Nga Esat Myftari
Pjesa e dhjetë
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963 u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”. Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsimtar në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vendlindjen e tij Kosovë, duke e dënuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit. E gjithë historia e dhimbshme e gazetarit, publicistit, studiuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, dhe me lejen e autorit, do publikohet pjesë pjesë nga Memorie.al
Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari
Esat Myftari lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçaren dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështrime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.
Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtëm, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht anëtarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.
Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.
Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesëmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbas luftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyre “amë”, Shqipërinë.
Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdheun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!
Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirie, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!
Pasi kryen dënimin e plotë duke vuajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dënimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.
Pjesë nga libri “Vdekja jote, jeta ime”, i autorit, Esat Myftari
b) Dita e gjykimit
Tash, që ishte porositë ta përgatiste të pandehurin për procesin gjyqësor, berber Nasufi, u paraqit në dritë të re, ama krejt të re. Në qoftë se ma parë dora e tij që mbante briskun i ngjante një kanxhe mace, sot ajo ishte e kujdesshme, e butë dhe thonjtë i kishte fsheh diku në shputat e veta të kadifta. Ridvani e kuptoi se kësaj radhe nuk do t’i mbetej në fytyrë asnjë blanë tehu. Veç kësaj, ndrysh prej herëve tjera, kur i rrinte sipër i heshtur si mumie, sot e kishte zgjidhë gjuhën e po rrekej t’i bënte pyetjet që përdorte dikur, jashtë këtij mjedisi, atëherë kur midis tyre kishte kuvendim normal njerëzor. Por Ridvani nuk iu përgjigj asnjanës, për t’i tregue se nuk i kishte harrue e nuk ia kishte falë me shpirt seancat e mëparshme të torturës. Sytë e Ridvanit ishin plotë përbuzje për të, kështu që berberi u detyrue të ndërpriste menjëherë diarrenë e gojës së vetë e të gjesteve të lira.
Megjithatë, i autorizuem e me pamje bujari të trimnuem, ai nxori pasqyrën e vogël prej mantelit të tij të bardhë dhe si me droje e vjedhtas ia qiti Ridvanit para syve. Roja qëllimisht ua kishte kthye shpinën e se ç’ po kërkonte me sy në korridorin e mugët.
– Mirë? – pyeti ai me zë të hollë, të spërdredhun e gati të shuem.
Ridvani sigurisht ishte kureshtar të shihte shëmbëllimin e vetë, sepse deri më atëherë i kishte takue me u pasqyrue vetëm në mjegullën e dritares së hetuesisë. Por ajo nuk tregonte asgjë të saktë, të paktën kështu mendonte ai. Fytyra e tij njëmend ishte vezake, por jo aq e stërzgjatun sa e jepte turbullima e xhamit. Por tash kishte përpara një pasqyrë pothuaj të re, me vernik të pacënuem, kështu që shembëllimi duhej të ishte i plotë e, padyshim, besnik. Vërtetë mungonte drita e duhun por, gjithsesi, duhej të ishte shëmbëllim real. U çuditë kur pa sytë e vetë të kthyem në dy vrima të vogla e të vagullta, me vetëm një fije drite në to, sa për të dëshmue se ende ishte gjallë. Sa do të donte të kishte në to pak ma shumë kthjelltësi edhe me kushtin që melankolia të mbetej ajo që ishte, e thellë e shpresëhumbur.
