Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Hamit Troplinit nga familja e njohur tiranase, i cili në qershorin e vitit 1944, i’u bashkua të rinjve të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” që kreu i tyre, Mit’hat Frashëri, i dërgoi në Kosovë nën komandën e Seit Kazazit dhe Halim Begesë, si përkrahje morale për vëllezërit përtej kufirit, që luftonin kundra forcave serbo-malazeze, të Radisav Peçit. Dëshmia e vëllait të tij, Ali Troplinit, se si u nis Hamiti atë ditë për në Kosovë, duke hipur në dy kamionët me të rinjtë e Ballit Kombëtar, të inkuadruar në batalionin “Besnik Çano”, që po bënin një xhiro demonstrative rrugëve të Tiranës, si dhe momenti i vrasjes së tij nga një predhë mortaje gjatë luftimeve, për mbrojtjen e një ure mbi lumin Lim, i treguar nga Xhemal Alimehmeti, një nga eksponentët e rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar, që ishte vetëm pak metra afër tij, kur ai mbeti i vrarë. Pritja madhështore që i’u bë të rinjve ballistë nga Shqipëria, në qytetet e Prizrenit, Pejës etj., ku u mbajtën fjalime nga Bedri Pejani dhe eksponentë të tjerë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si dhe vendimi që morën autoritetet vendore dhe populli i Pejës, që Hamit Troplini të varrosej në atë qytet, për të cilën kishte luftuar duke dhënë jetën.
Familja e lidhur me Monarkinë
Hamit Troplini u lind më 26 maj të vitit 1926 aty në lagjen “Ismail Efendi”, apo siç është njohur më pas me emrin “Vojo Kushi”, e cila ndodhet diku prapa maternitetit të vjetër të Tiranës. Hamiti ishte i pari nga djemtë e familjes Troplini, nga njëmbëdhjetë fëmijët që patën Jonuzi me bashkëshorten e tij Nurie Krujën. Shtëpia ku u lind Hamiti është një shtëpi të vjetër tiranase, e cila ndodhet e futur diku aty midis rrugicave të ngushta të asaj lagje, ku mbizotërojnë banesat prej qerpiçi e të rrethuara me mure e avlli të ulta. Origjina e hershme e familjes Troplini është nga fshatit Romanat (ku ndahet rrethi i Tiranës me atë të Durrësit) ku edhe sot një lagje e atij fshati mban mbiemrin Troplini dhe të parët e saj kanë zbritur e janë vendosur në atë lagje që përpara 170 vitesh. Babai i Hamitit, Jonuzi, përveçse ka qenë i njohur si zanatçi që rregullonte opinga, ka shërbyer edhe për shumë kohë si përgjegjës i lulishtes së Pallatit Mbretëror të Zogut. Atë punë, Jonuz Troplini, e bënte më shumë për kënaqësinë e tij shpirtërore për shkak të adhurimit, që ai kishte për Monarkinë dhe familjen Mbretërore, sesa për pagesën që merrte. Po kështu, edhe i ati i Jonuzit, Abdyli, kishte punuar për vite me radhë në administratën e Bashkisë së Tiranës. Për lidhjet e ngushta të familjes Troplini me administratën e Monarkisë së Zogut, Ali Troplini, dëshmonte: “Babai im Jonuzi, ishte një simpatizant i flaktë i Monarkisë dhe ato bindje ai i kishte të trashëguara nga i ati i tij Abdyli. Po kështu përveç babait dhe gjyshit, që shërbenin në administratën e Mbretit Zog, edhe dy xhajat e mi, Ymeri dhe Qazimi, gjithashtu shërbenin në Policinë Bashkiake”, kujtonte Ali Troplini, për lidhjet e familjes së tij me administratën shtetërore të Monarkisë së Zogut.
