Memorie.al/publikon historinë e panjohur të protestave masive të popullit rumun në fundin e dhjetorit të vitit 1989, të cilat çuan në rrëzimin e udhëheqësit komunist, Nikolae Çaushesku, i cili e kishte qeverisur atë vend, që nga viti 1965, pas vdekjes së George Dezhit. Dëshmitë e rralla të gazetarit e moderatorit të njohur, Rezar Xhaxhiu, i cili nga viti 1987 e deri në marsin e 1991-it, shërbeu si atashe i Shtypit dhe Kulturës pranë asaj ambasade, që rrëfen ekskluzivisht për Memorie.al, duke bërë publike për herë të parë, se si i përjetoi stafi i asaj ambasade me në krye ambasadorin Pirro Vito, ngjarjet e bujshme të protestave masive të popullit rumun, ku për disa ditë me radhë, personeli i asaj selie diplomatike, u detyrua të armatosej dhe zuri pozicione në pjesë të ndryshme të asaj godine? Çfarë porosish merrnin ata nga Tirana zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe si e kaluan momentin më të vështirë, kur ambasada shqiptare u rrethua nga tanket e Ushtrisë së komanduar nga gjeneralit Vasile Milea që ishin bashkuar me protestuesit, pas hapjes së lajmit se, diktatori rumun, Çaushesku, me gruan e tij, Helena, ishin strehuar në bodrumet e tunelet e asaj ambasade?!
Vijon nga numri kaluar
Zoti Xhaxhiu, cilat ishin tiparet dhe karakteristikat e shoqërisë rumune, që binin më shumë në sy, në periudhën e fundviteve 80-të kur ju shërbenit pranë ambasadës shqiptare në Bukuresht?
Ajo, ishte një shoqëri e hapur por e opresuar, rumunët, ishin një popull që kryenin lirshëm ritet fetare, por që u ndalohej të takoheshin me të huaj, qofshin këtë edhe turistë. Një rumun i thjeshtë, kishte një makinë private, por që ishte i survejuar non-stop, dhe që nuk duhej të shprehte asnjë mendim të tijin, të lirë dhe të pavarur.
A diskutonit ju me kolegët e ambasadës për gjendjen e keqe që ishte atje?
Ne ishim diplomatë dhe nuk e vuanin skamjen e rumunit të thjeshtë, por kjo nuk do të na pengonte ta preknim atë nga afër. Fqinjët tanë ishin nga shtresa të ndryshme, mjekë, ushtarakë, arsimtarë, punëtor, etj. Ndaj dhe ne e dinim dhe e preknim nga afër, se si ishte jeta e tyre. Por vetëm kaq. Asnjë impakt tjetër i kësaj gjendjeje të keqe ekonomike dhe sociale, nuk na ndikonte në punën tonë të përditshme, si dhe në kushtet e jetesës sonë atje.
Si ishte përditshmëria dhe rutina e punës për një diplomat si ju, në një nga vendet kryesore komuniste të Ballkanit dhe Evropës?
Një punë rutine tipike, zyrë. Si në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me të njëjtat orare dhe padyshim e njëjta disiplinë. Kishim të bënim me hartime shkresash, notash verbale, përgjigje notash, me organizime aktivitetesh dhe festash zyrtare. Gjithashtu, organizonim takime me kolegët diplomatë, zhvillonim bankete me kokteje e pritje të ndryshme. Kjo ishte dita tipike e një diplomati, i cili në përfundim të saj, duhej që në një rast të bënte një raport për Tiranën, në lidhje me zhvillimet në vend, e në ndonjë një rast tjetër, të dërgonte një tjetër telegram, po në Ministrinë e Punëve të Jashtme për një takim, një mesazh, apo një bisedë me interes që kishte bërë me një koleg perëndimor, lindor, apo me dikë nga zyrtarët e Rumanisë. Dhe ky telegram përpilohej në ‘Dhomën e Zezë’.
Mund të na e shpjegoni, më konkretisht se çfarë ishte kjo Dhomë e Zezë?
Dhoma e Zezë, ishte një ambient me përmasa, dy metra e gjerë dhe tre, e gjatë. Kjo dhomë, ishte tërësisht e veshur me copë beze të trashë, dhe të zezë. Kjo beze, shërbente për të shmangur përgjimet e mundshme, dhe ‘çimkat’ (aparaturat përgjuese) që mendohej se i kishin instaluar Shërbimi Sekret rumun (Securitate), në muret e dhomës. Ajo dhomë, ishte si një birucë por pa dritare, diçka si një varr i zi.
