Nga Esat Myftari
Pjesa e nëntë
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963 u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”. Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsimtar në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vendlindjen e tij Kosovë, duke e dënuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit. E gjithë historia e dhimbshme e gazetarit, publicistit, studiuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, dhe me lejen e autorit, do publikohet pjesë pjesë nga Memorie.al
Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari
Esat Myftari lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçaren dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështrime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.
Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtëm, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht anëtarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.
Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.
Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesëmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbas luftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyre “amë”, Shqipërinë.
Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdheun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!
Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirie, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!
Pasi kryen dënimin e plotë duke vuajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dënimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.
Pjesë nga libri “Vdekja jote, jeta ime”, i autorit, Esat Myftari
Sallën me ulse të ngushta e të vjetra, që rënkonin në çdo prekje të tyre, e gjeti mbushë me kooperativistë e arsimtarë që do t’i jepnin përmbajtje kësaj shfaqjeje. Me atë shikimin e shpejt e të papërqëndruem – në mendjen e tij këta duhej të ishin turma e yshtun – ai dalloi vetëm dy-tre fytyra të njohura kolegësh me të cilët pothuaj çdo ditë kishte luajt ping-pong në aneksin e shkollës. Të tjerët i kishte mbulue cerga e hutimit e tymnaja e të panjohurës.
Ridvani u lëshue qëllimisht me tanë peshën e vet mbi ulsen. Deshi t’u jepte me kuptue të tjerëve se kishte ardhë me vullnet të gjallë dhe se ajo që pasqyronte fytyra e tij e tretun dhe e verdhë ishte vetëm nji gjendje e përkohshme e mashtruese.
Në tavolinën përballë qenë ulë të dy hetuesit dhe kryetari i kooperativës, ish nxënësi i tij i “shkollës së natës”, të cilët do të drejtonin këtë proces me emër të çuditshëm, për mos me thanë ilegjitim, sepse kjo fjalë prej kohësh kishte humbë në këtë vend çdo kuptim. Thuhej se hetuesitë popullore bëheshin në dy raste: kur mungonin provat e mjaftueshme për gjyqin e rregullt, ose kur i pandehuni në saje të thashethemeve a fantazive, kishte fitue në prestigj dhe sillej aty për ta profanue me vogëlima shembujsh të pavlerë.
Fjala e hetuesit: E sollëm këtu ish arsimtarin e kolegun tuej, emigrantin jugosllav, Ridvan Myftarin, për veprimtarinë e tij armiqësore…!
Drejtimin e mori krye-hetuesi që tha:
– E sollëm këtu ish arsimtarin e kolegun tuej, emigrantin jugosllav, Ridvan Myftarin, për veprimtarinë e tij armiqësore e të pabesë, në dëm të Partisë e vendit tonë. Prandaj, ju ftojmë të na tregoni me sinqeritet e me fakte gjithçka që dini për pikëpamjet dhe veprimet e tija të kundra ligjshme.
Fjala e tij qe jo vetëm e shkurtë, por edhe pa ndonjë nerv. Kaq shpesh e kishte përdorë këtë stampë gjatë jetës së tij profesionale, sa edhe atij me gjasë po i shkaktonte pothuajse neveri. Por të tjerët që po i dëgjonin këto shprehje kaq të rëndomta – në kundërshtim të plotë me çfarë kishte përhap operativi i zonën nëpër njerëz – po hutoheshin e zhgënjeheshin.
Ngurrimi i të pranishmëve zgjati ma shumë se sa pritej, megjithëse dëshmitë ishin të parapërgatitura e dëshmitarëve nuk u kishte mbetë tjetër veçse me hy në rol.
– Hë, pra…, u tha krye hetuesi, – thoni çfarë keni për të thënë.
– Atëherë, unë po e thyej akullin!
Ridvani e kuptoi se mbrapa krahëve të tij e kishte marrë fjalën mësuesja Drane.