Sepse do të gjente brenda vetës burime të tjera energjie për t’i prapue ato me forcën morale që besonte se kishte. Thoshin se, në kohën e tij, Geringu nuk i duronte fytyrat e zymta të qytetarëve – atij nuk i interesonte aspak arsyeja jetësore e zymtisë – por ama lumturinë e gjermanit, qytetar të vet, ai e donte të shprehun haptas (ngjashëm i kishte thanë edhe hetuesi Ridvanit: çfarë doje të tregoje me atë mërzi që shpërndaje nëpër rrugët e qytetit tonë, të tregoje se këtu trajtoheshe keq, se këtu njeriu s’ka shpresa, se këtu jetesa është për faqe të zezë?!). Nga ana tjetër, edhe mollëzat e faqeve po e nxirrnin si një gjysmë mongoli, pse kishin kërcye në plan të parë e muskujt poshtë tyre ishin labërguar e rrëshqitë teposhtë si për të sajue pikturën e prag vdekjes. E vetmja pjesë që kishte mbet si ma parë ishin nofullat, ashtu të forta e të qëndrueshme siç ishin, që tregonin se ende kishte mbet aq vullnet sa mos me u dorëzue.
I erdh keq që para publikut do të dilte me atë pamje të stërlodhun e të shformueme për shkak të së cilës edhe mendimi i tij, sado i fuqishëm, do të dukej tajim alieni e, prandaj, i huaj e jo bindës. Ose ndoshta pikërisht për këtë do të tingëllonte ma bindës, sepse ishte ajo, gjuha e trupit, që do t’i vinte në ndihmë e që mund të kuptohej edhe prej një fëmije e jo ma prej të rriturve me përvoja të këtilla të përsëritura.
Pas gjashtë muajsh, larja me sapun se do dilte në gjyq!
I thanë se, ma në fund, mbas gjashtë muaj hetuesie, do të lahet me sapun aromatik në mënyrë që të mbante erë të mirë kur do të dilte para auditorit. Se do t’ia jepnin këmishën e pastër dhe pantallonat e mbajtura në depo ditën e arrestimit për t’u dukur si dikur – njeri normal. Por Ridvani këtë lajm madhështor nuk e priti me gëzim. Jo se ishte mësue me mykun e teshave të tij të ashpërsueme me sedimente të shumta djerse, por sepse mbas një kohe kaq të gjatë ai do ta shihte veten lakuriq. Aty do të dilte në pah e tanë egërsia e fshehun e një sulmi së jashtmi tepër dinak mbi trupin e tij. Edhe iu kujtua fjala e urtë e babës që ia thoshte shpesh, sidomos kur merrte vesh për ndonjë pabesi të pushtetit serb: kujdes mor bir se këta, komunistët, ta pinë gjakun me pambuk!
Kur mbeti vetëm në nevojtore dhe roja e siguroi se mund të qëndronte sa të donte, së pari i ra në sy një peshqirë bojë rozë që rrinte varur mbi një gozhdë të zezë futë krah këmishës e pantallonave gri dhe mandej zorra e ujit që e priste si një gjarpër i zi shtëpie, por jo sulmues e vëlla me vitoren e birucave. Hoqi teshat e trupit, i shtyu me këmbë për në qoshe ku nuk do të arrinin stërpikët e ujit dhe iu kthye trupit të vetë me një vështrim tmerrues: brinjët e tij po i ngjanin tastierave të një fizarmonike të vjetër, muskujt i qenë lëmue e dukeshin si leskra mishi që e mbështillnin gjithandej, kurse ijet i qenë vrugë deri thellë në asht shkaku i mbështetjeve të gjata mbi dërrasat e shtratit. Pa se gjithçka në trupin e tij qe tkurrë e rrudhë dhe se shenjat e senilitetit të parakohshëm kishin zanë vend aty, mos o Zot, përgjithmonë!
Uji i ftohtë ia largoi ca orë vapën e gushtit. Për një copë here ndeji pa lëviz, sy mbyllë e harrû. I ra sapun vetes dy-tre herë, sidomos sqetullave, gjenitaleve e shputave të këmbëve. E u shpërla me një ëndje pothuaj sensuale. Mandej mori peshqirin, u fërkue ngadalë e për lezet dhe u veshë. Sigurisht që e ndjeu vetën të lehtësuem, të kthjelluem e disi të rilindun. Mbas pak do të vinte edhe seanca gjyqësore për të përmbyllë një kapitull jete e për të fillue diçka tjetër, me shpresë diçka ma njerëzore e ma shqiptare.