Hamiti, me rininë e Ballit Kombëtar
I lindur dhe i rritur në atë rreth familjar, Hamit Troplini, pasi mbaroi shkollën shtatë-vjeçare tek “Hasan Prishtina”, vazhdoi mësimet në gjimnazin klasik të Tiranës, i cili asokohe ndodhej në fillimin e Rrugës së Kavajës. Që në moshë fare të re, Hamiti dallohej nga të gjithë bashkëmoshatarët e tij për fizikun që kishte dhe gjithashtu njihej edhe si trim. Që kur hyri në vitin e parë të gjimnazit, ai u bashkua me një grup shokësh, që ishin simpatizantë të rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar, si: Osman Saraçi, Xhemal Alimehmeti, Musa Murra, Rizvan Banka, Ali Plava etj. Këta vinin shpesh në shtëpinë tonë dhe bisedonin gjatë me Hamitin. Përveç rrethit tonë familjar, një ndikim të madh në bindjet nacionaliste të Hamitit, patën edhe eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar, Ramazan Jarani, Halim Begeja dhe Vasil Andoni, të cilët i kishin shtëpitë vetëm disa hapa, më larg nesh në të njëjtën rrugicë. Duke e njohur Hamitin si djalë trim dhe të zgjuar, ata i’a propozuan atë Mit’hat Frashërit, i cili e mori si shoqërues të tij në Kongresin e Ballit Kombëtar, që u mbajt në fillimin e muajit shkurt të vitit 1944, në qytetin e Beratit. Bashkë me Hamitin në atë kohë si shoqërues i Mit’hat Frashërit, ka qenë dhe shoku i tij Ali Plava”, kujtonte Ali Troplini lidhjet që kishte asokohe me Ballin Kombëtar i vëllai i tij Hamiti.
Si u nis për në Kosovë?
Nga fundi i muajit qershor të vitit 1944, u hap fjala se kreu i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, kishte thënë se do të çonte dy batalione me të rinj nacionalistë në Kosovë, për t’ju ardhur në ndihmë kosovarëve, nga reprezaljet që po iu bënin atyre forcat çetnike serbo-malazeze të Radisav Peçit. Pas thirrjes që kishte bërë Mit’hat Frashëri, Komanda e Rinisë së Ballit, që e kishte selinë e saj tek një barrakë tek Rruga e Saraçve, filloi regjistrimet e vullnetarëve nacionalistë, që dëshironin të shkonin për të luftuar në Kosovë dhe për përgatitjen e listave ishin caktuar Halim Begeja, Arif Peza dhe Xhemal Alimehmeti. Ndërsa kishin filluar të gjitha këto përgatitje dhe ishte caktuar edhe data e nisjes, vëllai im Hamiti nuk kishte dijenie rreth dy batalioneve, që do të niseshin për në Kosovë. Atë ditë para se të bëhej nisja e vullnetarëve nacionalistë, kamionët që kishin hipur ata, bënë një xhiro demonstrative në rrugëve të Tiranës. Atë ditë unë dhe Hamiti u ndodhëm në Rrugën e Dibrës, ku familja jonë kishte një furrë dhe një dyqan të marra me qera. Në atë moment që dy kamionët me të rinjtë nacionalistë, kaluan përpara dyqanit tonë, Hamiti u thirri atyre duke i pyetur se ku po shkonin. Shokët e tij të cilët qëndronin në karroceritë e kamionëve të zbuluar me qeleshe të bardha në kokë dhe me pushkët në duar, i’u përgjigjën duke i thënë se: po shkonin për të luftuar në Kosovë, pasi serbët kishin sulmuar kosovarët. Në atë çast, Hamiti më tha mua: Ali, shko në shtëpi dhe lajmëro tatën, se unë ika për në Kosovë, me shokët e mi. Pa mbaruar mirë ato fjalë, ai u nis me vrap në drejtim të kamionëve dhe hipi lart i ndihmuar edhe nga shokët që e pritën me brohoritje vajtjen e tij. Mbas pak, tek dyqani ku po qëndroja unë erdhi babai, të cilit i thashë se Hamiti u nis për në Kosovë. Babai në fillim shtangu, por nuk e dha veten. Ndërkaq unë u nisa me vrap drejt makinave dhe i arrita ato, tek sheshi përpara Bashkisë, në afërsi të kafe “Kursal”-it. Aty ishin mbledhur shumë njerëz për t’u takuar me të afërmit e tyre, që po niseshin për në Kosovë. Ndërkaq Hamiti qëndronte në karrocerinë e kamionit me qeleshen e bardhë dhe me një xhaketë, që sapo ia kishte blerë Muharrem Mumajesi, tek i cili Hamiti punonte si çirak. Në çastin që u ndamë, Hamiti më tha: Mos qaj Ali, ti je çun i madh i shtëpisë dhe ki kujdes nanën e babën”, kujton Ali Troplini ndarjen me vëllanë e tij Hamitin, duke shtuar se fjalët e tij iu dukën si amaneti i fundit.