– Unë e njoh mirë Ridvanin, nisi ajo, sepse kemi punue bashkë në Shëngjin. Ai gjithmonë ka qenë ambicioz, donte me çdo kusht me fitue në ping-pong; me qëllim goditjet i kishte të shkurta e të plogta, për ta bezdis e lodhë kundërshtarin; madje u ba kampion shkolle me hile të këtilla; edhe në shah, po kështu, e donte fitoren me ngulm, vetëm në futboll ishte pak ma ndryshe, siç thuhej prej të gjithëve! Kam edhe diçka tjetër, që për mue ka domethënieje të madhe: si shpjegohet që deri në prillin e vitit ‘70 ai vishte pantallona doku në të grisun e kur ulej dimrit në dhomën e arsimtarëve i mbulonte gjujtë me cepat e pardesysë që të mos dukeshin pejzit. Por, kur i erdh e ama për vizitë, ai na u kthye në Shengjin i veshun kreko, me kostum të qepun në “Beko” të Beogradit, me jo ma pak se 16 këmisha që filloi t’i shpërndante si dhurata ndër shokë. A nuk ishte kjo një propagandë e hapun figurative, për të tregue humnerën që ndan Jugosllavinë nga Shqipëria?
Kryehetuesi, i cili e njihte fare mirë rastin e nanës së Ridvanit – ndër materialet e ardhuna prej Qendrës në Tiranë ishte edhe raportimi i informatorës së shtrueme në dhomën e saj për këtë qëllim – e priti turivarur arsyetimin e saj dhe bani vërejtjet e papritura për të pranishmit: shoqja Drane, nëna doemos që do ta gëzonte të birin me diçka dhe e dyta, kush nuk e dëshiron fitoren në lojë, ajo prandaj luhet me frymë gare. Ke gjë tjetër për të shtuar?
– Ah, po – vazhdoi ajo – gati harrova. Një natë po ndigjoja një monolog të gjallë në dhomën përbri times dhe thashë të shikoja se kush kishte ardhë, meqë dera e tij shpesh hapej e mbyllej natën, nuk e di prej kujt. Dola dhe vuna vesh. Ai vazhdonte me folë me copa, por po kapja vetëm zanin e tij. U bana tej mase kureshtare. Mendova: kush do të jetë personi që nuk po pranonte t’i përgjigjej? Trokita në derë dhe, kur u hap ajo, pashë vetëm një mace shtri mbi krevatin e tij që sodiste si idiote rreth e qark. T’ju thomë të drejtën më erdh keq për të e, për ta mbulue emocionin tim, i kërkova kot një libër. Ai e gjeti në bibliotekën e tij dhe, kur ma zgjati, më tha me një nënqeshje ironike: Besoj se do ta shfletosh.
– A janë të vërteta këto i pandehur? – pyeti krye hetuesi në fund.
Ridvani u mendue një grimë herë, iu kujtue se ajo ishte rritë majë një shkëmbi me pamje nga deti dhe se rastësisht kishte gjetë strehë në një shkollë të mesme të dorës së dytë, ku kishte përvetësue nja pesë-gjashtë rregulla të një gjuhe tashmë disfunksionale për vendin. Kaq ishte fondi i saj që e kishte rrasë me zor në thesin e vet të ngushtë, por që eprorët e saj e kishin quejt të mjaftueshëm për ta caktue edukatore e mësimdhënëse në këtë fshat të largët e të mënjanuem.
– Lëshoje teposhtë! – tha Ridvani dhe se përse qeshi me za të mbytun: në të vërtetë pati një keqardhje të thellë për ata fëmijë të mrekullueshëm e të squet që orën e saj të rusishtes e kthenin në palestër lojnash dhe që do të dëshironin ta kishin ma shpesh në javë se sa atë mësuesin e matematikës që rropatej me ta me një zell të pashpërblyer.
Krye hetuesi mezi po e mbante vetën, sepse e kuptoi se nuk duhej ta kishte zgjedhë një dëshmitare si ajo.
