Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të atentatit që i’u bë Mbretit Zog më 20 shkurt të vitit 1931 teksa ai ndodhej për kurime në Vjenë, nga ana e një grupi emigrantësh politikë shqiptarë që jetonin në kryeqytetin austriak, me në krye Ndok Gjeloshin, Aziz Çamin, dy ish-oficerët e Ushtrisë Shqiptare që kishin marrë pjesë në Kryengritjen e Qershorit të vitit 1924, si dhe Qazim Mulletin e Angjelin Sumën, të cilët pasi kishin zënë pritë në portën kryesore të Teatrit të Operës së Vjenës, qëlluan disa herë me revolverët e tyre ndaj Zogut dhe adjutantëve të tij, në kohën që ai po hipte në automjetin e tij që e priste aty afër, duke lënë të vrarë në vend, majorin Llesh Topallaj dhe duke plagosur ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ekrem bej Libohova. Si u përcoll ai lajm dhe e gjithë ngjarja e atentatit ndaj Mbretit Zog që shpëtoi për mrekulli pa u prekur nga plumbat e atentatorëve, në gazetat më të mëdha të Europës dhe atyre të SHBA-ve, si: “The New Jork herald”, “Daily Telegraph”, Daily Express”, “Chicago Tribune”, “Moring Post”, “Universul”, “Daily Herald”, etj., të cilat gjetën rastin dhe botuan për disa muaj me radhë në faqet e tyre me dhjetëra artikuj, ku përveç ngjarjes në fjalë, i kushtuan shumë shkrime edhe miqësisë së Mbretit Zog me baroneshën austriake Maria de Janko dhe motrën e saj, Franciska de Janko, të cilat kishin qenë për disa kohë në Tiranë dhe me vajtjen e Zogut në Vjenë, edhe ato kishin shkuar aty duke u akomoduar në Hotel “Regina”, ku Mbreti i Shqiptarëve gjatë gjithë atyre ditëve, i frekuentonte shpesh dhe dilte me to në shëtitje në parqet më të bukura të Vjenës.
Shtypi botëror mbi ngjarjen e atentatit ndaj Mbretit Zog në Vjenë
Lajmet sipas fletoreve të Vjenës
Si mbas hollësirave që japin fletoret e Vjenës kuptohet se atentati kundër Mbretit të shqiptarëve u zhvillue në mes të nji lufte të vërtetë revolverësh siç shifet janë shtimun ma tepër se pesëmbëdhjetë, vdekja e adjutantit Major Topallajt ngjau menjëherë nga dy plumba që ranë drejt e në kokë, plagët e Ministrit të Oborrit, Z. Eqerem Libohovës, siç u lajmërue më parë janë të lehta. Mbreti i cili mbeti i pacënuem nga atentati, i përcjellun nga gjenerali dhe Itendenti, vajti në hotelin (“Imperjal”), publiku i teatrës qe zëmërue me nji mënyrë të jashtëzakonshme dhe desh me i vetgjykue atentatorët.
Vjenë, më 21 i 2, ora 18.
Në rrjedhën e atentatit kundër jetës së Mbretit të shqiptarëve, shoferi i Lartmadhërisë së Tij, bani këto deklarata: Adjutanti, Major Llesh Topallaj, posa kishte vue këmbën në shkallën e automobilit dhe donte të hynte brenda, kur qi vuna re një njeri me pallto të zezë dhe me kapele po të asaj ngjyre qi po i afrohej automobilit, ky nxori nga dalë revolverin nga xhepi dhe ja drejtojë Mbretit. Në atë moment u ndien dy të shtime dhe Major Topallaj u rrëzue i mbytun në gjak në shkallën e automobilit, çka ngjamun pastaj u zhvillua më pak se kundra pushkët vijojshin njena mbas tjetrës. Unë nxora revolverin tem dhe atentatori solli pushkën nga un, hapa derën e automobilit i cili u përplas në fytyrën e atentatorit, me atë çast kaloi mbi kokën time një plumb. Trupi i Major Topallajt vlefti si mbrojtës për Lartmadhërinë e Tijë Mbretin.