Dhe si mund të punonit ju në një ambient me kushte të tilla?
Sigurisht që në këto kushte, ishim të detyruar që të punonim. Telegramet dhe memot, shkruheshin mbi një tavolinë të rrethuar nga ajo mbulesë e zezë. Dhe këtë strehë që ndriçohej nga një prozhektor i vogël, e izolonte atë sipërfaqe të mbuluar, edhe nga vete dhoma ku punonim…!
Siç dihet, Rumania komuniste ka pasur një nga shërbimet sekrete më famëkeqe të Europës, të quajtur Securitate. Gjatë kohës që ju ishit atje, a ndjenit se ishit nën vëzhgim nga pjesëtarët e saj?
Nën vëzhgim po, por jo në mënyrë të dukshme. Gjithçka bëhej në distancë, dhe nuk është se shikonim të na vihej pas ndonjë makinë, apo të ndiqeshin, nga persona të caktuar. Të paktën disa prej punonjësve të ambasadës, ishin pa rrezik, si puna ime apo e Marko Bellos. Pra, që vinim nga radhët Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe jo nga sektori i Drejtorisë së Zbulimit Politik (që ishte një nga tre drejtoritë e Sigurimit të Shtetit).
Ekzistonin rregulla strikte protokollare, që ju si punonjës të ambasadës, duhet t’i ndiqnit me patjetër?
Ekzistonin, sa të duash rregulla të tilla. Ato ishin rregulla të mira, por nganjëherë mund të të dukeshin edhe absurditete pa fund!
Mund të përmendni, disa nga këto rregulla?
P.sh., ne duhej që të njoftonim në ambasadë, për çdo lëvizje tonën në Bukuresht, apo dhe jashtë tij. Gjithashtu, duhej që të njoftonim dhe për çdo ftesë që na vinte nga kolegët tanë për bankete të ndryshme, dreka dhe darka. Qofshin ato të organizuara nëpër shtëpitë e tyre, apo dhe në ambientet pritëse të ambasadave respektive. Duhej me patjetër që bashkëshortet tona, të dilnin të shoqëruara nga koleget e tyre shqiptare, në të gjitha lëvizjet që bënin. Duhej që të kishe një veshje dinjitoze, edhe jashtë orarit të punës. Kështu, p.sh., tek ne ishte e ndaluar që të mbaje pantallona xhins, se ato konsideroheshin si diçka e modës…! (qesh).
Gjatë kohës që shërbyet atje, keni pasur takime me zyrtarë të lartë rumunë?
Sigurisht që po. Puna jonë, na e donte, që të gjithë ne, të kishim kontakte me funksionarë të lartë të qeverisë rumune. Ministra, ose zv/Ministra të ndryshëm, drejtorë drejtorish, etj., etj., që kishin lidhje me Shqipërinë, ose me problemet e saj.
Ç’mendim kishin ata për Shqipërinë, transmetonin ata tek ju, bisedat për klimën e tensionuar që po kalonte Rumania komuniste?
Zyrtarët dhe diplomatët e ndryshëm rumunë, por jo vetëm, e konceptonin Shqipërinë, si një vend tejet interesant, përsa i përket qëndrimeve të tij zyrtare, jo vetëm ndaj Bashkimit Sovjetik, por edhe ndaj SHBA-së. Ata e admironin vendin tonë, si një vend që kishte një traditë të hershme miqësie me Rumaninë falë dhe një kolonie shqiptarësh që jetonin dhe punonin prej shumë vitesh atje. Shqipëria, konsiderohej si një shtet me të cilin, ata ndanin qëndrime të përbashkëta, por edhe si një vend që vazhdimisht ka prodhuar njerëz luftëtarë dhe të besës. Por për gjendjen e keqe, që po kalonte vendi i tyre, ata pothuajse nuk flisnin fare.
Konkretisht çfarë ju bënte më tepër përshtypje atyre nga vendi ynë?