– Mirë Drane, mirë, faleminderit! – i tha dhe, për t’ia mbyll përfundimisht gojën, pyeti me ngut: Kush tjetër e do fjalën? Po, shoku drejtor!
Drejtor Zefi: Ridvani vinte në tabelën e nderit nxënës nga familja kulake…!
Zani i drejtor Zefit, një bas i pa-ambelcuem me asnjë hollim emocioni e gati i harruem, i erdh në vesh buçitës e shpues njiherit, ndoshta pse ndodhej shumë afër, një rresht mbrapa tij.
– Në këndin e kuq të klasës ku ishte kujdestar arsimtar Ridvani, foli ai, kishte vu fotografi nxënësish nga familje të prekuna kulakësh. Ata nxënës vërtetë ishin të dalluem në mësime e sjellje, por ai e dinte se nuk lejohej të reklamoheshin. Fundja, ata do të mbaronin një tetëvjeçare dhe do të përfundonin kooperativistë. Pra, kujt i shërbente kjo që bënte ai? Sigurisht, për të treguar se sistemi jonë i mbytë që në vezë talentet, se këtu përdhunohet edhe vetë natyra?! Prandaj qeshë zemëruar me të dhe na u deshë të ndërhynim sepse ai refuzoi t’i hiqte ato fotografi me dorën e tij. Madje më ofendoi kur tha se “unë nuk ndërhyj në fatin e këtyre engjëjve të pafajshëm, qofsh ti që i mëkon qysh tash me këto lloj komplekse”. Jo unë, ia ktheva, por Partia na mëson të jemi konsekuentë e vigjilentë! Vetëm kur ia kujtova partinë ky e mbylli gojën se kush e di ç’farë bollash të tjera do të nxirrte prej gojës së tij.
– E vërtetë, i pandehur? – pyeti krye hetuesi.
– E vërtetë, pohoi Ridvani, përveç atyre bollave që dëshiron t’i kalojë prej plancit të vet në timin!
– Tjetër shoku drejtor? – pyeti krye hetuesi.
– Jo, sepse mbas këtij incidenti mua më transferuan e s’kam pasur kontakte më me të, por besoj se të tjerët do ta plotësojnë kuadrin.
– Faleminderit shoku drejtor.
Doktor Frroku: Ridvani thoshte se edhe kafshët kanë ndërgjegje…!
Duket se fjalët e tij e nxehën atmosferën. Fill mbas tij e mori fjalën Doktor Frroku, një burrë ezmer e flokëkaçurrel që dallonte kaq shumë në pamje prej këtyre malësorëve. Ridvanit i erdh mirë që do të diskutonte edhe ky, meqë ata ishin konfliktue botnisht në orën e edukimit ideologjik. I doli parasysh ora ku doktori qe turpnue prej tij në mënyrë shembullore, ndaj e quente të nokautuem përgjithmonë. Skena që i erdh para syve, madje me tone ma të ndezta, qe zhvillue kështu: në prag të arrestimit të tij, nga shkolla kishin raportue – thuhej se këtë gjë e kishte ba doktori – se Ridvan Myftari ka pohue që edhe kafshët kanë ndërgjegje. Raporti qe nisë në komitetin e partisë së Lezhës dhe kishte ngjallë shqetësim. Por meqë dyshonin në vërtetësinë e tij, për mbledhjen e ardhshme dërguen për ekspertizë Doktor Frrokun bashkë me shefin e financave që mbahej si ideologu i asaj zone. Ridvani, i ndërgjegjshëm se do të kishte përplasje, sajoi një kurth të vogël grotesk: broshurën me pjesë nga “Ideologjia gjermane” të Engelsit e studioi mirë, nxori prej saj disa shënime me formulime pak ma të ndërlikueme për leximin e ndigjimin e parë, kurse broshurën e futi në xhepin e brendshme të xhaketës. Në diskutimin e tij ai riprodhoi përmbajtjen e disa prej këtyre shënimeve dhe në mbyllje tha: kështu thuhet në “Ideologjinë gjermane”.