Betejë e fitueme? Po, e fitueme, sepse po pësonte mbi vete akuza por vetë s’kishte drejtue asnjë kundër askujt mbi këtë dhé e po dilte para gjindjes ditën e gjykimit ashtu sikurse kishte hy ditën e arrestimit!
Ishte një gëzim përtej arsyes!
Zhvillimi i gjyqit dhe kolegët e ardhur nga Lezha
Ridvanin e vendosën në rreshtin e dytë të sallës së vogël, në krahun e majtë. Gjeti pak veta të shpërndamë tek-tuk nëpër banka dhe, me vështrimin e parë fluturues, nuk pa asnjë të njohur. Me gjasë, do të ishin nga katundet e afërta ose të largëta. Por si u rahatue disi midis dy policëve, qe në gjendje me e rrokë me vështrim krejt sallën: për çudi, as tash nuk dalloi ndonjë prej kolegëve të Shëngjinit, me të cilët kishte punue pesë vjet të mira e kishte kujtime, jo të këqija prej tyre. Mbas pak minutash njerëzit e caktuem për me marrë pjesë në proces po hynin si me droje dhe po zinin vendet e tyre. Befas, ndërmjet tyre u shfaq edhe Rozi, me bukurinë e saj, në qafë e bel dhe e pa shoqërueshme prej askujt. U ulë në krahun tjetër, por paralel me të: e ftohtë, indiferente ndaj të tjerëve e me një farë krenarie të kuptueshme sepse nuk kishte pranue me u dorëzue si dëshmitare, sikurse kishin ba shoqet e saja të punës. Jo, nuk duhej të degradohej ashtu njeriu, dukej sikur fliste gjithë shtati i saj. Ose ma personale: s’kish si të përdhosej n’at farë feje hijeshia e netëve të përbashkëta. Përkundrazi, ajo kishte vesh fustanin që e pëlqente Ridvani dikur dhe me këtë gjest kishte mendue të plotësonte mesazhin e shpirtit të vet.
Grupi i fundit i të ardhurve ishin kryesisht arsimtarë të Lezhës, me të cilët kishte njohje sipërfaqësore. Ndërkaq kolegët e katundit ku qe arrestue, do të vinin me rrugë tjetër, si mbështetës të akuzës. Ata, sikurse e kishte sigurue hetuesi, do të përbënin simbolin e objektivitetit. Por, kur pa tue hy krye hetuesin dhe hetuesin, Ridvanit i erdh t’i fërkonte sytë. Nuk e kishte mendue në asnjë rrethanë se pafytyrësia e tyre, do të arrinte deri në këtë pike! Ndërkaq, nëse ky hap i tyre ishte shprehimisht shkelje procedure apo jo, nuk e dinte me siguri, ndaj nuk e bani mend me protestue. Në fund, u fut trupi gjykues.
Të gjithë u çuan në këmbë dhe në sallë ra heshtja.
Kryetare Flutura Tirana, juriste nga ato yjet e pikuna prej qiellit të klasës punëtore, në krah kishte dy kolegë ma të rinj. Edhe këta ishin të kohës së reduktimit të madh programor të juridikut, por shkollimin e kishin të vijueshëm e të rregullt dhe e kishin shiju si studentë një grimë të pranverës së shkurt liberale.
Ridvanit po i vinte me qeshë, kah po i ndiqte lëvizjet e ngadalta e plot naze të kryetares: thjesht, nuk po u besonte syve se si mund ta gjykonte ajo me atë horizont aq të ngushtë që kishte. Kishte pas rastin me kuvendu me të, dy–tre herë, në shtëpinë e mikut të tij, kur punonte si arsimtar. Madje një natë qenë përplas rreth të drejtës romake, se ajo e quajti “mbetje arkaike”, prandaj qe heq prej programit mësimor.