Tek ta binte më shumë në sy fakti që ata e quanin Shqipërinë, si një vend që prodhonte konjakun më të mirë në planet. Atë konjak “Skënderbeu” me të cilin, ti mund te zgjidhje të gjitha problemet e tua personale, por edhe të të hapeshin të gjitha dyert në çdo nivel të administratës rumune. Konjaku ishte mjeti me të cilin, ne çanim ‘bllokadën’ në Bukuresht…! (qesh).
Mund të tregoni disa episode pikante nga takimet që ju keni pasur me zyrtarët dhe diplomatët rumunë dhe të huaj?
Një nga rregullat më strikte që ne duhej të ndiqnim gjatë misionit tonë atje, ishte moskomunikimi dhe mosdhënia, madje as edhe e dorës, diplomatëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Sovjetik, dhe Izraelit. Gjatë pritjeve dhe koktejleve të ndryshme, që ishin të shumta në atë kohë, kjo na vinte neve si diplomatë, në situata tepër të vështira, madje shpesh edhe qesharake.
Jeni ndeshur ndonjëherë me këto situate të pakëndshme?
Patjetër, disa herë madje. Më kujtohet një herë gjatë një pritjeje, unë ndodhesha në mesin e një grupi diplomatësh nga vendet lindore dhe perëndimore, ku papritmas, me afrohet një koleg i ambasadës sovjetike. Ai, mbasi u jep dorën të gjithëve që ishin në atë rreth të ngushtë, ma drejton dorën edhe mua. Kjo gjë, më detyroi që të largohesha, gjasme me stil, por që la një shije të hidhur, dhe të çuditshme tek të pranishmit në atë rreth diplomatësh.
Në këto raste, çfarë ju thoshin diplomatët e tjerë, kur ju shihnin që bënit këtë veprim?
Në këtë grup, ishte edhe një diplomat i ambasadës së Koresë së Veriut, i cili, pak më pas m’u drejtua mua, duke më kërkuar domethënien e këtij akti të çuditshëm, sipas tij. U mundova t’i shpjegoja rregullin e hekurt të qendrës sonë, (Ministrisë së Jashtme në Tiranë) karshi zyrtarëve të këtyre tre vendeve. Ai, qeshi me atë buzëqeshjen tipike aziatike dhe me tha tekstualisht: “Kemi edhe ne një rregull të tillë ndaj kolegëve të Koresë së Jugut, por jemi pak më të moderuar nga ju, në sjelljet tona”. Unë, i çuditur, e pyeta për këtë stil moderimi aziatik dhe ai, m’u përgjigj, duke thënë: “Po ja, kur jemi përballë tyre, ne nuk japim dorën, por të paktën themi disa fjalë të përgjithshme, që kanë lidhje me motin, kohën me shi, apo me ngricën, shtimin e harabelave në Bukuresht, etj., etj”. Qesha dhe unë me të madhe, duke i thënë që: ‘ky është stili tipik aziatik i diplomacisë suaj, që ndryshon kryekëput nga ai ballkanik’! E çfarë mund t’i thoja më shumë diplomatit koreano-verior, veçse duke ja kaluar si me shaka. Por pas vitit 1990, fatmirësisht, pata rastin që t’ua shpjegoja në një mënyrë, ose në një tjetër, diplomatëve të këtyre tre vendeve, këtë rregull absurd të diplomacisë shqiptare.
Çfarë ndodhi në këtë pritje, që patët ju me diplomatët e SHBA-së, Rusisë, dhe Izraelit?
Po, patjetër. Në mos gaboj, në muajt e parë të vitit 1991, kur regjimi komunist në Shqipëri, sapo kishte rënë, vendi ynë kishte rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Uashingtonin, Moskën, dhe Jeruzalemin, zyrtar. Në një pritje të zakonshme të organizuar nga ambasada jonë, me rastin e rivendosjes së këtyre marrëdhënieve diplomatike, mua më vjen papritur, një nga diplomatët e ambasadës amerikane në Bukuresht, dhe më drejtohet në këtë mënyrë: “Hej Mrs. Xhaxhiu, miku im shqiptar, a mund të t’a shtrëngoj dorën fort, pasi midis dy vendeve tona, u rivendosën marrëdhëniet diplomatike, dhe ju shqiptarët, nuk do të na etiketoni më, neve amerikanëve, si “Xhandarët e imperializmit ndërkombëtar”?! Ne të dy qeshëm me të madhe, pasi unë u befasova nga ky togfjalësh i amerikanit, i cili, më ngjau me zhargonin e revistës “Hosteni”. Dhe u takuam përzemërsisht me të, për të diskutuar më pas për gjëra të ndryshme. Po kështu, fatmirësisht pata fatin që pas diplomatit amerikan, t’u kërkoja ndjesë për “rregullin e çmendur” të mosdhënies së dorës, edhe diplomatëve rusë dhe izraelitë.