Mbi mënyrën e jetesës së atentatorëve, fletorja jep këto lajme:
Ndok Gjeloshi qysh prej vjeshtës nuk shikonte asnjë punë, gruaja e tij e cila merrte të holla nga shtëpia e vet, duket se e mbante. Referendari i shtypit shqiptar Lea, afër undlihc, lajmnon fletoren e nalt përmenduni se të dy atentatorët ishin të njofton qysh prej kohe nga konsullata. Këto njerëz nuk kanë pasë kurrë nji program të caktuem politik dhe ishin të zemëruar pse nuk kishin prap gradat e veta në Shqipni dhe nuk mujshin me fuqien e mëparshme.
Këshilltari i legatës, z. Çatin Saraçi, u ndodh për ane në kohën e atentatit dhe kishte shtie pushkë kundër atentatorëve, gabimisht prej disave u kujtua si atentator dhe me vështirësi të madhe mujti me shpëtue nga vet gjykimi i popullit mbi atentatin e Mbretit të shqiptarëve.
Fletoret e Vjenës në botimin e mbarmjes japin edhe këto informata:
E shoqja e Nok Gjeloshit u pyet nga policia dhe deklaroj se nuk kishte asnjë dijeni mbi planet e burrit të vet, se dje kishte qenë me një shoqe të vetën në burg fetar. Emigrantët shqiptarë mblidheshin ma përpara në “Ringrastratse-kafe”, por tash së fundi mbledhjen e bëjshin në nji kafe në “Tetin Bezirsk”, ku mbrëma ndodheshin disa prej tyre.
Ndok Gjeloshi deklaroj në pyetjet e bame, se i vinte keq se nuk kishte mujt me e krye qëllimin e vrasjes së Mbretit. Nëpërvizimin e dymbëdhjetë emigrantëve shqiptarë qi u arrestuan, gjetën armë të ndryshme dhe municione të cilat u sekuestruan.
Dhe automobili i Mbretit pësoi dame të rënda prej plumbave që u shtien prej atentatorëve. Mas tregimeve të shoqes së Nok Gjeloshit dhe mas fjalëve të zonjës së shtëpisë së tij, këto pritshin pak vizita në shtëpie dhe se Gjeloshit nuk ja rriti kur as korrespodencë, as të holla.
Mbi atentatorin e dytë, Aziz Çamin, banorët e shtëpisë ku rrinte deklaruan se Azizi nuk piqej as me ndonjë njeri dhe jetonte në kondita mjaft të këqija.
Vjenë, 21, ora me 18 e 55.
Mbretit Zog i’u arritën sot telegrame të panumërta prej Austije dhe prej Shqipnie dhe prej vendeve të tjera përgëzime shpëtimi nga rreziku, nga ana e trupit diplomatik dhe nga personat me rëndësi të qarqeve shoqërore vjeneze.
U vunë nënshkrime në regjistrin e posaçëm të vizitave në hotelin e dërgatës i shoqnisë austro-shqiptare, e cila i paraqiti urimet Mbretit, ai ju përgjigj se ishte i lumtur se në këtë ngjarje nuk ishte damtue asnjë austriak dhe Mbreti, mbasi të mbarojë kohën e pushimit e të iki nga Vjena, ka për të kujtue kryeqytetin e Austries me simpatie dhe me mirënjohje.
Mbreti shfaqi besimin e plotë se aktiviteti i shoqnies do t’i sjelli fryte shumë të çmueshme për të dy vendet. Mbreti i piklluem thellë për vdekjen e Major Llesh Topallajt, urdhnoj trasportimin e trupit të tij në Shqipnie.
Shikimi me radio i Ministrit z. Eqerem Libohova, tregon se i asht cënue ashti i këmbës dhe shërimi pritet në pak kohë.
