Nga Ndue Dedaj
Memorie.al / Legjendë…?! Jo nuk është aspak e tillë, por një histori e pazakontë e viteve ’50-të, të shekullit të kaluar. Një histori politike, ku personazhi i saj nuk është një politikan, por një misionar fetar. Ai vetë nuk do ta dëshironte assesi një histori përtej misionit, por kjo është natyra e regjimeve totalitare, që çdo individ e çdo fushë jetësore apo dhe hyjnore, ta shohë politikisht. Dhjetëvjeçari i parë pas Luftës së Dytë Botërore, duhet të ketë qenë ndër më të vështirët e shqiptarëve. Lufta që kishte shporrur pushtuesit, kishte vendosur njëherësh regjimin komunist ateist, për të cilin nuk kishte asgjë të pranueshme nga kleri dhe feja.
Kështu dhe Dom Zef Oroshin (1912-1979), oroshas i lindur në fshatin e vogël Kaftallë (Mirditë), diplomuar në Romë në vitin 1940, për teologji e filozofi dhe shuguruar meshtar për Abacinë e Mirditës, nuk mund ta priste një fat më i mirë se paraardhësit e tij, që; ose ishin ekzekutuar si “armiq të Partisë”, ose ishin rrasur në burg dhe ata që kishin mbetur, i priste ndëshkimi i radhës. Ishte thjesht çështje kohe, se kur do të binte dhe mbi të “Shpata e Demokleut”.
Dhe dita vjen për meshtarin e bajrakut të Dibrrit, një ditë e trishtë dimrake, me një ndodhi të pabesueshme. Ishte janari i vitit 1952. (Nëpër artikuj, haset dhe 1951). Sigurimi i Shtetit ia kishte vënë syrin dhe Dom Zef Çokut (Oroshit) famullitar i Ungrejt, lokaliteti i Kashnjetit; pasardhës i Dom Ndue Cubit, Dom Prend Ungrejt, Dom Ndre Simonit, Dom Prend Brungës, Dom Pjetër Melgushit, Dom Nikollë Laskës, Dom Prend Qafalisë, Dom Nikollë Lulit, etj. Në vitet ’20-të, të shekullit XX-të, Ungrej kishte qenë për disa kohë qendër e Nënprefekturës së Mirditës. Bënte ftohtë dhe pylli i gështenjave sipër kishës, mërdhinte bashkë me njerëzit.
Meshtari po çonte meshën e së dielës në kishën “Shën Maria Magdalenë”, ku kishte dhe pagëzime fëmijësh. Një heshtje mortore ishte nderur si re e përmihtë mbi Malin e Velës, deri poshtë në Fushën e Mirë, Qafën e Pazarit dhe kodrën e Butmit, ku qëndronin stoike kisha dhe qela. Mali i Kreshtës, e ndante si një perde e gurtë atë malësi mirditore, me fushën e Zadrimës dhe Lezhën. Sigurimi ishte syri dhe veshi i regjimit dhe ai kishte informatorët e vet të zellshëm, që nuk përtonin të raportonin çdo gjë, që lidhej me lëvizjet e të arratisurve, “bandat e reaksionit”, siç quheshin në zhargonin zyrtar.
Por kishte besnikët e vet dhe prifti, që nuk tuteshin të rrezikonin, duke e sfiduar shtetin represiv enveristo-koçixoxist. Njerëzit e donin fenë dhe meshtarin e tyre fisnik, që kishte fituar aty një nderim dhe autoritet të madh. Dhe ja që dikush prej tyre, arrin ta sinjalizojë priftin brenda në meshë, ku kishte dhe informatorë të Sigurimit, që prisnin mbarimin e meshës, për të parë gjunjëzimin e tij para altarit, kryqëzimin e Oroshit, si të Krishtit në kryq. Dukej sikur gjithçka po shkonte sipas skenarit. Me të dëgjuar fjalët e ndihmësit të famullitarit:
“Mesha mbaroi, shkoni në paqe”, njerëzit e Degës së Punëve të Brendshme të Lezhës, do të dilnin përpara publikut dhe do t’i hidhnin prangat; “armikut të popullit” Dom Zef Oroshit. “Na mirëkuptoni, o njerëz, nuk kemi asgjë me kishën, por ky prift, ka bashkëpunuar me reaksionarët e malit dhe armiqtë tanë përtej kufijve”.