Kaq i qe dashtë doktor Frrokut që të kërcente prej tavoline si zorra n’prush:
– E shikoni kolegë, prej kohësh ju kam thënë të bëni kujdes – thoshin se qysh kur qe zgjedhë sekretar i organizatës së partisë për studentët e fakultetit të mjekësisë, atje, në Tiranë, ai fliste vetëm në hiper-tosknishte dhe bënte përpjekje titanike që të mos i shpëtonte ndonjë fjalë a lokucion gegë mbasi atëherë do të zbulohej se ishte një copë katunari – ju kam thënë se ky ushqehet me literaturë borgjeze dhe vjen këtu e na shet mend si një i ditur, kur s’është veçse një dështak i padiplomuar. Por ne nuk do t’i lejojmë këtij birboje të kullosë si t’i dojë qejfi. Siç ka thënë shoku Enver, “nuk do të lejojmë që në Shqipërinë tonë të dashur të hyjë e të dalë derri e dosa”.
Kur e pa Ridvani se trupi i arsimtarëve kishte mbet gojëhapur me sulmet e doktorit dhe se në gjendjen e krijueme do t’u kërkohej të shfaqnin mendimet e tyre, Ridvani vendoi me ndërhy e me i çlirue kolegët nga stërpikjet e tij:
– Më vjen keq për këtë qëndrim të doktor Frrokut. Këto që thashë janë marrë vërtetë prej ideologjisë gjermane që në mendjen e tij po tingëllojnë si herezi, por, ju lutem, më falni për një moment! Ridvani futi dorën në xhepin e xhaketës, nxori prej andej broshurën e iu drejtue të pranishmëve: e shikoni autorin e kësaj broshure? Ky asht pra Frederik Engelsi, shoku i ngushtë i Marksit, klasik i marksizëm-leninizmit, të cilin ne e mbajmë nalt në çdo manifestim dhe asht shtypë në shtëpinë tonë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë. Atëherë, ç’faj paskam unë?
Por tash, kur po e shikonte Ridvanin, si mbas tij përfundimisht të shembun në hendek, ai nuk shfaqi asgjë prej atyre kapardisjeve të mëparshme, madje, me një zë pothuaj kantilene, u shpreh:
– Më vjen keq që ky burrë Kosove përfundoi kështu. Sigurisht që ai ka bërë gabime të rënda – kjo është e qartë për të gjithë ne – duke mos i lënë partisë sonë zemërgjerë mundësi tjetër frenimi të tij. Por shpresoj se, atje ku do të shkojë, do të reflektoj dhe mbas riedukimit do të na kthehet i rehabilituar.
Kaq tha dhe u ulë.
Kryehetuesi e Ridvani nuk nxorën asnjë fjalë por qeshën me nënkuptime në të njëjtin çast, sikur të qe shkel një sustë e përbashkët. Në të vërtetë, secili prej tyre kishte parasysh pamjet e veta të këtij hipokriti provincial. Kryehetuesit i kujtohej mënyra se si doktori i kishte fërkue duart prej kënaqësie kur e pati thirrë në zyrë për ta formalizue kallëzimin e tij, kurse Ridvanit i tingëllonin ende në vesh kërcënimet e tij mbi mësueset e shkreta që të largoheshin prej tij, si prej nji virusi të kulturës dhe interesave të huaja për ta e vendin.
I vetmi “dëshmitar” që u prit me kureshtje të njëmend prej Ridvanit, qe poet Ibrahimi, në proces formimi si i tillë, dhe të cilin e çmonte si bashkëbisedues letrar, ndonëse kishin dhjetë vjet ndërmjet. Ai tashmë kishte botue përmbledhjen e parë të poezive, kritika e kishte ekzaltue si zambak të një toke të thatë, madje kohëve të fundit i kishin premtue se mund ta zëvendësonte redaktorin e faqes kulturore të gazetës “Zëri i Popullit”, mbasi ish redaktori, po ashtu poet, tue qenë i afërt me intelektualët liberalë, u kishte pasë hapë atyne hapësinë të përpjesëtueshme në organin partiak. Poet Ibrahimi, me dëshirën për të ba fërk prej të tjerëve që po pengoheshin nëpër shembuj pak fajsues, u kap për dy momente disi ma të spikatun e në përputhje me legjendën që po thurrej rreth tij. Ai ligjëroi me fjalë ma të zgjedhuna se të tjerët:
Poet Ibrahimi: Ridvani lexon te deri në orët e vona dhe libri që pëlqente më shumë ishte…!