– Po ajo konsiderohet ndër lëndët bazë – pati vërejt Ridvani.
-Ata që kanë vendos kështu, dinë ma mirë se unë e ti! – i qe përgjigj ajo shkurt.
Edhe në këtë seancë gjyqësore po rrinin përballë njeni tjetrit si “palë” kundërshtare, veçse tash me një ndryshim të vockël: ajo mbante në dorë skeptrin e pushtet mbi të.
Mbasi u kryen formalitetet, të gjithë zunë vendet e tyre.
Radhën e kishte prokurori. E quanin Stavri Themeli – thoshin se ishte pinjoll i gjeneralit të njohun komunist, i cili fill mbas lufte qe caktue “të disiplinonte Shkodrën reaksionare”. Por ndryshe prej tij, ky kishte një natyrë ku e ku ma të butë se ai. Ridvani e njihte edhe prokurorin, por prej s’largu. Se ai vinte rregullisht në det, me gruan e vajzën e vogël, por rrinte pak me to: i pëlqente me ba shëtitje i vetëm bregut, me pa ndeshjet e vogla të futbollit që luheshin në ranishte ose me ndjekë ndonjë lojë shahu diku, në ndonjë çadër rasti. Shijonte pak nga të gjitha. Jo vetëm kaq, por gjatë qëndrimit në birucë, i kishte shkue një herë për “vizitë”. Kishte qendrue te praku i derës, kishte vu duart në ije dhe me fjalë të mbytura, fjalë që rrokulliseshin njena mbi tjetrës si valë, e kishte pyet pa ndonjë ligësi të hetueshme në fytyrë: ku e more guximin me dalë kundër udhëheqësit?!
Ridvani nuk i qe përgjigj. Qe mjaftue vetëm me një të qeshun të lehtë.
Tufa e dëshmitarëve në sallën e gjyqit
Kur e futën në sallë tufën e dëshmitarëve, ata u dukën të hutuem, sikur po mundoheshin me u fshehë njeni prej tjetrit. U lexuan rregullat mbi përgjegjësinë e deklarimeve të tyre dhe, mbasi pohuan kolektivisht se e kishin të qartë detyrën e tyre, i nxorën jashtë, për t’i futë gjatë procesit një nga një. Akt akuza e prokurorit pak a shumë thoshte se i pandehuni kishte ndigjue radio-stacionet e hueja, kryesisht ato jugosllave; se ishte shpreh kundër kontrollit punëtor si mjet presioni, madje anëtarët e tij i kishte cilësue si të pamoralshëm e maskarenj; se kishte refuzue të punonte në brigadën e kooperativës projekt- kushtetutën me pretekstin se kishte shtetësi të huej; se kishte pohue shprehimisht: “në qoftë se Enver Hoxha drejton fushatën e burgosjes së kosovarëve, unë e deklaroj veten kundër tij”, por jo më kotë e kishte nxjerrë prej gojës fjalën “në qoftë se”, si një kusht zbutës e mundësi ri-interpretimi.
Kurse qëndrimin e tij ndaj pushkatimit të gjeneralëve, juridikisht e kishte quejt provokim të palejueshëm, të lig e të dënueshëm me ligj që i bëhej prej një palo sekretari të arsimtarëve të Bregut të Matës, me emrin Tonin. Në fakt, përplasja kishte ndodh sa vijon: Ky sekretar, i ndërgjegjshëm se gjatë mbledhjes Ridvani ishte nxeh për shkaqe të tjera, i’a tundi broshurën e palexueshme në kolektiv që bënte fjalë për pushkatimin e para do ditëve të gjeneralëve dhe e kishte pyet me një ironi prej pushti: ç’mendon ti për këtë gjyq e për këta tradhtarë? Ridvani, megjithëse i kapun tashma në vallen e kontestit, s’kishte ngurue t’i mbahej një parimi të rrezikshëm për kohën dhe i qe përgjigj: “nuk e kam lexue broshurën, prandaj nuk mund të shprehëm paraprakisht për përmbajtjen e saj. Veç kësaj, në punë gjykimesh duhen ndigjue të dy palët”.
