Nga Gjet Kadeli
Pjesa e tetëmbëdhjetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.
Dokumenti i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Pëllumb Kapo, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Ardiani”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit
Marrë nga P.Op. Pëllumb Kapo
Dhënë: “B,p. “Ardiani”
R A P O R T
Ai më datën 20/6/1973, në bisedë me Nik Dedën, e ka pyetur Nikën se si doli në hetuesi sot? Nika tha se; po vazhdoj të bëj ballafaqimin e thënieve të mija, me atë çka mund të kenë thënë dëshmitarët. Në këto muhabete ai e pyeti Gjetën në lidhje me Adem Mujën, se kur është njohur ai me Xhinën. Nika, tha Ademi, është njohur me Xhinën aty në fillimet e ardhjes së saj.
Ai e pyeti Nikën; po ti kur e more parullën nga Xhina? Nika tha; për këtë unë nuk di gjë. Ai i tha Nikës; po Ademi a din gjë për parullën që të ka dhënë Xhina? Nika tha se; nuk di gjë nëse Ademi e di apo jo parullën time që më morri Xhina.
Pastaj ra biseda se si është njohur Nika me Xhinën. Për këtë, Nika tha se; unë kam pas njohur burrin e Xhinës, të quajturin Fran Sokolin, i cili e kishte shtëpinë afër kafes sime dhe shkonte shpesh të shtëpia e kunatës, Frani. Dhe mbasi erdhi Xhina nga Belgjika, ajo së bashku me të shoqin, shkonin shpesh te kunata ime. Në një rast, edhe unë u ndodha te kunata kur edhi Xhina dhe aty u njohëm dhe mbas kësaj njohje, mbas gjashtë muajsh që Xhina kishte ardhur, ajo më dha parullën.
Lidhur me ato çka Nika kishte shkruar për të deponuar, pyeti se si e ka përpiluar? Ai i tha Nikës se; mirë e ke përpiluar, por duhet t’i shkruash më me hollësi. Nika tha; po ashtu më thanë dhe këta në hetuesi, por ato që them, janë të vërteta. Ai e pyeti Nikën se; si shkonte në Tiranë, Xhina? Nika tha; po, shkonte shpesh herë, kur ai e pyeti se me kë shkonte? Ai i tha se, disa herë ka shkuar me kumbarën time, që e quajnë Luçe dhe disa herë me një grua që, e ka kushërirë burri i Xhinës, që e quajnë Katerina dhe nja dy here, ka shkuar me mua në Tiranë.
Se ku ka vajtur, Nika nuk i tha atij, por se rrinte nga 2-3 ditë. Pastaj ra biseda në lidhje me Adem Mujën, kur ai e pyeti Nikën, nëse dinte gjë njeri për tjetrën, çështjen e grupit? Nika tha; unë Skënder Berisha, Gjet Kadeli, Adem Muja dhe Xhina Sokoli, e dimë për njëri tjetrin dhe detyra e secilit.
P.sh., unë Nika, Skënder Berisha, Gjet Kadeli, e kemi biseduar të tre bashkë. Po ashtu, unë Ademi dhe Gjeta, të tre e kemi biseduar. Po ashtu në shtëpinë e Xhinës, kemi biseduar unë Ademi, Xhina dhe Gjet Kadeli. Nika tha se; secili prej nesh, kishte detyrat e tij. Detyrat në përgjithësi, ishin për të bërë agjitacion e propagandë. P.sh,. Skënderi kishte për detyrë që të bënte të pakënaqur rininë dhe fshatarët, ndërsa unë, të bëja të pakënaqur, në Mamurras.
Pastaj, ai pyeti Nikën në lidhje me vëllezërit e Ademit, nëse dinin gjë që, Ademi punonte për U.D.B.-në? Nika tha, unë nuk di gjë për këtë. Për sa i përket njohjes nga Nika, për Adem Mujën, si njeri i U.D.B.-së se Nika tha se; këtë gjë unë e mësova mbas ardhjes së Xhinës dhe prezantimin që më bëri ajo në shtëpinë e vet, me Ademin.
“Ardiani”
Detyra:
- Të kesh parasysh se mos avancosh shumë me anë të pyetjeve, mbasi ka rrezik të të kuptoj.
- Në bisedë me Nikën, sqaro prej tij, për ato që deponon Nika, a qëndrojnë ashtu siç deponon ai, apo jo, nëse po, si ia argumenton hetuesit? Gjithashtu, nxite që në deponimet e tij, të japi më me detaje.
- Në qoftë se të merr mendimin ty, se si ka deponuar, në lidhje me këtë apo atë problem, se si t’ja bëj unë në të ardhmen? T’i thuash se, për mendimin tim, kjo varet sipas interesit tonë dhe predispozicjonit tënd. Në rast se ti, je i bindur se këtyre ua hedh me deponimet tuaja, hidhu dhe vazhdo ashtu, por në të kundërtën, të kesh kujdes se po merr veten më qafë.
- Të mësosh më mirë dhe më plot prej Nikës, nëse anëtarët e grupit, shërbenin për U.D.B.-në dhe a e dinin për njëri tjetrin, si anëtar grupi, detyrat e secilit, etj.
MASAT OPERATIVE
- Bisedat e Nikë me B.p., të fiksohen edhe me T.O.
- T’i kërkohet Degës së IV-të të Drejtorisë së III-të, fashikulli i Gjon Karamanit, i cili do të vinte si tregtar i Kos-Metit në Republikën Popullore të Shqipërisë dhe ky do të merrte informacionin e përpiluar nga grupi dhe të studiohet aty.