“Në dhomën e të pandehurit (po nguronte me i’u drejtue me emën) dritat rrinin ndezë deri në orët e vona të natës. Këtë e vëja re mirë e shpesh, mëqe shtëpia ime është përballë shkollës. Të gjithë e dinim se në atë dhomë dëfrehej e vallëzohej shpesh, gati për çdo mbrëmje. I pandehuri një herë më pati thënë se në atë mënyrë po vrisnin limontinë e jetës në fshat e larg familjeve, ndonëse njerëzia vazhdonin të përshpërisnin se aty luheshin edhe gjëra të tjera…?! Kurse libri që ai pëlqente më shumë e prej të cilit më pati përkthyer disa fragmente të shkurta mbante titull intrigues: “Mbi dashurinë”. Më pati siguruar që përmbajtja ishte e mahnitshme dhe se trajtonte evolucionin dhe format e dashurisë në rrjedhë të kohës, pra transformimet që e ndiqnin atë në përputhje me zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Mua më pati ra në sy një vinjet nga ato të kohës kur piktorët persianë po hidhnin hapin e guximshëm reformues për t’i zbutë rregullat e rrepta të doktrinës sunite. Vinjeti paraqiste një grua ulë në prehrin e një burri, çka mua më shembulloi me një skenë pornografike, tipike orientale. I bëra vërejtjen e rastit, por ai ma ktheu shkurt: Po fantazon kot, o Ibrahim! Pas kësaj, më foli për priftërinjtë paganë të Egjiptit të lashtë, të cilët praktikonin zakonin e jus prima noctis. Hajde qejf o qejf, pati murmurit i pandehuni. Dhe më informoi se synetia, si model pastërtie e shëndeti, përdorej prej tyre, shumë kohë para se te hebrenjtë dhe myslimanët. Mbaj mend edhe talljen e tij me shoqninë sovjetike. Më tha se në atë hov të parë pothuaj të paarsyeshëm të revolucionit fitimtar, qe vendos të zbatohej parimi i Engelsit që thotë se, kur dashuria e një çifti në martesë merr fund, atëherë nuk është më e moralshme që ata të jetojnë edhe më tutje bashkë. Ky parim qe diskutue në Dumën ruse dhe që kthye në ligj. Si rrjedhim, procedurat e divorcit qenë thjeshtëzuar deri në skaj: mjaftonte një kartolinë me të cilën njoftohej kryeplakun i lagjes apo i katundit, dhe gjithçka kryhej automatikisht. Por shpejt u pa se pasojat ishin katastrofike dhe ligji u abrogue me ngut, ashtu sikurse qe miratuar. Faji iu la Engelsit beqar që nuk e paskësh njohur jetën martesore. Përfundimi, më pati thënë i pandehuri, është fare i thjeshtë…disa ligje të natyrës duhen respektue, prandaj edhe ateizmi nuk mund të dekretohet! Kaq kisha, zoti kryehetues”.
– Faleminderit, shoku Ibrahim, na dhe dëshmi shumë të vyer. Po i pandehur, fol! – tha, kur vu re se Ridvani kishte ngrit dorën instiktivisht për t’iu përgjigj
Ridvani, dukshëm i prekun, foli si për vete:
– Ibrahim, poezia do sinqeritet…të pata trajtue si një vëlla të vogël. Turp e mjerim për këto që the!