Kaq kishte mjaftue që të gjithë të pranishmit të skandalizoheshin me guximin e tij të pacipë për të vu në pikëpyetje drejtësinë e Partisë, ndaj qenë lëshue mbi të fort të egërsuem! Ridvani kishte qëndrue në vend i ngrimë, po i ndiqte gjestet e tyre me flegmë të papritun edhe për faktin se ata ishin bijë të krahinës së cilësueme zyrtarisht si “krahina ma reaksionare” e vendit, ndaj po i vinin të vjellta kah po shihte zellin e tyre të rremë të asaj dite. Edhe nga vëzhgimi që po i bënte fjalës së prokurorit, po dilte se materialeve të hetuesisë popullore i kishte mungue serioziteti: qe herr pjesa alogjike e komike e saj dhe tekstet e vegjël qenë redaktue me kujdes e shpërnda nëpër detaje të tjera, pa ndonjë identitet a lidhje të brendshme.
Mbas të gjithë kësaj, u tha si përfundim se Ridvani ishte njeri i brumit të huaj dhe si i tillë i dëmshëm për edukimin e fëmijëve dhe për jetesën e lirë midis njerëzve të rregullt e të ndërgjegjshëm. Por edhe ndër këta ndigjues, ashtu si në hetuesinë popullore, pati një zhgënjim të madh, sepse kishin ardhë me sy të madh: ata kishin ardhë me u njohë me fakte të jashtëzakonshme, që kufizonin me spiunazh, meqë fushata kundër tij gjatë hetuesisë kishte qenë shum sulmuese dhe fakti që ai kishte kërkue riatdhesim e kishte ndez fantazinë e një pjese të mirë. Ndërsa argumentet që po përmendeshin aty ishin gjuha e fshehtë dhe e përditshme e çdo qytetari me dy fije mend e dinjitet, gjuhë që flitej nëpër shtëpia prej vetë atyre, por pa mysafirë e çamarrokë nëpër këmbë.
Kolegu që mohoi deklaratën kundër Ridvanit të lëshuar në hetuesi!
Mbas kësaj, ftuesi gjyqësor, një mesoburrë thatim, filloi të fuste në sallë një nga një dëshmitarët që prisnin në mizanskenë.
Por ai që shkaktoi bujën ishte arsimtar Pjetër Luli. Ky e mohoi deklaratën e lëshueme në hetuesi dhe filloi të kundërshtonte me zemërim stilizimet e hetuesit.
– Aha – tha Pjetri – tash e kuptoj pse ai kallëzimet e mija i shënonte në rreshta fort të rrallë, sigurisht për të futë midis tyre fjalët e tija shtesë mbas marrjes së firmës sime!
Në sallë u nde zhurma e të pranishmëve. Ridvani e ktheu kryet kah hetuesi, i cili, strukë në qoshen e sallës, për të ra në sy, sa ma pak, qe zanë ngusht e s’kishte si të ndërhynte. Por kryetarja nxitoi ta mbyllte skandalin e dha urdhën ta nxirrnin jashtë, dëshmitarin shpifës e të paedukatë. Mbas këtij rasti të pandigjuem në atë gjykatë të re, dëshmitarët e tjerë erdhën të urtë e recitues, të pa ndërpremë prej askujt.