Vjenë, 21, ora me 20 e 40.
Nën kancelari dhe Ministri i Punëve të Jashtme. Z. Dr. Shober i ka drejtue Ministrit të Punëve të Jashtëm shqiptar në Tiranë, një telegram me anë të cilit shfaqi hidhnimin e qeveris së Mbretit Zog, si dhe shprehu kënaqësinë e vërtet për dështimin e atentatit.
Përnjëherë z. Dr. Shoberi siguron Ministrin e Jashtëm se merr pjesë thellësisht në hidhnimin e vdekjes së Major Topollajt, tue shfaq shpresën për një shërim të shpejtë të Ministrit të Oborrit, z. Libohovës.
Vjenë, 21, ora me 20 e 35.
Mbreti Zog sod në mëngjes vizitoi Ministrin e Oborrit, Libohovën, gjendja shëndetësore e të cilit asht e mirë dhe pa ethe.
Vjen, 21, ora 23 e 15.
Përkufizimet e bamuna nëpër shpijat e emigrantëve shqiptarë në Vjenë, na japin shkaqe dyshimi për bashkëfajësinë e tregtarit shqiptar Qazim Mulleti, i lindur në Tiranë më 1896, banues në rrugën “Floriangasese” nr. 19.
Nxjerrun prej Fletores “The Ciristian Scienice Monitor”
Boston. 27 Fruer, 1931 MBRETI ZOG E SHPIE SHQIPNIEN NË RRUGËN E NJË KOMBSIJE
“Shko kadalë”, sundimtar i Mbretnies së vogël, por ka mbërrit kulmin e zbatimit të qetësisë
Lajm i veçantë për “Christian Scie ce Monitor”
Tiranë, Shqipnie.
Megjith q’i kohët e kalueme dhe të ardhshmet janë të vështirshme, Shqipnia nën sundimin e Mbretit Zog, të ri dhe trim, asht tuj përballue avenirin me konfidencë.
Banka Kombëtare çelun tash pesë vjet nën kontrollin e Italisë, gradualisht asht tue rregullue aferën financiare: rrugë të reja po ndreqen, t’u çel kështu Shqipnien si në pikëpamjen ekonomike ashtu dhe në pikëpamjen e organizimit si ent kombëtar, nën udhëheqjen e oficerëve të Italisë dhe të ekspertëve civil.
Historia e Shqinies si nji komb i ri, mbas kaosit të luftës së madhe, asht krejt historia e Mbretit Zog vetë, i cili qe me kthimin e tij më 1924, në qarkun e vete të Matit, ka qenë gjithnjë në reshtin e parë të ngjarjeve shtetërore. Mësimet e tij i bani në shkollën e Turqies, dhe ma vonë në shkollën e oficerëve në Manastir.
I pari veprim i Mbretit Zog ka kenë me thye nji kryengritje qi ju ba Princ Wiedit, vue në front të Shqipnies prej fuqive të mëdha mbas luftës së Ballkanit 1912-1913, kur turqit humbën luftën.
Sundimi i Wied ka qenë i shkurtër për shkak të luftës së madhe, në të cilën kohe Shqypnia u okupua prej Grekëve, italianëve, austriakëve, serbëve, malazezëve dhe prej ushtries franceze. Dhe kur u ba paqja, Ahmed Zagolli, atëhere kështu u quante, mori me kryesien me formue qeverinë kombëtare tue qenë vetë Ministër i Punëve të Brendshme, dhe u ngarkue kështu me barrën për formimin e nji qeverie të përhershme, të cilën asht ka po e mban edhe sot.
S’ka kenë kurrë një komb
Dhjet vjet asht nji periodë i shkurtën për historinë e nji kombi, veçanërisht për nji komb qi, pra se të vinte Ahmeti në fuqi, s’ka kenë kurrë nji shtet.