Mbase nuk do të ndodhte kështu, por pak me ndryshe, për të mos “dhunuar” objektin e kultit në sy të popullit, forcat e Sigurimit, nuk do ta kryenin arrestimin në kishë, por do ta prangosnin priftin heretik, sapo ai të dilte nga kisha dhe të nisej për në qelë. Puna ishte që njerëzit ta shihnin “spektaklin” dhe ngjarja të përcillej gojë me gojë: “Ej, kanë arrestue Dom Zef Çokun! Po, po, si armik të pushtetit popullor…”!
Ishte llogaritur çdo gjë me imtësi. Në Tiranë pritej nga çasti në çast, telegrami me shifër, se; në Kashnjet (Ungrej), puna u krye. Njeriut me rasë të zezë, “iu pre kostumi”. Mundej që lajmin e priste vetë kryeministri. Vetëm vdekja e beftë, mund ta ndalte këtë zezonë shtetërore, mbi njeriun e besimit, në mes të popullit.
Mirëpo, siç u tha, dikush nga besnikët e tij, e bëri me dije priftin, se ai do të arrestohej me të mbaruar mesha! Prifti nuk e prishi gjakun. Vazhdoi me qetësi ritualin e meshës. Llogariti kohën, ishte thuajse e pamjaftueshme për të ikur. Aq më tepër, që nuk ishte në stilin e njeriut të fes, pushka dhe aventurizmi prej kaçaku.
Pastaj, si mund të ikte një prift nga mesha?! Oborri i kishës, ishte plot me njerëz. Sa brenda, sa jashtë kishës. Dhe ndër ta një duzinë me të policisë së fshehtë. Por besnikët e tij, kishin menduar dhe mënyrën e ikjes së priftit, duke sfiduar rëndshëm autoritetin e shtetit dhe zyrtarët e Punëve të Brendshme. Në popull gjithnjë, ishte gjeniu që dinte si të ngrinte ura, aty ku dukej e pamundur.
…Ja se si ishte zhvilluar ngjarja në “prapaskenë”, në ato pak minuta, me shpejtësi dhe fshehtësi.
E motra e priftit, Lukja, merr në trastë një palë rroba gruaje mirditore nga qela dhe i çon në dhomën e veshjes së priftit, që ishte një aneks i kishës, me dalje nga ana e pyllit. Ishin dhjetë minutat e fundit të meshës dhe Dom Zefi, del nga altari i shenjtë (mbase duke lënë ndonjë xhakon a murgeshë, për të kumtuar ndonjë lajmërim, lidhur me katekizmin a diçka tjetër jashtë meshës), futet në kthinën e tij dhe vishet shpejt e shpejt si grua dhe përnjëherësh, del nga dera e pasme dhe humbet në pyllin e gështenjave, duke kapërcyer një përroskë të vogël.
Askush nuk i kushtoi rëndësi një “gruaje”, që doli nga ajo derë, pasi prifti kishte aty nënën, motrën dhe mund të vizitohej nga familjarët e tij, në çdo kohë. Kujt mund t’i shkonte ndër mend, se ai njeri i Zotit, nën atë veshje të bukur pozante me xhup, nuk ishte një grua, por vetë Dom Zef Oroshi, që nuk do të kthehej kurrë më në atë vend. Përroi i Dibrrit, do të vazhdonte të shkonte për teposhtë në vetminë e tij, kurse prifti, do të ngjitej lart kreshtave të mpira nga dimri dhe “Lufta e Ftohtë”, mes kapitalizmit dhe kampit socialist.
Njerëzit prisnin që prifti të kthehej për t’iu shpërndarë besimtarëve kelkun e shenjtë e, për të përmbyllur meshën, por ai po vonohej si shumë…?! Kjo kishte qenë e gjitha. Kurrë nuk kishte ndodhur që prifti, ta linte meshën pa e mbyllur! Por kjo do të ishte një histori, nga ato që ndodhnin rrallë, mbuluar me një vel mitik.
Siç merret me mend, pati një shokim te njerëzit e Sigurimit dhe Forcat e Ndjekjes, apo dhe deri në hierarkinë e shtetit. Si ishte e mundur?! Ta kishte përpirë dheu priftin rebel! (Është shkruar gabimisht në ndonjë botim, se forcat policore në atë operacion, i drejtonte ushtaraku famëzi Hodo Habibi, që në popull njihej si “Toger Baba”, por ai ishte dënuar në vitin 1947, me vdekje në litar, për krimet sadiste që kishte kryer mbi popullin e Mirditës e të Zadrimës, në krye të një batalioni special ndëshkimor.)