Efekti i fjalëve të Ridvanit qe i madh, kush s’po piptinte. Heshtja do të zgjaste edhe, por nga fundi i sallës u ndigjue pyetja me zë kumbues e zemërak.
I internuari Can Agolli, njeriu i vetëm që mbrojti Ridvanin…!
– Jam Can Agolli, i kolonisë së re. A më lejohet të thomë edhe unë nja dy fjalë?
Të gjithë të pranishmit u kthyen me fytyrë kah ai.
– Patjetër – iu gjegj krye hetuesi, gati i gëzuem për përfshirjen e tij në këtë hetuesi.
– Unë Ridvanin e njoha përciptas gjatë këtyre pak muajve që jam këtu. Siç dihet, organet shtetërore, me urdhën të posaçëm, na kanë sjellë për riedukim. Por njerëzit që gjetëm këtu po tregohen shum ngurrues ndaj nesh, kështu që mezi bisedojmë me ta. Kujtoj se ka mjaft paragjykime për ne. I vetmi njeri që na ka pritë me zemër të bardhë e të hapun, që na ka dhanë njohje e shoqni, që na ka ofrue dinjitet e libra, asht arsimtar Ridvani. Kam ardhë këtu që për pjesën time e të shokëve t’i shpreh mirënjohjen tonë. Të tjerat ju përkasin juve të nderuem hetuesë dhe ish kolegëve të tij me të cilët ai ka jetue e punue.
Ky fllad moral sikur e dëboi ajrin e ndotun të asaj hapësire të ngushtë e perverse. Ridvani e përshëndeti me mendje guximin e tij dhe i erdh mirë që e dëgjoi me veshë të vet këtë mirënjohje. Veç kësaj, gëzimi i tij ishte i madh edhe pse kjo mirënjohje po vinte prej një bashkësie për të cilën ai vërtetë kishte tregue empati qysh ditët e para, por gjithçka qe zhvillue natyrshëm. E, megjithatë, kishte një diçka ma të thellë në të dy palët: Can Agolli ishte pjesë e “kolonisë” së delikuentve kryeqytetas, që një ditë të bukur pranvere i shkarkuen me kamiona dhe i trusën afër detit, në një mjedis të rrethuem me pisha.
Ishte një lloj eksterritorialiteti të rinjsh të padëgjueshëm e të dyshimtë por, me sa kishte marrë veshë, përgjithësisht prej familjesh të rregullta qytetare. Zyrtarisht u ishte kumtue se ata ishin mbeturina të shoqnisë që prishnin moralin e rregullin në kryeqytet, të rinj që në moshën e tyne nuk njihnin tjetër përveç bixhozit, që si bracë e dinakë kishin prishë rahatinë e udhëtarëve nëpër autobusë, që merreshin me pëllumba si djerraditës që ishin; se shteti kishte mendue të ndërtonte për ta një lloj instituti Makarenko, fillimisht pa edukues, por me premtimin se nji ditë aty do të ngulej piketa e institute që, me kohë, do të merrte shtrimje e funksione të reja. Fshatarët i morën të mirëqena këto cilësime zyrtare prandaj po rrinin larg tyne. E vetmja gja që binte ndesh me këto vlerësime ishte pamja e tyne e jashtme: djemë si të zgjedhun për bukuri e shkathtësi, me seder e kryenaltë, që dalëngadalë po rrezatonin qytetari e humor të hollë, që po fitonin simpatinë e kooperativisteve të lidhuna me punimin e tokës, me rendimentet e pashpërblyeshme dhe përballjen me pasojat e një hipoteke klasore.
