Nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi
Memorie.al / Më 3 tetor u mbushën 27 vjet nga ribashkimi i dy ish shteteve gjermane, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane dhe i krijimit të Republikës Federale të Gjermanisë. Përfundimit të këtij procesi i paraprinë përpjekje të shumta disavjeçare, takime e negociata të ndërmarra nga liderët gjermanë të asaj kohe midis tyre, me drejtuesit e katër fuqitë okupuese – ShBA-së, Bashkimi Sovjetik, Britani e Madhe, Francë, si dhe më shtete të tjera dhe me strukturat udhëheqëse të NATO-s, BE-së, OKB-së etj. U rikrijua kështu shteti i fuqishëm i Gjermanisë, me një territor prej 357,021 km², një popullsi mbi 82 milionë banorë, me një ekonomi të zhvilluar që renditet në vendet e para për prodhimin e brendshëm bruto dhe ndër eksportuesit kryesorë të mallrave në botë, me standard të lartë jetese dhe sistem gjithëpërfshirës të sigurisë sociale.
Ajo është cilësuar si lokomotiva e BE, vendi me rol të spikatur udhëheqës në NATO. Është anëtare në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare si dhe ka marrëdhënie me të gjithë shtetet e botës. Më 2 tetor të vitit 1987, Shqipëria dhe Gjermania, shpallën vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis tyre. Mbërritja deri në këtë ditë erdhi pas kapërcimit të një kalvari të gjatë përpjekjesh nga të dyja palët.
Shqipëria e fundit të viteve ’60 dhe viteve ’70 të shekullit të kaluar, po përjetonte kohë të vështira në zhvillimet e brendshme dhe të jashtme, varfëri, skamje, depresion politik dhe ekonomik, vetizolim ndërkombëtar, që po e çonin vendin drejt asfiksisë ekonomike dhe problemeve serioze në jetesën e njerëzve. Ndërkohë bota euro-atlantike, që nuk e kishte humbur vëmendjen për këtë vend me potenciale interesante në planin gjeostrategjik, vazhdonte të ndiqte zhvillimet e tij.
Në këtë kontekst, rol të veçantë, duket se kishin marrë Britania e Madhe që mendohej se mund të ndikonte nëpërmjet ofertave për zgjidhjen e çështjes së rikthimit të rezervës në ar të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e cila kishte mbetur në sekuestro konservative në Londër, prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe Republika Federale e Gjermanisë, ndaj të cilës Shqipëria kishte avancuar një kërkesë për shpërblimin e dëmeve të shkaktuara gjatë Luftës.
Synohej që përmes gjetjes së zgjidhjes për këto çështje të ndikohej në thyerjen e koracës izolacioniste të Shqipërisë. Drejtuesit komunistë shqiptarë, të trembur nga hapja ndaj botës euro-atlantike, si dhe të pasigurtë nga ofertat britanike dhe ato gjermane, i zvarritën pafundësisht negociatat. Erdhi epoka e gllastnostit dhe perestrojkës gorbaçioviane, kur sistemi komunist ra pothuajse kudo në Europë.
Perëndimi, i bindur se Shqipëria nuk mund t’i rezistonte dot kësaj vale ndryshimesh, pa hequr dorë nga politika e vet strategjike, modifikoi qëndrimet taktike, kaloi në pozicionin e pritshmërisë. Për pasojë u zgjat koha e “daljes” së Shqipërisë në Europë. Kishte disa vjet që delegacione shqiptare e gjermano-perëndimore po negocionin në diskrecion të plotë. Në Vjenë e në Bon ishin zhvilluar bisedime në nivele të larta.
Në Tiranë kishte ardhur Shtrausi, i cili gjithashtu kishte negociuar, por pa rezultat. Të dyja palët ishin ngurtësuar në qëndrime të skajshme. Tirana kërkonte shpërblimin e dëmeve të luftës dhe pastaj vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, Boni insistonte për marrëdhëniet diplomatike dhe në vijim nisja e bashkëpunimit ekonomik, financiar, teknik e shkencor, si mundësi për plotësimin e pjesshëm dhe të tërthortë të kërkesës shqiptare.
Pas shumë vjet humbjeje të një kohe të vyer, Tirana u ndërgjegjësua se duhet të rektifikonte qëndrimin e vet. Ishte bërë e qartë se asgjë nuk mund të arrihej larg kompromisit, duke ndjekur taktikën e këmbënguljes kryeneçe dhe avancimit të kërkesave ultimative. S’kishte shanse për zgjidhje përveçse afrimit drejt pikëpamjes gjermane, çka nuk ishte e lehtë. Për vite të tëra opinioni vendas ishte sugjestionuar maksimalisht me slogane, formula e parulla ideologjike, se Gjermania do të detyrohej të pranonte kërkesat shqiptare.