Edhe pse ishte kuptuar se Dom Zefi ua kishte lënë pushkën për faqe, dikush nga njerëzit e Sigurimit, kishte vajtur drejt e tek e ëma plakë dhe i kishte provokuar, se ku mund ta gjente priftin, se i duhej për një punë feje? “Besa, nanë Dila, nuk di gjâ, ai ka qenë në kishë e mbas meshës, nuk ka ardhë në shpi”. Për zhdukjen e beftë të priftit, i cili nuk po gjendej askund, shpejt në popull, do të përhapej legjenda se; Dom Zefi kishte marrë tërthores për në Fregën e, më tej në Gjadër, ku ishte pista e avionëve ushtarakë dhe me aeroplanin e parë, kishte fluturuar për në Romë.
Kjo është një shtojcë, që e bën pak si legjendë urbane, vazhdimin e historisë, kur në të vërtetë prifti, pasi kishte ecur tërmales së Qafë Kishës, do të merrte në anën e Molungut, ku ishte bashkuar me kundërshtarët e regjimit, që endeshin maleve në arrati. Nuk kishte qenë dëshira dhe zgjedhja e tij kjo, ai kishte dashur të vazhdonte t’iu shërbente besimtarëve, por fatin ia kishin shkruar të tjerët, njerëzit me drapër e çekan dhe yllin e kuq në ballë dhe në jakat e xhaketave ushtarake të prerjes ruse.
Njerëzit e regjimit kishin dashur, që rapsodët të këndonin në tel të dyzenit për fitoret e Partisë kundër “bandave të reaksionit” dhe “priftit tradhtar”, por as në këtë rast dhe asnjëherë tjetër, rapsodët e mençur, nuk ligjëruan kësisoj. Për Hrushovin, Titon e Xhonsonin po, çfarë nuk thanë nëpër këngët e tyre politike-patriotike, por jo për të arratisurit e vet, dhe kjo është një vlerë e shtuar e popullit, që nuk pranonte assesi që në sofrat e tij, të shaheshin Krenët, ata që jashtë politikës, ai i kishte satirizuar pa dhimbtë.
Shfaqet dhe këtu kodi i qëndresës morale shqiptare, pa të cilin nuk do të kishte as rezistencë kundër sundimtarëve, as disidencë politike, kulturore, fetare, etj.
Dr. Dom Zef Oroshi, kishte ndjekur rrugën e të gjithë të arratisurve të tjerë, në fillim nëpër malet e Mirditës, për disa muaj, pastaj në Jugosllavi, prej andej në Itali dhe së fundi, në Amerikë, më 1962. Bashkëpunëtor qysh në fillimet, me revistën “Shejzat” të Ernest Koliqit e Martin Camajt, me “shkrime gjithfarësh”, ku sipas profesor Karl Gurakuqit; “spikat gjuha e tij e pasun”, i cili kur të vente në Amerikë, do të ishte drejtor i revistës “Jeta Katolike Shqiptare”.
Përkthyes në shqip i veprës “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, që ia kushton ish-mësuesit të tij, Ndre Mjeda, vepër e vlerësuar dhe nga albanologu i njohur, Zef Valentini. Do të kishte takime dhe me Imzot Fan Nolin, që udhëhiqte Kishën Ortodokse në Amerikë, në kuadrin e dialogut ekumenik (frymëzuar nga Koncili i Dytë i Vatikanit), mbi mundësinë e bashkimit të dy kishave simotra, për “nga ana sakramentale dhe institucionale”, si dhe do të pritej në audience, nga Papa Pali VI, të cilit Oroshi, do t’i dhuronte përkthimin e Ungjijve.
Ai, së bashku me Dom Rrok Mirditën, në vitin 1973 do të priste në Nju Jork, Nënë Terezën, me të cilën kishte qenë takuar në Itali, qysh në fillim të viteve ’60-të. Ai ka pasur dhe një korrespondencë të gjerë, me personalitete kulturore, misionare dhe politike të diasporës shqiptare. Jeta e tij ishte ajo e një uragani të pandalshëm, në dobi të shqiptarëve.