Kurse, për shijen e tij, këta djemë përbënin variantin ma të papritur e të pëlqyem në atë mjedis që po bëhej gjithnjë e ma i amulltë. Shpesh, deri në dhomën e tij, vinte jehu i mekun i këngëve të moçme qytetare me të cilat qe rritë në Pejë. E, kur gërmoi pak në pedigrenë e tyne, doli se një pjesë e mirë e tyne ishin bij refugjatësh kosovarë e dibranë të ikun prej mizorive serbe në kohë të ndryshme, ose bijë të të përsekutuemve politkë të të gjitha viseve shqiptare, por që ende nuk kishin mbërri me u shkri me trupin vendas; me këto këngë plotë nostalgji ata mbushnin vetminë e Ridvanit dhe e nxisnin me u zhytë në përsiatje trishtuese mbi magmën e një kombi ende në formim e sipër. Këto këngë qytetare, me fjalor e vijë melodike gjysëm të harrueme, kishin pësue vetë fatin e tyne, ndaj, me sa dukej, ata i këndonin përnatë edhe si një fidë politike.
Hetuesia popullore, që e kishte kujtue si një golgotë midis njerëzish të frymë në veshë, i doli pothuej si një zbavitje e me shumë kuptim.
Kur e kthyen në birucë, ndjeu lehtësim të madh sepse u bind se figura e tij, sidoqoftë, kishte mbetë e pa nisun dhe se, dëshmitë e shqiptueme përbanin një turp e dështim për dy hetuesit, Gjolekën e Grigor Selenicën.
BERBERI
a) Ditën e arrestimit
Njenji prej vendasve që në jetën civile Ridvani kishte pëlqye ishte berber Nasufi. Ai ishte një filiz esnafi ende i gjallë si frymë, trupvogël e me mustak të hollë, gjithnjë pedant e fjalëpak. Qysh në vizitën e parë Ridvani e pati pëlqye pastrinë e tij trupore dhe atë të dyqanit. Përgjithësisht ai ishte tip i heshtun, sidomos kur ndodhej përjashta, në rrugë apo në shoqni me miq. Por, brenda floktores së tij, ai e hiqte pa u ndje maskën e heshtjes së tij dhe ishte në gjendje me nisë kuvende nga ma të ndryshmet e me një gjuhë mjaft të ëmbël. Veç kësaj, kishte edhe një prirje të çuditshme: mendimet për njerëz e për ngjarje i shoqnonte me emra, detaje dhe, po të kërkoje, edhe adresa, aq sa të dukej se asht një enciklopedi e vogël shëtitëse e asaj zone. Kështu, prej tij, ma shumë se prej të tjerëve, ai e kishte mësue historikun e portit me emën të madh e të lashtë, por, tash e sa kohë, me zhvillime të vogla e aksidentale.
Berber Nasufi, me punën e tij të dytë në qelitë e të arrestuarve…!
Berber Nasufi ishte një anas, me plogshtinë karakteristike të njeriut që hiqej si i mënjanuem prej vërshimit të ardhsëve. Dikur mbi atë hapësinë mbizotnonte Shkodra, por në mënyrë të butë: me gjuhë, me muzikë, me arsim, me administratë pushteti vendor e me nënpunësa banke. Kurse mbas luftës, siç thoshte ai, me dyndjen e jugorëve, si të besueshëm të regjimit dhe me ndërtimin e bazës ushtarake, rrezja qe zgjatë e prekte të gjitha degëzimet sociale dhe administrative prej tyne. Roli heroik i këtij lloj anasi ishte të shërbente me korrektësi, pavarësisht nga profesioni ose përgatitja, dhe të kishte të montueme mirë një buzëqeshje, qoftë edhe të pasinqertë, por doemos jo të ftohtë. Temat që berber Nasufi po i trajtonte me të, gjithnji e ma shumë po i tejkalonin afëtësit e tija intelektuale dhe herë mbas here po shfaqeshin me formulime disi të rrezikshme: kishte në to të dhana e mendime që Ridvani i kishte ndigjue edhe ngjeti, por kryesisht ndër miq të vet të besueshëm e të sprovuem.