Kur i dhanë fjalën Ridvanit, ai e ndjeu vetën të fuqizuem, sepse kishte dallue shum pika të dobëta të akuzës. Dhe nisi pikërisht nga rasti i Pjetrit për të “dekonstruktue” moralin e hetuesisë. Por jo, s’e lanë. Nga fundi i sallës, ku ishte ulë kryehetues Gjoleka, erdh një zarf i bardhë që i’u dorëzue në katedër kryetares, Flutura Tirana. Ajo e hapi me ngut dhe si e lexoi, ia ndërpreu fjalën të pandehurit dhe urdhëroi me zë të rreptë:
– S’kemi ardhur këtu për kundër-propagandë. Trupi gjykues tërhiqet për vendim.
Ndërsa trupi gjykues u tërheq në dhomën e vet, Ridvanin e nxorën në korridor duar lidhë dhe e urdhnuen të ulej në karrige. Polici qëndroi në këmbë krah tij, pa atë nurin e policit, sidomos mbas asaj seance që doli krejt e shfytyrueme e jashtë rregullave. Në shesh-pushimin e shkallëve qenë grumbullue disa fëmijë 12-13 vjeç dhe nuk po ia ndanin sytë. Ridvanit thjesht nuk po i besohej se si qe thërmue në këtë farë feje, grima e fundit e solemnitetit gjyqësor.
Ai po i shikonte këta fëmije kureshtarë po edhe sapak të trullosun – pa dyshim pjesa ma e ndieshme e gjithë atyre që kishin qenë në sallë – të cilët shum pak po kuptonin nga kjo bujë e lojë. Këta fëmijë kishin para syve një burrë të lodhun, të cilit s’ishin në gjendje t’i përcaktonin as moshën, por që dukej se ishte një plak pa kund njeri e i braktisun vetëm në forcën e fjalës së vet që ia prenë përgjysmë. Dhe po çuditeshin se si kur ishin poshtë te shkallët e në rrugë e altoparlanti shpërndante fjalën e tij, ata kishin pasë përfytyrimin se po fliste një burrë shum ma i ri, ma i fuqishëm e luftarak, ndonëse, shumicën e fjalëve të tija as që e kishin kuptue.
Ndër to vërtetë qe ndigjue disa herë fjala Kosovë, por për ta ajo ishte një emën i huej, i ftohtë, pa pikë interesi, madje me një urrejtje të kultivueme, holl e me zell për të. Pjesa tjetër e auditorit ose kishte mbetë në sallë – e tregoi zarfi se vendimi ishte i paracaktuem e nuk do të vonohej – ose doli nga ana tjetër e sallës, që të mos syzohej me të.
Procesin e Kafkës Ridvani e kishte lexue qysh kur ishte student. I kishte shfletue edhe shënimet kritike të Brodskit, por gjithmonë kishte pasë një farë rezerve e mendonte që, në thelb, libri ishte një hiperbolë, shum e dobishme për kuptime figurative, por jo copë e jetës së gjallë. Ajo thikë që i ngulej Josef K. te guri pranë guvës dhe që ia përdrodhën dy herë në zemër, të linte mbresën ma shumë të një teatri se sa jete. Vetëm tash po e kuptonte se krimet që zhvillohen nëpër këto mjedise, në kohën e tyre reale, ndoshta do të kenë qenë të këtilla në të gjitha kohët. I dolën para syve të mendjes edhe shokët e grupit që kishin kalue nëpër procese të këtilla në Pejë dhe iu kujtue thanja e gjykatësit të njohun boshnjak, Omeragiq, i cili, tue iu drejtue rinisë së pranishme në njenin prej proceseve të atjeshme, u pati deklarue hapun e me bindje të plotë: “Po të pyetesha unë, rrugën deri në kufi do ta bajsha bulevard të asfaltuem, por me kushtin që të mos u lejohej ma kthimi i tyre në Kosovë. Se dora jonë prej kohësh asht atje!” Kush e di, gjykoi Ridvani më vete, ndërsa po priste në korridor e po sillte nëpër kujtesë disa përkime të frikshme, do të vijë dita kur do të ulet me shokët e vetë për me këmbye disa detaje të hetuesive të tyre. Vetëm atëherë ndoshta do të mund të ndërtohej me saktësi e pa të meta të mëdha rebusi i dështimit të tyre rinor me të cilin patën synue ta shtrinin për tokë bishën serbe.