Në vitin 1987, Ministria e Punëve të Jashtme, duke pasur parasysh ato ç’ka ishin qartësuar nga bisedimet e mëparshme si dhe nga takimi me Shtrausin, rifilloi përgatitjet për realizimin e një takimi tjetër në Vjenë. Për përgatitjen e tij, sipas porosisë së ministrit Reis Malile, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Dytë, Andon Bërxholi, përgatitëm një mini – platformë qëndrimi, e cila, pasi u diskutua edhe me kolegë të tjerë, u miratua nga udhëheqja e lartë dhe iu transmetua ambasadorit në Vjenë.
Ai do takonte homologun e vet gjerman dhe do t’i deklaronte se qeveria shqiptare mendon që, me anë bisedimesh direkte, të kapërcejmë pengesat që na dalin aktualisht. Do të përsëriste kërkesën për pagimin e shpërblimit të dëmeve të luftës. Nëse ambasadori gjerman do të ngulte këmbë që më parë të lidheshin marrëdhëniet diplomatike e pastaj të bisedohej, duhet t’i thoshte se ne nuk jemi kundër vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Por, siç ua kemi bërë të qartë edhe më parë, në kushtet tona ajo nuk mund të bisedohet e të zgjidhet e shkëputur nga çështja e reparacioneve.
Duke iu drejtuar qeverisë aktuale të RFGJ-së për reparacionet nuk do të thotë se ne e konsiderojmë atë fajtore për krimet dhe shkatërrimet e shumta e të mëdha të kryera ndaj popullit tonë nga nazistët. Ne mendojmë se edhe vetë qeveria e RFGJ-së i dënon këto krime.
Me kompensimin e tyre ajo përmbush një detyrim që bie mbi të si sukseduese e zonave perëndimore të pushtimit të Gjermanisë. Këtë detyrim e ka njohur dhe e ka realizuar më parë ndaj një numri jo të paktë shtetesh. Megjithatë, duke marrë në konsideratë sa na keni thënë për vështirësitë që ju paraqiten juve në këtë rast, dhe duke mos dashur t’ju imponojmë kushte, jemi dakord që të shpallim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Çështja e detyrimeve që rrjedhin nga Lufta e Dytë Botërore të konsiderohet si problem i brendshëm i dy qeverive dhe të mos publikohet. Ajo të zgjidhet në rrugë diplomatike. Më 17 mars 1987, u zhvillua në Vjenë, raundi vijues i negociatave shqiptaro-gjermane. Rendi i ditës ishte mjaft i përcaktuar, bisedime rreth vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe diskutimi i modaliteteve administrative e teknike për hapjen e ambasadave në Tiranë e në Bon.
Atmosfera e bisedimeve dukej e lehtësuar dhe ndjehej se ato do të ishin negociatat përmbyllëse, pas të cilave do të vinte akti i inaugurimit të marrëdhënieve diplomatike. Delegacioni gjerman kërkoi që, në përmbajtjen e aktit të vendosjes së tyre, të evitohej çdo referencë për reparacionet dhe sugjeroi që teksti i mundshëm për t’u përfshirë në protokoll të formulohej si më poshtë: “të dyja palët parashtruan pozitat e tyre, të njohura qysh në notat e shkëmbyera në vitin 1975 për çështjet e dëmeve të shkaktuara në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishin dakord që nga kjo nuk preket vendosja e marrëdhënieve diplomatike”.
U bisedua gjithashtu rreth bashkëpunimit ekonomik, për të cilin pala gjermane pranoi pa hezitim organizimin e takimeve të posaçme për bashkëpunimin ekonomik, tekniko-shkencor dhe kulturor. Pasi u gjet zgjidhja e duhur, u kalua në shqyrtimin e formatit teknik dhe administrativ për hapjen e ambasadave.
Për caktimin e profilit final të dokumenteve, redaktimin, përkthimin dhe krahasimin e teksteve u ra dakord që, në 4 shtator 1987, specialistët e të dyja palëve të takoheshin në Vjenë. Autori i këtij shkrimi, me cilësinë e kryetarit të Byrosë Juridike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ishte anëtar i delegacionit të specialistëve shqiptarë.
Në takim u përcaktua që në dokumentet nuk do të figuronin emrat dhe as funksionet e atyre që do t’i nënshkruanin, Kastrup-it, funksionar në MPJ gjermano-perëndimore dhe Andon Bërxholit. U trajtuan edhe hollësi të tjera të kësaj natyre, të cilat tregojnë vëmendjen e jashtëzakonshme dhe skrupulozitetin e palës gjermane për të përcaktuar dhe fiksuar paraprakisht çdo detaj teknik e praktik.