- Të shkohet në Tiranë, ku ndodhet Gjet Kadeli i izoluar dhe të merret në hetuesi, për t’u pyetur rreth deponimeve të Nikës.
- Të verifikohet se kush është Katerina që, banon në Mamurras, me të cilën Angjelina ka shkuar në Tiranë.
- Raporti të shtypet në 6 kopje, një për Ademin, një për Skënder Berishën, një për Nik Dedën, një për Gjet Kadelin, një për Kin Bashën dhe një hetuesisë.
Sqarim i Raportit:
- Nik Deda, është arrestuar për agjitacion dhe propagandë dhe është kthyer nga U.D.B.-ja. Në dhomat e paraburgimit, të përpunohet nga ky B.p.
- Adem Muja, është arrestuar kohët e fundit, për kontrabandë, për të cilën e pranon dhe vetë Ademi, ndërsa për këto që deponon Nika, Ademi nuk deponon gjë.
- Gjet Kadeli, është dënuar për agjitacion dhe propagandë dhe në fund të muajit, mori pjesë në rebelimin e të burgosurve të Spaçit dhe për të cilën dhe do të dënohet. Kur është dënuar në vitin 1972 dhe tani në hetuesi, nuk është thyer dhe nuk ka folur asgjë për atë çka e implikon Nik Deda.
- Skënder Berisha, është arsimtar, është me origjinë kosovar, për këto që e implikon Nik Deda, si anëtar i rezidenturës së tij, është marrë në P.P.
Punëtori Operativ
Pëllumb Kapo
Dokumenti i përpiluar nga Dega e Brendshme e rrethit të Krujës, me vendimin për arshivimin e dosjes së Gjet Kadelit, pasi ai ndodhej në burgun e Spaçit, i ri dënuar pas revoltës në atë kamp, më 22 maj 1973
APROVOHET SEKRET
KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME Krujë, më 14.8.1973
(Hamid Myrdari)
VENDIM
MBI ARSHIVIMIN E DOSJES NË PËRPUNIM 2/A TË GJET PJETËR KADELIT
Qyteti Krujë, më 8.8.1973, unë Punëtori Operativ i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit, Krujë, Thanas Toto, nga studimi që bëra dosjes formulare në kategorinë 2/A, në ngarkim të Gjet Kadelit.
GJ E T A:
Se Gjet Kadeli, i biri i Pjetrit dhe i Dilës, i dt.lindjes 1942, lindur në Orosh të rrethit të Mirditës dhe sot me banim në Mamurras të këtij rrethi, me profesion punëtor, i martuar me 6 fëmijë, i dënuar në vitin 1958, për armëmbajtje pa leje me dy vjet privim lirie, shtresë e mesme, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me arsim shtatëvjeçar.
Qëndrimi politik i familjes së tij para çlirimit, nuk ka qenë i mirë, sepse, si babën dhe axhën e tij, i ka pas pro atyre regjimeve dhe po kështu, edhe mbas çlirimit, baba i Gjetës nuk ka mbajtur qëndrim të mirë, ka agjituar dhe ka propaganduar, kundra pushtetit, ka strehuar dhe furnizuar të arratisurit e ardhur nga Jugosllavia, për këtë, në vitin 1949, baba i Gjetës arrestohet, por duke gjetur rastin, nga burgu i Degës së P. të Brendshme Mirditë, arratiset dhe sapo del nga burgu, shkon në shtëpi, merr djalin e vet, Gjon Kadelin dhe arratiset jashtë shtetit, ku vazhdon të jetë dhe sot.
Mbas arratisjes, Gjeta me nanën e tij, internohen në fillim në Tepelenë dhe më vonë në Lushnje, ku qëndruan deri në vitin 1955, kohë në të cilën lirohet. Në këtë kohë, Gjet Kadeli, duke i qëndruar besnik babës së vet, i cili tradhtoj atdheun, hidhet në aktivitet armiqësor kundra partisë dhe pushtetit popullor, kështu në vitin 1959, merret në kontroll operativ 2/B, po në këtë vit, Gjeta kapet dhe dënohem me tre vjet heqje lirie, për armëmbajtje pa leje, por edhe pas daljes nga burgu, Gjeta e vazhdon aktivitetin e tij armiqësor, duke agjituar e propaganduar kundra pushtetit, merr takim me shoferë jugosllavë dhe shfaq tendencë arratisje jashtë shtetit.
Në vitin 1967, merret në përpunim aktiv 2/A dhe vazhdon ky përpunim deri në vitin 1970, kohë në të cilën ulet në 2/B, sepse e ndërpreu për një periudhë kohe aktivitetin, në vitin 1972, Gjet Kadeli, merret përsëri në përpunim 2/A, për arsye se para B.p. “Çezma e Trojës”, ky shpreh për tendenca terrori ndaj udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit, e dhënë kjo që u vërtetua me T.O. dhe rezultoi ashtu siç raportonte B.p.
Mbi bazën e kësaj të dhëne dhe të dhënave të tjera me forcë ligjore, Gjeta u propozua për arrestim dhe më datën 1.9.1972, arrestohet. Gjatë zhvillimit të hetuesisë, Gjeta nuk pranoi se ka zhvilluar aktivitet armiqësor, por kjo ju provua me dëshmitarët dhe si e tillë u dënua me dhjetë vjet burg. I udhëhequr sipas instruksioneve të evidencës operative, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nr….Dt…
V E N D O S A
Që dosja formulare 2/A në ngarkim të Gjet Kadelit, që ndiqej si i dyshimtë si agjent jugosllav, ta arshivoj në kartotekë për 5 vjet kohë, për arsye se Gjeta është i ri më moshë dhe mund të hidhet përsëri në aktivitet. Memorie.al
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016