Vendimi i trupit gjykues për Ridvanin: dhjetë vjet burg
Mbasi u kthye në sallë, trupi gjykues dhe të pranishmit qenë ngritë në këmbë, kryetarja e seancës gjyqësore, Flutura Tirana, lexoi vendimin me të cilin Ridvan Myftari dënohej me 10 vjet privim lirie dhe konfiskim. Vendimin e lexoi me shpejtësi, sikur po e ndiqte kush, dhe fill u largu pa shikue anas.
Ridvani qeshi e tha: dhetë vite që do t’i shkelë si dhetë miza!
Publiku e nderoi me qëndrim në këmbë për një copë herë e në heshtje të plotë dhe ky ishte shpërblimi ma i madh që mori atë ditë prej atij mjedisi.
Poshtë po e priste makina me spond të hapun, po ajo me të cilën e kishin pru në gjykatë. E lyme me bojë jeshile të mbyllun e goma të stërpikuna me baltë. Dy policë të fuqishëm e kapën krahësh si një dordolec kashte dhe e ngjitën në stolin mbrapa kabinës së shoferit. Një pjesë e mirë e auditorit kishin vendue të mos largohej pa u nisë makina. Dhe në një moment, kur vëmendja i qe përhumb diku larg, prej turmës çau shtegun e vet ajo – Rozi, hapi çantën e dorës dhe prej andej nxori katër paketa cigare dhe ia hodhi te këmbët e i qëndroi përballë në një qëndrim trupdrejtë, me gjoks të nxjerrun përpara e sfiduese. Por askush nuk ndërhyni, as e qortoi. I qeshën njeni-tjetrit e ajo sikur deshi me thanë diçka, por sakaq mbi ta u nde uturima e motorit dhe tymi i skapamentos. Njerëzit u skajuen. Makina mori rrugën e burgut.
E përplasën në kaush, ku gjeti tre të dënuem të tjerë ordinerë. Secili me historitë e tyre banale, por tashmë të mbyllura, ashtu si edhe ajo e tija.
Mbas nja një ore, u hap dera dhe u dha kryehetues Gjoleka me ironinë e tij të lindun, por kësaj radhe i zhveshun nga brerorja e kërcënuesit dhe i zhvleftësuem me atë ndërhyrjen e paprecedent në sallën e gjykimit.
– Kundër vendimit mund të bësh ankim në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve nga shpallja e vendimit – i tha me një shikim që ia shëmtonte edhe ma fytyrën e buhavitur.
Ridvani qeshi.
– Nuk do të ankohem.
– Atëherë firmos se refuzon të ankohesh.
Ridvani e vu firmën dhe u gëzue që s’iu dridhë dora, ndonëse përbrenda po i çoheshin dallgët e neverisë.
– E dija – tha kryehetuesi dhe, tue u largue, shtoi me nepsin e kopukut – sepse je i ndërgjegjshëm për fajësinë tënde!
Mbasi mbetën të lirë, Ridvani mori dhe hapi njenën paqetë të cigareve – dhuratën ma të shtrenjtë në jetën e tij. Kur e hapi, pa se mbi vernikun e cigareve qenë incizue emni i tij dhe i Rozinës! Një lëmsh i’u lidh në grykë dhe i lëshoi të dy duart e këputun mbi gjunjë. Jo, Shqipnia s’ka dekë! – thirri me mendje deri në kupë të qiellit. Ndoshta as ajo vetë nuk do ta ketë kuptue kurr se ç’domethanje kishte pasë ai gjest i saj për simbolikën e edukatës së tij në atë çast zemërleshimi!