Lajmi i vrasjes dhe persekutimi i familjes
Lajmin e vrasjes së Hamitit, na e solli xhaja jonë Qazimi, (i cili në atë kohë punonte me policinë bashkiake) aty nga data 12-13 gusht e vitit 1944. Pas kësaj, për të na dhënë lajmin e vrasjes, në shtëpinë tonë erdhi vetë Halim Begeja, si përfaqësues i Komandës së Përgjithshme të Ballit Kombëtar, i cili në atë kohë ishte kreu i Ballit për Tiranën. Bashkë më Halimin në atë kohë në familjen tonë erdhën dhe një pjesë e madhe e Batalionit të Rinisë “Besnik Çano”, si Xhemal Alimehmeti, Arif Peza, Ibrahim Haznaj etj., me të cilët kishte luftuar Hamiti në Kosovë. Që të nesërmen e ardhjes së tyre, në familjen tonë erdhën dhe shumë telegrame ngushëllimi nga Vlora, Korça, Berati, Kavaja, Shkodra etj., të cilat i kishin dërguar komandat e Ballit të atyre rretheve. Ndër telegramet e shumta që na erdhën në atë kohë, binin në sy ato të Mit’hat Frashërit dhe Jup Kazazit, të cilat ne i ruajtëm deri vonë në familjen tonë”, kujtonte Ali Troplini. Jo vetëm që vëllai ynë Hamiti nuk u shpall dëshmor i atdheut, por komunistët që nga viti 1944, kur erdhën në pushtet, na quajtën ne familje ballistësh e tradhtarësh. Ky etiketim ndaj familjes sonë vazhdoi gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ne u trajtuam si reaksionarë dhe deklasuar, pavarësisht se vëllai ynë, ishte vrarë duke luftuar në mbrojtje të vëllezërve kosovarë, kundër forcave çetnike serbo-malazeze”.
Xhemal Alimehmeti: “Ja si u vra Hamiti para syve të mi”
Një nga ata persona që e ka njohur nga afër të riun tiranas Hamit Troplini dhe ka qenë bashkë me të, në çastin e vrasjes, ishte edhe Xhemal Alimehmeti, ish-pjestar i Batalionit të Rinisë së Ballit Kombëtar “Besnik Çano”. Lidhur me vajtjen e forcave të rinisë nacionalistë në Kosovë në qershorin e vitit 1944 dhe vrasjen e Hamit Troplinit, Xhemali dëshmonte: “Nisja e dy batalioneve të rinisë së Ballit Kombëtar që mbanin emrat “Besnik Çano” dhe “Qeramudin Sulo” nga Tirana për në Kosovë, u bë më datën 16 qershor të vitit 1944. Të 200 vullnetarët, që u mblodhëm aty tek rruga e Saraçëve, hipëm në dy kamionë “Trentakuatro” të cilat u financuan nga qeveria e kryeministrit Ibrahim Biçaku dhe pas një përshëndetje, që na u bë tek sheshi i Shallvareve, u nisëm drejt rrugës së Durrësit, që ishte mbushur plot me njerëz, që na përshëndesnin me dorë dhe na hidhnin lule. Si komandant i dy batalioneve, ishte caktuar Seit Kazazi, që rridhte nga familja e njohur e Kazazëve të Shkodrës, i cili në atë kohë punonte si prokuror në Tiranë dhe kishte mbaruar studimet e larta për Drejtësi në Romë. Kurse zv / komandant i batalionit, ishte Halim Begeja, i cili gjithashtu kishte studiuar në Itali dhe në atë kohë punonte si avokat në Tiranë. Pasi fjetëm një natë në qytetin e Shkodrës, ku batalioni ynë u shtua me të tjerë të rinj nacionalistë nga ai