën një fokus: “Etnia shqiptare është nacionaliste, fashiste”, kurse “Serbia nuk është e tillë”.
Pse zoti Stamboliç nuk e thotë më hapur se etnia më e madhe duhet të sundojë mbi të voglën, se e para duhet të jetë sovrane në kushtetutë dhe e dyta jo, se kështu i vjen për mirë etnisë më të madhe që do të shfrytëzojë më të voglën? Në vazhdim, ky teoricien serbomadh, që ndjek po atë vijë ultra reaksionare të akademikut famëkeq Çubrilloviq, duke dalë në tezën se “etnia e pastër” të çon në fashizëm, në nacionalizëm, në praktikë do të thotë se “etnia shqiptare duhet të shpartallohet, të humbasë tiparet e kombit të vet, të degjenerohet, pse na është bërë ferrë në këmbë”. Për zotin Stamboliç vetëm etnia serbe mund të rrojë në miqësi me popujt e tjerë që ai i konsideron të dorës së tretë e të katërt, kurse etnia shqiptare sovrane në Kosovë nuk mund të rrojë në miqësi me minoritetet e Kosovës, si serbë, malazez dhe turq. “Janë tronditur seriozisht marrëdhëniet midis shqiptarëve, serbëve dhe turqve”, pohon zoti Stamboliç. Kjo është e vërtetë, por këto marrëdhënie janë tronditur vetëm ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe jo në mes shqiptarëve, malazezve dhe turqve. Pse janë tronditur marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve? Lexo fabulën e La Fontenit “Ujku dhe qengji” dhe do t’i gjesh arsyet, zoti Stamboliç. Nga mbledhja e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë sulmet kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë së Punës të Shqipërisë kaluan në mbledhjen e Komitetit Qendror të Republikës Socialiste të Serbisë, këtë herë me një virulencë të pashoqe.
Disa anëtarë me frymë të tërbuar serbomadhe dhe fashiste arritën deri atje sa të thonë “ta shkatërrojmë regjimin stalinist të Shqipërisë”. “Delenda Kartago” bërtiste në “senatin serb” një Katon i ri. Mirëpo Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk është Kartagjena dhe nuk ka lindur akoma një Skipion serbomadh që ta shkatërrojë Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Çdo gjë e kemi fituar me gjak, bërtiste ky Katon ri. Po Shqipëria me se i ka fituar liritë? Pa gjak? Bile ne i themi se i ka fituar vetëm me gjakun e saj, bile këtë gjak e kemi derdhur edhe për lirinë e popujve jugosllavë dhe për këtë as kemi qenë dhe as do të jemi kurrë pishman. Përsëri do ta derdhim, po të jetë nevoja. Katonët e rinj të Serbisë na akuzojnë ne shqiptarët se e urrejmë popullin serb. Kjo është një shpifje monstruoze. Ne e kemi dashur dhe e duam popullin serb, ne urrejmë vetëm shovinizmin serb, shovinizmin shqiptar dhe çdo shovinizëm tjetër, pse ne jemi marksistë-leninistë, jemi internacionalistë. Shovinistët serbë, për të maskuar shovinizmin serbomadh, po na vënë përballë ne shqiptarëve titullin shqiptaromadh. Këtë parullë e krijoi Italia fashiste e Musolinit dhe janë të njohura qëllimet ekspansioniste-agresive të tij dhe të ballistëve, siç janë të njohura edhe ato të çetnikëve serbë. Së toku luftuam me heroizëm dhe i mundëm armiqtë e përbashkët. Paslufta duhej të rregullonte marrëdhëniet në mes miqve dhe aleatëve shqiptaro-jugosllavë.