Deri n’ atë kohë qarqet e Shqipnies së mesme ishin të sundue prej bejlerëve, të cilët kishin marrë pasunie në mënyrë të këqija ase si shpërblim për shërbimet q’i i bajshin Turqies. Tokat e tyre u punonte prej katundarëve të vorfën të cilët u detyrojshin m’i i dhanë gjysmën e prodhimit bejlerëve dhe këto katundarë banojshin në shtëpia të vjetra prej dërrase qerpiçi.
Në veri malësorët ishin të ndamë në fise, të cilët mbetshin t’ë izoluem prej malesh të mëdha, prej pyjeve të gjana prej mungimit të komunikacionit dhe për grindjet në mes tyre. Këto u sundojshin prej bajraktarvet dhe prej nji këshilli të moçmëvet q’i administroheshin vendin si mbas kanunit të Lek Dukagjinit, qi pat fillue në shekullin e katërmbëdhjetë.
Viti 1931 çilet me detyrën për të shkurte fuqinë e bejlerëve dhe për të përmbush bashkimin politik të fiseve-deri tash jo e kompletueme, por mjaft e përparueme. Rruga do t’u goditshin, një ushtrie kombëtare do t’u formonte, dhe ma fort një ndjenjë kombëtare duhet t’u krijonte. Dhe para se t’ë fillojshin këto detyrime, ishte nevoja me ndalue nji herë mësymjen nga jashtë.
Më 1920 kishte në Shqipnie nji forcë italiane me qëllim që t’aneksonte Vlonën, Shqiptarët me Ahmetin q’i luajti nji rol të madh jo zyrtar, muarrën armët dhe italianët u detyruan te largohen. Vitin që vazhdoj, Jugosllavët okupuan Shqipnien e Veriut dhe ksi herë Ahmeti ishte komandanti i fuqive që luftojshin me to. Mase fundi, jugosllavët u larguan me ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve.
“THE TIMES” 2 Mars 1931
KOMPLOT KUNDËR MBRETIT ZOG
AKTIVITETI I REFUGJATËVE SHQIPTAR
Prej korrespodentit t’onë
Deklarata qarkullojnë tash në Tiranë në qarqet zyrtare të këtushme që thonë se atentati kundër Mbretit Zog ishte pjesë e nji komploti t’organizuem nga refugjatët shqiptarë në Jugosllavie për me përfitue nga nji farë pakënaqësie që ekziston dhe nga konfuzioni që do të kishte ardh mbas vrasjes së Mbretit.
Midis 30 Janarit dhe 2 Fryerit, Ministri i Jugosllavies. Z. Nastassiyevition, lajmëroi Qeverinë shqiptare se nji komplot me vra Mbretin Zog ishte tue u përgatit në Vjenë. Një njoftim të tillë i bani Qeveris austriake Ministri i Jugosllavisë në Vjenë, përpara vrasjes së Arqidukës Franz-Ferdinand më 1914.
Thuhet këtu se me 3 Fruer, nji pjesëtar i familjes Bushati la shtëpinë e tij në Sarajevë dhe dy ditë ma vonë asht pjek, veçanërisht me të gjithë shefat e Bashkimit Revolucionar Kombëtar Shqiptar në Vjenë. Asht ba nji mbledhje e Bashkimit më 7 Fruer për me zgjidh si kryetar të ri, z Angjelin Suma. Thuhet se shefat e tjerë janë pjek në Athinë dhe se kanë kërkue me mbledh rekrut në Epir.
Fjala filloj me qarkullue ne të dy anët e kufirit jugosllavo-shqiptar me 11 Fruer se do t’u bënte nji atentat kundër jetës së Mbretit Zog ditën e dytë të Bajramit, d.m.th., me 20 Fruer dhe se nji refugjat i njofton mirë, ishte tue çue fjalë gati 1000 prej njerëzve të tij ndër katundarët, dyqanxhinjtë dhe të tjer që jetojnë afër kufirit, m’u përgatit për aksion. Thuhet se afër 200 burra t’armatosun qenë mbledh afër Gjakovës./Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016