Jozef Oroshi, njeri i dijes, misionar, orator, poliglot, publicist, herëdokur do të kishte qenë bërë Abat i Mirditës, në Orosh, por misioni apostolik e kishte hedhur diku tjetër, të ndërtonte kishën e shqiptarëve të Amerikës, ashtu siç kishte bërë paraardhësi i tij, Imzot Prend Doçi, që kishte krijuar kishën në Newfoundland. Ishte e habitshme se si dy klerikë të zot mirditas, do t’iu binte barra, t’i shërbenin Kishës së Romës, në kontinentin amerikan, me thuajse një shekull në mes. Zef Oroshi, përbashkues i katolikëve atje, bëhet themeluesi i së parës i Kishë Katolike të shqiptarëve në Amerikë, “Zoja e Shkodrës”, që e udhëhoqi për njëzet vjet, nga viti 1969, deri në vitin 1989, kur do të ndërronte jetë, në moshën 77-vjeçare dhe në këmbë të tij, do të vinte Imzot Rrok Mirdita.
Oroshi është një nga zërat më aktivë të emigracionit politik, për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe diktaturën që e kishte zhbimë pa mëshirë, klerin dhe kishën. Është padyshim ndër personazhet më karizmatikë të diasporës shqiptare, për dyzet vjet që rroi me Shqipërinë dhe fatin e trishtë të Klerit të mbetur këtu dhe pasi u largua, duke denoncuar në mënyrë të vazhdueshme, shpëtimin e tij.
Disa herë e ngriti mërgatën në këmbë, duke u bërë lajmëtar i terrorit mbi Klerin Katolik në Shqipëri, për çka shtypi politik i këtushëm, e fshikullonte me emër Zef Oroshin, çfarë nuk ishte dhe aq në praktikën e kohës. Për regjimin e Tiranës, ai ishte një “lugat”, që i shfaqej vazhdimisht në ëndrra të këqija qeverisë së Tiranës. Diaspora shqiptare në Amerikë, e ka ndier fort dorën e tij unifikuese, në vitet ’60 -’80-të.
Ai që ia njeh historinë e jetës, nuk mund të mos pyesë se ku e gjente ai gjithë atë forcë e energji, që ta sfidonte regjimin komunist në mënyrën më të pashembullt, si në malet e Veriut, plot me “Forca të Ndjekjes”, si përmes protestave të shqiptarëve para selisë së OKB-së, në fillim të viteve ’70-të, kur aty kishte shkuar për të mbajtur fjalim, kryeministri Mehmet Shehu.
Vetëm te parimet morale të pandërruara dhe atdhedashuria. Te karakteri i fortë prej mirditasi tipik e të papërkulur, që nuk e njihte pushtetin e dhunës. Te popullariteti i pazakontë që ai gëzonte, ndër njerëzit e famullisë së tij dhe të gjithë krahinës së Mirditës. Ata që e nxorën nga shtetrrethimi i asaj dite të pazakontë janari ’52, në Ungrej, dëshmuan se ishin besimtarë të devotshëm dhe se besimi te “perëndia” e re, Partia Komuniste, ishte shumë më i dobët, se ai në Zot.
Nuk mund të ndodhte që në Mirditë, një prift të pritej në besë. Nuk e lejonte as Kanuni këtë. Kanë kaluar 70 vjet nga ikja e tij e, prapë ndër të moshuarit për Dom Zefin, flitet me admirim të madh. Edhe pse në Shqipëri, kjo figurë nuk njihet sa duhet, duhet thënë se është shkruar e botuar jo pak për të, monografi dhe artikuj, janë shfaqur dokumentarë, etj.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka akorduar atij titullin e lartë; “Urdhri Gjergj Kastrioti Skënderbeu”; për rolin e tij “si klerik dhe intelektual i shquar atdhetar, që veprimtarinë e tij e vuri në shërbim të ruajtjes dhe forcimit të vlerave kombëtare, tek i gjithë emigracioni shqiptar në SHBA-së, pa dallim feje”. Ai, si të gjithë prelatët e mëdhenj, diti ta ndërtonte punën, si në një famulli mes malësorësh të thjeshtë, ashtu dhe në metropolin amerikan, ku popullata kishte të tjera problematika, social-kulturore.