Në këso rastësh Ridvani kishte zgjedhë rrugën e mesme: as pohonte, as mohonte por vetëm ndigjonte ose lëvizte me krye pohueshëm apo mohushëm, sepse e dinte se këto kuptime nuk mund të zbardheshin për askënd. Në të vërtetë ishte zakon i njohun i berberve me tregue ngjarje dhe intimitete njerëzore me deshirën e pafajshme për ta kthye vizitorin e rastit në klient të përhershëm. Po kjo gja i pati ndodh edhe në Pejë: kur pat shkue për herë të parë me i ra brisk fytyrës – ishte maturant aso kohe – berberi e kishte mbajtë me kuvend e shaka rreth burrnimit të tij dhe nevojës për ta kremtue këtë çast me një vajzë të bukur e rishtare.
Jashtë këtij mjedisi, si dihet, berberi asht kudo një qytetar i rëndomtë, i heshtun, që kalon rrugëve si hije, që nuk le gjurmë dhe që të duket se nuk i hyn kujt në punë. Prandaj, ditën e nesërme të arrestimit, Ridvani pati mbetë i shtangun kur në hapësinën e nevojtorës pa berber Nasufin kah po e priste ulë në karrike, me bluzën e tij të bardhë dhe krehjen e tij të kujdesshme të flokëve, veçse pa atë aromën e livandos bullgare për të cilën i qe lavdue përpara. Ose hundët e Ridvanit qenë zanë e nuk thithnin ma kurrfarë arome. U shtang, sepse nuk e dinte se ai bante këtë lloj pune të dytë (nuk i kishte ba as aluzionin ma të vogël për të), në të këtilla hapësina mbytë amoniakut. Ata vetëm qenë pa sy më sy për një copë herë pa ndonjë kryqëzim a shkëndijë urrejtjeje.
Dita e parë: makina e qethjes filloi me ladrue nëpër rrashtën e rregullt të Ridvanit. Prej andej, si prej një qielli mbush me re të zeza, po binin bashkat e flokëve të tij. Ondet e lehta të atyne flokëve qëndruen edhe ndonji minutë mbi mbulesën e bardhë deri sa ranë për tokë dhe një curril i kadaltë uji i mori me vete e i fundosi përtej buzëve të verdha të sifonit për t’i shoqnue me rrjedhën e ujnave të tjera të zeza. Ridvani at ditë ndjeu një gjamë të mbytun në gjoksin e tij pse e dinte që të paktën për një dhjetvjeçar ato nuk do të lejoheshin me u rritë, pra, për një kohë të papërcaktueshme kryet e tij do të dukej si tokë e djegun, por, edhe kur këta flokë të fitonin lirinë ashtu si edhe trupi e gjymtyrët e tij, ato do të dukeshin ndryshe, pa ndonji feks joshjeje, çka do të thoshte se atë ditë po ndahej përgjithmonë me një aspekt të rinisë së vet.
Mbas flokëve, i erdh radha mjekrës. Kishte disa ditë që s’i kishte ra brisk ftyrës. Berber Nasufi vërtetë e ngjeu furqën në tasin me sapun si herë të tjera, por tash vetëm sa për t’i njomë fijet e saj e për të zbardhë qimet e denduna e të ashpra të ish myshterisë së tij. Fill mbas kësaj, usta Nasufi e lëshoi dorën shkujdesshëm mbi ftyrën e tij, megjithëse tehu i topitun i briskut po pengohej nëpër to.
Ridvani i mblodhi të gjitha forcat e veta për të mos nxjerr lot, por më kot. Në një çast dobësie, qesës së lotëve me gjasë i qe plasë lëkura e hollë dhe disa pika ranë e u bymuen në çarçafin e bardhë që mbulonte prehnin e tij. Nuk e desh veten, ndonëse gjithçka ishte e pavullnetshme. Në këtë mënyrë dita e mërkurë që ishte caktue për roje, prej Ridvanit u pagëzue si ditë e rjepjes së tij. Blanat që i mbeteshin në fytyrë mbas çdo rroje, ishin provë e gjallë e kësaj rrjepjeje, por ato s’kish kush t’i dëshmonte, përveç rojës së burgut dhe hetuesit të kënaqun me zellin e usta Nasufit./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016