Ne detyrën tonë internacionaliste e bëmë. Bashkë me partizanët jugosllavë luftuam për çlirimin e Jugosllavisë. Ju detyrën që duhej të bënit, për zgjidhjen në rrugë të drejtë të Kosovës, s’e bëtë. Sikurse thamë më sipër, ju folët në parim, por në praktikë zbatuat të kundërtën dhe vazhdoni të bëni demagogji. Popullin shqiptar nuk e polli as Roma e Cezarëve, as sllavët e Stefan Dushanit, as sulltanët e Osmanëve dhe as Italia fashiste e Musolinit. Populli shqiptar ka historinë e tij shumëshekullore, plot me luftëra për liri, për ekzistencë. Deshën dhe vepruan armiqtë e tij ta zhduknin atë, po nuk mundën. Populli shqiptar luftoi dhe rrojti në shekuj dhe qëndroi një etni kompakte, pavarësisht se e përçanë dhe e copëtuan. Kush e mohon këtë realitet, jo vetëm që shkakton të qeshura në botë, por tregon edhe ndjenjat e tij të egra shoviniste. Shqiptarët e Shqipërisë së vogël prej gati tre milionë banorësh ose të “Shqipërisë së madhe” (apelacion që e ka përdorur pushtuesi italian, dhe tani po e përdorni edhe ju për të na akuzuar ne si shovinistë) prej më tepër se pesë milionë, janë të gjithë shqiptarë. Kësaj nuk keni ç’i bëni zotërinj shovinistë serbë. Ekzistojnë dy Gjermani, një e Lindjes dhe një e Perëndimit, ashtu siç ekzistojnë dy Kore, një e Veriut dhe një e Jugut.
Por askush nuk dyshon se ekziston një popull e një komb gjerman i vetëm, ashtu siç ekziston edhe një popull e një komb i vetëm korean. Shqiptarët janë një etni, një popull, quaje Shqipëri të vogël ose Shqipëri të madhe. Këta shqiptarë të kësaj Shqipërie të vogël ose të madhe, që përbëjnë një popull kompakt dhe që ka të gjitha tiparet e një kombi të vërtetë, as kanë zaptuar tokat e të tjerëve, as kanë shkelur të drejtat e kurrkujt. Ata vetëm të drejtat e veta kanë kërkuar, i kanë mbrojtur dhe do t’i mbrojnë. Këtë ju e gjeni të jashtë natyrshme, e quani “shqiptaro madhe”, “nacionaliste”, deri edhe “fashiste”. Kur Kosova kërkon statusin e republikës brenda Federatës për të cilën kanë luftuar 50 mijë partizanë dhe ka bërë sakrifica, ju guxoni ta quani këtë një kërkesë kundërrevolucionare, nacionalizëm shqiptar e plot epitete të tilla. Ju bini në kundërshtim të hapët me parimet e shpallura dhe me ç’kanë thënë udhëheqësit tuaj kryesorë, të cilëve ju u këndoni ditë e natë himne. Ju bini në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare, me parimet e fqinjësisë së mirë, prandaj ju nuk mund ta keni në anën tuaj opinionin e shëndoshë dhe të arsyeshëm botëror. Për mbrojtjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë nga një sulm agresiv imperialisto-revizionist duhet të përpiqemi të gjithë, por me të tilla veprime që bëni, ju nuk e forconi pozitën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përkundrazi, e dobësoni atë.
E MARTE 12 MAJ 1981
INTRIGANTET TITISTE, SHPIFES E GENJESHTARE TË NJOHUR
Në një intervistë që dha ministri i Brendshëm i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Franjo Hërljeviç, akuzoi ambasadën tonë në Beograd dhe të gjitha përfaqësitë tona diplomatike në botë, se kanë “organizuar e nxitur ngjarjet në Kosovë”. Natyrisht gjithçka pretendoi Hërljeviçi dhe kolegët e tij, janë krejt gënjeshtra dhe shpifje. Ato kanë për qëllim të fshehin të vërtetën rreth gjendjes në Jugosllavi, si dhe krimet e egra që jugosllavët bëjnë në Kosovë dhe në viset e tjera ku banojnë shqiptarë. Këtij serbomadhi do t’ia bëjmë kurrizin më të butë se barkun. Intrigantët titistë janë të njohur si shpifës, si gënjeshtarë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016