Në kaush në pritje të auto burgut?
Ridvanit i takoi me ndejë në kaush edhe një javë të plotë, në pritje të auto burgut. Gjatë atyre ditëve të gjata ndigjoi një vister ndodhish nga jeta e nëntokës shqiptare: mënyra veprimi bracësh, bashkëpunime të holla hajdutësh me policë, ndamjen e Shqipnisë në zona operative si mbas psikologjisë e mentalitetit të banorëve vendas dhe, në raste të rralla, edhe histori ndërmjetësini e intrigimi për botën femërore. E gjatë tanë kësaj kohe, askush prej tyre nuk tregoi as kureshtjen ma të vogël për me ditë se ç’e kishte shtye Ridvanin të merrej me punë aq qesharake si ajo e një farë krahine shqiptare të mbetun nën pushtimin serb, apo të një fare lirie abstrakte që po iu dashka mendjes e shpirtit shqiptar.
Ma në fund erdhi edhe makina bojë jeshile, ajo e ditës së gjykimit dhe e mori për ta çue në destinacion. Kur po kalonte Luginës së Mirditës, me male shkamborë anash, ai po ndjente një dhimbje të fortë e sikur po i lëkundeshin themelet e përkapjeve të veta: këto fytyra të thame si krande, kjo natyrë e zhveshur e këto linja dogmash të ngurtësueme, dukej sikur diktonin gjithçka. Ndoshta edhe të Keqen politike. E vetja po i dukej si një fantazmë, pa flamur e muskuj.
Dhe, mbasi bëni kushedi për të satën herë skanimin jetës së vet, Ridvani doli me përfundimin se arrestimi dhe dënimi i tij nuk ishte aq absurd sa të shënjohej me shprehjen popullore “ra brenda, për një fjalë goje!”. Në kushtet e diktaturës u pa se ai kishte qenë vërtetë mish i huej ndaj, si i tillë, duhej ngujue. E, nëse do të shuhej atje, në kamp, fajin do ta kishin edhe indet e tija me të cilat ishte ndërtue në Kosovën e tij reaksionare, sepse Shqipëria progresiste duhej të mbetej doemos e lame, e qashtër – llagar Vjose! Prandaj nuk i takonte me u habitë fort pse Kosova shihej here si viktimë fisi, herë si Kalë Troje që duhej goditë pa mëshirë; pse refugjati politik kosovar herë reklamohej si hero, herë si tradhtar.
Ishte një matematikë fantastike, me të cilën mahnitej shumëkush.
Drejt kampit të Spaçit për të vuajtur dënimin?
Ridvanin po e çonin drejt kampit të Spaçit, dhe ai po ushqente shpresën e ndrojtur se atje do të gjente atdheun e librave të ndaluem, të ëndrrave të tradhtueme, të shpresave vezulluese e të vegimit intelektual, që duhej të rrinin sipri n’ajrí të papërlyer e si premtime hyjnore.
Apo edhe ajo hapësirë do të kthehej në një zhgënjim të ri?! E po të ndodhte kjo, a do të kishte ma stinë për ta vazhdue shtegtimin e vet iluzion mbas iluzioni? Iu kujtue aventura që i pati ndodh Kërlezhës në rini: i frymëzuem prej Shtrosmajerit me shokë mbi unitetin e sllavëve të Jugut, ai qe nisë me guxim drejt Piemontit të tij – Serbisë, por me të dalë prej ujnave të Danubit qe kapë prej rojeve bregdetare serbe, të cilët, për të shlye ndonjë njollë të shpirtit të tyre të prishun, e patën mbyllë në birucë me akuzën si spiun i Austrisë.
Se atëherë Ridvanit nuk do t’i mbetej tjetër veçse me kërkue shpërngulje përfundimtare në gjithësi e të përjetësohej si një grimcë që do t’i bashkohej me dëshirë çfarëdo planeti qoftë. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016