qytet, u nisëm drejt Kukësit dhe pasditen e 17 qershorit, mbërritëm në qytetin e Prizrenit, ku na u bë një pritje madhështore. Në mitingun e madh që u mbajt në atë qytet, fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Bedri Pejani, i cili na uroi mirëseardhjen. Nga ana e vullnetarëve nacionalistë fjalën e përshëndetjes e mbajti Ibrahim Haznai, i cili në atë kohë njihej si gazetar e shkrimtar, që shkruante me pseudonimin Cen Qytyku. Pas fjalës së tij, që i preku të gjithë të pranishmit, të shoqëruar dhe me ushtarët e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, ne u nisëm për në drejtim të qytetit të Gjakovës. Më pas ne vazhduam rrugën drejt Ferizajt e Pejës dhe nga aty morëm rrugën për në Grykën e Rugovës, për të zbritur më pas në Qafë-Morinë, ku ndodhej kufiri i vjetër me Serbinë. Në atë vend ndodhej një urë e cila konsiderohej si tepër strategjike dhe lidhte rrugën kryesore, që kalonte mbi lumin Lim. Kjo urë lidhte Pejën e Beranën me Plavën e Gucinë. Komandanti i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, caktoi batalionin tonë që të merrte nën mbrojtje atë urë, që pritej të sulmohej nga forcat çetnike serbo-malazeze të Radisav Peçit. Dhe ashtu siç pritej forcat çetnike sulmuan forcat tona balliste akoma pa zbardhur mirë dita, me një sulm me mortaja. Ne i’u përgjigjëm gjithashtu me armët tona dhe kjo luftë zgjati deri në orët e mesditës, ku nga forcat serbo-malazeze, pati mjaft të vrarë. Nga forcat tona mbeti i vrarë 19-vjeçari Hamit Troplini, të cilit i ra një predhë mortaje në kokë. Në çastin e goditjes, Hamiti kishte zënë pozicion vetëm dy tre hapa larg meje, pasi ishim shumë shokë dhe ai mbylli sytë në duart e mija. Të nesërmen e vrasjes së tij, më 10 qershor, u mbyllën të gjitha dyqanet dhe pothuaj i gjithë populli i Pejës, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të tij. Që ditën e vrasjes, Komanda e Ballit Kombëtar vendosi që kufomën e Hamitit, ta sillte në Tiranë për ta varrosur pranë familjes, por autoritetet vendore të Pejës dhe i gjithë populli, ngulën këmbë që ai të varrosej aty, duke thënë: “Troplini dha jetën për mbrojtjen e kësaj toke dhe i takon të prehet këtu në këtë tokë, ku do t’i bëhen të gjitha nderimet që i takojnë”. Pas ceremonisë madhështore të varrimit, që i’u bë Hamit Troplinit, ne morëm rrugën e kthimit dhe në qytetin e Prizrenit, mbajtën një fjalim Bedri Pejani dhe Fuad Dibra. Midis të tjerash në fjalën e tij, Pejani u shpreh duke na thënë: “Ju falenderoj në emër të popullit të Kosovës, që na dhatë një ndihmë shumë të madhe morale, duke i dhënë të kuptojë Kosovës që ajo nuk është vetëm.” Pas fjalimit të Pejanit, turma të mëdha qytetarësh prizrenas na ndoqën nga pas duke na hedhur lule, deri sa makinat tona morën rrugën në drejtim të Kukësit”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016