Dosja e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, pjesë substanciale e të cilës ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike, ishte gati për solemnitetet e inaugurimit dhe zyrtarizimit të tyre. Më 14-15 shtator 1987, u takuan në Tiranë, delegacionet e të dy vendeve, të cilët diskutuan edhe një herë përmbajtjen dhe paraqitjen e një dokumenti të titulluar; “Protokoll mbi bisedimet midis delegacioneve të Qeverisë së R.P.S. të Shqipërisë dhe Qeverisë së RF të Gjermanisë, për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”. Gjithçka u krye pa vështirësi. Atmosfera e negociatave ishte gati-gati festive.
Më 15 shtator 1987, u nënshkrua protokolli, i cili do të hynte në fuqi pas miratimit nga organet kompetente të të dyja palëve, sipas procedurave juridike të parashikuara nga legjislacionet e tyre. Ditën e hyrjes së tij në fuqi, do të shpallej vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe ajo do të konsiderohej si data zyrtare. Pala shqiptare i miratoi dokumentet më 23 shtator 1983, kurse ajo gjermane në fillim të tetorit.
Më 2 tetor 1987, në Tiranë dhe në Bon u shpall vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Kjo ngjarje e shumëpritur nuk mund të mos konsiderohej si arritje e madhe, e cila përbënte një stacion të rëndësishëm në rrugën e ecjes së popullit shqiptar drejt një të ardhmeje më të mirë, drejt progresit dhe zhvillimit.
Marrëdhëniet diplomatike me RF të Gjermanisë ishin një ndër aktet e para të hapjes së Shqipërisë ndaj botës demokratike. Më pas ato do të rivendoseshin edhe me ish-Bashkimin Sovjetik (korrik 1990), ShBA (mars 1991) dhe me Mbretërinë e Bashkuar (maj 1991). Shqipëria dhe populli shqiptar, për shkak të qëndrimeve dogmatike të përpunuara nga udhëheqja e lartë e vendit, kishin humbur një kohë të gjatë, dhe bashkë me të edhe mundësinë për një kompensim material e financiar të menjëhershëm e të rëndësishëm, plotësisht të merituar për sakrificat dhe vuajtjet që përballuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, për dëmet dhe humbjet që pësuan.
Çështja komplekse e reparacioneve, që bashkonte elementë politikë, ekonomikë, juridikë, historikë etj u thjeshtëzua në ekstrem, u banalizua, u zvarrit tej mase dhe u trajtua me mungesë të theksuar realizmi. Në ministrinë e Punëve të Jashtme ajo trajtohej shkarazi. Ajo ishte mënjanuar dhe kryente vetëm veprimet teknike. “Vija”, “direktivat” për qëndrimet që do të mbaheshin në çdo takim përpunoheshin “lartë” dhe vinin të gatshme, vetëm për “zbardhje”.
Specialistët përkatës të Ministrisë, deri pak kohë para përfundimit të çështjes, përgjithësisht u mbajtën larg, nuk u lejuan të njiheshin me ecurinë, hollësitë e negociatave, propozimet, kundër propozimet, argumentet dhe arsyetimet e përdorura nga palët etj. Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike pati një zhvillim entuziast raportesh midis dy vendeve, vizita të ndërsjella personalitetesh, negociata dhe marrëveshje bashkëpunimi në fushat ekonomike, tregtare, financiare, tekniko-shkencore etj.
Shqipëria u përfshi në skemat e përgjithshme të financimeve, ndihmave dhe kredive gjermane dhe u trajtua si gjithë vendet e tjera që përfitonin prej tyre, por me një prioritet të veçantë. Kjo i dha mundësinë të siguronte gati çdo vit shuma më të mëdha ndihmash e kredish. U konfigurua në këtë mënyrë një format i suksesshëm i bashkëpunimit ekonomik për një zhvillim shumëdimensional dhe shumëplanësh.
Shqipëria, për një varg faktorësh, që lidhen me të, rajonin ballkanik dhe interesat e Gjermanisë, ka qenë dhe vazhdon të jetë në vëmendjen e saj. Përfaqësimi i ri politik në Bundestag, pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit, nuk ka arsye të ndikojë në politikën gjermane ndaj saj dhe Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit, i iniciuar në vitin 2014, si sfidë e Gjermanisë dhe e kancelares Merkel për të asistuar vendet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE, vazhdon të mbetet objektiv i rëndësishëm i politikes së tyre europiane.
Qeveria dhe në përgjithësi politika shqiptare e konsideron dhe e trajton Gjermaninë si partner strategjik në Europë, me një peshë të veçantë. Jubileu i përvjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve, duhet të shërbejë për të bërë bilancin e arritjeve në të gjithë spektrin e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, për të reflektuar për të hedhur hapa të guximshëm për ngritjen e nivelit të tyre në standarde më të larta./ Memorie.al