Nga kolegët tuajt të ambasadës, a ndjenit që mund të ishit i survejuar, në ndonjë moment?
Realisht, në të gjitha pritjet dhe koktejet, por edhe në aktivitete të ndryshme, duhej të bëje shumë kujdes se një sy të vëzhgonte, dhe në çdo moment, ishte i gatshme që të të raportonte çdo deviacion tëndin, ndaj këtyre rregullave absurd që ishin vënë në Tiranë. Ishte një lojë e rrezikshme, sepse nuk e dije se nga do të vinte e papritura.
Keni pasur episode konkrete kur ju dhe familja juaj jeni ndjerë të rrezikuar në ndonjë çast, nga këto rregulla strikte?
Një nga idiotësitë të paktën, kështu e konceptoja unë me vete në atë kohë, ishte edhe ndalimi rreptësisht i daljes vetëm të bashkëshorteve apo dhe familjarëve të diplomatëve. Ende sot nuk arrij të kuptoj arsyen e vërtetë të këtij absurditeti! E papritura e parë, më ndodhi pak pasi kisha mbërritur në Bukuresht. Ime shoqe në atë periudhë, ishte një vajze e re diku tek mosha 19-20 vjeç, si dhe pak rebele nga natyra, çka do të thoshte, se nuk pajtohej kollaj me këto idiotësi, siç ajo i cilësonte. Dhe pak kohë pasi mbërritëm në kryeqytetin rumun, ajo lëvizte e qete nëpër bulevardet dhe magazinat e Bukureshtit. Kjo ndodhi disa muaj me radhë, deri kur një ditë, u pikas rrugëve nga gratë e ambasadës, të cilat po shkonin me makinë për të bërë blerje bashkërisht. Kaq mjaftoi, që një telegram, të nisej drejt Reiz Maliles, që në atë kohe ishte Ministër i Jashtëm. Në atë telegram, kërkohej marrja e masës ndaj diplomatit, gruaja e të cilit, kishte bërë herezinë e të dalurit vetëm nëpër rrugët e Bukureshtit.
Si u mbyll ai problem?!
Më vonë, mësova që im atë, e kishte mik në atë periudhë Reiz Malilen. Ai, kishte ndërhyrë, që kjo çështje të zgjidhej me një vërejtje, të “rinjve axhami”, çka duket se u pranua me njërzillëk, nga ana e ministrit Malile. Por kjo mase nuk është se e korrigjoi bashkëshorten time, e cila gjeti shtigje të reja drejt lirisë së saj, dhe të lëvizurit nëpër Bukuresht, (qesh).
Gjatë periudhës që keni punuar atje, a kishit kontakt me rumunët e thjeshtë. Dhe nëse po, çfarë bisedonit me ta në lidhje me gjendjen e keqe që po kalonte Rumania?
Duke qenë se ne banonim në pallate dhe shkallë të përbashkëta me rumunët, kontaktet me ta, i kishim të shpeshta, por të kujdesshme. Kështu, ime shoqe, kishte një mikeshë të sajën në shkallën ngjitur, ku shkonte shpesh fshehurazi komshinjve të tjerë shqiptarë të ambasadës. Ajo me këtë rumune të mirë, u miqësua dhe mban ende marrëdhënie të herëpashershme.
Nga aq kontakte sa patët, si ishin rumunët e thjeshtë?
Rumunët e thjeshtë, ishin njerëz tepër të dashur, të vuajtur, por shumë dinjitozë dhe me shumë kulturë. Ata shpesh qaheshin, për kushtet e tyre, por me shume kujdes. Ata, ankoheshin shumë ndaj regjimit komunist, gjendjes ekonomike, si dhe represionit të policë sekrete, ‘Securitat’-es. Por edhe këtë gjë, e bënin me një maturi dhe me një dinjitet, që ishte për t’ua patur zili. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016