Imzot Rrok Mirdita më se një here, ka folur mbi rolin meshtarak e intelektual të Dr. Zef Oroshit, në punët e komunitetit shqiptar në Amerikë, deri në pajtimin e gjaqeve në familjet e tyre në Kosovë, Mal të Zi, etj. Zef Oroshi ka meritën se e ngriti në institucion, jo vetëm Kishën Shqiptare atje, por dhe dialogun kulturor e atdhetar, ndër shqiptarët e Amerikës.
E tash një si epilog…! Kthehemi përsëri në Ungrej-Kashnjet, fill pas arratisë spektakolare të Dom Zef Oroshit, atë dimër të vitit 1952, veshur si grua mirditore. Është në natyrën e misionarëve të çojnë meshë, në çdo rrethanë që të ndodhen, (shpesh edhe brenda qelive), ndaj bashkëkohësit rrëfejnë se; Dom Zefi do të çonte meshë për Pashkët e atij viti, në malin e Molungut, mes luftëtarëve të rezistencës antikomuniste, por dhe më pas në Kosovë, ku do të gjendej për pak muaj gjatë verës së atij viti, derisa të vinte dita, (siç shkruan Klajd Kapinova), që bashkë me tre meshtarë të tjerë, At Daniel Gjeçaj OFM, At Ambroz Martini OFM dhe Dom Nikollë Kimza (historian), të udhëtonin nga Triestja drejt Italisë, ku Oroshi dhe Kimza, do të priteshin bujarisht në shtëpinë e Gjon Marka Gjonit në Romë, gjithashtu i arratisur politik si ata, që nga viti 1944.
Ndërsa për njerëzit e Dom Zefit në Shqipëri, motrën Luken (Luçien), vëllezërit e të afërmit, do të niste kalvari i gjatë i internimeve në Gradishtë të Lushnjës etj., duke u persekutuar i gjithë rrethi i tyre familjar e miqësor.
Historia e Monsinjor Oroshit, trajtohet në mënyrë të posaçme në librin e Markus Peters “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri” (1919-1996), të cilit po i referohemi për një handikap nga ana e shtetit, dhjetë muaj pas arratisjes së Oroshit nga Kashnjeti, por jo ende nga Shqipëria. Aty nga fundi i nëntorit të vitit 1952, nisën drejt Ungrejt dhe Kashnjetit, dy priftërinj, që autori i quan “hetues” (Dushi dhe Sahatçia) me “mision delikat”, për të zbuluar se ku fshihej Imzot Oroshi, por dhe për të propaganduar në popull dhe në kishë mes besimtarëve, kundër arratisë së tij, ku gjatë predikimeve në meshë, kërkohej prej tyre; “dorëzimi i Dom Zef Oroshit”.
Peters shkruan: “Besimtarët që shkonin në kishë, nuk mund të dinin se predikimi i asaj të diele, ishte porositur nga ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu”. Prej dy priftërinjve, theksohej se; “arratisja e Dom Zef Oroshit, kishte lënë një përshtypje shumë të keqe te qeveria dhe se ai tashmë, ishte përjashtuar nga gjiri i Klerit”. Por “misioni i nëntorit”, ishte i pasuksesshëm, pasi D. Zef Oroshi, gjendej “plotësisht i lirë” (Citimet nga libri, f.197).
Regjimi kishte zgjedhur këtë gjuhë, për linçimin dhe denigrimin publik të priftërinjve katolikë, që po i rezistonin me shumë mundim diktaturës. Ai i përfoli në anën morale, ku me anën e bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe shefave të agjit-propit të Komiteteve të Partisë, u sajoi paturpësisht dorëshkrime kinse komprometuese, si bie fjala ndonjë “ditar”, ku ata paskëshin shënuar histori intime, me gra të famullisë, por pa publikuar asnjë fletë faksimile, të këtyre “dokumenteve”!
Zef Oroshi, famullitar i thjeshtë në Mirditë, në botën e lirë u bë Monsinjor dhe themelues i Kishës së Shqiptarëve të Amerikës. Pas tij në Ungrej, do të shërbente një tjetër meshtar i shquar shqiptar, por me një fat krejt të ndryshëm nga ai, Dom Simon Jubani, i cili qëndresën e tij, do ta bënte nga burgjet komuniste, ku u ndry për tridhjetë vjet, deri sa të vinte dita e lume e ai, të çonte meshën e parë, me rënien e komunizmit, më 4 nëntor 1990, në Shkodër. Memorie.al